Skënder Zogaj
Balada për zogjtë e valsit diellor
(Dëshmorit Ismet A. Qorraj me shokë)
Imja është piktura me sytë e përlotur
Edhe qielli ngjyrë ulliri sipëri Deçanit
Plot me zogj gjoks shpërthekuar,
Të zjarrtë dhe kryengritës
Si meteorë vezullues plot avaz
Që shpirtin e vet e bëjnë kurban
Se nuk e durojnë jetën në kafaz.
Zogj drite me flatra trëndafili
Përhapës magjik të valsit diellor
Ndër shtatë palë toke e qielli
me dashurinë hyjnore për Liri
Kundër ujqve të mallkuar e dinak
Gjithmonë të etur për gjak...
Në këngë është trimëria e zogjve
Prandaj gjithmonë vdesin duke kënduar
Si n’atë ag pranvere kur zaret u hodhën
Dhe n’pikturë u shprushën lulëkuqet
Që kurrë më t’mos kishte strehë për korba
As për këlyshë të zinj bushtre
Që i ulërijnë Hënës…
Nata ofshau zemërplasur nëpër konaqe
Por agimi u rilind me dritë zemre, o mik -
Shih zogjtë e valsit diellor që puthin qiellin
Në Carrabreg, në Voksh e në Maznikë...
(Mars
2015)
No comments:
Post a Comment