2015-03-19

DISA MENDIME PËR POEZINË E SUZANA ZISIT


(Rreth vëllimit poetik: “Imazhet kanë ftohtë”, 2006.)


nga ANDI MEÇAJ


1. (omnia vincit amor*)

Në librin poetik të Suzana Zisit “Imazhet kanë ftohtë” është edhe poezia: “Në dukje e thjeshtë”:

U përplasën një ditë, në vjeshtë,
Ai dhe Ajo - puhizë, në dukje e thjeshtë,
Por thellë - thellë, uragan...

Ai fluturoi.
Ajo u çmend.

Ai frymëron.
Ajo shpesh qan.

Por gjembat, ah gjembat...
Në zemër i mban.
Ashtu, në dukje, e thjeshtë.

Ishte,
Është,
Dhe ka për të mbetur vjeshtë...

Suzana Zisi me këtë poezi (një akuarel i mrekullueshëm i ndjenjave njerëzore), duket sikur na ka hapur pakëz një dritare, diku në një kënd të braktisur të kopshtit tërë pemë e gjetherënie vjeshte, nga ku dallohen siluetat e dy të rinjve që konsumojnë dashurinë e tyre dhe njëkohësisht dramën e ndarjes, braktisjes që mbart “gjemba”, që megjithëse shpojnë e gjakosin, përçojnë kujtimin, atë kujtim ëmbëlndjellës e engjëllues, sa na bën të ndihemi paksa në faj, për fajin tonë të vetëm e të pafajshëm, se kemi qenë dëshmitarë rastësorë të një skene dashurie e ndarjeje të beftë.

Por siç na thotë një shprehje e vjetër popullore se: “dukeja gënjen (mashtron)”, ashtu edhe poetja Zisi na rrëfen se: .../U përplasën një ditë, në vjeshtë, .../Ai dhe Ajo - puhizë, në dukje e thjeshtë, /Por thellë - thellë, uragan /... . Me fjalë të thjeshta, tepër elegante, që mbartin emocion dhe befasi, duke i krahasuar në fillim të takimit të dashuruarit me puhizën, atë lëvizje ajri aq të lehtë, sa thua s’e ndien dhe më pas, kur dashuria e ëmbël rrjedh, ajo kthehet në uragan që të mbështjell e të shkul nga rrënjët duke të ta “shkundur” gjithë qenien.

S.Zisi na e sjell dashurinë dhe ndarjen me elementë të vjeshtës e natyrës si era, puhiza, gjembat, fluturimin, na e derdh në shpirt gjithë bukurinë në ngjitje e në zbritje të ndjenjës më të pastër e të hijshme njerëzore, duke i trajtuar në unitet të dyja si elementë të vjeshtës. Është një pikturim sa i zhdërvjelltë aq edhe i freskët, sa lirik aq edhe filozofik, sa i thjeshtë aq edhe i mirëfshehur brenda mjegullës së shpirtit, duke na shfaqur mendimin se ai që nuk gabon kurrë në jetë s’mund të quhet njeri: “errare humanum est**”.

Por a mund të quhet një dashuri e dështuar gabim?

Po, edhe jo, por mbi të gjitha një gjë mund të themi me bindje: se jeta mund të kuptohet e shijohet si një e tërë apo e plotë vetëm nga prova apo “gabime” të vogla: ab uno disce omnes***

2.( in absentia****)

Në librin me rreth 100 poezi të Suzana Zisit mund të veçojmë mes të tjerave poezitë: CRAZY (Me atë përqafimin e çmendur: .../Të jam lidhur e tëra pas trupit, në një /përqafim vdekjeprurës...! /); JAM NË MES TË PYLLIT (Me atë pritje horror: .../Koha, /ka vdekur në prag të së ardhmes. /E shkuara e uritur, lëmon dhëmbët. /) MË THËRRMOHEN FLETËT (Me pritjen të sendshpirtëzuar si libër: .../Kopertina, mbahet ende. /Brenda, më thërrmohen fletët. /); NATËN KUR TI FLIJE (Me atë xhelozinë e së dashurës për të dashurin: .../Natën, kur ti flije, t’u futa në shpirt, /Nga rruga, që vetëm unë di. /); UNË, TI, ANA MARIA... (Me atë brishtësi e bukuri vargu si foshnjë: .../Unë jam toka. /Ti - dielli. /); FJALA (.../Varur pasionesh, /nderur në mall, /) LULET (Sa jep njëra shpirtin, /ja ku lind një tjetër. /); NJË MËNGJES TJETËR ME ARGJIRON... (.../Hija jote e mëngjesit, /shtriqet përgjumshëm të më mbulojë. /); ANA MARI... (Me atë dashurinë e thellë mëmë-bijëz: .../Etjendezur, për të bukurën buzëqeshje, /Syve të tu, Ana Mari.); SHKRUAJ (Me atë shkrim aq mbireal: .../Shkruaj e shkruaj mbi lëkurë. /Mbijnë trishtueshëm pemë e lule. /); MUSHTI I LULEVJJESHTËS (Me atë dehje aq të veçantë të ndjenjave: .../Unë jam pëshpërimë /e stinës së ndezur. /Dehem duke pirë, honeve të trillit. /); NGJYRAT MBETEN TE NE... (Me ato figura aq piktorike: .../Syve të tu, u struk e kaltra, /E qyteti mbeti pa det. /E kuqja, u nder buzëve të puthjeve. /); NËN DHÉ (Me atë fund drithërues: .../Epitaf mbi varr, /sytë e tu të ftohtë. /); E MUROSUR QIEJVE... (Me atë pritje deri në murosje për dashurinë: .../Edhe pse sytë shpesh i drejtoj nga lindja /Perëndimet, më murosin këtu. /); e shumë të tjera...

3.(primum vivere, deinde philosophari*****)

Poezia së pari duhet jetuar, pastaj filozofuar dhe Suzana Zisi (1967), kësaj ia ka arritur më së miri, duke na futur edhe ne lexuesve në petkun e ndijimeve të saj, që na duken të vërteta, sepse kështu i perceptojmë e i ndijojmë ato.

Kur një poet ta bën aq të vërtetë edhe një të vetme poezi, sikur je duke e jetuar atë çast dhe thua me vete kështu mund ta shkruaja edhe unë, ajo është poezi. Poezinë e Suzanës në këtë libër mund ta ndijosh si një të tërë edhe pse e ndarë në pjesëza të vogla aty gjen një element bazë që e përshkon tejetej amalgamën poetike që është elementi erotik. Ky element jepet herë herë i vrullshëm, herë herë i qetë, herë në pritje, herë në ndarje, herë në ngjizje, herë në ngashërim, e herë në ekzaltim. Erotizmi është i ndërthurur ngjeshur me elementin lirik dhe atë filozofik në mënyrë organike duke u shkrirë natyralisht.

Poezia e Zisit të jep përshtypjen që në leximin e parë se kemi të bëjmë me një varg tepër sensual, lirik me nota të theksuara “të femërores” gjë që i jep autores një pasaportë apo identitet të veçantë ndër poeteshat tona më të mira. Një zë i tillë i ka munguar poezisë shqipe.
Si tipar dallues të poeteshës Zisi mund të veçojmë: “Pritjen...”, Pritjen për një dashuri të re, Pritjen për dashurinë e vjetër, për burrin që do, për mashkullin e dëshiruar, për ndjenjën që e përvëlon trup e shpirt, Pritje për ripërtëritjen e çasteve të kaluara magjishëm, por mbi të gjitha ajo na lë të kuptojmë se: “PËR DASHURINË E VËRTETË, PRITJA LE TË JETË NJË JETË”.
Duke marrë shkas nga arritjet e deritanishme të librave poetikë të Suzana Zisit dhe duke besuar fort në vlerat e saj, presim të na falë në të ardhmen edhe befasi të tjera.

16/12/2011
------------------------------------------------------------
omnia vincit amor* - (lat. dashuria fiton mbi gjithçka.)
errare humanum est** - (lat. të gabosh është njerëzore.)
ab uno disce omnes*** - (lat. nga prova të vogla mund të kuptohet e tëra.)
in absentia**** - (lat. - në mungesë, (të dikujt apo diçkaje.)
primum vivere, deinde philosophari***** - (lat. së pari duhet të jetosh, pastaj të filozofosh.)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...