2015-03-25

Dr. MOIKOM ZEQO - Kitara lirike e jugut


Të shkruash gjysmë shekulli poezi është një gjë e çuditshme. Të mos ndiesh gëlltitjen kronos-ikje të kohës, të apelosh motive të brendësisë shpirtërore, të lëvizësh në një kaleidoskop jonik, të brishtë, kumbues, të ndritshëm, të ngarendësh nëpër stinët e arta, të trishtohesh, të zbulosh fosile nostalgjish nëpër mijëvjeçarë, do të thotë të përjetosh sipas individualitetit poetik, qenien poetike te të tjerët, të emanciposh në heshtje fjalën.


Sulejman Mato ka rrugëtuar në poezi gjatë dhe gati në heshtje. Natyraliteti i tij, thjeshtësia e krijimit.
Përzgjedhja e poezive është një proces i brendshëm, një ritendosje, një pohim i vetëm, përtej dilemave. Kjo përzgjedhje shpaloset si një mozaik që nuk ka zë. Sulejman Mato nuk është një poet këlthitës. Me një modesti dhe thjeshtësi të veçantë, ky krijues është një nga lirikët më autentikë dhe më të mirë të poezisë shqipe. Ai qëndron larg bujës mediatike, larg hierarkive të rreme të kritikës, por edhe larg harrimit dhe mospërfilljes.

Sulejman Mato ka tipologjinë krijuese të jugut. Treva bregdetare jonike është mitologjizuar me ngrohtësi të madhe nga poeti. Ky qe fati i tij i bukur, saga e tij intime, ekzistenciale. “Kitara e jugut” ringjall vegimet, fjalët, emocionet. Poezitë për kilën e vogël si ABC e urisë, për Himarën, për vendlindjen, për Fterrën, për detin, për Sarandën, Ksamilin me katër ishuj në sy, për dallgët e brengosura që të lutin “mos ik!”, për shkëmbinjtë e thepisur me xigomatikë si të Homerit, kanë një ndjeshmëri të lartë. Bota e fantazisë përthyhet brenda realitetit, ajo është djepvarri i saj, është mrekullia e mbijetesës. Sulejman Mato nuk kërkon të çuditë, ai na i përkthen çuditë. Këtu qëndron dhe sekreti i krijimtarisë së tij. Sulejman Mato spikati si poet i talentuar qysh në vitet ’60. Ai ishte dhe mbetet ndër poetët më të njohur të brezit të tij, së bashku me Viktor Qurkun, Hiqmet Meçen, Xhevahir Spahiun, Shefki Karadakun, Frederik Reshpen, Musa Vyshkën etj.

I njohur qysh herët në shtypin letrar... gjatë kohës që punonte në revistën “Nëntori” mbahet mend si një një redaktor dashamirës me talentet e reja, inkurajues dhe shpirtmadh. Mato nuk e njeh xhelozinë për të tjerët, i mjafton talenti i vet dhe kjo nuk është pak. Ai kultivoi, jo rastësisht, një poezi lirike larg toneve tribunale. “Poeti bën marrëveshje me yjet, universin...”, një koncept poetik kozmogonik. Qenia e çdo poeti ka disa bërthama vizionesh, të cilat shkëndijojnë në metafora. Mato sjell vegime të vendlindjes së vet, na sjell jugun me hapësirat detare, fëmijërinë, humanizmin njerëzor. Në poezinë e tij ka diçka nga De Rada, nga Lorka, nga Kafavis. Eseisti Valter Beniamin thotë: “Mbeturinat e kujtesës janë shpesh më të qëndrueshme dhe më të forta sesa procesi që i lë pas ato”. * * * Poezia e këtij krijuesi të talentuar nuk reshti në vite dhe nuk u fashit kurrë, veçse u rrit dhe u pasurua. Veçanërisht mbresëlënëse janë poezitë e dashurisë,tepër njerëzore dhe të kthjellëta, një cikël unikal.

Stili i Sulejman Matos është një estetikë e prekshme, larg abstraksionit shterp. Ky lirizëm bën pjesë në botën meditive. Konkretja modelon simbolikën. Disa nga poezitë e këtij poeti të kujtojnë poetin e madh turk, Nazim Hikmet. Sulejman Mato nuk është thjesht një poet, ai është një krijues dimensional e me interesa të gjera. Në krijimtarinë e tij përfshihen disa drama të suksesshme, disa libra me tregime, një prozë e zhdërvjellët e plot ngjarje jetësore. Mato është dhe një studiues i mirëfilltë, studiues i artit të shkrimit, i lashtësisë dhe i gjuhësisë. Librat që ka shkruar në këtë rrafsh e sidomos ai “Në kërkim të rrënjëve”, e kanë rritur pa dyshim personalitetin e tij krijues.

Sulejman Mato është një emër i njohur dhe në publicistikë, ku spikat natyra e tij prej qytetari të preokupuar për problemet e kohës, ndryshe nga shumë krijues të tjerë të gjeneratës së vet. Ambicia për të njohur të fshehtat njerëzore si dhe rrënjët e identitetit shqiptar e kanë plotësuar dimensionin e studiuesit shkrimtar dhe poet. Lexuesi, duke marrë në dorë përzgjedhjen e shumë librave të tij poetikë “Kitara e jugut”, sigurisht do të ndiejë një kënaqësi të veçantë. Çdo lexim është një rilexim. Në këtë proces, gati misterioz, lëvizin kohët dhe botërat. Autori e di mirë këtë gjë, ndaj ai preferon të mos flasë për veten e vet. Këtë sekret ia beson poezisë së tij, të cilën na e afron me dashamirësi për t’i prekur vlerat e saj.


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...