Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/19

Impresione mbi poezinë e Andi Meçajt

ATY KU FLE GURI I PARË THEMELTAR I NGREHINËS POETIKE...



nga FLURANS ILIA -FLURKA-

Falë të mrekullueshmes faqe virtuale letrare mbarëshqiptare ®seguraweb (duhet theksuar ky fakt!), nëpërmjet së cilës përherë kemi mundësi të njihemi me autorë dhe krijues të ndryshëm, këto kohë të fundit kam patur rastin të njihem me një poet, e kam fjalën për poetin dhe piktorin Andi Meçaj i cili jeton dhe e shtrin aktivitetin e tij artistik në Athinë. E meqenëse nuk na ndanë hapsirë e madhe moshe midis nesh dhe njëkohësisht na bashkon atmosfera vëllazërore artistike, meqenëse jetojmë me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit dhe na bashkon ky kuvend harmonik letrar, thjesht si një lexues i vëmendshëm i poezisë së tij do të doja të ndalesha në disa pika që besoj se janë të nevojshme për t'u theksuar.
1-Që në fillimin e shfletimit të poezive të Andit, ndër përshtypjet e para që të lindin dhe që të shoqërojnë në gjithë këtë udhëtim poetik, është sinqeriteti i tij në raport me artin, gjë kjo mëse e domosdoshme për një poezi të shëndetshme artistikisht. Po përmendi këtu edhe vënien në pah si fakt të pakontestueshëm bindjen e mikut tim S. Guraziu, (përdorur brenda temës që patëm rrahur gjatë një korrespondence të rastit), se "poeti noton vetëm në ujërat e të vërtetës". Natyrisht, në këtë fakt të pakontestueshëm flenë edhe guri i parë themeltar i ngrehinës poetike. Themel ky që autori Andi Meçaj i ka dhënë bazë të fuqishme, stabile në raport me krijimet poetike të tij.
2-Andi është në punë të vazhdueshme drejt përsosmërisë së vargut të tij. Duke ushtruar edhe pikturën njëkohësisht, në pikturat e tij ndeshim kolorite instiktive ngjyrash që hyjnë në mënyra të “pavetëdijshme”, plot dritë. E njëjta mund të thuhet edhe për vargjet e tij. Ka tendenca drejt poezisë moderne. Por shpesh, ndryshe nga të gjithë ata krijues të rinj bashkëmoshatar (përfshi disaherë edhe autorin e këtyre reshtave), figurën moderne na e servir së bashku me thjeshtësinë e fjalës së tij të sinqertë. Kjo është ajo çka më pëlqen tek poezia e tij. Ato nuk janë dhe nuk ngelin figura moderne të izoluara shpesh në raport me krejt bllokun e tij poetik. Përkundrazi vijnë po aq natyrshëm përkrah mesazhit që lëvrin po aty, si p.sh. nëpërmjet: Mbarimi i kohës, Zëri, Orët, Iluzion bota sonte, Njeriu brenda teje, Hapat e parë, Vetmia e vdekjes së gjetheve, Më kalëron koha, Të pajtojmë aritminë e zemrave, Pasqyra, Tërbimi i detit, Ngecja e kohës, Fluturimi i ëndrrave, etj. Të gjithë këta tituj të librit: " Nga letërkëmbimi me një fantazmë", dëshmojnë se kemi të bëjmë me një poezi në lëvizje të vazhdueshme. Nocioni kohor është mëse i pranishëm në formën realiste, i drejtpërdrejtë, apo surrealist nëpërmjet figurave dhe fantazisë së tij që disaherë shkrihen dhe bëhen një me krejt lëndën letrare, në formën e një "fluturimi ëndrre", "pejsazhi këmbësh" apo "letërkëmbimi me një fantazmë". Në njëfarë mënyre, gjatë leximit të librave të Andit m’u përkujtua se figura e poetit (megjithëse jetojmë kohët moderne të veshura me trajtat mbinjerëzore sipas Niçes) nuk është aspak një qënie profetike. Pa harruar të citoj gjithashtu edhe vetë dëshminë e më të spikaturit poet modern të letrave shqipe zotin Sabri Hamiti ku thotë se: "Poetët nuk janë profetë"! Por thjesht qënie humane, individë në kërkim të vetvetes që të lejojnë më tej nëpërmjet këtyre rrugëve artistike (kërkuese) hapjen e portave dhe të mundësive në raport me botëkuptimin artistik dhe shoqëror.
3-Andi ka ende rrugë të gjatë e të vështirë drejt profesionalizmit poetik, por ai ka dëshmuar kurajo profesionale për një poezi të sinqertë dhe kjo nuk është pak. Më bënë si lexues të shoh dhe besoj në të ardhmen e vargut të tij. Larg klikave të vjetra dhe mashtrimit të rutinave të ish realizmit socialist që ende sot dominojnë trevën e troferave artistike shqiptare, duke mos i lënë rrugë talenteve të reja, atyre talenteve të reja që ashtu si Andi mbartin sot "rrugica ende të padëshmuara poetike mbi shpinën e çantës së mundimshme artistike".
"Qyteti Fle Në Xhepin Tim" titullohet libri i tij i ri që ma besoi miqësisht për lexim para pak kohe dhe ende në ankth pret dritën e botimit. Vetë ai, diku në një përpjekje në formën e një eseje shkruan: "Duhet një mendësi e re, një kohë tjetër po rrjedh në trupat tanë". Unë besoj se është me të vërtetë kështu. Këtë fakt e dëshmon më së miri edhe poezia e Andit.

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...