Për poetin emigrant, poezia është krahu i harruar i shpendit të vendlindjes…» Interviste me poetin e prozatorin devolli Luan Xhuli, Më zure ngushta mikja ime…S’ta prish dot ! Më kujton, gojë ëmblën teton time, që banonte në Korçë. Kishte shpirt devolleshe me sjellje prej aristokrateje nga qyteti… Luan Xhuli ka lindur ne Baban te Devollit me 1955 .Studioi në degën Kimi Industriale dhe për më shume se 20 vjet, punoi ne sektorin e naftës ne qytetin e Kuçovës. Prej vitit 1995 jeton dhe punon ne Athine, Greqi. Është autor i disa librave si : Ne shqip -Besoj- l990 (poezi ) -Maska e kohës-2000 (poezi) 2003 -Një firmë me shume (poezi )2006 -Ditën ëndërroj, natën e le zgjuar (poezi )2008 (Nderuar me cmimin “Ali Asllani”) -Ariani-2007 (novele ) -Ku po shkon o devolli 2008 (tregime dhe kujtime) Ne Greqisht : -Mbaj ere molle 2003 poezi -Biografia e syve 2006 poezi -Ku te kërkoj të falur 2008 poezi -Qiparisi qe donte te matej me qiellin (2008), përralla për fëmije me ilustrim. Libri “ Biografia e syve” u vlerësua si nder me te mirët e vitit dhe për 2007 u fut ne antologjinë e poezisë greke. Ka botuar poezi ne shume revista letrare dhe kritika greke është marrë në veçanti me poetikën e këtij poeti devolli. Përveç librave të mësipërm, në Greqi qarkullojnë edhe katër libra për fëmijë të përkthyera nga letërsia greke për fëmijët shqiptare. Ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare poetike duke përfaqësuar emigrantin krijues nga Shqipëria. Punon bibliotekist ne një nga libraritë qendrore te Athines.
1-Cilat kanë qëne përfytyrimet e tua , se një ditë do të bëheshe poet, shkrimtar…? …S’kam menduar ndonjë here se do të bëhem shkrimtar apo poet. Dhe sinqerisht nuk me shkon mëndja as sot…Kush tha se jam i tillë ? Është tepër i madh ai emër, si për mua, si për shumë të tjerë …Jam thjesht një krijues me shpirt të pastër…një njeri që «ditën ëndërron, natën e lë zgjuar»(titulli i një libri poetik ) Adhuroj fjalën e zgjedhur, ritmin dhe këngën popullore, metaforën e mendimit dhe vallen devolliçe! Më pëlqen të fundosem në magjinë e faqeve të shkruara, si të jetë burim i ftohtë Çardaku me etje prej gushti…! Mikrob adhurimi – libri…Pas vajzave të mia, le të kenë zili të tjerët, dashuritë….!
2-Cila ka qenë shoqëria në adoleshencën tuaj ? ..Fantazia dhe pjesëmarrja në biseda të «pa ligjshme» të rriturish, dasmor i pa ftuar i dasmave devollite (ishin festa për mua) dhe fanatik i ditarit të asaj moshe…(ç’e do që akoma mbaj…,s’dua të rritem !)Mrekullohesha nga filozofia popullore, nga e përditshmja e fshatit, aq sa xha Sefja, një prej burrave më hokatarë dhe të zgjuar të fshatit, më quante shokun e tij më të ngushtë, edhe pse isha 50 vjet më i vogël…! Banorët e fshatit tim, janë autorë të zgjuar të artikulimit sarkastik dhe gojor, gjë që për mua ishte e para shkollë e vyer, që nuk mora diplomë të shkruar…! Aventurat e Piter Panit dhe heronjtë e përrallave të vëllezërve Grim, i kisha bërë si të ishin të miat…I tregoja mes shoqërisë me fantazinë time gënjeshtare dhe patosin e të krijuarit..Shtoja dhe hiqja kapituj të tërë, duke interpretuar dëshirat e mia të asaj kohe…
3- Cila ka qenë poezia e pare që keni krijuar? …Pyetja më e lehtë! Për nënën parti, që na kishin mësuar, që ta donim më shumë se nënën e vërtetë. U botua tek gazeta «Pionieri». Isha në klasën e katërt. Gjithë Babani e mori vesh, «që më kishte marrë gazeta…»!
4-Cili ka qënë libri juaj i parë ? Κishte titullin “Besoj”, të kundërtën e asaj ç’ ka kisha menduar gjer atëherë…I takon vitit 1990-të. Akoma s’e besoj s’e e kam shkruar unë. Ëndrra te pa fajshme dhe jetime. Poezitë e atij vëllimi, i kam krahasuar me mollët e pikuara, që binin sepse u kish hyrë krimbi…Kam vetëm një kopje, që mallëngjehem sa herë i shoh kapakun. Një diell mes resh ngjyre gri mbi një mal të zhveshur. Po e ribotova, do ta ndërroj dhe titullin. Do ti shkonte me mirë p.sh “Kur ëndërroja besimin…”S’ më pëlqen të flas për atë kohë…
5-Çfarë është për ju një muzë, Aftësi gjenetike apo talent që kultivohet ? Nevoja për të shkruar, është një uri, që asnjëherë s’e ndjen ngopjen..Për mua ka qënë dhe mbetet nevojë, mike që të dëgjon dhe respekton, çlodhje e një shpirti të ngarkuar, rrëfim, ikonë e një ëndrre që mundohesh ta kapësh…Ç’ të them tjetër? Muza, për mua është zëri që më thërret, përkëdhelja e dëshirës brenda vetes…muzë, do të thotë frymë! Njerëzit lindin për të ëndërruar,më vonë zgjedhin mënyrën se si..Unë p.sh. ëndërroj dhe pa fjetur…Mos qesh !
6-Cilat janë disa nga idetë apo temat në krijimet tuaja…Huazoni nga elementët autobiografikë…? -Është gjëja me e mirë kur ke borxh tek vetja….Krijuesi “vjedh” veten që të pasurohen të tjerët. Kështu them unë. Idetë e trurit tim, i dua të jenë të hapura si çadrat…Ja njoh vlerën më shumë ashtu, në kohë shiu, sepse ja kam nevojën…Respektoj lirshmërinë dhe shprehjen pa tutor. Si vë në allçi mendimet dhe idetë. Është e vështirë për çastin, veç më vonë është ngushëllim dhe zgjidhje për ata që kuptojnë poezinë…Vargjet, s’durojnë moral dhe shtrëngesë. Iku koha e gardheve të realizmit socialist. Më pëlqen të krijoj, me mënyren si flas dhe si sillem. Ka gje të keqe…? Bëj shoqeri me gjerat e vogla dhe të thjeshta, me ato që s’bien në sy dhe shpesh i shkelim. Me to, merrem vesh pa fjalë…!
7-A ka diçka ideale në guzhinën e nje poeti apo shkrimtari ,dhe ç’ju ka dhënë konkretisht poezia? -Asgjë nuk është etalon për një krijues origjinal. Stili dhe forma, kompozicioni dhe ritmi, mendoj se nuk zhvillohen me recete klasike… Poeti aq më shumë, ka nivelin e tij fantazmagorik. Odhisea Eliti, një nga poetët e mi të adhuruar, është shprehur diku se krijuesi, nuk mund të ndjejë stabilitetin e qenies se tij mbi toke, nqs nuk provon të qëndroje për një çast vetëm me një këmbë në të… Poezia, më ka dhënë të drejtën dhe mundësinë të studioj kohëra dhe personalitete me mënyrën me figurative të kuptimit…është momenti më kulmor ku shkrihet dëshira ime me konkreten…
7-Më thuani një poezi që e para pëlqeni… Mbas të 50-tave… …dhe poezitë ngjasojnë me nënat… Burrave s’u thërrasin në emër, zërin e nipërve dhe mbesave imitojnë… Mbas të 50 -tave harrojmë inatet … Përkëdhelim çastin me uzon e zbardhur nga uji, dhe faljen kërkojmë në biseda heshtje. Në rrethin e moshës shekulli ul kokën… pendesë e pa shprehur për vitet…!
10-Cila është gjëja më e vështirë për të shkruar një poezi ? …Të shkruash pa qenë i mbushur, i pa aftë për ti dhënë frymë dhe zë fjalës…Krijimi është zbrazje, dialogim, rrëfim i sinqertë shpirti. Në krijimtari, s’ka porosi temash. Poeti flet dhe urren heshtjen. Heshtja, i zhvesh njerëzit, i largon, i ftoh. E urrej heshtjen. e pa sinqertë…!
11-Cilin konsideroni sukses në botën poetike.Në ç’raport qëndron ky sukses me poetin ? _Poeti, jeton në mes dy botëve reale për të ; Të asaj nga lindi dhe asaj tjetrës që lind…Që të dyja prodhojnë një element psikologjik, që do ta quaja pak a shumë frikë, sepse përjeton një botë, që nuk e ke menduar ashtu si është. Në diapazonin krijues, merr pjesë realja, e përditshmja, që dritohet nga shpresat, kultura dhe pozicioni shoqëror. Thashë me lart, ska receta kjo punë…Një formulë kimike me shumë elementë. Krijimi e urren dembelizmin. Dembeli nuk vret vetëm kohën, por edhe fjalën. Sukses, për mua psh quaj atë që të lexojnë të tjerët dhe emocionohen nga fjala jote. Nuk matet me çmime, as vetja dhe as krijimi. Njoh njerëz, që kanë shumë «bylyυzyqe” çmimesh.., por fjala dhe krijimi i tyre ka mbetur moralistik dhe që shpesh e krahason me një hartim nxënësi të klasës së pestë…Suksesi ,është relativ dhe i pa besë…Tërmeti krijues, ta prish gjumin, pa kohë të përcaktuar…
12-Si do ta përkufizonit jetën tuaj…?
-Një komponim kimik, me bazë familjen, fëmijët dhe leximin…Një xeheror, që përqindjen me të madhe e ka elementi pozitiv i metaleve me vlerë…Shumë gjëra, po ti kisha dhe nje herë në dorë, do ti kaloja në «kurse» të tjera kualifikimi…Jetën e kam të mbushur me njerëz, kujtime, dhembje, dashuri…Brenda shpirtit, kam shumë stacione, që mbetën pa u ngritur si duhet….U nisën për fabrika, dhe as punishte nuk përfunduan…E rëndësishme për mua është se shpresat asnjëherë nuk me tradhëtuan…
13-Jeta krijuese në Greqi, në vëndin ku emigruat, ju ka dhënë vendin e duhur…Pak fjalë… E dua gjuhën greke dhe atë vend, pa komplekset e «refugjatit».,edhe pse sjellja e tyre ndonjëherë përbuz talentin, punën dhe energjinë tonë. Në ketë prizëm, ne do të ishim disa herë me të këqij…Kur erdha në Greqi, edhe pse i rritur në moshë, u ula dhe një herë në klasën fillore, si dikur. Nga nevoja,- e para dhe së dyti nga dashuria. S’mund të duash dikë, pa ja respektuar ato gjëra që ai i ka të shënjta. Edhe unë…! Kur botova librin tim të parë «Μυριζω μηλο»(Mbaj erë molle), sinqerisht, kisha edhe “dertin” e shqiptarit për të treguar se vija nga një vend, që më kishte ngarkuar me ndjenja dhe më kishte dhënë pasaportën e qytetarit pa pasaportën e tyre… «…Unë jam nga Korça vëllezër, prandaj mbaj aromë molle…Keni shkuar në Korçë ndonjëherë? Shkoni, dhe do të ndiheni dy herë njerëz…!» Korçes, dhe sidomos Devollit tim, i kam borxh dhe emrin…! «Biografia e syve»- jam unë i thashë, dhe e dini? S’ka gjë më magjike dhe më lumturuese, kur njerëzit, që deri dje ishin të huaj për ty, sot të jenë miqtë dhe shokët më të mirë. Preka njëkohësisht veten dhe ajrin përreth…!Me poezitë e mia botuar në Greqi, gëzohem si prind që fëmijët i respekton fqinji. Sa gjë e mirë është, kur këngën e gëzimit tënd, ta dëgjon gjitoni…!
14-Shkruani dhe prozë dhe poezi…Ku ndjeheni i sigurt dhe i kënaqur…? Me prozën, jam si ata që i martojnë me mblesëri….edhe pse në jetë, çifte të kësaj natyre kanë me shumë harmoni. Me poezinë, jam i dashuruar aq shumë, sa nuk më shkon mëndja as të fejohem. Bashkëjetoj, me gjakun që bën qarkullimin e tij ,nëpërmjet të dyve…Ç’ ka kam shkruar, kurdoherë i heshtur dhe i pa dukshëm, qëndron heroi i vetes,rrëfimi im më i sinqertë…! Poezia për mua, është gracka erotike e çlodhjes, që më plotëson shijet…!
15-Ku banon frymëzimi juaj…? -Poeti kur shkruan, është fëmija më i pa fajshëm, origjinali i atij që ka ëndërruar të jetë…Frymëzimi im, akoma s’ka gjetur banesë të përhershme. E nisa nga vetja dhe kërkoj mes të tjerëve veten. E di që do të vdes duke kërkuar. Do më pëlqente. Ajri i ndenjur dhe pa lëvizshmëria, ma zënë frymën. Më pëlqejnë korrentet, edhe pse në jetë kam kaluar dhe plevite ftohje. Letërsia për fëmijë, më thërret me magjinë dhe virgjërinë e saj. Kërkon jo vetëm teknikë dhe talent, por më shumë vërtetësi dhe origjinalitet bindës. Në rininë time, kam punuar me Shtëpinë e Pionierit, dhe për shumë vite jam angazhuar me këngët në festivale për fatosa dhe pionierë, që nga kompozitorë me emër, e deri në amatore të qytezave naftëtarë…
16-Pak fjalë për librat per fëmijë botuar në Greqi. «Qiparisi që donte të matej me qiellin», është një përrallë me karakter edukativ dhe e ilustruar për mosha të vogla. Ideja se njeriu bëhet më i mirë kur respekton tjetrin, preku një ndjeshmëri të veçantë, dhe mbas vendosjes në programet jashtë shkollore të klasave të ulëta, mësova dhe një gjë tjetër që smë kishte shkuar në mend…(qesh) Jam paguar më shumë se sa merrja për punën e zakonshme brenda vitit! Edhe libri në botim, «Brumbulli që donte të vidhte recetën e mjaltit», thekson idenë e dashurisë për punën dhe prindërit. Ilustrimi i këndshëm, i bën fëmijët të gjejnë veten e tyre në një lojë që i kënaq duke mësuar… Tani që jam bërë dhe gjysh, kam filluar të shkruaj një përrallë për Danielin e vogël. Jam betuar se do ti a mësoj shqipen…(mos u vijë çudi…fëmijët e lindur vitet e fundit, kanë harruar se nga erdhëm. Dhe jo vetëm fëmijët…! )
17-Askush nuk mund të mohojë një karierë poetike tuajën. A mendon Luani se diçka ka lënë pa e thënë dhe se bëri në kohë…? -Po të përgjigjesha me formën e pyetjes që më bën, do të thosha se poeti s’ka dhe nuk e njeh karrierën. Poezia, nuk është ikonë engjëlli. Unë e prek, i flas, e përkëdhel, këndoj me të, çlodhem… duke pranuar dënimin prej saj. Është konkretja që më mungon shpesh, është mjeku që di të shërojë pa ilaçe…Është marshi më i shpejtë i shpirtit .Më pëlqen shpejtësia e saj. Njoh dhe takoj gjëra, që të tjerët ndoshta as i ëndërrojnë për momentet…Duken te rrezikshme, aventurë…, ai amortizator fantazie gatuar me dëshirë. I besoj miqve dhe vetes pak me lehtësi. Çdo pësim, e konsideroj stacion të ri ku furnizohesh me energji për me tej. Shpesh edhe zoti më tund gishtin në shenjë tërheqje veshi…
18-Diçka për librat poetikë të shkruar në të dyja gjuhët, greqisht dhe shqip… -Edhe pse të shkruar në gjuhë tjetër, librat e mi gjithnjë flasin shqip. Vlera e një krijuesi, nuk matet me sasinë e librave të botuar, por me shijen që kanë lënë fjalët e tij mbi buzët e lexuesit. Unë, librat e mi, i kam fëmijë, dhe sado që të rriten ata në sytë e të tjerëve, përsëri fëmijë të mi mbeten. Libri i fundit në greqisht “Pu na zitiso signomi “(Ku të kërkoj të falur) është një rrëfim psikologjik dhe ndijesor. Kritika greke, është marrë disa herë me elementët e thjeshtë të këtij ndërlikimi metaforik…Së shpejti, del nga botimi në shqip një tjetër libër poetik.”Mbas të 50-ve” titullohet. Tani që e kam vënë poshtë shekullin e moshës, do ti them ca fjalë më shumë , që s’ ja thashë më parë…Besoj se do të më dëgjojë…! Në prozën e shkurtër, ku «…Lashë shumë pa thënë», do t’u a kushtoj shokëve të fëmijërisë. Edhe ankohemi se s’kemi kohë edhe nxitojmë nga frika se mos vallë s’do ti themi të gjitha. Si është dhe ky njeriu…!
19-Ç’do të ndanit me kolegët në këtë vit të ri…? Po për lexuesin…? -Dashurinë dhe respektin për njeri tjetrin dhe fjalën e shkruar. Mos ta përbuzim dhe përdhunojnë frazën. Është pasuria më e madhe që trashëguam nga ajo që quhet “shqip”. Sa për lexuesin, do të deklaroja përsëri një varg të poezisë “…Do të jem gjithnjë, vëllai më i vogël i beharit të tyre…” …U bëra fjalëshumë, sa të lodha ty dhe ata që do të më lexojnë. Edhe ti ke faj, që s’më le kohë të mendoj e të zgjedh frazat, siç bëjnë zakonisht të intervistuarit. S’ka gjë. Ta marrin vesh se jam nga Devolli, dhe se shumë gjëra tek ai lumë i freskova me respekt dhe dashuri. Një vit të mbarë për të gjithë ! Krijuesve të rinj, u uroj udhëtim të mbarë në këtë qiell krijues…!
Faleminderit Bisedoi:Raimonda Moisiu
Lexo më shumë në: http://www.devolli.net/per-poetin-emigrant-poezia-eshte-krahu-i-harruar-i-shpendit-te-vendlindjes.html