Pranë arkivolit me trupin e pajetë të akademik Mark Krasniqit homazhe ka bërë edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga. Ajo i ka lënë edhe një buqetë me lule pranë arkivolit, duke shprehur kështu respektin dhe vlerësimin e lartë përAkademik Mark Krasniqin.
“Presidentja Atifete Jahjaga ka bërë edhe homazhe në nderim të akademik Mark Krasniqi, një njeriu të madh të Kosovës dhe figurës së shquar atdhetare si dhe u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të akademik Mark Krasniqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja Jahjaga duke e vlerësuar lart figurën e Akademik Mark Krasniqit tha se vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, qytetarët e vendit dhe për gjithë Kosovën në përgjithësi.
Mark Krasniqi është profesor, shkrimtar e akademik, lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kokaj) afër Pejës.Akademik Krasniqi ndrroi jetë më 28.08.2015 në Prishtinë.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), ne cillin vënd e filloj shkollen qe te bëhet prift, por e nderpreu. E prej 1946- l950 ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit.
Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor.
Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik.
Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në Prishtinë
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), është themeluar më 20 dhjetor të vitit 1975 në Prishtinë me Ligj të veçantë të Kuvendit të Kosovës .
, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe. Mark Krasniqi ishte i martuar me nje grua nga Beogradi, me te cillen e ka nje vajz , Drita, e cilla po ashtu është e martuar me një Serb.
Mark Krasniqi ndër të tjera është edhe autor i pėrmbledhjes së poezive pėr fėmijė "Posta e porositur ".autori shkruan poezi për fëmijë dhe të rritur, po ashtu merret me studime shkencore në lëmitë e gjeografisë dhe etnografisë.
******
Mark Krasniqi (1920–2015) was a Kosovo Albanian ethnographer, publicist, writer, and translator. He was born on October 19, 1920 in Kokaj, near Pejë, in the Republic of Kosovo . He finished elementary school in Peć in the Serbian language and due to his Catholic background attended the Catholic high school in Prizren, being one of few Albanians among mostly Croatians and Slovenes, finishing in 1941.
After high school, he studied literature at the University of Padova, Italy and after the World War II he studied geography and ethnography at the University of Belgrade. Krasniqi was a contributor to the Rilindja newspaper since 1945 in Prizren. After writing an article related to Marije Shllaku, he was accused of overpassing the nationalistic boundaries and his scholarship got cancelled. Despite that, he graduated in 1950.
After his graduation, until the end of 1961, he worked in the Ethnographical Institute of the Serbian Academy of Sciences and Arts, being one of few ethnic Albanians to receive a membership in that Academy. Since 1961 he lectured at the University of Pristina (now Universiteti i Prishtinës); he was also a member of Academy of Sciences and Arts of Kosovo. Krasniqi earned his PhD in the University of Ljubljana in 1960. He published various studies and scientific books on ethnography and geography as well as textbooks. He was most widely known as a writer, especially for his poetry for children.
Krasniqi was a member of the Assembly of Kosovo during the legislatures of 2001-2004, 2004-2007, and 2007-2010 representing Albanian Demochristian Party of Kosovo , part of respectively LDK, LDK, and LDD parliamentary groups. He has also served as President of Academy of Sciences and Arts of Kosovo, Dean at the Faculty of Law and Economics, President of Albanian Demochristian Party (PSHDK), and First Head of the Association of Writers of Kosovo. Beside Albanian and Serbo-Croatian he was fluent in Italian .
*******
Mark Krasniqi kishte lënë amanet që të varroset pa prift!
Akademik Mark Krasniqi ka ndërruar jetë sot në orët e para të mëngjesit në Qendren Klinike Universitare të Kosovës. Krasniqi ka qenë lider i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës dhe i takonte besimit katolik.
Por, ai ka lënë një amanet jo të zakonshëm për besimtarët.
Mark Krasniqi kishte lënë amanet që të varroset pa prift! Nuk dihet se pse e ka pasur këtë dëshirë; për shkak se ka qenë ateist apo për të dëshmuar se, përpara se të jetë katolik, është shqiptar.
Në fakt, edhe në varrin e tij, që e kishte ngritur vetë, nuk ka simbole fetare por vetëm ato kombëtare.
************
“Varrimi duhet të jetë civil, pa ceremoni fetare, nuk dëshiroj të ketë të pame”
“Jom përpjek me bo diçka me bo për kombin për bashkimin është e drejtë e jona” ka theksuar ai...
Sipas Krasniqit, shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen dhe të krijojnë një shtet “pa pakica të huaja...pakicat që janë këtu janë armiqësore”
Ai ka kritikuar pushtetin aktual duke thënë se ata po punojnë vetëm për interesin e tyre personal.
Krasniqi, i cili ka folur në gjendje të rënduar shëndetësore ka thënë se vuan nga kanceri.
Ndërkohë që ka folur detajisht se si duhet të jetë varrimi i tij.
“Varrimi duhet të jetë civil, pa ceremoni fetare, Nuk dëshiroj të ketë të pame” ka thënë ai.
Por, ka pranuar që në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të ketë ceremoni përkujtimore.
*******
Edhe ambasada e Shqipërisë në Kosovë dhe ambasadori Qemal Minxhozi kanë shprehur ngushëllimet të thella për familjen Krasniqi për ndarjen nga jeta të akademikut Mark Krasniqi.
“Ambasada e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Akademikut Mark Krasniqi për ndarjen sot nga jeta, një personaliteti të shquar të Kombit Shqiptar. U prehtë në paqe!”, thuhet në telegramin e ambasadës së Shqipërisë.
Akademik Mark Krasniqi ka ndërruar jetë të premten, pak pas mesnate, në Qendrën Intensive të QKUK’së.
********
Mark Krasniqi “ka harruar” kur ka lindur. Por ai i mban në mendje të gjitha detajet edhe të fëmijërisë së tij të hershme. Gjatë jetës së tij prej gati një shekulli, kurrënjëherë nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje. Nuk është shtrirë kurrë në spital. Banon në katin e shtatë të një ndërtese tash e 50 vjet dhe çdo ditë bile më shumë se dy herë në ditë ngjitet nëpër 130 shkallë, sepse ashensori nuk punon tash më se 13 vjet. Mark Krasniqi është i shtyrë në moshë, por nuk është plakur. Ai është plak mençur, është enciklopedi e kohës tonë, është emër që ka lënë gjurmë në shekullin tonë.
Profesor Mark, ky vit, ishte 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Cila do të ishte porosia e Juaj për shqiptarët në këtë 100 vjetor të themelimit të shtetit shqiptar?
Akademik M. Krasniqi: Po, këtë vit kremtuam 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. U kënaqëm, festuam, u ndjemë krenar që jemi shqiptar. Viti 1912 është një vit i rëndësishëm për historinë e themelimit të shtetit shqiptar. Më 28 Nëntor të vitit 1912 u vunë themelet e shtetit shqiptar. Një vit më pas në Konferencën e Londrës më vitin 1913 fuqitë e mëdha i copëtuan territoret e shtetit shqiptar duke ua plotësuar apetitet vendeve përreth Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, e Greqisë.
Por ky shtet nuk i shtriu themelet e veta në mbarë hapësirën gjeografike shqiptare. Më shumë se gjysma e trojeve etnike shqiptare dhe më shumë se gjysma e shqiptarëve mbetën edhe sot e kësaj dite jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Prandaj tash e tutje duhet të mendojmë që të festojmë festën e bashkimit kombëtar. Pa u bashkuar populli shqiptar në një shtet nuk ka “rahati” në Ballkan. Neve na kanë ndarë padrejtësisht Fuqitë e mëdha. Ato kanë përgjegjësi që ta qojnë në vend padrejtësinë kombëtare ndaj nesh. Prandaj prej ditë së parë të vitit të ri unë i thërras politikanë, liderët e Shqipërisë e Kosovës e të gjithë liderët shqiptarë, por edhe gjithë popullin shqiptar kudo që jeton në trojet shqiptare dhe në diasporë që të mendojmë dhe të veprojmë për bashkimin kombëtar.
Mos më daltë shpirti pa u bashkuar trojet shqiptare.
Z. profesor, ditë më parë keni kremtuar 92 vjetorin e lindjes. A ju kujtohet ndonjë fjalë prej nënës, apo babait tuaj për ardhjen në jetë të djalit tyre që tash i ka mbushur të 92-tat?
Akademik M. Krasniqi: Prindërit shqiptarë kudo që janë i gëzohen ardhjes në jetë fëmijës të tyre të gjinisë mashkullore, pra djalit. Nga disa aspekte ky gëzim është i arsyeshëm, sepse djali nga natyra do të përballojë më lehtë se vajza sfidat e shumta të jetës dhe për disa punë më të rënda fizike djali është më i përshtatshëm se vajza. Në të kaluarën, kur në kushtet shoqërore të vështira, siguria personale dhe e pasurisë nuk ishin të sigurta, meshkujt ishin ata që mbronin familjen dhe pasurinë e saj. Përveç kësaj, në të kaluarën tonë femra ka qenë e përjashtuar nga e drejta trashëgimit të pasurisë së prindërve, nëse ka pasur meshkuj në familje. Mandej, femra ndahet nga prindi kur të martohet dhe shkon në shtëpi të burrit, kurse mashkulli zakonisht mbetet gjithmonë në familje dhe trashëgimtar i pasurisë e kujdestar i prindërve në pleqëri. Në popull thuhet ‘Vajza asht kafshatë e huej, djali asht temeli e kulmi i shpisë’. Por koha bën të vetën, tradita i mbetet së kaluarës dhe përparimi në kohën moderne ka sjellë botëkuptime, qëndrime e veprime të reja, kështu që dallimet mes meshkujve e femrave në pjesën më të madhe janë zhdukur, kështu që në praktikë, në jetën shoqërore, femra dhe mashkulli janë të barabartë, para së gjithash në pozitën e tyre në shoqëri dhe nga aspekti kulturor e intelektual në përgjithësi.
Kuptohet se nga mosha e foshnjërisë nuk mbahen kujtimet. Por mbaj në mend kur lindi vëllai im Zefi dhe unë isha në moshën pesëvjeçare. Në familje të gjithë u gëzuan, madje edhe farefisi, sidomos dajat në Janosh të Gjakovës, të cilët erdhën për urime. Babai, si shumëkush, atëherë ka pasur një pistoletë, ‘allti dhetshe’, të cilën e zbrazi dy herë nga dritarja e kullës, për të lajmëruar fqinjët për këtë ngjarje. Madje, u bë një ‘zijafet’ i rastit për fqinj e dashamirë. Më vonë jam marrë pak edhe me folklor, i cili ndër ne është shumë i pasur dhe i shumëllojshëm dhe i bukur. Aty ka shumë ‘kangë të djepit’, kur nëna e përkundë dhe e vënë foshnjën në gjumë duke kënduar këngë urimi e lavdie për djalin e saj, që të rritet e të bëhet ‘plak katundi’, ‘trim drangue’, ‘burrë besnik e burrë fisnik’ e tjera.
Kremtimi i ditëlindjes sipas kalendarit kishtar
A mbani mend kur e keni kremtuar për herë të parë ditëlindjen?
Akademik M. Krasniqi: Në fshat, zakonisht nuk kremtohet ditëlindja, kurse në qytet kremtohet. Mirëpo, unë nga fshati jam larguar si fëmijë 11 vjeçar. Pasi kam kryer shkollën fillore, kam vazhduar shkollimin në gjimnaz në Prizren. Unë kam pasur një rast të rrallë për të vazhduar shkollimin në Jugosllavinë e kralit (e cila ka jetuar nga viti 1918 deri në vitin1941) kur ne shqiptarët nuk kishim kurrfarë të drejtash kombëtare, as politike, as humane. Pra nuk kemi pasur asnjë shkollë shqipe, madje edhe libri dhe çdo shkrim në gjuhën shqipe ka qenë rreptësisht e ndaluar. Nga ana tjetër, situata ekonomike për shqiptarët ka qenë shumë e rëndë. Në punë kanë qenë kryesisht serbët e malazezët, ndërsa shqiptarët jetonin vetëm nga bujqësie në prona të tyre të vogla, të cilat shumëkujt ia uzurpoi shteti dhe ua dha kolonistëve serbë e malazezë të ardhur nga Serbia e Mali i Zi. Në qytete shqiptarët merreshin me tregti e zejtari, pjesërisht edhe me bujqësi, por shumica ishin pa punë fare. Politika arsimore e Serbisë ka qenë që shqiptarët ta kenë vetëm shkollën fillore katërklasëshe dhe të mos vazhdojnë shkollim tjetër. Edhe shkolla fillore ka qenë vetëm në gjuhën serbe. Por unë pata fatin të pranohem në seminarin (konviktin) e kishës katolike në Prizren, ku ishin nja 40 nxënës, kryesisht kroatë e sllovenë. Në këtë konvikt i kemi pasur kushtet shumë të mira nga çdo aspekt. Aty përgatiteshim për shkollë me orar të caktuar dhe në mëngjes të gjithë së bashku shkonim në gjimnaz. Falë kushteve të mira dhe disiplinës në seminar, kryesisht kishim sukses mjaft të mirë në shkollë.
Këtë që thash më sipër, e bëra për ta lidhur me pyetjen tuaj. Në seminar nuk shënohej ditëlindja e askujt, por shënohej dita e emrit të secilit. Sipas rregullit të kishës katolike, foshnjat duhet të pagëzohen (të regjistrohen) në kishë me një ceremonial të posaçëm. Me atë rast i caktohej edhe emri foshnjës. Në kalendarin kishtar janë të shënuar emrat e 365 shenjtërve, çdo ditë nga një, kështu që prindërit zgjidhnin një nga këta emra për fëmijën e tyre, për të qenë ai shenjt gjatë jetës padron i fëmijës. Atë ditë që kishte dikush nga nxënësit ditën e emrit, ne ia uronim, ndërsa drejtori na lejonte të bisedojmë dhe të këndojmë gjatë darkës, ose drekës, gjë që ishte e ndaluar ditëve tjera. Por atë ditë edhe për drekë kishim ndonjë shtesë, zakonisht fruta, për ndër të shenjtit emrin e të cilit e kishte nxënësi përkatës. Nuk ka pasur ndonjë shënim më të madh për ditën e emrit të askujt, sepse përndryshe do të kishim tepër ditë të tilla. Familjet katolike në qytet i jepnin rëndësi ditës emrit të anëtarëve të saj, kështu që pritnin edhe mysafirë, të cilët vinin për urime me një dhuratë të vogël. Por edhe në qytet festimi i ditës emrin është zëvendësuar me ditëlindjen, por edhe kjo shënohet zakonisht vetëm për fëmijë dhe për pleq në moshë të shtyrë.
Sa janë të rënda, apo sa janë të lehta 92 vite për ju?
Akademik M. Krasniqi: Për të thënë të vërtetën, mua deri vonë as nuk më ka rënë në mend kur e kam datëlindjen. Bile, nëse më ka pyetur ndokush sa vjet i kam, më ka ndodhur të ndalem e të mendoja sa u bënë, kështu që më habiste fakti që ishin bërë bukur shumë brenda një kohë të shkurtër, siç më dukej mua. Por, përsa u përket kremtimeve, përkatësisht shënimeve të ditëlindjes ime, unë nuk kam qenë kurrë ‘i nxehtë’, siç thotë populli, për ta bërë të madhe, sepse më duket së kjo nuk është ndonjë ngjarje e rëndësishme. Përsa i përket peshës të 92 viteve, edhe kur nuk mendon njeriu shumë për të, ajo nuk është e lehtë. Kam parë se njeriu i shëndosh mund ta çojë thesin në krah me 50 kg. çimento, por nuk kam pasur rast të shoh njeriun që ngarkon në krah 92 kilogram, përveç sportistët përkatës në gara të tyre. Koha e bë të vetën, organizmi gradualisht dobësohet, por jo te të gjithë njerëzit njësoj. Unë, siç thuhet ‘faleminderit Zotit’, nuk e kam ndier shumë këtë proces të natyrshëm.
Nuk kam vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje, as nuk jam shtruar në spital. Madje, deri vonë nuk kam shkuar as te mjeku për të bërë ndonjë kontroll. Në kohët e fundit po kontrolloj tensionin e gjakut, i cili nganjëherë është i ulët, por po ndryshon edhe brenda ditës. Analizat të tjera që i kam bërë në kohën e fund, të gjitha janë krejt në rregull, brenda normales. Bile përditë shkruaj në kompjuter, merrem me shkrime e botime shkencore e letrare si para shumë viteve. Banoj në katin e shtatë të një ndërtese ku jam tash 50 vjet dhe çdo ditë bile 2 herë ngjitem në 130 shkallë deri në banesën time, sepse ashensori nuk punon tash më se 10 vjet. E ndiej vetën shumë mirë fizikisht e mentalisht. Shumëkush më shfaq urime, dikush më ka zili. Megjithatë është afruar ora e akshamit, të cilën e pres si proces të zakonshëm. Madje para nja 30 vjetësh kam mbaruar edhe varrin në fshat, kam hy njëherë në të dhe e kam pastruar, por dola përsëri i gjallë, shëndosh e mirë. Megjithatë para disa vitesh kam ndryshua mendjen, kështu që pushimin shekullorë mendoj ta bëj në kodër të Prishtinës, dhe në varrin tim të mermerit në fshat, i kam vendosur eshtrat e prindërve të mi, të cilët kanë pasur varre të thjeshta, e tash ua kam përmirësuar standardin banesor. Kur vendosa të mbaroja varrin në Prishtinë, fshatarët më patën pyetur çka do të bëj me varrin në katund. Unë u thash se atë varr do ta kem për ‘vikendicë’, dhe pasi të vdes në Prishtinë, do të vijë për vikend në katund. Njëri nga fshatarët tha ‘Aman çona fjalë një ditë më para se të vishë, që të ikim diku përtej Bistricës’.
Kam qenë disa herë në Amerikë. Më ka rënë rasti të shkoja edhe te varret në Boston, ku vizitova varrin e Fan Nolit – ortodoks dhe të Faik Konicës - mysliman. Me ftesën e Organizatës Panshqiptare ‘Vatra’ të Amerikës, shkova më vitin 2010 në shkurt në Nju – Jork. Në lidhje me një rast, vizitova edhe varrezat. Edhe atje pashë varreza etnikisht e fetarisht të përziera, me hënë në rrasën e mermerit, me kryq gjithashtu në mermer, me shkronja arabisht, latinisht, hebraisht e tjera, në pllaka të mermerit, të gjitha njëra pranë tjetrës, pa rrethojë, pa rrugë e rrugica ndërmjet tyre, pa zhurmë e pa ngatërresa. Thonë amerikanët - ‘Për së gjalli po jetojmë bashkë nën një kulm, në një shtëpi, në një hapësirë, pa shenja dallimi, pa rrethojë, pa rrugicë ndërmjet, me mirëkuptim, pa kurrfarë dallimi. Pse të mos ta kalonin këta të ndjerë së bashku jetën e pasosme në qetësi e dashuri, kur jetën e shkurtër e kanë kaluar gjithashtu së bashku, megjithëse ndonjëherë edhe me ngatërresa e telashe të ndryshme’
Unë dua ta kam varrin në kodër të Prishtinës, e jo ku janë Liridoni e Sllobodani
Në Prishtinë katolikët nuk kanë varreza të veta, siç i kanë vëllezërit myslimanë. I kanë pasur edhe katolikët varrezat e veta, por me 1912, gjatë Luftës Ballkanike, serbët i kanë varrosur ushtarët e tyre të varë në këto varreza katolike, të cilat me kohë i kanë uzurpuar, dhe tash kanë mbetur të tyre dhe të katolikëve. Ky ‘bashkim e vëllazërim postmortal’ mes shqiptarëve e serbëve, është shenjë tolerance mes “rahmetlive”, të cilën këta dy popuj nuk e kanë pasur për së gjalli, me fajin e politikës së uzurpuese të trojeve shqiptare nga okupatori serb. Aty tash po varroset Liridoni shqiptar pranë Sllobodanit serb. Pushofshin në qetësi! Mos ju paçim lakmi! Unë dua ta kam varrin në kodër të Prishtinës, e jo ku janë Liridoni e Sllobodani. Kryqit as Hënës nuk ju kam bërë hyzmetin, po as nuk kam qenë kundër tyre. Në pllakën e varrit le të jenë vetëm emri e mbiemri, ndoshta edhe shqipja dykrenore mbi atë emër.
Prapë u largova pak nga pesha e jetës 92 vjeçare. Nuk e kam pasur të rëndë si ata që kanë qenë në burgje, ndoshta për idenë komuniste e sot na shurdhojnë duke na bindur se kanë qenë kurban të idesë patriotike shqiptare. Por, po ua falim këtë gënjeshtër, sepse të tillë ka edhe kriminelë që ua kanë marrë jetën shqiptarëve, kundërshtarë të ideologjisë së tyre komuniste, ose partiake, plaçkitëse. Populli thotë - ‘Gjaku e borxhi nuk vjetrohen, mbahen mend brez pas brezi’. Pesha e viteve ndryshon gjatë jetës, ka periudha të rënda e të vështira, por edhe më të lehta. Peshën e viteve të mia është peshë e popullit tim, i cili ka qenë i robëruar në kohën e sundimit të gjatë otoman, në kohën e kralit, i persekutuar edhe në kohën e Marshalit e të qeverisë shoviniste të Serbisë.
E shkrova në “Rilindje” atë që e tha Marie Shllaku në gjykatë
Jeta juaj ka disa episode. Cilat prej tyre ju kanë mbetur më shumë në kujtesë?
Akademik M. Krasniqi: Disi u përgjigja më parë edhe në këtë pyetje, kryesisht në përgjithësi për jetën e vështirë të popullit shqiptar në Jugosllavi e në Serbi. Populli shqiptar ka qenë gjithmonë i persekutuar në mënyra të ndryshme nga okupatori sllav dhe grek gjatë shekujve. Këtë tragjedi të popullit tim e kam barrën më të rëndë në kujtimet e mia gjatë gjithë jetës, sepse edhe unë jam pjesë e popullit tim. Edhe unë si individ kam qenë i persekutuar në njëfarë mënyre, sidomos nga viti 1945 e këtej, kur përpiqesha, brenda mundësive të mia, të reagoja kundër padrejtësive ndaj popullit tim. Për shembull, në vitin 1946 kam qenë gazetar i ‘Rilindjes’ në Prizren dhe si i tillë kam marrë pjesë në gjykimin e Marie Shllakut, studente shkodrane, luftëtare kundër pushtetit komunist antishqiptar, dhe të Bernardin Llupit, gjithashtu shkodran, prift françeskan, me shërbim në Pejë. Unë shkrova për gazetën ‘Rilindja’ fjalët e prokurorit, por edhe të mbrojtës të akuzuarve, sidomos të Marie Shllakut, e cila në pyetjen ironike të prokurorit ‘Çka do bëjshe ti, tradhtare e popullit tënd, me ne patriotët partizanë, sikur të fitonin luftën ju?’ Maria, ashtu e dërmuar nga torturat në burg dhe e plagosur në luftë, u përgjigj – ‘Sikur të fitonim luftën ne atdhetarët shqiptar, juve armiqve komunistë të popullit shqiptar, do t’u grifsha si duhanin’! Kjo mua më kushtoi shumë, sepse përgjegjësi serb për shtyp, më qortoi rreptë si përkrahës i armiqve të popullit. Në ato ditë vendosej për bursat e nxënësve që do të studionin në Beograd. Në listë për bursistë isha edhe unë, por emrit tim i rënë vizë dhe i vetmi unë mbeta pa bursë gjatë studimeve. Përveç kësaj, më dërguan 6 muaj ushtar, megjithëse si pjesëmarrës në luftë kam pasur të drejtë të mos shkoja fare ushtar. Kam punuar në Akademinë e Shkencave në Beograd nja 12 vjet, por edhe aty kam qenë i diskriminuar si shqiptar nga shovinistët akademikë serbë. Nga ana tjetër, disa herë më kanë thirrur në UDB-në (policinë) e Beogradit, duke bërë presion psikik në mua për t’u bërë bashkëpunëtor i tyre, duke më akuzuar për nacionalizëm dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Unë qysh në takimin e parë u thash se kurrë nuk do të merrem me punë të tilla, dhe nëse ju insistoni në kërkesën tuaj, mund të ma hapni qysh tash derën e burgut. Ata m’u kërcënuan me humbjen e vendit të punës në Akademi. Bile edhe sekretari gjeneral i Akademisë, Petar Jovanoviq, më propozoi dhe insistoi ta marr për temë të doktoratës ‘shqiptarizimin e serbëve në Kosovë gjatë shekujve nga presioni turk e shqiptar’. Edhe këtij i thash shkurt: ‘Këtë temë, për të cilën nuk ka kurrfarë faktesh, mund t’ia jepni djalit tuaj Brankos (i cili ka qenë student me mua), sepse unë nuk jam dele të shitem në pazar!’, dhe dola demonstrativisht nga zyra e tij. Kam pasur edhe telashe të tjera nga akademikët shovinistë serbë.
Por edhe kur u ktheva në Prishtinë më 1961, telashet vazhduan. Gjithmonë e gjithkund kam qenë në thumb të policisë serbe. Madje, më 1969 policia dhe Komiteti komunist organizuan në Prishtinë një tubim të intelektualëve serbë nga Kosova, Beogradi dhe Shkupi ku kritikuan librin tim të doktoraturës, të cilën e mbrojta në Universitetin e Lubjanës, duke më akuzuar për nacionalizëm dhe duke u përpjekur të ma anulojnë doktoratën. Më vonë policia e UDB-së m’i mori të hollat e shtëpisë, të cilën ia pata shitur një shqiptari nga Amerika, i cili nuk kishte dinarë, por vetëm dollarë, të cilët i deponuam bashkë në bankën e shtetit. Përveç kësaj, kur u shitën banesat shoqërore atyre që ishin banorë në to, mua nuk ma shitën, por prokurori bëri padinë në gjyq për të ma marrë banesën, sepse sipas tij, unë nuk e shfrytëzoja banesën meqenëse gjoja unë qëndroja në Evropë me mision politik shqiptar, kundër Serbisë. Më në fund, më 1981, më përjashtuan nga puna, me urdhrin e Komitetit të partisë komuniste, sepse nuk pranova të dilja në mjete të informimit për t’i dënuar si armiqësore demonstratat e studentëve që u mbajtën në ato ditë. Por prapë se prapë, gjallë e shëndosh, madje, deri në moshën 90 vjeçare! Por problemet e mia janë shumë të vogla, në krahasim me sakrificat e popullit shqiptar, të cilat pjesërisht i përmenda më parë dhe për të cilat sakrifica ky popull nuk është shpërblyer si duhet, që ta ketë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar për të gëzuar lirinë e pavarësinë e plotë, e jo të kushtëzuar të cunguar, siç e kemi tash. Megjithatë ne jemi mirënjohës për përkrahjen e madhe që na kanë dhënë në të gjitha fushat e jetës, mbi të gjitha për dëbimin e okupatorit serb nga Kosova, treva jonë shekullore. Shpresojmë që kjo politikë aktuale, do të ndryshojë si duhet për të mirën e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur, sovran e demokratik, siç e kanë shtetin e tyre të gjithë popujt në Evropë.
Jeni marrë me tri prej traditave më të çmuara të shqiptarëve, me tolerancën tradicionale shqiptare, mikpritjen dhe besën shqiptare. A mund të mburren shqiptarët me këto tri tradita të tyre kombëtare?
Akademik M. Krasniqi: Këto tri virtyte të larta njerëzore të traditës shqiptare, janë pasqyrë e qartë e moralit të popullit tonë në përgjithësi, të cilat asnjë popull tjetër në Evropë nuk i ka. Shqiptari i traditës edhe shtëpinë e vet e ka konsideruar ‘shpi të Zotit e të mysafirit’. Dera e tij ka qenë hapur për çdo nevojtar që kërkon konak, madje edhe nëse ai ka qenë fare i panjohur, sepse ‘mysafirin ta çon Zoti në shpi’. Kjo ka qenë bindja dhe burrëria e tij. Toleranca fetare, por edhe kombëtare, ka qenë deri në atë shkallë saqë deri vonë ka pasur raste ku në një familje një pjesë e saj ishin myslimanë, e pjesa tjetër katolikë, pa kurrfarë problemi në baza fetare. Unë vetë kam vizituar familje të tilla në Lug të Baranit (Pejë). Nga ana tjetër, Rugova ka 13 fshatra , të gjithë banorët e tyre janë shqiptarë të besimit mysliman. Para disa vitesh ( me 2005), rugovasit kanë ndërtuar në fshatin Kuqishtë kishën katolike. Shkova njëherë për ta parë. Në bisedë me fshatarët i pyeta çka po ju nevojitet kjo kishë, a mos e keni ndërtua që gjatë dimrit të fortë të këtyre bjeshkëve, të strehohen në kishë arushat, lepujt, kaprojtë e ujqit e Rugovës. Ata më thanë: ‘Kishën e kemi ndërtuar për nder të parëve tanë të cilët të gjithë kanë qenë katolikë. Madje, edhe kjo lendinë e ka emrin “livadhi i kishës”, këtu ka qenë kisha e të parëve tanë’. Këso tolerance fetare mendoj se nuk ka në botë. Gjatë historisë shqiptarët kurrë nuk kanë pasur luftë fetare mes veti. Evropa e civilizuar ka bërë edhe lufte tridhjetëvjeçare midis katolikëve dhe protestantëve. Unë kam qenë 16 vjet në krye të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, ku një pjesë e madhe e anëtarëve të saj dhe e kryesisë qendrore kanë qenë shqiptarë të besimit mysliman. Edhe këtë fakt e kam shfrytëzuar në bisedë me autoritetet politike në Evropë, në Amerikë, madje edhe në Australi (më 1994) për t’i bindur se myslimanët shqiptarë nuk janë fanatikë fetarë, nuk janë muxhahidinë, talebanë e popull destruktiv, siç na paraqet propaganda serbe kudo, por janë popull evropian me moral shumë të lartë tradicional. Besa shqiptare është një nga karakteristikat më pozitive të popullit shqiptar. Këtë e kanë përjetuar dhe përshkruar shumë autorë evro-amerikanë. Unë kam botuar në Akademinë e Shkencave të Kosovës një libër për mikpritjen e një tjetër për tolerancën tradicionale shqiptare. E kam botuar edhe librin për besën shqiptare, nga Akademia jonë. Në lidhje me përpjekjet për ta bindur faktorin ndërkombëtar se shqiptarët kanë të drejtë për vetëvendosje në trojet e veta etnike, dhe konkretisht në Kosovë, si edhe për të demaskuar propagandën antishqiptare serbe, kam botuar 5 libra me përmbajtje politike dhe argumente shkencore, për të mbështetur kërkesat tona për pavarësinë e Kosovës.
Jeni ndër themeluesit e Universitetit të Prishtinës. A mendoni se ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga të arriturat më të mëdha të popullit shqiptar në regjimin e kaluar?
Akademik M. Krasniqi: Deri më 1960 ne nuk kemi pasur asnjë fakultet në Kosovë. Me kohë numri i tyre u rrit dhe më 1970 formuam Universitetin e Prishtinës. Kjo ka qenë ngjarje historike, sepse universiteti aftëson kuadro specialistë të degëve të ndryshme teknike dhe shoqërore për të ndërtuar një shoqëri të përparuara nga shumë aspekte. Rinia studentore ka qenë ajo që në demonstratën e parë në Kosovë më 1968, ka kërkuar të drejtat kombëtare dhe politike, flamurin kombëtar dhe republikën si të gjithë popujt e tjerë që i kishin atëherë. Kështu, hap pas hapit, kërkuam dhe krijuam me 17 shkurt 2008 Republikën e Kosovës shtet të pavarur, në saje të përpjekjeve tona, por sidomos në saje të miqve tanë evro-amerikanë, të cilët angazhuan forcat e NATO-së që e dëbuan okupatorin serb njëherë e përgjithmonë nga Kosova shqiptare.
Përveç si studiues, jeni i njohur edhe si poet, madje poet i dashur për fëmijë. ‘Posta e porositur’ është shndërruar në një Abetare të poezisë për fëmijë. Prej nga dashuria juaj kaq e madhe për fëmijë, prej nga ky komunikim kaq i afërt me fëmijët përmes vargjeve?
Akademik M. Krasniqi: Libri im për fëmijë, ‘Posta e porositur’, ka qenë lekturë e obliguar për shkollën fillore dhe është botuar dhjetë herë deri tash. Para shumë viteve isha një mbrëmje në Tiranë në hotel ‘Dajti’ duke pirë kafe me shkrimtarin tonë më të madh të gjallë, Ismail Kadarenë. Në ato ditë pat dalë një ribotim i Postës porositur, unë ia dhashë një kopje Kadaresë dhe e përcolla deri diku kur dolëm. Pas dy ditësh u takova përsëri me Ismailin dhe më tha se atë natë e kisha lënë pa gjumë. Unë nuk e kuptova pse dhe i thash se nuk ka qenë vonë kur të polla, a mos bie ti me pula në gjumë. Ismaili tha: “,Jo, jo, por kur rashë në shtrat, e mora librin që ma fale dhe fillova ta shfletësoja për të pa çka ka në të. Mirëpo, kur fillova ta lexoja, nuk mund e lëshova nga dora deri sa i rashë në fund dhe kështu kaloi një pjesë e natës pa gjumë. Bile tash, vajza ime e vogël gjithnjë e kërkon ‘atë libri tim’, Postën tënde’. I thash: ‘’Po më vjen mirë Ismail, që paskemi arritur të bëj konkurrencë në letërsi në shtëpinë tënde, të paktën deri në prag të derës së sate, por më tej nuk po shkoj.’ Me këtë desha të them se libri për fëmijë duhet të jetë interesant madje edhe për të rritur. Fëmijëve nuk duhet t’u ipet çdo libër në dorë, sepse libri i dobët ndikon keq në formimin e shijes artistike të fëmijës, madje mund t’ia humbë edhe vullnetin për të lexuar libra. Për fëmijë kam botuar dhjetë libra me poezi, kam përkthyer edhe disa libra të autorëve të huaj, p.sh. Pushkinin, Majakovskin, Oton Zhupançiqin, Branko Çopiqin etj., sepse kanë libra të mirë për fëmijë. Madje, kam angazhuar edhe vajzën time, Dritën, e cila ka krye Fakultetin e arteve, për të ilustruar ‘Postën e porositur’, e cila është përkthyer edhe frëngjisht. Më lehtë është të shkruash për të rritur se të shkruash libër të mirë për fëmijë. Fëmijët janë engjëj në këtë botë, në të cilën ka shumë njerëz diabolikë.
Keni hyrë edhe në politikë. Këtë përfshirje në politikë e keni bërë jo me dëshirën tuaj. Pse?
Akademik M. Krasniqi: Unë jam punëtor shkencor dhe letrar, politika nuk është, as nuk kam dëshiruar kurrë që të jetë preokupim profesional i imi. Por njeri krejtësisht apolitik nuk ka. Kjo vlen para së gjithash për intelektualë. Edhe kur lexojmë në libra, ose në gazete për ndonjë rast konfliktit të rëndë mes dy palëve, ne në mendjen tonë përkrahim palën e cila ka më të drejtë. Edhe kjo është një lloj politike. Megjithatë, angazhimi im në politikë ka qenë kundër vullnetit dhe interesit tim personal, por e pashë se edhe në atë mënyrë mund të jap një kontribut sado të vogël për realizimin e të drejtave tona kombëtare, për të qenë populli ynë i lirë, i barabartë me popujt e tjerë, i pavarur dhe zot në shtëpinë e vet, të cilën e kanë okupuar fqinjët tanë me bekimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 , me Konferencën e Paqes në Paris me 1920 dhe me krijimin e Jugosllavisë në Versajë në fund të vitit 1918. Si thash edhe më parë, unë kam luftuar sa kam pasur mundësi, pranë faktorëve politikë ndërkombëtarë për t’i bindur se shqiptarët në Kosovë kanë të drejtë të vendosin vetë për fatin e tyre dhe se propaganda antishqiptare e okupatorit serb është gënjeshtër fund e krye, sepse populli shqiptar ka vetëti e moral shumë të lartë, është shumë tolerant e demokrat dhe nuk ka asgjë të përbashkët me terroristët e ndryshëm islamikë të Lindjes. Unë nuk kam pasur kurrë ambicie politike as karrieriste në përgjithësi, por kur është puna për interesin kombëtar, kur populli vuan të zinjtë e ullirit nga okupatorët sllav e grek, të cilët e mbajnë të okupuar 2/3 të territorit etnik shqiptar dhe popullsinë e tij shqiptare në robëri, intelektuali shqiptar nuk guxo të rrijë duarkryq para tragjedisë së popullit të vet.
Akademik M.Krasniqi: Le të jemi të bashkuar rreth idealit tonë kombëtar. Të bashkuar jemi më të fortë.
Paqja, dashuria, shëndeti e begatia qoftë në votrat e të gjitha familjeve shqiptare kudo që janë e kudo që jetojnë!
Gëzuar!