2013-03-21

BRAHIM AVDYLI:Në ishullin e buzëqeshjeve tuaja

Brahim Avdyli ka lindur me 05.09.1960 dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, një vend me tradita kulturore dhe kombëtare. I takon plejadës së krijuesve të fundviteve shatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).

Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar. Ndër të parët u vu në krah të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Shtëpia e tij ka qenë bazë e UÇK.

Në mes viteve 1990-1995 ka botuar revistën periodike gjithëshqiptare në Zvicër „Qëndresa“, në të cilën ka qenë Kryeredaktor i saj. Ka kryer shkollën fillore „Ganimete Terbeshi“ në Morinë dhe në Ponoshec, sikurse gjimnazin „Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe në Gjakovë me rezultat të shkëlqyeshëm. Fakultetin Filologjik e ka kryer në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë, Drejtimi i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe me notën mesatare 8,11 dhe është Profesor i Letërsisë.

 Pas Universitetit ka kryer kursin pasuni-versitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Maradhëniet Ndërkombë-tare dhe Diplomaci dhe ka filluar studimet pasuniversitare në Universitetin e Strugës, Fakultetin e Shkencave Politike, Drejtimi poashtu i Maradhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomaci që i përfundoi dhe mbrojti temën e magji-straturës në lëminë e mërgatës shqiptare të Zvicrës.

Ai është poet i njohur shqiptar, shkrimtar e publicist. Ka kryer një varg kursesh të tjera profesionale të Gastronomisë, Informatikës dhe të përkthi-mit të gjuhës gjermane. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Lidhjes së Autorëve të Zvicrës (AdS) dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve Botëror Shqiptar






SOFRA JONË

Sa bukur jemi mbledhur
rreth zjarrit të fjalës
në këtë natë,

zhishkë pas zhishke
këngë pas kënge
lidhni të gjitha hallkat e dashurisë

e plafin e errësirës
si dora perden
Rrezja
ka për të mbledhur-

sapo të fekset në zemra
Agu i Përjetshëm!


Prishtinë, 1986.


MBIJETESA E VARGJEVE

Më të bukurat
humbën nëpër ndjekje-
bukurinë ua vodhën lubitë!

Më të zjarrtat
s’munda t’i mbaj-
zjarri i tyre përvëllonte kohërat!

Më të shtrenjat
si t’i nxjerr nuk pata-
bota qe mbushur plot kusarë!

Megjithate,
me ngjyrën e shpirtit
nëpër fletë gjurmët i lashë-

që të mos na shuhet Emri!...


PËRTEJ AKERONTIT


E tërë jeta ime dënimit i ngjanë-
pranë syve kalon gëzimi dhe s`e mbërrij,
pranë gojës kalon jeta dhe s`e shijoj,
përpara shëtit e vërteta dhe s`më njeh,
anash gjallëron bota dhe s`më sheh,
prapa kurrizit bie fati, dhe s`më merr...

E tërë jeta ime një tmerri i ngjanë,
edhe pse kështu nuk vendosën hyjnitë
se vetë më dhanë ata brumin e zemrës,
demonët më vodhën një ditë pabesisht
e më shpien të lidhur përtej Akerontit...

Më lanë përherë në një vorbull deti-
as i mbytur isha, as i shpëtuar;
më lanë të vetmuar në një maje mali-
plot thirrje kisha, por i padëgjuar;
më mbyllën thellë në një shpellë guri-
pranë e kam zjarrin e dridhem vazhdimisht

i syrgjynuar së gjalli, ja kështu, në ferr-
shpirtin plot dritë e përrreth vetëm terr!


Dritë e ndezur


Kur do t’ju shoh ashtu siç dua
o fushat e helmit tim
kur, se plasa duke shpënë
dheun tuaj
gjyqeve të botës

duke jua thithur helmin
nëntorëve të vrarë mbi ju

duke jua njomur
kokrrat e plasura
me nga një currill fjalësh…

Po kur moj do të vijë festë maji
e të çelë hapësirave tua
dhe të mbetet
Dritë e Ndezur

tash o kurrë,
tash o kurrë, heu…!!

Fëmijët e mi 


1.
Portreti juaj
e rrah babin kudo nëpër botë-

sytë tuaj
me pritjen e stepur
e hapësirat e uritura nën qepalla…

2.
Në çdo mendim
në çdo hap më lidhet
molisja fëmijërore e përcjelljeve
dhe lëmshi i qindra pyetjeve
të papërgjigje!

Ore fëmijë!
Kur pat babi aq kohë
t’u përgëdhelë

Do të vijë dita
e do të më mbledhni cukla-cukla
nëpër rima nëpër shtigje-

dhëntë fati e të mbërrijmë
në ishullin e buzëqeshjeve tuaja!


Kuajt  e hazdisur


Me zgjebën e turpit
e pak kaltërsi të imagjinuar
mbi lëkurë
hazdisen rrugëve

Nga një yll i zverdhur
rremat e thyer
mbi kablosh u lëvar
e kobin e egërsisë
troklodhjne mbi dhe…

Kujdes thnegla, lule, bimë
kaujt e hazdisur po vijnë!

Pasqyra Mitike


Njeriu është pasqyrë
në të cilë shikohet
Jeta,

e jeta një pasqyrë
ku shikohet bota…

Imzot,
kur s’është pamja e bukur
kush i ka fajet?!


Një Letër E Pazakonshme


I.

E shkruaj këtë letër
Në mënyrë të pazakonshme:

Në vend të fletës
faqet e zhubravitura të fatit

Në vend të lapsit
kazma e lodhur

Në vend të shkronjave
gufimet e gjakut

Në vend të shenjave
barrierat e jetës!

II.

Dramën time të përditshme
s’ta dëshiroj biro,

Se ëndërrat që mbolla per ty
s’u rritën

Me dritare të mbylluara
në vazon e ditëve…!


Qiellit të fëmijërisë


Qiellit të fëmijërisë
kuçedra kulloste
tufën e reve

Nëna prore tirrte
shtëllungat e fantazisë
dhe zgjaste perin e rrëfimeve për te

Lëkundej vendit me ta zënë në gojë
pështyente anash në fund të rrëfimit:
-Pfu ! E hëngërt ujku të mallkuarën!

Unë stukesha në dhomë
sa herë e mallkuara gjuante
ushtat e vetëtimave

Mezi kam pritur Dragoin
të zbrazë mbi të
topin monstruoz të murmurimave!

Xixëllimë e shkelur


Fluturoj mbi ty Kosovë
e të shoh për së shtriri

Të lash
poshtë aq poshtë
sa s’njiheshe

nën këmbët e stuhive
dhe jorganit frymëzënës
të mjegullave !

Kështu,
kurrë s’të kam lënë-

Xixellimë e shkelur…!


Përsëri për Nënën


Je mblakur nga Dhembjet
Përtërirë nga Lindjet

Por kurrë s’të shterri Dashuria !




Përgatiti:Flori Bruqi

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...