2015-03-22

BRENDA DRITËS SË NJË YLLI



Vjollca Tiku Pasku


Vjollca Tiku Pasku 

BRENDA DRITËS SË NJË YLLI

Sot dua të thërras një emër, Ismet Qorraj!

Heshtja qëndron si ajri i frikësuar në gjurmët e vijës që përshkon plumbi , në gjoksin e të vrarit. Sot dua ti lutem qiellit të mos zemërohet nga skenat e kujtesës në tokë.

 Pikërisht në ditën e njëzetetetë Mars disa frymëmarrje u këputën. Rrotat e hekurta të tankeve serb shfrynë mllefin e zi rrugëve të Deçanit për të shtypur demonstratën e zemrave liridashëse kosovare.

Ismet o djalë, o bir, o martir, o dëshmor!

Plumbat e zinj ndalen orët e jetës tënde. Pranvera e Marsit veshi fustanin e zi. Vesa e mëngjeseve u bë e kripur. Zemrat e të dashurve të tu vajtuan me britma dhimbjesh, spërkatjen e tokës me gjakun tënd. Zëri yt heshti në thirrjen për liri.

Oh liri e larë me gjakun e jetëve njerëzore. Liri që qëndron e mbledhur brenda grushteve të cilat tunden në ajër dhe zanoreve në fytet rinore.

 Liri fjalë me konture të lulëkuqeve që i qëndrojnë përjetësisht kohës, fjalë me veshjen e argjend të hënës , fjalë e thirrur shumë herë si dallgët blu të detit që shkumëzohen në breg.

Ismet o djalë, o bir, o martir, o dëshmor!

Ju ecët në rrugët e Decanit të kapur dorë për dore të bëre gardh ndaj errësirës serbe , për të dhënë dritën e jetës tuaj mëmëdheut , me zemrën e mbushur plot e për përplot dashuri për Kosovën heroike.
Sytë tuaj shikonin hartën e Kosovës së lirë, në buzëqeshjen tuaj shkruhej e ardhmja , në zemrat tuaja çelnin trëndafilat e lirisë.

Ismet o djalë, o bir, o martir, o dëshmor!

Parafytyroje të ardhmen pa hijet serbe, parafytyroje lirinë e mësimit dhe gjuhës shqipe, një nga gjuhët më të lashta të botës, më e ëmbël ligjëruar nga fiset dardane.

Parafytyroje valëvitjen e flamurit shqiptar në flladitjen e stinëve. Ti parafytyroje si mund të puthje një copëz flamuri e të ndjeje shijen e lirisë.

 Ti parafytyroje si mund të ndihet zemra e lirë në vendin e shqiponjave. Ti parafytyroje të qeshurat e lumtura të fëmijëve dhe paqen e ëndërruar.

Ismet o djalë, martir,o dëshmor!

Ti je një yll i përjetshëm. Në heshtjen e kuqëlimit tënd , në paqen e misterit tënd nga sytë e qiellit ti sheh lirinë.

Por ah sikur kjo liri frytdhënëse të ishte e shoqëruar me buzëqeshjet dhe fjalët e sinqerta të ishte një liri e butë, e ëmbël dhe jo e egër, e varfër....

 Në dritën e yllit tënd të pavdekshëm emri yt do përkujtohet brezave për tu nderuar gjithmonë si Ismeti liridashës.

 Ngjyra e kuqe e yllit tënd dhe yjeve të tjerë që ranë për liri ndriçon Kosovën heroike. Lavdi veprës tuaj!


(Vjollca Tiku Pasku lindur ne Fier 1969. Mbaroi gjimnazin dhe vijoi per teknologji ushqimore. Aktivitetin letrar e ka filluar qe ne bangat e shkolles , panvaresisht se botimi i pare letrar "Fizarmonika e ndjenjave" i perket vitit 2013.Tre libra te tjere presin driten e  botimit ne  poezi dhe proze. Eshte  bashkeautore ne disa libra, dhe fituese e  cmimit te lexuesit  ne gazeten Telegraf.Jeton dhe vepron në  Fier).

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...