2015-03-19

GENE POETËSH (Rreth vëllimeve poetike "Vetëvrasja e qirinjve"të Hiqmet Meçajt dhe "Puthje ujore" Andi Meçajt )



nga MIHALLAQ QILLERI

Dëshira e fëmijëve për t'u ngjarë prindërve dhe e prindërve për t'i bërë fëmijtë si vetja shpesh përfundon me zhgënjime të dhimbshme. Ne harrojmë se fëmijtë tanë lindin me gene të trashëguara nga kushedi ç'brezni dhe shfytyrohemi kur ata zhvillojnë karaktere të tjera. Por në rastin e poetit Hiqmet Meçaj dhe të të birit, Andit, vihet re një ngjashmëri e mrekullueshme genesh, së paku në poezi, megjithëse si tipa, madje edhe si mendime ata mund të jenë të ndryshëm. Duke lexuar vëllimin e pestë të babait dhe të parin të birit, bie në sy se magjia e fjalës së bukur, mendimi se udhëve të jetës dhe përpara botës mund të dalësh me mendimet e tua, janë cilësi të këtyre dy njerëzve që jetojnë nën një kulm.
Por le t'i marrim gjërat me radhë...
Hiqmet Meçaj erdhi në Greqi si qindramijëra shqiptarë të tjerë, por edhe si i “deleguar” i poezisë më të mirë të vendit të tij. Përfaqësues i një brezi poetësh e prozatorësh të vërtetë, ai spikati me talentin e tij qysh në vitet '60 kur ishte ende student. Më pas, në qytetin e Vlorës, ai u bë një nga intelektualët më me zë atje dhe krijimtaria e tij poetike, por edhe dramaturgjike, rezonoi në të gjithë vendin. Një heshtje gati prej 13 vjetësh, për shkaqe që tanimë dihen, por sidomos me ndryshimet dramatike në fushën e botimeve, ai paraqitet para lexuesve të vet me vëllimin e ri “Vetëvrasja e qirinjve”. Që në fillim më duhet të pohoj se është një kënaqësi për lexuesit të ketë në dorë një libër me poezi të vërteta, pas shumë botimeve folklorike, por edhe tentativave zhurmëmëdha për modernizëm anakronik që kemi parë të shiten lokaleve gjithë tym ku pinë kafe të lira shqiptarët emigrantë. “Vetëvrasja e qirinjve”, është jo vetëm një vlerë kombëtare në letërsi, por po të lexohet me kujdes, faqeve të tij do të ndjenjë gjithë diagramën e tentativave novatore të viteve të fundit.
Afro 30 vite më parë e mirënjohura revista “Hosteni”, botonte një karikaturë ku tregonte një poet klasik ( D.Agolli) dhe një poet modern, (I.Kadare), që dyluftonin për “nderin” e poezisë. Autori i karikaturës nuk tregonte se kush “vdiste” në këtë duel. Vitet kaluan dhe ja tani, brenda të njëjtit vëllim të H. Meçajt zhvillohet pikërisht ky duel në krijimtarinë e tij. Nuk e di në se ka një domethënie lënia e poezive “klasike” në fund të librit, apo nga që ato mund të jenë shkruar vite më parë dhe tani vlerën e re poeti e shikon në krijimtarinë më të fundit. Por, sido që të ketë qënë mendimi i tij, lexuesi e ndjen se poeti është një krijues shqiptar dhe jo çdokush. Ndarja e vëllimit të libra krijon një simetri gjendjesh dhe mendimesh, madje edhe përpjekjesh për të gjetur një mënyrë të re krijimi. Nga libri “Absurdi”, të mbetet në mendje tentativa për të lidhur një gjendje të caktuar shpirtërore në shumë poezi duke krijuar kështu mozaikun e një romani mendimesh. Duke e quajtur vargun më të mbramë të poezisë së fundit si titull për vjershën tjetër poeti synon të mos e shkëpusi atë zinxhir mendimesh filozofike që ndjen se rrinë brenda tij edhe sepse kalojnë shumë vjetë. Ndonëse poezitë janë të fjalës së fundit, siç do të shprehej një tregtar, ato nuk gërvishtin, nuk spekullojnë me shkëlqim fjalësh të rreme, madje as kur tentohet të krijohet një “funeral i kaltër”, “dallgësh të vyshkura” e individi ka nevojë që “hënën valium të pi”. Në librin “Anonimë”, “ku përplasen dy qiej”, poezitë bëhen më të afërta, më të ngrohta, ndonëse vazhdon ai arsyetim filozofik i trishtimit të botës me një dhimbje që, gjithsesi, nuk të ndahet nga kjo dreq jetë aq e vrazhdët. Sepse koha rrjedh, - a nuk rridhte kur qenë egërsirat, -pyet poeti për të dhënë imazhin e një epoke që është mbyllur me aq shumë dhimbje. Sepse, -shënon përsëri Meçaj i Madh, -duhet lënë të rrjedh harresa e bukur, ku ka pikëllim sepse diku është njeriu, i bukur ndonëse ia hëngri udha ëndrrat.
Kjo dhimbje transferohet ndryshe në librin tjetër “Mikrobotizëm”, për t'u bërë tragjike tek “Vetëvrasja e qirinjve”, që është simbolika e humbjes së një brezi të tërë krijuesish të talentuar. Megjithatë shumë prej tyre e kishin tanimë Olimpin, pavarësisht se aty kishin mbërritur rrobandotur e të uritur. Por me që autori pretendon se i takon rrymës së mikrobotizmit do të dëshiroja t'i sugjeroja se kornizat e kësaj “lëvizjeje”, në mund ta quajmë kështu, janë ende të paqarta sepse ato enden nëpër një teren të pasigurtë. Që poezitë “Brekët”, “E puthura” dhe “Qurre të vjetra”, i përkasin asaj mikrobote që ndonëse është brenda njeriut, nuk janë produkte të letërsisë, siç nuk janë prodhime ujërat e ndotura që dalin nga një fabrikë lulesh artificiale. Megjithë tentativën për t'u dhënë produkteve të tilla një vlerë morale, madje edhe filozofike, kam mendimin se ato janë thjesht apendise të qënies. Poezia është shprehja më e bukur e filozofisë së ndjenjave njerëzore dhe banalitetet nuk besoj se bëjnë pjesë në të. Por autori edhe brenda këtij libri, edhe brenda kësaj, mikrobote, ka fuqinë e vargut të vet të konsoliduar dhe atje ku të trishton ideja, të tërheq fjala.
Për fat të mirë lexuesin e vëmendshëm e shpëton nga ankthi libri “Ballkani fytyrën e humb” dhe poezia me të njëjtin titull të drithëron. Mikrobotizmi qënkish një trill poetësh, mendon pas pak. Shyqyr, shpëtuam! Në “Mungesën tonë në dy gishta”, Hiqmet Meçaj është jo vetëm një poet i lindur, por edhe një intelektual klasi që analizën e viteve të tranzicionit shqiptar e bën si rrallë kush, pa ripërsërritjen tragjike të idhtarëve të luftës së klasave që ia hodhën atë shoqërisë shqiptare mbi shpinë kur ajo qe plagosur keqaz. “Na lini të ecim pa peshë mbi kurriz/ Na lodhi boll udha.., kërkon poeti duke stigmatizuar pinguinët e djeshëm politikë që sot kapardisen shkretëtirës shqiptare. Ka një dhimbje në këtë poezi sa të marrin lotët. Dhe tragjedia e ikjes në realitetin e një bote tjetër të tmerron me vjershën “Protokolle, shkallë, ashensorë”. Ka vdekur mikrobotizmi i vet Hiqmet Meçajt, sepse “mijëvjeçari ngjyra të vjetra hedh”, “e trotuari asgjëkund nuk të çon”. Ajo që të bën të ndihesh mirë duke lexuar faqet e këtij libri është se poezia jo vetëm të trazon shpirtin me mendimet “si të tuat”, jo vetëm se evolimi i saj drejt filozofisë vjen nga baza e saj e stërvjetër, jo vetëm se fjala është tejet e bukur, por morali i moralit të krijimit është gjithsesi i sinqertë. Nuk bërtet njeri në këtë produkt njerëzor që quhet libër, nuk ka tentativa për spekulime me atë që bota e quan poezi... “Tek një shkallë”, apo eseniania “Hapur si fletore”, janë ajo lidhje e brendshme që poeti bën me veten e tij duke dashur të bashkoj vitet që e ndajnë nga vëllimet e para. Përgatitemi kështu për të hyrë në librin e fundit “Nostalgji” për të ritakuar poetin kur ishte i ri. Vet titulli i kësaj pjese të fundit të vëllimit. të lë të kuptosh se ajo e kaluar ka ikur tashmë bashkë me kohën kur e lindi, dhe se synimet letrarë të tij janë të tjera. Por nostalgjia që ndjen lexuesi i brezit tonë për këtë poezi vështirë se largohet me eksperimente budistësh...
Këtu takohet Hiqmeti me të birin poet, Andin. Takohen si moshë, por krejt ndryshe nga stili. Andi Meçaj ka një vizion krejt më gjakftohtë për jetën nga “makrobotizmi” internacionalist të Hiqmetit të ri. Ai ka filluar të shkruaj atje ku i ati po mbaron eksperimentet e tij. Ne nuk e dimë në se do të nostalgojë ndonjëherë për Eseninin, por bota për të është më e ndërlikuar se aq. Te “Angushi mbytëse”, ai të drithëron me imazhin e një bote krimi e me erë kufomash që mund të mos ketë mëshirë për ne, -thotë poeti i ri, -në se urrejtjen e lëmë të lirë. Shqetësimet e një brezi, që ndonëse në dukje i ka duart e lira, tronditjet e botës i shohin më qartë se brezi i poetëve si i ati, Hiqmeti, prandaj edhe flasin më shumë për të këqijat e kësaj bote. Bie në sy, veç, një vizatim i shpejt i këtyre vizioneve, pa u hyrë në thellësi të shkaqeve, aq sa gjithë barrën për këtë ua kanë lënë të tjerëve. Poezitë e Andit janë si refleksione që sa cikin sipërfaqen e dramave njerëzore dhe ai niset për diku gjetkë i shkujdesur duke e lënë pas vuajtjen e një çasti më parë. Kjo mënyrë të konceptuari e çliron poezinë nga stërhollimet, por njëkohësisht e lë atë pa peshën e nevojshme duke humbur pakëz nga graviteti.
Në poezinë e Meçes së Ri ka, ka megjithatë, më shumë shqetësime për kohën se sa do të ndjente vërtetë brezi i tij jo si poet, por si qytetar. Kjo të jep shpresën të besosh se depërtimi në dramat e mëdha do të jetë një kërkim i vazhdueshëm. Të vazhdueshëm do të jenë edhe eksperimentimet me stilin i cili tani vërtetë ka luhatje të ndjeshme, por ai të ngazëllen me indinjatën poetike. Në disa poezi ndihet piktori dhe vizatime të tilla pejsazhore janë vetëm skica poetike. Te të tjerat si “Qëndro”, “Racizëm”, “Po të duan”, janë pesha që poeti i ri i ngre megjithë moshën e re e supet ende të njoma. Në një grup tjetër poezish ai “shket” vetiu në atë mënyrë të shkruari që të kujton Hiqmetin e ri, por pa kujdesin pedant të rimave e ritmeve teorike. Dashuria, siç është e natyrshme, është strumbullari i gjithë krijimtarisë poetike të këtij libri. Ajo si koncept e ndjenjë bën vazhdimisht gërnjë me moralin, por edhe me vetë njeriun. Shpëtimi nuk duket në horizont sepse njerëzit janë aq ndryshëm dhe po aq të ngjashëm... Vjershërohet kështu më shumë me konceptin se sa me idenë. Filozofia vjen e ikën si një copë mjegull që tretet. Natyrisht ka edhe vjersha që mund të punoheshin, apo të mos përfshiheshin fare në këtë vëllim, sepse ato i bëjnë retorikë njera-tjetrës. Pastaj prozaizmi një egjër i zakonshëm në grurin letrar të të rinjve do të kishte nevojën e një dore mjeshtëri siç është Hiqmeti. Nuk e di se si janë zhvilluar konsultimet, por me të rinjtë e sotëm vështirë se merresh vesh gjithmonë, sidomos kur në “Kokën ngremë të mos duam”... “të varur na duan përjetë”, protesta duket sheshit. Kështu vjen rasti dhe shkruajnë vargje të tilla si “nëpër sheshësinë rrethore të veshëve”... (poezia “Të gjitha sheshohen”) të cilat lehtësisht mund të shmangeshin.
Por të bën përshtypje që poeti i ri bën kujdes për të shkruar jo vetëm me një gjuhë të saktë, por të rikrijojë fjalë e bashkime fjalësh që i japin poezisë së tij fluiditet dhe autoritet njëherësh. Duke lexuar fjalë të tilla si shtëpijohem, ndjekësor, shpirtqiell. durimsakatosur, gazrritur, vend fshehta, etj, ndjen përgjegjësinë me të cilën Andi Meçja përgatitet të hyjë në fushë të krijimtarisë letrare, (sepse ai është edhe prozator), me seriozitet dhe kjo është shfaqja e parë e njeriut kërkues.
Duke përfunduar këto shënime, për të cilat autorët, por edhe lexuesit mund të kenë edhe kundërshti, ndoshta nuk thashë gjithçka për këto dy libra të bukur sikundër nuk mund t'u gjesh fundin puseve që burojnë vazhdimisht. Megjithatë gjej rastin t'u uroj nga zemra miqve të mi libra akoma më të bukur në të ardhmen!

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...