Autorja e përmbledhjes me poezi, “Përtej lajthitjes”, poetja e re Flutur Mustafa ka lindur në Ulqin. Në intervistë ajo sqaron raportin e saj me poezinë, tregon motivet që e shtyjnë të shkruaj, ndikimin nga autorë të caktuar, relacionin me zhanret e tjera etj.
Pse shkruani?
Të pyesesh një shkrimtar pse shkruan ,është sikur të pyesesh një zemër, pse dashuron , ose thjesht pse merr frymë. Nuk e ka një “sepse” të qartë, por mund të them se shkruaj për t’u ndjerë gjallë.
Çfarë motivesh kanë poezitë e juaja?
Poezitë e mia kryesisht përshkruajnë unin e brendshëm dhe atë se çka ndjej unë . Do të thotë poezitë e mia e mbartin epitetin e “shpirtit në letër” . Motivi kryesor është dashuria , ndjenja e atdhedashurisë edhe ajo midis një motre dhe një vëllai.
Çfarë ndikimi mendoni se mund të ketë poezia te njerëzit?
Poezia është ajo pasqyra e cila e bën të bukur edhe atë që është e shtrembëruar prandaj duke qenë e tillë mendoj se poezia shfaq më të mirën tek njerëzit.
Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?
Nga autoret shqiptarë dalloj Ismail Kadarenë dhe kolosin e letersisë shqiptare, Ali Podrimja, kurse të huaj Maya Angelou dhe Edgar Allan Poe.
A mund të jetohet sot nga arti i poezisë?
Fatkeqësisht sot nuk mund të mbijetosh nga poezia. Por jam e bindur se duhet jetuar për të shkruar poezi dhe secila poezi duhet jetuar.
A shkruani vetëm poezi apo edhe zhanre të tjera?
Poezia është vetëm një pjesë e asaj se çka shkruaj unë. Shkruaj tregime dhe novella, mirëpo nuk kam arritur akoma ta bindë veten për t’i botuar. Në mes tjerash theksoj edhe përvojën time të parë në dramaturgji duke e thënë me fanatizëm dhe me krenari se jam autorja e tekstit dramaturgjik të Shfaqjes “Servantes dhe Dulcinea”, shfaqje kjo e realizuar në Ulqin , e dhënë në Prishtinë , Tiranë , Durrës dhe Bijelo Polje.
Cilat janë synimet tuaja si krijuese?
Nuk më pëlqen ta quaj veten krijuese, sepse në bote ka vetëm një krijues. Mirëpo planet e mia në fushën e artit nuk kufizohen vetëm në letërsi. Kam për qëllim që të profesionalizohem në fushën e dramaturgjisë dhe aktrimit , dhe kjo në një të ardhme të afërt.