Enver Robelli
Historia e shqiptarëve është një oscilim mes Lindjes e Perëndimit. Këtë rrugëtim e përshkruan në librin e tij më të ri historiani Oliver Jens Schmitt. Publikut i ofrohet një doracak me informata themelore dhe interpretime përtej miteve të propaganduara nga nacionalhistorianët shqiptarë
Pas studimit “Shqipëria venedikase” dhe autobiografisë së parë gjithëpërfshirëse të Skënderbeut, historiani Oliver Jens Schmitt para pak muajsh, bashkë me historianin gjerman Konrad Clewing, edituan një libër të vëllimshëm (839 faqe) mbi historinë e Evropës Juglindore. Kjo vepër përmban artikuj shkencorë të historianëve tash për tash më kompetentë nga hapësira gjermanofolëse mbi Evropën Juglindore dhe ka gjasa të bëhet pikë reference për çdokënd që interesohet për historinë e kësaj pjese të kontinentit të vjetër. Por zelli i Oliver Jens Schmittit nuk ka të ndalur. Këto ditë profesori i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës vjen para publikut me librin e radhës, i cili nuk është aq i vëllimshëm (i ka “vetëm” 186 faqe). “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit” quhet vepra më e re e shkencëtarit zviceran, e cila është publikuar nga shtëpia “C.H. Beck” e Mynihut. Libri i drejtohet një publiku të gjerë, për këtë arsye edhe stili i shkrimit është më i lehtë, një publicistikë historike e kuptueshme edhe nga ata që për herë të parë synojnë të marrin informata më thelbësore mbi shqiptarët në Ballkan.
Në këtë libër që vjen tamam në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në katërvjetorin e pavarësimit të pjesshëm të Kosovës Schmitt është përpjekur ta vendosë historinë shqiptare në një kontekst ballkanik dhe jo ta trajtojë ndaras nga zhvillimet në rajon. Për nacionalistët shqiptarë disa interpretime e fakte, përfundime dhe zbulime të Schmittit mund të konsiderohen si provokime, por do të ishte fatale që për librin të flasin ata që nuk e kanë lexuar. Kjo ka ndodhur tashmë me autobiografinë e Skënderbeut të Schmittit, kur autori u sulmua nga nacionalhistorianët dhe nacionalshkrimtarët shqiptarë, ndonëse shumica nuk e kishin lexuar librin. Kështu u zhvillua një “debat alla shqiptarçe”, ku flitej për sedrën nacionale dhe jo për faktet.
Për një revistë shkencore do të ishte e udhës që libri më i ri i Schmittit të prezantohej në mënyrë kronologjike, duke filluar nga zanafilla e historisë së shqiptarëve deri në ditët e sotme. Por meqë ky tekst i dedikohet një publiku të gjerë, e shoh më të përshtatshme që vështrimi për librin të jetë retrospektiv, domethënë duke filluar nga ditët e sotme deri te shpellat e historisë. Në kapitullin e fundit, i cili është një epilog, Schmitt përmend në mënyrë telegrafike zhvillimet e mëdha që kanë përfshirë viset e banuara me shqiptarë që nga viti 1989 deri më sot. Fjala është për ndryshime epokale (pavarësimi i Kosovës), kthesa historike (anëtarësimi i Shqipërisë në NATO), dëshpërime kolosale (shkatërrimi i shtetit si pasojë e rënies së sistemit mashtrues financiar-piramidal në Shqipëri më 1997). Sipas Schmitt-it të gjitha këto zhvillime viteve të fundit kanë çuar në hapjen e shoqërive shqiptare, të cilat sot mund të quhen shoqëri transnacionale. Revolucioni i internetit e ka lehtësuar komunikimin mes shqiptarëve në Ballkan dhe ka mundësuar një debat shpesh kaotik dhe emocional panshqiptar. Shikuar vetëm pozitivisht shqiptarët, sipas Schmitt, kurrë nuk kanë pasur më shumë pushtet se sot në Ballkan. Përpjekja serbe për spastrimin e Kosovës prodhoi efektin e kundërt: mbi 100 mijë serbë ikën apo u ndoqën nga Kosova. Shqipëria dhe Kosova janë shtete pothuaj homogjene shqiptare; shqiptarët në Maqedoni kanë arritur me armë të fitojnë statusin e popullit të dytë shtetformues. Këtu përfundon vështrimi pozitiv i Schmittit. Në vazhdim ai i përkushtohet deficiteve të shoqërive shqiptare. Kosova mbetet shtet i papërfunduar për shkak se nuk e kontrollon pjesën veriore të saj; atje ekziston një sundim paralel serb. Po ashtu Kosova mbetet e varur politikisht nga SHBA-ja dhe kjo nënkupton ndërhyrje të drejtpërdrejta në politikë (shembulli i zgjedhjes së presidentit më 2011) dhe kontrollit të degëve të rëndësishme të ekonomisë.
Sa i përket Shqipërisë, Schmitt me të drejtë i vë në thonjëza “demokratët” dhe “socialistët”, dy parti që e mbajnë të bllokuara vendin. “Këto nuk përfaqësojnë ide konkurruese politike, por grupe biznesmenësh, të cilat luftojnë për kontroll të resurseve, gjë që shpjegon në mënyrë thelbësore ashpërsinë e pazakonshme dhe mungesën e gatishmërisë për kompromis në politikën shqiptare si dhe dobësinë e institucioneve shtetërore”, shkruan Schmitt. E përbashkëta e politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës është prirja që me retorikë nacionale të gëlqerosin e mbulojnë problemet sociale, ekonomike dhe ekologjike. “Shqipëria dhe Kosova”, sipas Schmitt, “po përjetojnë një periudhë krize të thellë ekonomike dhe shoqërore: deindustrializim, regres i bujqësisë, ekonomi pothuaj e pamekanizuar, monopol fragjil i pushtetit shtetëror (ringjallje rajonale e Kanunit dhe gjakmarrjes), ripatriarkalizëm i raporteve gjinore, ndotje masive dhe shkatërrim i ambientit (prerje pyjesh, ndërtime ilegale në bregdet), ndërtime pa plan dhe rritje e pakontrolluar e dy qendrave të përqendrimit të madh të popullsisë (Tiranë-Durrës, Prishtinë) dhe njëkohësisht shpopullim i fshatit, kriminalitet në rritje dhe shumë sulme të mafies të pasqaruara kurrë. Si në kohërat osmane vetëm familja ofron mbështetje dhe siguri, ndonëse veçanërisht në Shqipëri migrimi masiv e ka dobësuar këtë lidhje”.
Tragjedia është se të gjitha këto që Schmitt këtu i përmbledh me saktësinë e shkencëtarit, shqiptarët i dinë dhe i jetojnë për çdo ditë, por nuk po gjejnë ende forcë të bëjnë ndryshime pozitive. Schmitt e sheh burimin e problemeve edhe te diktatura dhe lufta, të cilat i kanë traumatizuar thellë shoqëritë shqiptare, por ato ende nuk po gjejnë gjuhë për t’i emëruar lëndimet. Në Kosovë përkujtohen vetëm heronjtë, por jo edhe viktimat e poshtërimit, dhunë fizike dhe seksuale, arratisjes dhe përndjekjes, në Shqipëri e kaluara diktatoriale nuk është trajtuar ende dhe çdo debat përmbytet në kacafytjet politike. Demokracitë e dobëta në Kosovë dhe Shqipëri gjithnjë e më shumë po joshen nga Turqia derisa vëzhguesit shqiptarë të orientuar nga Perëndimi të shqetësuar e shikojnë strategjinë neoosmane të Ankarasë. Sërish shqiptarët ndodhen mes Evropës dhe Lindjes së Afërt, shkruan Schmitt, aq më tepër që elitat e korruptuara dhe autoritare shqiptare mund të presin më shumë mirëkuptim nga Ankara se sa nga Brukseli. Afërsia me turqit dhe jo me evropianët perëndimorë për shqiptarët është më e lehtë për shkak se shoqëritë shqiptare pas vitit 1912 nuk janë shkëputur kurrë nga trashëgimia orientale. Megjithatë, një fije shprese ekziston: gjallëria e rinisë shqiptare! Po ashtu, sipas Schmitt, në diasporë është rritur një gjeneratë e arsimuar mirë, e cila për shkak të kundërshtimit të elitave rajonale nuk ka arritur ende ta plasojë dijen dhe socializimin demokratik-pluralist në shoqëritë shqiptare.
Historianët shqiptarë shpesh janë të prirë të flasin për kombin shqiptar që gjoja ka ekzistuar edhe në kohërat kur s’kishte as komb gjerman, as francez, as italian. Ka edhe skribomanë që albanizojnë gjithçka, përveç Jezu Krishtit. Oliver Jens Schmitt mendon se nocionet “lëvizje kombëtare” dhe “Rilindje”, të përdorura në kontekst të shekullit XIX, në rastin e shqiptarëve janë të pasakta. “Rilindje” nënkupton se kombi si i tillë ka ekzistuar njëherë dhe tani po kthehet triumfalisht në arenën politike. Por para vitit 1912 komb politik shqiptar nuk ka ekzistuar, shkruan Schmitt. Po ashtu nuk ka pasur një lëvizje unike, me zhvillim linear dhe numerikisht e zgjerueshme me qëllime të qarta. Para se të piskasin nacionalromantikët shqiptarë të theksojmë menjëherë se Schmitt e hedh poshtë tezën se shqiptarët janë komb i vonuar. Sipas tij, aktivistët kombëtarë shqiptarë u shfaqën jo shumë vonë pas aktivistëve grekë apo serbë. “Shqiptarët nuk janë komb i vonuar, ata vetëm më vonë krijuan shtetin e tyre, i cili përmes shkollës dhe ushtrisë zhvilloi politikë identitare dhe kështu në brendi krijoi kombin modern”. Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo kombi, por përkatësia fetare ishte primare. Ashtu si sot në Kosovë kur bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ndërtojë një komb (“nation-building”) edhe para 120-130 vjetëve diplomatët austriakë dhe hungarezë, por edhe shkencëtarët zhvillonin përpjekje për të krijuar kombin shqiptar. Në Evropën Perëndimore interesi për shqiptarët u shtua me shfaqjen e Ali Pashë Tepelenës; në këtë qark u shkruan edhe fjalorët e parë shqip-greqisht.
Një meritë të veçantë për përhapjen e shkrimit shqip e ka sidomos Shoqata Biblike Britanike (protestante), me ndihmën e së cilës në vitin 1827 në Korfuz u botua një përkthim në shqip i Dhjatës së Re. Schmitt shkruan se është domethënëse që një përkthim protestant i Biblës të karakterizojë në mënyrë vendimtare zhvillimin gjuhësor të një populli me shumicë myslimane. Në formësimin e kombit shqiptar ndikuan arbëreshët, të cilët ishin të inspiruar nga Risorgimento (Rilindja) italiane, mendimet e grekëve për kombin dhe kulturën, të ndërmjetësuara nga arvanitasit, idetë kombëtare franceze, të ndërmjetësuara nga shkollat e reformuara osmane dhe akademitë ushtarake. Rezultati i këtyre zhvillimeve nuk ishte një lëvizje kombëtare ekspansioniste, por defensive. Schmitt përqafon mendimin e shkencëtares franceze Nathalie Clayer se idetë e para për përmbledhjen e të gjithë shqiptarëve në një provincë osmane ishin formuluar nga bektashinjtë dhe ortodoksët e jugut të Shqipërisë. Edhe në Programin e Lidhjes së Prizrenit idetë nacionale u inkorporuan nga aktivistët jugorë, jo nga veriorët, madje këndej Bjeshkëve të Nemuna ideja e një populli shqiptar, sipas Schmitt, nuk gjeti mbështetje të gjerë deri në vitin 1912. Edhe historia e krijimit të alfabetit të gjuhës shqipe nuk është aq idilike, siç paraqitet nganjëherë nga shkencëtarët shqiptarë. Alfabeti me shkronja latine u miratua kundër rezistencës së ashpër të klerit mysliman. Përhapja e ideve kombëtare shqiptare ishte një ndërmarrje tejet e vështirë, madje rreth vitit 1900 Perandoria Osmane ndaloi përdorimin shkrimor të shqipes. Gjuha shqipe, sipas pikëpamjes osmane, mund të dëmtonte besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë. Një pozitë të veçantë në mbështetjen e ideve kombëtare shqiptare, sipas Schmitt, e luajtën albanologët evropianë, e sidomos ata nga hapësira gjermanofolëse.
Përmes disa “biografive perandorake” historiani Oliver Jens Schmitt tregon në librin e tij “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit” se si përziheshin dhe ndërlidheshin osmanizmi, nacionalizimi shqiptar dhe ndikimet perëndimore në shoqërinë shqiptare. Schmitt përmend struganin Ibrahim Temo, i cili – ndonëse ishte luajal ndaj Perandorisë Osmane dhe përpiqej të konsolidonte opozitën osmane – nxiti tendencat nacionale shqiptare në diasporën në Rumani, pastaj Hasan Prishtinën, i cili fillimisht ardhmërinë e shqiptarëve myslimanë e shihte në Perandorinë Osmane, e cila do të ofronte mbrojtje nga Serbia. Më vonë Hasan Prishtina shkëputi lidhjet me osmanët në shenjë proteste kundër një ekspedite të tyre ndëshkuese në malet shqiptare dhe synoi një aleancë shqiptaro-bullgare kundër Serbisë. Si etër të kombit shqiptar Schmitt i sheh vëllezërit Frashëri, veçanërisht Sami Frashërin, i cili jo vetëm ishte aktivist kombëtar shqiptar, por si Shemsedin Sami ai shkroi romanin e parë në gjuhën turke dhe një fjalor themelor turqisht-frëngjisht. Nga ana tjetër: i biri i Sami Frashërit zgjodhi identitetin turk dhe qe kryetari i parë i ekipit futbollistik Galatasaray Istanbul. Një vëmendje të veçantë Schmitt i kushton Eqrem Bej Vlorës, shqiptarit që si ndoshta asnjë kohanik i tij jetoi në botën osmane dhe atë perëndimore, la kujtimet e tij në gjuhën gjermane, rridhte nga një familje, e cila kishte një kryevezir, u edukua në Stamboll dhe në gjimnazin elitar të Vjenës “Theresianum”, pastaj me përkrahje austriake dhe hungareze ai veproi si nacionalist shqiptar, njëkohësisht Sulltani e dërgoi në hapjen e hekurudhës mes Mekës dhe Medinës (1908). Eqrem Bej Vlora u martua me një damë myslimane, por mbajti një lidhje të ngushtë edhe me publicisten bavareze Amelie von Godin, me të cilën ai publikoi vepra shkencore. “Beu i arsimuar mirë zotëronte persishten, gjermanishten dhe frëngjishten, ishte osman dhe nacionalist shqiptar në një person, ishte shkrimtar me arsimim evropian, por edhe përfaqësues i bejlerëve antireformator dhe më vonë përkrahës i fashizmit italian”, shkruan Schmitt.
Sipas Schmitt shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë nuk ishte një përfundim madhështor i një zhvillimi të gjatë, por një akt dëshpërimi pa alternativë. Pse? Arsyeja duhet kërkuar në Shqipërinë e epërme. Kryengritësit shqiptarë më 1912 çliruan Shkupin dhe kështu u krijuan rrethanat për krijimin e një Shqipërie autonome në Perandorinë Osmane. Schmitt mendon se sikur të mos kishin ndërhyrë fuqitë ballkanike Shkupi sot do të ishte kryeqytet shqiptar. Të ndarë e të përçarë, shqiptarët u shndërruan në top loje të fuqive ballkanike dhe evropiane; aventurierë të llojllojshëm synonin fronin shqiptar, politikanë shqiptarë me mendësi anadollake nuk dinin ç’duan për popullin e tyre. Në fund ishte kërcënimi me luftë i Austro-Hungarisë dhe qëndrimi antiserb dhe antigrek i Italisë që ia siguruan Shqipërisë mbijetesën. Themelimi i Shqipërisë, sipas Schmitt, është suksesi më i dukshëm i politikës së jashtme austrohungareze. Ky sukses kishte shumë mangësi, pasi që një pjesë e madhe e shqiptarëve dhe territoreve të banuara prej tyre mbetën jashtë shtetit të sapopavarësuar. Këto territore i mbajtën Serbia dhe Greqia.
Me fjalët e Luigj Gurakuqit:
“Na i morën qytetet dhe na i lanë malet, na e morën Dibrën dhe na e lanë malësinë, na e morën Gjakovën dhe na e lanë malësinë, kështu ne i përngjajmë një trupi pa kokë”.
Shqipëria e viteve 10-të, 20-të dhe 30-të e shekullit XX ishte një arenë kaotike. Kastat sundimtare në Tiranë shumë shpejt u pajtuan me mbetjen e Kosovës dhe viseve të tjera jashtë Shqipërisë. Tek në vitin 1918 në Shkodër u themelua Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës. Shumë refugjatë shqiptarë nga Kosova, sipas Schmitt, filluan të ndërhyjnë në politikën shqiptare, të ndikojnë që ajo të jetë më aktive në mbështetjen e lëvizjes kaçake në Kosovë. Kjo ngjalli frikën e dominimit të gegëve në Shqipëri dhe për këtë arsye nuk kishte shumë mirëkuptim për luftën e kosovarëve. Një politikan nacionalist i Shqipërisë së jugut kishte thënë: “Toskët nuk e duan Kosovën”. Lëvizja për Çlirimin e Kosovës u dobësua nga represioni serb dhe nga armiqësia e politikanit Ahmet Zogu kundër aktivistëve kombëtarë kosovarë, disa prej të cilëve Zogu dha urdhër të vriten. Zogu konsiderohej vasal i Jugosllavisë mbretërore, me ndihmën e së cilës kishte ardhur në pushtet, duke e rrëzuar Qeverinë e Fan Nolit, i cili kishte simpati për lëvizjen bolshevike sovjetike.
Kjo është njëra anë e medaljes së sundimit të Zogut. Ana tjetër është e ndritshme: Schmitt konstaton se duke marrë parasysh në çfarë gjendjeje e kishte trashëguar Shqipërinë Zogu bëri mjaft për t’i vënë bazat e shtetit shqiptar, duke themeluar një administratë dhe duke vënë nën kontroll komunitetet fetare (sipas shembullit të Ataturkut në Turqi). Më 1937 Zogu kishte arritur që pa presion, por me argumente të nisë procesin e çshamizimit (heqjes së shamive, gjermanisht: Entschleierung). Megjithatë, shoqëria shqiptare nuk po homogjenizohej siç ishte pritur, madje poeti Gjergj Fishta kishte kërkuar krijimin e një kantoni katolik, një mysliman dhe një ortodoks. “Prej bujqve të uritur, analfabetë dhe politikisht apatikë nuk mund të krijohej një komb modern”, shkruan Schmitt. Zogu ishte një imitues shpesh edhe qesharak i Perëndimit. Atij i pëlqente kulti i gjimnastikës i Musolinit dhe pasi kishte dështuar të martohej me një femër nga shtëpia mbretërore e Italisë ai lidhi kurorë me një hungareze. Nën regjimin e Zogut shqiptarët myslimanë duhej të mësoheshin t’i pranonin bashkëkombësit e tyre të krishterë si të barabartë.
Mes viteve 1945 dhe 1990 shqiptarët në Ballkan jetuan nën sundimin komunist, por me dallime të mëdha. Komunizmi shqiptar i përngjante romanit “1984” të Orwellit, që nënkuptonte kontrollin e trupave dhe shpirtrave të njerëzve nga Partia e Punës e Shqipërisë. Ky sundim rezultoi me degjenerimin total shpirtëror të njeriut të ri socialist, duke ia ndaluar të mendojë kokë më vete, duke mos pasur të drejtë të shprehë ndjenjat fetare, duke e varfëruar dhe poshtëruar deri në varr. Shqiptarët nën sundimin jugosllav fillimisht iu nënshtruan represionit brutal nga regjimi i Titos, por pas vitit 1966 (largimi i Rankoviqit) filluan disa ndryshime që kulmuan me autonominë e Kosovës të vitit 1974. Megjithatë, zhvillimi arsimor i Kosovës nuk eci si duhet, së paku jo sa i përket cilësisë. Schmitt mendon se Universiteti i Prishtinës sidomos në vitet 70-të prodhoi më shumë proletariat akademik se sa që nxori kuadro të afta që drejtojnë administratën. Pasojat e këtij zhvillimi negativ duken ashiqare edhe sot. Schmitt e quan Jugosllavinë e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore si shtet totalitar të dhunës që imitonte Stalinin. Megjithatë, dallimin e madh mes strukturave shoqërore në Shqipëri dhe Kosovë e shkaktoi mundësia e kosovarëve për emigrim në Evropën Perëndimore. Thënë më shkurt: derisa banori i Shqipërisë vuante për bukë, në Kosovë në vitet 70-të dhe 80-të debatet familjare silleshin edhe rreth temave të konsumit: kush e ka aparatin televiziv më të mirë, radion apo lavatriçen?
Në vijim edhe disa detaje nga libri më i ri i Schmitt-it. Historiani zviceran hedh poshtë tezën e shkencëtarëve serbë se shqiptarët masivisht kanë ardhur në Kosovë nga shekulli XVI.
“…Nuk ka pasur ardhje masive shqiptare, për më tepër që nga Mesjeta vinin fise nga malet, të cilët dëshironin t’i iknin varfërisë dhe rasteve të gjakmarrjes; për arsye krejt të njëjta edhe pjesëtarët e fiseve malazeze erdhën në Kosovë, domethënë: ardhja në Kosovë nuk ishte e kufizuar në një grup etnik”.
Në përgjithësi Schmitt konstaton se historia e shqiptarëve është histori migrimi deri në ditët e sotme. Migracioni i ka shndërruar shqiptarët që në Mesjetë në shoqëri transnacionale. Rreth vitit 1850 në Stamboll punonin nja 6 mijë punëtorë shtegtarë nga Epiri dhe Shqipëria jugore. Në fillim të shekullit XX në Kurvelesh si pasojë pozitive e emigrimit shumë më tepër njerëz, edhe gra, dinin shkrim-lexim, në krahasim me malësorët. Shqiptarët nuk ishin vetëm punëtorë, por edhe mercenarë. Schmitt i krahason ata me mercenarët zviceranë, të cilët në Mesjetën e vonshme luftonin nëpër Evropë. Shqiptarët ortodoksë shërbenin në kalorësinë e lehtë të Venedikut, kurse komandant i gardës zvicerane të Papës një kohë kishte qenë një shqiptar me emrin Konstantin Araniti. Me gjasë ky ka qenë i vetmi shqiptar që ka qenë shef i zviceranëve në histori. Zakonisht dhe bazuar në historinë e migracionit shqiptar në Zvicër në 50 vitet e fundit situata paraqitet ndryshe: shef është zvicerani, punëtor shqiptari.
Natyra e kolumnës nuk e lejon një vështrim më të gjatë për librin e Schmitt-it. Detaje të tjera do të gjejnë vend në shtojcën e kulturës të “Kohës Ditore”, në numrat e ardhshëm. Dy fjalë në fund sa i përket prejardhjes së shqiptarëve: Schmitt është skeptik se shqiptarët rrjedhin nga ilirët, sepse për këtë, sipas tij, nuk ka dëshmi, përveç interpretimeve supozuese dhe dëshiruese të shkencëtarëve shqiptarë. Por për autorin një gjë është e sigurt: shqiptarët janë një populli i lashtë ballkanik, nuk janë ardhacakë në këtë rajon. Ndonëse vendas dhe në kontakt me grekë e italianë, më vonë edhe me sllavë, shqiptarët nuk u dëshmuan si të zellshëm në organizimin shtetëror dhe kulturor. Orientalisti dhe publicisti austriak Jakob Philipp Fallmerayer para 150 vitesh ishte bërë i njohur me tezën e tij se grekët antikë janë zhbërë nga faqja e dheut në Mesjetë dhe këta të sotmit, që thonë se janë grekë, në fakt janë sllavë dhe shqiptarë të helenizuar. Për këtë mendim Fallmerayer edhe sot urrehet jo vetëm në qarqet akademike greke.
Në lidhje me shqiptarët Fallmerayer kishte shkruar se nuk janë komb kulturor,
“madje në fushën mendore gjatë ekzistencës së tyre që mbushi një mijëvjeçar nuk dhanë asgjë dhe sollën dëshminë e gjallë se një popull mund të jetojë (…) edhe pa shkencë, edhe pa art, bile edhe pa alfabet dhe mund të ruajë të patëholluar fuqinë e tij burimore madje edhe mes popujve shumë të arsimuar. (…) Shqiptarët gjithkund i brohorasin ngecjes (…) dhe konservatorizmit të ngurtë siç e kupton atë vetëm orienti i palëvizshëm dhe i ngurtësuar në vetvete. Shqiptarët kudo ku kanë mundur të zhvillojnë lirshëm natyrën e tyre njerëzore janë egoistë, kryengritës, dembelë, bile edhe si të krishterë janë të tmerrshëm. (…) As në politikë, as në shkencë ky popull deri në ditën e sotme nuk ka pasur një mendim të përbashkët dhe duket se shqiptarët nuk e kanë ndier të nevojshme të depërtojnë përtej horizontit të kufizuar të familjes dhe klanit, të fitimit personal, të dobisë personale, të keqdashjes dhe hakmarrjes. Shqipëria është vendi i mendjeve të shkurtra, magazinë e fuqisë fizike, një vend që vullnetarisht nuk i nënshtrohet as vetes as të tjerëve; Shqipëria është element që përherë mohon dhe ku anarkia dhe paligjshmëria janë si të thuash shpirti dhe fryma e jetës”.
Fjalët e Fallmerayerit përjashtojnë çdo kundërshtim, prandaj mund të tingëllojnë të rënda. Por, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 4-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës shqiptarët është mirë të mendojnë për këto fjalë, sepse zor mund të thuhet se Fallmerayer nuk ka pasur fare të drejtë.