2022-08-30

Dilemat e profesionalizmit gazetaresk

Pas viteve 1990, pati një shpërthim të organeve të reja të medias në Shqipëri. Përkrah këtij lulëzimi, në vitet 1990 lindi një brez i ri gazetarësh, të pasur në pasion dhe ambicie, por të varfër në shprehi profesionale.66 Në fakt, tradita dhe historia e Shqipërisë në ofrimin e shkollimit për gazetari ka një nisje mjaft të vonë. Shkolla e parë ishte ajo e ngritur brenda Departamentit të Shkencave Politike-Juridike, ndërtuar sipas modelit sovjetik. Shkolla zgjati për dhjetë vjet, deri në fillim të viteve 1970, dhe u pasua nga një numër lëndësh që jepeshin nga të njëjtët mësues.67 Për pasojë, shkollimi i duhur për gazetarët ishte i pakët gjatë periudhës komuniste dhe u fut vetëm në vitin 1992 si pjesë e Departamentit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, universiteti publik. 68 Nga 800 të anketuar nga IDRA69, 46 përqind e tyre deklaruan se kanë diplomë masteri (MA) dhe pothuajse një e treta kanjë diplomë bachelor (BA) (29%). Pothuajse gjysma e profesionistëve të medias (46%) nuk janë diplomuar në gazetari dhe as nuk kanë kualifikime të tjera zyrtare në fushën e gazetarisë. Pjesa më e madhe e gazetarëve (90%), pavarësisht nga arsimi i tyre, janë diplomuar në Shqipëri. Parimi i pavarësisë editoriale garantohet në parim nga legjislacioni, por nuk është marrë asnjë masë tjetër për të siguruar zbatimin e këtij koncepti në punën e përditshme të medias. Në praktikë, nuk ka asnjë institucion apo instrument që të mbrojë gazetarët nga ndërhyrjet e pronarëve të medias. Autonomia dhe pavarësia e gazetarëve është mbase një nga elementët e lëna më pas dore nga legjislacioni, dhe deri në njëfarë pike është injoruar edhe nga opinioni publik. Mediat zakonisht identifikohen me pronarët dhe interesat e tyre, dhe për pasojë mungesa e autonomisë profesionale të gazetarëve merret automatikisht si e mirëqënë, dhe bëhet objekt diskutimi vetëm kur ka ndonjë zhvillim të ri, dhe nuk është objekt i vazhdueshëm shqetësimi në lidhje me mbrojtjen e pavarësisë së medias. Një sërë studimesh mbi lirinë e medias dhe profesionalizmin në gazetari konfirmojnë se vetëcensura është e ngulitur thellë në mediat shqiptare, që janë më shumë të interesuara të mbrojnë interesat politike apo të biznesit të pronarëve të tyre, se sa interesin publik. Një studim i BIRN70 në lidhje me prirjet ndaj vetëcensurës tregoi se 73 për qind e të anketuarve besonin se gazetarët shqiptarë e shmangnin raportimin e lajmeve që binin ndesh me interesat e medias së tyre. Punonjësit e medias u pyetën në sondazh rreth eksperiencave personale për këtë fenomen, dhe rezultoi se 48 për qind e tyre kishin evituar raportimin e lajmeve apo ngjarjeve të caktuara shpesh ose disa herë gjatë karrierës së tyre.71 Kur u pyetën në lidhje me strukturën e brendshme të redaksisë së lajmeve dhe elementet që ndikonin më shumë tek autocensura, rezultatet e sondazhit treguan se në 56 për qind të rasteve kjo vinte si rezultat i sinjaleve apo urdhrave direkte të redaktorëve dhe pronarëve të medias.72 Vetë-censura është shumë e zakonshme në mesin e profesionistëve të mediave shqiptare, nenvizon nje tjeter studim i IDRA per situaten e gazetareve ne vend73. Të anketuarit mendojnë se ose “pothuajse të gjithë mediat censurojnë vetveten” (41%) ose se “disa media vetë-censurohen” (36%). Lajmet “pezullohen” ose “shtyhen” për shkak të:i) presionit të qeverisë, ii) presionit të partive politike dhe iii) presionit të biznesit të vlerësuar me peshë pothuajse të barabartë. Rreth 36% e të anketuarve deklaruan se ata “janë vënë nën presion” nga redaktorët e tyre që të mos shkruajnë për një ngjarje apo çështje të caktuar. Ngjashëm, rreth 38% deklaruan se janë vënë nën presion nga pronari i tyre / drejtori i medias. Sipas Indeksit të Transformimit të Bertelsmann Stiftung (BTI), panorama e medias në Shqipëri është shumëllojshme, ku çdo parti e madhe ka zyrën e vet të shtypit dhe ekziston një gamë e gjerë mediash të cilat kanë përmirësuar mbulimin e proceseve politike, politikave dhe veprimeve të gabuara qeveritare (të cilat çdo ditë marrin një pjesë të konsiderueshme të vëmendjes). Megjithatë, media financohet zakonisht nga bizneset, të cilët kanë tendencë t’i përdorin ato si një mjet për të fituar qasje në politikë dhe kontrata fitimprurëse në këmbim të mbulimit të favorshëm politik, duke e komplikuar në këtë mënyrë cilësinë e raportimit të mediave. Kur eksplorohet më thellë në çështjen e lirisë së kufizuar të fjalës, sipas raportit të sipercituar, janë tre faktorë kufizues që rezultojnë të përmendura më së shumti sai përket ndërhyrjeve nga palët e treta: ndërhyrjet nga individë

politikë (62%), ndërhyrjet nga qeveria (61%) dhe ndërhyrjet nga pronarët e mediave (60%). Një faktor tjetër dukshëm i rëndësishëm janë ndërhyrjet nga individë të komunitetit të biznesit (43%). Më shumë se 30 për qind gjithashtu raportojnë se vetë-censura dhe korrupsioni janë faktorë kryesorë që kufizojnë lirinë e fjalës (përkatësisht 39% dhe 31%)74. Herë pas here qarqet e gazetarisë angazhohen në refleksione dhe diskutime mbi çështjet e etikës, dhe kjo zakonisht ndodh në raste krizash apo raportimesh problematike. Kjo tregon se gazetarët janë të vetëdijshëm dhe të shqetësuar në lidhje me respektimin e rregullave etike në media, por megjithatë komuniteti mediatik nuk ka arritur akoma që të dorëzojë një pjesë të “sovranitetit” të vet dhe t’i bindet gjykimit të pavarur të mekanizmave vetërregulluese. Mbështetja e dobët për inciativat vetërregulluese duhet të gjykohet duke patur parasysh edhe situatën e vështirë ekonomike të gazetarëve, frikën e heqjes nga puna, si dhe vënien e interesave të biznesit mbi profesionalizmin në gazetari në shumicën e mediave në vend. Kodi i pare i Etikës u hartua për herë të parë në vitin 1996 nga Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me dy shoqatat më të mëdha të gazetarisë në atë kohë, por nuk pati ndonjë miratim apo adoptim zyrtar të këtij Kodi. Në një përpjekje tjetër në vitin 2006 Kodi i Etikës u pëmirësua dhe u rifreskua me përpjekjet e përbashkëta të Institutit Shqiptar të Medias dhe një grupi ekspertësh të medias. Gjithashtu u analizua edhe mundësia e krijimit të një instrumenti apo institucioni vetërregullues, bazuar dhe në modelet e përdorura nga vende të tjera. Asokohe u mor mendimi i pronarëve të mediave kryesore në vend, redaktorëve, ekspertëve të medias dhe gazetarëve. Megjithëse shumica ishte dakord në parim, aktorët kryesorë të medias në vend hezituan që të mbështesnin krijimin e mekanizmave vetërregulluese që duhet të mbikqyrnin zbatimin e rregullave të Kodit dhe të merrnin vendime që do të respektoheshin nga të gjitha organet e medias. Kodi i Etikës u rishikua sërish në 2018 nga një grup ekspertësh nën udhëheqjen e Institutit Shqiptar të Medias, si dhe u hartuan disa udhëzime për të mbuluar sjelljen etike në median online. Kodi i ri i Etikës përcakton të drejtat dhe detyrimet e gazetarëve gjatë punës së tyre të përditshme dhe paraqet këndvështrimin e tij mbi rolin që duhet të luajë shtypi dhe gazetaria e lirë në shoqëri. Ky kod ka një përqasje të ngjashme me rregulloret etike të vendeve të tjera për sa i përket çështjeve që merr në shqyrtim, si saktësia në raportim, ndarja e faktit nga opinionet, respekti për minorenët, viktimat dhe personat në nevojë, mbrojtja e pavarësisë redaksionale, shërbimi ndaj interesit publik, respektimi i parimit të pafajësisë pa u shpallur fajtor, e drejta e replikës dhe përgënjeshtrimit, ndarja e qartë e përmbajtjes redaksionale nga reklamat, respektimi për jetën private, respektimi i të drejtës së autorit, etj. Kodi i Etikës merret gjithashtu edhe me konfliktin e interesit, megjithëse e prek këtë çështje shkurtimisht. Ndër të tjera Kodi nënvizon se lajmet nuk duhet të përdoren për përfitim personal, dhe se gazetarët duhet të shmangin raportimin e tematikave apo sektorëve nga ku mund të kenë drejtpërsëdrejti përfitim personal. Në vitin 2017 Instituti Shqiptar i Medias mblodhi së bashku një grup ekspertësh për rishikimin e Kodit dhe hartimin e Udhëzimeve Etike për Gazetarinë Online. Të dyja këto dokumente kaluan në proces konsultimi me komunitetin mediatik. Përveç Kodit të Etikës janë hartuar edhe rregullore apo udhëzime për sektorë të veçantë të gazetarisë, si gazetaria investigative, raportimi mbi viktimat e trafikut, raportimi mbi minorenët, raportimi mbi grupet në nevojë, raportimi mbi zgjedhjet, etj. Edhe në këto raste zbatimi i rregullave etike i lihet në dorë gazetarëve dhe ndërgjegjes së tyre, dhe nuk vendosen penalizime për shkelje. Një nga zhvillimet e fundit është edhe krijimi i Këshillit të Medias në vitin 2015 nga një grup gazetarësh i cili u mbështet nga Këshilli i Evropës. Qëllimi i tij ishte që të ndikonte në përmirësimin e standardeve profesionale në gazetari nëpërmjet respektimit të rregullave të Kodit të Etikës75. Deri tani ky këshill ka hapur zyrën e vet dhe ka zgjedhur një këshill ankesash me mbështetjen e donatorëve të huaj. Sidoqoftë, është akoma tepër herët për të gjykuar se çfarë efekti do të ketë ky këshill në vetërregullimin e medias në vend. Përveç këtyre nismave, Këshilli i Ankesave funksionon pranë rregullatorit, Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke shqyrtuar kërkesa nga publiku apo institucione publike në lidhje me përmbajtje mediatike që mund të jetë fyese për dinjitetin njerëzor dhe në shkelje të të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, e drejta e replikës dhe botimit të përgënjeshtrimeve janë të parashikuara me ligj. Neni 43 i Kodit Penal thotë se gjykatat mund të urdhërojnë një të dënuar që me shpenzimet e veta të publikojë në një apo disa gazeta ose stacione radiotelevizive vendimin gjyqësor, sipas urdhërimit të bërë nga gjykata. Gjithashtu, nëni 617 i Kodit Civil merret me publikimin e informacioneve të pasakta ose mashtruese, dhe thotë se gjykata me kërkesën e personit të dëmtuar, detyron personin fajtor për publikimin e të dhënave të pasakta, jo të plota ose mashtruese që të publikojë një përgënjeshtrim. Edhe ligji i mediave audiovizive merret deri në detaje me të drejtën e replikës (Neni53) ndërsa Autoriteti i Mediave Audiovizive ka miratuar një rregullore dhe procedurat për përmbushjen e të drejtës së replikës në median audiovizive.76 E drejta e replikës është gjithashtu e përfshirë në Kodin e Etikës. Ka patur disa çështje gjyqësore ku e drejta e replikës dhe përgënjeshtrimit është përdorur të ndrequr dëmtimin e reputacionit dhe nderit të individëve, por nuk ka të dhëna mbi përdorimin e tyre në mënyrë vullnetare nga media pas ankesave të publikut. Mendohet se këto raste duhet të jenë të pakta në numër duke patur parasysh se pothuajse nuk ekzistojnë fare instrumentet që mundësojnë dialogun midis medias dhe publikut.F.B


No comments:

Post a Comment

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...