Libër i ri “POGRADECI, bibliografi e shypit”,
nga Kristaq Nanushi
Studjuesi dhe shkrimtari i mirënjohur pogradecar Kristaq Nanushi ka nxjerrë së fundi në treg librin e tij më të ri, “POGRADECI, bibliografi e shypit”. Në këtë libër përmblidhet, siç thotë autori “gjithçka që vjen nga drita e mendjes e të parëve tanë në shtypin periodik brenda e jashtë Shqipërisë: gazeta, revista, kalendarë, fletore zyrtare, buletine etj. Gjithçka për jetën në Pogradec e zonat pranë, që nga Rilindja e deri në mbarim të vitit 1944: artikuj, njoftime, lajme, reportazhe, fotografi, portrete personash e personazhesh, vendime gjyqesh, letra, reklama, urime etj.”
Me të drejtë studjuesit e kanë cilësuar lëibrin si një monument letzrar për Pogradecin. Eshtë një punë kërkimore shkencore disa vjeçare, e cila u finalizua tani, pas një odiseja disa vjeçare botimi.
Me një punë plot pasion, tepër skrupuloz, Kristaq Nanushi, për disa vite rresht, thuajse çdo ditë, qëmtoi gazetë më gazetë, botim më botim, rresht më rresht Pogradecin dhe këtë e bëri jo për famë, jo për para, por për qytetin, vendlindjen, si një detyrim moral për gjithë ata intelekualë, pogradecarë ose jo, të cilët kanë shkruar qoftë edhe një rresht të vetëm për qytetin e bukur buzë liqenit, që ashtu siç thotë edhe Lasgushi i madh “Pogradeci është qytet palcërisht shqiptar!”. Një mirënjohje të thellë për punën e palodhur dhe për vullnetin e hekurt të Nanushit, që na dha këtë libër kaq të çmuar, që do t’u vlejë bashkëqytetarëve, intelektualëve, kohërave, brezave që vijnë.
… një libër që na shton krenarinë për vendlindjen
NIKO NIKOLLA, gazetar dhe shkrimtar
Kur e lexova në dorëshkrim librin “POGRADECI, bibliografi e shypit”, e para gjë që më erdhi ndërmend ishte shprehja e Ciceronit: “Nuk kemi lindur për veten tonë”. Pas librit aq të bukur “Legjendat e Liknidës” Kristaq Nanushi këtë po e dëshmon sërish, duke nxjerrë në dritë të tjera thesare nga e kaluara e trevës sonë.
Ishte e pritshme që ky autor pogradecar, pas një kohe të gjatë kërkimesh, studimesh dhe botimesh, të dilte para opinionit të vendlindjes dhe atij kombëtar me një libër të tillë. Në letërsinë bibliografike kombëtare, për fat të keq jo të pasur, libri “POGRADECI, bibliografi e shtypit” vjen si shembull i lartë për gjithë autorët që vënë themele në studimet historike e kulturore të trevave të tyre. Ai është një libër për të gjithë, pasi jo vetëm studiuesit e historisë e të kulturës, por dhe familjet e thjeshta të qytetit e të zonave pranë gjejnë pjesë nga trashëgimia e të parëve.
Unë, edhe pse kam punuar gjysmë shekulli në gazetarinë profesioniste, gjeta në këtë libër një informacion shumë të gjerë e të pasur, që s’e kisha ditur. Dhe u befasova e u mrekullova kur pashë në libër se çfarë ndërgjegje të lartë kombëtare ka patur Pogradeci ynë në rrjedha të historisë. Shumë atdhetarë të shquar për çështjen kombëtare, të pushkës e të penës, të thjeshtë e intelektualë, brenda dhe jashtë atdheut, të grupuar në shoqëritë patriotike ose individualisht, janë bërë emra nderi dhe i gjejmë gjithandej nëpër gazetat e kohëve. Shfletojeni librin dhe do t’i gjeni ata si manifestues, si protestues, si proklamues, si denoncues, si organizatorë dhe pjesëmarrës nëpër mitingje e demonstrata, si luftëtarë me armë në dorë, si ndihmëtarë në të holla për shkollat, për librat, për gjuhën shqipe, për shtetin, për kishat, për gazetat përparimtare, për bashkinë e qytetit tonë e deri për fëmijët jetimë të dëshmorëve të lirisë.
Këto pasuri dhe shumë vlera të tjera na i bën të njohura ky libër. Është, me të vërtetë, një libër që na shton krenarinë për vendlindjen.
Libri plotëson më së miri kërkesat shkencore dhe profesionale të llojit të vet. Në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, ku autori punoi gjatë, me vullnet e durim, iu desh të kontrollonte e të vilte material në një volum të madh koleksionesh. Edhe pse në mes të vështirësive të shumta, sidomos të joplotërisë së koleksioneve, të shtypit të dobët, të përdorimit të shpeshtë të pseudonimeve të panjohura etj. autori ka ditur të orientohet, të vlerësojë, të përzgjedhë, të verifikojë dhe ta rregjistrojë me kritere shkencore. Kështu ky libër bëhet shumë i saktë dhe shumë i nevojshëm për Pogradecin dhe historinë e tij dhe qëndron me dinjitet edhe në botimet enciklopedike kombëtare.
Do të ishte e dëshirueshme dhe e lavdërueshme që edhe të tjerë autorë, sipas mundësive dhe parapëlqimeve, t’i vinin në ndihmë vendlindjes sonë, duke e parë këtë si akt dashurie dhe atdhetarie. Mos harrojmë çfarë thoshte Lasgushi ynë: “Atdheu fillon te vendlindja”.
Urojmë që libra të tillë të kemi sa më shumë!
Tiranë, më 14.11.2005
Një libër për poradecarët e penës
PROF. DR. JOVAN BASHO
Megjithëse në një farë mase isha i njohur edhe më parë me problematikën e librit te K. Nanushit, ajo që më bëri më tepër përshtypje, ishte habia e madhe për gjithë këtë pasuri informacioni bibliografik që mbart me vete ky libër. Sa shumë shkrime, nga sa shumë poradecarë, brenda e jashtë Shqipërisë!
Po e them që në fillim që libri në fjalë përbën një vlerë të veçantë jo vetëm për materialin që paraqet, por vecanërisht për problematikën e këtij materiali. Botime të tilla bibliografike janë të rralla, por tepër të vlerëshme, sepse përbëjnë fillesa për studime të mëtejshme të detajuara e, në fakt, mundin që paraqet realizimi i tyre e kupton vetëm ai që është marrë edhe vetë me të tilla kërkime. Punë e mundimshme për të arritur përsosmërinë, për të gjetur gjithçka të botuar për temën që kërkon, lodhje e njekohësisht gëzim kur gjen gjëra të rralla, “të harruara”, të paditura nga të tjerët, ashtu si kërkuesit e arit kur gjenin mineralin e çmuar, vite me parë, në kontinentin e porsazbuluar amerikan.
Për të realizuar një libër të tillë duhet kohë e madhe, disiplinë shkencore në mënyrën e të kërkuarit të materialit dhe durim gjatë punës nëpër biblioteka, e në biseda me njerëz që mund të të japin informacionin e nevojshëm (“Nga tonelatat e lëndës së parë del grami i radiumit poetik”, ka thënë Majakovski). Ashtu si filatelisti që kërkon me këmbëngulje e padurim atë që i mungon në koleksionin e tij, ashtu edhe studiuesi bibliografik duhet të mposhtë edhe ankthin që e mundon vazhdimisht gjatë punës, ankth që shprehet së brendëshmi tek ai e i duket gjithmonë se diçka i mungon, se duhet edhe më shumë punë, se gjithmonë do të mbetet diçka pa e paraqitur, me shpresën se ajo që mund t’i shpëtojë të mos jetë edhe aq e rëndësishme.
Së dyti, më bëri përshtypje të madhe edhe numri i madh i poradecarëve patriotë e i botimeve të shumta për Poradecin. Sa shumë poradecarë te penës! Nga libri mësojme se ata e kanë ngritur fuqishëm zërin e tyre në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë, tërësisë tokësore, me ndërgjegje te lartë kombëtare, si individe ose të grupuar në organizata të ndryshme patriotike. Edhe kur kanë qenë jashtë atdheut, mendjen e kanë pasur aty, e vazhdimisht kanë punuar për të e në të mirë të tij.
Ata e kryen me përkushtim detyrën e tyre. K. Nanushi duke na e treguar veprën e tyre, ndikon fuqishëm në ngritjen e krenarisë sonë kombëtare.
Qyteti ynë ka me se të mburret. Disa vjet më parë në një parathënie për librin e Gjergji Gushos “Mbi përhapjen e krishtërimit dhe të kishave në rrethin e Pogradecit”, pata shkruar: “Poradeci ynë i vogël ruan në vetvete thesare të mëdha. Është detyra jonë t’i gjejmë e t’i tregojmë …. “. Me këtë libër K. Nanushi vërtetoi se Poradeci është thesar edhe në këtë drejtim.
I uroj suksese dhe botime të tjera dinjitoze në të ardhmen!
No comments:
Post a Comment