2015/03/24

ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE - MEXHID MEHMETI




Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE





MEXHID MEHMETI



Mexhid (Abedin) Mehmeti u lind më 11 qer­shor të vitit 1948 në Zhu­ni­cë të Pre­she­vës. Filloren dhe gjimnazin i kreu në Pre­she­vë, kurse Fakul­te­tin Filozofik, degën e gju­hës dhe letërsisë shqipe, në Universitetin e Koso­vës në Prishtinë.
Ishte profesor i gjuhës dhe letërsisë shq­ipe në Qendrën arsimore "Skën­derbeu" në Preshevë. Pu­noi përkthyes e gazetar në "Flaka e vëllazë­ri­mit" në Shkup. Ndërkaq, nga viti 1985 e deri në përfundim të luftës së fun­dit në Kosovë, punoi ga­zetar dhe redak­tor i kulturës në "Rilindja" - "Bu­jku".
Është prezantuar në disa antologji po­e­tike, në mesin e të cilave edhe në "Poets for world peace" të Akademisë Botërore të Paqes "Stefan Gil" të Ka­na­dës, pastaj në disa tekste universitare, leksikone, albume, boti­me kri­tike etj., në shqip, anglisht, gjer­ma­ni­sht, rumunisht, boshnjakisht, kinezisht, mo­n­­go­lisht e gjuhë të tjera.
Në dy mandate ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Ko­so­vës, ku ish­te i anga­zhuar në shumë aktivitete, për­fshirë këtu edhe juri­të, komisionet e shumta etj.
Është fitues i disa çmimeve në poezi, kurse më 2006, për romanin "Shta­të ditë pas vdekjes", mori çmimin "Hivzi Sulejma­ni", të cilin LSHK e nda­në për veprën më të mirë të vitit të botuar në prozë.
Që nga paslufta jeton dhe vepron në Prish­tinë, përkatësisht në Fushë - Kosovë.
Bo­toi këto vepra letrare:

Poezi
"Klithje e përmallim", 1977
"Frymëmarrje", 1984
"Peizazh i ngrirë", 1994
"Rikthim dhembjeje", 1998
"Pikë në zemër", 2005
"Përtej harrimit", 2008

Poema
"Presheva", 1998
"Pallati me yje", 2006
(poemë për fëmijë)

Tregime
"Lumja", 1982
"Puthja vrastare", 2003

Novela
"Hija e korbit", 2005
"Zgafella e hutinit", 2005

Romane
"Shtatë ditë pas vdekjes", 2006
"Furtuna", 2007
"Lëmë derrash", 2010
"Ishulli i vdekjes", 2012
"Tuna", 2012
"Kalvari", 2012

Romane për fëmijë
"Çamarrokët I",2015
"Çamarrokët II"2015
"Çamarrokët III"2015

Drama
"Zibardhët", 1998
"Monstrumiada", 1998
"Ëndërroj për një ditë", 1998
"Vdekje e hijshme", 1998

Publicistikë
"Njeriu që rrezonte mirësi", 2010 (epa­­­­bo­­tuar)

Në gjuhë të tjera
"Poezi të zgjedhura", kinezisht, 2010
"Gatanje" (Fall), boshnjakisht - ang­li­sht, 2012
"Naopta lunga" (Natë e gjatë), ruma­nisht, 20­12
"Anatomia del dolore" (Anatomia e dhe­m­b­jes), italisht, 2013
Botimin e presin edhe 12 dorëshkrime të gatshme për shtyp.



MBETËRESHA IME MUZË

mbretë­re­sha ime muzë
pati dëshirë të marrë
të më shndë­­rro­jë
në luftëtar sozish e kafkash
më donte të tillë po­et

në tokën kafkiane
këtë mund ta kenë dëshiruar
shumë­­kush
por tashmë nuk gjen­deshin
kafka të tilla dashurish

mun­gonin gozhdëta­rët
të kalëronin harbu­eshëm
qiellit me qerre di­elli

tashmë
të ardhurit po villnin
po seksonin pabesisht
veshur me këmishë qash­­tërore

po më goditnin fort
me ve­të­ti­ma sëpatash
të ma fshinin nga kujtesa
mollën e kuqe

më rrihnin pamëshirshëm
t'më shndë­rronin në moshtër
që kullot fush­tirave të mortit
ndaj pa asnjë hezitim
këmbeva shpa­­tën me penë
dhe përjetova
ekstazë (ri)n­gjalljeje

tashti
ngjallem pas çdo fjale
pas çdo var­gu
pas çdo rime besoj

tashti
me fyellin tim kan­gjelor
me pasionin e lulimtë
pas atij (ri)zgjimi biblik
shumëkujt do t'ia prishi
gju­min shekullor

nga sot e tutje
këmisha e bar­dhë në trupin tim
nuk do të jetë e bardhë
as dita e zgji­mit
nuk do të jetë
dita e gjykimit
ndaj
mos më fajsoni
kur t'më gro­posni
atje ku "rrojnë" të vdekurit
në vend­­gjue­titë e për­hershme
të qetësisë hesh­take

o zot
do të më m­u­n­gojë shumë
vetëm mbre­të­resha ime muzë

2012


VARGJET QË S'I SHKROVA

m'kanë zënë ngushtë
vargjet që s'i shkrova kurrë
m'akuzojnë (pa)drejtësisht
përse (nuk) shkrova
(më) shumë për dashurinë
për dashuritë
dashuriçkat

m'kanë zënë ngushtë
vargjet që nuk i shkrova
më pyesin (jo)qëllimisht
ku ndodhen tash
ish të dashurat e mia

m'kanë zënë ngushtë
vargjet që s'i shkrova kurrë
parakalojnë para meje
si në rreth vallëzimi
e ma mbajnë gojën mbyllur
t'mos e them përgjigjen

më kanë zënë ngushtë
vargjet që s'arrita t'i shkruaj
duan të shndërrohen në yje
ndoshta
për t'u parë më mirë
kujtimeve të brishta

m'kanë zënë ngushtë vargjet
që s'munda t'i shkruaj dot
m'akuzojnë (pa)drejtësisht
në këtë moshë të pa moshë
sepse e tepërt është tash
letra e bardhë -
e kotë joshja e saj

m'kanë zënë ngushtë
vjershat që s'arrita t'i shkruaj
janë shndërruar n'ofshamë
të gjitha
tok me të gjitha
ish të dashurat e mia
të cilave s'ka kush ua shkrinë
as me hukamë
lotin e gurëzuar n'qepallë
2013


NDJEHEM MBRET

kam vuajtur shumë
nga smundëri
e merakut të përtejmë
nd­o­­­në­­se
me këmbanë ringjalljeje
më gufmoi ylli i fatit

anedon kam rrojtur
si vetmitar
i bregut të nostalgjisë
këtu në konti­nen­­tin më­më­lin­dës
me mollën e kuqe në zemër

edhe sot
si ngahera
rroj ve­tëm në askundëri
të botës imagjinare
përplot errë­si­rë

megjithëse jam ndjerë mbret
përherë
se­pse
gjatë gjithë kohës
gjithjetësia
si mister i të lashtit gulm
dhe dashuria bukurillahtare
ma cungonin
mëmëdheun fatpadalë
duke ngujuar
legjendën tragjike
të të zezës hijeshi
të mortit

2012


TESTAMENT

nëse vdes nesër
për mua
mos thuani asgjë
as mos i përlotni sytë
por heshtni
heshtni më tepër se një minutë

sa isha gjallë
një minutë hesh­tjet
më patën ardhur maje hunde

tash së vdekuri
më shfletoni faqe për faqe
nga­dalë e qetë
gëzueshëm

a nuk është thënë
sa e sa herë
jeta shkru­an romane

vetëm këtë herë
më besoni në fjalë dhe...
nëse e takoni të dashurën time
i thuani se
nuk është bërë kijameti
në shkretëtirë
ende mbre­të­ron
vapa përcëlluese
kurse në polin e veriut
bukuria vrastare
e bardhë e ftohtë
t'i verbon sytë
n'damarë ta ngrinë gjakun

kur të vdes
mos më vishni
si babain tim
me kostum solemn
mos më vëni kolla­re
si lak ekzekutimi n'qafë
as këpucë të reja
mos më mbathni
atje ku do të më shpijeni
nuk ka kush t'më thotë
i shkefsh me t'shëndoshë

në varrimin tim
nuk dua askush të mbajë fjalim
për të fituar poen politik
në varrimin tim
nuk dua as hoxhë
as pop
as prift
parajsën duhet ta kem merituar
pa ndihmën e tyre

ju të mirët
sypërloturit e mi
më shpjeni në varr
të nyndë
mbuluar me libra e fletore
vendet më intime

ose më mbështillni
me letrën e shkruar me jetë
nuk më duhen sarkofag
tabut a qefin
atje ku krim­bat
do ta bëjnë punën
pa e pyetur askë

nesër nëse vdes
më varrosni so­lemnisht.
me këngë vaji në buzë

në për­jetësi më përcillni
dhembshëm
ashtu siç e përcolla dikur
tek tjetri
të dashurën time
vdekur për së gjalli
2013


SERIOZISHT

a të kujtohet
si m'pate thënë
ditën e fundit
që bëmë dashuri

seriozisht
m'pate thënë
se jam tepër skeptik
dhe tepër egoist
kurse ty të duhej
një person normal
që nuk rron
mes botëve imagjinare

je i sëmurë
tapë i dehur
ndoshta edhe i droguar
më pate thënë
me gjithë mend

seriozisht
m'pate thënë
se nuk e pëlqeje
muzikën që dëgjoja
as vallet që vallëzoja
as filmat që shikoja
madje as librat që lexoja

janë ngarkesë shpirtërore
nuk kanë lidhje as me art
më pate thënë
dhe vazhdimisht
më shaje
e më kërcënoheshe
me fjalët
idioti im
mos
mos ma prek prapanicën
mos më kafsho
mos i fut hundët kudo
as gishtat
mos
mos
mos

sa herë
duhet ta përsëris këtë
më thoshe
teksa bënim dashuri
si të çmendur
përsëri
e përsëri
e përsëri

2013


DITËN QË MË LAGU SHIU

ditën që më lagu shiu
librin tënd
e kisha me vete
në xhepin pranë zemrës
e ruaja me xhelozi

shiu nuk na kurseu
as mua as emrin tënd
të shënuar në kopertinë

isha ndjerë keq
jo për veten e qullur
sa për librin
që e pësoi
nga pakujdesia ime

njëjtë isha ndjerë
edhe kur i lexoja
poezitë tua
në librin e lagur

isha tepër i pikëlluar
gjatë tërë kohës
sa tereshim me librin
pranë oxhakut
që ma ndizte zemrën flakë

drita magjike e zjarrit
përflaku ndjenjat
dhe dashurinë time
duke e praruar me ar

2014


NË TY SHOH TË GJITHA GRATË QË I DESHA

të gjitha gratë
që i pëlqeva dikur
tash i shoh në ty

të gjitha gratë
ama të gjitha
edhe ato
që nuk kam gu­xu­ar
t'ju flas
edhe ato
që nuk kam guxuar
t'ju buzëqesh

sepse në ty
gjendet krejt ajo
që kam parashikuar -
jeta që dikur e kam men­duar

tash më thuaj
si duhet të veproj
çfarë duhet të bëj
që t'më besosh
për atë që po ta them

ndoshta mjafton
të të shtrëngoj me du­ar
të të puth me buzë
të të shikoj me sy
apo vetëm të t'i dëgjoj fjalët
që do të m'i thuash
pas kaq kohësh memecërie

më trego
çka duhet të të them tjetër
që t'më besosh
se në ty gjenden
të gjitha ish gratë e mia
të gjitha gratë që i desha -
dëshirova
sepse tash
je vetëm ti e dashur
e në ty ato
të gjitha

2013


No comments:

Post a Comment

Urrejtje dhe protesta anti Tesla

Qindra protesta në dealershipet dhe ekspozitat e Tesla në të gjithë botën u zhvilluan të shtunën, duke shfaqur një rezistencë globale kundër...