Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, është takuar sot me përfaqësuesit e Komisionit qeveritar për persona të zhdukur.
Në këtë takim komisioni shqyrtoi edhe peticionin e nënshkruar nga qytetarët, me anë të të cilit kërkohet zbardhja e fatit të profesor, Ukshin Hoti. Përfaqësuesi i këtij peticioni, Nehat Fetoshi, tha se personat e pagjetur vazhdojnë të jenë plaga më e madhe e Kosovës së pasluftës, ndërsa mungesa e profesor, Ukshin Hotit, është manifestimi më tragjik i kësaj pjese të historisë. Në vijim, Fetoshi, nga anëtarët e komisionit kërkoi angazhim edhe më të madh për këtë çështje dhe debat parlamentar.
Komisioni u zotua se bashkëpunimi në mes të të dyja komisioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërkaq, paralajmëroi angazhim edhe më intensiv me të gjithë faktorët, vendorë e ndërkombëtarë. Komisioni po ashtu, vendosi që t’i drejtohet Kryesisë së Kuvendit për debat parlamentar për këtë çështje.
Përfaqësuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj, i njoftoi anëtarët e komisionit me punën dhe sfidat që hasin ata në procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Komisioni qeveritar për persona të zhdukur, tha Gjetaj, ka bashkëpunim të kënaqshëm me të gjitha ministrit dhe institucionet relevante. Ai po ashtu lavdëroi edhe bashkëpunimin e mirë që kanë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, si dhe Komisionin ndërkombëtar për persona të pagjetur me seli në Sarajevë.
“Çështja e të pagjeturve, është ngritur në të gjitha takimet që kemi pasur me përfaqësuesit ndërkombëtar”, tha Gjetaj. Po ashtu, ai njoftoi, se është kërkuar që kjo çështje të ngritet edhe në bisedimet që janë duke u zhvilluar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“ Numri prej 1655 të të zhdukurve, vazhdon të mbetet shqetësim i madh”, tha ai, dhe shtoi se familjet e të zhdukurve, të organizuar në kuadër të shoqatave, presin angazhim edhe më të madh nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Duke folur për sfidat e Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Gjetaj njoftoi se ndihet mungesë e madhe e kapaciteteve profesionale. Ai me këtë rast vuri në dukje mungesën e laboratorit, në të cilin do të mund të kryheshin analizat e ADN-së, si dhe mungesa e antropologëve dhe arkeologëve.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/kerkohet-debat-parlamentar-per-ceshtjen-e-ukshin-hotit-89394/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright