Ymer Elshani
Edhe vetë ëndërronte “Çka ëndërrojnë lulet,”
Të rriten harlisur në kopshtin e vet të lirë -
Në ballë përmendoresh çdo njëra të përulet
Në shenjë t’nderimit për njerëzit më të mirë!
-“Le të vijë në Sharr pranvera” me gjelbërim
“Përjetimet e Bardhoshit” atij dimri të gjatë,
“Plaku me violinë” ato i përcjell në rrëfim-
Me “Yllin ëndërrimtar” mbi Kodrën e thatë.
Nëpër detin e tij njerëzor “Anija e miqësisë”
Sa “Guri i çmueshëm” sa “Unaza magjike”
Është bartur drejtë kah “Ishulli i lumturisë”-
Kosova kështu mendohej prej kohës epike.
“Aventurat mbi trotinetin e vjetër” perënduan
Si “Ylli ëndërrimtar” e ”Përralla për ylberin”
- “Loti udhëtar“ mbeti, shekujve që kaluan;
Prindër edhe fëmijë tok provuan zjarr-ferrin !
Është vrarë poeti thanë familja në Poklek
Kundër kodit njerëzor fjala, e shpirtit krijues,
Atë stinë nuk kënduan zogj nuk u panë lejlek
Ndër oxhaqe kullash, qiellit dukur trishtues!...
Ali M. Lajçi
Ymer Elshani lindi më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Kreu fakultetin për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe një kohë të gjatë punoi në arsim. Botoi dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane. U vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij.
Veprat e Ymer Elshanit:
1. Anija e miqësisë (vjersha)– RILINDJA, Prishtinë,1972.
2. Çka ëndërrojne lulet (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë. 1971
3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman) – RILINDJA, Prishtinë.1971
4. Loti udhëtar (tregime) – RILINDJA, Prishtinë, 1977
5. Ishulli i lumturisë (tregime)- RILINDJA, Prishtinë,1973
6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman) – RILINDJA, Prishtinë,1975
7. Guri i çmueshëm (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1977
8. Unaza magjike (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë,1980
9. Plaku me violinë (tregime) – RILINDJA, Prishtinë1984
10. Kaloresi i bardhë (poemë) – RILINDJA, Prishtinë, 1987
11. Perjetimet e bardhoshit (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë, 2000
13. Vajza e diellit (tregime) – RILINDJA, P. 2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla), ROZAFA, Prishtinë, 2000
15. Perralla per ylberin (poemë) – ROZAFA, Prishtinë,2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura) – ASDRENI, Shkup, 2000
17. Zogu i lirise (vjersha) – ZEF SEREMBE, Prishtinë, 2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema) – ROZAFA, Prishtinë, 2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha) – GUTENBERG, 2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura) – ROZAFA, Prishtinë, 2004
21. Udhetimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman) – Prishtinë, 2008
Floripress
Ymer Elshani u lind në fshatin Korroticë e Poshtme (e Ulët), me 14 qershor 1948.
Që si fëmijë 4-5 vjeç u vërejten te Ymeri shkëndijat e talenilt të lindur. Të gardhi i oborrit pothuaj se çdo pasdite tuboheshin fëmijët, po edhe të rriturit, për ta dëgjuar Ymerin duke recituar poezitë që i mësonte, ose i kishte dëgjuar prej te tjerëve. Kështu i argëtonte moshatarët që shqepeshin në gaz nga shakatë e tij.
Fëmjërinë dhe rininë e kaloi në fshat. Mësimet në klasën e parë të fillores i nisi në vitin shkollor 1955/1956. Kushtet e atëhershme ishin te rënda, e veçmas në familjen e Ymerit, pasi që babai Nazifi kishte shumë fëmijë dhe mezi e siguronte bukën për familjen shumëanetarëshe.
Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm. Për mësues e pati Hasan Kastratin nga Kizhareka, ndërsa shkolla ishte një ndërtesë e rregulluar dobët.
Katër klasë të fillores i mori ne vendlindje, pastaj ciklin e lartë të fillores e mbaroi në Komaran. Shkolla mbante emrin ”Jeta e re”.
Filloi të shkruante poezi që në moshën 10 vjeçare. Në fillim e nxiti dhe i ndihmoi daja i tij, mësuesi Fazli Greiçevci. Më vonë Ymeri do të tregojë se poezinë e parë e kishte shkruar për Diellin. Daja Fazli i kontrolloi vjershën dhe i dha kurajo. Edhe në shkollë i jepte mësim arsimtari Halil Bogaj, i cili po ashtu ndikoi te Ymeri duke i botuar poezitë që shkruante në fletushkën ”Pena e re”.
Si nxënës i klasës së shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962. Ajo titullohej ”Për gjah”.
Pas kryerjes së shkollës fillore, Ymeri vijoi mësimet për mësues në shkollën e mesme normale të Prishtinës. Që të bëhej mësues ishte edhe dëshira e dajës Fazli. Me të kryer klasën e parë të shkollës normale, i ndodhi një ngjarje tronditëse që i shkaktoi pikëllim të thellë. Ia burgosen dhe ia vranë me torturë dajën Fazli. Në varrimin e tij, Ymerit i rreshqitën lotët, por i duhej të mbahej i fortë. Në atë kohë Ymeri shkruante pandërprerë, kryesisht poezi, të cilat i lexonte në orët letrare që mbaheshin në shkollën normale. Përkrahje dhe ndihmë në rrugën krijuese i jepte profesori Rexhep Hoxha, të cilin ai e adhuronte pa masë. Këtë respekt për të do ta mbajë gjatë tërë jetës. Poezitë i botonte në faqen për fëmijë të ”Rilindjes”, në revistën ”Shëndeti” dhe në revistat ”Gezimi” dhe ”Fatosi” që dilnin ne Shkup.
Në klasën e katërt të normales iu botua vepra e parë me poezi ”Anija e miqësise”. Ishte viti 1967, vazhdonte të shkruante më intenzitet edhe më të madh. Tash ai kishte fllluar të shkruante dhe tregime të shkurtra e pjesë teatrore.
Në shtyp u paralajmërua se po e përgatiste përmbledhjen e dytë me tituill ”Baloni i kaltër”.
Në këtë libër, përveç poezive kishte përfshirë edhe tregime ”Dy motra” dhe pjesën teatrale ”Lotët e Drenushës”, ”Anija e miqësisë”.
Pas botimit të veprës së dytë ”Çka ëndërrojnë lulet” (1971), Ymeri u paraqit në konkursin letrar të ”Rilindjes” me romanin ”Ndodhitë Hundëkarrotës” ku mori çmimin e dytë.
Kur ishte në vitin e parë të fakultetit në nëntorin e 1968-ës, Ymeri mori pjesë në demonstratat që u bënë në Prishtine. Për këtë më vonë për pak të perjashtohej nga puna. I dhanë masën e dënimit parapërjashtim dhe në këtë rast e mbështeti drejtori i shkollës, Halil Bogaj, duke arsyetuar se atë ditë Ymeri e kishte mbajtur mësimin. Në ditar i kishte të shënuara orët, se ashtu e kishte sugjeruar vetë drejtori, kuptohet, në një bisedë të fshehtë me mësuesin Ymer. Kështu për pak shpëtoi nga më e keqja mesuesi i ri, por përcillet vazhdimisht nga argatët e sistemrt të atëhershëm.
Në shkollë të mesme Ymeri banoi në Prishtinë në një kasolle të vjetër tek halla Mine, e më vonë në shtëpinë e shkrimtarit Nebil Duraku. Kushtet i kishte shumë te rënda. Ushqimi i dobët, të cilin ia sillte shpesh babai Nazifi nga shtëpia. Ka ndodhur që me një spec të kalonte ditën, do të rrefente me vonë Ymeri. Babai Nazifi shiste vezë në treg; punonte punë të rënda fizike; zbrazte thasë mielli, pra me shumë pengesa arriti ta shkollojë djalin e madh, Ymerin.
Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë. Nga të ftohtit, gjatë kësaj kohe, Ymeri sëmuret bukur rëndë. I ngriheshin gishtërinjtë e dorës dhe një kohë e kalon në spital. Por ai kurrë s’u dorëzua. Posa doli mësues s’u kënaq me kaq dhe në afat rekord i kreu studimet.
Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Fakultetin Filozofik – dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pas katër vitesh që punoi në shkollën filore ”Jeta e re ” të Komoranit, kalon në gimnazin ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Gllogovc (tash Drenas).
Në fillim mbante ose ligjëronte dy lëndë: gjuhën shqipe dhe gjuhën latine. Pas një kohe të shkurtër zgjedhet zëvendësdrejtor i gjimnazit. Vijon studimet pasdiplomike dhe me notë të lartë 8.60 i kryen të gjtha provimet. Ndërkohë, më 1975 e kryen shërbimin ushtarak nëNovi Sad. Kthehet dhe punon edhe dy vjet si profesor në gjimnaz. Fillon të botojë studime dhe kritika për veprat e letërsisë për fëmijë.
Në revistën ”Shkëndija” ,më 1978 dhe 1979 boton disa recensione për veprat që atëherë ishin si lekturë shkollore. Përgatiti disa punime për emisionet e Radio – Prishtines.
Që nga shtatori 1977 u bë drejtor i gjimnazit, mirëpo emri i shkolles ishte ndërruar në “Mareshali Tito”. Tash gjimnazi u shndërrua në Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar (QAMO). Pra, përpos paraleleve te gjimnazit të pergjithshëm, u hapen degë të reja teknike.
Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Profesorët vinin nga Prishtina me furgon. Ishin këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, professorë, ekonomistë etj.
Me 1978 Ymeri magjistroi me temën ”Poezia për fëmijë 1946 – 1976 në Jugosllavi”. Mentorë i pati Dr. Ali Aliun dhe Dr. Rexhep Qosjen. Komisioni e vlerësoi lart punën e bërë dhe e çmoi kontributin e kandidatit në shtjellimin e suksesshëm të temës duke i dhënë gradën shkencore magjistër i shkencave filologjike.
Pa mbushur katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981 në Drenas shpërthyen demonstratat. Edhe nxënësit e gjimnazit dolën për të kërkuar Republikë. Ymeri me profesorët dolën të obliguar për t’i percjellë nxënësit, e mundësisht sipas urdhërit të Komitetit komunal për t’i shpërndarë. Afër fabrikës së ”FERRONIKELIT” plagosen disa demostrues. Pas kryerjes së demonstratës u ndërpre mësimi në shkollën e mesme dhe në shkollat e tjera. Duhej gjetur ”fajtorët” për këto demonstrata. Fillojnë diferencimet ideo-politike. Ymeri merret në biseda informative në polici. Pas pak ditësh e përjashtojnë nga puna se gjoja ka pasur qëndrim oportunist dhe është përgjegjes për demonstratat që u bënë në Gllogovc. Kështu mbeti pa punë poeti edhe profesori Ymer Elshani.
Erdhën ditë të zymta dhe një diferencim e ndjekje policore ndaj tij. Autorit të tetë veprave iu ndalua publikimi i shkrimeve. Ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e SPB-së.
Aneksat( ankesat!!) që i bëri gjyqit Ymeri për padrejtësi që ia bënë, iu refuzuan. I dhanë përgjigjje: je i papërshtatshëm për arsim.
Pesë vjet Ymeri mbeti në shtëpi. Punonte në ara, në kopshtije. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit shpirtëzinj.
Megjithatë, Ymeri më në fund, pas një kohe të gjatë punësohet në fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes. Kjo ndodhi në 1985.
Do cekur se sa ishte i papunë e përkrahu shkrimtari Rifat Kukaj, i cili ia kishte dhënë dhe të përkthejë librin, ”Nje mije e nje net” dhe ia boton veprën me tregime ”Plaku me violinë” (1984).
Në” Feronikel” punon deri më 1992. Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”.
Më 1994 kthehet në arsim. Këtë herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe letësisë shqipe. Me elan të përtërirë, me tërë potencialin punoi në mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit. Shkonte në të gjitha shkollat e komunës së Drenasit. Hospitonte në orë, jepte udhëzime dhe inkurajonte punëtorët e arsimit për të mbijetuar arsimi në gjuhën shqipe, që ishte në rrezik të shkatërrohej ngaSerbia.
Kur lufta filloi, më 1998 Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Disa ditë ishte në Prishtinë, por menjëherë u kthye në fshat.
Pas intervenimit të NATO-s Ymeri, më 15 prill 1999 u dëbua nga fshati bashkë me tërë familjen.U vendos në fshatin Poklek i Vjetër, por gjithnjë mendonte të kthehej në shtëpi.
Më 17 prill 1999, herët në mëngjes tenton të depërtojë në Drenas me familjen e tij, me babanë, nënën dhe të tjerë, por te vigu, mbi lumin Drenica, gjysmën e turmës policia serbe i kthen prapa duke u thene: ”Kthehuni ku keni qenë. Askush s’do t’ju prek!”
Ymeri, me gruan, me 4 djemtë dhe me kunaten Shukriein strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat dhe për të pushuar pak aty. Atë ditë binte shi rrëke dhe bubullinte pa u ndalur.
Dy policë serbë hyjn në shtëpinë e Sinan Muçollit. I marrin Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin dhe pas pak ua shuajnë jetën mizorisht 52 njerëzve (vetave): gra, vajza, fëmijë të Muçollëve, të Carakëve, të Elshanëve që ndodheshin në një dhomë në katin e parë të shtëpise së Sinan Muçollit.
Polici hyn aty. E hedh nje bombë. Nxjerr pushkën automatike dhe i vret 51 veta. Këtu, përveç Ymerit, vritet e shoqja Nafia, 4 djemtë e Ymerit: Ardiani, Mirani, Kujtimi, Nderimi dhe kunata Shukria. Të nesërmen në një shtëpi afër vritet nëna e Ymerit, Nailja, e cila ishte motra e Fazli Greicevcit.
Pra, Ymeri pati fund tragjik, se vritet nga serbët sikur daja i tij. Rënia e tij e dhembshme shkaktoi pikëllim të madh në popull, veçanërisht në zemrat e atyre që e njohen dhe e çmuan për karakterin dhe madhështinë etike që e karakterizonin atë deri në renien në altarin e atdheut.
Mirëpo, poeti nuk vdes. Ai dhe vepra e tij jeton për jetë të jetëve. Kujtimi për dëshmorin Ymer Elshani është i përjetshëm.(Arif Veliu)
http://floripress.blogspot.com/2012/04/poeti-ymer-elshani-nuk-vdes.html
*****
Në ditët më të vështira të qenjes sonë kombëtare, kur Drenica ndizej flakë dhe masakrohej nga bandat e egra çetnike, u vra edhe poeti Ymer Elshani bashkë me katër bijtë, nënën, gruanë dhe kunatën.. Vrasja e tij aq tragjike jehoi me dhembje të madhe në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë, ngase Ymer Elshani ishte një poet i madh për fëmijë dhe të rritur i cili kishte bërë emër të pavdekshëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare.Kur ishte drejtor i Gjimnazit’’Skënderbeu’’të Drenasit/, për t’u takuar me të kishte shprehur interesim edhe i madhi Ismail Kadare/.Kjo donte të thoshte se poeti Ymer Elshani kishte zënë rrënjë të thella në letëtrsinë tonë dhe ishte bërë njëra ndër figurat më të shquara të saj, duke na dhuruar vargje të fuqishme në poezi dhe prozë.
Ymer Elshani ishte një burrë i qetë, të cilin më duket se po e shoh duke ecur në këmbë nga fshati i lindjes deri në shkollën fillore’’Jeta e re’’të Komoranit për t’i vijuar mësimet, ku isha edhe unë nxënës një vit pas tij.
Se poezia dhe arti letrar është një dhunti të cilën nuk mund ta posedojë gjithkush, tregonte edhe fakti se Ymer Elshani vërtet ishte një poet i lindur që nga vitet e para të shkollës fillore kur i botoheshin vjershat në revistat tona të atëhershme për fëmijë.Emri i tij filloi të shkëlqente qysh si fillorist për të vazhduar edhe në bankat e Shkollës normale në Prishtinë dhe për të shkëlqyer si një meteor i ndritur i nënqiellit letrar shqiptar sa ishte në Degën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe ku kisha fatin të studioja së bashku me të dhe me disa emra të tjerë të shquar të poezisë dhe prozës sonë si Sabri Hamiti, Agim Deva, Eqrem Basha, Hasan Hasani, Mexhid Mehmeti ,Jusuf Gërvalla, Zeqir Gërvalla dhe disa të tjerë.
Ymer Elshani, siç u tha edhe më lart, përherë ishte i qetë dhe i ëmbël me të gjithë, duke u dalluar në çdo aspekt me praninë e vetë në mesin tonë. E mbaj mend edhe faktin se ai ishte studenti i parë i cili e kreu provimin e Letërsisë botërore te profesori i ndjerë Hasan Mekuli. Ymeri kishte përgatitje solide ngase mësonte, lexonte dhe përgatitej deri në maksimum që t’i kryente të gjitha provimet/ashtu si edhe të gjithë ne/ për t’u punësuar sa më shpejt që ishte e mundur ngase ato ishin vitet më të vështira kur mbarë familjet tona prisnin me padurim që bijt dhe bijat e tyre shkollarë t’ua ngjisnin dorën sa më parë për t’i ndihmuar në luftën e tyre të përhershme kundër skamjes dhe mjerimit që i pllakoste të gjitha viset e Kosovës së asaj kohe. Dhe më në fund erdhi dita kur edhe Ymer Elshani e kreu Fakultetin dhe siç thoshim atëherë,’’Hyri në punë’’në Gjimanzin’’Skënderbeu’’të Drenasit të sotëm për ta derdhur tërë talentin e tij të fituar nga puna e tij titanike në shkollim të lartë, përkatësisht për t’ua ofruar atë dituri nxënësve të tij të dashur për të cilët bëri shumë në disa drejtime, përveç tjerash ,duke shkruar me mijra vargje në prozë dhe poezi.
Pasiqë edhe unë punoja në atë Gjimnaz, po më duket se po e shoh Ymerin me modestinë e tij të njohur tek i përgatiste mësimet për t’i spieguar, të cilat ishin studime të vërteta me të cilat mahniteshin nxënësit e tij.Por nuk kaloi shumë kohë si profesor dhe me dëshirën e arsimtarëve të tjerë nga Bashkësia punuese, Ymer Elshani u zgjodh drejtor i shkollës për ta treguar edhe aftësinë organizative si udhëheqës i një kolektivi aq të madh.Nuk zgjati shumë dhe pas demostratave të vitit 1981 u burgos me pretekst se nuk i kishte ndalur nxënësat që të mos merrnin pjesë në demostratat e atij viti të cilat e vërshuan mbarë Kosovën.Ai u dënua me burg disavjeçar duke mbetur i pathyer në idealet e veta arsimdashëse dhe kreative. Pra edhe në ato raste shumë të vështira për çdo njeri, Ymer Elshani qëndroi stoik dhe i papërkulur ndaj sfidave dhe furtunave që e kapluan, tamam si një shkëmb graniti dhe duke thënë me buzëqeshjen e tij karakteristike’’Se burgu është për burra’’.Më kujtohet një natë e tërë kur ndenjëm zgjuar në shtëpinë time dhe folëm gjërë e gjatë për përjetimet e tj të vështira si intelektual në burgjet serbe.Më tregonte me hollësi për gjithçka nëpër të cilën kishte kaluar, por frikësohej së tepërmi për fatin e mëtejmë të krijimeve të veta të cilat vërtet do të bunkerizoheshin pasiqë pas dmostratave filloi ai diferencimi i njohur famëkeq dhe thuajse me llupë përcillej çdo botim që bëhej në Kosovë.Filluan edhe dënimet drakonike të autorëve patriotë,siç ishte edhe Rrahim Sadiku që i mbajti më se tri vite burg për botimin e prozës’’Musafirët nën maska’’kushtuar ardhjes së policisë jugosllave në vendin tonë pas ngjarjeve që e tronditën deri në themel shtetin artificial serbosllav.Përveç autorit të shkrimit u dënua edhe redaktori/Sabedin Haliti/por edhe shkrimtari Arif Demolli.
Ato ishin vitet e Golgotës intelektuale shqiptare kur përveç tabuve të mëtejme, përpiqej të revidohej edhe kultura mbarëshqiptare e cila, kinse i paska ‘’indoktrinuar’’gjeneratat tona të reja dhe paskan harruar ato’’ta shijojnë lezetin’’ që ua afronte sistemi serbo-titoist!Kjo edhe ishte ironia më e madhe me të cilën manipulohej për të na’’disiplinuar’’përherë me burgime të reja.Komitetlinjtë dilnin e hynin nëpër institucionet tona kulturo-arsimore duke shpresuar se nuk do të prekej vetja e tyre por erdhi një ditë kur edhe ata u hoqën nga kolltuqet e buta për ta përjetuar fatin e njejtë me popullin e tyre të vuajtur.
Në këto kushte dhe rrethana u burgos Ymer Elshani me emrin e të cilit është e lidhur një periudhë e caktuar e zhvillimit kulturo-arsimor të Trevës së tij të dashur nga e cila nuk u largua asnjëherë, ngase ai ishte i lidhur me vendlindjen dhe rrethin që e rriti dhe e burrëroi, edhepse kishte mundësi dhe oferta që të vendosej në Prishtinë si edhe shumë intelektualë të tjerë të njohur që vinin në kryeqendër nga të gjitha viset e Kosovës.
Dhe në fund, për të qenë ironia më e madhe dhe për t’u shprehur deri në kulminacion ndjenjat e veçanta shtazarake të një regjimi të egër, vrasësit jo vetëm që nuk ishin kënaqur me ekzekutimin, sigurisht të porositur, por trupin e tij e kishin hedhur në një pus/bunar/!!!Po e përsësris një shprehje të shpeshtë: Ja deri ku kishte mundur të shkonte çmenduria njerëzore!(Halit Bogaj: Ymer Elshani - Një vrasje mizore më 17 prill 1999).
Mbi heronjtë jetimë dhe inflacionin e lavdisë
(Ose: skicë për portretin e harruar të shkrimtarit Ymer Elshani, vepra e të cilit është më e madhe se tonelatat e disa përmendoreve që po mbijnë anë e kënd atdheut)
Asnjë pengesë nuk ka qenë aq konstante dhe aq e rëndë për t’u tejkaluar sa ka qenë konfuziteti dhe Emin-Azemi-12pasiguria për ta menaxhuar periudhën e pasrobërisë. Se sa një luftë e armatosur është e suksesshme, kjo varet nga cilësia e menaxhimit të paqes që prodhon ajo luftë dhe nga komponentja gjithëpërfshirëse e resurseve që kanë kontribuar para dhe gjatë luftës së armatosur. Një luftë e armatosur nuk mund të jetë e izoluar nga shumë faktorë të tjerë, që shpesh kanë qenë edhe vendimtarë për t’i dhënë luftës dinamizëm dhe gjithëpërfshirje.
Sot kur kujtojmë Epopesë së lavdishme të UÇK-së, dhe rënien heroike, bashkë me familjen, të komandantit legjendar, Adem Jashari, nuk na shkon mendja të heqim as edhe një miligram nga burrëria, trimëria dhe vetëflijimi i atyre që në stuhinë e viteve 1998-‘99 në vend se të flinin rehat e butë dikund larg zonës së rrezikut, ata megjithatë, u bënë një me kushtrimin e atdheut për të sjellë në Kosovë lirinë e munguar dhe të cunguar.
Në aspektin psikologjik, liria mund të konceptohet në mënyra të ndryshme. Por procesi më i vështirë i triumfit të lirisë është kur armiku i jashtëm zëvendësohet me një demiurg të brendshëm. Të mposhtësh lakmitë e brendshme, thonë psikologët, është lufta më e vështirë e individit.
Realiteti ynë, fatkeqësisht, është i mbushur plot me tipa që në luftë u treguan heronj, kurse në paqe u mundën nga lakmia dhe paraja. Heronjtë e luftës u shndërruan në antiheronj të paqes.
Një burrë i mençur i Karadakut që moti kishte pas thënë: ‘Ka shumë njerëz trima që plumbi i pushkës vështirë i rrok në luftë, por pas luftës ai e vret veten me punët e pahijshme që bën’.
Privilegjet e fituara me kollajllëk në paqe, kanë prodhuar irritim të paparë tek shtresat e gjera të njerëzve dhe nuk janë të paktë ata që shtrojnë zëshëm pyetjen: “pse u bë lufta?”.
Gjithmonë do të ketë pyetje të vështira, por liria e një populli matet pikërisht me gatishmërinë për të dhënë përgjigje edhe atëherë kur dikujt ajo nuk i konvenon.
Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e UÇK-së. Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja. Jo edhe monopolizimi i fryteve të luftës.
Duke rënë pahetueshëm në grackën e këtij monopolizimi, mediat, institucionet relevante dhe shoqëria në përgjithësi, sikur kanë harruar se lufta e para 15, 16 vjetëve i kishte edhe heronjtë e saj të heshtur, por të mbetur jetim në ditët e sotme. Për ta sot nuk lexon askush një fjalë përkujtimore, nuk këndon një këngë, nuk ndërton një kullë. Dhe, më e pakta, me emrat e tyre nuk nderohet ndonjë shkollë, rrugë, shesh, institucion etj.
Të rënët në luftërat çlirimtare nuk therorizohen vetëm për idealet për të cilat kishin luftuar, por edhe për të reflektuar tek të gjallët idenë e menaxhimit të lirisë. Kështu është fati i heronjve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve.
Kishte prej tyre që, në heshtje e pa zhurmë, gjithë jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare, dhe nuk kishte mbetë mangut me asnjë obligim ndaj atdheut, por që sot ngelin nën hijen e kapotave të rënda të komandantëve.
Njëri prej tyre është edhe shkrimtari nga Drenica, Ymer Elshani (1948), një autor model i letërsisë për fëmijë, emri i të cilit sot as që përmendet dhe shumë pak njerëz në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar e dinë se ai, dhe shtatët anëtarë të tij të familjes, u dogj dhe u masakrua mizorisht nga forcat barbare serbe, në prill të vitit 1999.
I gjithë diagrami krijues, moral e kombëtar i Ymer Elshanit ka qenë i mbushur me ngjyrat autentike të tokës të Kosovës dhe me një talent të rrallë këto ngjyra ai i përdori për të portretizuar njeriun e vogël por të madh në shpirt, ashtu siç ishte vetë ai. Drenica, prej nga vinte shkrimtari Ymer Elshani, i kishte shërbyer atij si një lum gurgullues ku krijimtaria e tij e bujshme kishte shuar etjen. Por, ai vetë kishte mbetur i etur për lirinë që ia kishin zaptuar bajlozat e zi të Karpateve dhe në asnjë çast s’kishte menduar ta braktisë vendlindjen, edhe përkundër presioneve të shumta që vinin nga pushteti i atëhershëm. Ymer Elshani nuk u bë komandant për të udhëhequr të tjerët dhe uniforma e vetme e tij ngeli profili prej krijuesi e njeriu që e kultivoi me xhelozi deri në sekondën e fundit të jetës. Ai nuk u bë lider, por udhëhoqi veten për të qenë shembull për të tjerët që të mos e braktisnin vendlindjen, edhe atëherë kur ajo bëhej e padurueshme për të jetuar.
Ai nuk e braktisi vendlindjen edhe atëherë kur e pushuan nga puna në vitin 1985, kur ishte drejtor i gjimnazit të Drenasit, por as atëherë kur sërish e dëbojnë nga Feronikel-i, sepse edhe puna e tij prej përkthyesi që bënte, për dikënd ishte e rrezikshme.
Për të kuptuar pak më tepër mbi momentet e fundit të jetës së këtij shkrimtari martir, i referohemi librit të dr. Xhevat Sylës ‘Universi i mirësisë’ (Prishtinë, 2008), konkretisht faqes 20, në të cilën, ndër të tjera gjejmë edhe këtë përshkrim rrëqethës: ‘më 15 prill 1999, herët në mëngjes, ai (Ymer Elshani) bashkë me gruan, fëmijët, nënën, babanë e bashkëfshatarët e tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia gjysmën e asaj turme e kthen parapa, me premtimin se nuk do t’i prekte. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshatarë të tjerë, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura. Po atë ditë, në orën 17:00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë, gra, vajza, kishin nxjerr Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë në dhomën ku qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që përshkonte krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe), me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija, Të nesërmen, në një shtëpi afër vritet edhe nëna e Ymer Elshanit’.
Sa veta deri më tani në opinionin e gjerë publik e dinë të vërtetën se si përfundoi
një shkrimtar i madh i Kosovës, bashkë me familjen dhe bashkëfshatarët e tij. Apo, për t’u përmend emri, paska qenë dasht të ishe komandant, apo ndonjë figurë e shquar e ilegales së atëhershme? Ymer Elshani nuk ishte komandant, por me vargjet e tij u rritën dhe u frymëzuan vogëlushët e Drenicës dhe mbarë Kosovës, të cilët një ditë do të dilnin në frontin e luftës çlirimtare. Mjafton që ata vogëlushë u bënë komandant, por sa prej tyre sot ndiejnë përgjegjësi për këtë pakujdesi dhe indiferentizëm ndaj mësuesit, atdhetarit e shkrimtarit Ymer Elshanit?!
Ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha që po i servohen publikut, kanë filluar ta eklipsojnë njeriun e vogël, njeriun e sakrificave sublime gjatë viteve dramatike. Koncentrimi i vëmendjes publike vetëm tek manifestimet pompoze që po prodhojnë njëfarë lavdie politike dhe elektorale, e ka bërë pa sens kujdesin tonë moral e kombëtar ndaj atyre mikrongjarjeve që ishin magma vullkanike e historisë sonë më të re. Zakonisht në rrethana të tilla ka gjithnjë e më shumë personazhe të harruar të kësaj historie, të cilët paguan kosto të lartë qëndrimin e tyre të palëkundur në kushte kur ishin të vetëm para vrasësve mizorë serbë, të pambrojtur, jo rrallë, edhe nga vetë luftëtarët e UÇK-së.
Të gjithë këta njerëz janë viktimë e harresës që vjen nga defokusimi publik. Në mungesë të një gazetarie pak a shumë hulumtuese, këta fate njerëzish ngelin “libra të mbyllur” që askush nuk ua lexon tmerret që përjetuan.
Kjo mënyrë e selektimit të heronjve me dhe pa epoleta, me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konsiderojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.
Lavdia që ia zë frymën lirisë dhe bëhet peng i mburracakërisë, të përkujton tribalitetin e kohëve të lashta kur midis shkretëtirës së skamjeve e harambashllëqeve, lirizaptuesit projektonin delirin e luksit.
Ymer Elshani edhe pa kurorat e lavdisë postume, mbetet i paharruar, sepse janë veprat ato që e bëjnë atë të veçantë në letërsi dhe stoik në jetë. Shumë prej atyre që sot krekosen me lavdinë e huazuar nga trimëritë kolektive që mbajnë vulën e anonimitetit, do të donin të kishin një miligram dinjitet nga shkrimtari i madh Elshani, por kjo nuk bëhet me porosi dhe telekomandë.
Njeriu i madh lind, ai nuk bëhet. Ymer Elshani lindi pak më i madh se gjithë ne që lirinë dhe dashurinë e atdheut e mësuan nga veprat e tij.(Emin Azemi)
Poezi nga Ymer Elshani
Çelës i artë është – mirësia,
Çelës të tillë pranvera ka;
Tërë natyrën
Ngjall, bleron -
I gëzon njerëzit në botë shqim
Dhe çdo zemër hap – pushton!
Çelës i artë është ngrohtësia,
Çelës të tillë dielli ka;
Botën ngjall,
I jep jetë –
Nuk kursen rrezet e tij
Dhe çdo zemër e hap lehtë!
Çelës i artë është – fjalë e ëmbël,
Çelës të tillë mund të kemi
Unë e ti,
Të gjithë sa jemi;
Fjala e ëmbël bën mrkulli –
I hap zemrat si me magji!...
SHQIPONJA
Shqiponja e mprehtë – vetëtimë,
Vetëtimën e ka marrë –
Nga retë e qiellit.
Bebëzat e mbushura –
Shkëlqim,
Shkëlqimin e ka marrë –
Prej rrezeve të diellit.
Në qiellin e gjerë arbëror
Valon si flamur – kurorë.
Krahët – shkëmb i fortë,
Fortësinë ia kanë rritur –
Ndeshjet me stuhi.
Zemrën – flakadan i plotë,
Zjarrin ia ka shtuar –
Etja për liri!...
Në qiellin e gjerë arbëror
Qëndron si roje – kurorë.
ASNJË DITË KOT NUK VJEN…
Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Bletës një shportë mjaltë –
Pas fluturimit t’gjatë;
Minatorit xehe shumë –
Pas djersës t’derdhur lumë;
Lokomotivistit – udhëtime t’reja –
Nga Lublana der’te Peja;
Muratorëve – në soliter
Një kat të ri përnjëherë;
Lonit, Teutës e Meritës
Pesa n’detyra t’matematikës;
Mollës së re – plot sytha;
Kërmillit t’vogël – dy britha;
Peshkatarit larg në det
Pas lodhjes – peshk në rrjetë…
Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Se ç’do t’marrim peshqesh
Do të varet dhe – prej nesh…
METEORËT E TOKËS
Llambat –
N’koka t’minatorëve
Kur zbresin n’galeri me radhë
Ngjajnë
Në meteorë të bardhë
Fenerët
E xixëllonjave që enden
Mbrëmjeve mbi lumë, sharrak
Ngjajnë
Në meteorë endacakë.
Sytë e nënave
Kur i përqafojnë fëmijët
Me dashuri të zjarrtë
Ngjajnë
Në meteorë të artë.
DASHURI ARITMETIKORE
Njëshi dhe Zeroja
u takuan njëherë
moti në pikë të ditës,
në një faqe të Aritmetikës.
- Ah, sa e bukur qenke,
o Vashëz flokëblertë,
o Vashëz faqeplotë!...
psherëtiu Njëshi atëbotë.
- Edhe ti paske
hundë të bukur, të drejtë!...
foli, e emocionuar Zeroja
me një zë të butë, të lehtë.
U shikuan me ëmbëlsi.
U shikuan me simpati.
Pranë e pranë u afruan.
Dhe nga ajo dashuri
e madhe e sinqertë
lindi atëbotë – numri 10!...
A SHIHET SHARRI?
Vallë nga ai Yll
Si xixë zjarri
A shihet Sharri?
Vallë nga ajo Kometë
Me ngjyrë rubini
Si duket Drini?
Vallë nga ai Planet
Në orët e vona
A duket Kosova?
Vallë nga Hëna
A mund të shoh
Kur buzëqesh nëna?
Nëse është e mundur
Kjo gjë – s’përtoj
Në Hënë të udhëtoj.
DALLËNDYSHJA
Shigjetë e qiellit.
Gjerdan i prillit.
Një fole e ke
N’strehë të shtëpisë,
Tjetrën – n’zemrat tona
Çerdhe t’dashurisë.
Ëndërr e kroit,
Plepit, lumit, ftoit.
N’pranverë ia shton
Një kat haresë,
Kur ik në vjeshtë
E ruajmë n’kujtesë.
Yll i kaltrisë.
Motër e puhisë.
Me diellin n’kraharor
Pas diellit udhëton.
Retë s’e pengojnë,
Deti s’e frikëson.
TELEGRAMET E PIKËS
Në fund të çdo fjalie,
Kur mendimi mbaron,
Unë e kam vendin. Stop.
Kjo duhet t’i jetë
E qartë çdo fëmije
Dhe të mos harrojë. Stop.
Nëse dikush pyet
Atëherë Pikëpyetjen
Zëvendës kam. Stop.
Nëse uron, dëshiron e përshëndet
Atëherë Pikëçuditja
Më zëvendëson. Stop.
Po të më përdorin
Gjithnjë ku duhet
Do të kërkoj. Stop.
T’u vëhet prore
Pesë në drejtshkrim
Stop. Stop. Stop.
31.5.1987
RREZJA
Biletë as pasaportë s’ka
Nëpër botë udhëton pa pra.
Bie në gur – s’thehet
Bie në thikë – s’prehet
Pa zile, pa këmborë
Zogjtë në çerdhe, pyje i zgjon.
Bie në det – s’mbytet,
Bie në baltë – s’zhytet.
Tërë botën pallat e ka
Diellin në hapësirë e quan Baba.
VALLJA E KALTËR
Kur detet
Në t’gjitha kontinentete
Rroken
Dorë për dore
Në një valle
Të kaltër –
Vëllazërore
Bashkë me oqeanet
Nga t’katër anët
Atëbotë
Kjo është vallja
Më e gjatë
Në botë!
Globit
I buzëqesh fytyra,
Është i gëzuar,
Kur sheh
Bijtë e tij
Të hareshëm,
Të bashkuar!...
PËRQAFIMI
Dielli e përqafon
Tokën –
Me rreze t’arta.
Deti e përqafon
Tokën –
Me vale të kaltra.
Ylli e përqafon
Tokën –
Me syrin gëzimplotë.
Unë e përqafoj
Tokën –
Me buzëqeshje t’ngrohtë!...
YJET
Margaritarë –
Në gjerdanin gjigant
Të kaltrisë.
Sy kurreshtarë –
Në ballin e madh
Të Gjithësisë.
Stoli –
Në xhaketën kaltroshe
Të kupës së lartë.
Inxhi –
Në kraharorin e madh
Të qiellit t’kristaltë.
QËNDRESA
E sulmoi me acar veriu,
E sulmoi me pjalm dimri,
Por kokrra e grurit qëndroi!
Nga ajo u mbush në verë
Plot me kokra t’reja kalliri…
E sulmoi lukunia e ujqve
Tufën e pafajshme n’vërri,
Por dreri brirëmadh qëndroi!
Në këtë luftë aim bet I shtrirë
Por shpëtoi grigja e tij…
KARCELLI DIKË
Tha
Karcelli Dikë
- I pari
Dua t’jem n’atletikë!
I pari
- Në kërcime.
I pari
Në rrotullime
I pari
-N’ vrapime.
BUBULLIMA
Daulle e reve –
Fishek i hedhur në tokë.
E qëllon lisin,
Por lisat nuk zhduken
Lisa ka shumë në bokë!
Krismë e patkonjve
Të kuajve të zi’.
E djeg barin,
Por bari ka rrënjët
Rritet përsëri!
E reve kryeneçe
Shamatë e gjatë
Që grinden për rrugë
E rrugët s’kanë skaj
Në qiellin e lartë!
Poezitë janë zgjedhur nga librat e poshtëshënuar.
“YLLI ËNDËRRIMTAR” , “Rilindja” - 2000
“ZOGU I LIRISË” ,“Zef Serembe” - 2001
“GJELASTRENI MENDJELEHTË” , “Gutenberg” - 2003
Poezitë i përgatiti poeti Xheladin Mjeku
No comments:
Post a Comment