2019-05-01

Hashim Thaçi i pakënaqur në Berlin: Asnjë vendim i guximshëm, deri tani vetëm premtime



Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i pa kënaqur me atë se çfarë ndodhi në Samitin e Berlinit. Thaçi theksoi se në këtë Samit nuk u mor një vendim i guximshëm nga Merkel apo Macron, po u mbyll me premtime abstrakte. Këto deklarata që nuk pasqyrojnë situatën reale politike në rajon, sipas kreut të Kosovës, nuk ndihmojnë për të marrë vendime të guximshme nga shtetet e rajonit.

“Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.

Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare.

Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme. Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë.

Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen”, – shkruan Thaçi.

VOA: Samiti i Berlinit u dha fund ideve të Thaçit dhe Vuçiç për ndryshim kufijsh

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, thanë të hënën në Berlin se çdo zgjidhje e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të shmangë tensionet dhe nuk mund të jetë në dëm të vendeve tjera të rajonit.

Ata i bënë këto komente në fillim të takimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku çështje kryesore është procesi i bisedimeve tashmë të pezulluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarja Merkel tha se nuk pritet zgjidhje nga takimi, por do të ketë shkëmbim pikëpamjesh dhe se kjo nuk i zëvendëson negociatat e drejtuara nga Bashkimi Evropian. Ajo tha se takimi është një hap në rrugën e gjatë përpara, ndërsa theksoi se zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se nuk synohet “imponimi i një zgjidhjeje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të mundësive që janë në tryezë”.

Para se të fillonin darkën e punës me të ftuarit, të dy zyrtarët e lartë evropianë morën shembull marrëveshjen që Shkupi dhe Athina arritën për emrin e Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar se ajo është shembull se si mund të zgjidhen konfliktet.

Në një dokument që ata shpresojnë të miratohet në takim, thuhet se “Serbia dhe Kosova janë pajtuar që të përshpejtojnë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të përfshihen sërish në mënyrë konstruktive për në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me qëllim që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare”.

Por, as udhëheqësit e Kosovës dhe as të Serbisë, nuk shfaqën ndonjë pritje të madhe nga takimi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e sheh takimin si, mundësi, “por jo ndonjë mrekulli apo zgjidhje magjike që dikush do të mund ta sjellë. Në këtë takim nuk do të ketë dialog, nuk do të ketë negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë, sikurse që është larg arritja e ndonjë marrëveshjeje, mirëpo para së gjithash, siç ju e dini as dialog as negociata dhe as marrëveshje nuk ka pa rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Thaçi, pas takimit që zhvilloi më herët gjatë ditës me shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Pas takimit me të ai bashkë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua me ambasadorin amerikanë në Berlin, Richard Grenell.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se duke bërë trysni mbi Serbinë mund të arrihet zgjidhja, atëherë këtu përfundon gjithçka”, ndërsa ritheksoi se pa heqjen e tarifave të vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe, nuk mund të ketë bisedime.

Por, presidenti Thaçi tha se tarifat janë e drejtë e ligjshme, “është legjitime, nëse Serbia vazhdon me veprime agresive ne vetëm sa do t’i shtojmë masat dhe do të shkojmë në nivel të reciprocitetit”.

Që nga paralajmërimi i takimit, janë ngritur shumë pikëpyetje se çfarë mund të sjellë ai në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në qendër të të gjitha diskutimeve e analizave ishte ideja që ky takim do t’u jap fund ideve për ndryshime kufijsh, që ishin hedhur që në verën e vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në këtë frymë vëzhguesit i shpjegojnë edhe deklaratat e mikpritësve të takimit.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Zonja Mogherini po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në takim, por duke zëvendësuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte ftuar fillimisht nga organizatorët e takimit.

Mediet spekuluan gjatë javëve të fundit se Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje pati edhe ide për një sovranitet të dyfishtë në veriun e Kosovës. Por pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga Prishtina por edhe nga Beogradi./voa

Hashim Thaçi zbulon çfarë ndodhi në darkën e liderëve të Ballkanit: Për kufijtë… ë


Është mbyllur samiti i Berlinit dhe darka e shtruar për miqtë e Merkel dhe Makron. Liderët e Ballkanit Perëndimor. Pas darkës preseinti i Kosovës Hashim Thaçi, shkroi në Facebook disa nga pikat e qëndrimit të tij.

“Me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, në darkën e përbashkët vazhduam të diskutojmë për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit tonë. Për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë theksova disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë.

Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij.

Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë. Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së.

Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta!

Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm.

Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë. Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive i modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë.

Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë. Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë!” – shkruan Thaçi.

“Do hapen negociatat kur të qethen viçat”/ Tallje me Ramën pas samitit të Berlinit


Pas samitin e Berlinit ku kryeministri Edi Rama duket se ka marrë një tjetër “shuplakë” për rrugëtimin e vendit në BE nuk ka munguar edhe ironia në rrjetet sociale.
Më të shigjetuarit janë Rama dhe ministrat e tij. Më poshtë disa nga MEMET më pikante. 

Flet zëdhënësi i Merkel,zt.Steffen Seibert : Asnjë marrëveshje Kosovë – Serbi që ta vuajë rajoni




Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, duan t’i japin një impuls të ri procesit të normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, prandaj edhe do të takohen edhe në të ardhmen me krerët e Serbisë dhe Kosovës, konfirmoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, të martën në Berlin, në konferencën e shtypit të qeverisë gjermane.

Sipas Seibertit, “më 1 korrik do të ketë një takim të dytë në Paris, me pjesëmarrje të Gjermanisë, Francës, Serbisë dhe Kosovës për të biseduar se si duhet të shkohet më tutje me dialogun e normalizimit ndërmjet të dy vendeve.”

Lajmin për vazhdimin e dialogut në Paris e kishin përhapur dje edhe presidentët Thaçi dhe Vuçiç. Seibert nuk donte të hynte në detaje se si do të ishte zgjidhja e normalizimit të marrëdhënieve.

“Si zëdhënës i qeverisë gjermane nuk më takon mua që të parashtroj elemente për një zgjidhje në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por bisedimet kanë të bëjnë me shumë tema, përtej asaj të kufirit”, – tha Seibert duke sqaruar se negociatat do të mbeten edhe në të ardhmen nën drejtimin e BE-së.

“Gjermania dhe Franca janë ofruar që ta mbështesin këtë proces sa të munden”, – tha Seibert.

Negociatat nën udhëheqjen e BE-së

Sa i përket çështjes së heqjes nga tryeza të idesë së shkëmbimit të territoreve, çka ishte paralajmëruar se do të ndodhte në këtë samit, Seibert tha se për këtë çështje nuk u debatua: “U fol se si të marrë udhë sërish procesi i normalizimit, sepse faktikisht ai prej disa muajsh ka ngecur.” Por ai bëri të qartë pozicionin e kancelares Merkel se nuk do të mbështesë “asnjë marrëveshje, pasojat e së cilës do t’i vuajnë vendet e tjera të rajonit”.

Një gjë të ngjashme e kishte thënë Merkel edhe në prononcimin e përbashkët me presidentin Macron në prag të konferencës. Seibert tha se pritshmëria e të gjithë pjesëmarrësve është që “marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës (…) të jetë gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe të mos vërë në rrezik stabilitetin në rajon”.

Në konferencë pjesëmarrësit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë si edhe kryeministrat e Kroacisë dhe të Sllovenisë, u kishin bërë të njohur dy mikpritësve, Merkel dhe Macron, qëndrimet e tyre në lidhje me një zgjidhje të mundshme të Kosovës.

Do të ketë koordinime me vendet e tjera

Seibert nuk donte të përshkruante me imtësi se si kishin kaluar bisedimet, dhe a kishte pasur presion mbi kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, për heqjen e taksave doganore. Ai iu shmang edhe përgjigjes së pyetjes për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në negociata, nisur nga fakti që liderët kosovarë para takimit ishin takuar me ambasadorin amerikan në Berlin: “Procesi i normalizimit po ndodh nën egjidën e Bashkimit Evropian dhe ky ishte edhe shkaku se përse zonja Mogherini ishte aty”, – tha Seibert.

“Por natyrisht që ka edhe shtete të tjera të interesuara për rajonin, me të cilat do të koordinohemi,”, shtoi ai pa përmendur në mënyrë konkrete askënd. dhe theksoi se ky është një proces evropian, sepse është një pjesë e Evropës, ku deri tani nuk është arritur ende të krijohet stabilitet dhe paqe afatgjatë”.

Seibert e përmbylli pjesën e Ballkanit në konferencë me fjalët: “Nëse ka diçka që mund të merret si rezultat i këtij takimi, ky është se “Gjermania dhe Franca, pra, kancelarja gjermane dhe presidenti francez, u angazhuan dhe do të angazhohen krah për krah për këtë rajon”./DW

Analisti në VOA: Samiti i Berlinit, shuplakë për Frederica Mogherinin dhe vdekje e ndryshimit të kufijve




Bodo Weber


Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit, tha për “Zërin e Amerikës” se shpreson që takimi i Berlinit i organizuar nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron, shënon përfundimisht “vdekjen e idesë për shkëmbim territoresh”, në mes te Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se takimi dha “rezultatet që ishin realisht të mundshme – fillimin e një nisme të re të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian për të marrë udhëheqjen për t’i dhënë fund një periudhe dyvjeçare të së ashtuquajturës “faza përfundimtare” e bisedimeve, që në sajë të kryenegociatores se BE-së, Frederica Mogherini, shkoi në një drejtim krejtësisht të gabuar dhe përfundimisht u bllokua, dhe për të shkuar drejt një rivendosjeje të plotë të negociatave”.

Zoti Weber tha se “ishte e qartë që rifillimi nuk do të ndodhte në Berlin. Nuk mendoj që do të ndodhë as në Paris në takimin e radhës me 1 korrik. Me gjasë do të ndodhë vetëm pasi që trashëgimtari i zonjës Mogherini të marrë detyrën në vjeshtë”.

Vëzhguesit dhe analistët e kanë cilësuar takimin e Berlinit edhe si një goditje nga zonjës Mogherini për shkak të qasjes së saj ndaj ideve për korrigjim kufijsh dhe shkëmbim territoresh.

“Përfundimisht ishte një flakaresh. Federica Mogherini përfundoi duke qenë më shumë një spektatore sesa një pjesëmarrëse. Dhe kjo pas dy vjetësh gjatë të cilave ajo ndryshoi rolin e saj si drejtuese e negociatave duke i rrëmbyer ato, duke mbajtur të painformuar kryeqytetet e Bashkimit Evropian dhe në një mënyrë duke e shndërruar veten në një aleate të presidentit (Aleksandër) Vuçiç dhe presidentit (Hashim) Thaçi, në vend që të mbrojw interesat e BE-së kundrejt rajonit të Ballkanit”, – tha zoti Weber.

Ai shpreson që takimi “shënoi po ashtu vdekjen përfundimtare të idesë për shkëmbim territoresh, ndonëse duket që presidenti Macron ka nevojë edhe për pak kohë për të kuptuar përse kjo ide e rrezikshme duhet dhe duhej të ndalej me çdo çmim”, – tha ai.

Gent Cakaj: Kancelrja gjermane Angela Merkel mbështet hapjen e negociatave


Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, është shprehur mjaft entuziast pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Sipas Gent Cakajt,  kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur mbështetje absolute për hapjen e negociatave ndaj Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

“Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoj edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në reformën në drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania. Shqipëria do të vazhdon të luaj rolin e saj të pazëvendësueshëm në stabilitetin rajonal dhe afirmimin e vlerave evropiane në Ballkanin Perendimorë ! Shumë mirënjohës për përkushtimin e Kancelares Merkel ndaj Shqipërisë !”, ka shkruar Cakaj.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...