(Shënime për vëllimin poetik “Mbi Arsyen e fjalës” të poetit Bujar Plloshtani nga Maqedonia )
Nga Fatmir Minguli /
Në deltat e lumejve përplasen me mijra libra poetikë për t’u futur me nxitim në oqeanin e madh të poezisë. Por oqeani është shumë i madh dhe lumejtë janë shpesh të vegjël. Sa shumë libra që botohen sot? Sa shumë poezi e sa shumë për dashurinë! A thua gëlltiten të gjitha në oqeanin e poezisë?
Por poezia është një qënie e gjallë që nuk mbetet e ngurtë , nuk fiksohet te statuja e aksh poeti dhe i kopjon siluetën e tij. Ka pak libra që ngrejnë vetë statujën e tyre. Ka pak libra që përveç autorit të tyre i pëlqejnë shumë njerëz, shumë më tepër se sa do të mendonte vetë poeti. Por gjithçka varet se ç’shkruan ky poet!
Duke lexuar me një vëmendje të posaçme librin e poetit shqiptar që jeton në Tetovë të Maqedonisë, Bujar Plloshtani, m’u larguan disi përshtypjet e zakonshme që të japin librat vetëm
me poezi dashurie, epizma dhe slogane aforizmash.
Në librin ” Mbi arsyen e fjalës” poezia e Plloshtanit sillet krejt e veçantë jo se do të godasë fort “mbi arsyen” në kuptimin më të plotë të saj, por se do të dalë me mendimin e tij personal, pa ndikime të ngurta e pa predikime të ndryshme.
Duke e trajtuar kështu filozofine e ndërtimit të poezisë së tij ai kap hapësira të mëdha, ku hapësira e mendimit i tejkalon ato gjeografike, ai duke qenë në Tetovë, është njëkohësisht nëpër botë. Hapësira witmane rilind te Plloshtani por sipas stilit të vet poetik dhe vetë personalitetit të poetit.
Në poezitë e këtij libri, njeriu ka se ç’të mësojë e pastaj të meditojë. Ndonëse poezitë e Bujarit janë të shkurtëra ato ngëthejnë tharmin filozofik të jetës. Aty gjejmë poezi të pjekura, të akorduara plotësisht me teknikat e vargut, ku gjatësia e tyre paralelizohet me atë të mendimit. Edhe aty ku duket se ka parregullsi në teknikën e vargut, prap ajo është brenda rregullsisë së përgjithshme.
Prandaj vërehet qartazi edhe një veçori e poezive të këtij libri çka është alternimi elegant i rimës dhe vargjeve pa rimë ku herë triumfon vargu i lirë herë rima paraqitet si një lirë shoqëruese në gjithë kompleksin e poezisë.
***
Këto alternative janë si të thuash edhe një lloj alkimie që Plloshtani përdor në teknikën e poezisë së tij.Edhe në botkuptimin e tij për jetën, në shumë poezi vihet re, ndihet fryma bodleriane në shikimin kriktk të gjrave dhe të ndodhive. Këto ai i sheh nën sensin e gjetjes së një rrugëzgjidhje pa u ndalur, gjithmonë në kërkim.
Kështu mund të spjegohet më mirë tendeca e tij filozofike moderne në poezitë e tij. Ai kur thotë: ku jam, ku ndodhem, në botë apo në pirg dhimbjesh”, është tepër i matur duke e vendosur lëkundësin e lavjerrësit midis optimizmit dhe pezimizmit. Me gjithatë pezimizmi për atë tingëllon ndryshe, sepse e përdor si një trampolinë të cilës ia njeh fort mirë elasticitetin dhe e bën një gradim të hedhjes së re.
Dëshpërimi, kjo kategori e poetëve, ështyë një ngas temat më të fuqishme sot në poezinë modern si në atë amerikane ashtu dhe në atë europiane. Këtë kategori Bujar Ploshtani e njeh dhe e përpunon duke e ekspozuar në të gjithë spektrin e saj. Vargjet “Paqe shpirtërore/ nuk ndihet askund/ bota si provë mistike,/ t’i hedh idetë në absurd.”, janë vargje të veçanta që të çojnë në botën e “çudirave”, janë vargje që vetëm poetët modernë të sotëm i shkruajnë.
Në vazhdim të këtyre analizave për poezinë e Plloshtanit nuk do të rri pa përmendur edhe tendencyën filozofike të poezivë të këtij libri. Diku në parathënien ë këtij libri shkruhet ” Dashuria duket kështu, tejet tipike. Edhe pse në pak vargje, ajo mbetet si një nga frymëzimet e mëdha mes filozofisë së poetit Bujar Plloshtani”.
Pa tjetër që kështu është, dashuria e poetit është pjesë e filozofisë së poetit. Mjafton të lexosh poezinë kushtuar A.S. Pushkinit dhe lexuesi e kupton fort mire idenë që ka Plloshtani për dashurinë.
Por Plloshtani është metafizik. Ai si studjues I filozofisë di t’I shohë gjërat dhe fenomenet ndryshe. Ai kërkon të largohet nga e zakonshmja, nga konvencionalja. Ai është në kërkim të arsyes së fjalës kur fjala thotë gjithçka ashtu siç thotë edhe për gjethen e zvedhur, për kitarën e zezë, trupin e gruas, qytezën e zbrazur, konteshën dhe pallatin mbretëror. Ai ka interesin që arsyeja e tij të bazohet ashtu siç thotë Emanuel Kanti: ” Çfarë mund të di, çfarë mund të bëj, [farë kam të drejtë të shpresoj…”.
Si i tillë poeti Bujar Plloshtani është një risi në poezinë e sotme shqipe, është një autor që në poezi ka mendim, ku brenda botës së tij nuk është thjeshtë vetëm dashuria ndaj gruas, por ndaj të bukurës në tërësi. Eshtë e natyrshme që nuk mund të flitet këtu për paganizëm,jo, në asnjë mënyrë. Por mund të flitet për operimin poetic që Plloshtani I bën gurit dhe pluhurit, molit dhe qytetit të braktisur.
Bujar Plloshatni po lëvron poezinë mendim.
***
Eshtë e kuptueshme se Brenda poezisë së tij gëlon shpirti i poetit me lirikën e tij të veçantë, me simbolet e gjetura dhe alegorit gati të pakuptueshme për secilin, me dashurinë për jetën dhe të dashurën, për diellin dhe hënën e gjithçka tjetër që poetët kanë për zemër. Por Plloshtani di edhe të jetë i lirë si te poezia “Çafka” apo të e mrekullueshmja poezi “Manastiret”; në poezinë “Për sytë” me një frymëzim të jashtëzakonshëm ai të jep një portret për sytë e femrës e në fund thotë: “Dy topa hënore,/ krejt botën rrotullojnë.”
Në poezinë “Gurët” me një simbolizëm të rafinuar na sjell vazhdimin e legjendave e miteve të lashtë shqiptarë të ilirëve, ku guri ishte pothuaj gjithçka.
Një gjë del shumë e qartë kur lexon me kujdes librin e Bujar Plloshtanit “Mbi arsyen e fjalës”. Është kujdesi i madh që poeti i kushton poezisë, duke e quajtur atë si një Kristal të brishtë, që tek e cek për ta përpunuar mund të plasë e të bëhet thërrime. Ai e përgatit shumë e shumë kohë mendimin e në fund e sjell kristalin të përfunduar, pa patur frikën e shkatërrimit apo të deformimit negativ.
Ky libër ka një të ardhme të madhe jo vetëm për poetin por dhe për vetë poezinë që sot kërkohet. Librat qindrafaqëshe me poezi vetëm për dashurinë përplasen atje tej në deltën e lumit duke u shtyrë me njëri tjerrin e për të hyrë në oqeanin e pamatë të poezisë së vërtetë. Por deltat janë të ngushta e nuk mund të pranojnë të gjitha përnjëherë. Ndoshta seleksionimi i poezive bëhet aty!