2015-03-24

ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE XHEVAHIR SPAHIU



Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



XHEVAHIR SPAHIU





Xhevahir Spahiu u lind në Malind të Skraparit në 1 mars 1945. Mësimet e para i mori në Vlorë, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsisë. Prej vitit 1968 punoi si gazetar në gazetën "Zëri i Popullit" më pas në revistën "Nëntori", mësues letërsie e libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tirane. Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqipërisë, ndërsa prej shkurtit të vitit 1998 -2000, kryetar i Lidhjes. Ndër veprat e tij të botuara përmenden: "Mëngjes sirenash" (1970); "Vdekje perëndive" (1977); "Agime shqiptare" (1981); "Nesër jam aty" (1987), i vlerësuar me çmimin "Migjeni"; "Heshtje s'ka" (1989), fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut etj.





FERRPARAJSA


Pa pike pezmi vdes qysh nesër
po fundja fatit pse t'ia prish
Pushtoma shpirtin, vere e vjetër,
me lidh me pranga perëndish.

Shkëlqen parajsa përmatanë,
s'ka ferr e terr e tmerr pa fre,
se nga te gjithë që shkuan e vane
asnjë s'u kthye prape mbi dhe

Por çfarë marrëzie e përzishme
rrafshirë e botes n' amshim!
Pa pabesi te befasishme,
pa një përplasje, një tundim

M'u ndiz ne deje zjarr i pare,
me prush e afsh me përkëdhel.
Një mije demone ta heqin zvarre,
i zmbraps ky dufi yt rebel!

Me yjet flet kur pret vetëm
në ferrparajsa gjithsish.
Plugoma shpirtin, vere e vjetër,
të thyej pranga perëndish.


SHEMBJA E NJË NATE DASHURIE:

Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.
Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,
shemben yjet tani, bëhen pluhur.
Dritare s'ka, ka sy të zgavërt,
s'ka mure me plasaritje të etshme,
skelete fjalësh në gjysmë errësirë,
skelete ëndrrash, premtimesh të nesërme.
Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhë.
Në cep të rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.
Ej, ju atje! Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë jashtë meje si tek vullkanet.
Mos u kthe në kujtim, i thashë
mos u kthe në harrim, më tha;
botës i falem një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.
Një natë. Dhe çfarë nate!
Dora mbi sup,
hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye...
Mbajeni, mbajeni!
Ajo po bie...po bie....
Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të paemërt yjet.
Kini mëshirë, mos e shembni atë nate!
Është rënkimi im apo klithma e saj?
Kini mëshirë, kini mëshirë!
Ajo ishte një natë dashurie
që kurrë s'duhej të kish gdhirë.
Kini mëshirë,
në mos po atje nën gurë,
nën peshën e natës së shembur do të shembem,
i vrarë jo nga urrejtja, po nga dashuria,
që, përjetësisht quhet dhembje.


REKUIEM PER OREN 6...

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s'po vjen
ti s'po vjen as ne 6 e një minute
ne 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
ne 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtate, 6 e tete, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s'po vjen
S'po vjen
S'vjen
ne 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
qe s'ekziston

Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika



BORXHET E MIJA

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s'është asgjë mbytja ne lum a në dhomat e gazit
I kam borxhe nënës qe s'ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit qe s'ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit qe s'i vura emër.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës qe s'e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit qe s'ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit '13 qe s'ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë qe ia lashë tek pragu
terin e një kohë të largët.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur ne borxhe.
U kam borxh te gjallëve,
u kam borxh te vdekurve;
gurin e varrit e shes
te laj borxhet.

Dhe ve piken këtu.
Tani mund te flisni
për borxhet qe me kini ju

e jemi vetëm e sotme.



KOSOVARJA

Në hyrje të shekullit të njëzetë,
nxorën në bankë të akuzës
një malësore të thjeshtë.

Ajo pas hekurave të burgut kishte pyetur:
- Përse?
Ata i thanë:
-Sepse...
Ajo në gjyq:
-Përse?
Ata:
-Një herë ke thënë se...

Sy të habitur
Në sallën e tymtë,
- Përse? Jua them unë,-
tha ajo më në fund.

Dhe zbuloi veshjen e varfër të saj,
sikur të zbulonte një thesar:
jeleku i kuq,
xhubleta e zezë!

- Ja, për këto më dënoni,
ju të një toke tjetër!

Në sallë u shpalos
trupi i saj:
një flamur kuq e zi.

Dhe zemra në flamur
si shqiponjë lëvizi.


NË PYJE VJESHTA NDEZI ZJARRE

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
në zemër zjarr më ndeze ti;
po diç gjëmoi lart në male
dhe nga gjëmimi rrodhi shi.

Dhe fryu një erë e dimri i bardhë
i shtriu krahët gjer tek ne;
u drodhën drurët, gjethet ranë
si copëra flakësh mbi xhade.

Të dy mbështetur pas një reje
Të dy, dy sy në gjithësi;
unë bie, ngrihem brenda teje
e brenda meje digjesh ti.

Sa vjen, dëbon vetminë e plogët
sa shkon, vetmia flet përçart;
për ne s’do thonë arkeologët
statuja që nuk patën fat.

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
lejlekët nisi s’di se ku;
mbi hi do fryjë erë e marrë
kur të mos mbetet asnjë dru


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...