Shahbaze VISHAJ-GRAJÇEVCI
SHKRONJA I. E VIZATUAR
(Ismet Qorrajt)
Ismetin shpesh e ëndrrojmë
Në malet e Pashtrikut
Duke luftuar fyta-fyt me ujq
Atje te Guri i kufirit
Lisat pikojnë gjak
E rrezja e lirisë
Ka shkrirë Borën shekullore
Nëna çdo natë në oborr flet me hënën
Loti i saj bashkohet
me pikëllimin e hënës dhe yllit
Të cilët në çdo gurë
E ndriçojnë fjalën liri
Nën hijen e Kumbullës së vjetër
Nëna e gjyshja pushojnë
E kanë kujtim nga djali
Që ia vranë në demonstrata
Në trup të saj është vizatuar shkronja I.
Kur u nis për në demonstratë
Te Kumbulla e përqafoi fort
Nga ajo ditë frutat pikojnë lot
Sot kudo sytë e saj
Kërkojnë hijen tënde
E në dhomën e gjumit të pret babai
Ku kujtimet për ty i janë shëndrruar
Në lotore ngashërrimi
Ndërsa nëna e dëshpëruar
Ende kërkon ilaç
Për zemrën e copëtuar
Shahbaze Vishaj Grajçevci (Pejë, 27.6.1963), ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Punon në Shkollën e Mesme të Ulët: ''Hasan Prishtina'', në Milloshevë - Kastriot. Për punën edukativo-arsimore për një çerek shekulli si pedagoge e gjuhës dhe e letërsisë shqipe ka marrë disa mirënjohjeje në mesin e të cilave edhe atë ’’Mësimdhënës i dalluar’’.
Deri më tash ka botuar këto vepra letrare: ’’Shenjë dhe vragë’’ 2000, (poezi për të rritur); ’’Shtjellë dhe vurratë’’ 2004, (poezi për të rritur); ’’Shend e verë’’ 2006, (poezi për fëmijë); ’’Shiu i harresës’’ 2007, (poezi për të rritur); ’’Shtrezë në vetulla’’ 2010, (poezi për të rritur); ’’Shegë vjeshte” 2010, (poezi për fëmijë); ’’Shtatori me violinë’’ 2010, (tregime për fëmijë); “Shtigje vashërie” 2011, (roman për të rritur); “Shfletim veprash” 2011, (kritika letrare); “Shpalim vlerash” 2011, (kritika letrare); “Letërsia si art dhe interpretim poetik” (me H. Hasanin) 2011.
Libri me poezi për fëmijë “Shporta me vishnje” është libri më i ri dhe i dymbëdhjeti me radhë i kësaj autoreje.Shahbaze Vishaj Grajçevci jeton dhe vepron në Prishtinë.