Akif Mehmet Pejani (Ipekli Mehmed Akif), apo siç njiht më mirë nga letërsia turke- Mehmed Akif Ersoy (1873-1936) është njëri ndër euditët e shumtë të trungut shqiptar, veprat e të cilit arritën lulëzim në ruall të huaj, aq sa ai është cilësuar si kryepoet i Turqisë moderne.
Akif Mehmet Pejani (Ipekli Mehmed Akif) 1873-1936
Që në fillim duhet theksuar se një figurë kaq e madhe me prejardhje shqiptare, si Akif Mehmet Pejani, nuk njihej, nuk evidentohet, nuk përkthehet dhe nuk hulumtohet sa duhet nga historianët shqiptarë. Madje, as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, nuk ka të dhëna për të.
Por, falë shkrimeve të disa autorëve të mirënjohur shqiptarë si Nexhip Alpan dhe Skënder Rizaj, është bërë e njohur biografia dhe vepra e Akif Mehmetit edhe në botën shqiptare. Dhe ç’është e vërteta, ka disa vjet që në Tiranë është hapur shkolla e mesme “Akif Mehmeti”.
Babai i Akifit, Tahir efendiu-apo siç e emërtojnë biografët turq Ipekli Mehmed Tahir Efendi, ishte nga fshati Shushicë i Pejës dhe ishte biri Nuredin Agës. Pas shkollimit në Pejë, Tahir efendiu shkon për në Turqi me qëllim të studionte në Medresenë e Fatihut në Stamboll. Studimet i kryen me sukses dhe fiton titullin muderris (profesor).
Për kulturën e gjerë që kishte, Tahir efendiu shërben komntues i islamit (vaiz) në xhamitë e Stambollit. Në martesën e Tahir Mehmet Pejanit me Emine Sherifin më 1873 lindi Akifi, në shtëpinë e këtij çifti e cila gjendej pranë Biblotekës Popullore në Stamboll.
Biografët shënojnë se Akifi filloi të shkollohej që në moshën 4 vjeçare. Pastaj, pasi nga i ati dhe nga hoxhallarët e këtyre shkollave mësoi arabishten, vazhdoi shkollimin në progjimnazin e lagjes Fatih. Aty mësoi turqishten, arabishten, persishten dhe frëngjishten.
Dhe kur t’i shtoht njohja shumë e mirë e gjuhës amtare shqipe, del e qartë se vogëlushi Akif kishte dhunti të jashtëzakonshme për t’u bërë poliglot i spikatur. Në të njëjtën kohë Akifi tregonte interesim të theksuar për letërsi dhe sidomos vjershërim.
Kur Akifi gjendej në vitin e parë të gjimnazit, në moshën 14 vjeçare, përjetoi dy fatkeqësi të mëdha: i vdiq i ati dhe iu dogj shtëpia. Ishte prizrenasi hoxha Mustafa efendiu, ish nxënës i të atit, i cili mori përsipër përkujdesjen e Akifit.
Megjithë këto dhembje dhe vështirësi Akifi do të arrijë ta kryejë gjimnazin dhe fakultetin e veterinarisë-madje me rezultate të shkëlqyshëm. Me të mbaruar studimet (1893) Akifi fillon veprimtarinë e tij të begatshme arsimore, shkencore dhe letrare.
Punësohet në Ministrinë Bujqësisë dhe në Universitetin e Stambollit duke dhënë ligjerata për letërsinë. Më 1896, Akifi martohet me Ismeten. Bashkëshortët do të kishin 6 fëmijë. Derisa gjendej në shërbim të Ministrisë së Bujqësisë atij iu dha rasti të vizitonte Ballkanin, Anadollin dhe Arabinë.
Gjatë shërbimit në Ballkan, sidomos në viset e Shqipërisë ku shërbeu për dy vite radhazi, shfrytëzonte rastet për të vizituar Pejën ku çmallej me kushërijtë dhe të afërmit e tij. Me një rast, kur po largohej nga Peja, e kishte marrë me vete kushëririn Fazil efendiun për ta shkolluar në Stamboll. Dhe, sot e kësaj dite, në fshatin Shushicë të Pejës jetojnë kushërirët e Akif Mehmetit, ku Adem Beqir Mulaj rrëfen (lindur 1929) hollësisht mbi gjenealogjinë e poetit të madh.
Adem Beqir Mulaj (lindur 1929) kushëri i poetit të madh Mehmet Akif Pejani, fotografuar rishtas në fshatin Shushicë të Pejës.
Megjithëse ishte diplomuar për veterinari, Akifi me devotshmërinë më pasionante i kushtohej studimeve islame, përkthimev dhe thurjes së vargjeve. Përkthen vepra të rëndsishme nga ararbishtja në osmanishte, në mesin e të cilave edhe në Kur’an-in.
Në veprimtarinë e tij letrare, sidomos në poezi, zotërojnë temat islame dhe ngjarjet botërore 1914-1918 si dhe ato çlirimtare 1919-1922.
Më 1920, kur u mbajt Kuvendi i Parë i Madh Popullor i udhëhequr nga komandanti Mustafa Qemal-Ataturku, Akifi zgjedhet përfaqsues i vilajetit të Burdurit. Pastaj, dhjet vite të tëra, nga viti 1926-1936 Akifi ligjëron letërsinë turke në postin e profesorit të Universitetit të Kajros në Egjipt. Në atë kohë, i kapluar nga një sëmundje r papritur, Akifi detyrohet të kthehet në Stamboll, ku edhe vdiq në Stamboll me 26 dhjetor të vitit 1936.
Studiuesit konstatojnë se vjershërimet e Akif Mehmetit i stolis niveli shumë i lartë artistik, mendimi filosofik, stili i rrjedhshëm, i fuqishëm dhe dinamik. Vargjet e tij, të shkruara në gjuhën osmane, janë të gershetuara me shumë arabizma dhe persizma, me ç’rast transkriptimet nga osmanishtja në turqishten moderne me shronja latine u sjellin kokëçarje të mëdha, madje edhe letrarëve dhe përkthyesve më të zhdërvjellët.
Në transkriptimin e veprës së tij SAFAHAT (FYTYRAT) kanë bëshkëpunuar disa shkrimtarët të mirënjohur turq, si Dogrul, Kuntay, Olgun dhe Duzdag. Kjo vepër kapitale, e thurur me mjeshtëri në vargje poetike, ka subjekt ngjarjet e rëndësishme në historinë botërore nga lashtësitë deri në kohën e autorit.
Vepra SAFAHAT e Akif Mehmetit, aq shumë e ribotuar në Turqi, për vlerën e jashtëzakonshme që ka meriton të përkthehet në gjuhën shqipe, aq më shumë kur në të gjendet edhe poema e shkëlqyer kushtuar shqiptarëve dhe Shqipërisë në çastet tragjike të këtij shekulli.
Është pikërisht kjo poemë që shprehu mllefin, zemërimin dhe ngritjen e zërit intelektual dhe atdhetar të Akif Mehmet Pejanit kundër masakrave të bëra dhe gllabërimeve të trojeve shqiptare.
Krijimi i kësaj vepre me motive shqiptare i kushtoi vendin e punës, Akifi dha dorëheqjen nga postet e larta shtetërore për të mbrojtur idealet e tij, për atdheun, Shqipërinë.
* * *
Poema, që ka për subjekt Luftën e Parë Ballkanike, përbëhet nga 96 vargje. Poeti e përfundoi më 6 mars të vitit 1913. Poema fillon me vargjet:
Tre milionë njerëz po vuajnë nga tri koka pa tru.
(…)
Shqipëria po digjet …Kësaj here (djegiet) janë sumë të mëdha.
(…)
Babë, Nëna jote më e dashur, memëdheu i vërtetë,
A të bëhet viktimë e tre horllukëve hajdutë?!
(…)
Kudo që po ndodhem para syve më del një fushë e përgjakur…
A je ti, apo përfytytrimi yt? Kosovë e pa përkrahur!
Ku është shkaku me mijëra herë i pushtimit tënd?
Ku është qëllimi i kalimit të rrugës shkatërruese e “rrufesë” mbi varrin tënd?
(…)
O, rrënjët e palidhura të pavarësisë, ku janë?
Të gjitha shpresat, mendoj, përjetë u shuan.
Ku je “Bashkim” i shkëlqyer, fantazi e lartë e krijuar?
Ty madje me vite të hutoi ajo ëndërr e mallkuar.
Fjala “Bashkim” është dhënë në poemë në gjuhën shqipe me shpjegimin në turqisht. Vallë, a mund të kuptojmë se poeti Akif i drejtohet babait (të vdekur) me zhgënjimin për shpresat e shiptarëve gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1882) dhe pas shpaljes së Pavarësisë për bashkimin kombëtar- për të cilat, me gjasë babai i kishte rrëfyer me entuziazëm të birirt.
Ndërkaq në vargjet vijuese poeti identifikon horrllukët hajdutë:
Truallin mos e ka mbytur përnjëherë
horizonti i mëngjesit të përgjakur?
Malazezi hajdut, serbi gomar, bullgari gjarpër
Pastaj greku qen, atdheun rreth e përqark e kanë rrethuar
Dhe, në përmbyllje të poemës, poeti shprehet:
Shumica prej jush, u mor vesh, rrugën e gabuar s’po e shihni…
Hajnin, që tani ju shërben si këshilltar, dëbojeni,
Dëgjoni këtë prej meje, që vërtet, jam shqiptar…
Gje tjetër s’mund të them… Ja, atdheu im është i rrënuar!
Janë shumë dëshmi të shkruara e të pashkruara që vërtetojnë atdhedashurinë e flakët të poetit të madh Akif Mehmet Pejanit për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë.
Partitura me tekstin e Akif Mehmetit për himnin kombëtar të Turqisë.
Në konkursin për përpilimin e himnit kombëtar turk, shpallur më 1921, fitoi teksti Istiklar Marsi (Marshi i pavarësisë) i thurur nga pena poetike e Akif Mehmet Pejanit, që është në përdorim zyrtar edhe sot:
Mos ki frikë! Nuk shuhet flamuri i kuq që valon në këtë qiell
Pa u fikur oxhaku i fundit që tymos mbi atdheun tim
Ai është ylli i popullit tim, do të shkëlqejë
Ai është imi,imi, vetëm popullit tim
T’u bëfsha kurban! Mos u ngrys moj hënë me naze!
Buzëqeshi popullin tim hero, ç’është kjo forcë dhe kjo madhështi!
Se nuk të falet gjaku që është derdhur për ty
Pavarësia është e drejta e popullit tim që beson në Zot.
Himni i Turqisë i shkruajtur me dorë nga Akif Muhamet Pejani.
Është me interes të meditojmë, mos ishte vallë, përpilimi i tekstit të himnit turk satisfaksion për Akifin pas zhgënjimit të thellë që përjeton me qëndrimin e shqiptarëve në luftërat ballkanike, kur në poemën e tij është shprehur:
Ku është ajo pari e kombit që popujve u shpallte dyluftim?
Nuk pashë në fushëbetejë njeri, madje asnjë njeri…Mjerim!
Flaka e trojeve shqiptare flakërohej në shpirtin e poetit, i cili me oratori vullkanshpërthyese kritikonte politikën xhonturke dhe të disa shteteve europiane ndaj Shqipërisë – në mitingun e rastit të mbajtur pranë xhamisë më të madhe të Stambollit,në Sulejmanie.
Populli turk me respektin më të madh e ka bërë të pavdekshëm kryepoetin e vet Akif dhe veprën e tij. Shumë institucione, sheshe, qendra kulturore, kuarte dhe shkolla janë pagëzuar me emrin e tij. Madje, portreti i Akif Mehmetit gjendet edhe në kartmonedhën e bankës turke me vlerë 100 lira.