2011-01-30

ADEM ZEJNULLAHU :ERËRA TË MBARSURA ME MJEGULL

ADEM ZEJNULLAHU:

ERËRA TË MBARSURA ME MJEGULL




Biblioteka  POEZI

R e d a k t o r :Rrustem Berisha

R e c e n s u e s : Çerkin Ismaili ,Hysen Matoshi

B a l l i n a : Idriz Berisha




Créer, c’ est tuer la mort


(Të krijosh do të thotë ta mposhtësh vdekjen)
Romen Rolan,Shkrimtar i njohur francez




TRAJTA ESTETIKE TË LIGJËRIMIT POETIK

Modest në jetë, modest edhe në krijimtarinë letrare, Adem Zejnullahu është njëri ndër poetët tanë të shquar, i cili jetën e vet prej artisti e bën në heshtje, jashtë zhurmës klanore të nomenklaturës dhe kuazikulturës sonë letrare. Poezia e Adem Zejnullahut me çiltërsinë, mesazhin dhe mjetet prozodike, që e shquajnë si vlerë të qëndrueshme artistike, i ka thyer të gjitha barrierat dhe po radhitet në rrjedhat tona të mirëfillta letrare. Kur vështrohet si tërësi, krijimtaria poetike e Adem Zejnullahut, që nga libri i parë me poezi “ Kur zgjohen ernat” (l969) e deri te libri i fundit “Erëra të mbarsura me mjegull” lehtë mund të vërehen tendencat e stadit të ngritjes ideo-artistike të shprehjes që gjithnjë e më shumë shfaqet erudicioni i idesë dhe mendimit të pasur intelektual.
Tematika dhe përmbajtja e poezisë së Zejnullahut është nxjerrë e motivuar dhe akoma nxirret e motivohet nga zymtësia e realitetit tonë të hidhur historik dhe shoqëror e ravizuar në sfondin e komunikimit e të ligjërimit estetik si vlerë moderne e poezisë së sotme që zhvillohet në rrjedhat globalizmit letrar. Heronjtë lirikë të poezisë së Zejnullahut kryesisht janë portretet e njerëzve të pa perspektive jetësore, njerëz me shpresa të thyera, të zhgënjyer nga realiteti shoqëror në të cilin gjëllijnë, duke u ndier të mundur në betejën e ashpër me jetën. Janë kjo kategori njerëzish që kanë kryer me devotshmëri misionin e vet ndaj atdheut, por që:

Ylli i fatit humbi udhë
Nëpër Kashtën e Kumërtit
Lakuriqët e natës bëjnë sehir
E vetëm kujtimet e copëtuara
Na shpien te Molla e Kuqe

(Molla e kuqe)

Ndërsa kanë mbetur të gjëllijnë realitetin e hidhur në iluzione ëndërrimtarësh. Po ky personazh i lirikës së Zejnullahut duke mos u pajtuar me këtë realitet jo vetëm shqetësohet, por nga brendësia e unit të vet nxjerr revoltën, ndërsa kjo revoltë uni kur shpërthen në sipërfaqe shfaqet në trajtë rebelimi poetik:

Këmishën që ma preu
Terziu i huaj -
Kurrë s’më ra tamam


(Erërat thërrasin emrin tim)

Ngase heroi i poezisë së Zejnullahut, pavarësisht katrahurave jetësore në të cilat është destinuar ta jetojë jetën e mënxyrtë, ka prirjen ta ruajë dinjitetin e vet prej njeriu:

Unë e kjo rrugë e dimë
Si lindet e vdiset
B u k u r


(Kjo rrugë)

Edhe pse mbi supet e tij rëndojnë padrejtësitë shekullore që Evropa i ka bërë e i bën akoma në kurriz të njeriut plagët e të cilit “…kullojnë gjak”. Duke u ndier i pafuqishëm që çështjet kombëtare t’i zgjidhë vetë me drejtësinë e forcës, ashtu si janë zgjidhur dhe zgjidhen akoma sot në botë, poeti sikur ndihet i mundur nga padrejtësitë, ndaj thirrjet e tij drejtuar Evropës së shurdhër tingëllojnë si një lloj lutje panegjerike, por njëkohësisht edhe si shprehje demarshi e revolte ndaj të padrejtës:

Evropë, moj Evropë
Që një shekull plagët kullojnë gjak
Ku e humbe çekanin e drejtësisë, ore?!


(Evropa)

Adem Zejnullahu, edhe herë të tjera, është çmuar si poet i cili aspiratat, shpresat, ëndrrat e dëshirat prej krijuesi i lidh ngushtë me vendlindjen vatrën atërore dhe virtualitetin tradicional të shqiptarit, ndaj morfemat flakë, gur, vatër, rrasht, gjirmë, erë, mjegull, thartësi, sofër, bukë, kripë, mik, armik etj., të cilat janë mjete artistike që përdoren shpesh në poezinë e Ademit, tingëllojnë fuqishëm duke i dhënë fjalës konotacione të figuracionit intertekstual që shënjojnë qëndresën historike dhe lidhjen shpirtërore e fizike të shqiptarit tradicional me atdheun.

Ec e ktheja shpinën tokës
Fike flakën e vatrës
Shuaja gjirmën
E pyete veten kush je?!


Ec e përbuz sofrën
Me bukë e krip për mikun
E në log të betejës
Ktheja shpinën armikut


(Monolog guri)

Poeti ndien një lloj çlirimi shpirtëror, një lloj katarze, lehtësimi, sa i përket kryerjes individuale të misionit ndaj atdheut kur klith “…gjak e bukë t’i fala Atdhe!”, ndërsa për demonët që ia luajnë hilet pas shpine në mënyra të ndryshme Atdheut të cfilitur, poeti lëshon eksklamacione, namatisje të ndryshme e mallkime, gjithnjë duke u ankuar se nga Atdheu po trashëgon “Pak liri të brishtë dhe skamjen”, në të njëjtën kohë kur në kurriz të Atdheut bëhen “Hajdutëri me hile skileje”. Poeti me fuqinë e fjalës së vet poetike i del barrikadë kësaj kategorie “hajdutësh”që:

Me fener e pa fener
Dreqit në thes
Të pahajrit ia lidhën grykën


(Atdheu)

Adem Zejnullahu, pa dyshim, në vizionin e tij të krijimit të kultit për ardhmërinë as nuk ka projektuar as nuk ka paraparë e as nuk ka ëndërruar rrjedha të këtilla të degjenerimit moral të njeriut të përditshmërisë sonë. Nuk ka mundur as ta marrë me mend sakatosjen kaq monstrume të njeriut që:


Hajdutë syçartur
Të tërën e vodhën
Ç’ patëm e s’ patëm


(Hajdutëri)

Poeti ndihet i lodhur, i zhgënjyer, i mundur në betejë me kohët e liga kur “…dashuria vdiq” në “xhunglën” e realitetit tonë nga “sëpata barbare” bien për tokë lisat, këndohen këngë dinake e dëgjohen bulërima uraganesh duke u shfaqur kohë trajtash të përçudshme të kohëve që sa vinë e duken më anakronike, më absurde dhe më të paqarta:

Gjumashët u zgjuan vonë
Trimat ranë në beteja
Vetëm ëndrra mbeti e virgjër


(Tredhje gjelash)

Pa dyshim se liriko-epika “Balada e Toplikut”, në përmbledhjen poetike “Erëra të mbarsura me mjegull” është perla më brilante dhe alter egoja e krijimtarisë poetike të këtij autori, është “…pikënisje e dhembjeve”, siç e quan vetë poeti, ose “…tapia e vuajtjeve“ të poetit dhe të kolektivitetit të tij. Është poezia më e motivuar emocionalisht dhe më e përjetuar intimisht dhe artistikisht në gjithë veprën poetike të Adem Zejnullahut. Çdo fjalë, çdo varg, çdo strofë e kësaj epiko-lirike paraqet një botë të tërë ndjesish individuale dhe kolektive të shprehura metaforikisht si dhembje, si vrer, si namatisje, si mallkim. Aty shihen qartë duke pikuar herë valë e herë akullt, djersa, gjaku, e mundi i tjetërsuar i njeriut që i rrëmbehet trolli atnor, toka e bukës, që nëntekstualisht nënkuptohet se i rrëmbehet gjithçka humane që identifikohet me jetën dhe identitetin njerëzor. Aty shihet se si historia njerkë e pashpirt di në mënyrë aq cinike dhe aq perfide t’ia rrëmbejë njeriut të drejtën për jetë dhe pastaj përjetshëm të tallet me ndjenjën e tij njerëzore. Ndaj, Topliku (burim i ngrohtë uji në vendlindjen e poetit) është pasqyruar dhe strukturuar si një galeri skulpturash pasionante që shfaqet si:

Tapia ime e mundimeve
E shlyer në letër
Skulpturë në zemër
Baladë e kohëve të largëta…


(Balada e Tolikunt)

Thënë tërësisht, përmbledhja poetike “Erëra të mbarsura me mjegull” kap pikat kulmore të poezisë së sotme që shkruhet në gjuhën shqipe. Stili i mprehtë, gjuha e zgjedhur, prozodia e pasur, qartësia poetike, figuracioni tekstual dhe kuptimësia e nëntekstit, dekompozimi metaforik e elemente të tjera që e shquajnë lirikën moderne të përbotshme i gjejmë të sintetizuara artistikisht edhe në këtë përmbledhje poetike të Adem Zejnullahut.


Gusht 2010                                        Çerkin Ismaili



VLERËSIME TË PUBLIKUARA PËR KRIJIMTARINË LETRARE TË ADEM ZEJNULLAHUT

“…Hapi i parë i këtij poeti të ri është, pak a shumë, serioz dhe këtë më së miri e dëshmon kujdesi i tij ndaj punës që ka bërë, disiplina që ka treguar gjatë gdhendjes së vjershave. Ai ka pritur ta botojë përmbledhjen e parë në moshën kur, këtu ndër ne, mund të jesh krijues serioz, por edhe kritik i krijimtarisë së vet. Ato gabimet që mund të vërehen tek fillestarët tanë në librin e tij janë të rralla dhe, në qoftë se ekzistojnë, atëherë janë shumë më të vogla se tek disa moshatarë të tij.
Përkushtimin krijues të Adem Zejnullahut e dëshmon edhe interesimi i tij pjesërisht i gjerë që ka treguar për motive dhe probleme të ndryshme jetësore. Ai nuk është ndalur vetëm në shprehjen e ndjenjave dhe përjetimeve thjesht intime, subjektive, por e ka çelur zemrën edhe ndaj problemeve të ndryshme jetësore që janë shfaqur dhe shfaqen në realitetin tonë. Edhe pse nuk e ka shumë të gjerë rrethin e motiveve të frymëzimit, kryesore është se Adem Zejnullahu e sheh edhe botën e jashtme e jo vetëm botën e zemrës së vet. Për këtë shkak lirika e tij realizohet kur në planin subjektiv, e kur në planin objektiv dhe i shpreh të dy format e disponimit: harenë e gëzimin rinor, por edhe dhembjen e lehtë që në këtë mes është njëfarë peshe intelektuale e vargjeve të tij. Për poezinë e Adem Zejnullahut mund të thuhet ashtu siç thotë ai pak naivisht për zemrën njerëzore në vjershën e disponimit romantik me titull Zemra:

Herë buzëqesh si lulja e majit
Herë rënkon në jone të vajit.

Ngazëllimin rinor dhe optimizmin jetësor ai e ka motivuar nëpër pjesën më të madhe të vjershave të kësaj përmbledhje me ndryshimet e shquara pozitive që janë bërë në jetën e popullit të tij. Duke qenë vargje të një rilindje jetësore është e kuptueshme pse nëpër këtë pjesë vjershash më së shpeshti përsëriten fjalët rreze, lule, diell, rini, e të tjera. Me drita të çelura e ka këngëtuar Adem Zejnullahu edhe vendlindjen e vet, e cila në kujtesë i lajmërohet si një kopsht i bukur prej të cilit ka marrë me vete mbresa të paharruara përnga pesha e tyre. Një ngjyrë tjetër të disponimit kanë poezitë në të cilat ai zhvillon njëfarë dialogu intim me të kaluarën. Në raste të këtilla ai kthehet më i mrrolur, më serioz dhe vargjet e tij e shprehin përvojën e një poeti i cili të duket se e ka shijuar jetën në shumë aspekte të saj. Kur e ven historinë para gjyqit të vet poetik, ai, si edhe shumica e poetëve tanë të tjerë, mund të thotë me ndjenjën e dhembjes se:

Kjo tokë kishte erë lule gjaku
Dhe rrugë të thella humnere;


(Kjo tokë)

“…Përkundër krijuesve fillestarë që fillojnë të vjershërojnë me shprehje të fryra dhe ndjenja të çjerra, Adem Zejnullahu është prej sojit të poetëve që në pjesën më të madhe të rasteve janë në gjendje t´i frenojnë ndjenjat rinore dhe mos të dalin kurrë në skaje. Atë gabimin, të cilin esteti anglez Raskin e ka quajtur gabim që e shkakton ndjenja, në vjershat e tij fare rrallë mund ta diktojmë. Adem Zejnullahut asnjëherë nuk i ka ndodhur, ashtu siç u ndodh fillestarëve, zakonisht, që prej shprehjes së madhërishme të zbresë te shprehja naive. Edhe pse në vjershën Kangëve të pakëndueme thotë:

Vërshoni o ndjenja si vërshon në vjeshtë lumi,
Nëpër fushat e krahnorit tim t´brengosun,
Se dje o pardje kur thneglat u zgjuen nga gjumi
Keni lind si prej livadhit të sosun!

prapë ndjenjat e tij nuk vërshojnë përtej brigjeve të një shprehje të matur dhe të motivuar. Vetëm në tingëllimat që ja ka kushtuar shëmbëlltyrës së Skënderbeut, Adem Zejnullahu i ka lejuar vetes një grimë luks që shprehjen spontane dhe emocionalisht të arsyetuar ta zëvendësojë me shprehje pak a shumë retorike dhe ndjenjë të papërmbajtur. Kur një poet nuk është në gjendje të krijojë ndjenjën dhe përfytyrimin brenda vargjesh, atëherë ai flet për to dhe doemos bëhet deklamativ në shprehje dhe patetik në emocione. Kryesisht konciz dhe kursimtar në shprehje, Adem Zejnullahu i krijon e sugjeron ndjenjën dhe përfytyrimin me anën e strukturës metaforike të vargjeve të veta…”
“...Në përmbledhjen e tij të parë nuk mund të vërehen ato rendjet e njohura pas metaforave dhe simboleve, po as ngecja në nivelin e shprehjes tradicionale të vargut në poezinë tonë. Adem Zejnullahu nuk ngurron që ta krijojë vargun me metafora dhe figura të njohura poetike, të cilat në poezinë e tij tingëllojnë si të reja. Në vargjet e tij dalin të lezeçme „jonet e vajit", „kupa me vner", ashtu siç janë të lezeçme në tërësi formulimet e këtilla: „Po shkoj me valixhen e kujtimeve ndër duer", „zogjt fluturojnë deri në qerpikun tand", e të tjera....”
“Pavarësisht prej zbaticave që mund të vërehen në përmbledhjen e tij të parë, ( Kur zgjohen ernat, n.v. i H.M.) Adem Zejnullahu ka edhe vjersha që e dëshmojnë prirjen e tij. Poezitë e tij më të bukura janë Po shkoj, Zemra dhe sidomos cikli me titullin Intima (që shqip do të duhej të quhej Vjersha intime, meqë Intima është sllavizëm), prej të cilit mund të shihet se kësaj radhe suksesin më të madh e ka pasur në fushën e lirikës thjesht intime. Është e qartë se Adem Zejnullahu e ka filluar veprimtarinë e tij krijuese poetike me ndjenja dhe mendime të qarta, që me kohë do të bëhen akoma më të forta dhe me shprehje të përkujdesur, që me kohë do të bëhet artistikisht edhe më funksionale. Kësaj radhe, kërshëria e tij krijuese ishte në pajtim me mundësinë e shprehjes.”

1969

Akademik Rexhep Qosja, krijues dhe studiues i letërsisë

“...Adem Zejnullahu tanimë nuk është ndër ata poetët që e vënë poezinë në shërbim të emrit (gjë që kjo ndodh shpesh) dhe që duan kështu për t’u dalluar nga të tjerët, ose qëllimi i të cilëve është vetëm e vetëm afirmimi. Zejnullahu na duket se e ka kuptuar që puna e vërtetë e letrarit është t’i shërbejë poezisë duke pasur zemër e trimëri të jetë përherë i gatshëm që të sakrifikohet për të….”

Teki Dervishi, poet, dramaturg

“...Me dy cilësi dallohet krijimtaria poetike e këtij të riu: me rrëfime të sinqerta dhe të kuptueshme dhe me shtjellime motivesh të shëndosha e përparimtare...”

Jakup Ceraja, poet

“....Jo rrallё ngjan qё njё metaforё tё zёrё vend nё titullin e njё pёrmbledhje poetike, por mё rrallё ngjan qё e njёjta ta shprehё filozofinё qё i pёrshkon pothuaj tёrё ciklet e saj. E tillё ёshtё vepra poetike e Adem Zejnullahut, “Mote hiri”, e cila pёrbёn njё reflektim intersant dhe pёr shumёçka tё veçantё ndaj tё ndodhurave ku frymon autori. Ky reflektim shprehet fillimisht nё raport me atё qё ёshtё mё afёrt, mё subjektive pёr autorin, pёrkatёsisht me ciklin “Lumi rrjedh nё mua”, ku qartazi dalin nё pah aspekte jetёsore tё persiatura nё mendjen e autorit. I konceptuar si njё cikёl nё tё cilin mbizotёron bota e brendshme e autorit, lirizmi i kulluar i tij, ai ёshtё njёkohёsisht edhe mё sensibil nё kёtё pikёpamje…”

...”Lёkurёharta ёshtё kompozita mё origjinale e autorit dhe mё interesante e pёrmbledhjes, e cila vё njё paralele tё pashkёputshme midis tkurrjes sё hartёs sё etnisё nё njёrёn anё dhe pёrjetimit tё subjektit nё anёn tjetёr. Pra, dhembjet pёr humbjen e Mollёs sё Kuqe, nuk konceptohen vetё si dhembje kolektive, si ngjan shpesh tek autorёt tanё, por nё rend tё parё si dhembje qё ndёrlidhen drejtpёrsёdrejti me subjektin. Lёkura e personalizon kёtё tematikё, duke e bёrё mё lirike atё, por njёkohёsisht edhe origjinale, kundruar nga aspekti i zhvillimit tё gjithmbarshёm tё poezisё shqipe…”

“…Po qe se dy ciklet e para janё mё lirike, mё subjektive, nё ato pasuese vёrehet njё ndjesi pak a shumё mё e pёrgjithёsuar, e cila ka bёrё qё poezia tё jetё mё e depersonalizuar.
Dhe mund tё pohohet fakti se ky depersonalizim nuk ka tё bёjё vetёm me aspektet tematike, qё dalin nё pah pёrmes pёrfshirjes sё temave tё pёrbashkёsisё shqiptare, por mё bindёs depersonalizimin e bёn mёnyra e tё reaguarit tё poetit ndaj situatave, e cila pёrkufizohet me njё ndjeshmёri kolektive. Kёshtu janё tё shumta poezitё nё tё cilat autori identifikohet me kolektivin dhe, si rrjedhojё, pёrdor shumёsin e vetёs sё parё, p.sh. nё vargjet:
“Moti ёndёrruam pranverёn…”, “Me shekuj kemi kaluar nёpёr kёtё rrugё…” “Tash nё çdo kohё kalojmё nёpёr kёtё rrugё…”, Me shekuj e kemi gjuajtur me gurё djallin e huaj…”, “Mbi kurriz e kemi mbartur tё rёndё njё gur…”, “Pimё bashkё nektarin e buzёve tё njoma…”etj.
“…Adem Zejnullahu, sikundёr u tha, nuk ёshtё poet qё mbёshtetet nё improvizimin dhe nё shpalosjen imanente tё botёs sё ndjenjave. Pёrkundrazi, ai ёshtё sa njё latues formash poetike po aq edhe njё kёrkimtar kёmbёngulёs i aspekteve kuptimore tё poezisё, realizimin e tё cilave e bazon nё kulturёn e tij tё gjerё njohёse dhe atё sidomos nga fushat e mitologjisё dhe tё folklorit. Kёshtu, figura tё mitologjisё shqiptare, asaj greke dhe pёrgjithёsisht evropiane, gjejmё nё poezinё e pёrmbledhjes “Mote hiri”. Kёto figura e personazhe tё mitologjisё (ai pёrdor pakrahasimisht mё pak figura historike kundruall tyre) tё zhvendosura nё kontekstin e rrethanave tё kohёs, dalin me attribute tё njё figurshmёrie autoriale, duke e çrёndomёsuar nganjёhere uniformitetin e domethёnies sё tyre. Me njё fjalё, po qe se figuracioni poetik i pёrmbledhjes “Mote hiri” gjen mbёshtetje nё kulturёn e erudicionin e trashёgimisё dhe nё kёtё pikёpamje ai s’pёrbёn diçka tё veçantё e tё paparё pёr kulturёn letrare, pёrthyerja e tij dhe konteksti i japin edhe dimensionin e origjinalitetit…”
“Marrё nё pёrgjithёsi pёrmbledhja “Mote hiri” e Adem Zejnullahut shpalos para lexuesit njё botё tё pasur nё njё shprehje poetike qё gjithsesi e ka veçantinё e saj.”

Prof. dr. Hysen Matoshi, studiues i letërsisë

“...Adem Zejnullahu, tashmë është ringjallur sërishmi nga hiri, sikundër aludon edhe me titullin e librit të tij të ri dhe si feniksi mitologjik është sërish në mesin tonë. Libri “Mote hiri” ndahet në njësitë ciklike “Lumi rrjedh në mua”, “Lëkurëharta ime”, “Kohë dhëmbërënë”, “Zog i praruar”, “Mote hiri”, “Ura e verdhë”, dhe ‘Zëri i lirisë”.
Sa u përket veçorive poetike, libri që kemi në shqyrtim, dallon me thjeshtësinë e shprehjeve poetike, madje edhe me motive intime etj. Në to pozicioni i caktuar i subjektit afirmohet kundruall realitetit, kurse subjekti lirik në të shumtën e rasteve është emërues i ndodhive dhe përjetimeve nga jeta dhe shpeshherë artikulon gjendjen midis personales dhe kolektives. Në këtë kontekst edhe shprehja poetike është karakteristike sepse bëhet me gjuhë të kursyer figurative, kurse leksiku I zgjedhur dhe figurshmëria adekuate i japin funksion të theksuar....”
“…Merre si ta marrësh, kuptimet e poezisë së Adem Zejnullahut lidhen edhe me tërësinë e rrethanave të kohës e hapësirës së caktuar duke shprehur në to ndjenja kohezive, dhe rrjedhimisht me këtë, duke krijuar atmosferë për nxitje të mendimit tek lexuesit, ngase poezitë e tilla me ligjërimin bisedor dhe motivet artikulojnë episode nga probleme të shumta jetësore të mjedisit që po ashtu në mënyrë të arsyeshme e përshkon edhe zëri i protestës...”

Mexhid Mehmeti, letrar

“...Përmbledhjen poetike “Zogu i stuhisë” Ademi e fillon me poezinë “Lisi dardan”, që ka një simbolikë dyzshe në vetë titull: një, simbolizon rrënjën dardane të kësaj pjese të atdheut dhe dy, simbolizon qëndresën e paepur nëpër shekuj të kësaj pjese të etnisë sonë, se: “Rrufetë i ranë mbi shpinë,/ Ai rron mbi Dardaninë...” – thotë poeti në fund të poezisë...”
“....Vargjet e përmbledhja me poezi “Zog i stuhive” kanë një gjuhë të pastër, një stil të lehtë e të kapshëm për çdo lexues i cilësdo moshë qoftë ai, pa ngarkesa të tepërta metaforike, që do ta rëndonin përvetësimin e brendisë së tyre dhe do ta zbehnin ndikimin e tyre përballë lexuesve të vegjël fëmijë. Vjershat, po thuaja të gjitha, janë me rimë ABAB, që fëmijët i kanë shumë në qejf dhe i lexojnë e i mësojnë edhe përmendësh me shije.”

Ejup Ceraja, letrar

“... Gama tematike e librit me poezi “I vetëm me ëndrrën” është mjaft e gjerë dhe përthekon interesime e përsiatje nga më të ndryshmet të autorit. Poezitë e tij janë refleksione mbi jetën përgjithësisht, pastaj mbi të ndodhurat që e preokupojnë jetën e njeriut të sotëm, mbi evokimet, mbi dashurinë që shpaloset herë si evokim dhe herë shpërfaqje e pavdekshme e saj..., por kjo përmbledhje, mbase më shumë dhe në mënyrë bindëse, e përmban edhe brengën, revoltën, pakënaqësinë që buron nga shpërfillja e lirisë, nga shpërfillja e vrazhdë e së drejtës”.
Megjithëse domethënia detonative e ëndrrës, në mos e pamundur, gjithsesi del e dyshimtë në cilëndo trajtë të ligjërimit, aspekti i saj konotativ në poezi jo një herë lidhet me kuptimin e fjalëve shpresë, dëshirë e gjakim për të arritur diçka. Të gjitha këto sinonime ndërlidhen me gjendjen shpirtërore të përdoruesit të kësaj fjale, pra me kontekstin në të cilin funksionalizohen ato. Konteksti i përdorimit të fjalës ëndërr në këtë përmbledhje poetike, jo vetëm se është i rëndësishëm, por do të thosha edhe i pashmangshëm për çfarëdo qasjeje interpretuese që i bëhet asaj. Sintagma “buka e ëndrrave”, një gjetje interesante e autorit Zejnullahu, është shpërfaqje e gjakimit, shpresës dhe dëshirës së tij për ta përballuar një kohë që merret dhe lihet peng, një kohë me plot të panjohura nga njëra anë, me shpresën në anën tjetër:

Në mbrëmje flemë me të premtuarën
Nënkresë kemi uratën e mallkimin e ditës
Gjatë e tjerrim perin e së panjohurës
Dhe vetëm shpresën e mbajmë për vete


(Koha peng)

“...Ndërkaq, fjala ëndërr nuk është vetëm njëra ndër fjalët çelës të kësaj përmbledhjeje, por lirisht mund të thuhet se ajo është më shumë se kaq. Në të vërtetë, kjo përmbledhje është një ligjërim i ëndrrës, është një rrëfim i individit që reflekton sa fatin e tij jetësor po aq dhe atë të kolektivit...”
“...Poezia e Adem Zejnullahut vijon të mbetet e llojllojshme në aspektin e formave dhe në këtë pikëpamje ai nuk ndjek një model të caktuar, madje është shumë e qartë se formën, vijon edhe në këtë libër poetik, ta vërë në funksion të shprehjes së botës dhe botëkuptimeve të tij.
Me një fjalë, themi se përmbledhja “I vetëm me ëndrrën” e Adem Zejnullahut është dëshmi e një bote të pasur ideore dhe emocionale, e cila ekskluzivisht në ligjërimin poetik ka mundur ta gjejë mundësinë e saj shprehëse. Përmbledhja e tij e katërtë është një argument i pamohueshëm se Adem Zejnullahu e ka krijuar shprehjen e tij poetike; por në një funksion të këtillë veçohen, gjithashtu, edhe ndjeshmëria e veçantë dhe kultura e tij letrare.”

Prof. dr. Hysen Matoshi, studiues i letërsisë


“....Begatia tematike, shumëllojshmëria e motiveve dhe individualiteti i veçantë poetik janë vetëm disa nga karakteristikat dhe vlerat ideoestetike që studiuesin e nxisin ta kundrojë veprën dhe autorin nga këndvështrime të ndryshme. Në rrafshin përmbajtjesor, ndryshe nga poezia që shkruhet sot te ne dhe në botë, poezia e Adem Zejnullahut është fare e kuptueshme,e eksploruar poetikisht, e përjetuar artistikisht, me patos të pasur metaforik, që rrjedh lirshëm me ligjërimin e fuqishëm, që josh lexuesin jo vetëm ta lexojë një herë, por e përvetëson skajshmërisht...”
“...Poezia e Adem Zejnullahut shfaq një botë unikate shqetësimesh poetike, një filozofi që perceptohet vetëm e vetëm nga bota ndenjore e egos poetike të autorit, e cila shfaqet herë si ëndërr e herë si realitet ose del si një lloj mesatarje e peshuar mirë midis ëndrrës dhe realitetit, gjë nuk është vështirë të pikaset ç’është ëndërrimtare e ç’është pjellë e realitetit. Notat romantike të mbrujtura me realitetin jetësor, delikatesa e vargut lirik shprehur përmes aliteracioneve, asonancash e antitezash, rima dhe ritmi ka harmonikën e vargut, intima sublime si përmbajtje, këndvështrimet meditative të jetës me të gjitha absurdet e totalitetet e veta dhe tjetësimi makabër i njeriut si qenie sociale i dënuar, pa të drejtë, të gjëllijë në morbusin e kurdisur shoqëror duken sheshazi si observime filozofike në planin parësor të trajtimeve poetike të autorit. Poeti nuk i mbyll sytë as nuk qëndron indiferent para kohës zezonë. Rebelohet, indinjohet, preket intimisht kur heton se realiteti jetësor zhdavarit ëndrrat e tij, vizionin e formësuar artistikisht që në finale shfaqet dhe mbyllet si kult ndaj ardhmërisë. Revolta e tij bëhet më e zhurmshme, më këmbëngulëse, më stoike dhe vjen si jehonë proteste ndaj nëpërkëmbjes së idealeve të larta, shpresave, aspiratave dhe mbi të gjitha ndaj sakrificave individuale dhe kolektive për të ardhmen...”
“...Ëndrrat e bukura të poetit dalin si zhgjëndrra të shëmtuara, në trajtë vargonjsh të fortë që ngufasin realitetin zhgjëndërr, që në finale, mbase, dalin të hidhur, anakronikë, të shëmtuar. Lexuesi e ndien intimisht shqetësimin e poetit, e përjeton shpirtërisht, e ndien në lëkurën e vet fizikisht, shndërrohet në metamorfozë të dhembjeve të tij, në absurd që ashiqare i hyn poetit në botën e trishtë të dhembjeve dhe merr, aq sa i takon, hisen e vet në sernishtën e dhembjeve të mëdha, pa mundur të mbetet indiferent ndaj lektisjeve e përpëlitjeve të poetit që trishtohet kur sheh Gurin e Sizifit të shpënë me gjak e djersë maje kreshtës tek hamendet të rrokulliset teposhtë në greminë. Simbolika e dhembjes që shëron dhembjet merr konotacione refleksive, vjen si katarzë dhe në fund sublimohet si trajtë filozofike e mbijetesës e nuancuar dhe impulsuar si rezon spiritual, si sens fisnik i qëndresës individuale dhe kolektive në momente dhe kohë të pacaktuara. Aty përjetësohet artistikisht ngadhënjimi i së mirës, i filantropisë, i së bukurës mbi të keqen, dhunën, hipokrizinë dhe mbi të shëmtuarën.
Poeti vigjilon, përcjell ngjarjet në universin e tij shoqëror, vëren se njeriu ynë mbin e rritet si Bimë hibride, shtrin rrënjët nëpër Plagët e arës sonë rritet me Erën e duhmtë të shurrës ecën me lakun e mallkimit lidhur në qafë nëpër udhë të pasigurta të mjegullës me jetën e zymtë përpara që vjen si fatomorganë, si lëngatë, si Epidemi e çoroditu, që luhet në skenën me Shfaqje tragjikomike në zezonën kur Bima e durimit s’ka gjethe, kur Fatin e qitën në bahe, ndërsa Të tjerët tredhnin miza në fluturim:

Standarde korrupsione
Vjedhje vitesh
Ajër tokë ujë
Erë e duhmtë e shurrës
Epidemi e çoroditur
Dhembje pritje
Pako ethesh Ahtisari
Plagës në arën tonë
Bimë hibride
Si do ta korrim


(E di hutini)

Të gjitha këto ndeshtrasha të morbiditetit shoqëror poeti jo vetëm që i vëren, por i ndien barrë që i rëndojnë ëndrrat, që i hapin plagë në shpirt, që i thyejnë kurrizin, që e plandosin për tokë kur i shfaqet dilema, kur i zë frymën pyetja hamletiane Si do t’i korrim?, mbase poeti e di mirë se njeriu i kohës së tij është i dënuari, që medoemos, duhet t’i korrë frytet e bimës së keqe. Po ky njeri i shqetësimeve, njeri i zhgjëndrrave ogurzeza bluan trurin e vet, zhbiron tëmthat duke druajtur mos harta e dhembjes do të kërkojë sërish lojën makabër të sakrificës për ...gurin e mezhdës, gjithnjë duke jetuar me ethet e ankthta të dridhjeve të tokës dhe Cunamit në det. Poetit të ndryrë në botën e parashikimit enigmatik, ndoshta, pse jo, edhe supersticioz, fatomorgana i çukat kokën të meditojë më thellë, të tjerrë hollë e më hollë perin e thurjes së fatit, të vë gisht në tëmth dhe të zgjidhë nyjën e enigmës që kësaj radhe hesapin ta ketë më të qartë:

A do të ketë dridhje toke
E Cunam në det
Këtë e di
Hutini në zgur t’vet.


(E di hutini)

“...Era dhe ëndrra janë dy elemente prozodike të nuancuara në shumëkuptimësi metaforike që derdhen me mjeshtëri vërtetë artistike në poezinë e Adem Zejnullahut. Era metaforike në poezinë e Zejnullahut nyjëzohet herë si fiksion e herë si realitet që hyn herë tinëz e herë ashiqare në botën ëndërrimtare të poetit, e zgjon nga ëndrrat, i portrollis vegimet e tij, i lind shpresa, kur vjen e ngrohtë nga jugu dhe në mënyrë asociative ... zgjon harrimin, por kur del nga ëndrra hakërrohet, revoltohet brendapërbrenda unit të poetit kur me furi vjen nga veriu, kur ngrin shpresat e tij, kur i rrënon kullën në të cilin rrit kultin ndaj të ardhmes...”
“...Era e veriut që poetit i zgjon... shtresat e fjetura kuptimësohet si ogur i zi, që bie shtrëngata në të cilat Hienat e Karpateve shfaqen në trajta fatomorganash që ...rrëfejnë si rrëzohet qarri, si godasin rrufetë dhe si njeriu më nuk është njeri, por monstrum. Era e veriut zgjon lakuriqët e natës, mallkimet e nënave që ua treti të bijtë, gjarprit të shtëpisë i zhvesh lëkurën, ndërsa në kurth i ngatërron me të papritura e mashtrime edhe lindjen edhe vdekjen edhe jetën, duke zbehur kujtesën e njeriut, duke nxitur senilitetin e njeriut me trauma të metamorfizuar në qenie eterike si peng i motit të lig, si peng i harresës kur Lumi nuk kthen në rrjedhën e vet. Era si metaforë i shërben kudo poetit, herë pa u ndier e herë me fërshëllimë, herë duke u cijatur e herë si furtunë, që kërcënon individin kolektivin, që rrënon... kasollen e boshatisur që është ngritur me mundime. Era tinëzare poetit i hyn në varg, i hyn në strofa, i hyn në rima herë si lirikë magjepse e herë si epikë e përgjakur. Ajo herë ngroh e herë ngrin akull dhembjet e poetit. I zhdavarit ëndrrat e i zgjon dhembjet. Kur vjen e blertë, kur ngroh gjymtyrët, kur ngjall shpresat vjen si mike e poetit, si diç me trajta hyjnore, shndërrohet në mit bukurie dhe hyn në legjendë si faqe historie, si realitet i zymtë, si njëmendësi e hidhur jetësore dhe artistike.
Në pikëpamje sintaksore era, ëndrra e dhembja janë strukturuar në njësi sintagmatike. Kështu, krahas togfjalëshave erë e ngrohtë, erërat e jugut, era e gjolit , erërat e blerta e tj. janë vënë në korrespodim fare harmonik gjuhësor dhe estetik togfjalëshat ëndrra e bukës, ëndrrat e blerta, ëndrra të zgjatura etj., me të cilat poeti përpiqet ta dekompozojë mendimin metaforik, duke i dhënë rrëfimit lirik qartësi përmbajtjesore fare të kapshme meditative për lexuesin. Togfjalëshat e cituar nyjëzohen me togfjalëshat metaforikë dhembje e ngacmuar, dhembje pritjeje, dhembje lumi, dhembje e bukur etj. që kryqëzohen artistikisht me morfemat erë, ëndërr dhembje. Kështu, era si metaforë hyn në ëndrrat e poetit, aty flenë të trembura dhembjet metaforike, ndërsa pas zgjimit era e ëndrra si fluide që janë treten, ndonëse gjurmët e tyre mbeten, ndërsa si realitet mbeten dhembjet në botën esëll të poetit, që ia zënë frymën, që ia errësojnë të ardhmen dhe, qoftë larg e liga , të zgjojnë dhembje të reja...”
“... Prozodia e pasur, stili i mprehtë, vargu i qëndrueshëm, rima e ritmi harmonik, shumë-llojshmëria e strofave dhe gjuha e zgjedhur, përmbledhjen poetike “I vetëm me ëndrrën” të poetit Adem Zejnullahu e veçojnë si kulm të poezisë së tij dhe që lirisht gjen vend nderimi në panteonin e lirikës së sotme shqipe.”

Çerkin Ismajli, krijues letrar

“…Adem Zejnullahu, me poezitë e vëllimit “I vetëm me ëndrrën”, na ka falur vargje të suksesshme dhe të rëndësishme në shumë aspekte. Vargjet, u mor vesh, janë ngritur dhe janë konceptuar mbi antiteza, metafora, mbi ironi dhe simbole. Pjesa më e mirë e tyre shprehin, sfidojnë dhe shpalosin problemet e kohës dhe mbi këtë rrafsh autori bën përgjithësime për shumë dukuri e probleme që tani e ndrydhin dhe e shqetësojnë shpirtin e shqiptarit. Vargjet e Ademit sikur i ndiejmë emocionalisht, sikur e përjetojmë gjithë dramën që luhet e pështjellohet rreth Mitrovicës dhe për Mitrovicën...”
“…Ademi gati gjithkund në qendër të vëmendjes dhe të pasqyrimit e ka njeriun. Këtë fakt më së miri e përligj vargu përmbyllës i poezisë “Njeriu i urtë” “Po dhembjet e Njeriut kam për t’i kënduar”. Adem Zejnullahu ka arritur të hartojë poezi me frymë sociale, në të cilat artikulon dhe evidenton kushtet materiale që vazhdimisht rëndojnë mbi jetën e njerëzve. Për më tepër, subjektet e poezive transmetojnë jetën e zymtë dhe trazimet shpirtërore dhe në shenjë të revoltës në vargje përdor ironi e metafora, që në kuptimin figurative zbulojnë një udhëheqje të kalbëzuar që është buzë mashtrimeve dhe humnerës...”
“…Vëllimi “I vetëm me ëndrrën” i Adem Zejnullahut ka vlera të shumta ideo-poetike dhe ideoestetike. Poezitë janë hartuar me përkushtim, me njohje të fakteve të jetës e të historisë. Në saje të frymëzimit spontan dhe kulturës letrare, vargjet e vëllimit na pëlqejnë, na mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë, kjo i ka arsyet e veta:
E para, poezitë janë shkruar me një strukturë të pasur poetike.
E dyta, poezitë janë gjithashtu të pasura me figura të shumta stilistike, si: metafora, aluzione, krahasime, ironi, aliteracione, apostrofa, personifikime, simbole etj.
I tërë vëllimi të ngacmon dhe të bën për vete me problemet që i trajton...”
“…Adem Zejnullahu, duke qenë edhe studiues dhe njohës i krijimtarisë artistike popullore, me mjeshtëri dhe njohje të bollshme ka ditur që brenda vargjeve të ngjizë komponentë të rëndësishëm të krijimeve gojore, si legjendat, baladat, përrallat, fjalët e urta, frazeologjitë etj. Nëpërmjet vëllimit autori i është afruar shumë pasqyrimit të jetës, halleve, brengave, ëndrrave, shqetësimeve dhe deziluzioneve të njerëzve. Në shumicën e poezive krijon tablo poetike, në të cilat frymojnë jeta, bota shpirtërore dhe fantazia e njerëzve, jo rrallë në ndonjë sosh autori paraqet vetveten. Poezitë janë ndërtuar në një vijë të drejtë me një subjekt të veçantë, pa digresione të shumta. Vargjet përshkohen me frymë të thellë lirike dhe fantazi të pasur. Fantazia në vargje ka gjetur mbështetje sa në përvojën krijuese aq edhe të motivet e jetuara. Në të gjithë vëllimin ëndrrat, përfytyrimet e brendshme, cunamet shpirtërore bëjnë një kalim nga ëndrra në zhgjëndërr, nga ëndrra në realitet dhe nga realiteti në zhgjëndërr. Vargjet ruajnë në vete ngrohtësinë dhe dashurinë që autori ushqen për njerëzit dhe fatin e tyre në përgjithësi...”

Prof. dr. Faik Shkodra, studiues i letërsisë


“…Adem Zejnullahu lexuesit tonë i prezantohet me vëllimin poetik më të ri, me një titull sinjifikant “I vetëm me ëndrrën”. Në fakt, sipas Roman Jakobsonit, në poezi çdo fjalë është sinjifikante dhe secili sinjifikim i fjalës përmban në vete kapacitetin e një bashkësie të burimeve linguistike dhe sintaksore. Adem Zejnullahu, në vëllimin e tij poetik, i përmbush të gjitha kërkesat që kërkon arti i vargut poetik.”
“…Poeti thellohet në problemet historike që ka përjetuar populli ynë dhe habitet se pas tërë atyre luftimeve e flijimeve përsëri ende nuk e ka arritur lirinë e ëndërruar shekuj më parë.”
“…Adem Zejnullahu, mjeshtërisht, i thur vargjet njeriut tonë të zakonshëm, i cili gjatë ditës merr dhe dëgjon premtime se e nesërmja do të bëhet më mirë, e gjatë natës njeriu ynë fillon të merret me tjerrjen e mendimeve për të panjohurën. Po cila është e panjohura e njeriut tonë? Në fakt, premtimet e ditës janë vetëm iluzione dhe manipulime që na vijnë nga drejtimet të ndryshme e të pa baza, por burimi i tyre është enigmatik. Ne nuk e dimë nga na vijnë apo edhe nëse e dimë, dëshirojmë të mos ua zbulojmë origjinën, sepse më lehtë është që njeriu të jeton vetëm me shpresa. Shpresën, ngulë këmbë poeti, e mbajmë për vete, siç e kemi mbajtur mijëra vjet...”
“…Poeti e ngre zërin kundër atyre që lavdërohen në bazë të rrethanave, si për shembull të tillë kur janë me ndonjë shoqëri të krahut të luftës, mburren se i kanë ndihmuar luftës, e kur ndodhen ne shoqëri me ndonjë të ndonjë krahu tjetër, përsëri janë këta të parët që e minimizojnë dhe e zhvlerësojnë luftën. Adem Zejnullahu, po ashtu e ngre zërin edhe kundër disa poetëve të cilët e kishin lehtë të ngiheshin e të shkruanin kur jetën e kishin nënë dhe poeti i këshillon krijuesit që të mos fshihen pas të zezës dhe ta gjejnë gjuhën e vërtetë poetike, për t’u bërë poet i vërtetë.”
“ I vetëm me ëndrrën” është një vëllim poetik ku pikturohen shpirti i vuajtur për atdhe dhe për dashuri.”

Reshat Sahitaj, krijues letrar


(I zgjodhi dhe i përgatiti: Prof. dr. Hysen Matoshi)



MOLLA E KUQE



Nëpër tym-e-mjegull të shekujve të brishtë
Me kokë në dorë
U nisëm kah vetvetja
Ta gjejmë kohën e vrarë në harresë
Qenësi e balsamosur


Ylli i fatit humbi udhë
Nëpër Kashtën e Kumtrit
Lakuriqët e natës bëjnë sehir
E vetëm kujtimet e copëtuara
Na shpien te Molla e Kuqe

ERËRAT MË THËRRASIN NË EMËR


Këmishën që ma preu
Terziu i huaj -
Kurrë s’më ra tamam

E vesha
Që të mbrohem nga demonët
Ma përvëloi djersa
E ma treti malli

E zhvesha
Në gardh e shitoi syri i keq
Ndoshta
Ma vodhën lakuriqët e natës

Kur erërat
Më thërrisnin në emër


KJO RRUGË


Nëpër motet e hirta
E palindura dergjej
Mes dhembjes e dashurisë
Plagë e hapur
Gurin e rrëzoi guri

Mirë i di
Zigzaget e kësaj rruge
Nisen kah dhembja
Në lektisje mbarojnë
Fshehtësitë ia njeh mali
Dashurinë lumi

Unë e kjo rrugë e dimë
Si lindet e vdiset
B u k u r

(31.3. 1999)


EVROPË


Shtrigë e kohëve të mugëta
Nëpër leqe
Nëntë dredhë m’i nxore
Nga shpina e regjur
Në shekuj çalamanë

Në qafë më ke lidhur lak
E nuk t’kam
As hile as hak!

Xhelati me sëpatë
Pret koka në cung
Zihet e zgërdhihet
E ti me pahir
Bën sehir!

Evropë, moj Evropë
Që një shekull plagët kullojnë gjak
Ku e humbe çekanin e drejtësisë, ore?!

( Shkurt, 1999 )


MARSI ‘999


Nga motet rebele
Ia behu
24 Marsi ’999
I kapitur prej furtunash
Me barrë në qafë
Të lindjeve e vdekjeve

Dilte nga dheu
Ta trondiste globin
Me shungullimë avionësh
Hedhje bombash
Gjëmim topash
Djegie
Ndjekje
Vrasje

Eu, Marsi i mallkuar
Eu, mars i bekuar
Ti dhimbsuri
Ti përjetësi!

( 24. 3. 1999 )


HAJDUTËRI


Të gjithë drynat i thyen
E s’patën ç’të vjedhin
Veç dredhat e lëkurës
Varur në qafë

Hajdutë syçartur

Të tërën e vodhën
Ç’ patëm e s’patëm
Lakuriqit ia varën në qafë
Lojë mallkimi

Gjithmonë mbeten të uritur


BIMA E PENDIMIT


Dikur stërgjyshërit bënin be
Në qiell e në tokë
Se nuk luan guri i vatrës

Amanet nipërve
Shpinën ta bëjnë beden

Kush s’e di ku vret rrufeja
As macja e zezë udhën kur e pret

Kohët i ndërrojnë
Vdekjet me lindjet

* * *

Bereqetin e vrau breshëri
Mundi shkoi huq-
Veç për tre muaj na la bukën
I ziu “otkupi” i kuq

Mbrëmjeve vonë
Vajtonte e qeshte lahuta

Gjergji e Osoja qëndronin në hark
E shqyenin terrin e moteve
Dhe krismat i bënin me qark

Një kohë
Filluan do erëra t’egra
E shkulën gurin
Medet-
Sa fort po rritet
Në kopshtin e shikimeve
Bima e pendimit!

MONOLOG GURI


Më thanë
Eja se po ikim
Larg e më larg
Larg syrit të keq
Ku dielli nxeh pak
E buzëqeshje ka shumë
Këndej -
Po bie murtaja...

Ec e ktheja shpinën tokës
Fike flakën e vatrës
Shuaja gjirmën
E pyete veten kush je?!

Ec e përbuz sofrën
Me bukë e krip për mikun
E në log të betejës
Ktheja shpinën armikut


Gjarpri syzgjuar trandet
Në themele
Lëkundet çatia e shtëpisë
Në prag mbin
Ferra e shëmtisë

U nisen një ditë me shi
Me lot gur
Një gjysmë lamtumire pendimi

Ata shihnin ëndrra këndej
Unë shikoja syzgjuar andej

Ylli i kthimit
Kush e di ku humbi
E qeni i shtëpisë i harroi


Pas zezonës
Në mullirin e mendjes
E magjen e dhembjes
Shumë kohë blova e gatova
Po dhe jo

U bëra shkëmb qëndrese
Promethe vuajtjesh
Dashuri nositiane
Për këtë dhé
Mbi te
Dhe nën te


LËNGATË


Koha e humbi vrapin
Takimet as ndarjet
S’ bëhen n’orët e caktuara

Nesër
Pak diell
Shumë shi
Me bubullimë

Ylberi humb ngjyrat

Koha u infektua nga virusi I P*
N’akrepat e saj babëzia
Pak dashuri e shumë smirë

Pasnesër
Mund të sëmuren djajtë
Nga tërbimi i njerëzimit


* Interesi Personal


VDEKJE E MBRAPSHTË


Si lakuriq nate erdhe nga larg
Që ta vrasësh agun e kuqërremtë
Po të vrau bardhësia
Se s’ishe në kohën tënde
O Ali Pashë Maxhari
Gjëmën e mori Krena
Mallkimin Bjeshkët e Nemuna

Eu, çfarë vdekje e mbrapshtë















KTHESA TINËZARE


Sa keq na mashtroi falli
Me zjarrin hyjnor hymë në lumë,
Brigjeve na dogji malli
Pa ëndërr, pa prehje as në gjumë


Atëbotë kush i drejtoi gisht
Të martës s’e dimë,
Vonë kuptuam se dardha ka bisht
E kthesa kapërdin…


E VONË


Prej lindjes në perëndim
Barti gurin e Sizifit
Në kurriz
Mbërrini maje pirgu
Rrokullisje e pashpirt
Në përroin e mallkuar

Vetëm era e shkabat e panë

Krahët iu thyen
Mushkëritë iu veremuan
Bebëzat në flakë zjarri
Shpirti shkëndija stralli
Nëpër ngrica akulli

Kurrë s’e bekoi djalli as shenjti

Vdiq
Doemos të përjetësohet
Në grafi të legjendës biblike
Dhe në lapidar:
- Eh, burrë ç’ka qenë!



ASHTI IM DEL NGA DHEU


Nga shtresat e thella të dheut
Sërish po del
Ashti im i stërlashtë

Epitaf i brejtur
Në lapidar
Emrat erërat i shpalojnë
Që na i vodhën kohërat
Pellazg Ilir Dardan
Këtu në Ballkan

Shikojeni
Po vjen Zeusi
Majë Korabit
Me këngën e çuditshme t’Orfeut
Në dasmën e zanave
Do verë Dukagjini
E do ta sodisë nga lartësia
Jonin e Adriatikun
Shqiponjën në fluturim
Drinin e Shkumbinin
E gjakut tim


ZGALEMI


Në mes brigjeve të mallit
Koha është varur në fener
Ëndërron të paarritshmen
Kur digjet në dashuri


Në mes brigjeve të largëta
Në Trekëndësh Bermudesh
Zgalemi ngrihet në qiell
Urë ylberi ngre në furtunë




LUFTA


Në kohë të mjegullt
Lukuni
U nisem ta luftojmë
Zezonën
Me ne nesër
Vdekja
A liria



DHEMBJA E KALTËR


BIMË E KEQE


Në arën e ëndrrave të blerta
Kur binte shi i kuq
E mbollëm farën e bardhë
Po e tëra u huq


U çmendem kur e pamë me sy
Mbiu egjër i zi
Ç’do të korrë drapri
Në stinë shterpësi.


E HUMBURA


Më thanë se kam lindur
Në ditën e martë
Kur shtrigat bëhen nuse


U rrita n’orët e së ligës
Kur lulet vesonin dhembje
E para kohe ia behu vjeshta


N’ qafë m’peshon e pabëra
Zihem me tokën e qiellin
Derisa të gjendet e humbura


THARTËSI


Diqysh hutueshëm
Kur më dhemb koka
E shtrëngoj barkun

Etje e verdhë

Diqysh përçudshëm
Kur më dhemb barku
Pi barna koke

Shije e thartë



DIKTATI


Në emër të paqes
Me Planin M. A.*
Diktuesit
Kurthuan ecjen tonë
Çfarë lirie
As hunj gardhi
As gurë mezhde
Atdheu?



_______
*Marti Ahtisaari , Plani për Kosovën


ERËRA HILEQARE


Fshehtas syrit të kaltër
E turbulluan lumin
Hodhën pak t’tharëm Kabili
Deti u bë kos

Demonët hëngrën pa lugë
Çakejtë i lëpinë dhëmbët

Fryn erërat hileqare
Të gjallët i bekoi guri
Të vdekurit feniks u ngjallën
Erida, bijë shtatzënë...

Medet për ne
Kush lind nesër?


TREDHJE GJELASH


Përgjumshëm kënduan në mungëtirë
Këngën e hershme të agut
E kohë tredhjesh ishte

Fryu erë urrejtje
Kur dashuria vdiq

Në Karpate uluroi hijena
Murmurimë Uraganësh
Atëbotë rrëzoheshin lisat

Mesjetë barbare
Cung kokë e sëpatë

Gjumashët u zgjuan vonë
Trimat ranë në beteja
Vetëm ëndrra mbeti e virgjër

Dhe i trodhën
Herakët e të vonshmit
Të urtësohen rebelët

Tash jemi mësuar mirë
Kohën ta masim me këngën e pulave
E heshtjen e gjelave

Mesjetë barbare
Cung kokë e sopatë


BUKËN NË FERRË


Atij që pa frymë arriti
Ta thotë fjalën e gurit
Pa besën e burrit
Bukën varja në ferrë

Nis e kërko yllin në mjegull

Atij që pas shtatë kodrave
Helmoi Euridikën
Thau ëndrrat e bleruara
E kreh mjekrën e thime

Varja bukën në ferrë


MONSTRUMI


Në bisht të minit
U tërhoq zvarrë e zvarrë
Thellë e më thellë
Hyri në birucë urithi
Monstrum i gjallë

VETË U NDATË NGA NE


Gjatë udhëtuam rrugëve të errëta
Duke kërkuar blerimin
Kur rrezoi dielli
Nisem
Në lojën narcisoide
Harruam
Kafshimin e gjarprit

Vetë u ndatë nga ne

ATDHEUT


Në motet e mia të shkrumta
Djersë bukë e gjak
T’i fala Atdhe

Në këto kohë të përçudshme
Liria dhe skamja
Më mbetën trashëgim

Me fener e pa fener
Dreqit në thes
Të pahajrit ia lidhën grykën

Veç fryma mbeti peng
Si të kanë katandisur
Atdheu im shpresëjetë


CUBËRI


Pas vdekjeve e lindjeve
Shtruam sofrën
Shumë përvajshëm pakëz qeshur
Ç’mynxyrë
Ia behën cubat e fushës
Na e grabitën kafshatën
Na rrokullisen sofrën
Humbi ëndrra virgjër
Na lanë me gishta në gojë


ANAKRONIKE


Dhembja plandos
Kur revolucioni ha fëmijët e vet
Tragjedia vreros
Kur fëmijët hanë revolucionin


PIKË KOTËSIE


Thonë
Votoni emrat e ulëset
Se të vdekurit zgjohen
I marrin metalikët
E ju tingëllimën

Epidemi masive e kokave
Lëngatë tragjike shpirtrash

Thonë:
- Votoni të denjë janë
Abdesin e kanë prishur me kohë
Lojën e hiles e kanë mësuar
Pa i marrë këmbët
Por ky nuk është fati im

Ecin erërat me barrë mjegulle


ATENTAT FIKS


Mos ta kisha frikë Zotin
Shumë punë të mira
Do t’i kisha bërë
Kaosin në ballë
Do ta kisha vrarë


DHEMBJA E KALTËR


Fshehtas ikën gjashtëdhjetë e pesë
Të festuara e të pafestuara
Me dhembje e me dashuri
E pak dritë të molisur
Terr mjegull stuhi

Ikën gjashtëdhjetë e pesë të verdha
Me gjuajtje shigjetash
Goditje të fshehta
Në ecjen vertikale

Hajnisht
Ikën gjashtëdhjetë e pesë
Pa letërnjoftim
E veshja e blertë
Tani ka tjetër fytyrë

E më kall dhembja e kaltër
Pse kaq shumë të marte
Me kaq tkurrje e dhembje
Mbi kokë mjegulla pshurret
E humbura nuk kthehet
E pathëna nuk thuhet
E pabëra nuk bëhet
E heshtura nuk flet
Vriten ëndrrat e virgjëra
E druri i shpresës plaket
Mortit s’i tregohet si vdiset

Sa dua dhembjen e verdhë
Ta kthej në të kaltër...

(17 gusht 2010 )


BALADA E TOPLIKUT



BALADA E TOPLIKUT


Sa më larg ikën koha e qenësisë
Aq më shpesh kthen
Kujtimi vrer i moteve
Në pikënisjen e dhembjeve

Toplik * je i ngrohtë
Sa i ftohtë
Buron
Tapia ime e vuajtjeve
E shlyer në letër...

Skulpturë në zemër
Baladë kohësh të largta

Meskoha ime e verdhë
Fshehtas përbirohet
Nëpër hallkën e shekujve të blozuar


____________
*Topliku – vend burimi i ujit të ngrohtë në vendlindjen time ku babagjyshi, kishte kullën nga e cila zotëria turk, Haxhi Hysni Badivuku i Vushtrrisë e largoi me dhunë dhe e zuri vetë. Pas vitit 1912, përsëri me dhunë në këtë kullë e në Toplik vendoset familja serbe Dançetoviq, e cila edhe sot jeton aty.




Atje ku
Harresa tinzare derdh lotin e bekimit
E ndrydh heshtjen
E heshtja rebelohet
Pse një dhe një s’ bëjnë dy

Pa pritur dita ngatërrohet në hapin e vet
E nata ngeh kokë gjarpri
Kur fryjnë erëra Karpatesh
Shprushen shtresat e fjetura të prushit
E duqet e kujtimeve rrinë varur
Në gozhdën e ngulur n’lëkurën time

* * *

Shikoj Shelgun e Kuq
Si e ka ndarë rrufeja në dysh
E zogu i gjakut tim mbeti pa fole
Poshtë rritet bari i mallëngjimit
Me rrënjë në ujë
Digjet nga malli i moteve të ndryshkura

Në qiellin ngjyrëplumbtë
Fluturon zogu i kuq
Këndon këngën e moçme
Në tri kohë njeriu...

Në vegim më ftillet para sysh
Gjysh Hyseni Haxhi Hysniu
Këmbëkryq buzë Toplikut
Kur flisnin për punë t’dynjasë e t’ahiretit
Si humbës e fitues
Në vitet e tymta të Ballkanit

Dhe nga larg
Në veshë ogur m’ jehojnë
Fjalët e zotërisë:
- Ju në Zabel të Kërollëve
E unë me arixhinjtë e Karpateve këtu!

Themeli i kullës u dridh
E gjarpri i vatrës
Humbi udhën
Në rreze më nuk doli
Rënkoi stërgjyshi im i urtë
Shumë gjatë ankoi
Nuk qeshi në gëzime
As në mort nuk foli!

Kafja e vluar
U derdh në tangar
E fjala mbeti n’ashtin e shpuar
U dogj me zjarr

* * *

Topliku ecën kah deti i pafund
Humb ngjyrën e vet
Në Trekëndëshin e Bermundeve
Kurthohen ditët me netët
Lojë e mallkuar shtrigash

Unë e Topliku përballë
Flasim gjuhën e dhembjeve
Në kohët e përçudshme
Me breshër vrastar!

Plaga s’është mbyllur
Verdhësi motesh të mynxyrta

Valë –valë valëzon një zë
Shushurimë dashurie
E çikave lazdrane
Dhe nuseve syqershi
Që lajnë këmishët
E dhëndurëve të vonuar
Të shtatë dasmave
Në fshatin pa gjumë

Në cilën degë të kaçës
Te Pusi i Shkinave *
Fati i vashës fytyrëhënë
Është lidhur nyje

E krushqit ia gurëzuan
Të martën
Kur Orëmira ishte në gjumë

Fshatarët e mi yllkërkues
Shikojnë përtej kodrës
Kur ndarjet e takimet
I këndojnë në baladë

* * *

N’oxhakun e kullës sime
Nëntor i vitit 1912
Arixhinjtë e mallkuar
Lejlekun ma vranë në fole
E zogut sqepverdhë
Kokën ia prenë në cung

_________________
*Pusi i Shkinave gjendet në perëndim të Toplikut, uji i të cilit besohej se shëronte sëmundje. Po ashtu sipas besimit të fshatarëve në këtë vend lidhen dhe zgjidhen edhe magjitë e ndryshme.


N’oborrin tim
Kohë të liga ishin
Net të gjata ankthi
Erë shkrumbi e morti
Na zinin frymën...

Fëmijët në hapësirën e panjohur
Kërkonin skaje për lojë
Nguronin në truallin e ri
Shihnin ëndrra n’të vjetrin

***

Topliku bunis nëpër damarët e mi
Dhe ikën pikëllueshëm
Mbi lymin e moteve të mykura

Horizonti i ngrysur zbardhëllon
Akrepat e orës së kurdisur
Më saktë do të matin
Nisjen e shekullit


Dita e mashtron terrin
Me një lindje të re
Ëndrra zhgjëndërr

Topliku i dergjjeve të gjatë
Pikë më pikë
Do t’i kthehet amësisë

Im bir
Kurrë mos pështyj
Në bunarin ku piu i pari
As trohat e sofrës
Pas shpine
Mos i gjuaj në Toplik!

( Qershor 1999 )


VARGJE ME ANKTH


Në udhëkryq u takuam
Ballë për ballë
Ti gojë kuçedër
Unë zog dragoi

Sa larg e sa afër ishim
Kur dhembja-
Me dhembjet luftonte

Njeriu i bardhë
A njeriu i zi
Zgërdhihen
E përtej ligatinës
Tinëz syrit
Blerimit i del tymi gri

( Nish 1972 )


IKËN LARG


Të gjitha gjërat që më deshën dhe i doja
Ikën larg
Në rrugëtimin që shpie kah harrimi

Si të kthehem në hapin e fillimit

Të eci kah shtegu i panjohur
Te burimi me ujë shërues
Ndoshta vjen zogu krahёgjatё

Ta këndojë qëndresën e ashtit tim


VITIT 2009


I ndërruam vendet
Pa u hamendur
Na u ndërruan motet
Pimë gotën e lëmëvitit
Dhe s’di
A u mplakem
A u rinuam

Koha dikë mashtroi
Mjekra ime u zbardhë
E jotja u zhduk pas fytyrës

( 31.12.2009 )

E PAPËRFUNDUAR


Kjo është e njëjta rrugë
Si dikur
Po nuk ma njeh
Hapin tim
Qe sa kohë
Dhe hija ime i mungon

Si engjëll i përgjumshëm
Bari kotet
Në vesën e harrimit

Topliku nanuris
Rrit shelgun e bardhë
Te Kopshti i Babës Aziz

Vetëm eci
Me trokllimën e hapave tjerë
Po, po
Këndej janë gjurmët e hapit tim
Dhe fryma ime përzier me erën
Këndej edhe gurët më njohin
Me aromën time vjen pranvera

Këndej edhe zogjtë këndojnë
Emrin tim n’ograjë
E shpirti digjet në ditёt verig
Në Podin e Kërshit
Për Kinin Danin e Tahirin
Në fërshëllimat e motit të lig


( Shtator 2010 )


IMAZH I KRYEQYTETIT TIM


Qytetarët e kryeqendrës sime
I duan ëndrrat syçelë
Kur fryjnë erërat e larme
Në rrugën Nëna Terezë

Harmonisti i verbër bën muzikë
E kalimtarët në secilin hap
Humbin nga një hise të qenësisë
Nëpër ëndrrat e mjegullta

Kështu harmonisti Durim
Dhembshëm i bie harmonikës
E jetën përtej lumit e do
Pranë tij varur në kanjela
Ciaten në ninullën e harrimit
Fotot e varura të pikëllimit
Dashuri e vrarë
Nga murtaja e ze

Kështu për çdo ditë në mermer
Imazh gri kryeqyteti
Harmonisti me shkopin e bardhë
Zogu krahthyer i fle në qepallë
Shëron e hap plagë
Merr dhuratë jete
Tingëllimën e centëve
Rrokullisur në mermerin e përhitur
Parakalojnë erëra t’vrazhdta varfërie



VUSHTRRISË


Dikur një plak i urtë më tha:
“Ky qytet ka tre kanop samari
Dhe dëgjo -
Me treqind s’un e përtheko’ ”.

Me atë litar nyje-nyje
Unë kurrë s’e mata
Kalanë as Urën e Gurit
Që as tatari s’i bie në fije
Kur maten vezët në kandar
Ndërmjet komshive

Dhe s’e di
Për mua e për te
A ke -
Fatësi a fatkeqësi?!...

Vushtrria i palos moshat - monument



SHQETËSIME NATE


Udhëtuam në jetë së bashku
Më nxite kokëdhembjen
Do të m’i vrasësh ëndrrat virgjër

(10.11.2010)


TE BURIMI I LARGËT


Fluturuam me re të bardha
Të etur motesh
Në kërkim të hirësisë
Përtej shtatë kodrave
E shtatë deteve
Te burimi i largët
Ku njerëzit gjithmonë
Thërrasin vetëm një emër
E shuajnë etjen

Kur arrijmë të lumtur
Atje ku s' arrin gjithkush
Ç' madhështi o Zot
Prapë na merr lartësia
Atje ku s'ka mort
E breznive u flet rrashta...

(12.11..2010)


ÇASTE NË MREKULLI


Në gjithësinë e pafundme
Në shalimin e erërave
Fluturoj mbi kodra e fusha
E dete të dallgëzuara

Në shuplaka më mban
E nuk të shoh
Hirësinë ta ndjej
Në lodrimet e mia

Nëpër shtatë palë tokë
N’qafë të kaut të zi
Po bëhem bredharak
Skëterrës i ka dalë tymi
S’po më djeg zjarri
S’ po më ngrin akulli
As fundi
Nuk po më përpin


Dhe fluturimthi
Nëpër shtatë palë qiej
Engjëjt kaltërosh
Pëshpëritin emrin tim
Po rilindem
Me aromë trëndafili
Në mrekullitë e Arshialasë...

( 15.11.2010 )


FUND A FILLIM


As ky fund
S’qenka pafundësi
Në pusin pa fund
Një fillim i ri
Ndoshta i bukur
Ndoshta i dhembshëm
Zoti e di!...


KOHË TJETËR



ULLIRIT


Me mund të kultivuam
Në tokën e shpresës
Me bekimin e zemrës
Me durimin e shkëmbit
Që të kemi në tavolinë
Në festën e madhe

Rrugëtim i gjatë
Në qafë degën varur
Në kohë pa kohë
Duke kërkuar paqe
Nëpër shekujt e veremtë


E PATHËNË


Fryn erëra të ngrohta jugu
U harlisen dallgët
E heshtja doli nga guaska
Nga fundi i detit
Fjala mori udhë
Asnjë ëndërr s’u shpjegua
Deri në fund
Asnjë këngë s’u këndua
Deri në fund
Asnjë plagë s’u shërua
Deri në fund
Dhe as një det s’u shter
Deri në fund
Që të mbijë lulekripa
E gjuha ta bekojë të pathënën



FATKEQËSI


Në ditën e martë
Fluturoi sorra e larme
Të urtit ia piu mentë
Sa shpejt
Xhelatit iu ndryshkë shpata

Ec e merre vesh
Fjalët e krushkut
Në trajtë guri
E dasmën pa nuse
Të lakuriqëve të natës

Kënga e hutinit baladë


PËRHUMBJE


Nёpёr motet pa diell
Dallgët ma shaluan pagjumësinë
Qepallat m’i shkelën
Krushqit e padukshëm
Merimangё e kuqe
Ikte netëve mortore

Nё kandarin e durimit
Nëntëdhjetenëntë herë matej
E pabёra nё dy kohë
Kur bardhёsia e ditёs
Prangoste ëndrrat kryengritëse

E bregu priste takimin që s’bëhej kurrë

(Dhjetor 2010)


PUNË DREQI


Larg syve të përgjumtë
Përvidhet
Këmbëkryq te oxhaku
Nis fallin e mashtrimit

Njeriu a dreqi laran
E shporrim jashtë
Derë e dritare ia mbyllim
Prapë luan kunjin e sherrit

Kërcen dreqi topall
Gjithmonë i ri
S’e tremb
Urata e mëngjesit
As kënga e gjelave
Rrufetë s’e vrasin
As vdekjet s’e ngasin

O Zot
Ta mbyllim në shishe?!

(18. 4. 2010)



MENDJEMADHI


I dukej se fluturonte mbi re
Kalamendej nëpër tokë
Si pa kokë

Hajt bacë hajt
Tana e kanë rrafsh
Budallallëku me maje


KAMELEONI


Në krahët e mizës
Fluturoi lart e lart
Zbriti poshtë e poshtë
Ra
Në shurrë e mut
Me pamje kameleoni







DENONCIM

Me ty që s’mund t’më shohësh me sy
Sot as nesër
S’dua ta bashkoj as shurrën në kanal të zi


KOHË TJETËR


E arnuam kohën me pa kohë
Për t’i fshehur dhembjet
Të mos na nuhas era të leckosur

E arnuam dashurinë me ëndrrën
Të mos zgjohet pendimi
Për takimet e pabëra...

E arnuam kohën me ngjyrat
Që t’i ngjajmë lules e barit
Në këngën e zogut sqepverdhë

E arnuam kohën me idhuj
Ndoshta era e pazgjuar
E bie një tjetër kohë…

I PAFAT

I thanë
Të priftë e mos i prifsh
Po tërë jetën i priu
E kurrë s’i priu…



VDEKJA


E hedhim përtej shtatë deteve
Ta kapërdijë harrimi
Kujtojmë se humbet
Po sa shpejt e fshehta -
Këput fillin e ëndërrimit


LISIT


Shtatlartë qëndron në maje
Me rrënjë në shkëmb
S’e shkulin furtunat e moteve
S’e vrasin rrufetë idhnake


QËNËSIA JONË


Në trajtën e qenësisë rebele
Tragjika dhe madhërishmja
Maten në kandar të ndryshkur
Cila e polli shoqen
Veza a pula
S’e dimë...

Në alfabetin e plakur
E lexojmë emrin e panjohur

DIÇ NDRYSHE


Andej e këndej vërtitje
Diç përherë ngec;
Hajt ta kthejmë ndryshe
Ndoshta -
Më mirë ec!...

EPITAF


Fryma nga qielli
Tokën e rreh
Rrashta në dhé…



FLUTURIME TË PËRMALLSHME


FRESKI E HARESHME


Era e Jugut fërshëllen
Në majë të kepit të djegur
Në fundin e fundit
Kthen hapin
Atje ku zë fill mallëngjimi
Dashurohet e Bukura e Dheut
Flet shkëmbi e lumi nanurisë
Nis këngën Orfeu
Lazdrohet Euridika
Kafshimin gjarpëror harron
Ngjallen krushqit e gurëzuar


FLUTURIME TË PËRMALLSHME


I lau faqet e kuqe në krua
Harroi fytyrën
Dhe sytë e kaltër paluar

Fshehtas hënës e malit

Pas tri ditësh e tri netësh
Hyri në gojë plakash
U bë dhembje në legjendë

E mori fërshëllima e erës


ËNDËRR E PAFUND


Prapa shtatë kodrave
Ëndërruam burimin magjik
Atje ku mrizojnë zanat
Këndon Orfeu e luan Euridika
Atje ku nis rrita e vonuar
Deshëm ta shuajmë
Shkrumbin me etje

Symbyllas
Me hapa breshke marshuam
Hapërim maratonik
Kush më parë
Urtësisht e çmendurisht
Ta pijë kupën e zbrazur


AROMË DASHURIE


Të kërkova në krahët e erës
Në vetullën e hënës
Në ngjyrat e ylberit
Në petalet e luleve
Në vesën e barit
Të gjeta
Në këngën e harruar
Të zogut të verdhë

Të kërkova shtigjeve të jetës
Në labirintet e kujtimeve
Të gjeta
Në palët e harresës e të pendesës
Në meskohën e shpirtit të trazuar

Buzë Toplikut
Ku dridhet toka e bari

Të kërkova
Te Shelgu i Bardhë -
Ku floçka gërshethedhur
Lante këmishën e trimit
Të gjeta...
Në mes larëses dhe rrasës
Plagët e dashurisë
Duke m’i shtrydhur

Të kërkova e të kërkova
Zemërplasur
Vonë të gjeta metaforë në vargun tim
Euridikë e kafshuar
Tek shaloje erërat me aromë dashurie

LUNDRIM ËNDRRIMTAR


Furishëm këto valë rrahin bregun
E derdhin hidhërimin ndaj erës,
Ndoshta pse dashuruam kaltërinë
Si dikur sytë e vashës ulqinake.

Unë erërat grindavece s’i ftova
As lotët e qiellit që derdhen rrebesh,
Ti shkumëzimet i krijove në thellësi
E pulëbardhat m’i trembe në breg.

Dallgë mbi dallgë, o det i harbuar
Dashuria me mëri s’rrin ndry,
E sa herë lëkund veshin kau i zi
Druaj anijet e ëndrrave m’i fundosë ti.

(Korrik 2010)

UNAZA KURORË


Krejt si në lojë
As nëpër terr
As nëpër dritë
Pahiri i ndezëm zjarret

Lumi vërshoi valë-valë
Ylberin e zumë në breg
Përfytyrimi na djeg

Lulet në kopsht i pagëzuam
Me emra yjesh
Idhuj në gjerdanë
Për kremten e madhe
Hija ime vetëtimë
Në valën e Lumbardhit

Meri
Cili peshk e përpiu
Unazën kurorë



MALLËNGJIMI


Nga dashuria e dashurisë
Rritet bari i fjetur
Në ëndrrat e pranverës

Risohet me vesën e kujtimeve

Erërat ftojnë dashuritë e larguara
Në takimet e bëra
Zogu harrimin këndon dhembshëm

E kthjellet n’aromën e gjethimit


PËRFYTYRIM I GJALLË


Vijnë e ikin valët idhnake
Më sjellin shikimet e etura
Në kërkim të së padukshmes
Nga bregu në breg
Masim mallëngjimin
Largësitë e pakapshme
Dhembjet e dashuritë
Anijet e zbrazëta
Ikin pa qenësinë tonë

O Perëndi
Kjo mbrëmje e purpurt korriku
E ky det
Me thellësi e kaltëri
Të tëra moj Flora
Përngjajnë në ty

(Korrik 2010)



NDAJ MENDJE


S’ka dashuri më të madhe
Se dashuria për ty
Tash jeto a vdis pa mua




FURTUNË DESHËPRIMI


Fryn erëra të larme
Qielli i kujtimeve
U mbush me re të zeza

Shkreptimë
Bubullimë
Premtimet bien në greminë

Në lumin e shpresave
Pa kohë rigon shi
E në rogën e malit
Ylberi i ëndrrave varet përsëri


SY TË SHQETËSUAR


Erdhëm ku nuk vihet
Lartësi qielli
Thellësi deti
Etje e uri
Shikime bredharake
Një thërmi dashuri

ORFEU


E shëmtoi magjia e këngës
Aritmia jetë e mot
Po këngën për Euridikën
Ai s’e ndali dot


E PAGOJA


Pas ikjes
S’e mbolle barin e harresës
Të mos ndjek era e gjakimit
Labirinteve të kujtimeve

Në mua
Ndeze zjarrin e pashuar
E vetë hyre me ylberin në lum

Tash
E pagoja ka nisë të flas’
Në mes dy brigjeve të largëta
Me furi po më përplas

MIRË SE TË GJETA KOSOVË! FALEMINDERIT FAMILJA E NDERUAR SALIU!




Këtë vit, pushimet për të shkuar pranë familjes sime në Shqipëri, i planifikova në ditët e fundit të prillit dhe të fillim majit.

Në ditët e para të prillit, ditët dukeshin të ngadalta, për t’ia lënë radhën njëra tjetrës derisa të vinte data e nisjes.

Sapo dola nga metroja, tingulli i telefonit, më sinjalizonte mesazh.

Mesazhi përshëndetës, më vinte nga Familja Saliu, e cila, midis të tjerave, më njoftonte se ndodhej në Kosovë, Prishtinë.

Gëzimi dhe emocionet që jetova në ato çaste ishin të mëdha.

Ndalova dhe formova numrin nga më kishte ardhur mesazhi.

Dëgjova një zë të ëmbël femre, që iu përgjigj thirrjes sime telefonike.

- Familja Saliu?

- Po!

- Jam Pierre-Pandeli Simsia.

- Ooo! I nderruar zoti Simsia. Si jeni? Jam Rita, Rita Saliu - më thotë.

U emocionova shumë. - Rita, motër! - i them. - T’i lëmë mënjanë fjalët zonjë dhe zotëri. Le t’i flasim me emra njëri tjetrit; kështu besoj, se e bëjmë edhe më të afrueshëm komunikimin tonë.

- Plotësisht e drejtë. Edhe mua kështu më pëlqen të komunikoj me miqtë, shokët, kolegët…, me emra - më përgjigjet.



Të bisedosh me Rita Saliun, është mrekulli, do ta quaj unë, sepse mënyra e saj e komunikimit, zëri i ëmbël, edhe nëse nuk e njeh dhe bisedon për herë të parë ,të imponojnë respekt.

Midis bisedës së gjatë dhe të këndshme me bashkatdhetaren, kolegen time të nderuar, mësova se data e kthimit të Ritës nga Kosova në Sh. B. A. korrespondonte me datën e kthimit tim. Koincidencë e bukur edhe pse linjat ajrore të fluturimit ishin të ndryshme.

- Ju pres familjarisht, të vini në Kosovë, në Prishtinë, në shtëpinë time më thotë Rita nga fundi i bisedës.

Mes kënaqësisë dhe emocioneve që ndjeva, i them, se është dëshira dhe kënaqësia ime, të vini ju në Shqipëri, të shihni edhe Beratin dhe Durrësin, në veçanti.

- Herë tjetër do vijmë ne, por kësaj here do vini ju, - më thotë Rita. - Bashkë me bashkëshorten tënde dhe dy djemtë tuaj, ju presim në Prishtinë.

………

Ftesën, për të vizituar Kosovën, familja ime në Shqipëri e priti me kënaqësi.

Jo vetëm unë dhe bashkëshortja ime e nderuar, por ishte edhe dëshira e madhe e dy djemve tanë për t’a parë Kosovën nga afër.

Reja vullkanike në Islandë dhe bllokimi i pothuajse të gjithë aeroporteve të Evropës, bëri, që të më shtyhej për një javë data e nisjes për në Shqipëri dhe data e kthimit. Kjo i reduktoi paksa, ditët e qendrimit tonë në Kosovë.

Tre ditë, pasi kisha mbërritur në atdhe, i telefonoj Familjes Saliu në Prishtinë.

Midis të tjerash, e njoftoj edhe për vizitën tonë në Kosovë.

U gëzua shumë.

- J’u presim, por edhe jemi bërë merak, se nuk na keni telefonuar… Sapo të mbërrini në Prishtinë, j’u presim tek Hotel "GRAND". Shtëpia jonë është shumë pranë hotelit… - më thotë Rita.

…..

Autobusi i linjës Tiranë-Prishtinë u nis nga Tirana në orën 18:00 , duke kaluar nëpërmjet Republikës së Maqedonisë dhe, sipas orarit, duhet të mbërrinte në Prishtinë në orën 5, në mëngjesin e ditës tjetër.

Nuk dua të zgjatem në atë udhëtim të mrekullueshëm, për të përshkruar natyrën e magjishme shqiptare, thesaret natyrore që na i ka dhënë vetë natyra.

Sapo kaluam zyrën doganore në Republikën e Maqedonisë dhe hymë në tokën e bekuar, Kosovë, kurrioziteti ynë ishte të shihnim natyrën, tokën tjetër shqiptare, gjysmën e trupit të tokës mëmë, të shkëputur dhimbshëm, të dhënë padrejtësisht dhe artificialisht një trupi tjetër të huaj.

Edhe pse ishte natë, malet, grykat, luginat, fushat, pyjet, me gjelbërimin e tyre, dalloheshin mirë.

…..

Autobusi, sipas parashikimit, mbërriti në Prishtinë dy orë para.

Në orën 3 të mëngjesit, u gjendëm përpara Hotel GRAND në qendër të Prishtinës.

Nuk donim ta "shqetësonim" familjen pritëse në atë orë edhe pse miqtë na prisnin në apartamentin e tyre gjatë gjithë orëve të natës.

Menduam të hyjmë në hotel, derisa të shkonte ora 5.

U ulëm në ndenjëset e hollit të hotelit

Punonjësit vijnë për të na bërë shoqëri. Kur mësuan, se nga vinim dhe ku do shkonim (Në fytyrat e tyre ne pamë një shprehje gëzimi…) na u duk, se interesimi i tyre për të na kënaqur më mirë, sikur u shtua.

- Jo vetëm se jeni vëllezërit dhe motra jonë të një gjaku, por, ju qenkeni edhe miqtë e Familjes së nderuar Saliu, miqtë e NËNËS sonë të madhe, të nënës së gjithë Kosovës, Rita Saliu.

Menjëherë, ndjemë dashuri, respekt, emocione gëzimi, për atë familje të nderuar, për atë grua zonjë të respektuar, motra Ritë, që edhe pse nuk e kishim parë dhe takuar ndonjëherë, po i shkonim në shtëpi si miq, si vëllai tek motra, si motra tek motra, si nipërit tek halla, tezja e tyre…

"Rita Saliu" - fola me vete dhe m'u shfaq portreti i Ritës, që e njihja vetëm nëpërmjet fotografisë dhe poezive të saja. . "Po më bën të ndjehem krenar me emrin tënd që ke lënë tek të gjithë njerëzit, me veprën tënde fisnike dhe patriotike, me dashurine, për mbarë popullin e Kosovës dhe gjithë miqve të tu, anembanë kudo janë…"

Në biseda të ngrohta mes miqsh dhe shokë, ora ecën pa u ndjerë. Nuk na shkoi mendja të shihnim orën, (Ora kishte kaluar nga 6-të) kur, në hyrjen kryesore të Hotel GRAND, u shfaq një grua e pashme, me veshje të rregullt, që ne na u duk fisnike.

Na pa dhe eci drejt nesh. E menduam se duhet të ishte Rita jonë, motra bujare që po na priste.

Sapo afrohet dhe ne çohemi nga ndenjëset për t’a takuar, na thotë: - Ç’ka keni ba kështu? Keni ardh në Prishtinë dhe nuk më keni njoftu? (Rita i kishte telefonuar hotelit dhe kishte mësuar për ardhjen tonë) Po j’u prisja në apartamentin tim gjithë natën… I vetmi apartament në pallat me dritën ndez, ka qenë apartamenti im…

E buzëqeshur, motra Ritë, përqafohet me bashkëshorten time, si motra me motrën, si të ishin njohur prej kohësh.

Si motra me vëllanë u përqafuam bashkë, ashtu dhe me dy djemtë e mi…

I falenderoi punonjësit e hotelit për shoqërinë e tyre ndaj nesh dhe dolëm jashtë.

- Ni ktu e kam shtëpinë - na thotë, duke drejtuar gishtin tek një pallat.

As 50-të metra larg, nuk ishte pallati ku banon Familja Saliu në qendër të Prishtinës, nga Hotel GRAND.

Duke ecur drejt apartamentit, fytyra e motrës Ritë shndriste nga gëzimi. (Sa të çlirojnë nga emocionet shndritje të tilla të fytyrës! Sa dashuri, kënaqësi, të japin fjalët e ngrohta mikpritëse në të tilla raste! Ta largojnë edhe atë pak druajtje, nëse të ka zënë në ato çaste, për t’ia lënë vendin asaj, që në gjuhën popullore quhet: Të rrish si në shtëpinë tënde")

Apartamenti i Familjes Saliu, një apartament modest, me bujarinë, mikpritjen dashurinë njerëzore për vëllezërit dhe motra të një gjaku, ishte më i madhërishëm se një pallat luksoz. Luksi i atij apartamenti ishte buzëqeshja, dashuria, mikpritja, ngrohtësia që na ofroi ajo familje e nderuar në mbarë Kosovën dhe popullin e saj, në mbarë miqtë shokët e saj.

Ai apartament, ishte një muze i gjallë, ku e vjetra e një kohe të shkuar, të dhimbshme, të përgjakshme dhe e reja, koha fitimtare, koha e lirisë, ishin gërshetuar me njëra tjetrën, si dëshmi, e asaj ç’farë përjetoi Kosova dhe populli i saj, ç‘farë kanë bërë nënat, baballarët, vëllezërit dhe motrat kosovare, për t‘iu ardhur në ndihmë bijve dhe bijave, që luftuan për pavarësinë e tokës së shenjtë, Kosovë.

Shikonim në ç’do pjesë të atij apartamenti fotografi të ndryshme makabre nga koha e luftës, heronjtë kosovarë të rrënë për liri, heronj, bijë të pafajshëm të djegur për së gjalli nga çmenduaria, bisha gjakatare serbe dhe ndjenim dhimbje. Loti nuk mund të ndalohet së rrëni, nga pamje të tilla.

Shikonim fotografi, zonjën e nderuar, motrën, nënën e gjithë Kosovës, Rita Saliu, dalë me personalitetet më të larta të shtetit Shqiptar, të Shqipërisë dhe Kosovës, me personalitete të ndryshme amerikane, lexonim mirënjohjet e shumta, që ajo grua kishte marrë, e vlerësuar për ndihmën, përkrahjen, sakrificën e madhe, shërbesën e saj, që i ka bërë nënës Kosovë dhe bijve, motrave dhe vëllezërve të saj, dhe ndjenim krenari, dashuri, respekt, shembullin, që duhet të marrim të gjithë ne.

Rita, më duket se e kuptoi hutimin tonë, dhimbjen e madhe që ne po jetonim në ato çaste, për ato ç’farë po shihnim dhe, si për të na larguar nga ajo, ç’farë ne po jetonim na thotë: - Të dashurit e mi! Jeni të lodhur nga ai udhëtim i gjatë; hamë diçka dhe të shtriheni; të shlodheni, është herrët ala'…

A mund ta ndjenim ne lodhjen në atë shtëpi, në atë mrekulli mikpritje, në atë bujari shqiptare?!





E pranuam atë, ç’farë na ofroi motra jonë, Ritë.

U ulëm në tryezën e ngrënies. Pas pak, u dëgjua zilja e telefonit celular.

Motër Rita, iu përgjigj thirrjes telefonike. Ne vetëm dëgjonim përgjigjet e saja. "Po, po! Këtu janë. Erdhën, i kam këtu në shtëpi…"

Ishte bashkëshorti i nderuar i Ritës, inxhinier Adem Saliu. Na fliste nga Amerika e largët, nga Rodhe Island, ku jeton familja Saliu. Ishte i interesuar për shkuarjen tonë dhe, që neve të mos na mungonte asgjë, madje, edhe i thoshte bashkëshortes së tij, se në cilët restorante duhet të drekonim dhe të darkonim, për të na kënaqur sa më mirë.

Pastaj dëshiroi të fliste edhe me ne në telefon.

Folëm me zotërinë e nderuar Adem Saliu, si vëllai me vëllanë, si vëllai me motrën.

Me ç’farë ushqimi tjetër mund të ngopet njeriu, miku, kur dëgjon zërin e ngrohtë të një miku të pa parë ndonjëherë, kur të uron me gjithë zemër mirëseardhjen në shtëpinë e tij?! Kur shpreh keqardhjen, pse nuk ndodhet edhe ai në ato ditë, pranë miqve të tij, që i kanë shkuar për vizitë?!

Zot! Ç’farë mrekulli! Ç’farë dashuri! Ç’farë respekt të imponojnë njerëz të tillë! Ç’farë ndjenjë vëllazërore të dhuron i njëjti gjak, gjaku ynë shqiptar!

Bashkëshortët Rita dhe Adem Saliu, njihen si veprimtarë të devotshëm për çështjen e madhe të Kosovës, në shërbim të çështjes kombëtare.

Rita Saliu është një grua inteligjente e rrallë. Mënyra e saj e qetë e të folurit, të bën të harrosh gjithçka. Edhe të ngrënit e harruam,; ishim përqendruar në ç’do fjalë që ajo nxirrte nga goja. Gëzimin për vajtjen tonë atje, e shprehte fytyra e saj e qeshur. Ashtu e pamë atë fytyrë gjatë gjithë kohës.

Kishte merakun edhe për dy djemtë tanë. - Duhet të shtrihen e të flenë djemtë; janë të rinj dhe të lodhur nga rruga e gjatë.

E ndërsa dy djemtë e mi u shtrinë për të fjetur në dhomën tjetër, ne të tre, në dhomën e pritjes bisedonim e bisedonim.

Në bisedë e sipër, Rita kujtoi me respekt edhe bashkatdhetaret tona të nderuara me banim në Sh.B.A; Elmira Muja, Shqipe Biba, Julia Gjika, Shqipe Malushi, Anna Kohen, Rozi Theohari, Kozeta Mamaqi, Iliriana Sulkuqi, Aida Dismondy, Shpresa Vranari, Mimoza Dajçi…

U ndjemë vërtetë si në shtëpinë tonë, në atë shtëpi, ku zonja e saj, na e paraqiti si shtepinë tonë për të fjetur.

……………..

Mesdita kishte kaluar dhe, sapo dy djemtë tanë u zgjuan, Rita na thotë, të dilnim jashtë për të drekuar.

Nuk ndjeheshim të urritur, dëshira jonë ishte të vizitonim Prishtinën.

Shtëpia e Familjes Saliu në qendër të Prishtinës, ndodhet në një pozicion të tillë që, në cilëndo rrugë të jesh, të çon në shtëpinë e saj.

Qielli i pasdites së 2 majit ishte i kthjellët. Edhe pse rrezet e diellit binin të nxehta, në rrugët e pastra dhe të bukura të Prishtinës kishte gjallëri. Djem e vajza, të rinj e të reja, kishin mbushur plot baret, kafenetë. Shihje vetëm fytyra të qeshura e të gëzuara.

Rita Saliu është një personalitet i njohur në Prishtinë dhe, të dalësh shëtitje përkrah saj, biseda të ndërpritet shumë herë, sepse janë miqtë, të njohurit e saj, që e përshëndesin, e takojnë.

Duke ecur bulevardit kryesor, përpara "GRAND"-it, m’u kujtua viti i largët i pranverës 1981. E pyes Ritën, nëse tek ky bulevard demostruan studentët. - Po! - më thotë, - tek ky bulevard dhe tek ata të tjerët, duke drejtuar gishtin.

Përpara bulevardit kryesor, qendronte madhështor portreti i ish Presidentit të Kosovës, të madhit, të pavdekshmit, Ibrahim Rugova.

Qendrojmë përpara tij në shenjë respekti dhe me dëshirën të dalim në fotografi.

Pastaj qendruam përpara monumentit të Heroit të Kombit Zahir Pajaziti.





Papritur, dëgjojmë një zë vajze të vogël. Një vogëlushe e bukur, duke vrapuar po vinte drejt nesh.

- Rita ime e mirë. Zemra ime e vogël… - dëgjuam motrën tonë Rita Saliu t’i thoshte vajzës së vogël me emrin Rita, duke e përqafuar…

Gjatë bisedës me babanë e Ritës së vogël, mësuam, pse vajzën e quanin Rita: "Për nder dhe veprës së ndritur të bijës kosovare, të nënës së gjithë Kosovës, Rita Saliu, ia kemi vënë edhe ne emrin vajzës sonë, Rita. Le të rritet edhe vajza jonë e të ndjekë rrugën e Rita Saliut.

A mund të ndjejë njeriu kënaqësi më të madhe në ato çaste, kur dëgjon se si vlerësohet intelektualja shqiptare, se si respektohet një grua, një nënë, një motër, një kolege, bashkatdhetare nga qytetarët e saj?!

Vazhdojmë ecjen në bulevard, për të shkuar tek monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, i cili ndodhet jo shume larg. Dhe përsëri, u dëgjua tingëllima e ziles së telefonit celular të Ritës. Ishte prap zotëria i nderuar, Ing. Adem Saliu.

Pasi foli me bashkëshorten e tij dhe pastaj me ne, mësuam se, kishte edhe ai "merakun" e tij për kënaqjen tonë.

Familja Saliu, i kishte marrë të gjitha masat, që neve të mos na mungonte asgjë në atë vizitë, madje edhe shoferi, që do të na shoqëronte.

Naser Gashi, ishte shoferi. Një burrë intelektual, që kishte kaluar një fatkeqësi, por falë ndihmës së Familjes Saliu, e kishte kaluar atë me sukses.

Djali i tij, duke luajtur me shokët, kishte pësuar një djegie të rëndë. Ishte Familja Saliu ajo, që i kishte ofruar ndihmën e saj në Sh.B.A. Jo vetëm duke i hapur derën e shtëpisë, por edhe ndihma të tjera, duke u interesuar në mjekë dhe në spitalet amerikane, për t’i qendruar gjithmonë pranë.

"NEW BORN", një tjetër vend i veçantë në Prishtinë, që Rita nuk mund të na linte pa e vizituar; simboli i rilindjes së kryeqytetit pas shkatërrimit të luftës, ku janë të shënuar mijëra firma të qytetarëve të Kosovës.





Në qendër të Prishtinës, ishte në punim e sipër Katedralja e Nënë Terezës, që do të përurohet në 100 vjetorin e saj.



Shfrytëzova rastin me vajtjen tonë në Prishtinë, t’i telefonoja mikut tim, Prof. Dr. Zymer Neziri, Këshilltar Shkencor/Prof. i rregullt në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Sigurisht, u gëzua dhe lamë orën e takimit në Grand Hotel.

Takimi me Prof. Nezirin, ishte emocionues.

Jemi miq tek Familja Saliu, i them Profesor Nezirit, pasi u ulëm në tavolinë; besoj se e njihni. (Rita erdhi 10-të minuta më vonë).

Profesori, duke buzëqeshur më thotë: Nuk ka njeri të mos e njohë atë familje, atë grua intelektuale, fisnike dhe humanitare, shkrimtaren e nderuar…

Kur u ndamë, profesori na ftoi ditën tjetër të bënim një vizitë në Institutin Albanalogjik.

Do të më mbetet përherë në kujtesë, pritja që na u bë në Institut. (Gjithmonë nën shoqërinë e Ritës)





Instituti Albanologjik, Prishtinë

Prof. Dr. Zymer Neziri, bashkë me profesorët e tjerë Emin Kabashi, Adem Zejnullahu, etj. pasi na takoi në hyrjen e godinës, duke na uruar mirseardhjen, na njohu me ambientet e atij Instituti, i themeluar në vitin 1953, si Instituti i parë i këtij lloji, i veçantë për albanologjinë, njësia e parë shkencore për trevat shqiptare.

.

Professor Neziri, na ftoi të shkonim në zyrën e tij, që ndodhej në katin e dytë.



Atje mësuam më shumë rreth Institutit dhe aktivitetet e tij. Të ulur rreth tavolinës në zyrën e tij, folëm e biseduam, si miq, si të ishim të njohur prej kohësh.



Prof. Dr. Zymer Neziri

Vizita e radhës, ishte tek varri i ish Presidentit Ibrahim Rrugova, udhëheqësit që la gjurmë dhe emër të ndritur në Historinë e Kosovës dhe mbarë Kombit tonë









Më pas, vazhduam rrugën, duke kaluar në Fushë Kosovë, për të hyrë në Drenicën herroike, vendi i ngjarjeve të mëdha historike, duke kaluar në Skënderaj, Drenas, Likoshan, Qirez, Prekaz.

Rrugës për në Drenicë, nga ana e majtë, shtrihej Gryka e Llapushnikut përmes maleve të Berishës.

Ishin ato male, ishte ajo grykë, rruga e dhimbshme dhe e mundimshme e popullit të Kosovës gjatë luftës, për të lënë vatrat e tyre, për t’u strehuar përkohësisht tek familjet e një gjaku, tek vëllezërit dhe motrat shqiptare në Shqipëri.

Në të gjitha ato fshatra që kaluam, shkatërrimi, zjarri dhe hiri i luftës, ishte zëvendësuar me shtëpitë e reja të ndërtuara nga vetë banorët.

Rrugës për në Drenicë, në krah të djathtë, ishin vorrezat. Në hyrje, varri Komandantit suprem, kryetrimit të Drenices, luftëtari Shaban Palluzha.

Qendruam dhe bëmë homazhe përpara varrit të Kryetrimit Palluzha.







Makina ndalon në vendin për ku ishim nisur, në Prekazin heroik, vendlindja e Heroit Legjendar, Kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, vendndodhja e varreve të fisit Jasharaj.

Në hyrrje të Prekaz-it, në përfundim e sipër, ngrihej madhështor, memoriali përkujtimor në kujtim të gjithë atyre luftëtarëve, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.

Në atë lagje të Prekazit, janë tre kulla: Kulla e Ahmet Delisë, që më 1912 me sopatë në dorë luftoi kundra hordhive çetnike, Kulla e Tahir Meha-s, i cili u vra më 13 Maj, 1981 dhe Kulla e tretë, është Kulla e Adem Jasharit.

Memoriali që po ndërtohet i ka tre simbolikat. Tre kullat e Prekazit, tre figurat qendrore të rezistencës së fundit; të bacë Shabanit dhe dy djemtë e tij, Hamza dhe komandant Jashari.



Memoriali, për ç’do vizitor, do jetë dëshmi për luftën, herroizmin dhe sakrificën e popullit të Kosovës ndaj barbarizmave serbe.

Qendrojmë para memorialit.

Përballë tij, shtrihet kompleksi përkujtimor i masakrës së Prekazit.





Prehen 59 trima; 52 varre janë të Familjes Jashari, ndërsa 7 varret e tjerë janë të miqve të asaj familje; Familjet Bazaj, Kicaj.

Sipas projektit për kompleksin janë 153 hektar zonë kombëtare, Në projekt është edhe ndërtimi i një muzeu, në vendin ku u bë edhe përpjekja herroike.

Kompleksi i varreve para lufte, ka qenë një fushë e gjelbëruar. Hamzë Jashari me disa shokë të tjerë, arritën që në Drenicë të pajtojnë 23 gjaqe, ku edhe është mbajtur tubimi gjithëpopullor në Drenicë.







Në kompleksin përkujtimor Adem Jashari është ndarë një pjesë e veçantë, e quajtur Loja e Pajtimit, ku janë të vendosur 24 gurrë mermeri vertikalisht, në respekt të 24 pleqve, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Bëjmë homazhe, vendosim buqetat me lule. Në ç’do hap që hidhnim, na dilnin përpara syve, herroizmi, lufta për liri, sakrifica e atyre bijve dhe bijave të Kosovës, dhimbja e madhe për të rrënët. Ndjenim krenari për ata luftëtarë sypatrembur dhe të pavdekshëm, që nuk kurrsyen gjakun, jetën e tyre të shtrenjtë për lirinë, pavarësinë e nënës Kosovë, për vëllezërit dhe motrat, për mbarë popullin heroik kosovar.

Përballë Memorialit përkujtimor të heroit Adem Jashari, në mes të kodrës, mes gjelbërimit, kuqëlonte Flamuri Kombëtar Shqiptar.

"Në atë vend, ku valëvitet ai flamur, është strehuar për muaj të tërë Kryetrimi Jashari" - na thotë, Rifat Bejta, drejtori i kompleksit përkujtimor, i cili na shoqëroi gjatë gjithë kohës, duke na spjeguar heroizmin e atyre trimave.

Kulla e Adem Jasharit, ku shiheshin ende plagët e luftës nga goditjet, ngrihej madhështore. Në hyrrje të shtëpisë valëvitej Flamuri ynë kuq e zi me shqiponjën dykrenore dhe busti i heroit legjendar Adem Hashari.











Makina të tjera pamë të ndalonin dhe vizitorë të shumtë, që vinin për të parë Kullën e famshme të Jasharave, që la gjurmë të arta në Historinë e Kosovës dhe Kombit tonë.

Më pas vazhduam rrugën për tek kulla e Tahir Mehas, aktivisti politik, që u vra në vitin 1981 nga forcat policore jugosllave.

U kthyem nga Drenica herroike për të shkuar përsëri në Prishtinë, duke marrë me vete dhimbjen, herroizmin, patriotizmin, pavdekësinë e atyre bijve të lavdishëm.

Gjatë rrugës për në Prishtinë, pamë në rindërtim e sipër, zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, që i ngjante një autostrade.

Pas dy ditësh, Rita do kthehej në Sh.B.A. në shtëpinë e saj, që jeton së bashku me familjen prej 20 vitesh, ndërsa ne, do ktheheshim në Shqipëri, për të kaluar pjesën tjetër të mbetur të pushimeve.

Do largoheshim nga Kosova me kujtimet e mëdha dhe mbresat e paharuara.

Do largoheshim nga Prishtina e bukur dhe e pastër, nga ata njerëz të mirë e të kulturuar, nga apartamenti i Familjes Saliu, që u bë streha për ditë me radhë e 50-të fëmijëve të mitur, nën frikën dhe kërcënimin e bishës gjakatare serbe, nga ai apartament, që na priti me dashuri dhe ngrohtësi.

Do largoheshim nga motër Rita, nga nëna e gjithë Kosovës, që e ka të vështirë dhe nuk dëshiron të flasë asnjëherë për veten e saj, por që flasin për të, vetë faktet, bamirësia, ç'do gjë, që ajo dhe bashkëshorti i saj, Ing. Adem Saliu kanë bërë për çështjen e madhe, Pavarësia e Kosovës, duke e ngritur zërin e tyre, deri në Departamentin e Shtetit?!

E si të mos ndjesh repsekt për atë grua trime dhe patriote, kur mëson se ka sakrifikuar tre herë jetën e saj, për të hyrë mes zjarrit dhe barrotit gjatë luftës në Kosovë e të ballafaqohet me shumë viktima?!

Ajo grua me zemër të fortë e të madhe, me dhimbjen prej nëne, ariti t’i zmbathë vetëm këpucët, një luftëtari të ushtrisë çlirimtare, ndërsa ai digjej për së gjalli!

E si të mos krenohemi me motrën tonë të nderuar, Rita Saliu, anëtare nderi e shumë shoqatave në USA!

Faleminderit motra jonë Rita!

Faleminderit Familja e nderuar Saliu.

Lavdi bijve dhe bijave të rrënë për Liri.

E gëzofsh përjetë Pavarësinë e shtrenjta Kosovë.

Anton Nikë Berisha: Rreth disa shkarjeve të dr. Shaban Sinanit për këngët tona kreshnike

Të dhëna e ballafaqime

Rreth disa shkarjeve të dr. Shaban Sinanit për këngët tona kreshnike

– Të pranishme në pjesën “Paraqitje problemore e kërkimeve për eposin” (f. 3 -32), që bën fillimin e tezës së tij të doktoratës me titull “Mitologji në eposin e kreshnikëve”, Tiranë 2006 –

Nag Anton Nikë Berisha
berisha@unical.it

Duke e lexuar librin studimor të dr. Shaban Sinanit “Mitologji në eposin e kreshnikëve” (botim i dytë, Argeta LMG, Tiranë 2006), që është teza e doktoratës së autorit, mbrojtur vite më parë në Universitetin e Tiranës para komisionit në krye me prof. Jorgo Panajotin, tashmë të ndjerë, prof. Afred Uçin dhe prof. Ali Xhikun, vlerësimet e të cilëve janë vënë në fund të studimit, ndesha në disa të dhëna e mendime të pasakta e të paqëndrueshme. Edhe pse në vështrim të parë këto shkarje duken të vogla, në qenësinë e tyre ato dëshmojnë diçka më thellësore.
Nuk do të merrem me gjithë librin, për arsye se puna do të më shpinte larg, mirëpo, po ndalem vetëm në pjesën e fillimit, që mban titullin “Paraqitje problemore e kërkimeve për eposin”, që kap faqet f. 3 -32.
Në faqen 7 Shaban Sinani citon në thojza mendimin “shqiptarët nuk kanë këngë kreshnikësh të vetat”(që përsëritet dhe në faqen 29) për të cilin (mendim) në fusnotën n. 7 autori shkruan së u shpreh për herën e parë në parathënien e përmbledhjes “Kângë popullore gegnishte” të atë Vinçenc Prennushit. Nuk e di ku e ka marrë autori mendimin e futur në thojza, po mendimi i cituar në kopjen time të origjinalit të përmbledhjes së përmendur të Prennushit nuk ekziston si i tillë. Në faqen IX të “Parathâne-s” (e panënshkruar) të vëllimit “Kângë popullore gegnishte” të mbledhur e përgatitur nga V. Prennushi, saktësisht thuhet “...do rapsodija e legjenda, si b.f., kânga e Mujos e Halilit, kânga e Halil Gariis, kânga e Kalaas s’Shkodres etc. na duket se jânë t’përkthyme prejë slavishtet”. Pra, ky mendim nga “Parathâne” e vëllimit botuar në Sarajevë më 1911, është tjetër në krahasim me atë që e citon Shaban Sinani. Shprehjet “na duket”, të “përkthyme nga slavishtet” dhe forma njëjës “kânga e Mujos e Halilit” janë diçka tjetër. Kur mendimi vihet në thojza doemos duhet të shënohet në mënyrë besnike (Për këtë dukuri shih dhe studimin tim “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij”, “Faik Konica”, Prishtinë 2008).
Duke bërë fjalë për këngët e Gjergj Elez Alisë dhe përpjekjen e disa autorëve që këtë kreshnik ta paraqesin si të urdhri të veçantë prej kreshnikëve të tjerë (faqe 13), autori shkruan: “për të kaluar më tej në argumentin se krijues të këngëve të kreshnikëve mund të jenë individë të shkolluar dhe jo populli vetë”. Se populli nuk është krijues i këngëve, tashmë e dinë dhe ata që kanë një dije krejt të përvuajtur për natyrën e lindjes e të bartjes së një krijimi letrar gojor. Ndoshta kjo shkarje nuk i ka shpëtuar Shaban Sinanit nga mosdija.
Në faqen 17 autori i studimit të përmendur jep disa të dhëna për botimin e këngëve kreshnike në Prishtinë, duke filluar nga viti 1974 dhe, midis të tjerash, shkruan: “Koha e gjatë që ka kaluar prej botimit të vëllimit të parë (lexo: 1974 – v. ime) deri tek i dyti (1991), plot njëzet vjet...”.
Nuk e di si e ka bërë llogarinë Shaban Sinani, po vëllimi “Këngë kreshnike I” (me 44 këngë e me 395 faqe), përgatitur nga Anton Çetta, Instituti albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1974, me vëllimin “Këngë kreshnike II” (me 81 këngë e me 627 faqe), përgatitur nga Dr. Rrustem Berisha, Dr Sadri Fetiu, Dr Adem Zejnullahu (IAP, Prishtinë 1991) s’kanë ndërmjet “plot njëzet vjet”.
Njohësi i këtyre blejve e ka vështirë ta shpjegojë faktin se pse Shaban Sinani nuk e përmend datën e vëllimit “Këngë kreshnike III” (me 60 këngë e me 441 faqe), përgatitur nga Anton Çetta, Fazli Syla, Myzafere Mustafa dhe Anton Berisha, IAP, Prishtinë 1993. As me datën e këtij vëllimi ndërmjetësa kohore e botimit të vëllimit të parë me botimin e vëllimit të tretë nuk është “plot njëzet vjet”!
Në faqen vijuese (18), autori shfaq një mendim sa të paqëndrueshëm, aq dhe të çuditshëm për këngët kreshnike të botuara: “...pothuajse të gjitha rapsoditë janë gjurmuar e gjendur prej vitit 1972 e këndej. Këngët e mbledhura para vitit të botimit të librit të parë janë të kufizuara”.
Nuk e shoh të arsyeshme të zgjatëm rreth këtij mendimi, por po përmend vetëm të dhënën se në vëllimin “Këngë kreshnike I”, përgatitur nga A. Çetta, botuar më 1974, shumica e materialeve janë mbledhur në vitet 1954, 1961, 1967, 1969 e 1970, gjë që mund të vërehet lehtë nga “Pasqyra e përgjithshme e lëndës” në fund të librit.
Po në faqen 18, Shaban Sinani përmend vëllimin e dytë “Këngë kreshnike II”, që sipas tij “jo vetëm e zgjeron gjeografinë e letërsisë popullore shqiptare që është krijuar prej kohësh që s’mbahen mend rreth trimërive të heronjve kreshnikë”(!), shton edhe këtë: “por do të ndikojë (vëllimi – v. ime) për ndryshime në përfytyrimin mbi funksionimin estetik të rapsodisë, mbi performimin e saj në larmi temash, shtresash, vargjesh, metrash...”(!)
Mendimi se ky vëllim (i dyti) me këngë kreshnike mund të bëjë ndikim në funksionin estetik të rapsodisë, dëshmon se autori Sinani nuk i ka të qarta disa nga çëshjet kryesore të natyrës e të qenësisë së letërsisë gojore e të funksionimit të saj.
Duke vazhduar vlerësimin për vëllimin e dytë të këngëve kreshnike (faqe 19), studiuesi Sinani thekson: “Në vëllimin e dytë të këngëve të kreshnikëve që janë gjetur në Kosovë ka një lëndë të shkëlqyer”. Po dy vëllimet e tjera, ai i vitit 1974 dhe ai i vitit 1993, nuk na paskan, vallë, një lëndë të tillë!? Mund të jetë se shije e autorit e ka përcaktuar këtë gjë, po më duhet të them se sikur dr. Sinani të kishte lexuar edhe shkarazi ndonjërën nga këngët e botuara në vëllimet e vitit 1974 dhe 1993, pa dyshim se nuk do të pohonte një gjë të tillë. Edhe mendimi vijues “...këto vëllime bëjnë të njohur në një shkallë mund të thuhet të plotë epopenë legjendare shqiptare” nuk më duket i qëlluar. Nuk e di se a është i vetëdijshëm Shaban Sinani se ku e shpie një pohim i tillë?
Edhe mendimi në vijim “Botimi i këngëve të kreshnikëve që janë mbledhur në Kosovë është mbështetur në përvojën e botimeve të mëparshme të Institutit albanologjik të Prishtinës” është një shtjellim – ngatërresë e pakuptimtë.
Në faqen 20, Shaban Sinani shkruan sa vijon: “Dy vëllimet e këngëve kosovare të kreshnikëve janë përgatitur nga R. Berisha (në vend Rr. Rrustem), S. Fetiu dhe A. Zejnullahu. Prej këngës së parë, deri tek e fundit, praktikisht përshkohet e gjithë hapësira (sic!) ku eposi ka vazhduar të jetë një krijimtari aktive deri në dekadat e fundme”.
Është e çuditshme se si Shaban Sinani mund ta bëjë një gabim të tillë: autorët e përmendur kanë përgatitur vetëm vëllimin e dytë me këngë kreshnike botuar më 1991, e jo dhe ndonjë vëllim tjetër.
Në faqen 21, shprehet një mendim fort i gabuar: “Kënga popullore legjendare e shqiptarëve të Kosovës mban gjurmën dhe informacionin e kohës kur është mbledhur”. Në këtë rast nuk e shoh të nevojshme të merrem me këtë mendim për arsye se ai “flet” vetë më së miri.
Në faqen 28, Shaban Sinani, me të drejtë, e vlerëson lart punën dhe ndihmesën e Qemal Haxhihasanit në studimin e llojeve të ndryshme të letërsisë gojore shqipe e brenda kësaj edhe të këngëve kreshnike, “studiuesin më të dedikuar të ciklit të kreshnikëve”, po tre rreshta më poshtë thekson se Haxhihasani në një punim të gjatë që ruhet në dorëshkrim, “ndjek pikë për pikë mendimin e Lambertzit për ‘eposin e madh të Fishtës’”. Meqenëse në një masë të mirë njoh veprimtarinë e të dy studiuesve që ata kanë botuar në gjuhët e tyre, një mendim i tillë është, thënë në mënyrën zvogëluese, i pa matur.
Po në këtë faqe (28), duke përmendur disa nga studimet e “periudhave të vonëta”, autori përmend punimet: “Gjergj Fishta dhe Homeri” nga Anton Pashku, Gjurmime albanologjike, nr. 21, 1991. Edhe pse Shaban Sinani nuk e jep të dhënën se në cilën seri të “Gjurmimeve albanologjike” (Seria folklor dhe etnologji, Seria e filologjisë ose Seria e historisë?) u botua punimi i Anton Pashkut, në numrin përkatës të revistës s’ka gjurmë të një punimi të tillë. Anton Pashku s’ka botuar asnjë punim në revistën “Gjurmime albanologjike”. Mirëpo, një shkarje të këtillë mund t’i falej studiuesit Sinani, po jo dhe fakti se në Bibliografinë e vënë në fund të tezës së tij të doktoratës, si autor të këtij punimi shënon Engjëll Sedajn!
Në faqen 31 autori i studimit “Mitologji në eposin e kreshnikëve” thekson se Dragutin Miçoviq botoi në Prishtinë “Albanske junaçke pjesme” (duhet pesme). Në të vërtetë, Miçoviqi i ka zgjedhur, i ka përkthyer këngët dhe e ka shkruar parathënien, po ai është botim i “Jedinstvo-s” (Prishtinë 1981). Për këtë vëllim, shih recensionin tim “Një prezantim i dobët i këngëve tona kreshnike” (Rilindja, 30.10.1982, f. 12-13).
Në faqe 32 studiuesi Sinani jep një të dhënë të shfrytëzuar nga një bisedë e botuar e Zymer Nezirit, që për studiuesin Sinani “është domethënës”, ku Neziri pohon se bashkë me profesor Anton Çettën “kemi pasë menduar të botojmë deri 50 vëllime me këngë epike legjendare dhe historike”. Në qoftë se s’kemi të bëjmë me një gabim numri, pra nëse një zero (0) nuk është e tepërt, atëherë në këtë rast vështirë e ke ta shmangësh e të mos kujtosh anekdotën për “shkurtimin” e bishtit të dhelprës, kur njëri prej mysafirëve e rrente të zotin e shtëpisë për gjatësinë e bishtit të kafshës që kishin parë gjatë udhëtimit, po pas ndërhyrjes (përmes kollës) të tjetrit, përherë ia shkurtonte.
Kush njeh mirëfilli Arkivin me materiale të letërsisë gojore shqipe të Institutit albanologjik të Prishtinës dhe gjendjen në terren që e cilësonte ekzistencën e këngëve kreshnike dhe të këngëve me tematikë historike në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni në vitet ’70, një pohim i tillë është përfytyrues, për të mos thënë, shpërfillës.
Në parathënien e vëllimit “Balada dhe legjenda” (1974) përgatitësi, Anton Çetta, në faqen IV, jep detaje të projektit për botimin e rreth 25 vëllimeve me lloje të ndryshme të letërsisë gojore shqipe të mbledhura në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni. Sipas asaj që shkruan prof. Çetta në parathënie, në fushën e epikës gojore parashihej që Instituti albanologjik i Prishtinës të botonte tre (3) vëllime me këngë kreshnike dhe dy vëllime me këngë me tematikë historike. Nuk e kam të qartë pse prof. Çetta kishte nevojë të shkruante një gjë e t’i thoshte dikujt gojarisht diçka krejt tjetër – se do të botoheshin 50 vëllime me këngë epike legjendare dhe historike!
Edhe datën e botimit të Epit të Gilgameshit (botimi i parë në Prishtinë 1984, botimi i dytë “Naim Frashëri” në Tiranë 1990, botimi i tretë Argeta LMG Tiranë 2008), autori e ngatërron, nëse ky ep nuk ka edhe ndonjë botim tjetër, për të cilin përkthyesi nuk është në dijeni: dy herë data e botimit të këtij epi në Tiranë shënohet viti 1999, ndërsa në rastet e tjera viti 1990!
Në faqen 225 (shih fusnotën nr. 20 në faqen 239) Sinani e citon një mendim të Anton Berishës nga parathënia e “Epit të Gilgameshit”, ndërsa në Bibliografinë, në fund të studimit (f. 357), parathënien e “Epit të Gilgameshit” e shënon si të Anton Pashkut!
Edhe disa shprehje si fjala vjen, “periudhës kombëtare të historisë” (faqe 23), “metrika e letërsisë” (faqe 25) e ndonjë tjetër dëshmojnë se autori gjatë procesit të shkrimit të kësaj pjese të dotoratës nuk e ka bërë punën me përkushtim e me përqendrim të mirëfilltë.
Të dhënat e pandërmjeme që solla, duke u përqendruar vetëm në pjesën “Paraqitje problemore e kërkimeve për eposin”, që bën fillimin (f. 3 -32) e tezës së doktoratës të Shaban Sinanit “Mitologji në eposin e kreshnikëve” (Tiranë 2006), dëshmojnë për një punë të bërë me ngutë e pa kujdes të kësaj pjese dhe për një njohje të kufizuar të veçantive të lindjes, të bartjes e të ekzistimit të epikës sonë gojore, përkatësisht të këngëve kreshnike.

BEGZAD BALIU - GUSTAV MAJER DHE ALBANOLOGJIA

Shkruan : Prof. dr. Jup Kastrati

Vepar hapet me një parathënie titulluar “Rikthimi i Gustav Majerit në studimet albanologjike”: “Përvjetori i një studiuesi zakonisht hap shumë rrugë për t’u kujtuar jeta dhe vepra e tij. Në përvjetorët e studiuesve të njohur zakonisht botohen veprat e tyre origjinale, botohen të përkthyera veprat e veçanta, sidomos kompletet e tyre. Botohen monografi të veçanta për jetën e tyre por edhe emërtohen institucione dhe rrugë me emrin e tyre. Përvjetorët e tillë, sidomos përvjetorët e veçantë, siç është 100-vjetori i vdekjes së Gustav Majerit, shërbejnë për të përmbledhur gjithë atë ç’është mbërritur në fushë të studimeve dhe ç’mund të bëhet edhe më tutje në shenjë të veprave të autorëve të mëdhej.

Përvjetori i 100-të i vdekjes së Gustav Majerit, është i veçantë për disa arsye: Mbi 150-vjet të lindjes dhe 100-vjet pas vdekjes së Gustav Majerit, ende nuk është botuar vepra e tij kurorë “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”. Ky është fjalori i parë etimologjik i gjuhës shqipe, njëri prej fjalorëve të parë etimologjik për gjuhët e Evropës, dhe fjalori më i rëndësishëm i gjuhës shqipe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Pra, për më shumë se gjysmë shekulli, ende nuk është botuar vepra e tij e plotë. Gustav Majeri është themeluesi shekncor i albanistikës, por ende nuk është botuar një monografi, qoftë edhe vulgare a e përgjithësuar. Gustav Majeri është jo vetëm studiusi më serioz i studimeve albanologjike, një prej themeluesve të studimeve ballkanologjike, njëri prej studiuesve më të mëdhenjë të studimeve indoevropiane, por edhe një prej gjenive më të mëdhenjë të gjysmës së dytë të shekullit XIX në fushë të gjuhësisë. Për veprën e tij ende nuk është shkruar ndonjë monografi shkencore, e cila do të ishte një pasqyrë e plotë e kontributit të tij dhënë shkencës së albanistikës, edhe pse vepra e tij, sidomos “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, fjalë për fjalë është përvijuar në “Studime etimologjike në fushë të shqipes” të Eqrem Çabejt. Nuk është ndriqyar ende interesimii tij i veçantë për çështjen kombëtare shqiptare. Ende nuk është botuar letërkëmbimi i tij i plotë me studiues dhe përsonalitetet më të shquara shqiptare të kohës edhe pse disa përpjekje janë bërë, sidomos duke e botuar një pjesë të mirë të letërkëmbimit të tij me Jorenim De Radën, me Ndre Mjeden dhe me një numër të konsiderueshëm përsinalitetetsh nga arbëreshët e Italisë. Pra, ende nuk e kemi një pasqyrë të qartë për rolin e Gustav Majerit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në lëvizjen kulturore, arsimore dhe shkencore të shqiptarëve dhe ndikimin shembulor që ka pasur në disa nga përsonalitetet më të rëndësishme të kohës, sikur ishin: Jorenim de Rada, Zef Skiroi, Dora D’Istria, Ndre Mjedja, Konstandin Kristoforidhi etj.

Ky vëllim i Begzad Baliut synon një pikë: Gustav Majerin dhe rezultatet e veprës së tij në studimet albanologjike. Pra, jeta dhe vepra (bibliografia) e tij, horizonti i pritjes në studimet albanologjike (ku synohet të bëhet një hyrje në paraqitjen e Majerit në studimet shqiptare), pikëpamjet e Eqrem Çabejt për veprën e tij, vendin e Majerit në historinë e gjuhës shqipe, kontributin e Gustav Majerit dhënë studimeve albanologjike dhe vendin e tij të parë në kontekst të albanologëve të huaj në veçanti etj. Këtë vëllim e përbëjnë artikutj që i lidhë një element i përbashkët: Majerin dhe veprën e tij në studimet albanologjike dhe synon një prani të tij konkrete në jetën tonë shkencore dhe kulturore, në nivel të vendit që zë ai dhe vepra e tij në studimet albanologjike.

Më shumë sesa elementet e theksuara më lart, artikujt e zgjedhur dhe letërkëmbimi gjithashtu i zgjedhur i Majerit, botohen në shenjë të përvjetorit të tij.

Teksti i punimit të Begzad Baliut shtrihet brenda faqeve 11-141. Hapet me kreun “Studimet gjuhësore në Evropë dhe albanologjia”. Si nënkapitull është “Kontributi i studiuesve gjermanë për studimet albanologjike” (11-15). Autori thekson: “Shkolla gjermane, që ka arritjet më të suksesëshme në fushë të albanologjisë dhe njëri prej studiuesve më të shquar nga kjo shkollë, Gustav Majeri, janë të lidhura ngushtë me fillimet e albanologjisë, me studimet e saj më të rëndësishme në të gjitha kohërat, me themelimin e albanologjisë si shkencë, dhe me shkallën më të lartë të studimeve të saj në ditët tona. Jepet një panoramë e ngjedhur e studiuesve gjermanë dhe austriakë, që u morën me gjuhën shqipe, me historinë dhe etnografinë e popullit shqiptar: Arnold von Harff-i (1497), Konrad von Gesner (1555), Andrea Muller(1680), Gottfried Wilhelm Leibnitz (1705-1715), Johan Gotfrid Fon Herder (1744- 1803), Johan Erih Tunman (1746-1778), Johan Christoph Adelung (1809), Christian Gottlieb von Arndt (1818), J. A. G. Schmidt (1822), Johann Severin Vater (1822), Karl August Anton Alfons Joseph Ritter von Xylander(1835), Hohann Georg von Hahn (1853/1854), Jakob Filip Falmerajer (1790-1860), Teodor Mommsen (1817-1903), Norbert Jokl (1917), Maksimilian Lamberc (1948), Paul Kreçmer (1886-1956), Hansjorg Frommer (1939), Peter Robert Franke (1926), Herman M. Ölbergu, Vilfred Fidler e Oda Buchholz (1987) Norbert Boretzky (1968).

Në kreun: “Shkollat gjuhësore dhe albanologjia” (16-21) studiuesi ynë i sotëm flet shkurt për dijetarët P. S. Pallas (1741-1911), J. K. Adelung(1732-1806), Rasmus Rasku, (1787-1832), Franc Bopp (1791-1867), J. Grim, A. Vostokov, V. Humbold, A. Shlajher (1821-1868), J. Shmid (1843-1901), G. Stieri(1862), W. Meyer –Lübke (1861-1936), Albert Thumbi (1865-1915), Franc Mikloshiç (1871), Karl Brugman (1849-1919), Herman Hirt (1927-1937), H. Shuhard (1842-1928), Mateo Bartoli (1873-1946), Giulio Bonfante (1972), Vittore Pizani(1969), Begzad Baliu e mbyll këtë kapitull me këtë mendim të tij: “Deri në gjysmën e dytë të shekullit XX studimet gjermane jo vetëm që avansojnë të parat në studimet albanologjike, por edhe në Evropë dhe në shtetet ballkanike në gjuhën gjermane do të shkruahen pjesa më e madhe e studimeve për ballkanistiken në përgjithësi dhe për albanologjinë në veçanti.

Ndonëse më pak dhe në një shkallë kryesisht krahasimi, gjuha shqipe ishte objekt shyrtimi edhe i shkollave dhe drejtimeve, të cilat kishin një numër të vogël përfaqësuesish, të cilat kishin një ndikim më të kufizuar në gjuhësinë e përgjithëshme dhe të cilat funksionuan në një kohë të caktuar. Në krahasim me të gjitha shkollat dhe me drejtimet gjuhësore, shkolla gjermane në shumë aspekte ka nxitur mendime të reja për hulumtimin e gjuhës shqipe, ka vënë themele fillestare për studimet albanologjike, ka caktuar drejtimet themelore të studimeve albanologjike, ka përmbysur teori rrënuese për gjuhën shqipe dhe, shpesh, edhe për çështjen ekzistenciale të popullit shqiptar, ka caktuar kufijtë fundamental të gjumë probelmeve, gjuhësore, historike dhe kulturore të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, dhe, më në fund, ka caktuar shkencërisht fatin historik dhe etnokuluror të etnisë shqiptare”.

Studimi i albanologut të shquar austriak fillon në faqen 23: “Gustav Majer dhe horizonti i pritjes në shkencën shqiptare” (25-37). Është një kapitull me interes dhe me vlerë, shkruar me kompetencë profesionale, mbi bazën e një literature të gjerë burimore dhe informative të saktë. Sipas Begzad Baliut “jeta dhe vepra e Gustav Majerit, edhe një shekull pas vdekjes së tij, ende nuk është bërë objekt studimi në shkallën që ajo e meriton të studiohet. Shënimet, artikujt dhe studimet e deritanishme dëshmojnë se themeluesi i albanologjisë, Gustav Majeri, ende nuk është i njohur sa duhet as si personalitet i gjithanshëm, as për të bëmat e tij për popullin shqiptar dhe gjuhën e tij, prandaj është e kuptueshme pse në bibliografinë e tij nuk janë shënuar të gjitha ato elemente themelore, të cilat do ta rrumbullaksonin plotësisht jetën dhe veprën e tij.
Për jetën e tij ende nuk kemi monografi të veçantë, kurse një pjesë e aktivitetit të tij për shqiptarët ende nuk na është e njohur. E megjithatë në artikujt, vështrimet, studimet shkencore dhe paraqitjet vulgare të shkruara për veprën e Majerit dhe temat që lidhen me veprën e tij, autorët shqiptarë apo të huaj, janë përpjekur të paraqesin biografinë e tij jetësore dhe bibliografinë e tij shkencore, lidhjet e tij kulturore, shkencore dhe politike me studiues shqiptar e të huaj”.

Duke u mbështetir në zërat dhe treguesit e veprës së Palok Dakës, “Bibliografi retrospective e gjuhësisë dhe e onomastikës shqiptare (1879-1944), Begzad Baliu ka shënuar në mënyrë të ngjeshur emrat e atyre që e kanë përmendur ose kanë shkruar për Gustav Majerin, pak ose shumë, mirë apo keq, me objektivitet shkencor apo jo, drejtpërdrejt për të ose në mënyrë anësore. Ja konkretisht ata që folën, që diskutuan apo që shkruan për albanologun më të madh të shekullit XIX: Michele Calvosa(1883), Adolf Bauer (1898), Asdreni (=Aleksandër S. Drenova) (1901), Albert Thumb(1901), Bogdan P. Haºdeu (1901), Ndre Mjedja (1902), Anselmo Lorecchio (1904), Anton Xanoni (1909), Aleksandër Xhuvani (1911, 1921), Kristo Dako (1917), Pashko Bardhi (1920, 1922), Kristo Floqi (1920), Petro Vullkani (1922), Stanisllav Brandejs (19230, Faik Konica (1923), Glottofil (=pseudonim) (1928), Treml Lajos (1928), Jacepo Gelli (1929), Marin Sirdani (1931), Mustafa Kruja (1938), Namik Ressuli (1940), Norbert Jokl (1943), Jup Kastrati (1980), Eqrem Çabej (1976, 1977), Shaban Demiraj (1985). Begzad Baliu përfundon kapitullin në fjalë me këtë kritikë të drejtë: “Deri më 1995, në asnjërin nga artikujt e botuar gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit, nuk është shënuar se Gustav Majeri, nuk ishte vetëm mik i rilindësve shqiptarë, por edhe më shumë se kaq, ai ishte mik i çiltërt i popullit shqiptar, dhe këtë e ka dëshmuar edhe me letrat që ua kishte dërguar sulltanëve të kohës, për lejimin e shkollave shqipe për shqiptarët. “Gustav Majeri ishte mik i veçantë i shqiptarëve, cilësi kjo e cila personaliteteve të huaja u mbiçmohet në këtë vëllim (Fjalori enciklopedik shqiptar –J.K), madje edhe atëherë kur këtë e meritojnë më së paku.

Në paragrafin “Pikëpamjet e Gustav Mejerit për letërsinë e shkruar” (fq. 37-39), B. Baliu citon emrat e Rexhep Qosjes, Anton N. Berishes, Robert Elsiesë dhe të Namik resulit që kanë përmendur ndihmesat e albanologut të madh për letërsinë e shkruar. Në paragrafin e shkruar prej dhjetë rreshtash (39-40) flitet për “Botimin e letërsisë popullore shqiptare” nga ana e Gustav majerit. Një paragraph i veçantë titullohet “Kontributi i Gustav Majerit në fushë të gjuhësisë” (40-42). Më shumë se në fushë të letërsisë së shkruar dhe të folklorit, -thekson B. Baliu- ndihmesa e Gustav Majerit është parë kryesisht në fushë të gjuhësisë. Për mëse një shekull nuk ka asnjë fushë të historiesë së gjuhës shqipe në të cilën nuk është përmendur emri i tij dhe që nuk është shkruar për ndihmesën e Gustav Majerit. Duke filluar nga artikujt gjuhësorë për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe e deri te studimet etimologjike që kulmojnë me Norbert Joklin e Eqrem Çabejn, Shaban Demirajn, Jup Kastratin, Kolec Topallin etj., vepra e tij përbën bazën themelore për hulumtimin diakronik dhe sinkronik të shqipes. Mirëpo, me gjithë praninë e veprës së tij në shtrirje kohore për mëse një shekull, ndihmesa e tij është parë kryesisht përmes artikujve përgjithësues dhe as sot e kësaj dite ende nuk është botuar ndonjë monografi e veçantë për ndihmesën e tij në fushë të studimeve albanologjike, as ndonjë nga veprat e tij të shumta, përveç disa fragmenteve të caktuara.

“Botimi i letërkëmbimit të Gustav Majerit” (fq. 42-46) formon një paragraph të veçantë në librin e B. Baliut. “Ndryshe nga interesimi i studiuesve për botimin e veprave të tij, interesimi posaçërisht i madh ka qenë për botimin, madje edhe ribotimin e letërkëmbimit të tij, shpesh me komente dhe sqarime hyrëse, me rilindësit shqiptarë”. Në referencat apo fusnotat autori ynë ka përmendur kontributet e studiuesve tanë që janë marrë me epistolarin e albanologut më të madh të shekullit XIX: Jup Kastrati, Shimitër S. Shuteriqi, Mentor Quku, Mahir Domi. “Pavarësisht nga botimiet e deritashme, -shkruan B. Baliu - nga studiuesit dhe hulumtuesit e letërkëmbimit të Majerit me bashkëkohësit shqiptarë, vërehet se botimi i letrave të tij nuk ka përfunduar. Vetyëm viteve të fundit një hulumtues i pasionuar i arkivave, Albert Rama, ka njoftuar se në bashkëpunim me Universitetin e Gracit është duke përgatitur letërkëmbimin e plotë të Gustav Majerit me rilindasit shqiptarë. Brenda faqeve 46-52 është botuar bibliografia e Gustav Majerit, mbështetur te Fritz Frhr. Lochner Huttenbac.

Një vend të veçantë Begzad Baliu u ka kushtuar pikëpamjeve të profesor Çabejt për veprën gjuhësore të Gustav Majerit (fq. 53-54). Në një paragraph për flet për personalitetin e tij (fq. 55-56). Ndjekin apo pasojnë këto çështje të tjera: Shqipja, gjuhë indoevropiane (fq.56-59), Prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe (fq.59-63), Mardhëniet e shqipe me gjuhët e tjera (fq.63-66), Historia e dialekteve të shqipes (fq.66-68), Themeluesi i fonetikës historike të shqipes (fq.68-70), Autori i fjalor të parë etimologjik të shqipes (fq.71-78), Parashtesat dhe prapashtesat (fq. 78-79). Përfundime (fq.80-82).

Kapitulli “Albanologët e huaj në prizmin e përvjetorit të Gustav Majerit: Një përvjetor i veçantë dhe një shpërblim i vonuar” (fq.83-84) bënë fjalë për Konferencën shkencore “Kontributi i albanologëve të huaj për studimin e gjuhës shqipe”, që u organizua në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi, më 14 dhjetor 1995, me rastin e 145-vjetorit të lindjes së Gustav Majerit. David Luka mbajti kumtesën: “Gustav Majeri më i madhi albanolog i kohës së vet”.(84-85), ndërsa Kolec Topalli lexoi kumtesën: “Kontributi i Gustav Majerit për fonetikën historike të gjuhës shqipe në optikën e studimeve bashkëkohore” (fq. 85-86), Begzad Baliu bën të ditur për kujtesën shkencore që organizoi Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, më 1997. Jepet një përmbledhje e kumtesave dhe e diskutimeve të mbajtura në këtë tubim diturak nga Latif Mulaku, Zymer Neziri, Ruzhdi Ushaku, Muhamet Pirraku, Enver mehmeti, Rexhep Doçi, Faik Shkodra, Leontina Gega, Muzafere Mustafa, Begzad Baliu, Abdullah Zymberi, Bahtijar Kryeziu, Arbnora Dushi, Hatixhe Hoxha, Adem Zejnullahu, Jahir Ahmeti, Lumnije Kulinxha –Kadriu, Diskutimet e Shefki Sejdiut, Ruzhdi Ushakut, Rexhep Doçit, Rrustem Berisha, Latif Mulaku. Të gjitha kumtesat dhe diskutimet e sesionit shkencor të 15 dhjetorit 1997, janë përmbledhur në vëllimin “Rëndësia e veprës së Gustav Majerit për studimet albanologjike», Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1998, 215 faqe.

Në fund të monografisë së vet, B. Baliu ka vendosur këto shtesa: Gustav Majer: Shqiptarët dhe gjuha e tyre (fq. 127-132), Nga letërkëmbimi i Gustav Majerit (fq.133-140), me këto shënime në reference: “PërveÇ letrës së Konstantin Kristoforidhit, të gjitha letrat tjera i ka përkthyer prof. dr. Jup Kastrati”. Poezia “Gjuhës shqipe”, fragment shkruar nga Ernest Koliqi, mbyll librin në fjalë (fq. 141). Brenda faqeve 143-149 ka dy rezyme, përkthyer nga teuta Abrashi, praj gjuhës shqipe në gjermanisht. Treguesi i emrave (fq. 151-156) mbyll monografinë.

Ky studim monografik, hartuar nga Begzad Baliu, karakterizohet për disa veçori dalluese: Është ndërtuar mirë nga ana kompozicionale dhe tematike. Është zbatuar një metodë e qartë. Gjuha e tekstit është e kuptueshme dhe komunikuese me lexuesin. Punimi ka burime të shumta. Literatura shkencore e shfrytëzuar është e lexueshme. Për herë të parë në studimet tona gjuhësore realizohet një monografi e tillë për albanologun më të madh të shekullit XIX, Gustav Majerin. Punimi çel shtigje të reja gjurmimesh për këtë dijetar të shquar.

Kusaria Detare

Kusaria Detare nga Bahri Brisku
Prof.Bahri Brisku

VEPËR ME VLERA SHUMËDIMENSIONALE TË TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kusaria Detare

Dimension të veçantë paraqesin edhe këngët që trajtojnë kusarinë detare të Ulqinit dhe më gjerë, të cilët ishin të njohur për shkathtësi dhe rrezikshmëri për të gjitha mjetet e lundrimit që lundronin nëpër këto brigje. Në këto këngë këndohet trimëria, fitoret, por dhe disfatat, pastaj qëndrimi i detarëve ndaj shokëve të tyre që pësonin tragjedi, solidarizimi dhe ndihma për familjet e të zhdukurve etj.

Shkruan Prof. Dr.Adem Zejnullahu


Në kaptinën e katërt "Deti dhe detarët në prozën popullore", Bahri Brisku paraqet një numër të konsideruar krijimesh gojore në prozë, të cilat dëshmojnë për lashtësinë e detarisë shqiptare. Ai, ndër të tjera, thotë se "Ilirët e kishin edhe zotin e detit, Rodonin dhe Bindusin, krahas popujve të tjerë të Ballkanit dhe më gjerë". Njëra ndër krijimet gojore që ka mbetur si legjendë për zënien rob të Servantesit (Cervantes Miguel De C. Saavandra) nga kusarët ulqinakë në luftën e Lepantit (1571), luftë kjo që u zhvillua ndërmjet Ligës së Shenjtë që e përbënin: Venediku, Gjenova, Malta, Spanja dhe Vatikani, në një anë dhe Turqia me shqiptarët, në anën tjetër. Detarët shqiptarë në shenjë hakmarrjeje kundër Venedikut me të cilin kishin hasmëri, rreshtohen në anën e Turqisë në sajë të të cilëve forcat turke e fitojnë luftën. Në këtë betejë të përgjakshme u shquan shumë udhëheqës detarë shqiptarë, të cilët Qeveria turke në shenjë mirënjohje i gradoi në gjeneral të detarisë si: Mahmut Pashë Shirokën, Ali Uruçin etj.
Në këtë luftë forcat shqiptare zunë rob shumë eprorë ushtarakë dhe individë të shquar të dijës e të kulturës, si shkrimtarin e njohur Servantesi, të cilët më vonë i liruan. Lidhur me Servantesin, autori i kësaj monografie të rëndësishme thekson se ekzistojnë dy variante legjendash. Njëra nga to është ajo që flet për Kullën e Servantesit, siç e quanin vendasit shkrimtarin spanjoll. Servatesi thuhet se ka qenë i dashuruar në Dylqinën, (Dylçiza), një vajzë e bukur ulqinake, me të cilën më vonë u martua dhe ia kushtoi një pjesë të krijimtarisë artistike. Nga ky frymëzim poetik janë edhe këto vargje: "Dylçiza i ka flokët prej arit/Ballin si fusha e Slizanit/Vetullat si brezi qiellor/Dhembët e saj si margaritar".(f.143).
Në vazhdim autori i këtij studimi shkruan gjerësisht për anijet me rrema dhe për kuaj me fletë, të cilat që nga koha antike kishin të gdhendura figura të kafshëve të ndryshme mitologjike si: drangoj, kuçedra dhe kafshë të tjera; tigra, leoparda, bizonë dhe kokë kali etj. Këto anije ndërtoheshin dhe riparoheshin nga bregabunasit, shasjanët etj.
Në këtë pjesë të këtij studimi monografik gjejnë vend edhe këto shkrime në prozë: "Shasjanët mbysin barkën e grekut", "Kapidani Sali Aga", "Skënderbeu dhe detarët në legjenda dhe në kronika", "Detarët shqiptarë në legjenda gojore", "Pleqnia e detarëve të Ulqinit", "Përralla popullore me tematikë dhe motivikë të detit dhe të detarëve", "Breshkat me qirinj", "Disa të dhëna historike lidhur me detarinë shqiptare", "Legjenda e Bukurinës", "Ndodhitë e gjellëbërësit të mbretit Faruk", "Ishulli i Teutës", "Delfini - shok shpëtimtar i detarëve", "Kallxime legjendare për detin dhe detarët", "Tregime për Flockën", "Kali dhe anija", "Legjenda e peshkatarit mbi krijimin e mjeteve lundruese", "Si e ndau Gjergji kafen prej grunit", "Doket dhe zakonet e vdekjes te detarët shqiptarë", "Legjenda ilire", "Bindi (Usi) zot i detit te ilirët", "Hija e Nutit të Cakës", "Buna dhe krijimet gojëdhënore lidhur me të", "Gjurmët e Lebeatëve në trevën bregdetare" dhe "Anijet Ilire".
Ngjashmëria e rrëfimit të detarit analfabet me atë të "Plaku dhe deti" të E. Heminguejit, "Gjarpëri dhe bija e mbretit", "Shndërrimi i nënës dhe motrës në qyqe", "Dëshmia e pulëbardhës", "E bukura e dheut", "Kush nuk e din sa burime ka mali i Sumës-do tzia shkurtoj kokën", "Tana ligat vijnë prej detit", "Hyrija e detit", "Legjenda e Kepit të Malush Sulës", "Orët e liga", "Shpella e shtrigave (trekëndëshi magjik i Bermudeve) etj".
Në mesin e këtyre shkrimeve të larmishme ka gojëdhëna, legjenda, kallxime, kujtime, pleqni, përralla popullore, anekdota, pastaj rite e zakone ceremoniale, rreth vdekjes dhe varrimit të detarëve, të shndërrimit të nënës dhe motrës në qyqe etj. Disa nga to rrëfejnë në mënyrë artistike për punën dhe aftësinë profesionale të detarëve shqiptarë në periudha të ndryshme historike. Ato në mënyrë të veçantë shquajnë kusarinë e shqiptarëve që ishte "çerdhe e detarisë dhe piraterisë" në këto brigje, e cila rrezikonte lundrimin e lirë të të tjerëve, gjë që nxiti luftëra me përmasa të mëdha, e sidomos ajo ndërmejt flotës së romakëve dhe të ilirëve në kohën e mbretëreshës Teutë etj. Këto krijime në prozë në strukturën e tyre përfshijnë elemente mitike, por edhe aso të marra nga realiteti jetësor i detarëve, çka në mënyrë të suksesshme e pasurojnë prozën shqipe, karshi motivikës së përbashkët të popujve fqinj dhe më gjerë. Në rrafshin gjuhësor, këto krijime shquhen për gjuhë të pasur, të rrjedhshme, me nuanca lokale e shprehje elokuente që ndërlidhen me detin dhe detarët shqiptarë. Në kapitullin e parafundit janë vendosur: Fjalë të urta dhe llojet e tjera të shkurtra të prozës nga sfera e detarisë. Populli shqiptar, duke qenë autokton në viset bregdetare, ka krijuar shumë forma të prozës minore për detin dhe lundimin si: fjalë të urta, kashe e lashe etj. të cilat ndërlidhene me këtë veprimtari dhe me mjetet e lundrimit. Autori në këtë pjesë ka sjellë një numër të madh shembujsh, fjalët të urta, të cilat përcaktojnë, konkretizojnë dhe sintetizojnë mendimin shekullor popullor lidhur me shumë raste e rrethana, me të cilat ballafaqohen detarët gjatë lundrimit si: "As spiranca nuk lidhet gjithkund, Kur shifet feneri ish leht me gjet bregun, Në det nevojitet qind urti e një trimëri etj.".
Të kuptuarit figurativ të këtyre dy fjalive të urta në rrafshin konkret e logjik d.m.th. se udhëheqësi i anijes duhet të mendojë mirë se ku duhet ndalur anija, duke pasur parasysh të gjitha të papriturat që mund tzi ndodhin, andaj një veprim i tillë duhet bërë me maturi dhe mençuri, përndryshe mund tzi kushtojë shtrenjtë. Kapiteni i aftë tregohet në kushte dhe rrethana të vështira, atëherë kur nuk duket drita sinjalizuese në bregdet. Lidhur me këtë çështje autori konstaton drejt kur thotë se "Proverbat shqipe nga hapësira detare paraqesin një mendim të zhvillimit mediativ të jetës materiale. Deti, detarët, mjetet e lundrimit, flora e fauna dhe leksiku detar zuënë vend të nderuar në strukturën leksikore të shumë proverbave, meseleve dhe sentencave të buzëdetarëve" (f.245).
Ky lloj i prozës së shkurtër është krijuar me shekuj nga mendja dhe mençuria e popullit, e veçanërisht nga detarët e brigjeve të Detit Adriatik, të Jonit dhe të Egjeut në ballafaqim me jetën dhe valët e detit. Qëllimi kryesor i tyre është ta përgatitin njeriun-detarin për lundrim të sigurt. Do thënë se këto krijime të shkurtra i përshkon një notë e fuqishme njohëse, etike, moralizuese dhe filozofike si sintetizim i urtisë popullore për shumëçka në jetë dhe në lundrim, kur nuk dihen fshehtësitë e detit dhe të motit.
Struktura e këtyre krijimeve është origjinale autoktone shqiptare, sepse shumicën prej tyre autori i ka vjelë në terren nga detarët e ndryshëm, andaj si vlera të veçanta artistike, që nga kohët e hershme e deri më sot, meritojnë hulumtime, sistemime dhe studime të hollësishme, në fushën e mendimit kritik e estetik, gjë që mungojnë. Dr. Bahri Brisku në kaptinën e fundit ka vendosur lëndën: Gjurmime leksikore nga sfera e detarisë, në të cilën trajton terma të ndryshme leksikore detare, të cilat janë trashëguar brez pas brezi si shprehje të caktuara të përgjitshme për mjetet e lundrimit si p.sh: Anije, lende, lundër, barkë, si dhe një numër emërtimesh të tjera faustet, flugat, lundrat, gjemitë, varka, suli, lundrat, trapi, mauna, cuni, taketukja, nëndetsja, demona, vapori, jakota, tankeri etj. Në vazdhim, autori bënë fjalë edhe për pjesët e mjeteve të lundrimit, të cilat me shembuj konkretë të vjela në terren, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga detarët e ndryshëm, dëshmon se të gjitha këto terma që përdoren në veprimtarinë detare janë autoktone shqiptare.
Kjo terminologji e përsosur detare shquhet edhe për vlera të theksuara gjuhësore e artistike, të cilat dëshmojnë se populli ynë ka qenë ngusht i lidhur me detin që nga kohërat e hershme, andaj ka krijuar vlera të tilla shpirtërore e materiale që kanë një rëndësi të veçantë për trashëgiminë tonë kulturore.
Në fund do thënë se vepra "Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare" e Dr. Bahri Briskut është studimi i parë në këtë fushë që e trajton në përmasa të gjera e të thella këtë problematikë të trashëgimisë popullore. Kjo vepër është hartuar pas një pune të gjatë hulumtuese në terren. Kryesisht në viset bregdetare, me çzrast autori ka mbledhur shumë njësi të larmishme nga folklori ynë, qoftë nga llojet e poezisë lirike, nga epika në vargje, por edhe nga krijimtaria epike në prozë. Me interes të veçantë janë kallëzimet, rrëfimet e detarëve, gojëdhënat, legjendat, mitet, pleqësitë, anekdotat dhe përrallat me tematikë të detit dhe të detarisë.
Autori i ka analizuar shumë nga këto krijime, duke i vënë në pah edhe vlerat e veçanta artistike. Libri ka të dhëna të rëndësishme nga jeta e detarëve të Ulqinit dhe të qyteteve të tjera bregdetare. Me interes janë sidomos gjurmët e lashtësisë që shpijnë deri te periudha të hershme ilire, kur në Adriatik dhe në brigjet e Mesdheut dalloheshin anijet liburna dhe lemba, si edhe toponimet e njohura nga trashëgimia ilire që dëshmojnë për lidhje të pashkëputura iliro-shqiptare.
Vepra ka një rëndësi të veçantë për folkloristikën tonë, sepse përveç trajtimit adekuat të problematikës së detarisë përmban edhe të dhëna të rëndësishme që dëshmojnë për vlerat e përgjithshme të trashëgimisë sonë kulturore. Si e tillë, kjo vepër monografike hapë shtigje për studime të mëtejme në këtë fushë.

Këngët shqiptare për "Ditën e kiametit"

Nisur nga teza e njohjes së historisë nga këngët dhe krijimet popullore, një fushë kjo kryesisht e etnologjisë si shkencë, gjithnjë ka pasur hapësira ose janë hedhur rreze drite mbi periudha të errëta për të bërë të mundur vjeljen e një fakti historik, apo detaje nga një rrethanë ose ngjarje e caktuar historike. Në kontekstin ballkanik, ky fenomen është mjaft i përhapur. Në rajonin tonë emblematik madje, ekziston dhe një histori folklorike kundrejt asaj akademike. Dhe është pikërisht ky dualitet në formën e të parit të së kaluarës, analizës dhe zbulimit të së vërtetave të saj, që ruan ende një statukuo të kokolepsjes historike mbi realitetin faktit. Edhe njëherë kjo u pa qartazi në reagimet serbe ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku miti dhe legjenda u paraprinë qëndrimeve politike dhe atyre diplomatike. Gjithsesi, format e zgjedhura nga serbët për të interpretuar realitetet e sotme, nuk mund të zhvlerësojnë vlerën në vetvete që kanë mitet, legjendat dhe krijimtaria popullore e një kombi. Ndryshimi është vetëm në mënyrën se si instrumentalizohen ato, se si serviren në realitetin e sotëm. Një servirje të tillë, por pa qëllime instrumentralizimi bën dhe studiuesi Adem Zejnullahu i Institutit Albanologjik të Prishtinës në studimin "Këngët popullore për konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve në fenë ortodokse nga fqinjët sllavë", botuar numrin 36 të revistës "Gjurmime Albanologjike". Në fakt, duke qenë se historiografia jonë zyrtare e ngjizi fenomenin e konvertimit fetar ose prozelitizimit siç quhet ndryshe, me pushtimin otoman, kjo bëri që të sfumohej interesi për të trajtuar fenomenin dhe në drejtime të kundërta dhe fjala është për fushatat konvertuese sllave mbi popullsitë myslimane dhe katolike të Malit të Zi dhe Kosovës nga ana e serbo-malazezëve për t‘i kthyer në ortodoksë. Edhe pse rreth këtij fenomeni janë bërë trajtesa të ndryshme, studiuesi Zejnullahu thotë se ai ka zgjedhur t‘u referohet krijimeve popullore të pranverës së vitit 1913, që tregojnë se ç‘po ndodhte në trevat shqiptare, kryesisht të Plavës, Gucisë e Rrafshit të Dukagjinit. Ai u referohet fushatave konvertuese të ndërmarra nga dyshja Avro Cemi dhe Save Batarja, njëri në Mal të Zi e tjetri në Kosovë, shoqëruar me dhunë të pashembullt. Duke iu referuar masakrës së Previsë, autori ofron vargjet e rapsodit mbi atmosferën e rëndë që mbizotëron në zonë nga fushata e ndërmarrë prej Avro Cemit për t‘i detyruar shqiptarët ose të zgjedhin mes konvertimit dhe zhdukjes: Avro Cemi, o, ni faqezi/Po mbledh Plavë, po mbledh Gusi/Po mbledh Vuthajt ai dyqind shpi/Martinoviqi gjashtëdhjetë shpi/Po mbledh hoxhë, po mbledh haxhi/Po mbledh grue, po mbledh fëmi/Memleqetin po mbledh bitevi/Tan në haps Avri i ka shti... Po ashtu, autori citon dhe vargjet e rapsodit mbi ato që ka thënë Avro Cemi, ku veç fesë, ai kërkon që t‘u heqë shqiptarëve edhe traditat e mira, ku një prej tyre është besa: Ju shqiptarë idikatli/Të gjithë n‘kishë due m‘u shti/me ja vu shishakt e zi/Besë e fre aty me nrrue/Ose të gjithë keni marue... Së këndejmi, në vargjet e rapsodit hyn një burrë me emrin Hasan Bajri, i cili përfaqëson një lloj lideri popullor dhe që i përgjigjet Avro Cemit flakë për flakë: Hasan Bajri n‘kamë u çue/T‘u nxiftë fjala çka po thue/Pesqind vjet t‘kena sunue/Asnjiherë n‘xhami s‘te kam cuce/S‘te kana thanë fenë me nrrue... Më pas, sipas autorit të studimit, këngët tregojnë për masakrat e Avro Cemit, por dhe për qëndresën historike shqiptare. Për këtë Zejnullahu del në një konkluzion duke shkruar: "Të dhënat folklorike dhe historike dëshmojnë fuqishëm se shqiptarët në momentet më të rënda dramatike e mundën vdekjen tradicionalisht duke kënduar, për çka e befasojnë kundërshtarin për guxim e flijim. Epika kreshnike dhe historike shqiptare dëfton se dikur Sokol Halili i zënë ngushtë para Kralit të Kotorrit, këndoi këngë. Oso Kuka e Zhujë Selmani në momente vendimtare të jetës së tyre, po ashtu para forcave ushtarake malazeze kënduan, sikurse Musa e Halili para xhelatit turk dhe Adem Jashari para forcave ushtarake serbe më 1998. Duke iu rikthyer masakrës së Previt në Plavë e Guci, e cila pak është trajtuar nga historiografia zyrtare, duke llogaritur që është quajtur nga populli i asaj treve dhe si "Dita e kiametit në tokë", ekzistojnë disa vargje rrëqethëse për një moment të pazakontë, atë kur një fëmijë shqiptar sheh varre të hapura dhe pyet të atin se përse janë hapur ato: Djali i Memës a‘ngushtue/Ç‘janë kto vorre, babe, që jan tuj marue/nuk janë vorre, por janë llagore/Me luftue me Cernagore.. Sipas studiuesit Zejnullahu, në vargje haset një lloj truku momental që babai bën me fëmijën në ato momente tragjike, duke mos i treguar të vërtetën se ato varre janë hapur për ta, por duke i thënë se janë llogore lufte. Siç e trajton autori, ky gjest është si një ngushëllim dhe një mbështetje morale te krenaria kombëtare, që i sheh varret e hapura si llogore në luftë kundër Malit të Zi. Kjo situatë ndodh ndërsa në Previ të Plavës e Gucisë, forcat serbo-malazeze të kryesuara nga Avro Cemi kanë marrë me dhunë vuthnjanët, martinat, beranët, andrioviqët, razhnicët e çojnë në një fushë të rrethuar me gjemba për t‘i konvertuar në ortodoksë me nga një varr prapa si përfundim i kundërshtimit të tyre. Më pas në studim, autori trajton fushatat konvertuese serbo-sllave në Rrafshin e Dukagjinit, udhëhequr nga Savë Batarja. Ai sipas vargjeve popullore, është ballafaquar me kryeplakun e Krushës, Hazir Alia, i cili si kundërpërgjigje ndaj kërkesës për konvertim, i përgjigjet: Maje n‘men Savë- i ka thanë/Shum selam kralit t‘m‘i bajsh/selam kralit, ti, me i cuce/S‘ke gjetë kishë për m‘u kryqe... Më pas vijnë vargjet që tregojnë për reagimin e egër e gjakësor të serbit në fjalë: Ni batare Sava po ja u jep/Ni batare ja u ka lshue/të tanë djemt n`vorre kokan rrxue... Por interesante në studimin e Adem Zejnullahut është përmendja e një reagimi të ashpër të Vatikanit dhe Austro-Hungarisë lidhur me fushatën e egër konvertuese që kishin ndërmarrë forcat malazeze e ato serbe ndaj myslimanëve dhe katolikëve shqiptarë. Ai citon Edit Durhamin kur shkruan se: "Pagëzimet bëhen me tortura. Njerëzit hidhen në ujë e akullt të lumit dhe pastaj i vënë të piqen pranë prushit të zjarrit gjersa kërkonin mëshirë". Ndërsa reagimi i Vatikanit dhe i austro-hungarezëve ka ardhur pas vrasjes së priftit të Gllogjanit, Luigj Palajt, ngase u kishte kërkuar shqiptarëve të mos dorëzonin armët dhe t‘i rezistonin fort dhunës konvertuese në ortodoksizimin sllav. Nga ky reagim, qeveria malazeze është detyruar të nxjerrë një proklamatë për ndalimin e fushatës konvertuese me dhunë duke u pozicionuar pro lirisë së besimit. Dhe sipas dokumenteve të kohës, pas proklamatës, popullata shqiptare ka reaguar në këtë mënyrë: "Masa e popullit ngarendi me vrap drejt lumit Gërçar, ku u pastrua dhe i fërkoi me rërë gjymtyrët e trupit që ishin stërpikur me ujë të bekuar". Sipas studiuesit Zejnullahu, këngët dhe krijimet e rapsodëve tregojnë me detaj atë që ndodhi më 1913-ën, ndërsa një shifër zyrtare e viktimave, kurrë nuk është bërë e mundur të nxirret. Por vetëm për të konvertuarit thuhet se mund të kenë qenë në rreth 12 mijë.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...