Në nji vjetorin e vdekjes se poetit
Gazmend Krasniqi
1.
Pamjet e thjeshta të sendeve mund të ngrihen deri në simbole, prej nga të paraqesin e të bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera. Ndoshta kjo është e para gjë që të vjen ndërmend kur lexon poezinë e Frederik Rreshpjes.
Kur mbaron leximi i kësaj poezie, sigurisht, na vjen ndërmend mënyra e ndërtimit të saj. E dimë, që nga Aristoteli, se shpirti krijues pyeste se ç’tip vargu i përshtatej më mirë kësaj apo asaj gjinie letrare. Dimë se poezia sa ç’është e lirë, aq është edhe e disiplinuar nga metodat, programet. Ajo ka historinë e saj të zhvillimit dhe pavarësinë e saj konceptuale. Asnjëherë nuk ka patur Poetikë Universale (pa folur për barrierat ndërmjet gjuhëve) – poezia varet nga idioma lokale, distanca gjeografike, sociale. Ka poetë oborri, rrugësh, profesionistë dhe amatorë, të ditur ose popullorë, fetarë ose profanë – pra, që nuk përdorin të njëjtat procedime. Si çdo shkollë poetike, edhe krijimtaria e Frederikut shpjegohet vetëm brenda kodesh të caktuara, vetëm brenda atyre kodeve që e afirmojnë. Në historinë e artit shihet se zgjidhja e një problemi, edhe më të guximshmit, bën të lindin probleme të tjera, duke u dhënë mundësi më të rinjve të tregojnë se ç’mund të bëjnë. Sepse edhe artisti që ngre krye ndaj traditës, varet prej saj nga ajo forcë nxitëse që u jep drejtim përpjekjeve të tij. Por, ndryshe nga krijuesit e tjerë të brezit të vet, Frederik Rreshpjen e karakterizon pakënaqësia nga efektet e lehta e zgjidhjet gjysmake, për hir të një vepre serioze dhe të mundit e të djersës që kërkon ajo.
Për këtë poet, si për çdo poet të mirë, i vetmi realitet është ligjërimi. Në këtë poezi, ashtu siç thotë Elioti, nuk duhet të kërkojmë personalitetin e Frederikut-njeri, pasi ligjërimi është vetëdija e tij, por pa të. Në këtë ligjërim fjala vepron si një fuqi e fshehtë, i bën sendet të pranishme jashtë ekzistencës së tyre reale, të njohur. Ligjërimi formëson lojën e vet pa njeriun që e ngriti atë. Por një letërsi e tillë, qysh nga përcaktimi i saj, krejt ndryshe nga mendimi kritik zyrtar që ka mbizotëruar shumë dekada në Shqipëri, kërkon një lexues të ri.
Sot njohësi i poezisë ndërgjegjësohet se ligjërimi poetik është strukturë e një kompleksiteti të madh – është gjuhë më e ndërlikuar se ajo natyrale. Nëse volumi i informacionit në ligjërimin poetik do të ishte i njëjtë me atë të ligjërimit të zakonshëm, atëherë vlera e ligjërimit artistik do të pushonte së qeni. Nëse mundësia e transmetimit të një informacioni në gjuhën e zakonshme njeh kufij, kjo s’mund të thuhet për ligjërimin artistik, sepse këtu kemi zgjerim kufijsh: i njëjti informacion mund të njohë shumë mënyra transmetimi. Gjatë ritregimit të një poezie me gjuhën e zakonshme – siç ka ndodhur përgjithësisht në studimet tona apo në librat që kanë formuar breza të tërë - ne do të kryenim shkatërrimim e strukturës së saj, duke çuar kështu te lexuesi një volum informacioni tërësisht të ndryshëm nga çfarë parakupton poezia vetë.
Metoda që merret me interpretimin e ide - përmbajtjes së veprës dhe ajo që merret me tiparet artistike të tekstit, këtu ndahen. Për të thënë se letërsia ka gjuhën e vet, e cila nuk përputhet me gjuhën e zakonshme, por mbivendoset mbi të, është një mënyrë tjetër për të thënë se letërsia zotëron një sistem të veçantë e të qenësishëm shenjash e rregullash. Kombinimet e këtyre të fundit shërbejnë për të transmetuar mesazhe të veçanta, të patransmetueshme nga ndonjë mënyrë tjetër. Kështu kemi që, nga një grusht fjalësh – fat, hënë, yll, zog, dru, shi, dhembje, ishull, gjeth – do të përftojmë një pafundësi botësh.
Në poezinë e Frederik Rreshpjes nuk mund të kërkojmë ide të mëdha, siç jemi mësuar rëndom nga metodat shkollareske, pasi poezia e tij ka lidhje me atë që nuk mund të shprehet. Kjo poezi nuk është zbukurim apo përshkrim i thjeshtë i realitetit, por krijim i një qenieje poetike. Duke iu bindur disiplinës së thelbit të saj verbal, ajo zotëron një pushtet emërtues, por shenjat e saj mbështjellin me një ndjeshmëri të mistershme. Poezia e Frederikut shpjegohet si vetëdije e shpirtit të fëminisë dhe pasioneve të saj. Përcaktimi thelbësor që i bëhet kësaj poezie është: ligjërimi i imazheve të kësaj fëminie. Ky poet, tashmë burrë e plak, u vesh ndjenja e pasion sendeve dhe gjërave të pandjeshme. Përmes fjalëve të poezisë ndodh çlirimi i tensionit të organizuar të fjalëve. Poezia vjen nga bashkëshoqërimi i ideve dhe ngjyrimeve që nxisin fjalët përmes kujtimeve, emocioneve dhe dëshirave. Për t’u shprehur, poeti përdor sendet që e rrethojnë, imazhet e ëndrrave dhe objektet e ëndrrave të veta.
Me Frederikun kemi të bëjmë me atë lloj poeti për të cilin poezia është brenda vetes dhe nuk ka nevojë të kërkohet larg. Si poet ai ka në dispozicion fjalët, por i shtyn ato në punë ndryshe nga njerëzit e tjerë, kur kanë nevojë për to. Janë të njëjtat fjalë, por jo të njëjtat mënyra e vlera përdorimi. Kështu poezitë e tij marrin një pafundësi kuptimesh të mundshme, pasi në thelb ato janë një muzikë shenjash të shumëllojta, e cila mund të kundrohet si një kaleidoskop.
Poet thellësisht modern, por për të cilin ligjet e së bukurës janë të përjetshme, ai ka përjetuar jetën e burgut apo vetminë e plotë, pasi asgjë nuk mund t’ia zëvendësonte atë që shikonte duke ëndërruar. Forma më e lartë e tij është akti i krijimit, ku ndodh akti i lirisë së tij, i cili është akti më i kulluar i shpirtit.
I përket atij grupi poetësh që, edhe pse me një jetë relativisht të gjatë, krijojnë një libërth të vetëm. Në këtë mënyrë, ai siguron një vend në mes të të ndritshmëve, të atyre që i japin poezisë si poezi respektin më të plotë e të thellë.
2.
Kjo poezi, moderne në tërësinë e saj, e realizon ritmin poetik jo në bazë të elementëve që përsëriten gjatë vjershës, mënyrat më të njohura te poezia tradicionale, por përmes një uniteti brenda shumëllojshmërisë. Në këtë poezi si faktorë të organizimit ritmik janë zgjedhja e fjalëve, rendi i veçantë i tyre, vargjet e mirëkontrolluar: të gjitha këto në unitet me kuptimin e fjalëve, me asociacionin që përçojnë te lexuesi. Raporti i metrikës tradicionale dhe i përpjekjes për krijimin e formave të reja të studimit të vargut është raporti mes retorikës silabike dhe stilistikës së re, mirëpo teoria e re mbi vargun krijohet në bazë të vjershërimit të vjetër, madje edhe atëherë kur i kundërvihet. Rasti i poezisë së Frederik Rreshpjes e ilustron më së miri këtë argument. Për shembull:
Vjeshtë 1990
Qanë dreri në korije dhe lotët bëhen shi.
Trishtohet era mbi shkëmb.
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndërrat e pyjeve një nga një.
Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit.
Ardhtë një vjeshtë pa shtegëtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë dorë mbi stinët!
Shohim menjëherë se poezia nuk është në rregullat e normat e poezisë klasike, nuk kemi as vargun e matur rrokjesh, as strofat fikse dhe skemat e njohura rimike, pasi ajo është ndërtuar sipas kërkesash që ndryshojnë prej tyre.
Hapi i parë i kuptimit të kësaj poezie është leximi i disahershëm i saj, për të kapur çdo fjalë e referencë. Kërkohet vetëdija e kapjes së kuptimit të dytë të fjalës, ashtu siç duhet për të kuptuar kodin e përdorimit të saj: duhet të përcaktohet qartë ngjyresa e hollë e kuptimit. Është e nevojshme të dihet ngjyresa e zakonshme e fjalës dhe ngjyresa e veçantë në kontekstin e poezisë. Për shembull, fjala vjollcë e përdorur aty, ndryshon shumë nga kuptimi që ka kjo fjalë në një fjalor.
Poezitë, kryesisht, lidhen me emocionin dhe jo me idetë, prandaj këto emocione përçohen përmes ngjyresave të fjalëve dhe asociacioneve midis tyre, duke formuar kështu botën poetike të tekstit. Meqë pjesa më e madhe e intensitetit emocional është krijuar nga tingujt dhe ritmet e kombinimit të fjalëve, kjo poezi duhet lexuar me zë. Ajo duhet lexuar me kujdes, por në mënyrë të natyrshme, duke shqiptuar çdo fjalë, duke ndaluar në çdo shenjë pikësimi dhe duke vëzhguar fundet e vargjeve me ndërprerjen e duhur. Disa vargje duhet të kenë ndalesa të theksuara, ndërsa disa të tjerë duhet të hidhen menjëherë te vargu tjetër, pas një ndalese të lehtë, duke përjashtuar çdo ton monoton, artificial e mekanik, të cilët, shpesh, shihen si poetikë.
Poezia ka një model të veçantë tingujsh, thyerjesh dhe rrjedhe ritmike, dhe lexuesi i mirë përcakton nuancat dhe zhvillimet emocionale, duke i paraqitur ato sa më saktë në leximin e tij. Çdo lexim i një poezie të shkruar mirë duhet të rikrijojë emocionet fillestare që ka patur poeti në intensitetin e tyre të parë.