2015/03/01

Shqiptarët, në valën e tretë të konvertimit



Nga Nest Zefi


Implodimi i sistemit komunist në vitet ‘90 dhe tentativa e dëshpërueme me ruejt pozicionet e akumulueme me çdo kusht nga elita e asja kohe, prodhoi nji situatë kaotike të randueme edhe ma tepër nga arnimet e vazhdueshme të rendit të vjetër me nji paketë të vakët reformash të ngadalshme, të cilat përveçse nji koje risiet iluzore, shmangën nji mundësi potenciale me rinegociu me sens drejtësiet e paqtimit mbarëpopullor, themelet e ndërtimit të nji shoqnie vërtetë demokratike me pjesmarrjen efektive, in primis të pjesës së margjinalizueme e të persekutueme historikisht. Rendja me demokratizue me retorike “hungruese” e procedurë të thatë, monizmin komunist shqiptar, i hap rrugë zëvendësimit gradual të udhëheqjes së plakun komuniste, me “çunakët” e përpunuem në laboratorin e partisë dhe ndryshimi konsistoi mà shumë në kritere “anagrafike” se sa në modifikimin e strukturave të kalbuna institucionale e shoqnore apo afirmimin e nji elite të shkëputun prej lidhjeve me ideologjinë komuniste. Pjesa e vuejtun dhe vërtetë e persekutueme për arsye parimore prej sistemit komunist, përfshi edhe ajo e regjimeve pararendëse, mbasi nji fill i kuq i lidh komunizmin e otomanizmin, megjithë kontributin thelbësor në katalizimin e ramjes së komunizmit, u mënjanue komplet qysh në fillesat e ndërrimit të sistemit, jo vetëm prej regjisë komuniste që përpiqej me kontrollue evoluimin e ndryshimit por edhe prej valës masive të konvertimit të ish-masave të shumta komuniste oportuniste.

Fatkeqësisht i njajti fat mizor ka shoqnue edhe në vitet ‘90 njerëzit që ishin shpirti i ndryshimit në analogji të plotë me çka u ndodhi patriotëve të vërtetë që donin me shpallë pavarsinë, apo ma vonë me rastin e Princ Vidit, të Fan Nolit, të Luftës së Dyte Botnore e kështu me radhë. Kjo vijimësi fatkeqe e ka bazën në mungesën e nji kulturë të vërtetë liriet në psikologjinë e masave të gjana popullore, të cilat kanë mbetë të dorzueme në fatalitetin e imponuem prej historisë së tyne të dhimbshme dhe si rezultat të paafta me shprehë nji elitë të përgjegjshme për me i dalë zot vendit, tue përqafue vlerat ma të mira të kontigjencës historike. Mungesa e nji përqasje kritike dhe injorimi i të dhanave faktike të realitetit me iluzionin se pastërtia e mirësia e idealeve do të triumfojë me çdo kusht, mendoj se ka kenë gabimi dramatik i elitave tona vërtet të iluminueme, tue fillue me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, At Anton Harapin, Mons. Luigj Bumçin e shumë të tjerë që për ekonomi hapësinore s’po mundem me i përmendë. Bashkëpunimi me modelin e të konvertuemit të rremë e të pasinqertë àsht bà mëkati gati i dytë i rrjedhshëm (origjinal) i patriotëve shqiptarë dhe ky modus operandi ka favorizue përjetësimin e të njàjtit model të të mbijetuemit instrumetal që nuk njeh rregulla e parime të bashkëndame, përveç interesin e vet meskin, me dàm të pallogaritshëm për të mirën e përbashkët dhe paqen sociale të bashkësisë shqiptare.

Sigurisht nuk jam kundër konceptit të konvertimit mbasi ai i konceptuem si proces e motivim orientues drejt së mirës autentike, àsht pjesë konstitutive e çdo përvoje njerëzore të shëndoshë, me kusht që mos të mbesë nji akt i vetëm në tentativë, siç na ka dëshmue realiteti i historisë shqiptare me donkishotizmin e saj patetik, të lshuem me koleksionue fitore të “Pirros”. Ky kuadër jo fort optimist që deri tash kam përshkrue, rrjedhimisht ka prodhue nji situatë kaotike në të gjitha rrafshet e realitetit tonë, sa me e bà fort të zorshme inkuadrimin e tij me kategoritë tradicionale sociologjike të shpjegimit të fenomenve shoqnore, përfshi edhe ato të përpunume me shumë meditim e zell në vendet ma të përparueme perëndimore. Në këtë drejtim, mendoj se nji kontribut cilësor jep edhe turbullimi me papërgjegjshmënì i ujnave të së kaluemes tonë nga ana e nji morie kaotike aktivistësh anonimë e në zà të establishmentit kulturor, shoqnor, fetar e institucional shqiptar, tue injorue me vullnet të hekurt njohjen e saj me qëllim shpjegim e të tashmes dhe përgatitjen e së ardhmes. Autoevidenca e nji situate problematike që sfidon edhe “radarët” e përshkrimit në të vërtetën e saj efektive, në vend që me nxitë nji meditim të paktën kulturor per me krijue nji masë kritike për ndryshime potenciale përmirësuese, i ka “anestizue” edhe ma tepër “shqisat” analizuese, shpjeguese vepruese.

Mbrojtja e statuskuo-së në të cilën vegjetohet bash prej atyne që mëtojnë më kënë koshienca civile e kulturore e komunitetit, tregon nji të vërtet të shimbshme, d.m.th, faktin se koncepti për njeriun dhe dinjitetin e tij ontologjik aàht i shpjeguem dhe përmbrendsuem me kategoritë e pragmatizmit mbijetues e mjeran. Tue lexue median online shqiptare, asht vërtet e çuditshme dhe njikohësisht dëshpëruese fakti që shumica e analizave përshkruesë të realitetit shqiptar i ngjajnë proces-verbaleve të rëndomta konstatuese të nji polici rrugor dhe kompromentimi me rrokopujën àsht në nivele të tilla sa me anullue mundësinë e nji distance minimale kritike mbi çka ndodhë ndër ne, pse ndodh e a ka mundësi me ndodh ndryshe. Per me ilustrue çka kam ndërmend me thanë në këtë paragraf, më rastisi para disa ditësh me lexue nji shkrim të publicistit Fatos Lubonja me temë skizofreninë e shqiptarëve. Sqaroj se e njoh pak Fatos Lubonjën edhe pse asht gjithkund i pranishëm nëpër media të shkrueme e vizive dhe si gazetar ia ka mbrrì me kenë i perceptuem si antikonformist në publikun shqiptar. Tue iu kthy artikullit në fjalë mbi situatën skizofrenike të shqiptarëve, Fatosi parashtronte idenë se shqiptarët jetojnë në dy botë të kundërta njikohësisht dhe analiza e matejshme e kësaj situate kontradiktore të shqiptarëve, dukej se e habiste Lubonjën se si pre e kësaj kondite kanë ra edhe personalitete të nalta të kulturës, përfshi edhe shtetarët tonë, të shqetsuem me e eksportue veçantinë shqiptare në botën ku aspirojmë me u integrue.

Përtej mesazhit e pasazheve me sens që përmban artikulli i Fatos Lubonjës, tue e zgjanue gamen e arsyetimit dhe qëllimit të këtij shkrim, mendoj se vetë Fatosi në premisat e analizavë të veta, edhe pse àsht ma i miri ndër shumë publicistë e analistë “bubrrues”, àsht i infektuem randë prej modelit të mendimit “skizofrenik”, të cilin ai kritikon në shkrimin e cituem. Koncepti dizarmonik që Fatosi ka mbi njeriun dhe raportin e tij me komunitetin, tue ekzaltue vetëm dinamikën fiziologjike àsht kulmi i skizofrenise e cila në kushtet e nji përjetësimi teorik, ideologjik e praktik, prodhon nji mutacion antropologjik me kahje regresionin në përmasën faktike sensitive kanibaliste. Konvertimi i rremë, instrumental, i zhveshun prej idealeve dhe evitimi i ndërveprimit me vlerat e realitetit në të cilin aspirohet me u realizue procesi i konvertimit, përveçse skizofreni fillestare, àsht nji frankestein kulturor.

Pikërisht injorimi i qëllimshëm i historisë dhe rendja patetike me rithemelue vedin apo “shqiptarinë”, në rastin shqiptar, bash në baltën e autoreferencialitetit narcist e mjeran personal e komunitar, prodhon nji mendim skizofrenik, i cili tue mos u përballë me dialektiken e shëndoshë të realitetit për ta “performue” atë me vlerat e dinjitetit të patjetërsueshëm njerëzor që e ka bazën në nji instancë metafizike e jo konvencionale sikurse mendon Fatosi, tregon se dàmi mà i madh që i ka ardhë apo vjen Shqipnisë àsht edhe mungesa e nji klase intelektuale në sensin fisnik të termit, pra nji klase intelektuale e aftë me dëshmue e predikue të vërtetën mbi njeriun në përgjithsi, atë shqiptar ne veçanti, lirinë e përgjegjshmëninë e tij.

Kriza ciklike shqiptare, mendoj se nuk àsht vetëm ajo që na prekim me shqisat “epidermike” në përditshmëninë tonë, sigurisht të mbushun me situate varfniet ekstreme, polarizim social të trupshëm në aksin e të mirave të përbashkëta, zaptim institucionesh, pasunish e tokash prej nji grushti feudalësh të ri, krim, pasiguri, dhunë sistematike e mungesë perspektivet në të ardhmen, por ajo àsht ma e thellë, tue kene se i referohet krizës apo përçudnimit të konceptit tonë mbi njeriun. Qëndrimi evaziv edhe teorik mbi pyetjen se cili asht koncepti jonë mbi njeriun, i ka hapë rrugë avancimit të patrazuem të teorive shkatërruese pikërisht mbi njeriun dhe konvertimit tonë akritik në konformizëm të skajshëm në shumë rrafshe të jetës. Periudha kohore në të cilën jetojmë àsht konsiderue konvencionalisht prej teoricienëve të rrymave të ndryshme të mendimit si post-modernitet për shkak të faktit se falimentimi i ideologjive të forta që jane alternue deri në rrëzimin e murit të Berlinit, ka pru nji mendimi të ri, i cili në inkonsistencën e vet, karakterizohet prej nji dobësie fiziologjike, predikon skepticizëm mbi njeriun, ofron si ngushëllim konsumimin makiavelik të çdo gjàje të mundshme teknikisht dhe në fund inkurajon me “përkund” egoizmin individual të njeriut pa u shqetësue aspakt për limitet logjike që personi hasë tue jetue në komunitet.

Europa e sotme në të cilën Shqipnia don me u integrue, asht prej disa vitesh e përshkume prej mendimit relativist e skeptik kulturor, ndoshta si shfrymje fiziologjike provizore, për shkak të disa segmeteve kohore historiknë të cilat kane dominue rryma mendimit totalizueze dhe hapja akritike e vendit tonë ndaj këtyne rrymave, sigurisht e ka kompromentue në gjenezë mundësinë e nji raportimi në frekuencën e vlerave autentike njerzore me Europën dhe historinë e saj qytetnuese për mbarë njerëzimin. Në fakt, mbas viteve ‘90 u përftue nji aleancë taktike e tribalizmit tonë historike, tashma të sherbetisun sikurse e lypte estetika e re, me instancat rudimentale të mendimit e veprimit skeptik europian, i cili gjeti terren pjellor në Shqipninë e sakatueme prej falimentimit të ideologjive e regjimeve që e kishin qeverisë. Shqipnia përveç se depozitë e përpunimit të mbetjeve inerte europiane e në këtë drejtim tradita e keqe rrezikoi me u imponnue edhe me pritjen e mbetjeve kimike të Asadit, iu nanshtrue nji bombardimi “kulturor” me matricë relativizmin e veseve europiane, ndoshta po aq i randë sa lavazhi ideologjik, i realizuem në laboratorin e njeriut të ri komunist. Modeli i intelektualit tonë, me analistë, gazetarë, politikanë, njerëz të artit e kulturës që llomotit me “narko-retorikën” e vet trendy në studiot e shumta të rrjeteve mediatike shqiptare, mitingje apo në auditoret e multiversiteteve alla shqiptarçe, àsht nji shartim pikërisht mes mbetjeve të dobta kulturore europiane dhe humusit tonë mazhoritar otomano-komunist. Përdorimi i termit “multiversitet” referue Universiteteve të shumta ka natyrë “ezorcizuese” dhe àsht i lidhun me faktin se këto ente jane ba nji ektoplazmë e vërtet e realitetit Shqiptar dhe meritojnë me u konsiderue “universe” në vedi edhe pse fatkqësisht impakti i tyne në përhapjen e kulturës së injorancës ndikon shumë “universin” tonë shqiptar.

Tue u kthye arsyetimit të zhvilluem deri tash, shtoj se mendimi i dobet dhe pa konsistencë, kjoftë me matricë europiane, shqiptare apo shartimi sinkretik i tyne, àsht i finalizuem me prodhue fanatizëm dhe me prishë rendin shpirtnor e fiziologjik të njeriut në përmasën e vet personale e komunitare dhe nji të vërtet të tillë, historia e ka konfirmue bindshëm si në botë ashtu edhe ne vendin tonë. Ideja storiciste e ndryshimit permanent, pjelle e së cilës asht ideologjia marksiste e derivatet e saja në histori, me mpleksjen e vet diabolike në të gjitha kohnat e situatat kontingjente, ka korruptue randë konceptin klasik e kristian mbi njeriun, damet e të cilit janë aty pàri ndër ne. Megjithatë, revolucioni i përvujtë kristian me bazë dashninë, që pruni Krishti para dymijë vjetëve, àsht e vetmja barrierë e burim i sigurt me gjetë konceptin mà të naltë e dinjitoz të fisnikërimit të konceptit të njeriut. Damtimi dhe kriza e konceptit mbi njeriun mbas ardhjes së Krishtit ka fillue me afirmimin e religjoneve të tjera si dhe me rebelimet e màvonshme kapricoze mbrenda vetë Kristianizmit, të cilat kanë coptue dinamikën unike të njeriut si kenie në përngjasim dhe shembëlltyrën e Zotit Krijues, tue i dhanë mundësi krijesës me manipulue vetvedin simbas orekseve të momentit. Edhe ne Shqipninë tonë, pa dashtë me skomodue idhtarët e tolerancës dhe bashkëjetesës “shembullore”, kriza e njeriut dhe mbi njeriun shqiptar ka ardhë kur ai àsht kenë i detyruem me dhunë më thy besën me kulturën e vet të krishtenë, tue u konvertue për leverdi në diçka jo fort të natyrshme për humusin kulturor shqiptar, të përformuem prej mesazhit kristian qysh në fillimet e para të përhapjes së fesë kristiane.

Ideologjite me matricë mendimin e dobët relativist në themel të tyne kanë mohimin apo perçudnimin e konceptit të Krijuesit dhe nji botë dhe pa dashninë vertikale ndaj Zotit, àsht e pamundun me realizue dashninë horizontale me të ngjashmit e vet sepse bash në mungesën e dashnisë, të empatisë e simpatisë, gjen terren dizartikulimi i kohezionit të çdo shoqnie njerzore me entet e veta rregulluese e drejtuese. Depërtimi i mendimit relativist skeptik në shumë displina të dijes përfshi edhe shkencën e Zotit, pra, teologjinë, àsht ftesë konstante me pasunue me vlera atë common sens, tonë si produktin esencial të vlerave gjenuine njerëzore të çdo njeriut vullnetmirë dhe për besimtarët katolikë, me të cilët personalisht jam idealisht në frekuencën sakramentale e identitare, nevojitet një sensus fidei për me e jetue fenë e Krishtit në raport të gjallë me traditën tonë martire shqiptare, përtej akrobacinave të ndonji rryme apo kleriku avanguardist.

Mendoj se àsht kurioze me konstatue emnuesin e përbashkët antikatolik, edhe pse me histori e sfumatura te ndryshme, ndërmjet mendimit relativist europian dhe atij shqiptar, të përftuem në laboratorin otoman, zogist, komunist, post-komunist. Pikërisht katolicizmi në rrjedhën e historisë ka kenë barriera e të gjitha rrymave antinjeri e vazhdon edhe sot si i vetmi realitet kundërshtues ndaj çdo mode kulturore me program të hapun apo të kamufluem që ka në themel, korrUptimin e vlerave autentike njerzore në emën të nji lirie individualiste pa cak. Urrejtja ndaj fesë së Krishtit në Shqipni ka dhanë dëshminë unike për dimensionin e barbarisë me të cilin àsht implementue dhe kamuflimi i kësaj urretje, e cila ishte përballue falë qëndresës stoike e koshiencës të besimtarëvë katolikë me klerin e tyne, po përkthehet në ditët e sodit në nji strategji të re me synimin e relativizimit ose mà mirë me thanë të mohimit të kontributit vendimtar e bile eskluziv të kulturës katolike. Nji “shqiptari” anonime e dalun bojet ku janë kapë të mbytunit e ideologjive të falimentueme, pretendon me fanatizmin e saj, me iu imponue pluralizmit potencial të shëndetshëm që dinamika e pastër shoqnore prodhon në të gjitha rrafshet.

Feja në pergjithsi e sidomos ajo katolike në veçanti, vazhdojnë me pasë statusin e nji zakoni “prapanik” edhe pse ekzaltohet me nji gjuhë nikiliste të butë tolerimi i saj në skutat e intimitetit individualist. Misteri i të keqes nuk ka kufi mbasi këtij avazi diabolik të reduktimit të shprehive fetare në perimetrin e ngushtë privat, i janë bashkue edhe shumë intelektualë nominalë katolikë, të cilët këndojnë dhe celebrojnë me zell “laicitetin e shqiptarisë” nàn siglën e saj të veçantisë, bile me u eksportue edhe në botën e qytetnueme europiane këto qëndrime të tyne dëshmojnë se janë edhe ata produkte të sistemit ateist dhe të minuem në dritaren biologjike të mendimit me arsyetue me njerzi e sens realitetit. Bashkëjetesa me nji kuadër të tillë kaotik e dizorientues në vend të nxitjes së nji analize kritike të sinqertë, àsht bà tabuja e madhe dhe dogma e pranueme gjanësisht, tue i mbyll gojën çdo zàni ndryshe jashtë këtij kori të autosugjestionuem të “iluminuemish” të shqiptarisë. Çdo shprehi që ka lidhje me kulturën katolike, përfshi edhe gjuha e saj, e dhunueme me urdhën partiet, shihet si “zakon prapanik” edhe pse frika e kompleksimi ndaj saj àsht evident por ezorcizohet me sofizmat e gatshme të instinktit të vetmbrojtjes mjerane.

Megjithatë në pamundësi me shkulë rràjët e fshi gjurmët e kulturës katolike dhe tue adaptue parimin “transgender” të vetëpërcaktimit individualist në çdo gjà sensitive të lidhun me identitetin e njeriut apo parimin agjenturor të shërbimeve sekrete të depërtimit mimetizues në fushën e “armikut”, vërejmë nji orvatje patetike “pronësimit” me identitetin e historinë katolike prej disa individëve të cilët edhe pse orbitonin me tradita të konsolidueme familjare në rangjet e nalta të establishmentit komunist me identitet islam, në emën të konvertimit, sigurisht në parim i ligjshëm, po kontribuojne me farezeizmin e tyne militant në margjinalizimin e màtejshëm të komunitetit katolik shqiptar.

Vizita e Papës Francesku dëshmoi bollshëm nji numër të madh farizejsh të këtij modeli që kishin xanë vendet e para në Meshën Shejte të kremtueme në sheshin “Nanë Tereza” dhe kontrasti me fytyrat plot gëzim e hare kristiane të besimtarëve të vërtetë katolik që kishin ardhë nji natë para prej zonave tipike katolike, tue sfidue edhe shiun, ishte përgjigja mà e bukur e lirisë së krishtenë e cila e ka shpirtin e vet në autokoshiencën e përkatësisë dhe jo në ekzbicionizmin narcist. Kohët e fundit me rastin e historisë së emnimit të ambasadorit shqiptar në Vatikan, patëm rastin me ndigjue historianë edhe për konvertime të fshehta në katolicizëm edhe pse nji logjikë e tillë àsht kontradiktore në esencë, sepse nji konvertim i fshehte në kohë lirie àsht thjesht konvertim masonik. Gjithsesi, shqiptarët janë bà “mjeshtra” konvertimesh gjysmake gjatë historisë së tyne dhe të shtyem nga kjo logjikë, e cila sigurisht prodhon nji situatë me ngarkesa kompleksesh të mëdha kulturore e pse jo edhe psikologjike, janë mundue mà fort me konvertue biografinë e së shkuemes se sa të tashmen apo të ardhmen, me idenë iluzore të ezorcizimit të së shkuemes jo fort ekzaltuese. Nji fjalë e urtë thote se askush nuk àsht aq i pasun sa me ble të shkuemen e vet dhe meditimi mbi te, mendoj se àsht me fort dobì. Na duhet t’i lutemi Zotit përditë të na pshtojë prej këtij modeli të konvertuemish dhe të na konvertojë drejt së mirës tonë, tash e në fill të mortes sonë. Amen.

Boris Nemtsov, një politikan i njohur rus dhe ish-kryeministër, është vrarë në Moskë






Politikani i njohur rus Boris Nemtsov, zv/kryeministri i qeverisë së Boris Jelcinit u vra fare pranë Kremlinit, disa ditë pasi kishte kritikuar ndërhyrjen ruse në Ukrainë dhe pasi pat paralajmëruar se Putini e donte të vdekur. Presidenti rus s’humbi rastin t’i marrë vetë hetimet përsipër, si në kohën bolshevike, e të denoncojë një konspiracion ndërkombëtar kundër “stabilitetit të Rusisë”



Boris Nemtsov, një politikan i njohur rus dhe ish-kryeministër, është vrarë në Moskë, vetëm pak metra prej Kremlinit, dy ditë para një proteste të planifikuar kundër Qeverisë së presidentit Vladimit Putin. Ministria ruse e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se Nemtsov është vrarë në urën “Bolshoi Moskvoretsky”, afër Kremlinit, orët e vona të së premtes. Banorët e kryeqytetit rus i janë drejtuar vendit ku u vra Nemtsov, duke vënë lule në vendin që tani duket si një memorial i improvizuar për liderin opozitar. Ky rast ka kujtuar vrasjen e gazetares së njohur ruse, Anna Politkovskaya, e cila u vra në Moskë, natën kur Putini e kishte ditëlindjen, më 2006. Vrasja e Nemtsovit, i shtohet listës çdo herë në rritje të aktivistëve, gazetarëve dhe politikanëve që e sfidojnë Kremlinin që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Putin, gjithashtu e ka dënuar vrasjen e Nemtsovit. Sipas zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, Putini ka thënë “vrasja e tmerrshme” i ka “të gjitha shenjat e një vrasjeje të kontraktuar”, ndërsa rastin e ka quajtur provokim. Kjo lë të kuptohet se pushteti rus mendon që Nemtsov u vra që të njolloset reputacioni i qeverisë. Nemtsov, 55 vjeç, ka qenë kritik i ashpër i Putinit, duke e akuzuar qeverinë për mungesë efikasitetit, korrupsion dhe politikat e Kremlinit në Ukrainë. Ai ishte në përgatitje të një dokumenti që përmbante dëshmi që e verifikonin përfshirjen e drejtpërdrejt të Rusisë në zonën e kontrolluar nga rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore. Ukraina dhe perëndimi e akuzojnë Putinin se qëndron prapa luftës në pjesën lindore të Ukrainës, një akuzë që Rusia e hedh poshtë. Avokati i Nemtsovit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai ishte viktimë e regjimit politik të Rusisë, pavarësisht se kush ka shtënë në të. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Yelena Aleseyeva, ka thënë para mediave se Nemtsov ishte duke ecur rrugës me një femër, kur një veturë i afrohet dhe qëllon me armë zjarri duke e vrarë atë. Ai është goditur me katër plumba në shpinë, ndërsa femra që e shoqëronte atë nuk është lënduar.

Ndërkaq zëdhënësi i Komisionit rus të Hetimit, Vladimir Markin, ka deklaruar të shtunën në Moskë se janë disa pista hetimi, përmes së cilave ata po e hetojnë vrasjen e Boris Nemtsovit. “Momentalisht, ne po hetojmë disa mundësi. Para së gjithash, po e hetojmë mundësinë që kjo vrasje të jetë bërë me qëllim të provokimit të destabilizimit të situatës politike në Rusi. Dhe, Nemtsovi, mund të jetë bërë viktimë sakrifikuese për ata që nuk do të ndalen derisa të përdorin çfarëdo metode për të arritur qëllimet e tyre”, ka deklaruar Vladimir Markin. Boris Nemtsov, dikur shihej si trashëgimtar i presidentit të parë të epokës pas sovjetike Boris Yeltsin. Ai kishte shërbyer si zëvendëskryeministër në kohën e mandatit të fundit të ish- presidentit Yeltsin. Pas angazhimit si shkencëtar në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, Nemtsov është bërë i njohur si guvernator i rajonit të Nizhny Novgorodit, në pjesën qendrore të Rusisë, ndërsa më pas u bë zëvendëskryeministër në pjesën e dytë të viteve ‘90-të. Ai ka braktisur Dumën, Dhomën e ultë të Parlamentit rus, në vitin 2003, ndërsa ka udhëhequr shumë parti dhe grupe opozitare, e fundit ishte Partia Republikane e Rusisë. Ai, gjithashtu, ka shkruar raporte rreth korrupsionit në Rusi nën udhëheqjen e Putinit. Më 2013, ai ka thënë se deri në 30 miliardë dollarë nga 50 miliardë, sa ishin ndarë për Lojërat Olimpike në Soçi, janë zhdukur. Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza. Nemtsov i ka thënë portalit rus, Sobesednik se “jam i frikësuar se Putini do të më vrasë”. Ndërkaq, në intervistën e fundit dhënë Radios Evropa e Lirë, ai kishte thënë rusët duhet ta çlirojnë vendin e tyre nga Putini: “Për mua këto janë sinonime absolute – Putini, kriza, lufta. Dhe, ajo që ne po e bëjmë gati tash është lëvizja më e rëndësishme me qëllim çlirimin e Rusisë nga Putini. Ne duhet ta çlirojmë Rusinë nga Putini sepse nëse nuk e bëjmë këtë, ne do të bëhemi një vend i të varfërve, ne do të jemi të varfër, ne do të kemi krizë që do të zgjasë me vite të tëra”, kishte deklaruar kohë më parë Nemtsov. Ndërkaq, në një blog të publikuar nga Radio Liberale “Echo Moskvy”, disa orë para se të vritet, Nemtsov iu ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit rus që të marrin pjesë në marshin opozitar “kundër agresionit të Putinit në Ukrainë”, i paraparë të mbahet më 1 mars. Protesta e paraparë për atë ditë, tash është vendosur të kthehet në një protestë në qendër të Moskës, që e ka për qëllim të kujtojë veprën e Nemtsovit. Presidenti amerikan, Barack Obama, përmes një deklarate ka thënë se SHBA-ja e dënon vrasjen brutale të Boris Nemtsovit. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë, gjithashtu, i ka bërë thirrje qeverisë ruse që të realizojë një “hetim të shpejtë, të pandikuar dhe transparent” dhe të “sigurohet që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”. Deklarata e ngushëllon familjen e Nemtsovit, dhe popullin rus që e kanë humbur “një nga mbrojtësit më të dedikuar dhe elokuent të të drejtave të tyre”. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përmes një deklarata tjetër ka thënë se Nemtsov, “ ia kishte përkushtuar jetën e tij për arritjen e një Rusie të hapur, më prosperuese dhe më demokratike”.

Khalifi dhe doktori i Al Kaedës





Konflikti mes ISIS dhe al Kaedës i ka rrënjët e lashta. Dy fytyra të ndryshme të xhihadit global, të dyja të rrezikshme



Nga Andrea Marcigliano





Në lojën komplekse të pasqyrave dhe labirinteve që është “lufta asimetrike”, e cila ka mbështjellë prej kohësh pjesën më të madhe të botës islamike, ka një refleks, ose më saktë një konflikt që po luftohen në mënyrë më pak të dukshme se të tjerët dhe i cili, megjithatë, ka një rëndësi jo dytësore. Është lufta, tashmë e dukshme, ndonëse e pashpallur zyrtarisht, mes al Kaedës “së vjetër”, udhëhequr nga doktor Aiman al Zavahiri dhe Shtetit Islamik, me Kalifin al Bagdadi. Një luftë që e ka fillesën në përplasjen tashmë një-vjecare për udhëheqjen e galaksisë komplekse xhihadiste, që prapa dukjes së një marrëveshjeve mes dy organizatave, është e fshehur që kur ISIS quhej ende Al Kaeda në Irak dhe atë e udhëhiqte themeluesi i saj, al Zarkavi; madje pikërisht atëherë, në kulmin e konfliktit me trupat amerikane që kishin rrëzuar regjimin e Sadam Huseinit, u shfaqën dallimet e parë radikalë mes organizatës irakene dhe “rrjetit” të themeluar nga bin Ladeni, dallime që me kalimin e kohës erdhën duke u theksuar, duke krijuar një hendek që sot është e vështirë të mbushet. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një cështje lidershipi – Kalifi kundër doktor Zavahirit – por pikësëpari, edhe për një vizion strategjik, si dhe një ideologji. Thënë ndryshe, një interpretim i Islamit.

Përpiqemi atëherë të sintetizojmë dallimet parësorë mes trashëgimtarëve të bin ladenit dhe xhihadistëve të rinj. Pikësëpari janë dallimet në doktrinë, sa i përket interpretimit të Islamit radikal. Al Kaeda ka një matricë të qartë vehabiste/salafite, që është e njëjta e ISIS; megjithatë as Bin Ladeni, as Al Zavahiri nuk janë përpjekur të vënë shumë theksin në dallimin mes sunitëve dhe shiitëve – që edhe për ta janë “heretikë” – për të shmangur hyrjen në një konflikt të hapur me Iranin e ajatollahëve dhe me organizata si Hezbollahu në Liban, pa harruar vetë Hamasin palestinez, që ndonëse i formuar nga sunitë, dihet mirë se është i lidhur me fije të dyfishta me Iranin.

Po kështu, al Kaeda as e ka miratuar, as e ka favorizuar luftën, apo më saktë xhihadin kundër të ashtuquajturve “myslimanë të këqinj”, ose më saktë të gjithë ata që ndjekin forma të Islamit, që janë pak të pajtueshme me radikalët islamikë. Dhe kjo sepse qëllimi kryesor i bin Ladenit dhe pasardhësve të tij ka qenë gjithmonë ai i bashkimit sa më shumë të jetë e mundur e botës islamike kundër perëndimit, thënë me fjalë të thjeshta, në fillim kundër sovjetikëve në Afganistan, më pas në një nivel gjithnjë e më global kundër SHBA, që konsideroheshin Armiku Numër Një i botës islamike. Prej këtu buron strategjia e goditjes së objektivave në Perëndim, si dhe thurjes së një lloj rrjete ndërlidhjesh mes të gjithë organizatave xhihadiste në orbitën islamike, pa u kushtuar shumë rëndësi cështjeve doktrinare. Po kështu, Al Kaeda, që e përkthyer do të thotë “baza” ka qenë gjithmonë më shumë se gjithcka tjetër, një “platformë”, e dobishme për të bashkuar dhe lidhur xhihadistët, por jo tamam një drejtim strategjik. Të gjithë aksionet e komanduar prej saj kanë synuar gjithmonë të qëllojnë Perëndimin dhe në Perëndim: nga dy Kullat Binjake, deri tek masakra e Parisit, që jo më kot u krye nga njerëz të al Kaedës në Gadishullin Arabik.

Organizata e themeluar nga bin Ladeni nuk është përpjekur asnjëherë që të kryejë role qeverisës, edhe në vendet që i ofruan bazë dhe mbrojtje, si Afganistani i talebanëve apo Sudani, dhe e ka konsideruar gjithmonë rilindjen e Kalifatit si një objektiv të largët, një lloj miti politiko-eskatologjik.

Në të kundërt, ISIS karakterizohet prej kohësh si një organizim që synon të pushtojë një territor të përcaktuar qartë, si dhe t’i japë atij një formë shtetërore, administrative dhe juridike. Aksionet e tij kanë patur gjithmonë në shënjestër teatro si ai i Irakut, më pas Sirisë, me një ekspansion si ai i “njollës së naftës”, në Liban, Egjipt dhe nga Libia në vendet e Maghrebit. Objektivi ka qenë gjithmonë ai i krijimit të një Shteti të vërtetë Islamik, embrioni i parë i Kalifatit të ri. Dhe drejtimi i tij strategjik është oligarkik, i llojit ushtarak, i volitshëm për të realizuar fushata pushtimi territorial, më pak efikas për të goditur në perëndim, jashtë botës islamike. Atje ku, Kalifi u bën thirrje “qenve të vetmuar”, një lloj spontanizmi i armatosur, i cili nuk është i parashikueshëm pikërisht sepse nuk është i organizuar.

Objektivi i parë i ISIS nuk është armiku Perëndimor, që konsiderohet i largët, por qeveritë dhe regjimet e botës arabo-islamike që konsiderohen të pafe. Xhihadi i Kalifit drejtohet mbi të gjitha kundër “heretikëve” shiitë, e pra kundër iranianëve, më pas kundër të gjithë atyre sunitëve që nuk pranojnë versionin radikal të Islamit që predikon ISIS, dhe që lartësohet prej tij në teologji totalitare. Në thelb, Perëndimorët duhet të luftohen mbi të gjitha sepse, në këtë fazë, ata pengojnë projektin e krijimit të Kalifatit të madh global. Qëllimi final i të cilit, gjithësesi, është pushtimi dhe nënshtrimi i të gjithë botës. Por për momentin, aksioni i ISIS zhvillohet më shumë në një plan ekspansioni territorial, aq sa “marka” e tij, ndryshe nga al Kaeda, kërkon jo vetëm një përkatësi ideologjike, por edhe pranimin e një lidhjeje gjithnjë e më të ngushtë me qendrën e Kalifatit. Pra kemi të bëjmë me një lloj nënshtrimi feudal, si ai që duket se karakterizon marrëdhënien mes ISIS dhe të ashtuquajturit “Emirati i Dernas” në Libi. Suksesi i ISIS bëhet i qartë prej përhapjes së “markës” së tij dhe flamujve të tij në gjithnjë e më shumë grupe xhihadistë, nga Azia Qendrore në Kaukaz, deri në Afrikën nënsahariane. Një konkurrencë që po vë në vështirësi al Kaedën, e cila pikërisht për këtë arsye përpiqet të fitojë dukshmëri përmes aksioneve si ai i Parisit.

Ndërkohë që ISIS, të paktën për momentin, duket se i konsideron Europën dhe SHBA më shumë si zona rekrutimi.

Arturo Toskanini përmes Cvajgut



Nga Msc. Mariola Misso


Muzikologe, Pedagoge në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë

Në “tempullin e artë” të muzikanteve te medhenj te koherave,ben pjese edhe dirigjenti i famshem Arturo Toskanini.

Profili artistik i “ ketij dirigjenti te pangopshem, ketij skllavi madheshtor te persosjes”, vizatohet mjeshterisht, nga “peneli” i nje tjeter figure emblematike ne fushen e vet (ne ate te letrave) -
shkrimtarit Stefan Cvajg.

Nje personalitet i muzikes, siç eshte Arturo Toskanini, ben qe me forcen e gjeniut te transmetoje mrekullisht trashegimine muzikore te ardhur nder shekuj.

Ky inspirim, per kete artist gjenial, me erdhi pikerisht duke shfletuar librin e Stefan Cvajgut ‘’Legjenda dhe portrete’’.
Debussy_1893
Kjo figure shume potente e artit te dirigjimit orkestral, e ngriti pikërisht kete art ne nivelet me te larta te interpretimit, duke kerkuar gjithmone maksimalen -”persosmerine absolute”.

I lindur ne Parma te Italisë, studimet e para i morri ne instrumentin e violonçelit dhe me pas kreu studimet per dirigjim ne Konsrvatoret e Parmes dhe Milanos. Angazhimet e tij profesionale kane qene evidente dhe shume te suksesshme ne krye te orkestrave me ne ze te Italise, Gjermanise, Frances, Amerikes, Brazilit etj, te cilat e bene kete dirigjent shume te njohur ne arenen mbarëboterore. Ai menjehere u dallua per stilin e tij individual dhe per ringritjen e performances se operave italiane. Kjo ringritje ndodhi pikerisht kur Toskanini ishte drejtor ne ‘’La Skala ‘’ të Milanos. Ne kete periudhe atij i takon merita e padiskutueshme e dirigjimit të shume veprave per here te pare, të tilla si: ‘’Debora e Jaele’’ nga Pizzeti, ‘’Nerone’’ nga Boito, ‘’La cena delle beffe’’ nga Giordano, ‘’I cavalieri….’’ nga Zandonai dhe ‘’Turandot’’ nga Puccini. Ne kete periudhe (1920) Toskanini incizoi diskun e tij te pare dhe, me pas ai dha nje koncert per here te pare ne radio.

Per 17 vjet ky dirigjent dha koncerte me orkestrat me te njohura evropiane dhe amerikane qe perfshijne ne repertorin e tyre 117 opera dhe 480 simfoni. Ai gjithashtu i ka dhene perkrahjen e vet dhe disa figurave te njohura muzikantesh si: Enrico Caruso, Fyodor I. Shalyapin, Dimitri D. Shostakovich etj.

Menyra e tij e te dirizhuarit shume strikte dhe me mjaft pasion u be shume e njohur dhe i dha atij famen e merituar. Nje nivel te larte artistik Toskanini arriti me operat e Verdit por, duke mos lene pas dhe muziken simfonike, ku eshte konsideruar i parivalizueshem ne interpretimin e veprave te Bethovenit dhe Brahmsit. Per nder te tij Ferruccio Busoni i dedikoi nje opera dhe Zoltan Kodaly i dedikoi nje simfoni ‘’in memoriam’’ dhe versionin e dytë te ‘’Summer evening’’, ku per kete te fundit ai kishte ndjekur keshillat e vet Toskaninit.

E gjithe kjo jete tejet e mbushur me aktivitet koncertal e skenik e ka shtyre Cvajgun te krijoje nje portret te plote artistik te “gjeniut” te dirigjimit. Duhet thene se te dy keto figura kane qene bashkekohes dhe miq, gje qe i ka dhene mundesi autorit te pershkruaje bukur artistikisht jeten profesionale plot pasion (qe tejkalon edhe ate personale) te mikut te tij dirigjent.

Në fillim kjo esse – portret per Arturo Toskaninin hapet me sintezen gëtiane:
‘’E dua shume njeriun qe lakmon te pamunduren’’. Kjo eshte ajo c’fare Cvajgu merr persiper te zbuloje permes ketij portretizimi sa (mbi)njerezor aq edhe artistik.
Qysh ne hyrje, Toskanini vleresohet si nje njeri-gjeni qe nuk i shteron kurre frymezimi dhe vullneti derisa arrin ‘’fitoren e tij triumfale’’. Ne krye te orkestrave me prestigjoze shpesh ai luan rolin e “magjistarit” qe me shkopin e tij magjik-baketen, deperton deri ne thellesi te vepres muzikore, duke realizuar ‘’copeza magjie’’ te cilat i “shperndan” me pas tek degjuesit. Talenti i tij dhe puna tepër lodhese, deri ne cfilitje, krijon dicka te re, pikërisht “persosmerine absolute”.
‘’Ne art pranon vetem persosje, asgje tjeter pervec persosjes nuk i intereson’’- ‘therret’ me force Cvajgu! Pra ky artist permasash kerkon pafundesisht “te paarriteshmen” per te relizuar ate c’ka degjon se brendeshmi dhe ate c’ka ka menduar se duhet te percjelle permes duarve dhe frymes se orkestranteve te talentuar.
Pershkrimi i Cvajgut nis me detajet e procesit te punes dhe hap pas hapi portreti i tij fiton dimensione te nje realiteti sa te prekshem njerezor aq edhe te paarritshem e gjenial.
Sic e nis pershkrimin autori, mund te arrihet menjehere ne nje konkluzion te pare, i cili e pershkon me tej gjithe shkrimin: kur ai fillon te punoje, figura e tij – e nje mjeshtri te madh, ben qe gjithkush prej orkestrantëve ‘t’i bindet pa kushte’ e ai vete t’i udheheqe drejt “së pamundurës”, që s’eshte gje tjeter vecse “ideja e tij fikse” – persosmeria absolute ne realizimin final te vepres ku del ne pah puna e tij e pashtershme me orkestrantet per te nxjerre ato ‘’bulza magjike ‘’ qe perbejne teresine muzikore te veprës së interpretuar.
Fenomeni ‘Toskanini’ konsiderohet si një “frymë e forcë hyjnore” per ata qe kane patur mundesi te jetojnë në kohën e tij dhe të shohin e prekin nga afër sharmin e tij të magjishëm artistik.
Siç përshkruhet edhe përmes penës së një tjetër mjeshtri të madh (në kët rast të penës) – Cvajgut – “gjate punes se tij bie ne sy lodhja, nervozizmi, padurimi dhe ka momente qe del ne pah deshperimi pasi cdo detaj duhet te luhet ashtu sic mendon “Mjeshtri” dhe se gjithashtu per te nuk ka persosmeri absolute, por ajo kerkohet e kerkohet vazhdimisht prej tij deri në “të fundit pikë të djersës së derdhur” për t’iu afruar asaj dhe pse jo për ta prekur “të përsosurën”. Nje fjale e cila e pershkon si lajtmotiv kete libër – portret eshte puna dhe vetëm puna e tij e pamate, fillimisht thellësisht individuale për zbërthimin deri në qelizë të partiturave të mjeshtrave të mëdhenj botërorë dhe, me pas me orkestren, gjithnje per te realizuar idene e tij fikse, ku sic shprehet autori: ne kembim te gjumit dhe qetesise, per te rendesi ka vetem puna drejt persosmerise absolute, duke kaluar keshtu pertej cdo limiti te komoditetit personal. Ne kete kontekst, Cvajgu ndalet ne nje tjeter karakteristike te jetes se Toskaninit si një qenie sa njerëzore aq edhe jashtënjerëzore, ku siç e përshkruan vetë ai – ndonjehere vihet re tek dirigjenti i madh nje njeri i ndryshem nga ne, pothuajse sikur ka ardhur nga ndonje planet tjeter, ku i zhytur krejtesisht ne boten e vet artistike, te jep pershtypjen e nje njeriu ‘te humbur në nënvetëdijë’ që jeton në një tjetër realitet.
Kurse ne fushen profesionale ai eshte krejt ndryshe, eshte nje qenie me nje “fuqi te mbinatyrshme”. Cvajgu e krahason Toskaninin me nje ‘komandant te forte e të paepur ne fushe – betejë’ i cili së bashku me luftetaret e vet (orkestrantët) kërkon me çdo kusht fitoren e merituar’. Shpesh tek ai shfaqen shperthime te frymezimit krijues por dhe pengesa të cilat ai i kapërcen me shumë sukses, përmes “betejash” me “ushtarët” e tij – orkestrantë.
Pikerisht kjo eshte dhe arsyeja qe puna e tij ngjason me ate te nje komandanti “ne nje fushë beteje”. Cvajgu e përshkruan me ngjyra plot kontrast këtë tablo të një lufte drejt ‘fitores së merituar’. Sinteza e këtij përshkrimi të çon në përfytyrimin se “nese menyra e spjegimit se si do të luhet një vepër nuk përthithet aq sa duhet nga orkestrantet dhe nuk zbatohet ashtu siç do të dëshironte saktësisht ai, atehere Toskanini kthehet ne nje ‘’diktator’’ ne krye te vendit – podit të orkestres”.
Fillon te shpjegoje serish e serish ashtu i tensionuar duke bere gjithcka per te realizuar idete e tij. Çdo pasazh muzikor perseritet derisa te dale cdo imtesi bukurie qe rrjedh nga materia ‘bardh e zi’ e partiturës. ‘Lufta’ e tij zgjat pa fund, edhe pasi sipari është ulur dhe ‘beteja është fituar’ ky ‘hero’ i intepretimit rizbulon teknika të reja për ‘fitore’ edhe më të mëdha në ‘beteja’ të tjera.
Kështu ky gjeni vjen permes Cvajgut, si nje portret artistik gati i trilluar, i cili endet midis reales dhe ireales, mes njeriut te zakonshem dhe atij të mbizakonshëm në fushë të dirizhimit. Sipas Cvajgut, ai qendronte ne krye te cdo orkestre si nje perendi e “Olimpit” dhe ishte simboli “i tingujve” te nxjerre mjeshterisht nga duart e orkestranteve me te mire te botes.
Gjate gjithe ketij pershkrimi te perkryer artistik, Toskanini eshte kendveshtruar si sinonim i dashurise maksimale per artin, gjithmone ne kerkim te “persosmerise absolute”.
Te jetuarit me artin, me muziken – ishte sinonimi i jetes se tij – ky eshte dhe thelbi i ketij portretizimi artistik te vecante te Cvajgut.
I vecante ne kete portret eshte edhe stili i shkrimtarit te madh vjenez, i pasur me figura te shumta letrare krahasuese, te cilat ai i perdor, vecanerisht ne momente per te dhene dualitetin e qenies se Toskaninit – ku ai “luhatet” midis njeriut dhe gjeniut.
Duke perfunduar mund te pohojme se falë talentit, punës e gjenialitetit te nje personaliteti te tillë permasash, universi muzikor mund te “tingelloje” vetem “persosmerisht”, duke depertuar deri ne skutat me te fshehta te shpirtit njerezor; ai (universi) shkrihet e perhapet ne nje pamje te vetme – te perftuar prej magjise se duarve dhe shpirtit te artistit e te paperseritshem, “te ketij apostulli qe u meson njerezve t’i duan dhe t’i respektojne krijimet e shenjta muzikore, vlerat e larta te njerezimit” (Cvajg).

NJË MONUMENT LETRAR PËR POGRADECIN


Libër i ri “POGRADECI, bibliografi e shypit”,



nga Kristaq Nanushi

Studjuesi dhe shkrimtari i mirënjohur pogradecar Kristaq Nanushi ka nxjerrë së fundi në treg librin e tij më të ri, “POGRADECI, bibliografi e shypit”. Në këtë libër përmblidhet, siç thotë autori “gjithçka që vjen nga drita e mendjes e të parëve tanë në shtypin periodik brenda e jashtë Shqipërisë: gazeta, revista, kalendarë, fletore zyrtare, buletine etj. Gjithçka për jetën në Pogradec e zonat pranë, që nga Rilindja e deri në mbarim të vitit 1944: artikuj, njoftime, lajme, reportazhe, fotografi, portrete personash e personazhesh, vendime gjyqesh, letra, reklama, urime etj.”
Me të drejtë studjuesit e kanë cilësuar lëibrin si një monument letzrar për Pogradecin. Eshtë një punë kërkimore shkencore disa vjeçare, e cila u finalizua tani, pas një odiseja disa vjeçare botimi.
Me një punë plot pasion, tepër skrupuloz, Kristaq Nanushi, për disa vite rresht, thuajse çdo ditë, qëmtoi gazetë më gazetë, botim më botim, rresht më rresht Pogradecin dhe këtë e bëri jo për famë, jo për para, por për qytetin, vendlindjen, si një detyrim moral për gjithë ata intelekualë, pogradecarë ose jo, të cilët kanë shkruar qoftë edhe një rresht të vetëm për qytetin e bukur buzë liqenit, që ashtu siç thotë edhe Lasgushi i madh “Pogradeci është qytet palcërisht shqiptar!”. Një mirënjohje të thellë për punën e palodhur dhe për vullnetin e hekurt të Nanushit, që na dha këtë libër kaq të çmuar, që do t’u vlejë bashkëqytetarëve, intelektualëve, kohërave, brezave që vijnë.

… një libër që na shton krenarinë për vendlindjen

NIKO NIKOLLA, gazetar dhe shkrimtar

Kur e lexova në dorëshkrim librin “POGRADECI, bibliografi e shypit”, e para gjë që më erdhi ndërmend ishte shprehja e Ciceronit: “Nuk kemi lindur për veten tonë”. Pas librit aq të bukur “Legjendat e Liknidës” Kristaq Nanushi këtë po e dëshmon sërish, duke nxjerrë në dritë të tjera thesare nga e kaluara e trevës sonë.
Ishte e pritshme që ky autor pogradecar, pas një kohe të gjatë kërkimesh, studimesh dhe botimesh, të dilte para opinionit të vendlindjes dhe atij kombëtar me një libër të tillë. Në letërsinë bibliografike kombëtare, për fat të keq jo të pasur, libri “POGRADECI, bibliografi e shtypit” vjen si shembull i lartë për gjithë autorët që vënë themele në studimet historike e kulturore të trevave të tyre. Ai është një libër për të gjithë, pasi jo vetëm studiuesit e historisë e të kulturës, por dhe familjet e thjeshta të qytetit e të zonave pranë gjejnë pjesë nga trashëgimia e të parëve.
Unë, edhe pse kam punuar gjysmë shekulli në gazetarinë profesioniste, gjeta në këtë libër një informacion shumë të gjerë e të pasur, që s’e kisha ditur. Dhe u befasova e u mrekullova kur pashë në libër se çfarë ndërgjegje të lartë kombëtare ka patur Pogradeci ynë në rrjedha të historisë. Shumë atdhetarë të shquar për çështjen kombëtare, të pushkës e të penës, të thjeshtë e intelektualë, brenda dhe jashtë atdheut, të grupuar në shoqëritë patriotike ose individualisht, janë bërë emra nderi dhe i gjejmë gjithandej nëpër gazetat e kohëve. Shfletojeni librin dhe do t’i gjeni ata si manifestues, si protestues, si proklamues, si denoncues, si organizatorë dhe pjesëmarrës nëpër mitingje e demonstrata, si luftëtarë me armë në dorë, si ndihmëtarë në të holla për shkollat, për librat, për gjuhën shqipe, për shtetin, për kishat, për gazetat përparimtare, për bashkinë e qytetit tonë e deri për fëmijët jetimë të dëshmorëve të lirisë.
Këto pasuri dhe shumë vlera të tjera na i bën të njohura ky libër. Është, me të vërtetë, një libër që na shton krenarinë për vendlindjen.
Libri plotëson më së miri kërkesat shkencore dhe profesionale të llojit të vet. Në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, ku autori punoi gjatë, me vullnet e durim, iu desh të kontrollonte e të vilte material në një volum të madh koleksionesh. Edhe pse në mes të vështirësive të shumta, sidomos të joplotërisë së koleksioneve, të shtypit të dobët, të përdorimit të shpeshtë të pseudonimeve të panjohura etj. autori ka ditur të orientohet, të vlerësojë, të përzgjedhë, të verifikojë dhe ta rregjistrojë me kritere shkencore. Kështu ky libër bëhet shumë i saktë dhe shumë i nevojshëm për Pogradecin dhe historinë e tij dhe qëndron me dinjitet edhe në botimet enciklopedike kombëtare.
Do të ishte e dëshirueshme dhe e lavdërueshme që edhe të tjerë autorë, sipas mundësive dhe parapëlqimeve, t’i vinin në ndihmë vendlindjes sonë, duke e parë këtë si akt dashurie dhe atdhetarie. Mos harrojmë çfarë thoshte Lasgushi ynë: “Atdheu fillon te vendlindja”.
Urojmë që libra të tillë të kemi sa më shumë!
Tiranë, më 14.11.2005

Një libër për poradecarët e penës

PROF. DR. JOVAN BASHO

Megjithëse në një farë mase isha i njohur edhe më parë me problematikën e librit te K. Nanushit, ajo që më bëri më tepër përshtypje, ishte habia e madhe për gjithë këtë pasuri informacioni bibliografik që mbart me vete ky libër. Sa shumë shkrime, nga sa shumë poradecarë, brenda e jashtë Shqipërisë!
Po e them që në fillim që libri në fjalë përbën një vlerë të veçantë jo vetëm për materialin që paraqet, por vecanërisht për problematikën e këtij materiali. Botime të tilla bibliografike janë të rralla, por tepër të vlerëshme, sepse përbëjnë fillesa për studime të mëtejshme të detajuara e, në fakt, mundin që paraqet realizimi i tyre e kupton vetëm ai që është marrë edhe vetë me të tilla kërkime. Punë e mundimshme për të arritur përsosmërinë, për të gjetur gjithçka të botuar për temën që kërkon, lodhje e njekohësisht gëzim kur gjen gjëra të rralla, “të harruara”, të paditura nga të tjerët, ashtu si kërkuesit e arit kur gjenin mineralin e çmuar, vite me parë, në kontinentin e porsazbuluar amerikan.
Për të realizuar një libër të tillë duhet kohë e madhe, disiplinë shkencore në mënyrën e të kërkuarit të materialit dhe durim gjatë punës nëpër biblioteka, e në biseda me njerëz që mund të të japin informacionin e nevojshëm (“Nga tonelatat e lëndës së parë del grami i radiumit poetik”, ka thënë Majakovski). Ashtu si filatelisti që kërkon me këmbëngulje e padurim atë që i mungon në koleksionin e tij, ashtu edhe studiuesi bibliografik duhet të mposhtë edhe ankthin që e mundon vazhdimisht gjatë punës, ankth që shprehet së brendëshmi tek ai e i duket gjithmonë se diçka i mungon, se duhet edhe më shumë punë, se gjithmonë do të mbetet diçka pa e paraqitur, me shpresën se ajo që mund t’i shpëtojë të mos jetë edhe aq e rëndësishme.
Së dyti, më bëri përshtypje të madhe edhe numri i madh i poradecarëve patriotë e i botimeve të shumta për Poradecin. Sa shumë poradecarë te penës! Nga libri mësojme se ata e kanë ngritur fuqishëm zërin e tyre në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë, tërësisë tokësore, me ndërgjegje te lartë kombëtare, si individe ose të grupuar në organizata të ndryshme patriotike. Edhe kur kanë qenë jashtë atdheut, mendjen e kanë pasur aty, e vazhdimisht kanë punuar për të e në të mirë të tij.
Ata e kryen me përkushtim detyrën e tyre. K. Nanushi duke na e treguar veprën e tyre, ndikon fuqishëm në ngritjen e krenarisë sonë kombëtare.
Qyteti ynë ka me se të mburret. Disa vjet më parë në një parathënie për librin e Gjergji Gushos “Mbi përhapjen e krishtërimit dhe të kishave në rrethin e Pogradecit”, pata shkruar: “Poradeci ynë i vogël ruan në vetvete thesare të mëdha. Është detyra jonë t’i gjejmë e t’i tregojmë …. “. Me këtë libër K. Nanushi vërtetoi se Poradeci është thesar edhe në këtë drejtim.
I uroj suksese dhe botime të tjera dinjitoze në të ardhmen!

KUSH ISHIN DHE KUSH JANE ‘SKOFIARET’




 Nga Muharem Mici


Albumi-1-pare-final-intrenet

“30 VJET SKOFIARE” – MONOGRAFI

Kompleksi Vokalo-Instrumental “Skofiarët” u themelua ne vitin 1983 në Gjakovë, dhe është ndër grupet e rralla në trojet shqiptare që me një formacion të veçantë orkestral për nga përbërja e instrumenteve, me një entuziazëm, dashamirësi dhe fanatizëm, të jashtëzakonshëm, kultivojë, ruajti dhe shpërndau këngën e lehtë shqipe dhe atë qytetare, që nga viti 1984, kur u prezantuan për herë të parë publikisht. “Skofiarët” gjithnjë u prezantuan me nivel të lartë të interpretimit, harmonisë orkestrale, të ekzekutimit të këngëve dhe melodive, me një përkushtim të paparë nga një formacion i vogël orkestral prej gjithsejtë5- 6 instrumenteve, të gjitha me tela dhe dridhje si dhe një fis-harmonike në mesin e tyre.
Ideator dhe themelues i këtij grupi ishte Muharrem Mici, i cili duke qenë në atë kohë Redaktor i Programit Muzikor në Radio-Gjakovë, gëzoi përkrahjen e këtij institucioni për mbështetje në realizimin e veprimtarisë së “Skofiarëve”.
Fillimisht Grupi “Skofiarët” ushtrimet i zhvillonte në mbrëmje në lokalet e Radio Gjakovës. Përbërja fillestare e grupit ishte formacion me instrumente tërësisht me tela dhe rezonator: dy mandolina, dy kitare, dhe një kontrabas, ndërkohë që pas një periudhe të shkurtër u ndie i nevojshëm edhe tingulli i një harmonike e cila po ashtu ju bashkua këtij formacioni.

Përbërja e grupit në njerëz dhe me rolet e tyre ishte:
MUHARREM MICI…………………………Solist i Grupit dhe Mandolinë e parë.
BESIM PENI ……………………………………………………..Mandolinë e dytë.
BUJAR DOMI……………………………………………………..Kitare –ritëm.
ISA BALLATA……………………………….Kitare ritëm e ndonjëherë edhe solo
RUZHDI SADIKU ………………………………………………Fis-harmonike dhe solist.
BASHKIM BERISHA…………………………………………Kontrabas
Punën intensive për paraqitjen e tij të parë Grupi “Skofiarët” e fillon që në Shtator të vitit 1983 deri në Maj te vitit 1984, kur edhe bënë prezantimin e parë publik në Koncertin festiv të Radio-Gjakovës, me rastin e pesë-vjetorit te themelimit të këtij institucioni, që ishte iniciativë e dy bashkëpunëtorëve të ngushtë në radio, Ali Saraqinit–drejtor dhe Muharrem Micit-redaktor i programit muzikor. Ky Koncert i madh festiv ka qenë ndër koncertet më të përgatitura dhe me pjesëmarrjen më masive dhe më atraktive të artistëve të prezantuar brenda me një destinim të caktuar ideo-artistik, duke pasur për regjisor një nga profesionistët më në zë të asaj kohe në Kosovë, Muharrem Qena, artist i deshmuar dhe regjisor teatri e filmi.. Pjesmarrës në këte koncert ishin Kori i Radiotelevizionit të Prishtinës që në përbërjen e tij kishte mbi 70 anëtarë, Orkestra popullore e Radio-Gjakovës me rreth 15 anëtarë, Grupi i solistëve popullor me 10 veta, ”Skofiaret” me 8 antar, në mnesin e të cilëve merrnin pjesë edhe dy fëmijë–Shkelzen Doli solist dhe violinist (tani violinist yni i njohur në orkestrën e Filarmonisë së Vjenës) dhe Laura Bytyçi, një vajzë e re këngëtare, që të dy në atë kohë, nxënës të shkollës fillore të ushtruar dhe të përgatitur mirë për një interpretim të vockël–pjesë refreni tek kënga “Dashuria jonë”, që ishte marr nga filmi Shqiptar ”Kur po xhirohej një film”. Pjesë e Programit ishin edhe disa nga aktorët e Teatrit Popullor të Gjakovës si dhe pjesa statike e moderatorëve dhe udhëheqësve të programit së bashku me pjesën teknike të realizimit të këtij programi në skenë. Ideja e programit ishte sikur po realizohej një emision i radios në studio. Pjesëmarrësit përbënin mbi 100 veta të vendosur në skenën e sallës koncertale të Pallatit të Kulturës”Asim Vokshi” në Gjakovë, që ishte një skenë e paparë me artist të zhanreve të ndryshme, të gjithë të pranishëm tërë kohën në skenë pa krijuar në asnjë moment monotoni në skenë.
Dhe, befasia më e madhe e gjithë këtij programi të përshkruar me pak fjalë dhe numrit të artistëve pjesëmarrës, ishte padyshim paraqitja e Grupit argëtues “Skofiarët”, të cilët në skenë sollën freski të paparë deri më atëherë me pikat e tyre të zgjedhura me shije si në ngjyrë, ritëm dhe harmoni, ashtu edhe në tingëllimë. Edhe vet përbërja e formacionit ka zgjuar kureshtjen e padiskutuar të spektatoreve, sepse spektatori nuk kishte pritur që një formacion me ato pak instrumente ashtu të vogla (mandolinat) në pamje por edhe në numër, mund të tingëllonin aq bukur duke dhënë edhe ritëm edhe harmoni por edhe vijën melodike prezente përmes mandolinës së parë, ndërkaq mandolina e dyte dhe fis-harmonika me lëvizje të lehta që sakaq hyjnë dhe dalin si pa u diktuar, e plotësonin harmoninë e kitarave dhe kontrabasit në mënyrë perfekte, duke i dhuruar spektatorit apo dëgjuesit një tingëllimë tepër fisnike dhe të ëmbël, ashtu siç tingëllojnë zakonisht instrumentet me rezonator.
Befasia e “Skofiareve” e prezantuar në këtë koncert u shndërrua në një “bum” të madh tek spektatori në sallë, por edhe tek ai i cili koncertin e ka parë më vonë përmes ekranit të Televizionit të Prishtinës. Koncerti dhe posaçërisht paraqitja e “Skofiareve” në skenën e madhe të Pallatit të kulturës aso kohe ishte bërë temë trajtimi e shumë bisedave mes adhuruesve të muzikës përgjithësisht, e të asaj të lehtë në veçanti, që bëri edhe jehonë tek mediat e shkruara.
Artikulli i Ramiz Kelmendit. – shkrimtar, gazetar dhe publicist i njohur në Kosovë, me titull: ”Mbanie në mend këtë emër: – “SKOFIARET”, menjëherë pas këtij spektakli në Gjakovë, bëri jehonën më të madhe aso kohe, duke dhenë mendime dhe përshtypje nga më të mirat si spektator i drejtpërdrejtë në sallë. Ja se si e përshkruan ai atmosferën në sallë: “Dëgjova Korin, dëgjova orkestrën popullore dhe solistët e njohur Kosovarë por ama,…po ama… kur ja thanë ”Skofiaret” çdo gjë ndryshoi…”. Duke i shtuar kësaj edhe transmetimin e drejtpërdrejte të Televizionit te Prishtinës, (atëherë i vetmi televizion në Kosovë) që kishte bërë të mundur përjetimin e këtij koncerti nga një auditor më i gjere, mund të kuptohet se sa ndikim të madh bën përjetimi i drejtpërdrejtë dhe mendimi i shprehur me kompetencë nga një dorë mjeshtërore në mediat e shkruara atëherë në gazetën “Rilindja”, pastaj në revistën “Zëri i rinisë”, etj. E gjithë kjo jehonë mediatike ne kuptimin e mirë të fjalës, për “Skofiaret”, paraqitjen e tyre dinjitoze, repertorin e këngëve, tingëllimën dhe përbërjen specifike dhe unikale të formacionit, informimi i shpejtë, etj., kishte bërë ndikimin e padiskutueshëm dhe krijimin e opinionit për një formacion të suksesshëm të cilit nga dita në ditë po i rritej nami.
Pas një kohe të shkurtër vijnë edhe sukseset tjera të “Skofiareve”, kësaj radhe regjistrimi i këngëve në shiritat celuloid në produksionin e RTP-së së atëhershme. U incizuan 20 pika muzikore të cilat u shpërndanë shumë shpejtë nëpër të gjitha radiostacionet lokale të cilat ishin të vendosura në qendrat më të mëdha urbane në Kosovë. U realizuan shumë shpejtë edhe disa xhirime studike televizive nga Televizioni i Prishtinës, tani shumë kualitative falë mundësive teknike që kishte arritur produksioni i atëhershëm i RTP-së me teknologjinë me të re që kishte instaluar në studiot e veta. Këto xhirime u transmetuan në programin festiv të vitit të ri, ku “Skofiarëve” ju dha një hapësirë relativisht e madhe.
Hapat e popullaritetit për “Skofiaret” në ketë kohë ishin shumë të mëdhenj. Produksionit të RTP-së ju shtua shumë shpejtë edhe njësia për prodhimin e Audio kasetave, që ishte një risi për Kosovën e viteve të 80-ta. Kaseta e parë e këtij produksioni që u botua për herë të parë në Kosovë, ishte Kaseta me Albumin e parë të KVI “Skofiaret” me 11 pika muzikore e titulluar: ”ME SKOFIARET”. Dalja e kasetës së parë në Kosovë me “Skofiaret”, ishte një përzgjedhje meritore që i bëhej atëherë kualitetit por edhe një mirënjohje e veçantë për grupin “Skofiaret” në popullarizimin e këtij grupi dhe vlerave që sillnin ata përmes programit të tyre në ketë kasetë. Edhe ky rast ishte një ngjarje e madhe për ketë formacion të vogël.
Më 6 Qershor 1985, ”Skofiaret” organizojnë një koncert recital në Palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, që ishte edhe paraqitja e parë në një koncert të pavarur të Skofiarëve. Kjo paraqitje e suksesshme në mënyrë të mëvetësishme në një koncert të madh recital, ”Skofiareve “ ju dha kurajën për punë dhe angazhime akoma më të mëdha. I njëjti koncert u dha të nesërmen më 07 Qershor 1985 në Prishtinë, në sallën e madhe sportive të Pallatit te rinise, që u cilësua si një paraqitje dinjitoze e “Skofiareve”, e të cilëve ju bë një mikpritje madhështore si nga organizatori ashtu edhe nga publiku në sallë. Koncerti u përcoll nga mjetet e informimit, të cilat u shprehen jashtëzakonisht mirë për interpretimet e Muharrem Micit ,Shqipe Bashes, Ruzhdi Sadikut etj, por pati shume fjalë të mira edhe për përformancen e formacionit orkestral, i cili krijoi një imazhe specifik të muzikimit dhe harmonisë mes instrumenteve. Mes tjerash gazetari i të përditshmes “Rilindja” të asaj kohe z.Sami Piraj–kritik muzikor thekson: ”Koncerti i Skofiareve nga Gjakova imponoi një program që kushtëzoi edhe qasje të mirëfilltë e njëherësh ata dhanë një imazh që nuk ishim mësuar ta dëgjonim gjerë më tani”.
Duhet theksuar edhe faktin se aso kohe nuk kishte ngjarje të rëndësishme që organizohej diku në Kosovë, e të mos ishin prezent “Skofiaret” me programet e tyre. Menjëherë pas botimit të albumit të parë, janë paraqitur kërkesa për xhirime televizive, me emisione muzikore dhe foljore-muzikore dhe kjo jo vetëm në TV por edhe në Radio. Pas xhirimeve që u bënë për RTP, pas një kohe të shkurtër “Skofiarët” u ftuan për xhirime edhe nga RTV i Shkupit, të cilat u realizuan në disa nga vendet turistike në Republikën e Maqedonisë, si në Ohër, Strugë, etj. Programi i realizuar me TV Shkupin është pritur jashtëzakonisht mirë dhe ai cikël emisionesh është përsëritur kohë pas kohe disa herë. Të njëjtat emisione i ka transmetuar në termine tjera kohore edhe RTP-ja.
Befasia e ardhëshme e kohës që do të sillnin “Skofiaret” me punën e tyre në vitin 1986, ishte Botimi i Albumit te dytë nga një shtëpi tjetër diskografike, kësaj radhe në Serbinë e atëhershme, respektivisht shtëpisë diskografike “Diskos”. Si Albumi i parë, ashtu edhe albumi i dytë u priten jashtëzakonisht mirë dhe ngrohtë nga auditori i asaj kohe, duke i dhenë vend meritor informimit të auditorit përmes medieve të shkruara të asaj kohe për botimet e reja të “Skofiareve”. Kësaj radhe në Albumin e dyte “Skofiaret” u prezantuan me 12 pika muzikore. Ato u incizuan në studiot e Radiotelevizionit te Shkupit. Risi në ketë paraqitje të “Skofiareve” ishte prezantimi i dy solisteve te reja: Shqipe Basha dhe Valdete Meqa si dhe ritëm kitaristit Ilir Lyta.
Krahas përgatitjes se programit për albumin e dytë, ”Skofiaret” filluan përgatitjet serioze edhe për premierën e tretë të koncertit të madh recital në vitin 1986 në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi, me mysafirë të nderuar siç ishin, tenori i njohur Bashkim Paquku dhe Shkrimtari e humoristi i popullarizuar me poezitë për fëmijë, z.Rifat Kukaj, të cilët e nderuan koncertin e “Skofiareve” jo vetëm me pjesëmarrje por dhe me paraqitjet e tyre shume dinjitoze dhe domethënëse e me vlera të pakontestueshme.
Premiera e tretë e Koncertit të “Skofiareve” u mbajt në Qershor të vitit 1986 po në Pallatin e Kulturës në Gjakovë. Me ketë rast formacioni i KVI-“Skofiaret” u paraqit në përbërje: Muharrem Mici, Bujar Domi, Ruzhdi Sadiku, Bashkim Berisha, Ilir Lyta, Bujar Bakalli, Shqipe Basha,Valdete Meqa dhe Melita Bytyqi-mysafire. Përveç Bujar Bakallit dhe Melita Bytyqit që ishin në cilësinë e mysafirëve të programit, të gjithë të tjerët ishin drejtpërdrejtë pjesëmarrës edhe të Albumit të dytë. Krahas koncerteve “Skofiarët” morën pjesë aktive edhe në Festivalet e ndryshme në Gjakovë në vitin 1987/1988 dhe “Zambakun e Prizrenit” 1994. Po ashtu ata patën paraqitje edhe në programet e zgjedhjes së “Sportistit të Vitit” në Gjakovë.
Në Dhjetor të vitit 1987 “Skofiaret” organizuan edhe një Koncert në sallën e kuqe të pallatit të rinisë në Prishtinë së bashku me mysafirët: Bashkim Paquku e Rifat Kukaj, koncert ky që u prit jashtëzakonisht mirë dhe u vlerësua si shumë i suksesshëm. Gazetari i “Botes se re” z.Baton Haxhiu që kishte përcjell koncertin, mes tjerash shkruante: “Publiku i impresionuar me këngët e këtij grupi, me duartrokitje të gjata përcolli çdo këngë të kënduar dhe në veçanti përshëndeti pjesëmarrjen e Bashkim Paçukut etj”, për të vazhduar pastaj: “Koncerti që organizoi ky grup duhet të jetë mësim për Estradat muzikore të Kosovës, se koncertet nuk organizohen vetëm sa për të mbushur arkën por edhe për të kënaqur publikun” dhe krejt ne fund ai thotë: ”Ju lumtë Skofiareve”.
Në ndërkohë, ”Skofiaret kanë vazhduar me aktivitete të ngjeshura prezantimi në mediat elektronike ku janë bërë shumë incizime tonike në Produksionin e RTP-ës, duke rritur kështu fondin e incizimeve. Janë incizuar dhe xhiruar disa programe tjera edhe me videokaseta si dhe për çdo vit te ri “Skofiaret” kanë qenë në “Top Listë “ për xhirimet e programeve televizive në RTP por edhe ne RT e Shkupit,TV Shqiptar, etj.

Muaji Maj i Vitit 1990, Skofiarët i dërgon në një koncert të madh në Lubjanë dhe pikërisht në hallën e madhe Tivoli, ku ishin të pranishëm rreth 7000 njerëz . “Skofiaret” ishin këtu si mysafir për nderë të një vjetorit të daljes së revistës se pavarur Politike-Kulturore ”Alternativa” në Lubjanë dhe ishin të dërguar nga Dega e LD të Kosovës në Gjakovë, e që ishte nga revistat e rralla me një zë të lirë për Kosovën dhe ngjarjet e hidhura të luftës dhe okupimit serb atje. “Alternativa” ishte i vetmi mjet i informacionit që vinte në Kosovë përmes rrugëve ilegale. Në mesin e të pranishmëve të shumtë, përveç shqiptareve që kishin ardhur nga të katër anët e globit, kishte edhe mjaft mysafir të tjerë, shumica prej të cilëve ishin Slloven, e ne mesin e tyre edhe Ministri i punëve të brendshme të asaj kohe në Slloveni. Paraqitja e “Skofiareve” u përcoll me duartrokitje frenetike duke i ndalur në skenë për disa minuta. Kjo, padyshim se ishte një nga ngjarjet shume të rëndësishme për “Skofiaret” në një pjesëmarrje të tillë por, në një kohë shume të vështirë për fatet e popullit të Kosovës. Gjatë këtij viti “Skofjarët” patën edhe një paraqitje para dy mysafirëve të nderuar nga Kongresi amerikan Josef Diogardit dhe Tom Lantoshit të cilët vizituan Gjakovën. Skofjarët edhe me këtë rast u pëlqyen dhe lanë mbresa të mira për të pranishmit.
Viti 1993. Edhe një datë tjetër e shënuar për “Skofiaret”. Në këtë periudhë vlen të përmendet emisioni televiziv një orësh që e xhiroi TV Shqiptar, me solistin e këtij grupi z. Muharrem Mici, që kishte shkuar kësaj radhe në Shqipëri në shoqëri me Korin e Burrave të Gjakovës për të dhenë Koncerte në Tiranë, Durrës, Korçë, etj. Me ketë rast Muharrem Mici si solist i njohur i RT të Prishtinës por edhe në cilësinë e udhëheqësit të KVI “Skofiaret” nga Gjakova, rrëfen për auditorin e gjerë Shqiptar një emision foljorë-muzikor në të cilin shpalos për herë të parë për opinionin Shqiptart jo vetëm programin e interpretimeve të tija nga repertori i këngëve popullore të cilat tashmë ishin te njohura dhe të popullarizuara mjaft, por tani edhe për punën dhe programet e grupit “Skofiaret” nga Gjakova, natyrisht me ilustrime të drejtpërdrejta muzikore, pra me këngë sidomos nga Albumi i parë.
Pas viteve të `90-ta janë vështirësuar dukshëm kushtet për mbarëvajtjen e provave të cilat mbaheshin në Pallatin e Kulturës ”A.Vokshi”, sepse filloi dalëngadalë rrënimi i institucioneve të kulturës dhe mediave, aty ku më së shumti ishte prezent ky grup.
Në vitin 1995 nga Produksioni “CATTI” është botuar Albumi III-të me këngë nga repertori i këtij grupi në të cilin janë paraqitur 10 këngë. Pjesëmarrës ne ketë album kanë qenë : Muharrem Mici, Ruzhdi Sadiku, Bujar Domi, Elizabeta Çarri dhe Ilire Vinca. Edhe Albumi i tretë u pritë jashtëzakonisht mirë dhe për një kohë shumë të shkurtër kënga “Një dite maji” ishte bërë “hit” i kohës në të gjitha territoret ku banojnë Shqiptaret.
Në dhjetor të vitit 1995 në përgatitjet për programin e vitit te Ri 1996 ekipi i TV Prishtinës ishte i detyruar që ilegalisht të xhironte programin për Kosovë e qe duhej të transmetohej nga Televizioni Shqiptar, meqë TVP-ja ishte e okupuar nga forcat serbe. Në ketë program morën pjesë edhe “Skofiaret”. Veç tjerash u xhirua për tërë publikun shqiptar edhe kënga ”Një ditë maji”, e cila me programin e vitit të ri 1996 u bë një ndër këngët me te popullarizuara të kohës në Kosovë dhe Shqipëri.
Prej vitit 1996 deri pas luftës, pra deri pas vitit 2000 aktivitet i Skofiareve ka vazhduar me ritme më të ngadalësuara dhe shumë më të vështirësuara për shkak të okupimit të Kosovës nga Serbia dhe ky aktivitet është realizuar kryesisht nëpër evenimente të ndryshme kulturore, të cilat organizoheshin kryesisht nëpër restorante të caktuara të shqiptareve në Kosovë.
Pas një përgatitje të mirë pas luftës, në vitin 2001 është edituar Albumi i IV-të nga Produksioni muzikor “Labia” i cili pas një kohe shume të shkurtër është shitur dhe është ribotuar përsëri, me çka dëshmohet se edhe programi i Albumit të katërt është pritur po ashtu shumë mirë. Edhe në ketë album protagonistet kryesor ishin Muharrem Mici, Ruzhdi Sadiku, Miranda Hashani, Elizabete Çarri dhe Artan Kastrati në kitare. Ne vitin 2003 është xhiruar me Televizionin 21 një emision dokumentar me Skofiaret, i cili është pritur shume mirë dhe pjesa muzikore e tij është akoma aktuale dhe e dëgjueshme edhe në ditët e sotme, e që kohe pas kohe transmetohet në këtë Televizion. Pjesa orkestrale është punuar Mandolina 1 dhe 2 nga Muharrem Mici,fis-harmonika dhe pjesa kryesore e harmonisë Ruzhdi Sadiku, kitare ritëm dhe solo Artan Kastrati, kurse aranzhimet i ka bërë Ruzhdi Sadiku.
Viti 2001 sjellë një sihariq nga Londra. Menjëherë pas editimit të këtij Albumi, nga Anglia, respektivisht nga Londra, për gazetën “Bota Sot” (që ishte gazeta më e lexuar atëherë) vjen artikulli i Profesor Akil Kocit me kryetitullin: “Gjakova Skofiare” dhe nëntitullin e cilësuar: ”Gjakova ka pasur shumë këngëtarë e orkestra të njohura, por “Skofiaret” në mënyrë të padiskutueshme janë sinonim i Gjakovës. Kur ata ja nisin këngës, meritojnë respekt të madh”, (“Bota sot” 21 dhjetor 2001). Ky profesor i nderuar, ish pedagog në Akademinë e muzikës, ish redaktor përgjegjës i programeve artistike në Radio Prishtinë e pastaj Redaktor përgjegjës në TV e Prishtinës, i cili këtij albumi i bënë një analize të thukët si në fushën e interpretimit ashtu edhe të orkestrimit dhe ekzekutimit. Mes tjerash ai shkruan: “Si të dëgjohen tingujt e parë të këtij ansambli, çdonjëri e kupton se janë “Skofiaret”, sepse ata e kane arritur ketë me punën e tyre të palodhur në të gjitha aspektet e muzikimit. Mandolina ne duart e Muharrem Micit, është magjike, mu si vargu i poetit më të mirë, ndërkaq fis-harmonika e Ruzhdi Sadikut tingëllon si një orkestër që shpesh na përkujton harmonicistët më të mirë francez”, për te vazhduar pastaj: “aty është edhe një Elizabete dhe një Mirandë, që do të thoshim pa teprim së bashku me ketë grup qëndrojnë si dy Zonja të vërteta të muzikës sonë të lehte Shqiptare. Skofiaret paraqesin një tërësi unike edhe pse janë pak instrumentist, tingëllojnë si një orkestër dhome”. Koci në vazhdim pyet: ”Pse këta “Skofiaret”, a nuk ditën, apo nuk deshën të ekzekutojnë këngë pa vlera me melodi e tekste shkel e shko e të fitojnë euro me pak mund, si disa nga kolegët e tyre gjakovarë e kosovarë të cilët e harruan këngën e tyre te bukur shqipe dhe këndojnë “krijime” dhe stërkrijime nga arsenali me vulgar dhe kështu e shkatërrojnë këngën tonë të bukur shqipe”.
Këto citate nga artikulli i profesor Akil Kocit, të shpalosura në gazetën “Bota sot” të vitit 2001, si shkas kishin botimin e Albumit të katërt të “Skofiareve” me titull “Kush i këndoi dashurisë”. Duhet theksuar se pas luftës “Skofiaret” kanë pasur një aktivitet mjaft të dendur me prezantimet e tyre në shumë ngjarje kulturore të realizuara anë e mbanë Republikës së Kosovës dhe më gjerë, e të cilët kudo që janë shfaqur janë prezantuar me sukses dhe janë pritur jashtëzakonisht mirë.
Viti 2003, muaji Nëntor, ”Skofiaret” organizojnë një Koncert me këngëtaren e mirënjohur Anita Take nga Shqipëria. Ishte ky një koncert i madh i cili u mirëprit jashtëzakonisht mirë, me duartrokitje frenetike dhe ovacione dashamirësie, në një takim të dy gjeneratave duke pasur parasysh moshën e Anita Takes që i takon një brezi më të vjetër. Kjo ishte një surprizë e jashtëzakonshme që i bëhej publikut gjakovarë, me paraqitjen e “Skofiareve “ në një koncert të përbashkët me Anita Taken, njërën ndër pionieret e para të këngës së lehtë shqipe të pasluftës së dytë botërore. Koncerti i përbashkët i “Skofiareve” me këngëtaren Anita Take, bëri një jehonë të madhe tek dashamirët e këngës së lehtë shqipe, e në veçanti pas transmetimit të këtij koncerti në valët e Radio-Gjakovës, gjë që nxiti debate shumë pozitive në mesin e adhuruesve të këngës së lehtë, duke e vlerësuar këtë si një gjest dhe një kontribut të jashtëzakonshëm të “Skofiareve” në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta të muzikës së lehtë shqipe. Ishte pra ky një koncert që do të mbahej në mend si një surprizë, për një kohë të gjatë.
Viti 2007–botohet Albumi i V-të i “Skofiareve. Një album tjetër i radhës dhe mjaftë cilsor i edituar nga Produksioni ”Kastrati” dhe i realizuar në studion “Roni” të Ruzhdi Sadikut, me një program jashtëzakonisht të pasur, me laramani pikash muzikore të zgjedhura me shije dhe të realizuara me këngë solo, duete dhe potpuri, të cilat sollën një freski programore duke thyer monotoninë muzikore e kohës. Ky ka qenë njëherësh një nga albumet me të mëdha të edituara si në sasi ashtu edhe në cilësi. Albumi i realizuar me tri potpuri prej nga 7-8 minutash si dhe tetë pika tjera të realizuara si interpretime solistike dhe duete, zgjatë plotë një orë. Interpretimet janë realizuar nga grupi i këngëtareve pjesëmarrës në album, tri potpuri me 19 këngë të zgjedhura, 5 interpretime solistike janë realizuar nga Muharrem Mici, kurse të tjerat nga Elizabete e Artemida Qarri si dhe Miranda Hashani. Pjesa orkestrale është realizuar nga Muharrem Mici – mandolinë 1 dhe 2, Fis-hamonika dhe aranzhimi – Ruzhdi Sadiku, si dhe Solo e ritem kitare – Artan Kastrati. Ky ka qenë një ndër programet më të pasura dhe me voluminoze të realizuara nga “Skofiaret”, e që edhe sot dëgjohet me ëndje dhe e ruan aktualitetin, si program i muzikës së lehtë shqiptare.
Skofiaret vazhdojnë të angazhohen dhe të punojnë në programe te reja muzikore. Besojmë se me te gjitha programet qe kemi realizuar gjere me tani, i kemi qëndruar besnik stilit tonë të interpretimit dhe muzikimit përgjithësisht, duke pasur gjithnjë për kriter zgjedhjen e mirë të pikave muzikore, cilësinë e interpretimit vokal dhe ekzekutimit instrumental, harmonisë, timbrit dhe tingëllimit të përgjithshëm, që do te krijoi imazhin e muzikës Skofiare. Shpresojmë në suksese te reja.
Viti 2012. “Skofiaret“ rifreskojnë memorien e adhuruesve të muzikes skofiare me Albumin e VI-të, të titulluar: “Hite të Skofiareve 1984-1995”, në të cilin janë prezantuar këngët më të bukura të “Skofiareve” brenda 11 viteve, këngë që u popullarizuan përmes albumeve të botuara më parë si dhe disa këngëve tjera që nuk ishin në albumet e botuara më herët. Si gjithë albumet tjera edhe ky solli një risi që u prit mirë dhe me dashamirësi nga adhuruesit e këngës skofiare.
Viti 2012 është i rëndësishëm për “Skofiaret” edhe për arsyen tjetër madhore se ata ishin pjesëmarrës të Koncertit të madh “100 vjet Shtet Shqiptarë”, organizuar më 28 Nëntor 2012 në Gjakovë për nderë të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar. Në këtë koncert ata shpalosën këngë nga repertori i tyre dhe me interpretimet e realizuara, këtij koncerti i dhanë një peshë të jashtëzakonshme, i cili i tillë u përshkua me duartrokitje frenetike nga auditori i madh në sallën e Pallatit të kulturës “Asim Vokshi”.

Muaji Nëntor i Vitit 2013, i sjelle “Skofiaret” në skenën madhështore të Televizionit Klan në Shqipëri dhe pikërisht në skenën e bukur të netëve të “Këngëve te shekullit”, një projekti të jashtëzakonshëm “Nata e Serenatave”. Ishte kjo një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur, e organizuar mjaft mirë dhe e punuar me profesionalizëm dhe me shije të jashtëzakonshme në përzgjedhjen e këngëve, këngëtarëve, punën në skenë, formacionin orkestral e shumë e shumë finesave tjera, që së bashku e rrumbullaksojnë ketë projekt si një nga projektet më të realizuara ndonjëherë. Një lloj projekti kushtimisht të ngjashëm, “Skofiarët” e kishin realizuar në Kosovë duke filluar që nga viti 1984 e këtej, me vënien në repertorin e tyre pothuajse të gjithë arsenalin e këngëve të interpretuara në “100 këngët e shekullit” në Shqipëri, respektivisht në Teatrin e Televizionit Klan, gjatë këtyre 30 viteve të punës dhe aktivitetit të tyre përmes koncerteve, paraqitjeve të ndryshme publike por edhe Albumeve të botuara gjate këtyre viteve si dhe paraqitjeve publike në Radio dhe Televizion, gjithandej trojeve ku banojnë shqiptaret dhe me gjerë.
Paraqitja e “Skofiareve” në teatrin e Televizionit Klan dhe pikërisht në ”Natën e Serenatave” që përkon me natyrën e këngëve që ky formacion kultivon nder vite, ishte një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për “Skofiaret” si formacion Vokalo-instrumental, por edhe për Gjakovën e Kosovën, që panë në skenë “Skofiaret” nga Gjakova, se cilët janë dhe kush ishin edhe më parë, sepse kishte vite që emri i tyre ishte lakuar për të mirë në qarqe te ndryshme muzikore e kulturore edhe në Shqipëri. ”Skofiaret” në ketë mbrëmje-koncerti u dëshmuan për vlerat që ngërthejnë në veten e tyre. Kjo u vërejt qartazi edhe nga vet publiku në sallë që duartrokiti frenetikisht paraqitjen e “Skofiareve” dhe ndali
për një kohë Skofiaret në skenë për ti duartrokitur dhe përshëndetur si formacion të vogël por shume simpatik dhe të ëmbël nga Gjakova–përkatësisht Kosova.
Natyrisht se edhe ne u ndamë të kënaqur për mikpritjen që na u organizua nga organizatori por edhe nga shpërblimi i madh i publikut që na u dha me duartrokitjet e tyre dhe ovacionet gjatë tërë kohës sa ne ishim në skenën e teatrit të televizionit Klan në Shqipëri. E gjithë kjo, ne si Skofiar na bëri që të ndjehemi mirë për paraqitjen tonë karshi miqve, dashamirëve dhe adhuruesve tanë edhe këtu në Kosovë e Gjakovë. Kjo ka qenë poenta kryesore e gjithë qëndrimit tonë që nga fillimi i aktivitetit e gjerë më tani dhe natyrisht se kjo na ka ndihmuar ne për ta ruajtur modestinë dhe për ta shtuar elegancën në paraqitjet tona publike.
Në vitin jubilar të shenimit të 30 vjetorit të punës së frytshme të “ Skofiareve”, mediat i dhanë publicitet dhe hapësirë të dukshme angazhimit të pandalshëm të ”Skofiareve” ,në të gjitha etapat e aktivitetit të tyre.
Gusht 2014. Zëri i Amerikës në Uashington, i jep publicitet dhe një rendësi të jashtëzakonshme punës së këtij grupi dhe në prag të manifestimit të 30 vjetorit te “Skofiareve” zhvillon një intervistë me themeluesin dhe solistin e këtij grupi z. Muharrem Mici.
Fundi i Gushtit 2014. Radio-Gjakova i jep po ashtu një publicitet meritor 30 vjetorit të “Skofiareve” përmes një emisioni të gjatë “Fresku veror”, ku ishte i ftuar z. Muharrem Mici, i cili i bëri një vështrim përgatitjeve qe po bëjnë “Skofiaret” për shënimin e ketij përvjetor të rëndësishëm.

20 Shtator 2014. RTK – Programi i mengjezit, po ashtu fton në studion e këtij Televizioni z.Muharrem Mici për të prezantuar tri dekada të punës së “Skofiarëve” dhe angazhimeve që po bëhen për shenimin e këtij përvjetori jubilar.
Por puna e “Skofiarëve” nuk përfundon këtu. Në Koncertin që do të mbahet në shënim të 30-vjetorit të punës dhe aktivitetit, adhuruesve të “Skofiarëve” do t`ju shtojmë edhe një dhuratë speciale, me botimin e albumit të shtatë që ruan natyrën dhe kriteret e punës sonë në ketë fushë, dhe që është edhe një dëshmi se vazhdojmë të punojmë dhe të jemi aktiv për aq sa kemi kohë dhe mundësi. Do të angazhohemi që vazhdimisht të sjellim risi me repertorin, këngët dhe paraqitjet tona ashtu si gjithmonë deri me tash, për t`ju kënaqur juve spektator, adhurues dhe qytetarë te nderuar.

Solisti i grupit “Djemtë e detit”, Gentian Demaliaj ndahet nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë

gentian

Nga Flori Slatina

Një tjetër humbje për muzikën shqiptare. Ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë solisti i grupit “Djemtë e detit”, Gent Demaliaj. Përfaqësuesi i njërit prej grupeve më të njohur të rrokut, i krijuar që në vitin 1989 në Lezhë, Demaliaj u bë një nga idhujt e rrokut shqiptar të viteve ’90. Për shkak të sëmundjes së rëndë, në prill të 2013-ës, qeveria e atëhershme akordoi një fond prej tre milionë e gjysmë lekë për kurimin e Demaliajt.
“Djemtë e Detit” është një nga grupet e rralla të rrokut që ka pasur sukses për një periudhë mjaft të gjatë. Këngët e tyre dëgjohen me ëndje edhe sot në club-et e natës. Muzika e tyre e hershme kishte ndikime të qarta nga hard-rroku dhe metali, që ishte shumë aktual në mesin e viteve ‘80 në të gjithë botën. Prezent në skenën e muzikës, tani për më shumë prej 10 vjet, hiti i tyre më i madh mund të konsiderohet kënga “Mos qaj”, një baladë mjaft e njohur. “Djemtë e Detit”, pjesë e të cilit ka qenë Gent Demaliaj, kanë marrë pjesë në shumë koncerte dhe festivale, nga të cilat janë vlerësua me një sërë ccmimesh. “Ëndrrat që për ty i thura”, “Baladë për Jakup Ferrin”, “Mos Qaj”, “Kohë pa ty”, “Jo tani” etj.
Po ashtu, grupi ka publikuar edhe dy albume: në vitin 1997 “Izolimi Vdes” dhe albumi i dytë “Epos” në mars 2009.
Në vitin 2003 regjisori Mevlan shanaj i besoi atij rolin kryesor në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”, një rol që e interpretoi me shumë sukses dhe u rendit me dinjitet pranë mjeshtrave të aktrimit.
Artisti lezhjan ishte i martuar, dhe nga martesa e tijë ka edhe një vajzë të cilën e kishte quajtur Edean.
Në çdo rrjet social kanë vërshuar komentet ngushëlluese lidhur me vdekjen e Gentit, që vlerësohej tejet për muzikën cilësore e profesionale që ai kishte realizuar.
Një profesionist i vërtetë të cilit jeta nuk ja dha mundësinë të vazhdonte rrugën drejt mitizimit në të gjallë.

“Jo tani jo Zot, jo tani
Shpirtin tim jo mos ma merr ti
Në gjumë me klithma, jo ,
Thërras për ty”,
Jo tani jo, jo tani jo, oh jo jo mos ik”

Janë fjalë që këndonte Genti në refrenin e këngës “Jo tani” , këngë kjo dhe fjalë këto të cilat, sa herë do t’i dëgjojmë, gjithmonë do të në përlotin, sepse duket sikur Genti e kish bër për vete këtë tekst…
Homazhet pranë trupit të tij do të zhvillohen sot rreth orës 12:30 në RTSH dhe ceremonia mortore do të mbahet në orën 14:00

‘Takimi i gjeneralit Fatmir Limaj- Kryeministrit Albin Kurti?’- Heshtje totale nga dy kampet politike… Çfarë po ‘zihet’?

Ditën e sotme  më datën 5.4.2025. qarkulluan lajme në media se kryetari i Nisma-s, gjnerali i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës , dhe Kr...