Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
BEDRI ZYBERAJ
Bedri Zyberaj lindi me 6.05.1963 në Drenoc të Rahovecit. Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje ndërsa atë të mesëm në Rahovec.
Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, i ka mbaruar më 1988 me notën mesatare 9,53. Tri vjet ka qenë Bursist i Universitetit dhe në vitin e fundit të studimeve është shpërblyer me Mirënjohjen ,,Student i dalluar".
Për shkak të diferencimit të atëhershëm ideopolitik, deri më 1993 ka qenë i papunë. Vetëm në vitin 1993 ka filluar të punojë në fshatin e tij të lindjes ku a qenë arsimtari i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, punë të cilën e ka vazhduar deri më 1998.
Gjatë viteve 1998-1999 ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe epror i saj, ndërsa pas përfundimit të luftës, ka qenë i sistemuar në Akademinë e Mbrojtjes ,,Hamëz Jashari” në Prishtinë, me detyrën e pedagogut të lëndës Formim atdhetar. Paralel me këtë ka qenë dhe Komandant i Shkollës për Oficerë të lartë.
Më 2003, në Universitetin e Prishtinës, e ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull ,,Fenomeni i luftës në romanet ,,Për kë bie kambana" të Ernest Heminguejt dhe ,,Hasta la vista" të Petro Markos” dhe kam marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave filologjike.
Vazhdimisht ka treguar interesim për letërsinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Me krijimtari letrare merret nga vitet e hershme te rinisë dhe me 1998, Shtëpia Botuese ,,Rilindja” e Prishtinës ia ka botuar librin me poezi ,,Dromca vitesh" (1998)
Nga viti 1990 e këtej ka botuar një mori shkrimesh (kritike dhe recensione) brenda dhe jashtë Kosovës si dhe ka marrë pjesë me kumtesa e referate në tryeza e simpoziume dhe konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë shtetit të Kosovës (Shqipëri, Poloni) ku është paraqitur me një kulturë dhe nivel të kënaqshëm shkencor.
Është anëtarë i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës nga viti 2000.
Në maj të vitit 2013 ka botuar librin me kritika dhe studime ,,Në gjurmë të arketipave”, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Më 16 maj 2014 është zgjedhur drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ,,Pjetër Bogdani”.
NË SYTË E TU
Në sytë e tu
Notojnë mendimet e mia
Për jetën
Për vdekjen
Nganjëherë vdekja është jetë
Nganjëherë jeta është vdekje
Unë nuk di në cilën kohë jetoj
1985
REKUIEM
Në katundin tim
Çdo vit vdesin
Fëmijë-gra-burra-pleq
Secilin e varrosin
sipas masës së vet
22 korrik 1992
KOSOVËS
Oazë e vetme në Evropë
Me fshatarë kryepërpjetë
Kosova
Askujt s’i ka hak
Çdo ditë më vret
Pak e nga pak
Prill 1993
DËSHPËRIM
Zotynë
Sa të fortë ishim kur shkruanim në gurë
Sa anemik jemi nën dritat e neoneve
Sa me besë ishim kur patëm shpata në dorë
Sa vëllavrasës u bëmë në udhën e shkronjave
Sa mirë shihnim nga majat e maleve
Sa të verbër jemi pranë llambadarëve
Zotynë
Sa madhështor qemë në vogëlsinë tonë
Sa të vegjël u bëmë me madhështinë tonë
Prishtinë,
Me 9.XII.2011
TRETËSIRË E NGOPUR
Dikur
Etje kishim për ço gjë
Përveç robërisë që shpirtin n’ fyt na kish sjellë
Tani
Edhe me lirinë u ngopëm
Rrugëve të jetës ecim si tretësirë e ngopur
qershor 2013 –Prizren
(S)JAM VETVETJA
Kur matem me hijen e mëngjesit
Zemra mal me behet
Here ujë
Zeniti me zymton
Përmasa reale
Me kapit
Me kapit përpjekja
Për te qene vetvetja
Tiranë, 16 dhjetor 2014