A ËSHTË KUKËSI GREQI ?



REXHEP SHAHU


Refugjatët shqiptarë që shkojnë në Gjermani nuk janë nga Shqipëria, tha kryeministri Rama, por janë nga Greqia.

A thua kanë ikë edhe arvanitët nga Greqia, mendova unë, dhe ia kanë mësy Gjermanisë.

Shqiptarët që ikin si emigrantë nga Shqipëria për një jetë më të mirë për në Gjermani a kudo në Europë, nuk janë nga Shqipëria, përsërit tezën e Edi Ramës, ministri i brendëshëm Saimir Tahiri.


Shqiptarët që ikin nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Gjermani janë nga Greqia, deklaron ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati dhe nuk skuqet pse gënjen dhe përsërit gënjeshtrën e shefit të tij.

Po shqiptarët a kanë atdhe Greqinë apo Shqipërinë?

Shqiptarët, kudo qofshin, a janë shqiptarë? Apo shqiptarët e Greqisë nuk janë shqiptarë, nuk janë fiks shqiptarë.

Shqiptarët e dinë se nuk poi kin shqiptarë nga Greqia por nga Shqipëria.

 Ata shqiptarë që janë në Greqi, edhe pse atje ndërrohen qeveritë çdo stinë, janë njëqind herë më të sigurtë se në Shqipërinë e Edi Ramës.

Këto gënjeshtra kryeministrore e ministrore mund t’i hajë e mund të ngijnë Europën, Merkelin, shokun e Ramës, Barakun, por këto gënjeshtra nuk i hanë shqiptarët që jetojnë e ikin prej Shqipërie, që dëbohen prej Shqipërie nga qeveria e cila nuk u siguron asnjë punë e mundësi, nuk u ofron siguri, përkundrazi u hidhet në shpinë qytetarëve si ujku gomarit.

Kur s’ka bukë, s’ka siguri. Këtu nuk ka luftë me armë në Shqipëri por ka uri, ka skamje, ka varfëri, ka tunel, ka mungesë shprese e besimi.

Por një ditë e rastësishme në Kukës, vetëm dy orë në qytetin që e njoh, pa patur nevojë të shkoj në fshatra e t’i shoh bosh si varre të hapura pas ndonjë lufte pa krisma, të shoh qentë që nuk kanë fuqi as të lehin më se nuk ka kush i ushqen, pasi të zotët kanë ikë drejt Gjermanisë, pra vetëm dy orë nëpër Kukës dhe ndjehesh se je në një qytet si pas një kolere që kush ka mundë ka ikë dhe kush s’ka mundë të ikë pret të vdesë në dëshpërim të papërshkrueshëm, i harruar e braktisur pa asnjë ndihmë nga askush se nuk ka kush ndihmon.

Vjet e kam blerë këtë mall që po sheh në dyqan, këto këpucë e sandale, më thotë një tregtar te pazari. Asgjë nuk është shitë ndonëse shiten me gjysmën e çmimit që shiten në Tiranë. Nuk ka kush t’i blejë se nuk ka njerëz më këtu, kanë ikë e po ikin sa po mundin.

Po ikin nga Greqia, i them unë.

Nëse Edi Ramës i duket Kukësi Greqi, ani le ta quaje Greqi, por kuksianët po ikin nëpër doganën e Morinit dhe në kufi është Kosova e jo Greqia e Ramës. Po ikin njerzit e ktuhit mor a merr vesh, po ikin të gjithë, ngre zërin miku im.

Këpucët rrinë grumbull në dyqan. Ata fëmijë që do t’i vishnin ato këpucë janë tashmë në Gjermani dhe Europë.

Në pallatin përballë dyqanit të Timit, ti e njeh Kujtimin, nga 15 familje që ishin kanë mbetë 5. Dhjetë kanë ikë në Gjermani. Në këto dhjetë shtëpitë bosh, janë vetëm 6 pleq që kanë mbetë vetëm. Dyet e shtëpive rrinë mbyllë. S’ka levizje nëpër shkallë. S’ka fëmijë as në oborr as nëpër shkallë e koridore. Sikur njerzit kanë shkue në varreza e s’janë kthye hala. Sikur fëmijët janë në shkollë e s’janë kthye hala.

Ndonjë plak del herë pas here dhe vjen tek ne e kërkon ndihmë se nuk di të ndërrojë kanalet televizive. Kërkon t’ia lë televizorin te ndonjë kanal që jep lajme për ata që ikën për Gjermani.

Lutet t’ia gjej një kanal televiziv ku të mos e shohë Edi Ramën në lajme. Se Edi Rama i çoi djemtë në kurbet me gjithë gra e fëmijë edhe pse s’ka luftë në Shqipni. Edhe përpara kanë ikë djemtë në kurbet, por jo me gra e fëmijë. Tash veç qyqja ashtë mangut me knue në shpiat tona…

Na votuam Edi Ramën dhe, qe, djemtë po ikin tash me gjithë gra e fëmijë. A me ikë edhe fëmijët në kurbet e votuam Edi Ramën… Nemcja e marrtë vesh…

Kërkush nuk e di sa kanë ikë prej ktuhit, më thotë trishtueshëm miku im që çdo fjalë i del si vajtim.
Unë pyeta veten pastaj mijëra herë, ne, a jena të k’tuhit!? Miku im te pazari më tha se poi kin njerzit e ktuhit ej… Mu kujtua titulli i librit “Na nuk jena t’ktuhit”.

 Vërtetë, kjo qeveri a po i trajton njerzit sikur të jenë të ktuhit apo po i trajton sikur janë të ardhur prej dreqit të mallkuar dhe sikur janë pushtues të pronave të qeveritarëve…

Kanë ikë mësues pa mbyllë vitin shkollor, pa nxjerrë notat. Kanë ikë mësues e nxënës pa marrë notat e fundit të vitit. Mbetën klasat e shkollave gjysmë bosh. Të merr vaji me i pa klasat ashtu bosh. Nuk të besohet…, më flet dhe sytë iu mbushën me lotë mikut tim.

Nuk ka njerëz në qytet. Ke mall me pa njerëz. S’ka fëmijë. O zot qytet pa fëmijë. Sikur i hënger toka njerzit. Edhe kolera pale a kishte mbytë më shumë, pale a kishte shfarosë më shumë. Kanë ikë edhe më përpara njerëz por jo kështu, jo kaq pa zhurmë e kaq masivisht.

 Dhe nuk i bëhet vonë kërkujt pse kanë ikë e ikin njerëz. Një ditë diskutim në parlament dhe kaq. Një ditë tallje e fajsim ndaj Gjermanisë dhe kaq. Politikanët sikur knaqen që ikin shqiptarët prej vendit të vet. Ma pak shqiptarë, ma pak halle për politikanët…

Në çdo pallat gjysmën e shpiave ose i ke mbyllur ose gjen ndonjë plak. Ka shtëpia ku gjen edhe plak të vetëm fillikat. Një zot e di si jetojnë, si hanë, si flenë. A janë sëmurë, a kanë ilaqe…

Më shkroi në fejsbuk një shok që ka ikë dhe i tronditur më thotë të shkoja te shtëpia e tij pasi kishte ikë me grua e fëmijë dhe kishte lënë nënën vetëm.


U drodha pasi mendova a e ka gjallë nënën. Nuk i përgjigjej nëna në telefon. Shkova. Nuk dinte ta karikonte baterinë e telefonit nëna e shkretë dhe e gjeta me lotë në sy. Më trembi vetmia e asaj shtëpie. Më trembi shkretia e asaj shtëpie.

Më uroi një mijë herë që shkova. Mu lut, kur të kem vakt, të shkoja t’ia merrja pensionin. Se nuk dinte ku merrej. Se nuk kishte më asnjë lek ajo nënë zeza… Më erdhi zor të shihja a kishte ndonjë ushqim në rafte…

Po mitingjet plot njerëz, fola unë…

Miku im më hodhi një shikim që më trembi. Që u ndjeva me faj. Shumë me faj.

Ti ia fut krahët shpesh barrës së huaj, më foli ai pasi më lexoi thellë, shumë thellë. Aq thellë sa ndoshta as unë nuk e lexoj veten.

Më erdhi turp, shumë turp si rrallë ndonjëherë në jetë. Sikur u ndjeva shumë përgjegjës për këtë shkretim qyteti, për këtë dëbim shqiptarësh prej vendit të tyre.

Ikja e shqiptarëve, shpërngulja e tyre prej trojeve të tyre më ka trishtuar si asgjë tjetër.

 Nuk më trishton lufta sa më trishton shpërngulja. Lufta ta mbush vendin me varre, por varret janë sërish në vendin tënd, shpërngulja të le edhe pa varre, pa rrënjë se varret janë rrënjët tona.

A thua kanë ardhë në pushtet Rama e Meta me shpopullue Shqipërinë? A mos i ka sjellë në pushtet ndonjë fuqi e huaj që i intereson të shprazet Shqipëria nga shqiptarët.

Teksa endem nëpër qytet, më bëhet se shoh vetë Vaso Çubrilloviqin në Kukës duke u knaqë, jo fantazmën e tij në Prishtinë para disa muajve, siç shkruan miku im Izeti te parathënia e librit të Vasos “Shpërngulja e Shqiptarëve”.

Më bëhet se Vaso Çubrilloviq fërkon duart e niset drejt meje sfidues. Unë marr pozën e krenarit. Ai qesh me mua. Më fton për kafe. Unë refuzoj. Jam profet më thotë nga larg.

Shporru mut, i thërras unë. Jam në ju, thellë në ju, në shpirtin e qeveritarëve tuaj jam, më thotë me një zë të ultë Vaso…

Kufoma ime endet nëpër Kukës, por jo nëpër Greqi.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)