2015-03-24

ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE - REXHEP SHAHU

Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



REXHEP SHAHU




Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimin në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.
Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.
Ka provuar gjithfarë lloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineral kërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri.
Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë.
Rexhep Shahu ka botuar 10 libra : “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë, Tiranë 2011; “Apologji për Udhën e Kombit”, Tiranë 2012; “Bukën Tonë të Përditshme”, Tiranë 2014 “Qyteti i Lutjeve”, Tiranë 2014 dhe “Sytë e Lirisë” – monografi, kushtuar heroit kaçanikas Ismail Raka.
Rexhep Shahu është kryetar i Klubit të Poezisë, organizatë Kulture që synon të mbledhë bashkë gjithë poetët shqiptarë në hapësirën e tyre dhe në diasporë.




BULEVARDI I MBRETIT

Në qytetin tim jam sa hala e një pishe
Në bulevardin e madh që ndërtoi mbreti
Në kundërshtim me ata që s’e donin të madh
Bulevardin e të nesërmës së tyre të vogël.

Në qytetin tim, jam sa jehona e emrit tim të parë
Që me dhunë e për interes të parët ma ndërruan
Që unë të mbetëm me kokën pas nga emri im i parë
Dhe të mos shoh ku vë këmbën në udhën e të nesërmës.

Në qytetin tim piskama e minareve dhe meloditë e
kambanave
Nuk më thonë asgjë, s’janë meloditë e shpirtit tim,
Nuk janë thirrjet e zemrës së tokës time, të malit tim
Të cilëve nëna ime u falet dhe u bën kurban.

Në qytetin tim gjurmët nuk shkruhen thellë në tokë
Që të mos i fshijë mbivendosja e gjurmëve të reja.
Në qytetin tim fshihet përditë dërrasa e zezë
Dhe shkrimi tretet ajrit në thërmija të pambledhshme.

Në qytetin tim gomari vihet para kalit dhe tërheq karrocën
Liliputët bëjnë hatanë urrejnë Guliverin
Sakatët rendin me vrap të jenë kudo të parët
Dhe urrejnë të shëndoshët pse nuk janë sakatë.

Në qytetin tim qiellin e bëjnë dysheme, e shtrojnë në rrugë,
Shkelin nëpër të. Toka dysheme përdoret si tavan a qiell.


VETJA IME E ÇMENDUR MË THOTË

Vetja ime e çmendur më thotë
Mos më ndiq kot, lërmë të shijoj lirinë e munguar,
Më ke ndrydhur një jetë. Lërmë se
Do të bëj të gjitha gjërat që ke dashur t’i bësh ti e s’i ke bërë
Do t’i këpus prangat e moralit falls që të ka mbajt lidhur,
Do të mësoj të qeshësh pa frikë, të fërshëllesh sa do,
Ta derdhësh të qeshurën tënde hokatare në bulevard,
Ta thuash gjithmonë të vërtetën, le të dalë ujë nga ajo,
Të mos mbetesh si gjarpri nën gur,
Të mos gënjesh as para vdekjes, të vdesësh i bukur,
Të mos mbetesh rob i askujt, as i shëmtive tua,
T’i thuash mosmirënjohjes, mos t’i pafsha sytë,
Ik prej botës time, kolerë e njerëzimit. Me emrat që kanë
T’i thërrasësh gjithë të kallaisurit, hajdut e kopukë gërdhu,
Të skuqen para teje. As Presidenti s’vjen nga planeti Mars,
Që të rëndojë mbi shpatullat e tua, deputeti, ministri
Nuk janë me frymë hyjnore,
Kujtova preshin sa herë të mos u kujtohet!
Vetja ime e çmendur më thotë
Bota s’është e ikanakëve, por e qëndrestarëve që s’pajtohen
Me dhunën, që duan pa frikë, çelin lule edhe mes acarit,
Preja hundët krekosjes së sigurimsave që kullosin
Tufën e bashkëpunëtorëve të tyre të vobektë,
Për të ruajt frikën dhe dy breza njerëzorë pas vetes,
Frikën dhe gjithë pasuritë e vendit
Që i vodhën kur u shemb diktatura.
Lëri lakuriq snobët që turpërohen për nënën e tyre,
Që e çojnë të vdesë në azile,
Që duan më shumë qentë se jetimët,
Hidhe në erë kujtimin e Faraonit dhe të piramidës së tij
Mes qytetit, të kullojë e liga dhe të shuhet shpresa spiune
Për varrin në themele.
Detyroi mediat të mos përqyrren nga kurvëritë e byrosë
Politike, por të vajtojnë qëndresën e burgosur që lëpinte
Kockat që hidhnin xhelatët në kanalin e ujrave të zeza,
Që hante morrat e vet të mos vdiste!
Nxirri në shesh me dhunë Përdhunuesit,
Të nderojnë monumentin e At Zef Pëllumbit,
Të gjithë hajnat- minj zyrash suvatoi me mut,
Bëji përmendore muti mu në mes të sheshit,
Deri sa të binden të gjithë se nuk është i pazoti
Ai që punon ndershëm në zyrat e shtetit.


PO BËHEM MBRËMJE

Dalëngadalë
Po bëhem mbrëmje,
S’kam më sy,
Por dy male mjegulle.
Brenda syve dy kalorës pa kuaj zvarriten
Dhe një diell i shuar që kush e di kur ka vdekë.

Dalëngadalë po bëhem ikje,
S’kam më këmbë,
Por dy kaproj vetmie.
Në brirë kaprojsh është ngatërrua pylli,
Nuk di nga mund të dilet.

Dalëngadalë po bëhem dhimbje,
S’kam më duar,
Por dy mjellma malli.
Në krahët e tyre do ta mbaj qiellin
Dhe botën që është veç prej ajri.


PAQE S’DO TË KETË

Nga varrimet vijmë, në varrime shkojmë
Te varrosë njerëz na shkoi kjo jetë.
Derisa vrasësit ngushëllojnë në vdekje
Paqe s’do të ketë.

Nga talljet vijmë, në përbuzje shkojmë
Te përbuzë njerëz rrinë në pushtet.
Derisa shpërblehen njerëzit me përbuzje
Paqe s’do të ketë.

Nga mashtrimet vijmë, drejt mashtrimesh shkojmë
Shpërblimi me vdekje quhet jetë.
Sa të ketë shtetarë që vjedhin, vrasin shpresa
Paqe s’do të ketë.


LIRIA E VDEKJES

Luftërat e mëdha po digjen me shpejtësi
Mijëra njerëz vdesin para syve tonë të heshtjes.
Bota vallëzon me muzikën që bëjnë lopatat
Tek hedhin baltë mbi të vdekurit që harrohen.

Shakatë e mëdha po bëhen të gjitha
Shtirjet luhen në teatrin e urrejtjes që vret.
Njerëzit sot vlejnë më pak se qentë
Për të cilët bota moderne nxjerr sytë e vet.

Luftërat e mëdha po sosen me shpejtësi
Digjen në luftëra të vogla me vdekje të mëdha.
Në petkat e vdekjes shkruhet fjala liri
Liri veç vdekja ka…


PARULLA

Në brigjet e këtij viti dolën shumë plehra
Kufoma të kalbura ëndrrash me hero
U bënë digë në breg me ndalë të ligën
T’i thonë përbuzjes : Jo!

Në brigjet e këtij viti u mblodhën shumë eshtra
Të mundurish e qeniesh pa fat
U shqyen në dete të rij me ujë të vjetër
S’thanë kurrë jo, prit pak!

Në brigjet e këtij viti u mblodh mal dëshpërimi
I njerëzve që s’guxojnë të thonë : Jo!
Që fshijnë pështymën që ua hedhin në fytyrë
Dhe prapë s’thonë : Jo!

Në brigjet e këtij viti dolën shumë njerëz
Heronj që ushqehen me parulla ngado
Ngopen me parulla, refuzojnë lirinë
Heronjtë tanë kurrë s’thonë : Jo!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...