Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/17

Luigj Shkodrani - Tregim në vetën e parë: Historia e një fotografie

Mbase kjo që po shkruaj do të duket e pabesushme për brezin e ri, për kohën që po jetojmë, por për ne, që rina jonë kaloi në komunizëm, çdo histori duket sikur ka ndodhur sot. Për brezat tanë mbetet nostalgji e atyre viteve ku kaluam dhe e mbijetuam kohën. Ditëm të gëzojmë dhe të lumturohemi, me ato që kishim dhe nuk kërkonim nga prindërit privilegje, sikur bëjnë fëmijët dhe të rinjtë sot, ku çdo fëmijë ka celularin e vet, ka komjuterin e vet, ka… Ne në lagje kishim një telefon, apo gëzimi më i madh joni ishte të kishim një televizor bardh e zi, ku për atë të shkretë duhej te hyje në lotori për vite me radhë që ta blije. Kjo ishte rinia jonë e atyre viteve.

luigj shodrani në rolin e prifitit në filmin qortimet e vjeshtës

Në atë kohë ne aktivizoheshim në aktivitete të ndryshme jashtëshkollore, por dhe në grupe amatore dhe aktivitete të tjera kulturore e sportive.

E në këtë mori njerëzish isha edhe unë, si pjesë përbërëse e moshatarëve te mi, që mundohesha të aktivizohesha në morinë e shumë aktiviteteve të rinisë; shkruaja në gazetë lokale dhe përgatisja emisione me të rinjtë në radio. Kisha dëshirë të merrja pjesë edhe në filma të ndryshëm, që aso kohe qyteti im i lindjes, Shkodra parapëlqehej shumë nga kineastët dhe regjizorët, për vetë bukurinë qe kishte ai qytet dhe për bujarinë që të afronte.

Diku nga viti 1981, në Shkodër, aso kohe ishte një grup që po xhironte filmin “Qortimet e vjeshtës” dhe pasi shkova dhe bisedova me asistentregjisorin, i cili, kur më pa, me kënaqësi më pranoi që të isha pjesëmarrës në atë film. Kuptohet që nuk do të kisha një rol të mirëfilltë – nga rolet kryesore, por një pjesë të vogël, ndaj asistentregjisori e pa të arsyeshme, që unë të isha në rolin e një prifti. Unë me shumë dëshirë pranova këtë rol, kështu edhe shkova në garderobë të merrja rrobat e priftit. Për çudi, sapo i vesha ato, m’u përshtatën për trup sikur të ishin bërë vetëm për masën time. Kur pashë veten në pasqyrë, kaq u befasova për të mirë me atë veshje, sa më lindi një deshirë e zjarrtë të fiksohesha në një foto. Por, a mund të bëhëj ajo foto në atë kohë, kur nuk bëhëj fjalë për fenë, se komunizmi ishte aq i fuqishëm dhe i egër, sa mund të përfundoje edhe në burg për agjitacion e propogandë – deri në nëntë vite. Unë isha i ri dhe nuk i mendoja ato punë dhe veç doja të fiksohesha nga një aparat fotografik…

Për pak momente u shkëputa nga xhirimi. Meqë xhirimi bëhej afër lulishtes ku rrinin fotografët, unë i drejtohem një fotografi, por ai sa më pa, sigurisht e nuhati qëllimin tim dhe u largua pa më dhënë një përgjigje. Nuk po kuptoja asgjë… Më pas iu drejtova një fotografi që ishte një moshatari im dhe ai me shumë dashamirësi më përgjigjet: ” I nderuar Luigj, të lutem mos më detyro të bëj këtë foto të tillë, se do më dalin shumë telashe, do më heqin nga puna vetëm për foton që të bëj ty. Të lutem më kupto! Është e pamundur ta bëj. Hiqi këto rroba dhe unë të bëj sa të duash, por jo me këto rroba, se të dy do kemi probleme. Po të na shohë dikush do të lajmërojnë në polici dhe pastaj nuk dihet si merr puna jonë. Të lutem harroje!”

Por unë doja ta bëja patjetër atë foto. Bëra- ç’bëra iu drejtova prapë asistentregjsorit që të më ndihmonte. Ai duke e parë atë dëshirën time të madhe, më shoqëroi tek shoku im fotograf; bisedoi vetë me të dhe ia mbushi mendjen duke i thënë se ajo foto do të duhej për filmin, ndaj iu desh që ta regjistronte edhe emrin e tij në kuponin e fotografit.

Unë sa nuk fluturoja nga gëzimi, ndërkaq në anën tjetër dora e fotografit dridhej nga frika se mos do t’i ndodhte gjë.

Kjo foto që po e sjell edhe për ju, për shumë vite u mbyll në arkivin tim në shtëpi, për të dalë vetëm kur erdhi demokracia, vetëm atëherë kjo fotografi u pa nga të gjithë njerëzit e mi, shokët e miqtë, sepse nuk guxoja ta nxirrja në qarkullim, sepse ata që e kanë jetuar atë kohë e dinë se pasojat do të ishin të pallogaritshme.

Sot kjo foto vjen këtu pas 32 vitesh dhe është një ndër fotot e mia, që e ruaj si dëshmi të një kohë që lamë pas ( e që mos u ktheftë kurrë më ), por edhe si një dëshmi e frikës ndaj diktaturës së egër komuniste, që shkatërronte jo vetëm personin, por persekutonte gjithë familjen.

Sot rina jonë është e lumtur, bën atë që dëshiron dhe thotë atë çfarë ndien, pa patur frikë se do ta dënojë dikush pse foli kështu apo ashtu.

E unë, në atë kohë duhej të tregoja shumë kujdes, sepse një foto e tillë, sikur të shihej nga përfaqësuesit e partisë, do të quhej propogandë e hapur ndaj komunizmit, sepse një djalë i një familjeje katolike të vishej edhe prift ishte propogandë e hapur. Kjo ishte jeta në komunizëm, duhej shumë kujdes se përfundoje në burgjet komuniste për një fjalë goje, apo për një veprim, që ndoshta njeriu nuk e mendonte gjatë.

E solla këtë foto për të treguar pak nga historia e kësaj fotoje, që u fsheh me shumë kujdes nga ana ime për shumë vite me radhë.

Dhe ja, vitet bëjnë punën e vet. Sot gjindemi larg në mërgim dhe shkruajmë e hedhim kujtimet tona për ato vite, që për ne mbesin një nostalgji.

Ndaj jetojeni jetën, gëzohuni për të gjitha ato çfarë ju keni, sepse është jeta juaj dhe koha juaj…për të gëzuar e për t’u argëtuar …, sepse i keni të gjitha mundësitë sot …



Luigj Shkodrani

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...