2022/09/04

“Rrëfyesi më i mirë”, Barack Obama fiton çmimin Emmy për dokumentarin në Netflix

 

Ish-presidenti amerikan Barack Obama fitoi çmimin Emmy të shtunën si rrëfyesi më i mirë për serinë e dokumentareve ‘Parqet tona të mëdha kombëtare’, në Netflix. 

Është kompania e produksionit të Obamas, Higher Ground, e cila ka realizuar serinë e dokumentareve .

Përveç çmimit Emmy, Obama ka marrë më herët edhe dy çmime Grammy, duke e sjell atë një hap më pranë për t’u bërë një Egot, status që merret kur dikush ka një çmim Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.

Vetëm 17 persona kanë fituar statusin Egot deri më sot, duke përfshirë Mel Brooks,  Audrey Hepburn dhe Jenifer Hudson.

Obama  bëhet kështu presidenti i dytë amerikan në histori që fiton një Emmy, pas Dwight Eisenhower.

Pas largimit nga detyra në vitin 2017, ish-presidenti dhe gruaja e tij Michelle krijuan Higher Ground, duke arritur një marrëveshje me Netflix që thuhet se vlente dhjetëra milionë dollarë.

Obama fitoi çmimet Grammy për versionet audio të kujtimeve të tij “The Audacity of Hope” dhe “Dreams from My Father”.

“BE nuk ka nxjerrë mësim nga lufta”/ Enver Hoxhaj: Në Shqipëri nuk po dimë të përfitojmë nga situata gjeo-politike

 

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka diskutuar sot për situatën gjeo-politike në Europë të diktuar nga lufta.

Në studion e Top Story me Sokol Ballën, ai tha se solidariteti i BE për Ukrainën do duhej të reflektohej edhe në zgjerimin e bllokut, pavarësisht se u shpreh i zhgënjyer nga samiti i fundit i unionit. Hoxhaj tha se priste përshpejtim të proceseve, si për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ashtu edhe për liberalizimin e vizave në Kosovë.

Kjo sipas Hoxhajt, tregon që BE nuk ka nxjerrë një mësim nga lufta që po përjeton Ukraina.

Ne në Ballkan nuk po dimë ta shfrytëzojmë situatën gjeo-politike, që të përfitojmë prej luftës në Ukrainë. Solidariteti me Ukrainën është i domosdoshëm por një regjim gjeopolitik i Europës dhe i Perëndimit do duhej të përcillej edhe në politik të zgjerimit, edhe në zgjerim të NATO-s.

Samiti i fundit i BE, ishte një samit dështimi. Unë kam pritur që pas 24 shkurtit do ketë shpejtësi të re dhe qasje të re. Vendimet nuk u morën, edhe më Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut, apo sa i takon mos-liberalizimit të vizave. Kjo tregon që BE nuk ka nxjerrë mësim prej asaj që po ndodh në Ukrainë. Nëse atje është fronti i parë i luftës tradicionale, ajo çka bën Rusia në Ballkan është lufta hibride, përdorimi i tensioneve apo destabilizimeve. Nëse para 6 muajsh kam pasur një shpresë, BE udhëhiqet nga liderit e status quo , e cila është recetë shkatërrimi për rajonin dhe Europën”, tha Hoxhaj në Top Story.

REL: Si po funksionojnë agjencitë ruse të inteligjencës pas gjashtë muajve luftë?

Forcat ruse në rajonin Herson të Ukrainës. Fotografi nga arkivi.

Ndonëse Kremlini mund të ketë shpresuar se forcat ushtarake ruse do të fitonin kontrollin e Kievit brenda tri ditësh, lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në muajin e shtatë dhe ushtria ruse, bashkë me shërbimet e inteligjencës, kanë mbetur të poshtëruara.

Forcat ruse janë përballur me rezistencë të madhe të ushtrisë ukrainase dhe qytetarëve ukrainas, derisa Kremlini është dashur të përballet me një Qeveri në Kiev që secilën herë e më shumë ka rritur rrethin e aleatëve dhe mbështetjes.

Por, si ka ndodhur që agjencitë e inteligjencës kanë qenë kaq gabim dhe pse rrjetet që kanë kultivuar me vite në Ukrainë nuk kanë dhënë rezultate?

Për të kuptuar më shumë për shërbimet ruse të inteligjencës dhe mënyrën sesi gjykimet e gabuara kanë rënduar situatën në terren, Radios Evropa e Lirë ka biseduar me Andresi Soldatov, gazetar hulumtues, i cili ka raportuar për shërbimet e inteligjencës në Rusi për dekada dhe tani është hulumtues në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane, me seli në Londër.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht dështimeve, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) dhe liderët nga agjenci tjera të inteligjencës vazhdojnë të jenë nëpër pozitat e tyre. Çfarë mendoni se kanë mësuar këto agjenci pas gjashtë muajve të luftës në Ukrainë?

Andrei Soldatov: Mund ta shohim se shërbimet e sigurisë së Rusisë janë prekur shumë nga lufta. Nëse e krahasoni me luftërat tjera, sikurse ajo e Afganistanit më 1980 apo ato të Çeçenisë (më 1990 dhe 2000), lufta në Ukrainë është shumë më ndryshe. Para luftës, vetëm dy departamente brenda FSB-së kanë qenë të angazhuara rreth Ukrainës. Njëri prej tyre njihet si Shërbimi i Pestë, i cili ka për detyrë të mbledhë të dhëna në Ukrainë, si dhe Departamenti i Kundërzbulimit, i cili është i fokusuar në identifikimin e spiunëve ukrainas dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.

Tani pothuajse secili departament i madh i FSB-së është i përfshirë në këtë luftë… dhe kjo është diçka që nuk e kemi parë më herët, sidomos jo përgjatë luftërave çeçene. Përveç kësaj, shumë zyrtarë të inteligjencës nga Moska janë duke shkuar nëpër rajone të Ukrainës për periudhë tre-katër mujore. Kjo nënkupton se shumë shpejt do të jenë shumë zyrtarë me përvojë ukrainase, të cilët do të ndryshojnë mentalitetin e njerëzve që shërbejnë në shërbimet ruse të sigurisë.

Radio Evropa e Lirë: Në muajt e parë të luftës ka pasur raportime – përfshirë edhe nga ju – për përplasje mes agjencive ruse të inteligjencës dhe se lideri i departamentit të FSB-së për Ukrainën, Sergei Beseda, ka qenë nën arrest shtëpiak, për shkak të dështimeve të regjistruara pas pushtimit. Megjithatë, zyrtarët amerikanë i kanë thënë së fundi të përditshmes amerikane, Washington Post se nuk kanë parë të dhëna që presidenti rus, Vladimir Putin ka mbajtur përgjegjës ndonjë zyrtar. Si e vlerësoni këtë situatë dhe a mendoni se ka dhënë dikush përgjegjësi për këtë situatë?

FSB-ja tash e sa kohë i mohon zërat rreth dështimeve dhe ka tentuar të heshtë njerëzit që janë duke bërë pyetje dhe janë duke raportuar për problemet me të cilat po përballet agjencia. Shembull, për këtë arsye kanë nisur hetimet penale kundër meje.

Në fillim, Putini ka qenë aq i zemëruar (pas pushtimit rus në Ukrainë) andaj edhe e ka kritikuar Besedan dhe departamentin e tij, dhe secili në FSB e ka ditur këtë gjë. Mirëpo pasi kjo çështje është bërë e madhe, Putin ka bërë diçka të pashembullt dhe e liruar Besedan nga arresti, sepse ka dashur që publiku të mendojë se gjithçka po shkon sipas planit të tij.

Radio Evropa e Lirë: Cili është atëherë statusi aktual i Seregei Besedas?

Andrei Soldatov: Siç mund ta shihni, ai është jashtë burgut tani. Ai ende mban gradën e gjeneralit, mirëpo nuk e kontrollon departamentin e tij. Ai është parë publikisht dhe brenda FSB-së, kryesisht për të dërguar mesazh se ai është ende aty, por kaq është roli i tij tani.

Radio Evropa e Lirë: A është ai ende në krye të departamentit për Ukrainën?

Andrei Soldatov: Jo, zëvendësit e tij po e kryejnë këtë punë. Ai është aty vetëm për të treguar që nuk është më në arrest shtëpiak.

Radio Evropa e Lirë: Si ka gabuar kaq shumë inteligjenca ruse?

Po ashtu duhet sistem tjetër i udhëheqësisë. Duhet të ketë sistem të shpërndarjes së të dhënave dhe duhet pasur gjeneralë që janë të besueshëm, e të tillë nuk gjenden tani për tani.

Për shumë vjet, ka pasur krizë gjeneratash në FSB. Putin ka emëruar gjeneralët më të rëndësishëm për të udhëhequr FSB-në në vitet 2000 dhe disa prej tyre janë duke mbajtur ende ato pozita. Kjo nënkupton se ka kolonelë dhe majorë ambiciozë që nuk e kuptojnë si mund të ngjiten në këto pozita. Kjo krijon një kulturë mosbesimi edhe nëse e dinë që diçka nuk është e drejtë, ata u tregojnë eprorëve të tyre atë që ata duan të dëgjojnë. Kjo praktikë zbatohet deri në Kremlin.

Gjeneralët sikurse Beseda, po ashtu e kuptojnë se duhet t’ia bëjnë qejfin Putinit, dhe po ashtu e dinë se Putini ka prezantuar masa autoritare më 2016, që nënkupton se shumë njerëz janë përballur me to, përfshirë ata brenda FSB-së. Ka pasur gjeneralë dhe kolonelë të ndëshkuar nga Kremlini, jo për shkak se kanë dështuar të bëjnë punën e tyre, por për shkak të krimeve ekonomike. Krejt kjo situatë krijon një klimë që askush nuk ka gatishmëri të rrezikojë karrierën vetëm që për të treguar të vërtetën.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë kjo? Inteligjenca ruse ka pasur rrjet të zgjeruar të kontakteve nëpër Ukrainë para pushtimit. Si duket ky rrjet tani e tutje?

Andrei Soldatov: Para luftës, FSB-ja është varur shumë nga dhënia e ryshfetit dhe kultivimi i kontakteve në partitë politike (por edhe në agjencitë qeveritare) në Ukrainë. Tani kjo lojë ka ndryshuar tërësisht.

Çfarë po shohim tani, nuk kemi parë në Çeçeni apo në fund të Luftës së Dytë Botërore, pra përdorimin e kampeve të mëdha filtruese.

Arsyeja e këtij filtrimi nuk ka të bëjë vetëm me kategorizimin e njerëzve, por edhe me identifikimin e spiunëve potencialë ukrainas. Megjithatë, FSB-ja gjithmonë e ka përdorur filtrimin si mënyrë për të rekrutuar njerëzit. Ata kanë objekte të mëdha ku identifikojnë shumë civilë, dhe aty e kanë mundësinë që të ushtrojnë presion fizik apo psikologjik, ashtu që të rekrutojnë numër të madh kontaktesh.

Këtë gjë po tenton ta bëjë tani FSB-ja, ashtu që rrjetin e ri të agjentëve ta shpërndajë më pas në terren. Ende nuk dihet sa e suksesshme do të jetë kjo strategji, mirëpo do të jetë problem me të cilin do të duhet të përballet Ukraina, pas një numër i madh njerëzish t’i kthehen në terren./REL

Bota sot:Alarmon eksperti i sigurisë: Rusia dhe Serbia do të provojnë eskalimin e situatës në veri me planin sekret, urgjent të veprojë shteti!

 


Arbnore ZhushiNGA ARBNORE ZHUSHI 

Forcat e KFOR-it

Më 1 shtator, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, do të nisë masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për targat e veturave. Dy vendet kanë arritur marrëveshje për çështjen e lëvizjes së lirë, duke hequr dokumentet hyrje-dalje, mirëpo mbetet ende punë për targat e veturave.Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, veriu ende mbetet “pikë e tensioneve”, pasi atje Rusia dhe Serbia do të tentojnë të realizojnë skenarin e tyre sekret të dhunës, duke mos përjashtuar as viktimat. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Elezi ka paralajmëruar se Rusia dhe Serbia do të përpiqen të krijojnë situata, të cilat do të jenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, dhe kështu Kosova të mbajë përgjegjësi për eskalimin e situatës në Kosovë dhe në rajon.

Ai ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që urgjentisht të ngritin nivelin e inteligjencës dhe të hulumtojnë në të gjitha zonat ku jetojnë komuniteti serb dhe kështu të minojnë përpjekjet për organizim të ndonjë skenari të dhunshëm serbo-rus.

Image
Bedri Elezi

Eksperti ka kritikuar AKI-në, e cila deri më tani nuk ka nxjerr një listë me kallëzime penale për personat ,të cilët kanë kryer vepra penale në veri të vendit, dhe rrjedhimisht nuk ka lëshuar as fletë arrestet nacionale apo edhe ndërkombëtare.

Elezi ka ngritur alarmin se në Kosovë veprojnë strukturat e shërbimeve sekrete ruse FSB dhe GRU si dhe të BIA-s serbe. Sipas tij, këto shërbime kanë të infiltruar njerëzit e tyre edhe në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe atyre ndërkombëtare.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Elezi, si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në territorin e Kosovës, sidomos në veri të vendit, pas tensioneve të 31 korrikut me Serbinë?

Elezi: Gjendja e sigurisë në territorin e Republikës së Kosovës, sidomos në veri të vendit, pas tensioneve të 31 korrikut është e qetë, por shumë e brishtë.

Më 31 korrik 2022, Qeveria e Kosovës, bëri një përpjekje për të zbatuar vendimet e saj në lidhje me reciprocitetin për targat dhe dokumentet e identifikimit, por këto vendime nuk u zbatuan në veriun e Kosovës, madje në veriun e Mitrovicës këta vendime shkaktuan edhe tensione, ku grupe kriminale të cilat mbështetën nga qeveria e Serbisë si dhe institucionet e sigurisë serbe dhe ato ruse, organizuan aktivitete të dhunshme, duke vendosur barrikada si dhe duke dhunuar qytetar ë dhe njëherësh edhe sulmuan me armë zjarri Policinë e Republikës së Kosovës.

Kosova dhe liria e saj, janë projekt amerikan, andaj Serbia në vazhdimësi bashkëpunon me federatën Ruse, në mënyrë që të dhunohet demokracia si dhe të dëmtohet SHBA-ja në përpjekjet e saj që të sjellë paqe dhe zhvillim në gadishullin ballkanik.

Sipas informacioneve që ne kemi, ekziston një plan sekret, i cili është hartuar nga strukturat e shërbimeve sekrete të Serbisë dhe Rusisë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, me qëllim që vëmendja e zhvillimeve në Ukraine të orientohet në Ballkan, andaj të gjitha këta aktivitete janë të sinkronizuara dhe asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e eskalimit të situatës në Kosovë dhe rajon.

“Bota sot”: Çka parashihni se do të ndodhë me 1shtator, ditën kur Qeveria e Kosovës do të nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, për targat e veturave? A mund të ketë sërish tensione?

Elezi: Angazhimi i SHBA-ve dhe BE-së, pas 31 korrikut ishte shumë serioz, ngase kishin informacione të besueshme për planet serbo-ruse për eskalimin e situatës dhe kështu edhe destabilizimin e rajonit, andaj angazhimi i tyre ishte që të shtyhet zbatimi i reciprocitetit. Por, qeveritë respektive, ajo e Kosovës dhe Serbisë nuk ishin të gatshme për tejkalimin e kësaj situate, dhe rrjedhimisht u imponuan takime mes palëve për të gjetur një zgjidhje momentale, e cila do të shmang eskalimin e situatës në veri.

Si rezultat i një maratone bisedimesh, si dhe përfshirjen e shume protagonistëve politikë dhe atyre të sigurisë, është arritur një marrëveshje, e cila ndoshta për një kohë të shkurtër do të shtyjë zbatimin e marrëveshjes, gjithashtu eventualisht edhe eskalimin e situatës.

Kjo marrëveshje është një status-kohë, dhe poashtu mund të konsiderohet si lojë politike për të shmangur përgjegjësinë e liderëve të Kosovës dhe Serbisë për eskalimin e situatës, sidomos pas kërcënimit të shefit të NATO-s, i cili deklaroi se dy liderët do të jenë përgjegjës për sigurinë në veri dhe rajon, në rast se nuk do të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Kosova duhet të jetë shume vigjilente, ngase kjo marrëveshje është e konstruktuar si kurth ndaj Kosovës për përgjegjësinë e eskalimit të situatës në veri, referuar kërcënimit të shefit të NATO-s, se eskalimi do t’i faturohet atyre të cilët do të nxisin dhunën.

“Bota sot”: Si duhet të veprojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, për të shmangur skenarin me vënien e barrikadave nga serbët, siç ndodhi me 31 korrik?

Elezi: Bazuar në informacionet që ne kemi, nga struktura inteligjente të cilat kanë burimet kredibile, Serbia dhe Rusia janë të vendosura për realizimin e skenarit të tyre, por janë duke u përpjekur që të organizojnë situata, të cilat do të jenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, dhe kështu Kosova të mbajë përgjegjësi për eskalimin e situatës në veri dhe Kosovë si dhe destabilizimin e gjithë rajonit, andaj institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, ato të NATO-s, si dhe ato të FSK-së urgjentisht duhet ngritur nivelin më të lartë të inteligjencës, poashtu të hulumtojnë në të gjitha zonat ku jetojnë komuniteti serb dhe kështu të minojnë përpjekjet për organizim të ndonjë skenari, i cili është dizajnuar për aktivitete të dhunshme.

“Bota sot”: NATO ka paralajmëruar se në rast se Serbia provokon me forcë Kosovë, do të ndërhyjë ushtarakisht me KFOR-in. Si e vlerësoni përgjigjen e KFOR-it për tensionet e fundit?

Elezi: Ne kemi parë një përpjekje të NATO-s, për t’i treguar Serbisë se NATO është përgjegjëse për sigurinë në Kosovë dhe se çdo përpjeke e Serbisë për të cenuar kufijtë e Kosovës do të jetë agresion ndaj NATO-s, e cila nëpërmes KFOR-it garanton paqen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

KFOR-i ka mandat nga NATO, mandat i cili buron nga rezoluta 1244 e OKB-së që të ndërhyjë ndaj çdo force, e cila tenton të cenojë sigurinë në Kosovë, andaj në këto momente kur u paralajmërua nga ana e Serbisë se mund të intervenojë ushtarakisht, sekretari i NATO-s z.Jens Stoltenberg, organizoi një takim me liderët e dy shteteve, ku edhe u sqaroi edhe një herë për mandatin e NATO-s dhe KFOR-it si dhe përgjegjësinë që do të mbajnë dy liderët në rast të eskalimit të situatës.

“Bota sot”: Me gjithë sulmet e serbëve ndaj Policisë së Kosovës në veri, ende askush nuk ka dalë para drejtësisë, për këto raste. Si po përgjigjet shteti për të mundësuar qarkullim të sigurt të Policisë së Kosovës në veri të vendit?

Elezi: Fatkeqësisht kemi pasur shumë raste kur është sulmuar Policia e Kosovës, gjithashtu janë sulmuar edhe qytetarë të shumtë nga persona dhe grupe kriminale, por deri më tani nuk kemi pasur asnjë person, i cili ka dal para drejtësisë për këto veprat kriminale.

 Që nga viti 1999 e deri më tani, për 23 vjet institucionet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës kanë dështuar të zbatojnë ligjin në atë zonë, madje nuk ka pasur përpjekje serioze për zbatim ligji në atë pjesë.

Deri më tani minimalisht duhet të kemi një listë të personave, të cilët kanë kryer vepra si dhe fillimin e procedurës penale ndaj atyre personave apo grupeve si dhe të kemi fletë arrestimet e tyre ndërkombëtare.

Agjensioni i Kosovës për Inteligjencë ka detyrim ligjor sigurimin e informacioneve të nevojshme dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si dhe prokurorinë e shtetit, në mënyrë që të ngrit kallëzime penale ndaj atyre personave, dhe rrjedhimisht edhe të kemi fletë arrestet nacionale apo edhe ndërkombëtare. Por, deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, madje duke mos vepruar kanë inkurajuar këto grupe dhe persona për vepra të tilla.

“Bota sot”: Serbia ka prezantuar armët e reja, pak ditë para takimit të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel. A është ky një sinjal se Vuçiq mund të nisë një konflikt të armatosur në veri të Kosovës, përkundër thirrjeve të tij për vendosje të qetësisë? A po luan ai me dy “karta”?

Elezi: Vuçiq është një sharlatan, i cili në vazhdimësi ka bërë veprime të tilla, të cilat janë shume qesharake, ngase dihen kapacitetet ushtarake të Serbisë dhe në anën tjetër ato të NATO-s. 

Këto veprime të Vuçiqit para takimit me sekretarin e NATO-s z.Jens Stoltenberg, janë veprime, të cilat ushqejnë apetitet e strukturave kriminale në Serbi, të cilat akoma jetojnë me gjenocidin që kanë shkaktuar në Ballkan në vazhdimësi deri në vitin 1999. 

Është shqetësues fakti se populli serb akoma pranon këto veprime të shëmtuara të Vuçiqit si dhe në vazhdimësi votojnë politikanë, të cilët ende i kanë duart me gjak. Ky fakt të bënë të mendosh se komuniteti serb mund të jetë jashtë normave për të qenë njerëz.

“Bota sot”: Çka do të përfitonte Kosova me traktatin për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, të cilin ia kërkoi presidentja Osmani, presidentit Begaj? Sa është i mundshëm?

Elezi: Presidentja e Republikës së Kosovës, si duket akoma po mendon se është anëtare e OJQ-ve, apo përkthyese. Ne jemi të vetëdijshëm se presidentja ka qenë përkthyese kur janë prezantuar traktate të tilla, por atë kohë ajo ishte në pozicion të atillë që vështirë ka mundur të kuptojë çka janë traktatet.

Presidenti i një shteti, ka mandat për të zhvilluar diskutime me homolog, me të cilët mund të bashkërendojnë nisma, të cilat burojnë nga të drejtat e tyre bazuar në detyrimet shteteve në fjalë si dhe normativave të organizatave partnere ndërkombëtare.

Fakti se presidentja Osmani, prezantoi një ide të tillë para një vizite të homologut të saj, i cili vizitën e parë si president jashtë të vendit të tij e kishte në Kosovë, të bënë të mendosh se kjo ide i ngjason një mentaliteti policor apo ushtarak se sa një veprimi presidencial, andaj kjo ide nuk duket serioze, dhe njëherësh nuk mund të shihet si përpjekje për bashkërendim mes Kosovës dhe Shqipërisë për një bashkëpunim në fushën e sigurisë përmes traktateve të tilla.

“Bota sot”: Sa është e mundshme vendosja e një kontigjenti të ushtrisë shqiptare në veri të Kosovës, në kuadër të KFOR-it?

Elezi: NATO ka partnerët e saj, dhe gjithashtu partner e NATO-s është e Shqipëria, kështu që në kuadër të KFOR-it vepron edhe kontigjenti i ushtrisë shqiptare, e cila në Kosovë vepron në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat përcaktohen e komanda e HQ KFOR.

Sa i përket mundësisë së vendosjes së një kontigjenti të ushtrisë shqiptare në veriun e Mitrovicës, kjo është një mundësi reale, ngase ky kontigjent do t’i shërbente KFOR-it dhe sigurisë. 

Nëse FSK nuk ka mundësi të shkojë në veri ngase mund të shkaktohej ndonjë incident, atëherë kontigjenti i ushtrisë shqiptare, i cili vepron në kuadër të KFOR-it mund të shkojë pa asnjë lloj problemi, sepse është strukturë e KFOR-it dhe NATO-s.

“Bota sot”: A ka dyshime konkrete për agjentë rusë ose persona të infiltruar në Kosovë, sidomos pas arrestimit të gazetares ruse dhe dy francezëve me automjete ruse në Leposaviq?

Elezi: Dyshimet se në Kosovë veprojnë strukturat e shërbimeve sekrete ruse FSB dhe GRU, tanimë janë realitet publik, sidomos kur ka pasur edhe arrestime të agjentëve dhe zyrtarëve të tyre. Është shqetësues fakti se në Kosovë veprojnë agjentë të shërbimeve sekrete ruse, si të shërbimeve sekrete FSB dhe GRU, por më shqetësues është fakti se ka dyshime që këto shërbime kanë të infiltruar njerëzit e tyre edhe në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe atyre ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë.

Madje disa arrestime, të cilat janë bërë në Kosovë dyshoj se janë të orkestruara për të gravituar institucionet e sigurisë në pista të caktuara dhe njëherësh për të larguar dyshimet e institucioneve të sigurisë në burime apo bashkëpunëtorë të këtyre shërbimeve, e të cilët kanë mundësi të qasën në informacione të klasifikuara, të cilat mund të janë të depozituara në institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës apo atyre ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë apo edhe rajon.

“Bota sot”: Lista Serbe ka thënë se me 31 korrik edhe Milan Radoiçiq është shëtitur lirshëm rrugëve të barrikaduara të veriut. Pse nuk po arrin Kosova të arrestojë një person, ndaj të cilit ka fletëarrest?

Elezi: Institucionet e zbatimit të ligjit si: AKI, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat e Republikës së Kosovës, nuk kanë bërë veprime konkrete për arrestime të kriminelëve serbë në veriun e Mitrovicës, gjithashtu nuk ka pasur përpjekje serioze edhe për arrestimin e kriminelit Milan Radojiçiq, madje ka dyshime serioze se Milan Radojiçiq ka lëvizur jo vetëm në veri të Mitrovicës, por edhe në disa qytete tjera të Republikës së Kosovës. Gjithashtu vlen të theksohet se poashtu ka dyshime që Milan Radojiçiq ka kontakte permanente me ministria të Qeverisë së Kosovës, dhe gjithashtu ka përdorur edhe veturat me alarme të Qeverisë së Kosovës për të shkuar në një takim në Çagllavicë në fund të muajit korrik 2022.

Në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në stafin e ministrave serbë, kemi agjentë të BIA-s, të cilët dyshohet se ka krijuar burime në disa institucione të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Poashtu në kuadër të Policisë së Kosovës dyshohet se kemi të infiltruar agjentë të BIA-së serbe dhe të njëjtit mund të kenë qasje në të dhëna të rëndësishme, gjithashtu t’i mundësojnë shërbime kriminelëve serbë, si Milan Radojiçiq, njëherësh t’i vendosin në shërbim edhe pronat e institucioneve të Kosovës për veprimet e tyre kriminale.

NGA PROF.DR. ENVER BYTYÇI: Cka po paralajmëron Moska për një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi?!

 


 
lbin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq -.



Sot filloi zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e udhëtimit midis Kosovës dhe Serbisë. Pra lëvizja e qytetarëve të të dy vendeve iu rikthehet normalitetit, njësoj si me vemdet e tjera, siç ndodh midis vendeve të pavarura e sovrane. Por ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar, duke thënë se "shqiptarët nuk pranojnë kompromis për t'ia shpëtuar fytyrën Vuçiq". Këtë e shpreh Russia Today. Por jo vetëm kaq, në reagimin e ministrisë së Jashtme ruse thuhet gjithashtu se "Rusia nuk do të pranojë një marrëveshje midis palëve, për të cilën populli serb nuk është dakord"!

 Kjo do të thotë se Rusia do të vazhdojë të vendosë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për pranimin e Kosovës në OKB dhe se ajo do të kundërshtojë çdo përpjekje të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare ku bën pjesë. Bllokimi me veto në Këshillin e Sigurimit nxjerr probleme dhe shqetësime të mëtejshme, sepse do të duhet që pranimi i Kosovës në OKB të kalojë nga Asambleja e Përgjithshme e saj, ku do të duhen më shumë se dy të tretat e votave të shteteve anëtare. Edhe në këtë rast Kosova do të bëhej pjesë e qeverisë botërore pa të drejtë vote.

 Por Rusia nuk dëshiron që Kosova të zgjidhë konfliktin me Serbinë për arsyet e saj gjeopolitike. Ajo shpreson se në rrethana të favorshme do të mundë ta destabilizojë rajonin e Ballkanit, ndërkohë që zgjidhja e konflikteve në këtë rajon e pamundëson ëndërrën e saj për influencë, ndikim dhe hegjemoni. Ky është shkaku kryesor pse politika dhe diplomacia ruse dëshiron grindje dhe konflikte permanente në rajonin tonë. Dhe kjo është e duhet të jetë arsye e mjaftueshme që shtetet ballkanike të bashkohen në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

 

Pretendimi rus se "nuk do të pranojë diçka për të cilën "populli serb" nuk është dakord", në fakt është një spekullim i pastër. Vetëm përmes kësaj formule politika ruse mund të ruajë për gjatë alibinë e qëndrimeve të saj kundër Kosovës, kundër shqiptarëve dhe kundër stabilitetit, paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit. Sepse nëse populli serb e pranon ose jo një verdikt të qeverisë së saj, këtë nuk e provon e aq më pak e vendos një vend tjetër, një shtet tjetër, qoftë kjo edhe Rusia. Në të vërtetë me këtë qëndrim Kremlini shpreh arrogancën e tij për të kontrolluar dhe diktuar vullnetin politik te popujt e vendet e tjera, në rastin konkret Serbisë.

Por unë shoh edhe një sinjal tjetër: Duket se Vuçiq ka vendosur t'i bindet vullnetit amerikan për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit me Kosovën. Si lëshim ndaj tij, amerikanët po i premtojnë atij mbështetje për "Ballkanin e Hapur", si dhe integrimin europian! Por në fakt integrimi europian e nxjerr jashtë loje Open Balkans. Ndërkohë që presidentit të Serbisë i duhet të ndërtojë një kabinet qeveritar pro-perendimor! Sa do t'ia arrijë kësaj, mbetet për t'u parë. Por Aleksandër Vulin në Moskë duket se e ka denoncuar shefin e tij për "tradhti" ndaj saj! Ndryshe nuk kishte si të vihej te deklarata e mësipërme e ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Megjithatë pritet që Rusia të dështojë me turp në fushatën e saj ushtarake për pushtimin e Ukrainës dhe në këtë rast do të ndryshonin të gjithë ekuilibrat. Ajo nuk do të jetë më një fuqi me ndikim global. Kjo mund t'i kushtojë edhe daljën nga Këshilli I Sigurimit. Dalja nga ky këshill do të ishte i sigurt, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të përdorte armët e dëmtimit në masë kundër Ukrainës ose ndonjë vendi tjetër. Ndërsa mospërdorimi I këtyre armëve do të thotë humbje e luftës, si dhe rënie e pashmangshme nga pushteti!

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...