Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/17

PROFILI POETIK I POETES SABRIE SELIMAJ



Xheladin
Nga  Xheladin A. Çitaku

– Në rrethanat dhe mundësitë e sotme të plasimit të përgjithshëm, publikimet letrare në mediumet virtuale zënë vend të gjërë dhe përmbushin hapsira të konsiderueshme, duke shpërfaqur botën krijuese të secilit që posedon talentin në këtë fushë. Mundësia dhe shumësia krijojnë parakushtet e pëzgjedhjes së cilësisë, pastaj, edhe në formën e percepcionit virtual (jo vetëm nga e botuara), në një qasje reale të mirëfilltë të kësaj prodhimtarie, duke bërë sistemimin meritor të derivimeve letrare nga elaborimi më i hollësishëm i materies.
– Në mesin e shumë emrave që meritojnë vëmendjen e opinionit letrar, të cilët defilojnë përditshëm në mediumet e rrjeteve sociale, është një poete me produktivitet të lartë poetik që ka krijuar një pozicionim solid në arealin letrar, të shprehur në këtë formë (virtuale). Në përditësimin e profilit të saj dhe në grupimet tjera, të ndryshme, titrizohen tituj që përfaqësojnë motive nga më të ndryshmet, rrjedhën e përgjithshme të jetës, aspektet karakteristike të përjetimeve dhe transponimin e tyre përmes vargut; pikëzimi i realitetit jetësor në realitet artistik. Është një mozaik i motivimeve të cilat frymëzojnë poeten për t`i pasqyruar, për t`i përshkruar, gjithnjë të ingranuara brënda botës ndjenjore të saj dhe në përshtatshmëri të frymëzimit që rrjedh në këtë vazhdë. Në këtë shtrirje reflektohet jeta, jo vetëm si nocion por edhe si kuptimësi, në gjithë kompleksitetin e saj; përjetimet e përpunuara artistikisht, ndijimet e kultivuara në vargun poetik, pasuria e imagjinatës krijuese, sidomos aftësia e akomodimit të dukurive dhe fenomeneve brënda pikturimit të poezisë, ngjyrimi i vargut në koloritin shpirtëror.


10917421_492648137541088_7265093379730980893_n
SABRIE SELIMAJ


Bagazhi krijues i Sabries përmban kuantitetin e bollshëm, i cili qëndron në raport të harmonizuar me kualitetin dhe në raport simetrie me ravijëzimin e përgjithshëm të frymëzimit artistik Si e tillë, poezia e Sabries, potencialisht synon pozicione stabile dhe të dukshme përballë opinionit letrar, duke ofruar gjithanshmërinë perceptuese, elementet që e shquajnë atë, ndërthurjen e figuracionit në stolisjen e strofës dhe formatit poetik, lehtësinë komunikuese me lexuesin, thjeshtësinë dhe koncizitetin e shprehjes. Kjo ideotematikë gjenë shtrirje gjithandej në reflektimet e titulluara dhe të figurëzuara, në vazhimësinë transformuese të saj. Në një vështrim më të përqëndruar vërehet se poezia e Sabrie Selimajt shtrihet në një konturim stilistik që ngërthen konsistencën e shëndërrimit në ligjërim poetik të dukurive, fenomeneve a vetive të karakterit individual. Aftësia e poetizimit të këtyre shpërfaqjeve jetësore përbën talentin shprehës, të shpërndarë në formatet e njohura poetike:
“Gerrvishtë me thonjë tokën
t`i nxjerr rrënjët e trishtimit
t`i shkulë me plis, siç është
buzëqeshjen t`i kthej shpirtit…”
 ( U lodha me Lotin ).
– Profilizimi poetik i Sabrie Selimajt, ngërthen cikle të ndryshme, të diferencuara për nga aspekti përmbajtësor, trajtimi temor, motivimi, mënyra e shtjellimit, duke ravijëzuar formacionet ndjenjore, përvijimet imagjinare dhe format e dimensionet tjera që specifikojnë qenësinë e realiteteve të poetizuara në tërësitë poetike. Kështu, struktura poetike mund të sintetizohet në grupime të veçanta të një rezonimi përfaqësues të definimit motivues dhe shtytjeve: Gjendja shpirtërore, si përjetim real vjen e përshkallëzuar në sfondin e ndjesive, në formën e poezisë si përkushtim ndaj vendit (atdheut), e cila përbën opusin e preokupimit për të përgjithshmen, kombëtaren, sublimen:
“Mëmëdhe, vend i bekuar,
mjaltë i shpirtit çdo shqiptari
tokë e larë me gjak n’beteja
kënga jote flakë si stralli …” 
( Mëmëdhe ),
– Pastaj, ajo që pasqyron jetën brëndja rrjedhës së kohës, dukuritë sociale, zhvillimet shoqërore, shkak-pasojat e këtyre zhvillimeve, karakteristikat grupore që interferojnë në kahëzimin e rrjedhave dhe dukuritë tjera vrragëlënëse, pikturojnë poezinë sociale të Sabries, e cila përcjellë oscilimet e diagramit të karakteristikave të përgjithshme të rrjedhimeve në përditësi, ofron koloritin e përshkrimit të dukurive në vargënimin adapt me vrojtimin e jetës, veprimit dhe reagimit të shfaqjeve dhe të përballjes. Poetja sfidon në mënyrën e saj, shpërfillë tendencat për strukturime devijante të karakterit shoqëror me demarsh shpirtëror:
“N`dritaren e shpresës shikimi zbehur,
n`vështrimin hedhur zhgënjimi krehur
n`pragun e harresës zhvendosur tutje
n`harkun kohorë, lotë, dhimbje, puthje…” 
( Rrëpira dëshirash ),
– Ëndërrimi real apo i paragjykuar përfaqëson një botë komplekse, të cilën mund ta pasqyrojë vetëm poezia, një gjendje shpirtërore mbushur emocione, vërshime imagjinare, thellësi ndjenjore si përjetim i njëmendët a stad i dëshiruar ndijimi. Tejkalimi koshient i vetvetes në synimin e sendërtimit të kësaj ndjenje, përkushtimi i çdogjëje për jetësimin e saj, përbën elanin që përfaqëson elementi i motivit të dashurisë në poezi; të dashurisë për jetën, për njeriun, për dlirësinë shpirtërore, për të bukurën e të lartën (artin), për të veçantën si vlerë:
“Ëndrrat të përgjumura të thërrasin
Duan t`i shoqërosh ne udhëtim,
Sytë mbyllin qepallat, filmojnë
Në aventurat e ëndrrave pa mbarim…”

 ( Shpirti Thesar i Etur )
– Kohështrirja poetike e Sabrie Selimajt kap edhe dimensione të aspektit refleksiv, duke pretenduar fushën e abstraksionit shprehës dhe kuptimësitë e ndërtimit lirik; konfigurimin, animimin, metaforizimin e kategorive të strukturuara brënda formës, kryesisht standarde, bartur dhe nga subjekti lirik, të domosdoshme këto në sajimet poetike, duke përmbushur, kështu, kërkesat e potencialitetit të këtij lloji të poezisë:
“Do këndoj në bregun e detit, dëgjom
Do valëzojnë dhe valët e tij qetë, qetë
Do bëhet xheloz dhe ylli i mëngjesit
Do mahnitet hëna, do largohen retë…” 
( Do të Këndoj ).
– Sabria eksploron suksesshëm këto fusha, trajton gjithanshmërisht këto motive, në gjerësi dhe thellësi, ndërton botën e saj poetike, duke përmbushur përmbajtësisht atë, duke komponuar aspektin stilistik dhe intonativ, metrikën, ritmin e melodiozitetin, duke skalitur skulpturën e profilit të saj letrar. Ky është universi poetik i Sabries. Poezia e Sabries ka kapacitetin e përmbushjes së këtyre kërkesave dhe përballon lehtësisht adoptimin e këtij vëllimi në formën e përmbledhjes poetike, si editim konvencional drejt objektivit për të cilin është krijuar, drejt lexuesit të pasionuar pas artit poetik. Aspekti cilësor ofron knaqësinë e shijimit të këtij arti, duke servuar poezi të nivelit meritor, përkushtim serioz dhe investim të madh të kapitalit intelektual, të cilin e posedon autorja e këtyre poezive; Gjithanshmëria e trajtimit qëndron në themelet e krijimtarisë së Sabries, është veçantia që i jep identitetin poetik, që spikatë origjinalitetin krijues dhe kujdesin e vaçantë për të prodhuar vlera të mirfillta. Receptori ka çfar të kërkojë në profilin e Sabries; aty është një arsenal i tërë i vlerave të artit poetik.

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...