Nga Qazim Berisha(Prishtinë)
STUDENTI EMBLEMATIK QE E DESHI LIRINË MË SHUMË SE JETËN
( Me rastin e 26 – vjetorit të rënies heroike të Ismet Qorraj dhe martirëve tjerë…)
Kësaj toke martire kurrë nuk i kanë munguar burrat, kurrë nuk i kanë munguar bijtë dhe bijat për t’i dal zot atdheut, i tillë ishte studenti qe kishte bukurinë e rrezeve të diellit, njëzet e një vjeçari Ismet Qorraj nga Carrabregu i Ulët i Deçanit.
Ismet Qorraj lindi me 21 janar 1968 ne fshatin e martirizuar Carrabreg të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në Carrabreg ndërsa të mesmen e kreu ne gjimnazin “Vëllëzërit Frashëri” në Deçan.
Studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Gjakovë.
Babë Avdiu dhe nënë Zadja kishin lindur dhe rritur dhjetë fëmijë (pesë djemë :Xunin,Smajlin,
Muhametin,Xhevdetin dhe Ismetin dhe pesë vajza:Ajmanin,Ajshën,Kumrinë,Ganimetin dhe Valbonën ), të gatshëm kurdoherë për të sakrifikuar për lirinë e atdheut.
Ishte pranvera e marsit 1989, kur qiellin e Kosovës e kishin mbuluar re të zeza si kumt për një plojë gjaku për të hapur varre e për të lëshuar gjëmë të madhe.
Më 23 mars 1989, pas një mbledhje të gjatë në Kuvendin e Kosovës, i cili ishte vënë në rrethim të hekurt nga forca të shumta policore, ku u suprimua Autonomia e Kosovës.
Kushtetuta pesëmbëdhjetë vjeçare (1974-1989) më 23 mars 1989, ndërroi jetë, sepse ishte ngulfatur nga Sebia fashiste dhe ishte shkelur me tanke duke u varrosur para syve të botës.
Kjo vdekje e dhunshme e Kushtetutës së Kosovës nuk kishte prekur fare ndërgjegjjen e Republikave jugosllave, duke mos menduar se kryetari I Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq po fillon me Kosovën për të vazhduar me Republikat tjera.
Populli i Kosovës nuk kishte çka të humbas më shumë përveç prangave të robërisë, u ngritë në këmbë i madh e i vogël, nuk heshti, por ngriti zërin dhe u hudh në Demonstratat e fuqishme në tërë Kosovën.
Ishte 27-28 Marsi 1989, ku sheshet e Kosovës po lahen me vrushkuj gjaku të bijëve dhe të bijave më të mirë të popullit.
Në Prishtinë bien edhe martirët e parë dhe gjithë andej Kosovës.
Në Deçan bie studenti i dalluar Ismet Qorraj, sypetriti qe nuk di cka është frika.
Babë Avdiu dhe nënë Zadja kur moren kumtin nuk derdhen lot, as motrat nuk morën kujen, as vëllezërit nuk u ligështuan.
E tërë familja dhembjen e madhe e kishin shndërruar në forcë.
Ismeti nuk ishte vetëm , përkrah tij ishin edhe shoket e idealit që ranë në altarin e lirisë , Salih Hadërgjonaj, 19 vjeçar nga Vokshi i Deçanit, Agim Kukleci, 31 vjeçar nga Isniqi dhe Mujë Mehmetaj, 36 vjeçar nga Mazniku i Deçanit.
Më 27-28 Mars 1989, toka e Kosovës po i shtërgon në damart e vet më shumë se 25 martirë që ranë për mos të vdekur kurrë.
Për të mos u mbetur borxh këtyre martirëve po i radhisim ashtu siç ranë në altarin e lirisë:
Prishtinë: Ismet Krasniqi nga Grashtica e Prishtinës, Sevdat Berisha (Xhafolli) nga Drenoci i Prishtinës, Shukrie Obertinca nga Lismiri i Fushë Kosovës, Vetim Shala nga Nasheci i Prizrenit dhe Mustafë Veselaj nga Reçani i Therandës.
Mitrovicë:
Bedri Hasani nga Mitrovica, Ramadan Zeqiri nga Kopiliqi i Epërm i Skenderajt, Hakif Bislimi nga Koshtova e Mitrovicës, Behram Sumiqi nga Reshani i Mitrovicës dhe Hilmi Kajtazi nga Vitaku i Skenderajt.
Besianë:
Mehmet Ejupi nga Sekiraça e Besianës dhe polici shqiptar Jetullah Kuçi nga Theranda, për të cilin Serbia u mundua t’i fajsojë demonstruesit llapjan, duke e fshehur dorën e vet vrastare.
Prizren: Xhemshit Badallaj,Gjylbehar Badallaj dhe Hajrim Badaj qe vetëm 11 pranvera i kishte shijuar, te gjithë nga Zhuri i Prizrenit, si dhe Muharrem Kabashi dhe Afrim Bytyqi nga Arbana e Prizrenit.
Malishevë:
Plumbave gjakatar nuk u shpetuan as fëmijët 11 vjeçar Din e Arsim Paçarizi nga Dragobili i Malishevës.
Gjilan:
Agim Rashiti nga Draganci i Gjilanit …
Atë ditë kur në Kosovë po lahej gjaku me auto topa nëpër sheshe dhe rrugë të Kosovës dhe po hapën varre gjithë andej Kosovës për t’i varrosur martirët e lirisë, Serbia gjakatare po feston dhe po i cakërron gotat në shenjë fitoreje që varrosi Kushtetutën e Kosovës, por jo edhe gjatë më shumë se dhjetë vite ,sepse Lufta jonë Çlirimtare e UÇK-së përgjithmonë largoi shputat karpatjane nga toka jonë shqiptare.
Lavdi e përjetshme gjithë brezave ndërshekuj që gjakuan lirinë e Kosovës dhe gjithë atyre që derdhen gjakun për ketë liri qe po e gëzojmë ne sot. LAVDI!!!