2015-03-20

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, autorizimin për arrestimin e deputetëvë, Tom Doshi dhe Mark Frroku



Sipas njoftimit zyrtar të saj, deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale: “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.

Pavarësisht pretendimit të Doshit, se atentati i sajuar nga Ilir Meta për vrasjen e tij është i vërtetë, Prokuroria arsyeton se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Kjo pasi, në asnjërën prej provave të grumbulluara, nuk rezulton ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë.

Prokuroria del në përfundimin se kjo ngjarje është e inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami. Të gjitha këto sqarohen në kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i ka dërguar Kuvendit.

Tom Doshi: Nuk jam në dijeni për kërkesën e Prokurorisë

I kontaktuar me telefon nga televizioni A1 Report, deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi u shpreh se nuk ka dijeni për kërkesën e bërë nga Prokuroria karshi Kuvendit. Doshi theksoi se këtë e ka marrë vesh vetëm përmes medieve, ndërsa shton se çështja e akuzave të tij është ende nën hetim.

“Nuk jam në dijeni të një kërkese të tillë, e mora vesh nga mediet. Çështja është nën hetim ende”, tha Doshi.

Rrëzohen dy kërkesat e Tom Doshit

Me kërkesën e fundit të Prokurorisë për të arrestuar Doshin si personi që inskenoi atentatin, tashmë do të rrëzohen edhe kërkesat e tij për të vërtetuar vrasjen. Doshi nuk do të ketë prokurorë të huaj për të gjykuar çështjen e tij, dhe as nuk do të merret në pyetje nga kryeprokurori Adriatik Llalla. Ky vendim u mor sot nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila doli në përfundimin se të vetmit përgjegjës për atentatin janë Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami, që inskenuan ngjarjen.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme:

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëvë të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”, parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal.

Në kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sqarohen argumentat kundër dy deputetëve. Sipas kërkesës, Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.03.2015, ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën “Vrasja e funksionareve publike” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a – 22 i Kodit Penal, në bazë të deklarimeve të deputetit Tom Doshi, i cili ka deklaruar publikisht se ai dispononte prova, sipas të cilave, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte paguar vrasës me pagesë për të eliminuar fizikisht atë dhe një deputet tjetër. Në të njëjtën ditë, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka referuar materialet në ngarkim të shtetasit Durim Bami, i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.

Në kuadër të hetimeve për këtë procedim penal, janë pyetur persona që mund të kenë pasur dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, krijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë.

Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami.

Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e shtetasve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ia ka kaluar hetimin për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet”. Në analizën që i është bërë materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale; “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a deshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.




******


Doshi dhe Frroku përballë në prokurori

Dy deputetët, Tom Doshi dhe Mark Frroku do të jenë sot përballë, në orën 12:00, në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t’u ripyetur në lidhje me hetimet e nisura për atentatin e pretenduar nga Doshi. Publikisht Doshi ka deklaruar se Mark Frroku ka qenë personi që i ka prezantuar Durim Bamin dhe e ka vënë në dijeni për atentatin ndaj tij. Sipas intervistës së dhënë për “Top Story”, ai ndodhej në Budva me pushime, bashkë me familjen, kur është telefonuar nga Mark Frroku se donte ta takonte për një problem urgjent.

“Kur u ktheva, më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguar lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin. Më erdhi shumë papritur dhe e çuditshme, sepse me Ilir Metën kemi ndenjur disa herë për drekë e darka. Kemi shkuar në Dukagjin bashkë, më 30 korrik, festuam edhe ditëlindjen e Taulant Ballës”-deklaroi Doshi. Ai rrëfeu se Durim Bamin që thuhet se është paguar për ta vrarë, e kishte takuar vetëm njëherë me deputetin Marku, ndërsa më pas të gjitha takimet i bëri vetëm për vetëm me të. Deputeti Doshi tregoi se, kur u kthye nga pushimet, piu një kafe me Mark Frrokun në hyrjen kryesore të hotelit “Sheraton” në Tiranë. Frroku aty i tregoi një djalë me një bluzë portokalli dhe me syze, duke i thënë se ky është personi që e ndiqte.

“Erdhi ky djalë me bluzë portokalli, me syze, më pa aty, u kthye dhe iku. Kur dola i thashë Markut: do të ecim në këmbë. Ky djali me bluzë portokalli po priste në makinë. Vazhduam rrugën, unë hipa në makinën time dhe atë natë, nuk i rashë nga Ministria e Shëndetësisë, por i rashë nga rruga "Qemal Stafa". Kur erdha te porta e shtëpisë, kur frenoi shoferi, te dritat pashë atë djalin me bluzë portokalli”, që sipas asaj që i treguan më pas ishte Rezi, djali i xhaxhait të Fatjon Skënderit, ish-shofer në Partinë Republikane.

Sipas deputeti Doshi ishte vetë Marku që i kishte mundësuar më pas takimin me Durim Bamin, cili, sipas deklarimeve të tij, i ka thënë se: “Është një djalë, është në moshë dhe e ka emrin Toni, ka një restorant "Viva". Ai më ka ardhur në emër të Ilir Metës, jo se i ka thënë që vij në emër të Ilirit, por i ka thënë që porosia është për Ilirin. I ka thënë se janë 500 mijë euro për Tomën. Është edhe në video, kur i kanë thënë njëherë 200 mijë, e më pas i ka thënë që dua 500 për Tomën dhe 100 mijë për Mhill Fufin se kanë menduar që Mhilli është kollaj, se ikën natën vetëm në shtëpi, se kishin marrë informacion edhe për lëvizjet e Mhillit…”.

Por e gjitha kjo histori e treguar nga Doshi, është rrëzuar nga Frroku, tre ditë më parë, duke treguar se nuk ka asnjë dijeni për çështjen. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti Frroku, gjatë dëshmisë së tij, përpara prokurorëve, ka këmbëngulur se nuk ka dijeni, se nuk e ka njoftuar ndonjëherë Doshin për diçka të tillë dhe se nuk e di përse ai e ka përfshirë në këtë çështje.

Berisha

Ish -kryeministri Berisha do të jetë sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar se çfarë di në lidhje me akuzat e Tom Doshit ndaj Ilir Metës. Ai u thirr nga prokuroria pas deklaratave të bëra në parlament. Berisha tha të enjten në parlament se kishte qenë në dijeni të këtij plani. Ai madje u shpreh se ishte në dijeni se çfarë ishte folur në zyrën e Ministrit të Brendshëm me Durim Bamin, personin që pretendohet se ishte pajtuar për të eliminuar Tom Doshin dhe deputetin e PD-së, Mhill Fufin. Ish -kreu i qeverisë do të jetë në prokurori në orën 9.00. Pas tij do të dëshmojë edhe deputeti Mhill Fufi.



*******

Kush do ta ekzekutonte Tom  Doshin!




Sipas A1 Report, Durim Bami që u shoqërua paraditen e sotme në polici, pranoi para oficerëve të policisë, se ishte porositur për të vrarë Doshin. Aktualisht ai ndodhet në ambientet e komisariatit Nr 5 në kryeqytet, ku vijon të merret në pyetje nga hetuesit e çështjes.

46-vjeçari ka tentuar të arratiset nga vendi pak pas mesnatës rreth orës 12:30 dhe është ndaluar në pikën kufitare të Hanit të Hotit për të shkuar në Malin e Zi. Sipas “A1 Report”, pas ndalimit, rreth orës 3 të mëngjesit ai është shoqëruar nga Shkodra për në drejtorinë e Policisë në Tiranë.

Kush do ta ekzekutonte Doshin!

Policia e Shtetit shoqëroi sot në rajon 46-vjeçarin, i cili dyshohet se ka lidhje me akuzat e deputetit Tom Doshi për vrasjen e këtij të fundit.

Uniformat blu e shoqëruan rreth orës 11:00 të paradites shtetasin Durim Bami, vetëm pak momente pasi prokuroria deklaroi se ka nisur hetimet mbi këto pretendime. Mësohet se shtetasi Bami momentalisht po merret në pyetje nga shefi i krimeve të Rënda, Ilirjan Balla.

Durim Bami është një person me precedentë të mëparshëm penal. Javën e shkuar ai i shpëtoi një atentati me lënë eksplozive. Të dielën e shkuar automjetit të tij tip “BMW X5” iu vendos rreth 200 gram eksploziv, por policia arriti ta identifikonte dhe çaktivizonte në kohë.

Mjeti me targë AA 858 IS ishte parkuar në lagjen “Grumbullimi” në qendër të Fushë Krujës. Policia njoftoi se mjeti i përkiste Durim Bamit, një person me precedentë të mëparshëm penal. Më herët Bami është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes.

Bazuar në hetimet e prokurorisë, Bami është personi i fundit që ka takuar Enver Stafukën, i cili rezulton i zhdukur prej një muaji. Bami është biznesmen dhe ka në pronësi disa lokale bastesh në Fushë-Krujë.

*******



Prokuroria e Përgjithshme reagon përmes një deklarate zyrtare lidhur me emrat e zyrtarëve të cilat janë thirrur të dëshmojnë për çështjen “Doshi”, për një atentat ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi. Organi i akuzës thekson se Sali Berisha dhe Mhill Fufi, si dhe prokurori Eugen Beci do të thirren në ditët në vijim për të dhënë dëshminë e tyre.

"Për të menaxhuar sa më mirë procesin e marrjes së deklarimeve së personave që kane dijeni për rrethanat e hetimit në rastin “Doshi”, emrat e të cilëve janë bërë publik në njoftimin zyrtar të Prokurorisë, si edhe personave të tjerë, do të vazhdojë në ditët në vijim, sipas një grafiku që diktohet nga nevojat e hetimit”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas njoftimit zyrtar të organit të akuzës personat që e thirrur janë kryeparlamentari Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputet i Partisë Kristian-Demokrate, Mark Frroku, deputeti i PD-së, Mhill Fufi, ish-drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beçi, si dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Këtë të fundit, Prokuroria e ftoi në mënyrë zyrtare, pas deklaratës së tij në seancën e djeshme plenare, ku Berisha deklaroi se ishte para gjashtë muajve në dijeni për ngjarjen.

Deklarata e plotë e Prokurorisë më 5 mars:

Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimeve të nisura kryesisht për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentative”, parashikuar nga neni 79/c - 22 i Kodit Penal, të filluar në bazë të deklarimeve publike të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Tom Doshi, ka marrë gjatë ditës së enjte (05.03.2015) deklarimet e tij, si edhe materialet mbi të cilat ka mbështetur qëndrimin e shprehur në media.

Në bazë të deklarimeve të z. Doshi, i cili ka deklaruar para grupit hetimor se ndaj tij dhe ndaj deputetit tjetër të Kuvendit të Shqipërisë, z. Mhill Fufi, ka pasur një tentativë për vrasje, Prokuroria për Krime të Rënda e konsideron të rëndësishme për hetimin e plotë të këtij rasti, marrjen e dëshmive nga ana e disa zyrtarëve dhe shtetasve të tjerë, për të cilët z. Doshi është shprehur se kanë dijeni për hetimin.

Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda fton nesër zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit, shtetasit, si vijon:

1. Z. Ilir Meta, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
2. Z. Edi Rama, kryeministër i Republikës së Shqipërisë
3. Z. Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm
4. Z. Mark Frroku, deputet në Kuvendin e Shqipërisë
5. Z. Mhill Fufi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë
6. Z. Eugen Beçi, ish-drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht i komanduar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan


Po ashtu, në bazë të deklarimeve publike të bëra në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e Enjte (dt. 05.03.2015), të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim, Prokuroria për Krime të Rënda fton zyrtarisht të japë dëshminë e tij:

7.Z. Sali Berisha, deputet në Kuvendin e Shqipërisë
Në vijim të hetimit, do të ftohen nga Prokuroria për Krime të Rënda për të dhënë deklarimet e tyre edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal kryesisht për këtë rast në datë 03.05.2015, menjëherë pas deklarimeve publike të z. Doshi. Deri në atë moment, në organin e Prokurorisë nuk ka pasur kallëzim penal, por vetëm disa të dhëna indirekte, të cilat nuk përbënin bazë për fillimin e procedimit penal, në bazë të kërkesave te  Kodit të Procedurës Penale.

Krahas marrjes së deklarimeve të zyrtarëve sa më sipër, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon me kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme procedurale për të sqaruar plotësisht ngjarjen.






Çështja ‘Doshi’ çon për herë të parë ish-kryeministrin Sali Berisha në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Berisha bashkë me deputetin demokrat të Lezhës, Mhill Fufi do të dëshmojnë ditën e hënë në organin e akuzës, lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi për një atentat të mundshëm ndaj tij gjashtë muaj më parë.

Fletë-thirrja e Prokurorisë mbërriti pasditen e së premtes rreth orës 16:00 në kryesinë e Kuvendit. Mësohet se ftesa u është shpërndarë zyrtarisht të gjithë zyrtarëve ,të cilët kishin dijeni për atentatin që deputeti Tom Doshi pretendon që kryeparlamentari Meta ka urdhëruar ndaj tij.

Berisha duhet të paraqitet të hënën në orën 09:00 në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka dërguar në banesën e deputetit demokrat ftesën për deklarimin e tij për të shmangur çdo keqkuptim. Kjo, pasi zoti Berisha deklaroi të premten se nuk i kishte mbërritur asnjë fletë-thirrje për dëshmi, edhe pse sipas Prokurorisë të gjithë zyrtarëve që do të pyeten në çështjen “Doshi” u kishte shkuar njoftimi. Megjithatë ish-kryeministri deklaroi publikisht se nëse do të thirrej, ishte i gatshëm të paraqitej para prokurorëve për të dhënë deklarimet qe ai ka në lidhje me çështjen, e cila ka “tronditur” politikën shqiptare por edhe opinionin publik.

Prokuroria e Përgjithshme reagon një ditë më parë lidhur me emrat e zyrtarëve të cilat janë thirrur të dëshmojnë për çështjen “Doshi”, për një atentat ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi. Organi i akuzës theksoi se Sali Berisha dhe Mhill Fufi, si dhe prokurori Eugen Beci do të thirren në ditët në vijim për të dhënë dëshminë e tyre.

"Për të menaxhuar sa më mirë procesin e marrjes së deklarimeve së personave që kane dijeni për rrethanat e hetimit në rastin “Doshi”, emrat e të cilëve janë bërë publik në njoftimin zyrtar të Prokurorisë, si edhe personave të tjerë, do të vazhdojë në ditët në vijim, sipas një grafiku që diktohet nga nevojat e hetimit”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.






Zbulohet deklarata që ka dhënë deputeti Tom Doshi para ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Vetë ministri Tahiri ka folur për herë të parë para mediave, që prej akuzave të forta të bëra nga Doshi, lidhur me atentatin e organizuar ndaj tij. Tahiri zbuloi personat që sipas Doshit, ishin të përfshirë në komplotin që ishte planifikuar të kryehej ndaj deputetit. Si organizator, porositës dhe vrasës për atentatin ndaj Doshit, ky i fundit ka përmendur emrin e kryeprokurorit Llalla, prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugent Beci, ish-shoferin e kreut të Partisë Republikane, Fatjon Skënderi, kunatin e Sali Berishës, Agim Rama dhe ish-nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj.

"Jam këtu për t’i thënë fund spekulimeve të panumërta të akuzës të Tom Doshit që përfshin mua dhe rolin e Policisë së Shtetit që nga dita kur kam marrë dijeni nga deputeti. Pra sot për të shmangur humbjen e eksposezë sime në tymnajën që PD po i bën një pretendimit të kthyer në akuzë politike. Ka qenë e sqaruar siç i është komunikuar prej kohësh Doshit", tha në fillim të deklaratës së tij Tahiri.

Kronologjia e Tom Doshit për komplotin 

Ministri Tahiri pranoi të bëj publike rrjedhjen e ngjarjeve, të ndodhur gjashtë muaj më parë, pas pretendimeve të deputetit Doshi se po planifikohej një atentat ndaj tij.

Renditja e fakteve për të cilat jam vënë në dijeni:

6 shtator 2014 me kërkesë të kryeministrit Rama jam takuar e kam dëgjuar Doshin, në Durrës te zona rezidenciale. Gjatë takimit, Doshi më rrëfeu që kishte zbuluar një komplot për vrasjen. Dhe kishte identifikuar porositësit. Vrasësin e pretenduar e kishte në shtëpinë e tij në plazhin e Durrësit, të cilit më kërkoi ta takoja. Ai ishte një shtetas nga Fushë-Kruja, Fatjon Skënderi, ish-shoferi i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Më 1 shtator 2014, pesë ditë para takimit me mua, këtij shtetasi i ishte bërë atentat për ta vrarë në autostradën Tiranë-Durrës, për të cilën policia kishte filluar hetimet. Doshi më tregoi se në rrugë private kishte provuar se në lokal “Viva” ish-shoferi i Mediut së bashku me Agron Kulicin, Agim Ramën, Eugen Becin, Imer Lalën dhe një shtetas me emrin Ylli Xhaxhollari pronar i lokalit, kishin organizuar vrasjen e Tom Doshit.

Tahiri: Doshi më tha se "Vrasja ishte për llogari të Berishës"

Deputeti Doshi këmbënguli se prokuori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ishte i përfshirë në këtë ngjarje bashkë me Eugent Becin. Sipas Doshit të dhënat që i kishte dhënë Llallës i kishin marrë vesh këta persona, që kishin organizuar vrasjen, përmes vetë kryeprokurorit. Sipas Doshit, Llalla kishte treguar te organizatorët, porositësit dhe vrasësit, se kishte zbuluar komplotin ndaj jetës së deputetit. Doshi mu shpreh se vrasjen e tij, Agaim Rama, Agron Kuliçaj, Eugent Beci e kërkonte për llogari të Sali Berishës, si hakmarrje për humbjen e e zgjedhjeve në Shkodër.

Si dështuan 2 tentativat për vrasje

Ministri tha se Doshi e kishte informuar se një tentativë ishte dështuar nga vetë ata që ishin paguar për ta vrarë.

“Më 21 qershor i kishin vendosur eksploziv në një motoçikletë për transport picash e do të shpërthente kur Doshi të shkonte te makina. Doshi jep dy motive, së pari, vrasësit ishin bërë pishman dhe së dyti, vetë deputeti nuk kishte dashur të hipte në makinë”.

Tahiri: Atentati ndaj Doshit, skenari i dyshimtë

"Pas takimit, më është dukur skenar i dyshimtë ai që dëgjova. S’mu duk gjëkundi si organizim real i një vrasje, e cila mbetet e paqartë. Në prani të kryeministrit Rama dhe deputetit Doshi në këtë takim, dhashë mendimin se e vetmja mënyrë, ishte denoncimi në rrugë ligjore nga vetë Doshi. Ai ishte kundër. Këmbënguli se ai vetë kishte zbuluar drejtuesi Llalla dhe Beci, si pjesë aktive e komplotit. E pamundur të ecej në rrugë ligjore, pa e rrëzuar përpara nw Parlament kryeprokurorin. Unë dhe Rama i thamë Doshit që nuk ka mënyrë tjetër përveç rrugës ligjore, theksova se çdo vonesë në kohë, do të vështirësonte çdo hetim", tha Tahiri.

Doshi nuk ka dashur të ndjekë çështjen në rrugë ligjore

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri siguroi deputetin Doshi se, policia e shtetit është tërësisht e gatshme që t’i ofrojë shtetasit statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Ministri tha se Doshi ka refuzuar që të ndjekë këtë shqetësim në dorë ligjore.

“Nga Tom Doshi kam marrë refuzim për ta kanalizuar këtë shqetësim në rrugë ligjore. I kemi konsideruar me rëndësi maksimale pretendimet e deputetit. Nuk kishim asnjë kallëzim apo deponim nga shtetasi i përmendur.

Është bërë shoqërimi i Fajton Skënderit, disa herë me radhë është marrë në pyetje për zgjidhjen e ngjarjes që ndodhi më 1 shtator. Janë marrë deklarime nga zoti Skënderi, Xhaxhollari dhe janë pyetur shtetasit Skënderi që nuk kanë dhënë asnjë fakt me vlerë për deponimet.

Është bërë shoqërimi i shtetasit Durim Bami lidhur me ngjarjen e datës 1 shtator. Së bashku me veprimet e prokurorit janë bërë përgjime, vëzhgime, mbledhje materialesh nga kamerat. Nuk ka asnjë element me vlerë për të zbardhur pretendimin e Doshit”, tha ministri.

Tahiri: U takova 2 herë me vrasësin e pretenduar

Ministri konfirmoi deklaratën e deputetit Doshi, lidhur me faktin se Tahiri është takuar me vrasësin e pretenduar dy herë. Ministri Tahiri deklaron se këto takime u zhvilluan për të fituar besimin e të dyshuarit, në mënyrë që të bashkëpunonte me drejtësinë.

"Kërkoi të takoja personin që ishte vrasësi i porositur, për ta nxitur të bashkëpunojë me drejtësinë. U takova menjëherë me Doshin me një zotëri, që ishte vrasësi i pretenduar, quhej Duri nga Fushë-Kruja, por që nuk foli vetë, kryesisht pohonte me kokë dhe murmurimë deklaratën e Doshit. Kishte marrë porosinë për vrasjen e Doshit, por s’e kishte kryer dhe ja kishte rrëfyer. Në takimin që zgjati më pak se 30 min i kërkova të paraqitej në Drejtorinë e Policisë, për të marrë kallëzimin e tij, që të nisnin hetimet penale. Refuzova të përfshihesha në rrugë të tjera, veç asaj ligjore. Pranoi të paraqitej në zyrën e ministrit pa prezencën e Policisë së Shtetit. As ky takim që e pranova, ishte për ta futur çështjen në rrugën ligjore, për shkak se personi kishte mosbesim. Në të njëjtën ditë thirra drejtuesit më të partë të Policisë së Shtetit, për të filluar veprimet hetimore paraprake me iniciativë të policisë. Më pas kam marrë në takim me kryeministrin dhe kryeprokurorin Llalla, i cili ishte në dijeni të deklarimeve të Doshit", deklaroi ministri për mediat.


*************



Deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi dhe Durim Bami, i akuzuar prej tij si personi që do ta vriste gjashtë muaj më parë nën urdhrin e Metës, kanë zhvilluar dje seancën e dytë të ballafaqimit mes tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.


Për afro 9 orë kanë qëndruar së bashku në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tom Doshi dhe Durim Bami.

Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se dëshmitë e tyre kanë qenë kontradiktore duke pasur përgjigje të ndryshme për pyetjet e hetuesve. Seanca e ballafaqimit është ndërprerë dy herë për të pushuar, por pa dalë nga ambientet e akuzës. Durim Bami ka qenë i shoqëruar gjithë kohës nga Avokati Ilir Murati, i cili refuzoi komentet duke deklaruar se është sekret hetimore.

Në seancën e të premtes, biseda mes të cilëve është regjistruar me aparatura përgjimi. Bami i tha sy më sy Doshit se atentati është i sajuar nga deputeti dhe se Doshi duhet t’i japë fund kësaj historie. Deputeti i përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste artikuloi publikisht akuzat ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta se ka urdhëruar dhe paguar për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi.

Ilir Murati, avokati mbrojtës i Durim Bamit ndërsa ka konfirmuar se ka qenë i pranishëm në ballafaqimin mes klientit të tij dhe deputetit Tom Doshi nuk ka pranuar që të japë detaje të tjera duke deklaruar se ruan sekretin hetimor. “U bë një ballafaqim. Ruaj sekretin hetimor. Nuk kam dijeni.”- tha Avokati Ilir Murati
.


***************


Isuf Kurtaj 


Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Sprartak Braho në një konferencë për mediat, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i bëri thirrje prokurorisë dhe policisë që të hetojë akuzat e ngritura nga deputeti i përjashtuar nga grupi socialist, Tomë Doshi, ndërsa reagoi ndaj akuzave që deputeti socialist lëshoi kundër kreut të Kuvendit Ilir Meta. Ai i kërkoi Policisë së Shtetit që të vijojë marrjen në mbrojtje të Doshit dhe deputeti të PD-së, Mëhill Fufi. Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho u shpreh se Tom Doshi fillimisht ka pretenduar se kunati i Berishës, Agim Rama ka ofruar shuma të mëdha për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit tjetër Mëhill Fufi, me qëllim destabilizimin e jetës politike, duke akuzuar për këto vrasje kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Hetimet 

Kryetari i Komisionit të Sigurisë tha se Kuvendi ishte në dijeni të atentatit para 5 muajsh dhe se për këtë atentat ishte informuar nga vetë kreu i Kuvendit. “Para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, lidhur me pretendimet e shprehura nga deputeti Tomë Doshi, se ai kishte patur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mëhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme parash, deri në 500 mijë euro, për eliminimin fizik të tyre, me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta”, tha Braho.

Të dorëzohen dosjet 

Ligjvënësi i LSI-së kërkoi fakte të bazuara për akuzat e deputetit Doshi, qofshin ato video apo foto, të cilat nëse nuk dorëzohen do të sekuestrohen nga policia. Sipas tij, Doshi duhet të dorëzojë provat e pretenduara për kërcënimin e jetës së tij, në të kundërt policia dhe organet e hetimit duhet të bëjnë punën e tyre duke sekuestruar videon. “Si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkoj që faktet e pretenduara prej tij, qofshin ato video apo diçka tjetër, në qoftë se nuk dorëzohen sa më parë, të sekuestrohen nga Policia dhe Prokuroria. Gjithashtu ai duhet të denoncojë edhe personat e tjerë të implikuar në këtë çështje, duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar vërtetësinë e tyre e për t’i zbardhur së më parë. Ndërkohë i kërkoj përsëri Policisë së Shtetit të vijojë marrjen në mbrojtje të dy deputetëve, Fufi dhe Doshi, të cilët sipas këtij të fundit janë të kërcënuar me jetë. Ky është një informim paraprak në respekt të opinionit publik dhe medias, pasi ne jemi këtu për të punuar në vazhdimësi së bashku”, u shpreh Braho.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Tomë Doshi është përballur me akuza të ashpra nga Brukseli dhe Ambasada Amerikane. Ndaj deklaratave të tyre deputeti ka reaguar duke sqaruar se ai nuk ka qënë i përfshirë kurrë në asnjë akt kriminal. Doshi tha se është i gatshëm të vërë në dispozicion detaje të historisë së ndjekjes të tij prej disa muajsh nga kriminelët të cilët pretendon se paguhen nga Ilir Meta. Gjithashtu, ai kërkon dhe sjelljen e hetuesve profesionistë të gjykojnë së bashku me Prokurorinë Shqiptare këto akuza. Pas deklaratës së tij opozita ka kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta dhe një hetim të plotë të ngjarjes.

Akuzat e Doshit, Prokuroria: Nuk kemi asnjë koment 

Albi Serani, këshilltari për media i kryeprokurorit Adriatik Llalla nuk pranoi të komentojë asnje nga deklaratat e deputetit socialist Tomë Doshi. “Nuk kemi asnjë koment në lidhje me faktin e pretenduar nga Doshi apo edhe mbi komentet që ai ka bërë”. Nuk është hera e parë që zyra e kryeprokurorit Llalla hesht qoftë edhe jo zyrtarisht për deklaratat apo akuzat e politikanëve për vrasje. Burime pranë organit të akuzës, thanë se Doshi nuk ka dorëzuar asnjë kallëzim për pretendimet e mbajtura. Ai ka pasur një takim kohë më parë me kryeprokurorin, por asgjë nuk është bërë publike për temën e bisedës mes tyre. Nga ana tjetër, Prokuroria për Krime të Rënda, mësohet se është drejt pushimit të dosjes së vrasjes në Mamurras për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ku u plagos Mëhill Fufi, për mungesë të provave dhe dëshmitarëve që provojnë ose identifikojnë autorët e vrasjes së Gjon Gjonit, i njohur si mbështetës i LSI-së.


****************


Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, iu përgjigj i pari kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në lidhje me akuzat e deputetit Tom Doshi, për tentativën e vrasjes.

Sipas burimeve nga Top Channel, numri dy i policisë shqiptare, qëndroi para grupit të hetimit për gati një orë. Çako u pyet nëse e kishte takuar apo jo deputetin Tom Doshi dhe Durim Bamin, ashtu siç edhe deklaroi publikisht ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mësohet se Çako është përgjigjur se, takimi është zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Brendshme, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Kreu i Policisë së Shtetit, pritet të pranojë ftesën e prokurorëve, për të dhënë po ashtu si të tjerët deklaratën e tij, nën cilësinë e personit që ka dijeni, si edhe të shpjegojë se çfarë veprimesh ka kryer policia, menjëherë sapo janë vënë në dijeni nga deputeti Doshi, se, ndaj tij ishte tentuar të organizohej një komplot për ta vrarë.

Deputeti Doshi ka akuzuar forcat përkatëse në lidhje me një neglizhim të denoncimit të rastit të atentatit, por ministri i Brendshëm u shpreh të martën se Doshi nuk ka dashur që ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.

“Nga Tom Doshi kam marrë refuzim për ta kanalizuar këtë shqetësim në rrugë ligjore. I kemi konsideruar me rëndësi maksimale pretendimet e deputetit. Nuk kishim asnjë kallëzim apo deponim nga shtetasi i përmendur”, tha Tahiri të martën.

Hetimet në lidhje me rastin në fjalë po kryhen nga një grup prokurorësh të Krimeve të Rënda,  pas qëndrimit publik të deputetit Doshi, i cili tha se kishte zbuluar një skenar dhe kishte po ashtu pohimin e shtetasit Durim Bami, si njeriu që ishte kontaktuar për të kryer vrasjen ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi.

Ky i fundit do të paraqitet në Prokurori të hënën, pas një ftese zyrtare që i dërgoi Prokurori.  Por përpara Fufit, duhet të japë deklaratën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është ftuar të shkojë në Prokurori, në orën 09:00 të mëngjesit të së hënës.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...