Megjithëse numri i mediave në Shqipëri është i konsiderueshëm, ky numër jo domosdoshmërisht garanton një nivel të kënaqshëm pluralizmi në media. Në fakt, ekspertët e medias mendojnë se vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar kufizimin e pronësisë të licensave kombëtare i ka hapur rrugën monopolizimit ose të paktën përqendrimit të tregut mediatik në pak duar. Në situatën aktuale katër nga pesë licensat për rrjete digjitale kombëtare janë në pronësi të dy grupeve kryesore në sektorin e mediave private, gjë që shkakton shqetësime për të ardhmen e pluralizmit në fushën e medias. Sipas një raporti të fundit të Qendrës për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias dhe Lirine e Medias77 kur bëhet fjalë për Pluralizmin e Tregut skena e mediave shqiptare klasifikohet si me rrezik te lartë (80%) për shkak të mungesës së transparencës në pronësinë e mediave dhe ndikimit të interesave tregtare dhe interesave ekonomike dhe politike të pronarëve të mediave mbi politikën editoriale të mediave. Numri i mediave (mediat tradicionale dhe ato të reja) është i lartë duke marrë në konsideratë madhësinë e tregut të vendit. Numri shume i madh i operatorëve të medias në raport me popullsinë dhe tregun e reklamave, në kushtet kur asnje nuk falimenton, të çojnë në përfundimin se operatorët e medias nuk po veprojnë sipas rregullave të tregut. Sfidat për Shqipërinë duket se është të pasurit më pak, jo të pasurit më shumë. Edhe pse industria e medias po lëviz në internet (Media Online, 19%) me industrinë e gazetave në rënie (13%) -TV mbetet ende lojtari më i madh dhe më i rëndësishëm (64%). Pas 30 vitesh të liberalizimit të tregut të medias, nuk ka patur ndonjë zhvillim të madh në sigurimin dhe publikimin e të dhënave sistematike dhe të besueshme mbi tregun e medias dhe financat e organeve të medias. Mungesa e këtyre të dhënave e vështirëson diskutimin për drejtimin që po merr tregu i medias. Megjithatë, duket qartë se shfuqizimi i kufizimit të pronësisë është një hap prapa për sa i përket garantimit të pluralizmit në media. Në vitin 2018, një studim i Reporterëve pa Kufij dhe BIRN78 Shqipëri tregoi se ka një përqendrim të madh të pronësisë mbi organet e mediave. Sipas të dhënave nga një agjenci sondazhi, arrihet në përfundimin se kemi të bëjmë me një përqendrim mesatar në tregun televiziv ku katër pronarë të mëdhenj arrijnë 48.93 për qind të publikut. Nga ana tjetër, të dhënat e kompanisë së dytë të sondazhit tregojnë për një përqendrim më të madh të tregut në duart e këtyre katër pronarëve që mbulojnë 58.60 për qind të publikut. Edhe llogaritë e kryera në lidhje me përqendrimin në tregun e radios dhe gazetave tregojnë një prirje të ngjashme: kemi përqendrim të lartë me 63.96 për qind të publikut për katër pronarë të stacioneve të radios, dhe 43.29 për qind për katër pronarë gazetash. Nga ana tjetër matja e përqendrimit në bazë të përqindjes së publikut që ndjek këto media paraqet shifra akoma më alarmante: dy familjet kryesore që kanë në pronësi stacione televizive zotërojnë kontrollojnë më shumë se 70 për qind të tregut televiziv, ndërsa katër pronarët që u përmendën më sipër zënë 89,6 për qind të tregut. I gjithë ky përqendrim përkthehet edhe në përqendrim fondesh dhe reklamash, që ngushton edhe mundësinë e operatorëve të tjerë për të pasur financa të mjaftueshme apo të kënaqshme për të mbështetur mediat e tyre. Kjo sjell edhe mundësinë e një ngushtimi të narrativës që paraqitet në media, edhe pse praktika e ka treguar që pasja e fondeve apo konkurenca e ndershme nuk përkthehet medoemos në pluralizëm të përmbajtjes në media. Tregu i reklamave në Shqipëri paraqitet relativisht i vogël, sidomos për numrin e madh të mediave që ekzistojnë në vend. Tregu favorizon qartë televizionet, të cilat marrin pjesën e luanit përsa i përket reklamës. Ndërkohë që shtypi është në një rënie të vazhdueshme, mediat online janë rritur ndjeshëm, edhe pse roli i televizionit nga ana e thithjes së reklamës është më i konsoliduar se kurrë. Radio vazhdon të ruajë pjesën e vet të vogël, por të konsoliduar në këtë treg reklame. Transparenca në tregun e medias në Shqipëri vazhdon të jetë shumë e ulët, përsa i përket matjes së audiencës dhe shikueshmërisë nga njëra anë, dhe për rrjedhojë edhe kritereve me të cilat ndahet reklama nga ana tjetër. Po kështu, fuqizimi i aktorëve të rinj në skenën mediatike, si agjencitë e reklamave, dhe kompanitë partnere të organeve të medias, e ndërlikon edhe më shumë gamën e faktorëve që ndikojnë ekonomikisht te media. Për pasojë, në mungesën e një tregu të fuqishëm reklame apo mjeteve alternative për mbështetjen ekonomike të medias, të gjithë këta faktorë deri diku ndikojnë edhe në politikat editoriale dhe përmbajtjen mediatike që arrin te publiku. Përpjekjet për adoptimin e legjislacionit për reklamat shtetërore kanë qenë të pakta. Rregullat aktuale nuk garantojnë dot transparencë të plotë të këtij procesi dhe kanë lënë shteg që të hyjnë në lojë për fonde shtetërore nga reklamat dhe fushata publike edhe aktorë të tjerë. Kjo e bën edhe më të vështirë punën për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën si shpenzohen fondet publike në lidhje me organet e medias. Po kështu, transparenca e ulët në praktikat e biznesit të kompanive mediatike në administrimin e brendshëm dhe në tregun e reklamave nuk na ndihmon në këtë drejtim.
F.B
No comments:
Post a Comment