JUSTIN GODART KRYEMIK I SHQIPTARËVE


MIRDASH M. SHEHU



(Parathënie e librit të Justin Godart “Shqipëria në 1921”, botuar nga Shtëpia Botuese “Klubi i Poezisë, Tiranë, 2015)

Ja kushtoj këtë punë babait tim, intelektualit qytetar, mësuesit patriot, kompozitorit dhe mbledhësit të apasionuar të folklorit dibran, Munir F. Shehu.

Gjithçka që di m’a ka mësuar ai. Edhe dalja në dritë e këtij libri i takon atij, jo vetëm për frëngjishten që më mësoi, por edhe se vetë libri është pronë e bibliotekës së tij. Shqipëria ka patur edhe do të ketë gjithmonë intelektualë që pavarësisht përmasave, do të luftojnë e do t’a mbrojnë me dije dhe dashuri.

Pikërisht, këtyre intelektualëve u përket edhe Muniri, i cili, në rininë e hershme, duke dashur të mësonte sa më shumë për historinë e vendit të tij, për lojrat që po luheshin në kurriz të popullit të tij do ta kërkonte, do ta gjente, lexonte e ruante fort, rreth 80 vjet edhe këtë libër të rrallë në bibliotekën e tij.

 Por, historia e këtij libri nuk mbaron këtu. Intelektuali dhe libri, të dy, do të vuajnë së bashku dhe veç e veç kalvarin komunist. Për kulturën dhe bindjet e tij demokratike, që në fillim, me vendosjen e komunizmit në Shqipëri, në 1945,

Muniri do të arrestohej, do të shpallej “armik i popullit”, do të burgosej, do të lirohej, do të burgosej e lirohej përsëri, por kjo nuk do t’a shqetësonte aq sa meraku i shkatërrimit të bibliotekës nga konfiskimi.

Një biliotekë e ngritur me mund e me vlera.. I shqetësuar për fatin e saj, porositi të afërmit t’i fshihnin librat… Inkuizicioni komunist do të hakmerrj edhe ndaj tyre.

 Të ngarkuar në kuaj, mushka, gomerë, a ç’të mund, natën, librat udhëtonin nëpër Dibër, sa në një shtëpi në tjetrën për t’i shpëtuar sekuestrimit në një ndërrmarje të pasukseshme.

Një pjesë u grisën, një pjesë humbën rrugëve gjatë transportit edhe ajo që mbeti u mbulua nga uji në një podrum bashkë me shumë shkrime të tij. Më në fund, të shpëtuar nga kjo odise e dhimbshme, ishin një Larus i 1936, një metodë solfezhi, mendoj shumë e rrallë e Klod Ozhe, ndonjë gjë tjetër dhe… libri i Godartit.

Vetëm ai shpëtoi. I vetmi libër që mbeti gjallë në këtë përpjekje të dëshpëruar si dëshmi e historisë, për të treguar se e vërteta nuk vdes.

Ai duhet të mbijetonte dhe mbijetoi duke patur historinë e vet të mbijetesës. Libri i shlyerjes së borxheve, libri i shpëtimit të moralit. Nëpërmjet tij, D’Estournelles “pagoi” një detyrim ndaj shqiptarëve, ndërsa unë, një borxh që ja kisha babait tim. Ky libër sot flet shqip.

Në mars të vitit 1997, kur rrugët e paqeta të qytetit tim i kishte pushtuar çmenduria e njerëzve të armatosur që qëllonin papushim, pa kuptim, kur urrejtja e frikshme njerzore shkaktonte viktima të pafajshme, unë kërkoja paqen.

Po ku?Po ku tjetër përveçse tek libri mund t’a gjesh atë? Libri është paqja vetë dhe libri i J. Godart vetë libri i paqes.

Komunizmi mundi të më heqë të drejtën e arsimimit, po jo dashurinë për librin. Ndërsa jashtë, netëve të frikshme u ishte prishur gjumi nga krismat pa pushim, brenda, unë fillova të lexoj Godartin duke e përkthyer fjalë për fjalë, rresht për rresht, faqe për faqe.

 Një stërmundim i madh që më ka dhënë një kënaqësi të veçantë.

Këtë libër të mrekullueshem, kur isha fëmijë, e kisha prekur, e kisha marrë në dorë me dhjetra e dhjetra herë.

Ngaqë ishte me kapakë të trashë e përdorja për të vendosur në faqet e tij koleksionin e pullave të filatelisë.

Vonë, shumë vonë, e mora përsëri në dorë krejt rastësisht, thjesht duke kërkuar diçka për të lexuar.

 E mora në dorë dhe, si një relike e fëmijërisë time, më ngjalli kujtimet e hershme kur me shumë kujdes i hapja faqet e tij për të vendosur pullat pa u dëmtuar.

Dhe ja, kështu, duke shfletuar faqet, kurioziteti më shtyu të lexoj, pa qëllim, rreshtin e parë të parathënies së tij, të shkruar nga nobelisti i paqes, sekretari i komisionit të caktimit të kufijve të Shqipërisë me Malin e Zi, D'estournelles de Constant: Je dois l'Albanie beaucoup; je paierai cette dette de jeunesse (Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t'a paguaj këtë borxh të rinisë).

Ishte hera e parë që lexoja një diplomat të huaj, të një kalibri të tillë, që shfaqte pendesë për qëndrimet ndaj Shqipërisë, megjthëse kjo ishte shkruar prej tij që në 1921!

Vazhdova më tej dhe ndalova vetëm në fund. Nga ndjenja që nuk është e vështirë të përjetohen në situata të tilla, e lexova dhe e përktheva me durim e dashuri, me dëshirën e mirë për t'u sjellë lexuesve një libër, që, mendoj, duhet t'a lexojnë e t'a mbajnë me vete në udhëtime, për pushime, në zyra, në makinë, kudo.

Ky libër i autorit Justin Godart, politikan i shquar francez dhe njohës shumë i mirë i shqiptarëve, të cilin, e drejta e bëri mik të tyre, i shkruar në vitin 1921, është në fakt vetë historia e Shqipërisë,

historia e padrejtësive të diplomacisë të Fuqive të Mëdha për të fshirë nga harta një nga kombet më të vjetër në Europë, historia e përpjekjeve të paepura të presidentit Willson në mbrojtje të shqiptarëve, historia e vuajtjeve dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar, duke luftuar kundër të gjithëve, të braktisur, krejt vetëm.

Justin Godart është ndër të paktët njerëz që, me guxim, në mbrojtje të së vërtetës, nuk i braktisi kurrë shqiptarët.

Gjërat duken si të ditura, por duhet menduar thellë…

Me këndvështrimin e tij të drejtë, me shikimin e tij të sprovuar, me këshillat e tij të ndershme, ky libër vlen sot, bile shumë, për të kuptuar forcën e gjërave. Eksperienca e Godart që vjen nëpërmjet këtij libri është një vlerë e pallogaritshme për të njohur veten dhe të tjerët.

Duke pasqyruar me vërtetësi dhe paanshmëri të gjitha intrigat që ju bënë shqiptarëve si nga fqinjët ashtu edhe nga Fuqitë e Mëdha, ky libër u jep përgjigje edhe shumë pyetjeve për ngjarjet që po ndodhin sot.

D'estournelles de Constant, nobelisti i paqes 1909, ndër diplomatët, politikanët dhe humanistët më të shquar të kohës, si një detyrim, dhe jo vetëm, ka marrë përsipër dhe ka shkruar një parathënie, sa të gjerë, nga temat që trajton, sa të thellë e të drejtë, nga mënyra si i trajton, po aq edhe prekëse, nga dashuria dhe dhimbja për pdrejtësitë në dëm të shqiptarëve.

Kështu pra, këta dy burra të mëdhenj, kanë sjellë para nesh prej shumë kohësh një libër, që po ashtu, prej shumë e shumë kohësh duhet të ishte në bibliotekat e shqiptarëve.

Besoj se e kuptoj edhe pse-në e mungesës së tij.

Së fundi, duke mos qenë një njohës i thellë i gjuhës frënge, ju kërkoj ndjesë për guximin, por pasi durova mjaft që ky libër të shihte dritën e botimit, nuk mund të rrija më gjatë duke pritur.
Shpresoj se duke e lexuar do të më jepni të drejtë.


*******


UNË I KAM SHUMË BORXH SHQIPËRISË

Kohët e fundit u njoha me Mirdash Shehun, të birin e shumë të njohurit Mirdash Shehu, studjues dibran i zellshëm, autor i dhjetra vëllimeve që pritet të botohen, i dënuar me 10 vite burg, autor i Këngës së Burgut, që shumë të burgosur shqiptarë në diktaturë e patën himn lirie.

Përveç të tjerave, mësova se Mirdash Shehu, njohës shumë i mirë i frengjishtes, të cilën ia ka mësuar i ati në fëmijëri, ka përkthyer një libër të veçantë, “Shqipëria në 1921”, të francezit të shquar, mik i paqes dhe lirisë, adhurues i shqiptarëve, Justin Godart.

Mësova gjithashtu se parathënien këtij libri ia ka shkruar senatori i shquar francez, nobelisti i paqes i vitit 1909, D’estournelles De Constant. Dhe sa lexova fjalinë e parë të kësaj parathënie, u mrekullova. Sepse ai në fjalinë e parë përcjell gjithë dashurinë, mirënjohjen dhe drejtësinë për ne shqiptarët dhe atdheun tonë, gjithë detyrimin që Europa dhe më gjërë i kanë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Bashkë me përkthyesin e librit “Shqipëria në 1921”, Mirdash Shehun dhe mikun tim Izet Duraku vendosëm që këtë libër ta fusim në proces botimi, që lexuesi shqiptar të mësojë për ndarjen e coptimin e Shqipërisë, për caktimin e kufinjve të saj para 100 vitesh, për kurthet dhe ligësitë e fqinjëve, për punën e dashurinë e miqve dhe adhuruesve të saj francezë. (Rexhep Shahu)





D’ESTOURNELLES DE CONSTANT

(Nobelist i paqes me 1909, senator)


UNË I KAM SHUMË BORXH SHQIPËRISË



(Parathënie e librit “Shqipëria në 1921” të Justin Godart, që është në proces botimi, përkthyer nga Mirdash SHEHU)

Unë i kam borxh shumë Shqipërisë; unë do t’a paguaj këtë borxh të rinisë.

Në çastin kur isha në fillimet e mia diplomatike, kur zelli më ishte ndaluar, Shqipëria e mjerë më ka mallëngjyer. Ajo kontribuoi në ndriçimin e ndërgjegjes time të turbulluar nga skeptiçizmi profesional; ajo zgjoi prirjen time. Kam besuar gjithmonë në detyrën për t`i shërbyer drejtësisë dhe për të luftuar shtypjen. Por këtë detyrë, si e përmbushim? Nuk gjendet kurrë rasti? Mirëpo rastet nuk mungojnë; jemi ne që na mungojnë dëshirat. Na pëlqen të besojmë që është tashmë shumë bukur të jesh besnik në jetën private, për miqtë, të afërmit, bashkëqytetarët, vendin tënd. Kjo nuk mjafton. Të jesh besnik, apo të mos jesh. Egoizmi individual, familjar, lokal, nacional, është gjithmonë egoizmi, që çon në sakrifikimin e më të dobëtit prej më të fortit. Në Shqipëri, për herë të parë, kam ndjerë se aty kishte, jo vetëm njerëz, por popullsi që nuk mund të braktisej pa nder, në mjerimin e vet.

Pata fatin e madh të emërohem, në pranverë të 1879, sekretar i komisionit të ndarjes së kufijve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Erdha në Shkodër, pastaj u njoha atje, me kolegët, vendet, krenar për postin tim të parë, duke mos e marrë me mend, ç`është e vërteta, punën për tëcilën ishte ngarkuar komisioni. Së fundmi, ne po e sakatonim, po e qethnim territorin e Shqipërisë në dobi të Malit të Zi. Dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje. Vetëm kjo mjaftoi për të shfaqur gjithë magjinë e saj në sytë e më të rinjve mes nesh. Dhe banorët, për më tepër, ishin të qetë, çfarëdo që t’u thonë, duke dashur, vetëm të punojmë me krenari e dinjitet. Dhe duronin të gjithë, pa u ankuar, pa patur një avokat. Sepse Shqipëria nuk ekzistonte, dhe nuk duhej të ekzistonte për diplomacinë. Vetëm Turqia ishte në kontakt me Evropën. Dhe, kur Shqipëria shkaktonte vështirësi, ishte Turqia, e dobët, të cilën Europa e kërcënonte ose shtirej sikur e kërcënonte. Më kujtohet demostrimi detar, qesharak, i Ulqinit, të paprekshëm, mbi Adriatik, dhe ku skuadriljet tona të luftanijeve bënin, sa për sy e faqe, shfaqje bombardimi. M`u deshën disa vjet për t`i kuptuar këto komedi.

Nga larg, kuptoj sot, atë që nuk mund, veçse mezi ta dalloja, në 1879 dhe në 1880.

Ishte problemi, atëherë i ri për mua dhe i pazbërthyeshëm, komplikacionet e të cilit duhet të shpërthenin më vonë, luftërat ballkanike, pastaj luftën botërore, problemi i pa mbaruar i ndarjes së Turqisë. Ja si qëndronte ai atëherë, në Shqipëri dhe në Malin e Zi.

Rusia, e padurueshme për t`u zgjeruar në perëndim, e – tashmë – për të pushtuar Konstandinopolin, ose për të vendosur aty Bullgarinë për t`i përgatitur vendin, shpërtheu marrëzisht luftën e 1876, për pavarësinë e Hercegovinës dhe Bosnjës që mbaroi përveç kësaj edhe me dorëzimin e Austrisë. Ajo kishte rrezikuar shumë pranë shkatërrimit. Është Rumania që do t’a shpëtonte dhe shoqëronte në Shën Stefan, në portat e Konstandinopolit. Atje, qeveria ruse nënshkroi me sulltanin një traktat që lejonte si përhapjen ashtu edhe publikimin e përpiktë tëambicieve pansllaviste, ashtu siç ekzistonin në shpirtërat dhe qarqet zyrtare, të kohës. Traktati i Shën Stefanit, ishte akti i parafundit i ndarjes së Turqisë, në dobi të sllavëve. Mungon vetëm caktimi i rolit të Kostandinopolit, të rrethuar, të ruajtur, si dardha për etje. Rumania, natyrisht, kishte pjesën e saj, Dobrushën, në detin e Zi, por mjaft e ngushtë. Principata e Bullgarisë, nga ana tjetër – atëherë vegël e Rusisë – shtrihej deri në Selanik, e shumë përtej Vardarit, në perëndim të Ohrit, Korçës, jo larg Elbasanit e për rrjedhojë Durrësit mbi Adriatik. Serbia zbriste në jug deri në Mitrovicë, stacioni i fundit i përkohshëm i hekurudhës, fillimi në të ardhmen i linjës së madhe nga Athina, në Selanik, Sarajevë e në Europën qëndrore; Mali i Zi i zgjaste asaj dorën, në mënyrë të tillë që këto dy degë të familjes sllave të bashkoheshin së shpejti. Dhe nuk thuhej, nuk dihej, me çfarë kam kuptuar më vonë, cili ishte roli i Malit të Zi në intrigë; rol paralajmëruesi dhe zjarrvënësi, çdo herë, duke u përshtatur mirë dhe me shtatin e vogël dhe me punën me të cilën ngarkohej. Nuk dihet; sepse janë disa gjëra që nuk mund të dihen, veç me kalimin e kohës.

Fakti brutal, më kujtohet, është se paqja e Shën Stefanit ngriti një shqetësim të përgjithshëm në Angli, në Austri, në Gjermani dhe në Itali; dhe kjo është arsyeja që Kongresi i ri i Berlinit u mbodh disa muaj më vonë, me 1878 për të rishqyrtuar këtë traktat. Histori e njohur, do të më thonë. Nuk mjafton. Ajo duhet menduar thellë.

Traktati i Berlinit ishte vepër veçanërisht diplomatike, dhe i përgjigjej një rreziku shumë të qartë.

Fuqitë e Mëdha europiane dhe, aq më tepër, Turqia, kishin interes të madh të ndalonin marshimin e befasishëm të sllavëve drejt perëndimit. Në këtë kohë nuk kishte dallime ndërmjet sllavëve. Të gjithë sllavët hidheshin së bashku kundër turkut, të sëmurit, për t’a spastruar nga Europa. Për këtë arsye përpjekja dukej në të njëjtën kohë edhe në natyrën edhe kundër natyrës diplomatike. Shkohej me shpresë, prej një kohe të gjatë, për të kundërvënë me shumicë, masën e papërmbajtshme të një mase në lëvizje e plot besim, prej pergamenëve tëngatërruar. Besonin se mund të bllokonin si një liqen, me një Portë, që quhej e Lartë, detin e Zi, dhe të mbyllnin me të gjithë rusët Bosforin dhe Dardanelet. Dhe ja që, si një ushtri milingonash, masa sllave, duke hequr dorë nga shkallmimi i portës, i sillej rrotull dhe prekte, tinëzisht, detin Egje dhe Adriatik. Mbetej që diplomacia austro-gjermane të vriste mendjen për t`i mbyllur rrugën invazionit, dhe që në mungesë të forcës, të padobishme, donte të mbante për vete atë për të cilën foli, Sanxhakun ose koridorin e Novi Pazarit. Koridor me dy funde, kufiri përfundimtar, në hartë ?…dhe vendkalimi, lidhja e jugut të Austro-Hungarisë me Selanikun. Diplomacia europiane, në fakt nuk dinte ç`të bënte përpara të pamundurës; ajo neglizhoi forcën e gjërave për të provuar të pajtojë kërkesa të kundërta. Ajo nuk guxoi të vendosej përballërealitetit që vetëm mund t`a sqaronte.

Dy raca, të dyja pjellore, dhe njëra shumë e madhe, duke u mbështetur në Azi, shumë më e madhe akoma, dy raca që donin, duan, do të duan me gjithë zemër, gjithnjë e më tepër, me gjithë pengesat, luftrat, revolucionet, dhe gjakderdhjet për të cilat Orienti ka qenë teatri i të gjitha kohrave, – hyrje të lirë në Mesdhe – ; Mesdheu gjithashtu, vendkalimi, kryqëzim, që hap rrugët për në Afrikë, Azi, Lindje, Lindjen e Largët. Dy raca, gjermanike dhe sllave. Ndoshta mund të ishin marrë vesh paqësisht. Cilës luftë, në fakt, i kanë shërbyer? Për t’u hedhur me shkatërrime, gjakderdhje, brenga, pas gjëmave të tyre, në krah të njëri-tjetrit, kundër Francës, gjithashtu me shkatërrime e gjakderdhje kundër gjithë botës. Të dyja viktima të bllokadës, të dyja të uritura dhe përkohësisht të një mendjeje për të thënë, urrejtjen e zemrës: Jemi ne të humburit e luftës! Po për çfarë na ka shërbyer kjo luftë fitimtare? Dhe jemi vetëm në fillimet e zhgënjimeve financiare, sociale, ekonomike…Por vazhdojmë. Përpara kësaj lufte, Austria dhe Gjermania, nga kolonizimi dhe traktatet ndërmjet tyre mundën të zotëronin Triesten, Fiumen, Polën mbi Adriatik, dhe Selanikun mbi detin Egje. Por oreksi i tyre, ai i Gjermanisë sidomos, kërkonte me ngulm më shumë; kur sllavët, nga ana e tyre, mund të ishin ndarë shumë më keq akoma. Sllavët kishin vetëm dete të mbyllur për të eksportuar prodhimet e tyre tepër të shumta në perëndim. Gjermania, që ankohej se i mungonin portet mbi oqeanin Atlantik, e gjente të natyrshme që kontinenti i pamatë sllav të zvogëlohej nga Balltiku ose Pacifiku…Nuk është aq diplomatike që të ankohesh për historinë dhe natyrën. Europa u zhvillua në fillim në juglindje, me Antikitetin, Greqinë dhe Romën, pastaj në perëndim. Të vendosurit e parë ndër popujt modernë, Italianët, Spanjollët, Portugezët, Francezët, Hollandezët, Anglezët, Skandinavët, përvetësuan natyrisht të gjitha territoret në brigjet e Mesdheut dhe oqeanit. Gjermanët, erdhën më vonë, nuk mbeti më, me Balltikun, vetëm shtresa e llumit të detit të Veriut. Ata s’kanë për të rreshtur së kërkuari; dhe çuditen që rusët, me popullsitë, pasuritë dhe nevojat shumë më të rëndësishme, ndodhen të mbyllur në kështjellën e tyre! Të ardhurit e fundit duan të kenë vendin e tyre në breg të detit, me dashje ose padashje, të një mendimi ose jo me pushtuesit e parë. Ka qenë dhe do të jetë gjithmonë kështu për të ardhurit e rinj, në përgjithësi më aktivë, me stomakun bosh, me uri të madhe. Nuk është aq diplomacia sa aktiviteti i popujve që vendos, më në fund, të ardhmen e vet. Është ky aktivitet që qeveritë duhet të kenë parasysh, dhe jo vetëm ambiciet e tyre rivale për të bërë vepra të dobishme e afatgjata. D. Ka seicili vendin e vet në diell. Ky është ligji i popujve, ai i të gjitha qënieve të gjalla.

Sidoqoftë, ja Austria dhe Gjermania, të paisura nga traktati i Berlinit me një dalje të dyfishtë në Mesdhe, duke ushtruar këndej veprimtarinë e tyre, deri në Egjypt dhe në Mesopotami. Por çfarë do t’u duhet atyre korridori i Novi Pazarit? Ja çështja. Do t’i ndalojë sllavët? Aspak. Kësaj here milingonat nuk kalojnë anash, por përmes për të kapur Malin e Zi.

Mali i Zi, ai, prek Adriatikun; i varfër, shumë i keq, por ai i paraprin ushtrisë së madhe. Ja përse emisarëve të tij shumë të vegjël u jepen gjithmonë pritje të mëdha në Shën-Petërsburg ku ata pranohen deri në familjen mbretërore. Mali i Zi, ishte pika e avancuar e marshimit sllav. Dhe është kjo arsyeja që traktati i Shën Stefanit i dha atij pjesën më të madhe; është kjo arsyeja që nuk ra shumë në sy. Ai kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar, me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km, në dëm të Hercegovinës, e dorëzuar nga Austria për një kohë të shkurtër dhe Shqipërisë, duke mos lënë më në korridorin e Novi Pazarit vetëm një kalim të ngushtë, sa për të thënë, sa për t’u dukur. Traktati i Berlinit e rishikoi këtë privilegj vërtet të dyshimtë dhe rivendosi hapësirën e nevojshme në korridor. Ai i lëshoi megjithatë Podgoricën malazezëve me vetëm gjysmën e liqenit dhe Shkodrën shqiptarëve. Territori malazez i reduktuar kështu me një të tretën, me sipërfaqen prej 8.665 km, qe akoma dyfishi i asaj që ishte para traktatit të Shën Stefanit. Ai shtrihej, me qytetin më verior shqiptar, Tivarin, deri në det. Ka një port! Të mjerin Tivar, të bombarduar, të zbrazur nga artileria që e nënshtroi, unë e kam njohur vetëm të shkatërruar. Spektakli, atëherë i ri për mua, sot bëhet banal! Mora një akuarel të këtyre gërmadhave të ftohta,1) me një shtëpi të vetme tërikonstruktuar në plan të parë. Princi i Malit të Zi ishte shumë krenar për këtë blerje. I lodhur nga modestia e tepërt, nga vetëquajtja “i madhi” i Cetinjës aspironte në zgjerimin ose shpërnguljen gjetkë, dhe e gjitha për t’u kompletuar të paktën me një port! Ai i shumëfishoi zotimet, intrigat, vargjet vetëm për këtë qëllim; ai i thuri lavde me këngë e poema marshimit të tij drejt detit, marshimit me galopin e madh të kalit të tij…Shpesh më ka ardhur keq që ky kalë i bukur beteje i nxitur në mënyrë të pamjaftueshme kishte ndaluar galopin e tij vetëm në breg të detit…

Në fakt, kur komisioni ynë u mblodh, marshimi sllav e arriti qëllimin e tij drejt perëndimit, dhe princi i Malit të Zi shpresonte, me plot të drejtë, çmimin e përpjekjeve të para të tij. Kështu shpjegohet padurimi i delegatëve të tij fatkeqë, kur komisioni u rezistoi pretendimeve të tyre; dhe kështu shpjegohet gjithashtu izolimi i Shqipërisë.

Fat i çuditshëm dhe tragjik; shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pazvogëluar nga Perandoria osmane, u trajtuan si subjekte turke nga fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan fort sundimit, për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën, së fundi personalitetin e tyre, tëndryshëm nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e gjenin komode t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rrjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që kërkojnë më fort, ose atyre që paguajnë më shtrenjt në pazarin ndërkombëtar.

Askush nuk u qante hallin shqiptarëve. Ata ishin vetëm. Voe soli! Ata nuk ekzistonin. – Më kot qëndruan me një burrëri të pamposhtur, në robërinë turke; aq sa Kostandinopoli nuk guxonte as t’u kërkonte taksa; më kot qeverisën veten, qëndruan të bashkuar, pa dallime fetare, katolikë, ortodoksë, muslimanë dhe formuan një bllok kombëtar kundër turkut. Nuk duhej t’u mbeteshin as turqve, për të mund t’u ndarë më vonë, me pjesën tjetër të perandorisë. Kjo është A.B.C. e diplomacisë që praktikohet dhe imponohet dhe do të imponohet akoma sot, ndofta, në qoftë se do të lejohet t’a bëjë…

Kështu shpjegohet padurimi dhe paturpësia e malazezëve, duke pritur që t’u dorëzohet pjesa e tyre e Shqipërisë, pjesa kryesore, që nuk duhet t’u humbte nga sytë. Sepse Mali i Zi, gurishtor, fole zogjsh të egër gjahu, ishte i varfër, por ai kishte për udhëheqës një mbret që nuk pranonte t’i falte shërbimet e tij. Ai priste mjaft çmime nga të gjitha anët, dhe nga Petërsburgu e nga Roma, dhe nga Vjena e Parisi, sipas rastit. Shtinte në dorë fushat më të pasura, malet dhe liqenet, rivierën e Shqipërisë, që kanë kuptim tjetër nga dekoratat; kanë kuptim dhënie konçesionesh, konçesione pyjesh, peshkimi, minierash, shërbimesh publike…

Traktati i Berlinit, duke rishikuar atë të Shën Stefanit, i kishte hequr pra Malit te Zi një pjesë nga përfitimet e tij të luftës. Komisioni i ngarkuar me ekzekutimin e traktatit të Berlinit do t’a lehtësonte apo rëndonte, në fakt, këtë dëm?

Të mjerët delegatë të Malit të Zi dridheshin. Paanësia jonë ishte për ta shëmti, konfiskim i pasurive të pakta, i lirisë, i jetës së tyre të rrezikuar…Delegatët e mjerë, kurrë nuk i kemi bërë përgjegjës, – as popullin malazez të shfrytëzuar në mënyrë të pamëshirshme, – nga lakmia e panginjur e sovranit të tyre.

E nga ana tjetër, turqit e mirë, që dorëzonin gjithmonë (edhe vetë atë që nuk mund të dorëzohej) kishin, edhe ata, për çfarë të trëmben. Ndërsa ne diskutonim mbi hartën, në Shkodër, apo midis shkatërrimeve të Podgoricës së djegur dhe të pushtuar nga trupat e princ Nikollës, kufijtë e territoreve të dhëna Malit të Zi, ja që shqiptarët refuzonin me këmbëngulje dhe sa fuqi që kishin të na binden. Dhe ne nuk kishim asnjë mënyrë, dhe askush nuk kishte asnjë mënyrë për t’i detyruar të shkojnë në strofën e vet. Lidhja shqiptare, lidhje kombëtare ndër të tjera, ishte formuar dhe ngritur. Ajo ishte e paarritshme, e paepur dhe e paprekshme, duke përfshirë edhe Prizrenin. Njëri prej ambasadorëve otomanë në kongresin e Berlinit, Mehmet Ali, pranoi misionin e pahijshëm për të shkuar në bisedime në krahinat e humbura të Gucisë dhe Plavës, në Ipek ose Gjakovë. E pësoi më vonë. Shtëpia e tij u rrethua, u mbyll gjatë 24 orëve, pastaj u dogj përfundimisht dhe ai me të.

Kurrë shqiptarët nuk kanë dashur të kalojnë nën sundimin e serbëve ose malazezëve, po aq sa të turqve ose grekëve. Nuk u prishte punë ndryshimi i sundimit; ata e duruan atë të turqve, sepse veproi me hope, – ata u masakruan dhe do të vazhdojnë të masakrohen, për aq kohësa atyre do t’u mbetet edhe një luftëtar, burrë, plak ose fëmijë, apo grua për të rezistuar kundër serbëve dhe malazezëve në veri, kundër italianëve në perëndim, kundër grekëve në jug.

Çështja, ka dyzet vjet, prekëse për një ndërgjegje akoma të pavarur; sot bëhet mizore kur mendon se kundër këtij populli krimi i vetëm i të cilit është se kërkon të jetë i lirë, fqinjët e tij përdorën kuadrot e çmobilizuar e të papunë, “gjysmë – ushtarët” e tyre komandantëbandash të uritura, të pajisura me një armatim modern nga lufta dhe aq më tepër: nga stoku i armëve dhe municioneve që u lanë atyre Fuqitë e Mëdha dhe që u mbetën nga Lufta Botërore. Shtypja e një populli të vetmuar më të vogël në numër dhe epërsia e armëve të sulmuesve tëtij, përbënte tashmë një spektakël të trishtuar – dhe ne e dimë që ato qenë mizoritë ballkanike; – por, kur këta sulmues mundën të pajisen me mitralozë, topa me qitje të largët, obuzë, automobilë-topash, tanke, avionë bombardimi me drejtues e ballona vëzhgimi, kjo bëhet e papërshkrueshme dhe, me një fjalë, e turpshme, e padurueshme.

Kur dëgjon të përkrahet për më tepër, nga njerëz “praktikë”, siç kam dëgjuar me qindra herë, se shqiptarët duhet të jetojnë në robëri, pikësëpari për të mësuar të duan të jenë të pavarur, dhe se do të duhet që ky të qe fati i gjithë këtyre njerëzve; pastaj sepse me mënyrat e sotme të shkatërrimit, asgjë nuk është më e lehtë se t’i heqësh qafe ata, duke i zhdukur, në rast nevoje, dhe pa asnjë rrezik; së fundi, sepse asgjë nuk mund të jetë më frytdhënëse se nënshtrimi i tyre; në të gjitha pikpamjet. Pikësëpari vendi i tyre është shumë i pasur dhe me shumë tëardhme; popullsia e tyre që merret me bujqësi dhe punëtorët industrialë, të zgjuar, të matur, të ndershëm, do të dhurojnë një krah pune të shkëlqyer. Por ja argumenti më modern: pikërisht sepse janë të shëndetshëm dhe të fortë, popullsitë shqiptare do t’u japin rekrute të shkëlqyer ushtrive të kundërshtarëve të tyre; ata do të përforcojnë, në rast nevoje kundër Shqipërisë, këto ushtri të dërrmuara nga lodhja për afro 10 vjet lufte… Kur dihet që ky arsyetim është ai i përdorimit të forcës, që është zbatuar rëndom në vendet e mëdha, ushtri të zeza apo tëverdha, – dhe me çfarë përpjestimesh, me çfarë plëngprishje të tmerrshme të gjakut vendas! – kur do të thuash fort se këto vjedhje njerëzore asgjë më pak sesa hipokrizia më e madhe e vendosur, jo vetëm se i robëron, por i tregëton, dhe siç bëhet fjalë tani, për t’i pakësuar dhe rekrutuar me forcë, për luftë, gjithë popullsinë e bardhë vetë, vetë katolikët, që ngulin këmbë duke kërkuar drejtësi dhe paqe… kupton që unë i jam mirënjohës Shqipërisë që më hapi sytë për këtë operacion, sido që t’ia zbukurosh emrin.

Por, akoma edhe njëherë, më vonë, me kalimin e kohës, e gjithë e vërteta m’u shfaq plotësisht. Në 1879, fajtori më i madh në gadishullin e Ballkanit ishte turku, ose, e thënë më mirë, regjimi turk, sulltani. Serbët, Bullgarët, Grekët, Shqiptarët, Boshnjakët, Malazezët llogariteshin në anën e të shtypurve – me Armenët në Azinë e Vogël. Të gjithë përfitonin nga hovi i protestave që shpërthyen në Europë dhe në botën liberale, deri në Amerikë, nga mizoritë e regjimit të sulltanit të kuq, Abdul Aziz. Dhe këto mizori, kur kujtimi i vetë komisionit të 1879 dhe 1880 filloi të zbehej në kujtesën time, eklipsonin gjithë pjesën tjetër. Kur lashë ambasadën e Francës në Londër, në 1894, dhe po merrja pushimet, në Havard, zoti Gladstone fjalën e fundit më tha: “Mos harro Bullgarët!” Bullgarët dhe armenët simbolizonin atëherë gjithë urrejtjen ndaj despotizmit turk viktima të të cilit ishin me gjithë të tjerët. Për ta unë kryesova mitingun e famshëm të Chateau D’Eau, ku oratorë nga të gjitha anët: Jaures dhe Pressense, Denys Coshin, Victor Berard,

Lerolle dhe unë bëmë apel, për pasojat e çështjes Dreyfus, për drejtësinë e indinjuar nga

opinioni dhe ato mund të publikohen.

Problemi bëhet vërtet turbullues për ndërgjegjen time vetëm pas dy luftrave ballkanike, kur Bullgarët, Serbët dhe Grekët qenë fitues, Bullgarët do të vërsulen mbi të dy aleatët e tyre dhe do të vihen, në kështjellën e tyre, akuza që deri atëherë rëndonin vetëm mbi Turqit. Me këto akuza, Bullgarët do të padisnin të tjerët, në mënyrë të tillë që të hapet, jo proçesi i njërit apo tjetrit prej këtyre tre popujve, por ai i të gjithë ndërlufuesve ose, i thënë më mirë, ai i luftës vetë. Kjo është arsyeja që miqtë e mi të Dotation Carnegie në Nju Jork do të vendosin të sigurohen mirë, dhe, të dërgojnë një mision të paanshëm në Ballkan. Mua më ngarkuan me organizimin, duke zgjedhur njerëzit më të kualifikuar që më duheshin për ta kryer deri në fund atë, veçanërisht një njeri të mirë që qe Dutton, për Sh.B.A. dhe Justin Godart për Francën.

Ky komision do të hartojë raportin e madh që njihet, paanësia e të cilit bëri bujë. Ai nxirrte në pah që, pa dyshim, Bullgarët kishin kryer, si Turqit, krime të urryera, por që, nga ana e tyre, Grekët dhe Serbët kishin lejuar të njëjtat lëvizje të neveritshme, të njëjtat zakone. E atëherë këto krime, u cilësuan ballkanike; padrejtësisht, sepse dy vjet më vonë ushtria gjermane i tejkaloi ato, dhe në Belgjikën e pushtuar me turp, dhe në Francë, dhe kudo ku shkelën. Qenë thjesht, – me rafinimet e dhunës barbare dhe urdhrat pabesueshëm

për torturat e bëra nga vetë komanda gjermane, qenë krimet e luftës. Gjithashtu, kur burri i shquar i shtetit siç qe zoti Venizelos më kërkoi, në fund ose menjëherë pas Luftës Botërore, të ndryshojnë vlerësimet e raportit tonë, unë refuzova. Bashkëpunëtorët tanë qenë në vend, nëkërkim vetëm të së vërtetës; kurrën e kurrës nuk mund të më detyrojnë t’i flak ata, siç kërkojnë aleatët tanë, grekët dhe serbët.

Do të më duket sidoqoftë, Lufta Botërore e mbaruar, se vendosi të plotësonte raportin tonë të 1913; ai nuk e kishte çështjen e Shqipërisë, për arsyen e fortë se, gjatë dy luftrave ballkanike, ajo ishte lënë mënjanë nga kujdesi për të mos forcuar armikun turk. Rezervimi im ishte i dukshëm. Por kur Lufta Botërore, në 1914, do të shpërthejë, kur Turqia u bë armikja e shpallur e Francës, Italisë e Anglisë a do të qëndronte ajo indiferente? Jo; sjellja e saj qe e bukur dhe e mirë në përshtatje me të kaluarën e vet. Në revoltë kundër Turqisë, pronarit të saj, do t’i refuzojë të gjithë ndihmën, “as njerëz as para”; përveç kësaj; ç’bëri ajo për ne? Vullnetarët e saj vinin duke u shtuar në ushtrinë tonë të Selanikut, dhe kur i mbijetuam shkatërrimit nga tërheqja e Beogradit, në mes të dimrit, çdokush e di që, pa ndihmën dashamirëse të popullsisë sësaj trupat tona, ato serbe e refugjatët tanë, gra e fëmijë, nuk do të kishin mbërritur në Shkodër. Dotation Carnegie vendosi të rindërtojë, me shpenzimet e tij, bibliotekën e Beogradit, si atë Reims-it e të Louvain-it, për të protestuar kundër vandalizmit shkatërrues të ushtrisëgjermane. Pas shërbimeve që iu bënë Serbëve dhe Aleatëve nga Shqiptarët, kur të vijnë të nesërmen e luftës, zhgënjimet nga fitorja dhe traktatet a mund të lejojë ajo copëtimin e Shqipërisë? Unë e di mirë që nuk ndalen siç duam trupat, e sidomos bandat e popullsitë plaçkitëse, duke u munguar gjithçka, të lëshuara në ndjekje, jo më të armikut, por të plaçkës. Por në është kështu, detyra jonë ishte shumë e qartë.

Filohelen, gjithë jetën time, që prej qëndrimit tim të gjatë në Greqi,1) shumë më parë

se misioni im në Shqipëri, mësova atë që Europa liberale i detyrohet Greqisë. Në mes të

reaksionit, në mes të terrorit të bardhë të Europës, Greqia dha shembullin e paharrueshëm

të kryengritjes heroike të saj të 1821 kundër turqve. Ky qe një shpërthim i admirimit për Greqinë; ajo ndezi entusiazmin e gjithë zemrave fisnike kudo në botë; ajo nuk shpërtheu vetëm romantizmin e poetëve tanë, ajo restauroi, përballë Lidhjes së Shenjtë dhe restaurimit tonëmonarkik, lirinë! Asgjë nuk do t’a fshijë kurrë një shërbim të tillë. Admiruesit e Greqisë nuk do të lejojnë të zbehet ai. Është në këtë frymë të respektit, të simpatisë për Greqinë, dhe brenda një ndjenje gjithashtu të madhe njohjeje për Serbët, që në rrezik të mospëlqimit, nuk desha të mbyll sytë mbi ata agjentë ose nacionalistë të tyre që, duke mos njohur apo tejkaluar sigurisht instruksionet, besuan se duhet të vazhdojnë luftën njëra në veri, tjetra në jug, kundër Shqipërisë së mjerë, të zënë tradhëtisht, pa armë, mes dy zjarresh.

Me një fjalë, kisha bërë, brenda intervalit të udhëtimeve dhe ndërhyrjeve të mia në Ballkan, eksperimente vendimtare. Unë kërkova me të gjitha forcat e mia, triumfin e Venizellosit mbi mbretin e tij të pabesë; nuk më vjen keq veç për një gjë, për përkujdesjet që do të përdorë tek ai për të ruajtur kurorën e tij. Kisha takuar, njohur, thellësisht, serbë të admirueshëm, Milovanovich, kolegu im në La Haye, Milovanovich, njeri i mirë që, vetëm ai, do t’a kishte shmangur luftën nëqoftëse do të ishte ndjekur përpjekja e tij e madhe nga këshilli serbo-bullgar, – Vesnitch, gjithashtu, miku i drejtësisë dhe paqes; por unë kisha parë në veprën e sovranit, ish-princin të bëhet mbret i Malit të Zi.

Dhe pak nga pak, nga një fenomen krejt i papritur, gjithë mizoria e intrigave dhe e zanatit të tij të matrapazit të luftës m’u shfaqën, kur unë vetëm kisha dyshuar për të, në rininë time. Mizoria ishte e tillë që ditën kur, i qëndrueshëm, i shtyrë nga ndikimet që u zhvilluan, qysh atëherë, shumë të tejdukshme, palë ushtarake me Shën -Petërsburgun, ditën kur ai guxoi të marrë mbi vete shpalljen, krejt i vetëm, të luftës Ballkanike, unë nuk mund t’a mbaja letrën time publike të njollosej.

Nuk jam veç një qytetar i thjeshtë, por më kujtohet, papritur, që ky qëndrim i ndyrë i kishte bërë keq vendit, fqinjëve, mbrojtësve, familjes së tij, duke ia shtuar më shumë hallet, nga forca e paturpësisë dhe guximit të tepruar. Dhe duke mos pasur ç’të bëjmë, do të më jepej, për të qetësuar ndërgjegjen time dhe të shumë të tjerëve që mendojnë si unë, kjo kënaqësi e shkruar për të që në substancë është kjo:

“Zotëri, industria juaj është lufta; ju i vini zjarrin botës për të pjekur vezën tuaj; dhe ju nuk rrezikoni asgjë në këtë lojë…vetëm popullin tuaj…”.

Madhëria e tij mbi këtë pikë qe gati të më ftonte në duel, ose, siç ka më shumë gjasë, të më ngrinte një kurth. Unë jetoj akoma, por kuptohet nuk desha të lejoj zakonet e tij të marrin rrugë të lirë dhe që, brenda vetë interesit të grekëve dhe të serbëve, dhe sidomos te malazezëve, kam marrë përsipër të kompletoj, me një mision në Shqipëri, anketën tonë Ballkanike. I jam mirënjohës Dotation Carnegie që pati kaq besim tek unë për të më lejuar të marr këtë iniciativë të cilën, përveç kësaj, e mbajta për të marrë mbi vete i vetëm gjithë përgjëgjesinë.

Do të kisha dashur, me një fjalë, të mund t’a bëja vetë këtë anketë; në Shqipëri më ftonin; kisha bërë në Paris konferenca, kisha shkruar artikuj1), kisha publikuar protesta që

kishin ngjallur dashurinë që ruante shumica e shqiptarëve për mua dhe më kishin bërë me miq të rinj. Më kërkonin, më prisnin, insistonin. Përfundimisht, nuk shkova. Kisha frikën

e të qenit tepër i njëanshëm. Dhe kërkova atë që mund shkonte atje, ndershmërisht, krejt

vetëm, me shikim shumë të çiltër, për të më zëvendësuar mua. Gjeta mikun tim Justin Godart.

Godart është pikërisht e kundërta e një arrivisti dhe e një matrapazi lufte; përpiqet të jetë i drejtë dhe i mirë me të gjitha mundësitë. Ai filloi, në një mendje me mua,me miqtë tanë italianë. Nuk e kam fshehur admirimin tim për iniciativën që mori, në Vlorë e Rapallo, konti Sforca, për njohjen e Shqipërisë, kur Europa e lëkundur, përfshi Francën, hezitonte për t’a njohur. Për asgjë në botë nuk do të kisha dashur që misioni im ose ai i mikut tim Godart të ketë një karakter dashakeq ndaj Italisë, po aq sa ndaj Greqisë, Serbisë, apo kujtdo prej aleatëve tanë. Natyrisht, Godart duke qenë vetë francez, u dërgua të thotë gjëra të pakëndëshme për disa; por ai do t’u shërbejë të gjithëve duke provuar që nuk shkonte për t’i shërbyer Shqipërisë, por të vërtetës.

Vetëm, ndodhi që, në gadishullin e Ballkanit, Shqipëria është i vetmi popull që, me të vërtetë, kishte gjithçka për të fituar paqen, gjithçka për të humbur luftën, si Franca; ndodhi pikërisht që Shqipëria është i vetmi nga të gjithë popujt që nuk kishte menduar kurrë të lakmonte Kostandinopolin…Kjo meriton vërtet një vlerësim që të shërbejë për të inkurajuar të tjerët.

Më në fund Godart u nis; bëri një udhëtim të plotë, mjaft të vështirë, në një kohë të papërshtatshme. Ai u shërbeu shqiptarëve, duke u dhënë, në mjerimin e tyre, një shenjë simpatie e respekti që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Ai u shërbeu qeverive serbe, greke, italiane, duke çuar atje gjithë thjeshtësi, një vetëdije; atë të një burri politik absolutisht të pavarur. Besoj se e meriton mirënjohjen tonë. Libri i tij, që jam i lumtur t’ia rekomandoj publikut me mirëbesim, është vepra e sinqertë, serioze, pa interes, që pritej prej tij. Kjo është dëshmi. Është, pa dyshim, një rekomandim, një mbështetje.

Shqipëria është e re, megjithë plagët dhe kujtimet heroike të luftrave; ajo ka nevojë të madhe të mos e lenë në tërbimin ose dredhitë e shfrytëzuesve nga të gjitha vendet që po sulen mbi të. Ajo ka nevoje për miq besnikë. Ata nuk i mungojnë. Lordi Robert Cecil mori energjikisht anën e saj, me Italinë. Kombet e tjera i ndoqën; marrëveshja përfundimtare qe unanime.

Ajo arriti, këtë vit, një sukses shumë të madh; Lidhja e Kombeve e pranoi mes anëtarëve të saj. Duhet tani që ta përligjë këtë pagëzim zyrtar, këtë përfshirje në rregjistrin e gjendjes civile të popujve. Populli i saj i vrarë me shumicë qëndroi shumë fort kur u izolua, gjithë këmbëngulje për të jetuar i lirë dhe për të mbijetuar në sprovat e shekullit. Kurrë nuk pushoi së punuari. Përfiton nga pushimi më i vogël për të mësuar. Ka shkollat e saj, ku mblidhet, në një të vetëm dhe unik vullneti kombëtar, të gjitha fetë, të gjitha moshat, sepse burrat e pjekur që nuk kanë mundur t’i frekuentojnë ato në rininë e tyre vijnë aty në mbrëmje, për të provuar të arrijnë fëmijët e tyre. Ka kulturën, kopetë, industrinë, tokën e saj pjellore, lartësite e larmishme, me klimë të shëndetshme. Asgjë nuk i mungon përveç paqes dhe rendit.

Paqja varet nga fqinjët dhe Europa, por rregulli varet prej saj. Fqinjët, megjithë

vitet e tmerrshme që po kalojnë dhe për të cilën është e pamundur të kërkosh që t’i ndjekë një qetësi e plotë, brenda pak kohe, do të kuptojnë që ata kanë nevojë, si ajo, të jetojnë që sot e tutje, një jetë normale, dhe që lufta, duke vazhduar, do të mbarojë, për ata si për të gjithë botën dhe të gjitha kohët, me revolucion dhe anarshi.

Rregulli varet nga urtësia e shqiptarëve. Veçse nuk mund të zgjasë gjithë jetën

aktiviteti im për të shkuar tek ata për të vënë në shërbim të tyre një pjesë të vullnetit të mirë dhe të eksperiencës që më mbetet. Në rregullin e bashkimin, e ardhmja e Shqipërisë do të ketë kompesimin, shpërblimin për të gjitha vuajtjet e së kaluarës. Do të dijë të dallojë ndërmjet këshillave të mira e të këqia të të huajve. Ajo e ka kaluar vështirësinë më të madhe; i ka rezistuar dominimit turk; nuk do të lejojë të shfrytëzohet nga aventurierët europianë. Shumë prej banorëve të saj janë mësuar me të keqen, kanë udhëtuar; shumë janë detyruar të mërgojnë për të mësuar, në Francë, në Itali, Angli, Amerikë, përparimin bashkëkohor; ata do të inspirojnë për të futur në vendin e tyre në administratë të ndershme dhe të përtërirë, pa cënuar virtytet e saj tradicionale; ajo do të tërheqë udhëtarët, turistët, artistët e botës mbarë; miqtë e lirisë do të vinë tek ajo në pelegrinazh; vendi i trishtuar nga padrejtësia dhe dhimbja shekullore do të bëhet toka e premtuar e optimizmit, si Franca; vendi ekzemplar ku fati i keq nuk do të mund të fitojë dhe që nuk do të ketë kurrë dëshirë të humbë shpresën. Me fetë e saj të ndryshme, shumë zemërgjera, me fqinjët e saj për një kohë të gjatë shqetësues, më në fund të qetësuar, ajo do të jetë vendi model i pajtimit dhe i jetës së përbashkët, harmonike, idealiste e praktike, e shëndetshme, e kërcënuar për një kohë të gjatë, e lumtur më në fund, Zvicra e Ballkanit.


******

 


             NGA  REXHEP SHAHU

http://floripress.blogspot.com/2015/04/nje-permendore-per-mikun-e-madh.html


(Botohet për herë të parë në gjuhën shqipe një libër i rrallë “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” i nobelistit te Paqes te vitit 1909, senator, ish sekretar i komisionit te caktimit te kufijve ne Veri te Shqiperise Destournelles De Constant, nga Klubi i Poezisë, Tiranë, përkthyer nga Mirdash M. Shehu, Botues : Rexhep Shahu, financues Flamur Lutfi Hoxha, Redaktor : Izet Duraku, Recenzent : Prof. Shefqet Hoxha)


“Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë”.
Kur e kam lexuar për herë të parë fjalinë e mësipërme shkruar nga nobelisti i paqes, senatori, diplomati e politikani i shquar francez, d’Estournelles de Constant, si fjali e parë e parathënies së tij për librin “Shqipëria në 1921” të Justin Godart, përkthyer nga miku im Mirdash Shehu, libër të cilin e ka ruajtur në shtëpi që në vitin 1930, kur e ka siguruar i ati i tij Munir Shehu, intelektual i njohur, unë kam provuar një ndjesi të rrallë dhe m’u shtua admirimi për Francën. 
Nuk kisha dëgjuar kurrë, në ato pak që kam lexuar për fatin tonë, për caktimin e kufijve të këtyre trojeve që kemi e që përbëjnë shtetin tonë, që një “plak” i caktimit të kufijve tanë të ketë thënë : “Ne po e sakatonim, po e qethnim territorin e Shqipërisë në dobi të Malit të Zi”. 
Nuk kisha dëgjuar kurrë që një i huaj, aktor shumë i rëndësishëm në dramën e fatit të zi të coptimit të trojeve të shqiptarëve para një shekulli, si sekretar i komisionit të caktimit të kufijve në Veri të Shqipërisë, të kish artikuluar ndjesën e tij, pendesën, dashurinë dhe adhurimin e tij për shqiptarët, kur ende nuk ishte bërë Shqipëria shtet, por njihej si pjesë apo cep, herë me rëndësi e herë pa rëndësi i perandorisë turke.
U ndjeva keq që nuk dija asgjë për d’Estournelles de Constant. Një provë më shumë për atë që, ne dimë çfarë s’na duhet e pak dimë nga ato që na duhen për historinë tonë kombëtare, të deformuar e të shkruar keq, qëllimshëm. Por pse nuk dija unë asgjë, nuk besoj se askush nuk ka ditë për këtë njeri kaq të famshëm, që është një cak apo stacion i rëndësishëm, gjatë 100 vjetëve të shtetit shqiptar. Diplomat i ragut më të lartë me ndikim absolut në çerekun e parë të shekullit 20, politikan shumë i njohur europian, senator i parlamentit francez, humanist i shquar, nobelist i paqes i vitit 1909, anëtar i Gjykatës së Hagës, sekretar i caktimit të kufijve në Veri të Shqipërisë, avokat i madh i Shqipërisë për pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve, mik i madh i shqiptarve, të cilët i deshi dhe nuk i braktisi kurrë, dhe u vu në mbrojtje të tyre si rrallë ndokush tjetër në historinë e tyre shumë të trazuar e shumë shpesh të pafat kur Fuqitë e Mëdha i ndanë dhe coptuan dhe fqinjët si çakejtë u sulën mbi trojet e tyre, i ndanë dhe përvetësuan. 
Nuk besoja se nuk ka ditë asgjë shteti shqiptar për këtë njeri gjatë 100 vjetëve të ekzistënces si shtet. Nuk besoja se Akademia jonë e Shkencave nuk ka ditë asgjë për këtë humanist e mik të madh të shqiptarëve, i cili nuk ka asnjë nevojë për ne, por ne kemi nevojë ta dimë kush është e të mundemi t’ia artikulojmë një mirënjohje, vetëm një mirënjohje, vetëm një fjalë: Faleminderit!
U përkëdhela nga shprehja “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë, unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë”, kur mësova se autori i kësaj thënie nuk ishte një qytetar i çfardoshëm, një gazetar, shkrimtar, aventurier a veprimtar shëtitës europian që ish ekzaltuar me virgjërinë e shqip-tarëve e trojeve të tyre. 
D’Estournelles de Constant ishte Nobelist i Paqes i vitit 1909. Ishte Senator i Francës. Ishte Anëtar i Gjykatës së Hagës. Ishte Sekretar i caktimit të kufijve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ishte avokat i madh i shqiptarëve dhe i çeshtjes shqiptare në Europë, duke luftuar si shqiptari më i madh për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ku mendohej se do të sigurohej juridikisht ekzistenca e shtetit shqiptar.
Më ngeli në mendje sidomos pjesa e dytë e thënies së tij “unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë”. 
Ai, me sa duket, pas “sakatimit” apo “qethjes” së teritorit të Shqipërisë në dobi të Malit të Zi është ndjerë keq me këtë padrejtësi, jo të tij por të Fuqive të Mëdha, është ndjerë fajtor ndaj Shqipërisë dhe në gjithë jetën e aktivitetin e tij të mëvonshëm i ka dalë zot Shqipërisë si rrallë politikan tjetër europian i përmasave të tij. 
Ndihma e d’Estournelles de Constant shkëlqeu më shumë se kurrë në kohën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ai ishte në atë histori avokati i madh i vendit tonë që nuk pushoi asnjë çast së binduri vendosësit për ta pranuar Shqipërinë.
Letërkëmbimi dhe artikujt e s’Estournelles de Constant në këto kohë ishin shumë të shpeshta e të forta. Ai interesohej për çdo gjë dhe gëzohej për çdo përparim.
Mbajti shumë fjalime. U shkroi shumë letra e telegrame autoriteteve më të larta të kohës duke u kërkuar ta ndihmonin Shqipërinë, duke përcjellë në çdo zyrë të rëndësishme diplo-matike fatin e nevojat e Shqipërisë për mbështetje. 
I shkruan Mithat Frashërit, me 15 dhjetor 1920, dhe i lutet të përcjellë qeverisë shqiptare “përgëzimet e mia kardinale... për pranimin e Shtetit Shqiptar në Shoqërinë e Kombeve”.
Kryetari i Parlamentit shqiptar z. Dhimitër Kacimbra, në telegramin e 23 dhjetorit 1920, i shkruan d’Estournelles de Constant “Dhoma shqiptare, duke kuptuar që pranimi i Shqipërisë në gjirin e Lidhjes së Kombeve është kryesisht falë përpjekjeve bujare të Shkelqësisë tuaj, është shumë e gëzuar t’ju shprehë mirënjohjen e saj të thellë”.
D’Estournelles de Constant i përgjigjet në këtë mënyrë kryetarit të Parlamentit shqiptar z. Dhimitër Kacimbra : “Jam shumë i lumtur për gëzimin tuaj. Shqipëria lindi. Kjo është kryesore. Tani ajo duhet të jetojë, dhe për këtë, duhet që të jetë një model qeverisje dhe administrimi. Ajo do t’ia dalë, sepse ka mësuar nga vuajtja... Kini besim tek mua për të qenë kumbari i saj, miku i saj, këshilluesi i saj besnik si në ditët e mira ashtu edhe të këqia”.
D’Estournelles de Constant i shkruan me 18 maj 1921 edhe kryeministrit të Shqipërisë z. Iliaz Vrioni, ku e falenderon për pritjen që i është bërë në Shqipëri mikut të tij Justin Godart. Në atë letër ai nuk mungon të shprehet “Shqipëria do të jetë Zvicra e Ballkanit”. Nuk mungon të shkruajë në fund të letrës së tij për kryeministrin shqiptar : “Rroftë Shqipëria e lirë”.
Po përmend vetëm disa lidhje, kontakte, njohje, nderime, mirënjohje të ndërsjellta të d’Estournelles de Constant me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, pa hyrë në letrat, kërkesat, debatet, artikujt e shumtë që ai ka bërë në shtypin ndërkombëtar e me autoritetet më të larta ndërkombëtare e franceze për hir të Shqipërisë si avokat brilant i saj, gjithmonë, sa kujtoj unë, në përmbushje të premtimit të tij se “Unë do ta shlyej këtë borxh të rinisë” ndaj Shqipërisë.
Me 19 prill 1924 Presidenti i përkohshëm i Asamblesë së Shqipërisë i shkruan zonjës d’Estournelles de Constant : “Asambleja kushte-tuese shqiptare e informuar për humbjen e dhimbshme të burrit tuaj bujar, ka pezulluar në shenjë zie seancën dhe ka evokuar me respekt të thellë shërbimet e mëdha që ai i kishte bërë çeshtjes shqiptare në raste të ndryshme. Thellësisht të prekur nga vdekja e mikut të madh të Shqipërisë, ju lutem në emër të Asamblesë Kombëtare, të pranoni shprehjen e ngushëllimeve tona dhe simpatinë tonë të gjallë”. 
Legata shqiptare në Paris njofton Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë se në atë qytet është krijuar një komitet që mbledh fonde për t’i ngritë një përmendore d’Estournelles de Constant. Ministria e Punëve të Brendëshme, me 27 maj 1925, njofton prefekturat që të urdhërojnë bashkitë të mbledhin ndihma për këtë qëllim. “Tue qenë se ky shpirt i madh me inisiativë personale e botime të tija të panumërta ka mbrojtë të drejtat tona kundra shpifjeve të huaja me sa ka qenë e mundur, lutemi të urdhëroni bashkitë që të mbledhin ndihma për këtë qëllim…”.
Kur ka njohur shqiptarët së pari, kur ka filluar të mësojë për ta, kur ka parë sjelljet e veprimet e tyre, ai vihet para vetes së tij e nuk thërret si Hamleti, të jesh apo të mos jesh, por thotë : “Të jesh besnik, apo të mos jesh. Egoizmi individual, familjar, lokal, nacional, është gjithmonë ai që çon në sakrifikimin e më të dobëtit prej më të fortit. Në Shqipëri, për herë të parë, kam ndjerë se aty kishte, jo vetëm qenie, por njerëz që nuk mund të braktiseshin pa turp, në dobësinë e tyre”.
Shqiptarët e rritur e të vdekur gjatë shekullit që jemi shtet, kanë ditë e kanë mësue shkaqet pse jemi kaq sa jemi, pse kemi kaq teritore sa kemi. Ndoshta të gjithë i kanë ditë shkaqet e arsyet, por mua m’u ngulitën në mendje thëniet e d’Estournelles de Constant që tregon se sllavët e rusët nuk na donin dhe nuk na duan ne shqiptarëve këtu ku jemi, në këtë vend të lakmuar nga të gjithë, të bekuar nga zoti por të mallkuar nga vetë ne për shkak se rrallë e shumë rallë në historinë tonë një shekullore kemi ditë të nxjerrim qeveri e udhëheqës të duhur. 
Si një “ushtri milingonash”, masa sllave u dynd drejt Perëndimit e papenguar nga fuqia tashmë e dobët e Perandorisë turke në rrënim por e penguar nga Gjermania dhe Austria.
Dy raca, të dyja pjellore, sllave e gjermanike, dy raca që donin, duan, do të duan hyrje të lirë në Mesdhe pasi Mesdheu është vendkalim, kryqëzim, që të çon në Afrikë, Azi, Lindje, Lindjen e Largët, ndo-shta mund të ishin marrë vesh paqësisht, pa shkaktuar tmerre luftrash, sakatime të trojeve shqiptare, që atëhere konsideroheshin si pjesë të Perandorisë Turke dhe nuk njiheshin si tërësi me emrin Shqipëri, tërësi që doli dhe filloi të njihej si e tillë pas vitit 1912.
“Fat i çuditshëm dhe tragjik; shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pazvogëluar nga Perandoria osmane, u trajtuan si subjekte turke nga Fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan fort sundimit, për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën, së fundi personalitetin e tyre, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e gjenin komode t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që kërkojnë më fort, ose atyre që paguajnë më shtrenjt në pazarin ndërkombëtar”. 
Kështu shkruan d’Estournelles de Constant në parathënien e librit të Justin Godart, parathënie që po ia paraqesim lexuesit si libër më vete. 
Dhe nuk mungon të na qartësojë ne dhe ta shprehë revoltën, pendesën e ndjesën e vet kur na rrëfen se Mali i Zi “me një të rënë të lapsit kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar, nga 4.405 në 15.355 km, në dëm të Hercegovinës dhe Shqipërisë”. Traktati i Berlinit e rishikoi këtë privilegj por ia lëshoi megjithatë Podgoricën malazezëve me vetëm gjysmën e liqenit dhe Shkodrën shqiptarëve. Territori malazez i reduktuar kështu me një të tretën, me sipërfaqen prej 8.665 km, ishte akoma dyfishi i asaj që ishte para traktatit të Shën Stefanit. 
“Askush nuk ua qante hallin shqip-tarëve. Ata ishin vetëm. Voe soli! Ata nuk ekzistonin”, shkruan d’Estournelles de Constant me penë të ngjyer në zemërimin e tij, në zhgënjimin për rrjedhjen e ngjarjeve europiane të asaj kohe në dëm të shqiptarëve e të Shqipërisë dhe në dashurinë për shqiptarët.
Botimi i këtij libri është ngritja e përmendores së mirënjohjes tonë për të, është marrja, nga ne e kësaj përmendoreje që ai e ka ngritë vetë dhe sjellja e saj para syve tonë, në sheshet djerra të ndërgjegjes tonë, me shpresën se shqiptarët nuk do të rudhin buzët, nuk do të shtrembërojnë fytyrën dhe nuk do t’u dhëmbin sytë kur ta shohin këtë përmendore, siç u ndodh me shumë përme-ndore pameritore që ua vrasin sytë përditë.
D’Estournelles de Constant mund të ketë marrë nderime e mirënjohje të shumta në Shqipëri, mund t’i jenë dhënë tituj e grada nga krerët e shtetit shqiptar, përderisa s’ka ngelë kush pa marrë të tilla në këtë vend. Mund të ketë rrugë me emrin e tij në kryeqytet apo në ndonjë qytet tjetër përderisa tabelat e udhëve janë mbushë me emra anonimësh të shquar si të tillë. Mundet t’i jenë dhënë të gjitha titujt e mirënjohjet që i takojnë e i meriton prej shtetit shqiptar e unë nuk e di. Ky libër i vogël, që e quaj përmendore të vogël, nuk mbivendoset në asgjë, nuk është tepër në asnjë rrethanë.
Sado e sido që të shkruaj unë, kurrë nuk arrij të jem në lartësinë e nobelistit d’Estournelles de Constant, në lartësinë e këtij miku të madh të shqiptarëve, që na ka dashtë kur nuk na donin, pa ia kërkuar ne që të na dojë, që na ka dashtë pa leverdi dhe interes, që na ka mbrojtë kur na shkatërronin e ishin gati të na zhbënin, pa ia kërkuar ne që të na mbrojë. 
Ia paraqesim lexuesit këtë libër të vogël të këtij njeriu të madh, pa na e kërkuar ai, në shenjë dashurie e nderimi për të, pa i marrë leje që ta duam e ta nderojmë, të shtyrë nga detyrimi dhe mirënjohja që duam t’ia artikulojmë për atë që ka bërë për ne shqiptarët. 
Ky libër i madh, i vogël në dukje, me titullin Unë i kam shumë borxh Shqipërisë, i d’Estournelles de Constant, që po merr në dorë lexuesi shqiptar, për herë të parë në gjuhën shqipe, më bën shumë nder e shumë krenar. 
Kjo parathënie e d’Estornelles de Constant për librin e Justin Godart, “Shqipëria në 1921”, që e sjellim libër më vete për rëndësinë që ka, që besoj se është parathënia e parathënieve e të gjithë librave të shkruara për Shqipërinë, shqiptarët e fatin e tyre, mendoj se duhet të jetë në çdo familje shqiptare, në çdo bibliotekë, dhe duhet të lexohet nga çdo shqiptar, nxënës, student, mësues, pedagog, nëpunës, politikan, historian, diplomat, udhëheqës. 
Humanistë të tillë të mëdhej si d’Estournelles de Constant janë urat e dashurisë që bashkojnë kombet, janë diga të larta ku troshitet urrejtja e mënia që shpesh përcëllon me flakë lufte popujt.
Përkrahja e d’Estournelles de Constant ndaj shqiptarëve e Shqipërisë në ditët e tyre më të këqia e çastet më të rënda të fatit të keq, pa llogaritur mbështetjen e mëvonshme të Francës ndaj shqiptarëve, pa llogaritur edhe mbështetjen e saj ushtarake për dëbimin e Serbisë prej Kosovës shqiptare, do të mjaftonte që të mos pëshpëritej asnjë zë dyshimi për miqësinë e Francës ndaj shqiptarëve. 
Si intelektual, politikan e diplomat shumë i njohur në Europë, si institucion moral i nji niveli shumë të lartë e autoritar, ai e donte, nderonte dhe e mbronte si rrallëkush Shqipërinë dhe shqiptarët, kur ata patën nevojë më shumë se kurrë, në ngjizjen e shtetit shqiptar, por më shumë se çdo gjë ai donte dhe mbronte të vërtetën. 
Shqipëria ishte e vërteta e tij e madhe. 

http://floripress.blogspot.com/2015/03/une-i-kam-shume-borxh-shqiperise-une-do.html

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)