Prof.Dr.Begzad
Baliu
Në biografinë e një dëshmori zakonisht identifikohet një
datë, një vit apo një ngjarje e caktuar me të cilën ai ka fituar përjetësinë.
Të tjera momente dhe ngjarje, janë ato që i dallojnë biografitë e tyre dhe me
të cilat krijuesit nxiten të shkruajnë biografitë e tyre apo frymëzohen të
shkruajnë tekste të gjinive dhe llojeve të ndryshme letrare për ta. Ismet Avdi
Qorraj është njëri prej atyre dëshmorëve, në jetën e të cilit nuk është
vështirë të identifikosh edhe disa shenja përcaktuese për biografinë e tij prej
dëshmori.
Ismet Qorraj lindi në fshatin Carrabreg të Ulët të Deçanit,
më 21.01.1968, në një familje të varfër, por me traditë atdhetare. Viti i
lindjes së tij (1968), më parë se sa kujtesën për ndryshimet politike që ishin
shfaqur në Kosovë, në familjen e tij kujtohej për vrragët që kishte lënë një
periudhë e gjatë e sundimit rankoviqist, ndërsa shumë prej tyre i kishte
realizuar nën hijen e miteve sakrale dhe politike të lidhura ngushtë me emrin e
mitit të Stefan Dushanit, të ringjallur gjatë shekullit XX në emrin e qytetit
të tij, Deçanit dhe të institucioneve fetare të ruajtura rreth tij. Pasi mbaroi
shkollën fillore dhe të mesme në Deçan, Ismeti i vazhdoi studimet në Shkollën e
Lartë Pedagogjike në Gjakovë, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe. Ismeti po
rritej në frymën e një rizgjimi kombëtar, në të cilën gjuha shqipe e rilindur
pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe hyrjes së literaturës shqipe
nga Tirana shfaqej në plan të parë. Veprat e karakterit letrar dhe historik
njëkohësisht Ismet Qorrajn e mbanin të lidhur me zhvillimet historike dhe
aktuale të popullit të tij. Temat e mëdha të karakterit nacional që sillnin
botimet nga Tirana, si ato për Mic Sokolin, Bajram Currin, Isa Boletinin,
Rilindjen Kombëtare, të cilat Ismeti i
lexonte me dashuri dhe i komentonte mes shokësh, nxiteshin edhe prej kujtimeve
familjare, madje të prejardhjes së babait dhe nënës së tij.
Kujtimet ishin nga më tragjiket. Ato të trashëguara nga
babai në Deçan dhe ato të treguara nga nëna e lindur në krahinën epike të Rugovës. Në netët e gjata të dimrit dhe në
odën e familjes sa e sa herë kishte dëgjuar kallëzimin e babait Avdi Qorrajt,
se si mezi i kishte shpëtuar masakrës në Tivar, më 1945 dhe për më tej kishte mësuar
nga pleqtë e familjes së gjerë, se si çetnikët e Savë Batarës kishin masakruar
më 1912 tërë fshatin Carrabreg, në mesin e të cilëve kujtimet në oda dhe epizmi
në këngët historike flisnin gjallërisht për vrasjen e Osë Qorrajt, sepse kishte
bërë rezistencë legjendare ‘për të mos e ndërruar kombin dhe fenë’.
Edhe kujtimet e nënës Zade, bijë e familjes së Xhemë
Sadrisë nga fshati Malaj i Rugovës, nuk i mungonin më pak. Prej tregimeve të
heshtura të saj kishte mësuar se si çetnikët e kishin masakruar fshatin dhe tërë
familjen e Xhemë Sadrisë. I kishte dëgjuar kujtimet e saj mes legjendash dhe
dhimbjesh të pafundme për breza të tërë familjarësh të djegur e të vrarë ndër
stinë e mote të trishta. Një shekull i tërë kolonizimesh të fshatrave, përndjekjesh
të bashkëfshatarëve dhe jetës nën hijen e xhandarëve.
Të gjitha këto ngjarje tragjike të lidhura me ngulfatjen që
kishte pllakosur Kosovën nga viti 1981 e këtej, tanimë e kishin bindur Ismetin
se, pa liri nuk ka kuptim as jeta. Kishte dhjetë vjet që Kosova ishte kthyer në
një gjykatore të madhe dhe në një burg të zi. Për një të ri si Ismeti që kishte
më shumë ëndrra se sa vite jete, Kosova ishte një dramë e madhe, jashtë të
cilës nuk mund të qëndronte as ai. Përkundrazi, me vrullin djaloshar që i
vlonte në shpirt e në zemër, ai jo vetëm nuk mund të merrte rolin e arrivistit,
sikur shprehej bashkëfshatari i tij Jusuf Gërvalla, a të indiferentit, por
pretendonte të merrte një rol të fuqishëm për të lëvizur përpara zhvillimet
kombëtare, e ky rol para se gjithash projektohej në rolet e identifikuara të
bardëve kryengritës të kombit, në rolet e identifikuara nga kallëzimet e babait
dhe të nënës.
Në mars të vitit 1989 kishte nisur së shpërthyeri një
revoltë popullore, si një vullkan i zjarrtë, i cili e kishte burimin në
700-800-900 metra thellësi të minierës së Trepçës, ku minatorët vetëm një muaj
më parë bënë grevën e urisë për tetë ditë me radhë dhe ishin të gatshëm të
sakrifikonin edhe jetën, për ta bindur botën se Kosova është e robëruar dhe
robërinë s’do ta durojë më. Ishte viti i kryqëzimeve dhe i përplasjeve të
mëdha, që tejkalonin përmasat e Kosovës, por që më parë se sa në hapësirën jugosllave
përpiqeshin të shpërthejnë në duart e shqiptarëve. Ishte viti kur serbët
përpiqeshin të rikthejnë një gjendje të tejkaluar në fund të viteve ’60, kur
shqiptarët përpiqeshin të sendërtojnë ëndrrat e tyre historike të lara me gjak
në vitin 1981, ndërsa mes tyre republikat veriore përpiqeshin të çliroheshin
nga etnocentrizimi dhe etnofashizimi serb, duke ia lidhur duart asaj me
Kosovën.
Me 28 mars 1989 Serbia po shënonte festueshëm ndonës me
tanka dhe me gjak e hekur ditën e aprovimit të kushtetutës ushtarako- policore,
me të cilën edhe de jure suprimohej çdo element i Autonomisë së Kosovës, kurse
tërë Kosova ishte bërë barrikadë në përleshje fyta-fyt me xhelatët
serbo-çetnikë, për t’ju treguar atyre që ëndrrën për Perandorinë e Car Dushanit
e kanë të kotë.
Për katër orë rresht populli i gozhdoi radhët e policisë duke
u barikaduar në kundërshtim të vendimeve të tilla, të cilat edhe njëherë
Kosovën po e kthenin nën hijen e xhandarit serb. Kishin dalë në rrugë të
gjithë, të rinj e të moshuar, burra e gra, shkollarë e punëtorë, bujq e
intelektualë, pa përjashtim dhe si një. Me vendosmëri e brohoritje sikur
përpiqeshin të gjithë, por në kundërshtimin e të ndërhyrjeve ushtarako-policore
dalloheshin më të rinjtë. Pas disa orësh, forcave policore serbe ju erdhën
përforcime të reja, të cilat hapen zjarr mbi popullin e paarmatosur. Mes
popullit, por gjithnjë në radhët e para gjendej edhe Ismeti dhe kolegët e tij
kryesisht i së njëjtës moshë. Plumbat e shkrepur nga policia e goditën Ismetin
për vdekje, por ai nuk kthehej prapa. Fjalët e tij të fundit drejtuar shokëve
ishin:
Përpara shokë, se shqiptari nuk tërhiqet
përpara plumbave të armikut!
Ja vdekje - ja liri!
Pikërisht si në veprat letrare e historike, të cilat i
kishte lexuar në bankat e Gjimnazit dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Ismeti
dhe kolegët e tij u hodhën përpara si në betejë, ndonëse plumbat përshkonin
trupin e tyre të njomë.
Ishte ora 15 e 30 minuta. Rrugët e Deçanit u lanë me gjakun
e popullit shqiptar të kësaj ane. Qyteti i zgjuar me vrullin e popullit
duarthatë, po ngrysej ende pa rënë mirë muzgu i mbrëmjes, më parë se çdo ditë
tjetër. Vullneti i një populli të tërë po shtypej me tanke, me plumba e me
zjarr. Rrugët e tij, sheshet e tij ishin larë me gjakun e martirëve të lirisë:
Agim Kuklecit, Salih Hadërgjonajt, Mujë Mehmetajt dhe Ismet Qorrajt.
Në varrimin e Ismet Qorrajt, në ndarjen e fundit nga
martiri i lirisë, populli u betua me Besa-besë
si në kohët e lavdishme të Lëvizjes së
Madhe të tij, si në kohën e Haxhi Zekës, se gjaku i martirëve do të
shpaguhet ditën e çlirimit të Kosovës. Babai Avdiu, nënë Zadja me të nëntë
fëmijë (katër djemtë dhe pesë vajzat), bashkë me popullin mbaheshin krenar që
Ismetin ia falën Kosovës.
Por, Ismeti nuk ishte vetëm asnjëherë.
Trimi i mirë,- thoshin shkrimtarët që ai i kishte shumë
përzemër, - me shokë shumë! I tillë ishte Ismeti.
As vdekjen dhe martirizimin nuk e dëshironte vetëm!
As lavdinë, vetëm për vete!
Prishtinë, mars 1995[1]
[1] Tekst i rishkruar mbi biografinë e librit të
Avdi Gjatës, Resul Bedos, Bajram Kurtit, Begzad Baliut, GJAKU I LIRISË
(1981-1995) vëllimi I, KMDLNJ, Prishtinë, 1996, f. 65-66.
[1] Tekst i rishkruar mbi biografinë e librit të Avdi Gjatës, Resul Bedos, Bajram Kurtit, Begzad Baliut, GJAKU I LIRISË (1981-1995) vëllimi I, KMDLNJ, Prishtinë, 1996, f. 65-66.