Kujtim Prodani prezantoi dje albumin e tij të tretë, “Shpirti i trazuar”
Ishte thjesht një dhuratë vetvetes, miqve, fansave. Nuk do t’ia dijë për tregun muzikor, për shijet e çorientuara, klikime në youtube… Ato nuk do ta ulnin kurrë në piano për të kompozuar. Për kantautorin Kujtim Prodani, artisti duhet të ketë një rol edukues, të përçojë atë çka ka mësuar gjatë jetës dhe i kanë mësuar mjeshtërit e muzikës. Këtë përpiqet të bëjë ai me albumin e tij të tretë, promovuar dje në ambientet e pub “Charls”, ku ishin mbledhur shumë miq të tij, për të shijuar një gotë dhe muzikë të mirë.
E ka titulluar “Shpirt i trazuar”, një album me 9 këngë, shumica të reja, që emocionalisht përkon me ndjesitë e vetë atij, por edhe me atë të dëgjuesit. “Jetojmë në një vend ku 24 orëshi është i mbushur plot me lajme të trishta, me kronikë të zezë, që e shfrymëzojnë artistin, e megjithatë është e pamundur të ndahesh nga përditshmëria, ashtu si edhe nga muzika. Dhe në këtë album të “trazuar” vijnë tematika nga më të ndryshmet, ka shumë dashuri, por ka edhe divorc, ka probleme sociale… Një lloj proteste e brendshme që ngre krye”, thotë kantautori, që në këtë prurje të tretë, për të cilën ka punuar plot 3 vjet, ka bashkëpunuar me autorë tekstesh, si Alda Bida, Anila Varfi, Arben Duka, Dhimitër Pojanaku e Armand Trebicka. Në këtë album ai u këndon femrave rebele (“Rebelja”), që sipas tij tashmë janë më të pavarura e nuk kanë nevojë më për një unazë për të jetuar. Një tjetër këngë titullohet “Digjem”, që kantautori ia lë publikun ta ndajë në digjet nga malli apo nga marazi. “Mirëmëngjes pa stres” është një urim drejtuar dëgjuesit. “Është bukur të jetosh në Tiranë, por në mbrëmje, kur dëshiron të bësh një bilanc, të ndërpresin zhurma e tmerrshme e një motori, e një makine plehrash….”. Më tej “Ti ishe kryevepër”, me tekst të Arben Dukës, “Shpirtin tënd dua”, një duet me të ëmën, këngëtaren Anita Take e që i kushtohet asaj çka e bën të bukur një njeri, shpirtit, “Pa ju jam asgjë”, kushtuar miqve të tij etj. I qëndron besnik baladës, pasi sipas tij ajo i jep më shumë dorë artistit, është më e dashur, më e bukur, më e ndjerë. Por temat i imponojnë edhe pak ritëm.
Jo për komerc
“Është një album delikat, që duhet dëgjuar 2-3 herë përpara se të japësh një opinion”, thotë Kujtim Prodani. Përpara se këtë album, punuar në studion e Ilirian Mihalit dhe shpërndarë nga “Albatrade Plus”, t’ia ofronte publikut, ia dha ta dëgjonin njerëzit e tij më të afërt. “Anita është kritike shumë e rreptë, por ajo e ka pëlqyer albumin. E ka dëgjuar disa herë, pastaj më tha: Më pëlqen. Kam pasur edhe sugjerime dhe unë jam gjithnjë i hapur ndaj tyre. Sa i takon dëgjuesit të parë, ai është taksisti, sapo dal nga studioja. Ai nuk di të më thotë se përse i pëlqen, por nëse i pëlqen, kjo për mua mjafton”… Këtë album, me shumë trazime ai e ka bërë për qejf të tij, nuk ka marrë parasysh trendet muzikore apo tregun. “Kjo është një dhuratë që i kam bërë vetes për ditëlindje, që e kisha në 12 mars, por edhe për miqtë dhe fansat e mi. Është një album që tregon shpirtin tim të trazuar në këtë periudhë. Nuk kam parasysh fare tregun, komercialitetin, sepse për mua një artist duhet të ketë një rol edukues. Ky album sjell muzikën e vërtetë, ka shumë dashuri, por edhe trishtim. Jam i bindur që dëgjuesit do gjejnë veten aty”.