2013-03-20

Vepra për të kaluarën historike

Në kuadër të aktiviteteve të begatshme që është duke i zhvilluar shoqata e intelektualëve “Jakova”, të shtunën, ajo organizoi promovimin e dy librave të rinj. Fjala është për monografinë e autorit Shani Hoxha “Qamil F.Hoxha – Drini” dhe librin e autorit Muhamet Rogova “Lojërat popullore të Gjakovës”, që u promovuan në Gjakovë.
description
Vlerat e veçanta

Edhe pse të natyrave krejtësisht të ndryshme, siç u tha me këtë rast, të dy këta libra i kanë vlerat e veta të posaçme, sepse prezantojnë të kaluarën e pasur historike dhe qytetare të kësaj treve. “Derisa në librin e parë prezantohet jeta dhe vepra e luftëtarit të paepur për lirinë kombëtare Qamil (Fevzi) Hoxhës, në librin e dytë, që për nga tematika është mjaft i rrallë, pasqyrohet një tematikë pak e eksploruar në krijimtarinë tonë. Vetë libri paraqet një eksplorim të traditës gjakovare dhe të etnografisë së kësaj treve. Për librat ka folur Alban Dobruna, Sabahudin Cena dhe Halil Haxhosaj.

Demonstrimi i lojërave

Ndërkaq, promovimi i librit “Lojërat popullore të Gjakovës” u shoqërua edhe me demonstrimin konkret të disa prej lojërave popullore, që përshkruhen në këtë libër. Referuesit, për këtë libër, pos të tjerash potencuan se lojërat popullore që përshkruhen në këtë libër, në një mënyrë janë paraardhëse të teatrit të sotëm bashkëkohor. Lojërat popullore të Gjakovës nuk kanë qenë veprimtari të improvizuara, por të menduara dhe të përgatitura me kujdes dhe në këtë mënyrë u është kundërvënë edhe atyre që këtij populli nuk ia kanë dashur të mirën. Vlerat e këtyre lojërave janë të mëdha, sepse paraqesin traditën e një popullate të tërë, u tha me këtë rast. Të pranishmëve në këtë promovim iu drejtuan dhe iu falënderuan autorët e këtyre dy librave Shani Hoxha dhe Muhamet Rogova.

Dëshmi e kontributit amerikan për popullin shqiptar

Në organizim të Muzeut të Kosovës, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe të Galerisë së Arteve në Pejë, kohë më parë  u hap ekspozita me fotografi, vepra, dhe artefakte të tjera, me moton "Amerika për Kosovën". Kjo ekspozitë, publikut pejan në retrospektivë ia kujtoi angazhimin dhe kontributin e madh të SHBA-së dhe të shqiptaro-amerikanëve, të cilët morën në mbrojtje një popull të vogël në Ballkan, duke ia lehtësuar rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Mesazh për brezat e rinj

Duke falënderuar organizatorët për hapjen e kësaj ekspozite, kryetari i Komunës, Ali Berisha, ndër të tjera tha se, "shqiptarët kurrë nuk mund ta harrojnë atë që Amerika, populli amerikan dhe mërgata shqiptare në Amerikë, bënë për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët. Këtë mesazh duam ta përcjellim te brezat e rinj". Autori i kësaj ekspozite, Riza Sadiku, është shprehur se përmes kësaj ekspozite, dëshiron të dëshmojë se si një shtet i fuqishëm si Amerika, falë parimeve humane dhe demokratike, mori nën sqetull një popull më të varfër dhe më të coptuar në Evropë, që ta shpëtojë nga ricopëtimet, shpërnguljet, zhdukjet dhe politikat poshtëruese të fqinjëve të tyre, siç ishte rasti më Shqipërinë Londineze dhe më Kosovën në vitin 1999. Sipas tij, duhet lënë gjurmë të pashlyera për kontributin e Amerikës dhe mërgatës shqiptare në Amerikë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyre.
description
Për pjesëmarrësit në këtë ekspozitë ishte një ndjesi e veçantë të qëndrosh pranë atyre panove me fotografi të mëdha të presidentëve amerikanë, të kongresmenëve që ndihmuan çështjen shqiptare, pastaj para citateve të shtypit amerikan për Kosovën dhe Shqipërinë. Ishin të ekspozuara edhe veprat e Nolit dhe Konicës, këtyre dy kolosëve të mërgatës shqiptare në Amerikë dhe të uniformave të luftëtarëve të lirisë, që erdhën nga Amerika e largët dhe luftuan për Kosovën.

Uniforma dhe suvenire

Aty ishte edhe një nga uniformat e gjeneralit Vesli Klark, si komandant i NATO-s gjatë luftës së Kosovës, si dhe gjësende e suvenire të patriotëve të kombit që jetuan dhe vepruan deri në vdekje për kauzën tonë kombëtare. Skender Boshtrraku, zëvendësdrejtor i Muzeut të Kosovës, me këtë rast u shpreh se mesazhi i kësaj ekspozite është se "ne shqiptarët mbajmë mend dhe nuk harrojmë se çfarë kanë bërë të tjerët për ne, dhe këtë duam t'ua përcjellim edhe brezave të rinj. Ajo që mbetet përtej ekspozitës, është bashkëpunimi i Muzeut të Kosovës më institucionet e kulturës në nivel të komunave, duke premtuar se ketë ekspozitë do t'ua ofrojnë edhe qytetarëve të tjerë në komunat e Kosovës".
H. Gashi

“Shkruaj për shpirtin tim, s’më intereson tregu”

Kujtim Prodani prezantoi dje albumin e tij të tretë, “Shpirti i trazuar”
“Shkruaj për shpirtin tim, s’më intereson tregu”
Ishte thjesht një dhuratë vetvetes, miqve, fansave. Nuk do t’ia dijë për tregun muzikor, për shijet e çorientuara, klikime në youtube… Ato nuk do ta ulnin kurrë në piano për të kompozuar. Për kantautorin Kujtim Prodani, artisti duhet të ketë një rol edukues, të përçojë atë çka ka mësuar gjatë jetës dhe i kanë mësuar mjeshtërit e muzikës. Këtë përpiqet të bëjë ai me albumin e tij të tretë, promovuar dje në ambientet e pub “Charls”, ku ishin mbledhur shumë miq të tij, për të shijuar një gotë dhe muzikë të mirë.
E ka titulluar “Shpirt i trazuar”, një album me 9 këngë, shumica të reja, që emocionalisht përkon me ndjesitë e vetë atij, por edhe me atë të dëgjuesit. “Jetojmë në një vend ku 24 orëshi është i mbushur plot me lajme të trishta, me kronikë të zezë, që e shfrymëzojnë artistin, e megjithatë është e pamundur të ndahesh nga përditshmëria, ashtu si edhe nga muzika. Dhe në këtë album të “trazuar” vijnë tematika nga më të ndryshmet, ka shumë dashuri, por ka edhe divorc, ka probleme sociale… Një lloj proteste e brendshme që ngre krye”, thotë kantautori, që në këtë prurje të tretë, për të cilën ka punuar plot 3 vjet, ka bashkëpunuar me autorë tekstesh, si Alda Bida, Anila Varfi, Arben Duka, Dhimitër Pojanaku e Armand Trebicka. Në këtë album ai u këndon femrave rebele (“Rebelja”), që sipas tij tashmë janë më të pavarura e nuk kanë nevojë më për një unazë për të jetuar. Një tjetër këngë titullohet “Digjem”, që kantautori ia lë publikun ta ndajë në digjet nga malli apo nga marazi. “Mirëmëngjes pa stres” është një urim drejtuar dëgjuesit. “Është bukur të jetosh në Tiranë, por në mbrëmje, kur dëshiron të bësh një bilanc, të ndërpresin zhurma e tmerrshme e një motori, e një makine plehrash….”. Më tej “Ti ishe kryevepër”, me tekst të Arben Dukës, “Shpirtin tënd dua”, një duet me të ëmën, këngëtaren Anita Take e që i kushtohet asaj çka e bën të bukur një njeri, shpirtit, “Pa ju jam asgjë”, kushtuar miqve të tij etj. I qëndron besnik baladës, pasi sipas tij ajo i jep më shumë dorë artistit, është më e dashur, më e bukur, më e ndjerë. Por temat i imponojnë edhe pak ritëm.

Thumbnail
Jo për komerc

“Është një album delikat, që duhet dëgjuar 2-3 herë përpara se të japësh një opinion”, thotë Kujtim Prodani. Përpara se këtë album, punuar në studion e Ilirian Mihalit dhe shpërndarë nga “Albatrade Plus”, t’ia ofronte publikut, ia dha ta dëgjonin njerëzit e tij më të afërt. “Anita është kritike shumë e rreptë, por ajo e ka pëlqyer albumin. E ka dëgjuar disa herë, pastaj më tha: Më pëlqen. Kam pasur edhe sugjerime dhe unë jam gjithnjë i hapur ndaj tyre. Sa i takon dëgjuesit të parë, ai është taksisti, sapo dal nga studioja. Ai nuk di të më thotë se përse i pëlqen, por nëse i pëlqen, kjo për mua mjafton”… Këtë album, me shumë trazime ai e ka bërë për qejf të tij, nuk ka marrë parasysh trendet muzikore apo tregun. “Kjo është një dhuratë që i kam bërë vetes për ditëlindje, që e kisha në 12 mars, por edhe për miqtë dhe fansat e mi. Është një album që tregon shpirtin tim të trazuar në këtë periudhë. Nuk kam parasysh fare tregun, komercialitetin, sepse për mua një artist duhet të ketë një rol edukues. Ky album sjell muzikën e vërtetë, ka shumë dashuri, por edhe trishtim. Jam i bindur që dëgjuesit do gjejnë veten aty”.

Dashuria e Skënderbeut për vajzën e sulltanit, që përfundoi në tragjedi

Antonio Xonkanda, shkrimtar italian, ka shkruar 200 vjet më parë një roman 800 faqesh për Skënderbeun.

Historia e një heroi, që në rrugën drejt fitores shoqërohet nga pasioni, intrigat dhe tradhtitë. Një dashuri fatale me vajzën e Sulltan Muratit II.
u1_u1_gjergj-kastrioti
“Skënderbeu e deshi Zulejkën. Turkesha me sytë e zinj dhe flokët që i binin lehtë mbi qafën e hollë e kishte magjepsur qysh fëmijë. Mbrëmjeve ai lutej për portretin e saj dhe mëngjeseve nuk mendonte gjë tjetër veç të shihte siluetën e saj larg tek ecte me fustanin e gjatë në kopshtin e oborrit mbretëror. Dashurinë i’a shprehu përmes letrash. Në kartën e bardhë i shkroi me duart që i dridheshin gjithë atë çfarë zemra e tij mbante brenda prej vitesh. I tha se ishte gati të bënte luftëra dhe do të ishte gjithnjë një kalorës i denjë për dashurinë e saj. Ajo i ruante me kujdes letrat të gjitha bri shtratit ku flinte, derisa një mbrëmje doli fshehurazi nga pallati për të shkuar aty ku ushtari i pashëm nga Shqipëria flinte, për t’i thënë se zemra e saj i përket të tijës,” shkruan Xonkada.

Ai tregon se Sulltan Murati i II duke parë dashurinë e ushtarit të tij më të mirë për vajzën e tij të vetme, i premton se do t’i lidhë me kurorë nëse ai e ndihmon të luftojë kundër mbretit të Serbisë.

“Por sulltani nuk e mban fjalën. Pas paqes së bërë me mbretin e Serbisë, ai kërkon ta bëjë atë dhëndër në oborr, duke i dhënë vajzën. E tronditur nga ky lajm, Zulejka vret veten. Ikja e saj do të linte një dhembje pafund për heroin shqiptar, që asnjë fitore sado e madhe nuk do ia shuante kurrë”, shkruan ai.

Në librin me titull: “Skënderbeu, histori shqiptare e shekullit XV” përshkruhet dasma e heroit me Donikën dhe më pas përshkruhet një pasazh ku heroi iu flet të ftuarve për veten.

“Duke parashtruar ngjarjet e jetës së tij, heroi flet për dashurinë që ndjen për të e bija e sulltanit, Zulejka, dashuri prej së cilës ngrohet edhe zemra e Skënderbeut. Të dy të rinjtë, me mbështetjen e kryeunukut Shabek i rrëfejnë njëri –tjetrit ndjenjat përmes letrash. Në këtë kohë vdes Gjon Kastrioti dhe shqiptarët thërrasin të shkojë atje Skënderbeun për të zënë vendin e të atit. Por sulltani me të marrë vesh këtë, i premton për grua të bijën e tij Zulejkën, po qe se lufton pranë tij dhe të luftojë kundër mbretit të Serbisë që ka ngritur krye. Skënderbeu, marrëzisht i dashuruar, pranon dhe me një ushtri të fortë sulmon mbretin e Serbisë, pushton krahina dhe qytete dhe është gati ta shpartallojë ushtrinë armike, ku një ferman i sulltanit e thërret për në Andrinopojë dhe e urdhëron t’i dorëzojë komandën emirit Hasan, kundërshtarit të tij të egër. I bindet urdhrit dhe kur kthehet tek sulltani, ky pasi e lavdëron për fitoret e korrura në Serbi, i thotë se e ka thirrur për të shkuar kundër hungarezëve, të udhëhequr nga Huniadi, që kanë sulmuar tokat perandorake. Por për martesën me Zulejkën nuk i thotë asgjë".

Kështu që sulltani e tradhton dhe vendos që ta martojë Zulejkën me mbretin e Serbisë dhe ajo vetëvritet.

“Dhimbja e Skënderbeut është e thellë e papërshkrueshme. I ngarkuar të marshojë me ushtrinë kundër të famshmit Huniad, Skënderbeu ka vendosur të kthehet në Shqipëri e të çlirojë Shqipërinë”.

Që këtu merr kthesë jeta e tij, e përfshirë në beteja me humbje dhe fitore.

Enver Hoxha kishte planifikuar të sulmojë Jugosllavinë?

Historiani rus, Artjom Ulunjam, në tekstin e tij “Operacion i fshehtë Shpërthimi”, ka shkruar se udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, ishte përgatitur për operacion ushtarak ndaj Jugosllavisë, pas vdekjes së Josip Broz Titos, transmeton gazeta kroate “Jutarnji list.

Enver Hoxha kishte menduar se pas vdekjes së Titos në Jugosllavi do të zhvillohej një luftë e përgjakshme në mes të forcave politike pro amerikane dhe pro ruse.

Në fund të viteve ’70-ta dhe në fillim të viteve ‘80-ta të shekullit të kaluar, në takime sekrete të liderëve komunistë shqiptarë ishte planifikuar operacioni ushtarak “Shpërthimi”, përmes së cilës planifikohej marrja e Kosovës, pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë në të cilat shqiptarët përbëjnë shumicën, shkruan historiani rus.enver

Udhëheqësit komunistë shqiptarë, sipas tij, kanë shpresuar në një skenari, sipas të cilit pas vdekjes së kryetarit të Jugosllavisë së atëhershme, Josio Broz Tito, do të shkaktohej luftë për pushtet në mes të liderëve të ish republikave të Jugosllavisë.

Ulunjam, i njohur si ekspert për lëvizjen komuniste të shekullit XX në Ballkan, nga Instituti rus për historinë e përgjithshme, informacionet e përmendura i kishte marrë në bazë të memoareve të ministrit të atëhershëm të mbrojtjes së Shqipërisë, Veli Lakaj.

Sipas fjalëve të tij, Enver Hoxha ishte përgatitur për “Kaos pas Titos”.

Ndonëse edhe më herët ishte spekuluar se ekzistonte një operacion i tillë i fshehtë, është vërtetuar se udhëheqësi komunist shqiptar kishte menduar se në Jugosllavi do të shpërthente një luftë e përgjakshme në mes forcave politike pro amerikane dhe pro ruse.

Përveç problemeve të brendshme dhe luftës së ashpër për mbajtje të pushtetit në fund të viteve -70-ta, Hoxha kishte menduar se si nga situata potenciale të nxjerr përfitime maksimale. Prandaj, planin e tij ia kishte prezantuar rrethit të tij të ngushtë të bashkëpunëtorëve në vitin 1977. Prej atëherë kishin filluar përgatitjet serioze të udhëheqësve shqiptarë për çastin e vdekjes së Titos.

Në bazë të arkivave shqiptare dhe ruse, ekzistojnë prova se Enver Hoxha ka qenë i preokupuar me atë se çfarë do të ndodhë në Jugosllavi pas vdekjes së Titos. I frikësuar për regjimin e tij diktatorial, Hoxha kishte planifikuar të marrë Kosovën , gjë që vërtetohet edhe në Samitin e Helsinkit në vitin 1975, në të cilin Shqipëria refuzoi të nënshkruaj dokumentin në bazë të të cilit definoheshin kufijtë e Evropës së pasluftës.

Diktatori komunist shqiptar kishte thënë se nuk duhet kursyer mjetet për Kosovën, sepse në të ardhmen do të shpaguhen. Ndonëse marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin gjithnjë e më të këqija, Hoxha gjithnjë e më shumë kishte frikë dhe ishte në panik nga sulmi në vendin e tij. Mirëpo, në të njëjtën kohë bënte plane luftarake, duke iu thënë gjeneralëve të tij: “Ne jemi në prag të luftës”.

Pavarësisht se Hoxha i frikësohej në mos forcat kineze do t’i organizonin grushtet, kjo nuk e ka penguar që në vitin 1978 të formojë “Zyrën për Kosovën”.

“Për aq sa na kanë lejuar rrethanat, ne me të gjitha mjetet i kemi përkrahur kosovarët. Dhe ne jemi për atë që ata të bashkohen me Shqipërinë, sepse kjo do të siguronte një unitet nacional “, i kishte shkruar Hoxha ministrit të punëve të brendshme Kadri Hazbiut.

Fëmijët në Kosovë mësojnë se muzika rock është akt kriminal. Revoltohen muzikantët

Prej gati një dekadë nxënësit e klasave të dhjeta mësojnë se muzika rock është akt kriminal. Në librin e Edukatës Qytetare, të ribotuar disa herë nga viti 2004, me autorë Bajram Shatrin e Erlehta Meto, ky zhanër muzikor cilësohet si akt jo i mirë, përkrah me pornografinë e dhunën në televizion.

Kjo shkruhet në paragrafin e fundit të kapitullit “Mbrojtja e të rinjve nga ndikimi negativ i mediave”.
Guitar Rock Music is From Heaven
Për autorin e librit, botuar në “Libri Shkollor”, apostrofimi kriminal ka qenë gabim teknik, ndërkohë që njëri prej recensentëve të librit thotë se nuk e kujton ta ketë lexuar paragrafin e shumëpërfolur nëpër media ditën e martë.

Në internet ka qarkulluar edhe një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit e Shkencës për ndryshimin e tekstit. Ky institucion ka paralajmëruar se do të marrë masa.

Por komuniteti i rockerë-ve kosovarë është zemëruar.

Vokalisti i grupit “Hithrat” ka ftuar kolegët e tij të shpërndajnë në rrjetin social “Facebook” posterin me mbishkrimin “Unë jam rock – kriminel”.

“Kush mendon që në gjakun e tij rrjedh gjak rocker-i…shpërndaje”, është thirrja që u ka bërë kolegëve të tij Luan Tashi

Lajthitja e Pandeli Majkos




Nga Dritan Hila

Para disa ditësh, në një intervistë dhënë gazetarit Roland Qafoku, ish kryeministri dy herë i socialistëve dhe ndër eksponentët kryesorë të tyre, Pandeli Majko, bënte disa deklarata të cilat lanë shumë njerëz me gojë hapur. Jo se nuk janë të dëgjuara. Shumë nostalgjikë të monarkisë i kanë refren të tyre sajesat e krijuara nga romantizmi i tyre mbretëror, dhe i tregojnë si përralla edhe ditën për diell. Por ti dëgjosh nga një eksponent kryesor i të majtës, është risi. Nuk do ishte çudi nëse do ti kishte thënë nga pozicioni i analistit të pavarur, por si udhëheqës i të majtëve, është pak të thuash, apostasi.
Majko në ligjëratën e tij me siguri është nisur nga dëshira që të jetë një personalitet sa më i pëlqyert për gjithë shtresat e shoqërisë, por ja që këtë nuk mund ta bëjë deri sa është në një karrige që ja kanë dhënë të majtët. Mund të ketë dëshirën e mirë të jetë sa më paqëtues, por kjo i takon një shkrimtari, apo personaliteti të pa anshëm, dhe jo dikujt që kryeson pasardhësit e atyre që janë shitur, tradhëtuar apo përgjakur nga Ahmet Zogu. Nuk mund ta bëjë apologjinë e Zogollit, aq më tepër, kur nuk ka njohuritë e nevojshme historike. Pasi është po aq e dëmshme një nakatosje e duarve të politikës në histori kur vjen nga Berisha, po ashtu si kur vjen nga Majko.
Tani, sa për ti kthjelluar idetë, akti i arratisë së Ahmet Zogut, erdhi si rezultat i një politike thellësisht antikombëtare të beut të Burgajetit. Kredi të marra në emër të shtetit Shqiptar, por të përdorura për nevojat e oborrit të tij; administratë klanore; ushtri karikaturale; politika thellësisht personale, bënë që pushtimi i Shqipërisë nga Italia, të shikohej nga fuqitë e mëdha si një marrje e hipotekës nga kredidhënësi. Jo më kot askush nga udhëheqësia perëndimore, nuk e prishi gjakun ditën që Shqipëria u pushtua. Shteti shqiptar nën drejtimin e Ahmet Zogut, kishte humbur çdo dinjitet ndërkombëtar, ndaj nuk meritonte as edhe një meshë, lere më shpallje lufte apo sanksione ndaj Italisë. Katër vjet përpara, në tetor 1935, Lidhja e Kombeve i kishte vënë sanksione Italisë për pushtimin e Etiopisë. Ahmet Zogu nuk i kishte lënë erz Shqipërisë as sa për një akt simbolik të komunitetit ndërkombëtar.
Ahmet Zogu, iku nga atdheu duke rrëmbyer arin e shtetit shqiptar. Ishte një akt i pastër hajdutllëku. Jo shumë larg, por mbreti i Jugosllavisë, kur iku bëri të njëjtin veprim. Por hapi në Londër sportelet e bankës së Jugosllavisë, si dëshmi e sovranitetit të pa dorrëzuar të sllavëve të jugut. Pasi banka qëndrore e një vëndi, është simbol i fuqishëm i sovranitetit nacional. As sot e kësaj dite Ahmet Zogu apo pasardhësit e tij, nuk ja kanë kthyer arin e rrëmbyer shqiptarëve. Harram!
Majko tha se zbythja nga sytë këmbët e Ahmet Zogut, ishte akti i vetëm juridik që tregonte mos njohjen e pushtimit të vëndit. Në qoftë i tillë, është zbulim i zotit Majko dhe meriton të duartrokitet. Por është mirë që nëse duam të rrisim pasardhës dinjitozë, mos ta quajmë Zogollin burrë shteti dhe arratinë, akt me vlerë. Të bukur shembull ju lëmë atyre që vijnë pas. Do ti jap një shembull se çfarë quan bota dinjitet: Në 8 dhjetor 1914, në ujrat afër ishujve Falkland, pikërisht ato që shtatëdhjet vjet më vonë u bënë arenë e ndeshjes ndërmjet argjentinasve dhe britanikëve, pesë kryqëzorë të flotës të sapokrijuar gjermane, befasisht u ndeshën me një skuadrilje prej tetë kryqëzorësh britanikë. Gjermanët kishin mundësi të iknin, por nuk e bënë. Megjithëse raporti i forcave e tregonte se nga do shkonte fitorja, pranuan betejën. Thirrjet për dorëzim nuk i pranuan edhe atëhere kur anijet gjermane të bëra shoshë nga artileria angleze, dukej qartë se nuk kishin shpresë shpëtimi. Komandanti i skuadriljes gjermane Von Spee, u mbyt bashkë me dy djemtë e tij. Ekuipazhet gjermane u fundosën në abiset e Atllantikut pa kërkuar ndihmë, megjithëse anglezët bënë të pamundurën të shpëtonin të mundurit. Pyetjes së anglezëve se pse nuk pranuan të dorrëzoheshin, pak nga të mbijetuarit u përgjigjën se ishte një bindje e ekuipazheve dhe komandantit se donin ti tregonin anglezëve që flota gjermane megjithëse e re, ishte po aq e guximshme sa ajo britanike. Këtë quan bota, dinjitet.
Por duke lënë pas kategoritë estetike dhe rikthyer intervistës, Majkoja çuditej se si nuk është marrë njeri me Asamblenë që firmosi dorëzimin e kurorës së Skënderbeut, Viktor Emanuelit, duke bashkuar dy shtetet. Është quajtur asamble tradhëtare i nderuar, dhe vazhdon të quhet e tillë. Ata që firmosën këtë akt, megjithëse ishin antizogistë, nuk u rehabilituan dhe u quajtën tradhëtarë të atdheut. Bazuar në kontinuitetin logjik, i cili mbështetet në arsyetimin se ata që ndërtuan një shtëpi siç ishte shteti shqiptar, të cilën më vonë e shitën, nuk e meritonin të vlerësoheshin. Dhe vazhdojnë të jenë të tillë, deri sa ti kujtohet Sali Berishës ti rehabilitojë.
Duket se Majko në ligjëratën e tij ka harruar që e majta në historikun e saj fillon me Sami Frashërin, deri sa ka ardhur në atë parlamentare të Fatos Nanos dhe Edi Ramës. Ka kaluar të gjitha sëmundjet e saj: Idealiste të Luigj Gurakuqit dhe Zef Malajt, revolucionaren e Fan Nolit, koloboracionisten e Ali Këlcyrës, ekstremisten e Enver Hoxhës, duke provuar në lëkurën e saj persekutimet e kundërshtarëve dhe ato brënda llojit. Dhe ndër ata që e kanë vrarë e burgosur, hyn Ahmet Zogu. Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Riza Cerova e shumë të tjerë, u vranë nga Zogolli. Qemal Stafa me shokë u burgos. Por e majta asnjëherë të vetme, nuk ka pranuar që për hir të interesave të saj të ngushta ideologjike, të shesë interesat e vëndit. Asnjëherë të vetme nuk ka ardhur me bajonetat e të huajve në pushtet. E për këtë i takon të jetë krenare. Ndaj nuk ka pse të mirëkuptojë apo të flasë mirë për dikë që i ka punuar të zezën asaj dhe vëndit. Për hir të së ardhmes e majta mund të shikojë përpara, por nuk ka pse poshtëron veten duke i mbajtur iso Berishës. Frustrimet nga mungesa e ideve se si ta sjellin partinë më të madhe të vëndit në pushtet, nuk ju lejon liderëve të majtë të përdhosin historinë, fshehur identitetin dhe shpërfillur gjakun që ka derdhur ky rreshtim politik. Ca më keq, të lavdërojnë ata që i vranë.

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...