2013-03-21

Unë i dalloj që janë ende poetë...








Riza Lahi ka lindur në Shkodër në 16. 01. 1950. Për 30 vjet ka shërbyer si pilot në Forcat Ajrore, gazetar në shtypin ushtarak, si dhe pranë zyrës së OSBE - së në Tiranë. Përveç çmimeve letrare të fituara në nivele të ndryshme në Konkursin Kombëtar 1994 ka fituar çmimin e parë të letërsisë për fëmijë. Pjesë nga veprat e tij janë botuar në SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni, Kosovë, Iran, dhe së fundi në Indi. Lahi është anëtar i Shoqatës Botërore të Poetëve.



RIZA LAHI (Ish-pilot, shkrimtare, poet, perkthyes, publicist) - Sead CEna gazetar





RIZA LAHI (Ish-pilot, shkrimtare, poet, perkthyes, 


publicist) 

POEZI TË RINISË SË PARË NGA RIZA LAHI










MOJ NËNË

Moj nënë, shpesh më thua: “Po, lëri tash vjershat
Po lodhesh, dëshpërohesh, s’tu botua asgjë!”
Po, prap rri me mua dhe me llampen e ndezur
Tek grindem me vete gjer më dymbëdhjetë a më një

Kur nxitoj për shkallësh drejt marrshimeve të gjata
Lehtë – lehtë , si mbaron tëra punët e shtëpisë
I mbledh fletët e mia të shkruara e të bardha
Dhe lehtë i ujdisë tek syndyku i nusërisë
1971, Shkodër



ÇVIT - ÇVIT

Jo rrallë ulem te lulet
e shplodhem i menduar...
...Sa shumë dallandyshe
në vapë shpërthejnë tër’ gaz:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Ca vërtiten mbi mua,
sa u shoh sytë e zgjuar...
Pastaj shkojnë tutje - tutje...
Papritur kthehen prap:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Po, pse, sa herë i shoh
Diçka më bien nga ti
Ma lënë diku këtu
S’arrij t’i falënderoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Diçka nga shkumbë e detit
Diçka kur nxiton ti
Diçka nga qeshja jote
Me mëndje bëlbëzoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!


Në gjumë të parë, nga qielli
Më vijnë gjith’ dallandyshet,
Në mes tyre, dhe ti
Me një palë krahë si tyret:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Më lidh një shall te gusha,
Më kruhesh te qerpikët...
Dhe...i rreh krahët e ikën
Me një këngë dallandyshesh

Çvit – çvit, - çvit – çvit !


1978, Tirane



PEISAZH NËN KALANË E SHKODRËS


Rrjedh Buna, rrjedh ëmbël, rrjedh shtruar, menduar
Drejt gjoksit të leshtë të Drinit të rrëmbyer...
Një vajzë me buzën e lehtë të Mona Lizës
Nga libri i saj një faqe ka kthyer

Pulëbardhat i sillen përqark dhe asaj
Dhe Bunës, që plagë po më çelin pa faj...
Dhe Bunës... Ky Drini për beli përfshin
Stolirat dhe ojnat vajërore të saj.

Si plagë trëndafilash këto buzë buzë Bunës...
Ç’lexojnë mbi libër këto vetulla si shtiza?
Mes lotëve të shelgut i heshtur rri unë
Mes lotëve të shelgut buzëqesh Mona Liza.

Po, kush do t’i puthë pa i vrarë ato buzë
Fare lehtë...sa një fllad...jo si Drini lugat
Por ...vajza me dorë thërret djalin e saj
Dhe Buna shkujdesur po shkon për në shtrat.

Këto plagë, pse m’i çelën dhe vajza dhe Buna
Pyes vete dhe buzën kafshoj gjer në asht...
Pulëbardha krahëbardha fluturojnë drejt bedenave
Zemërbardha kridhen në qiellin e lashtë...
1980


POEZI TË VITIT 2010

SULMI QË NUK I REZISTON ASKUSH


Ujrat ecin qetë
Shtruar, si një jare e lashtë

Pranvera po afron

Pulëbardhat sulen pingul
Njëra pas tjetrës
Në këtë spektakël të heshtur dhe
Pafundësisht të bukur

Pranvera po afron

Një peshkatar e hodhi sërish në ujë cironkën e vogël
Ai është rritur me muzikës ujrave
Dhe është kaq i dhimbsur për këtë cironkë
të vockël sa një flutur e bardhë

Pravera po afron

Ujrat po ulen ngadalë
Dhe shelgjet
Po presin qetësisht sa të rrethohen nga bari i madh dhe grafullonjës


Pranvera afron
Duke ndryshuar gjithëçka ëmbël, bukur, pa zhurmë
Njerëzit i hoqën vetë palltot e dimrit që i shtërngonin aq shumë nëpër dimër
Dielli i fton të gjithë të këndojnë
Kur të duan,
si të duan,
sa të duan,
vetëm të duan dhe
sipas zërit të tyre

Ky është sulm.

Edhe ky është sulm

Është sulmi i bukur i pranverës.


22 – 23 mars 2010, Tiranë



ÇFAR MË KA MBETUR NGA SHKODRA IME


Të vetmet që më mbetën nga Shkodra ime
Janë këto këngë
Këto shkodranet e mia të gjalla, të bukura dhe që ecin duke spërdedhur belin
Si një grup biblilash pylli.
Këto këngë
që vijnë qënga blirët e gjimnazit, piaca, vështrimet e ngulura te një dritare
dhe më rrëmbejnë nga kthina ime ku shkruaj....

Nisem për Shkodër.

Askush nga këta djem nuk e di se kam qënë dikur si ata
Se e kam dashuruar para tyre ”Motrën Tone”;
Para tyre si i çmëndur
Kam ndënjur me orë të tëra pa u ngirë para saj
Ata flasin për sex ndërsa
Para tyre shkojnë vajza gjysëm të çveshura
Ata se dijnë se i gjallë në botë nuk kisha ardhur këta çaste nëpër Shkodër
Po të mos më rrëmbenin këto këngë
Që rinia ka nisur t’I harrojë
Të harrojë edhe Motrën
Që unë e kundroja me orë të tëra
Megjithse ajo ishte e mbuluar
Po plot zjarr
Si shkodra ime
E cila nuk e di
Përse më rri kaq larg

Dhe këto lotë që vijnë qënga rinia ime.

28 tetor 2010


JESHILNAJË...

Zogj me pendë të jeshilta
Shelgje jeshil
Me flokët e mrekullueshëm të jeshiltë
Që përkulen mbi ujrat jeshil
Dhe ujrat e jeshiltë ende flënë
Si një vajzë e bukur
Që i janë hapur mbi jastëk e argjentë
Flokët e jeshiltë të shelgjeve

Mes barit të jeshiltë
Vajzat më të turpëshme dhe më kokëulurat e botës
- disa lulevjollca.

Ora 07.00 , 22 mars 2010, buzë vënndit ku Buna ndahet përj së ëmës, liqenit...


PRANVERË

E shoh pranverën...

Te lulet e çelura
Te bilbilat e rinj që këndojnë ngado
Te vërshimi i dallëndysheve, tollumbaceve dhe
Te rekrutët që pagujanë ryshfet
Për në Afganistan dhe Irak
Të marrin apo të lënë kokë
atje.

Tiranë, 11 prill, 2010


NËNA IME

Të lutem
Rro edhe pak
Se ndryshe
Sa herë të shfaqem
Te ura e Bahçallëkut
Ajo do të tronditet shumë

Unë do të përkulem mbi ujrat e Drinit të shpërlaj lotët

Rozafa
Do të më shikojë akoma më shumë me dhimbje

Ajo është mësuar të më shikojë duke qeshur
Duke kënduar mbu urë
Duke llustruar këpucët, duke fshirë pluhurin, duke u krehur
Para se të hyj në qytet

Rro edhe pak nëna ime
Që unë të jem ende djalë shtëpie përmbi këtë urë
Jo mysafir i largët

I largët dhe i përlotur.

Shkodër - Tiranë, 20 - 21 mars 2010


DASHNORI I PERANDORESHËS

Ua, sa pyll pafund i mrekullueshëm
Me kurorat si kodrina prej kaçurrelash të blerta

Si dashnor për të cilin bëjnë një kompromis të heshtur dhe të prerë
Bota ajrore
Dhe bota e ujrave.

Para pak muajsh dielli
më kot i dërgonte poezi dashurie
mes rrezeve
qënga kangjellat me dry të reve të shiut.

Para pak muajsh ka qënë në perandorinë e ujrave
në shoqerinë e cironkave, mëlyshëve, gjucave, krapuliqëve, bretkockave
mes të fshehtave,
intimiteteve,
kërcënimeve,
premtimeve,
thithjeve,
puthjeve,
epsheve
të perandoreshës së ujrave
perandoreshës që e mbante ditë e natë shtërnguar mes kofshëve...

Sa puhizë e ëmbël ajore
nën këtë blerinë pyllnajore!
Gardalina - cicërojnë papushim
Dallandyshe - koloviten dhe këndojnë
Lejlekë si kajmaklie
sipër ... nëpër
kaçurrelat e dëndur si t’ia ketë dhruar ndonjë oaz nga orienti;
flutura...fluturaaaaa...fluturafluturaflutura....sidomos flutura të kaltra
si dhurata mëngjesore nga qielli i këtij agimi

Por do te vijë perandoresha sërish!

Do të vijë me taborret e reve të zeza
me tamtamet e luftës së bubullimave
e etur për dashuri
do vijë perandoresha e ujrave
për ta futur në kështjellën e saj këtë pyllnajë
për ta shtërnguar fort
mes krahëve të saj
mes gjirit të saj
mes kofshëve të saj
rretheqark duke u sjellur si eunukë
cironkat, mëlyshët, gjucat, krapuliqët, bretkockat

dielli do të struket pas reve duke i shkruar poezi dashurie papushim
lejlekët, dallandyshet do të kenë ikur përtej….

Përmbi këto kurorëza
duke prekur me pendë ujrat
do të sillet plot guxim
zogu me i shëmtuar i dheut
dhe më besniku

trumbcaku....


30 korrik 2010 - liqeni artificial, shtëpi
Tiranë


QENTË E RRUGËS

Sa më vëjn keq për qentë e rrugës
Janë më shumë se sa duhet të edukuar
Ta lirojnë rrugën si njerëz
Të shikojnë me sy fëmije
Nuk lehin kurr
I ka edukuar e njëjta dorë
- rruga tmerrësisht jo livadhore e kryeqytetit.

Ata iu qahen me sy, me të lutur
Qenëve që shëtitin me qafën me zinxhirë
Që e kanë një strehë dhe ushqim
Por dhe n jë oborr për të lehur

1 – 2 shtator 2010 , ora 05 e mëngjesit, ndërsa këndon hoxha jacinë e syfyrit, Shkodër



POR LIQENI NUK KA DALLGË

Liqeni ende flë
Kanë nisur ngacmimet e lehta të diellit nëpër gjethe
Por ujët me sytë gjysëm mbyllur ende ëndërron
Po të kishte dallgë
Dallgë shumë
Do të ngrihej prej shkumbëve të tyre për të ardhur tek unë
Afërdita
Me qerpikët, buzët , sytë dhe flokët e derdhura gjer në fund të këmbëve
Krejt prej shkumbësh
Prej zambakësh të bardhë që kanë vetëm dallgët.
Që andej do të ngrihej mbretëresha e bukurisë
Bija e Poseidonit
Përbindëshit të detrave
.


PESHKATARËT E UJRAVE TË ËMBËL

Liqeni u paska falur sot në mëngjes peshkatarëve
shumë peshk,
shumë peshk,
shumë peshk
të qeshura dhe rrjeta shumë

Taraboshi nga larg
si një dallgë
që ka dalë nga liqeni
dhe është ngurrosur atje

Shelgu buzë Bunës
si një vajzë që sapo ka dalënga ujrat
duke vërvitur pas me një të lëvizur vjzëror të kokës ajore
flokët e gjatë , të shumtë dhe të gjelbër….


REJA ISLANDEZE DHE UJRAT NË SHKODËR

Qielli i botës
Kërcënuar ngado prej resë
Që nxorën nga dhimbja e tmerrëshmë dherat
Atje
Por ujrat e Shkodërs sime janë zbukuruar
Nga sytë e kulluar të pranverës

A thua i dhimbset Shkodra kësaj pjelle të egër të nëntokës?
Apo ka rënë në dashuri
Në një dashuri platonikë
Siç bijnë përbindëshat?



E ÇMËNDURA DHE NJËZET DJEM

Ata qeshin me të madhe
E thërresin me emër
E thërresin të gjithë

Kavaleria Rostikano e ka mbushur bulevradin
Me të qeshura

Pietro Maskanji ka vdekur
Kavaleria qeshën me të madhe.

Ajo i ka lyer buzët me të kuq
mban një trëndafil në dorë
përkulet me reverancë
deri në tokë
si aktoret e Romës klasike
dhe trëndafilin
ma zgjat
mua

Të vetmit që po qaj
ndërsa Kavaleria Rostikano
tund bulevradin e Shkodrës me të qeshura


DALËNGADALË....

Rrugët...
E Ndjej
kanë nisur të më presin
përditë dhe më ftohtë

Po ec nëpër rrugët e qytetit më të panjohur të botës
- nëpër rrugët e qytetit tim

Vetëm ujrat nuk më paskan harruar
Dhe shokët e fëmijërisë
Të mplakur që të gjithë
Dhe që kthehen në adoleshëntë menjëherë
Si ujrat e Drinit
Sapo nisin papritur shirat.

ZOGU

Kam filluar të këndoj te një dritare tjetër, atje
ku më duan të gjithë dhe më përkëdhelin të gjithë

Atje ku këndoja më parë
U mësuan me këngën time
A nuk ia vunë veshin kurr

Ka nisur t’u vrasë veshët kjo qetësi absolute
Ka nisur t’i marrë malli për mua

Kalojnë poshtë dritares ku po këndoj unë
Ngrënë kryet
Dhe i ulin sytë poshtë
Me përjashtim
Të së dashurës së parë
Që më lutej të këndoja edhe një këngë
Kur më qeshnin të gjithë...


PILOTËT E VJETËR


Hodhën nga një grusht dhe në varrrin e hapur
ku qanin të gjithë.

Iu afruan të heshtur tavolinës së mortit.
U ulën
Pikëlluan ca
Pinë dhe nga pakëz raki
Dhe bënë shaka.

Kishin luajtur me vdekjen tër jetën.

Unë ua njoh të gjithëve:
Mëritë,
Djallëzitë,
Modestitë,
Egoizmin,
Pisllëqet,
Furinë,
Plogështinë
Fuqinë
Dobsinë
Të qeshurat
Lotët

Që të gjithë këta
E patën një të dashur
Që i treguan gjithëçka
Që i falën gjithëçka
Që i qeshën gjithëmonë
Që nuk e tradhëtuan kurr...

Hapsirën mbi atdhe.


POETËT E DIKURSHËM...TË GJENERATËS SIME

Flisnin me duar, sikur po
po shtynin botën për në një
tjetër galaktikë me
përrenjtë prej zjarri të fjalëve dhe
lëvizjet e furishme
të duarve

Shëtisnin me njëritjetrin, si
gjeneralët e bulevardit , madhështorë si një
tufë meteorësh para
syve të turpëshëm të
letrareve të reja dhe të
panjohura nga
askush

S’ngopeshin së recituari
vargjet e tyre përmendësh . Tregonin
me një mijë variante
ç’i kish thënë “Ismaili”, apo si kishin
pirë me “Dritëroin” dhe...

Kur ndaheshin
shanin fshehur njëritjetrin....

Sot…

Sot
të mplakur, të drobitur, si
gjeneralë të mbyllur në hekura
ecin
vetëm.

Dikush ka lënë flokë të gjatë, si
poetët klasikë; dikush
i pa rruar si Mciri* , ai,
murgu që
u arratis nga monastiri; dikush me
cigaren në gojë , sikur të
ketë lindur me të
mes buzëve.


Të tërë e kanë kush një
kopse të rënë, kush një
lidhëse këpuce të palidhur; kush me
këmishë të palarë . Pranë
vajzave kalojnë me
vështrimin që u hedhë luleve një
gruaje të vejë që
është nisur te
varrezat


Nuk flasin më me zë të lartë
por mërmërijnë dhe
shkojnë rrugës duke u këshilluar me veten

Nuk flasin më me duar
duart tani u dridhen
si të një epshelliu plak.

Bota i ka mundur

Tani ata nuk botojnë më asgjë. Mbi ta dhe mbi lulet
shkelin këpucët me gozhdë botës
që marshon


Ata i shikojnë rivalët e dikurshëm tër mirësi dhe dhimbje

Unë i dalloj që janë ende poetë

Që të gjithë

I dalloj nga
shkëlqimi i jashtëzakonëshëm i
syve , nga
mënyra se si vështrojnë
ujrat dhe nga
lulja që mbajnë
buzëve
kur vjen pranvera

Shënim:
Mciri – një murg nga poema me të njëtin titull e Lermontovit

Ora 06.50 , 22 mars 2010, buzë vëndit ku Buna ndahet përj së ëmës, liqenit...



PËRSE NUK MUND TË BËHEM BIZNESMEN?


…Ja,
sepse nuk kam shpirt.

Që të mbijetoj në luftën e përditëshme
Do të më duhej të ha
Të ha me uri, sa më shumë dhe pa u nginjur nga
Puna e punëtorëve që do të vijnë me rrogë te unë. Mirëpo
Unë
Nuk kam shpirt të ha mish njeriu
Dhe rri i tërhequr
Në botën time të letrave.

Që të mbijetoj në luftën e përditëshme
Mua më duhen edhe skllevër; jo asish që
I mbanin lidhur këmbët me hekura; as zezakë që
I shisnin sipas peshës dhe që i kontrollonin, si kuajt - nga
Dhëmbët,
Po asish , që
Qeshin sa herë që të qesh unë, që
Më japin të drejtë sapo të flas unë, që
E dijnë sinqerisht se unë
Jam më i bukuri i tyre; jo unë, por edhe ime shoqe
Sepse janë vetë paratë e bukura , po aq. Mirëpo
Ja që
Nuk kam shpirt të ha mish njeriu
Dhe rri i tërhequr
Në botën time të letrave.

Nëse ka vetëm dy rrugë
“Bëhu skllav , o bëhu mbret!”
Njëmijë herë më mirë skllav
Se satrap, kokën përpjetë

Më mirë prit si burrë goditjet
Si mandatin pret një plak
Se sa egër të qëllosh
Me sy, fjalë e dajak - x


Një mal dallohet me një të parë se
Është më i madh nga një kodër
Një mbret dallohet menëherë
Nga lypësi që rri te porta e pallatit
Një pasanik dallon menjëherë
Nga një varfanjak, mirëpo
Se kush është më i mëncur dhe kush më pak?
Më gjeni qoftë dhe një të vetëm që
Të pranojë disfatën në këtë konkurencë.

E dini? Sinqerisht
Ma më pëlqen kjo barazi e
Mëncurive absolutisht të pabarabarta

Është më e nderëshmja!

Jam në vetminë hyjnore të qiellit të letrave.



Shënim – x – vargje nga vjershai gjigand Persian,Xhelaludin Rumiu, shqipëruar nga unë në vitin 2002





LAMTUMIRË


Ledias, me rastine mbarimit të maturës
kujtim nga babi 5 shkurt 2010

Lamtumirë gjimnazi im “Qemal Stafa”
Lamtumirë mësues, shokë, ti, banka ime
Kushedi hapat e mi, kur do m’i ndjeni prap
Hapat e vajzës që notonte në ëndërrime

Mësuesit e mi, gjer të mësoheni pa mua
Do pyesni njëritjetrin, po... ku shkoi?
Me aromë mimozash do përgjigjet pranvera:
E katërta shtatë dhe… ajo…oh…fluturoi

Po kur një ditë do më keni harruar
Qemalsja juaj do të vijë te dera
Ngadalë , hutuar, do të ngjitet te shkallët
E drejt te banka ku rrinte përhera

Në mos paça me vete t’u sjell lule
Të freskëta , të bukura siç i rrit saksia
Të rrahura zëmre do t’ dhuroj pafund
Dhe lule të zbehta nga thinjat e mia

Do të pyesë roja plak, ku e kam parë
Këtë zonjë që s’qesh si nxënësit e tjerë?
Do t’i them :më lër, më lër të hyj, o plak
Qemalse edhe unë kam qënë një herë

Lamtumirë, lamtumirë gjimnazi im
Të erdha e ndrojtur, e vogël , si manare
Më rrite… Lehtë një ditë më puthe flokët
Dhe nëpër botë më lëshove krenare.




AH...SI U HAKMORR MJERIMI!...


Mjerimi u hakmorr më shumë
ndaj kësaj gjysheje me sy të ëmbël si zogj të ulur
në rrjetën e peshkatarëve të fytyrës së saj


Mjerimi nuk kish patur shpirt për këtë plakë të dashur
ishte treguar më mizor nga sa e priste ajo
më i pafytyrë
më i pacipë
më i keq
më i lig
ndaj kësaj gjysheje që ka një bohçe të madhe
nga xhepat e së cilës
gjithmonë del diçka e vogël
për fëmijët e mëhallës

Ajo...

Ajo po u lutet
Ajo po u lutet kolopuçëve
Ajo po u lutet kolopuçëve të mëhallës
të luajnë
të luajnë me këtë fëmijë
me këtë fëmijë të shëndetshëm,
të bukur,
të veshur bukur,
me lodra të bukura,
të heshtur,
të bukur
tëbukurtëbukurtëbukurtëbukur

Është nipi i saj
Ka ardhur për herën e parë
Për herën e parë që nga andej
“andej”
Dhe
nuk din
as edhe një fjalë nga gjuha
e gjyshes..

Unë shtërngoj dorën e nipit tim
është syblu, kokderr, gjithë tula
po e ngacmove si shumë të shanë “të qifsha robt”
gratë e lagjes duan ta puthin secila, ndërsa e marr nga kopështi
po ai tulic,
nuk ia jep faqen asnjërës
me përjashtim të ndonjërës që i falë një lodër apo ëmbëlsirë
ia jep faqen shpejteshpejt dhe
e fshin prap
me doçkë.

Ja, me këtë tulipan të bardhë
që kam shtërnguar unë
ndërsa plaka u lutet fëmijëve
me sytë e përgjëruar….

30 – 31 korrik 2010


POETËT 

Unë i dalloj poetët e brezit tim
Shkojnë rrugës vetëm, porsi qenie të huaja
Me xhepat shpuar, nën mundimin e rrudhave
Të poshtëruar që nga shoqëria deri te gruaja.

Shteti ynë gjen para qe te paguaje ushtare
Te ruajne paqen neper boten e gjere
Per librat e poeteve te mjere
Nuk ka para as nje cope per te blere.



Veç shpirti i tyre e di se si ia bejne
Nje vellim me lirika per te botuar
Megjithëse fatin e librit e dijne te gjithe
Si e ardhmja e bebit qe lindi i gjymtuar.

As librashiteset nuk ia pranojne
Ndonjeri – fshatar – behet politikan
Si lule qe cel e vyshket brenda nates
T’i thote “Ai”: “Poetet i kam xhan!”

Tërë bota e sotme eshte kundra poeteve
Parate, karriget, britmat i kane kunder,
Por ata shkruajne prapë dhe kjo tregon
Kjo bote njerezish, si Noeja, e ka nje lunder.

Poetet perloten menjehere,
Vuajne vetë per te mos therur dike,
Kur t’u zemerohet kjo bande e mjere
Uleni koken, mos e perseritni më!

Poetet s’kane fuqi t’i venë shqelmin
Atij qe per jete po zhytet nen debore,
Ata s’kane shpirt, nuk durojne dot, nuk munden
Rryshfet te marrin dhe para nen dore.

Kuptojini poetet, jane perqark
Te ndershem, te vetmuar dhe te mjerë
Ata prapë shkruajne, kjo do te thote se bota
E ka nje varke, ndersa rend per sketerre.


Riza Lahi ka punuar për tridhjetë vite pilot në Forcat Ajrore të vëndit, dy vite
gazetar në shtypin ushtarak , si edhe , disa kohë në OSBE. Tematika që ai ka
rrahur më shumë në prozë dhe publicistikë është ajo e aviacionit, ngjarjeve
heroike, dramave të njerëzve të nderëshëm e të dëshpëruar dhe e cështjes
kosovare. Në poezi ushtron më shumë lirikat , poezinë meditative dhe atë
luftarake; ooperon me vargje të rregulla dhe të lira .

Aktualisht është në pension dhe mban gradën ushtarake të nënkolonelit.
Është antar i Shoqatës Botërore të Poetëve.




Veprat e botuara

Tregime, përralla për fëmijë


“Legjenda e Zerdelisë”, 1985
“Ledia në një natë me hënë”1995
“Aventurat e rosës Monda” ( Shqipërim nga E. Bosse) 2001


Vëllime me poezi gërshetuar me tregime

“Kosova, e fejuara ime”,1994
“Drenica, qeleshja kosovare”, 1998
“Trëndafilë”1996
“Trëndafila nga Tirana”2009


Tregime

“Ëngjëjt me krahë duralumini”,2000
”Fluturime mbi qilimin persian”1998
“Nën hënën e Ulqinit”,2001
“Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”2001


Romane

“Të shtunën në mesnatë në një yll”, 1997 – roman për fëmijë
“Vorri I Ashikut”, në katër volume - 2005
“Serenatë korçare në Nju Jork” 2009

Biografi artistike

“Një violinë në Panteoinin e Orfeut”2008
“Dinosaurët e fundit” 2003
“Maratonomaku nga Shkodra”, 2008
“Piloti i katër presidentëve”

Shqipërime

“Poezi për fëmijë nga vëndet anglishtfolëse “( dy vëllime) - 2006
“Në shiun e argjentë” ( vëllimet e mësipërme, botuar në një të vetëm, në Rep e
Maqedonisë) 2005
“Mbrëmë I pëshpërita një Ylli” – Poezi të zgjedhura nga Xhelaludin Rumi 2002
“Fluturoi qielli nga cepi I velit tim” - poezi të zgjedhura nga F Forughazd
2006
“Golgota shqiptare” nga Leo Freundilch, 1990
“Ikja massive” nga Hans Peter Rulmann 1997
“Ëngjëlli i Mostarit” nga Sally Becker 2000
“Nuk ka ëngjëj në këtë botë” nga Sally Becker 2007


Në Konkursin Kombatar , 1994, ka fituar vëndin e parë në Republikë me pjesën teatrale për fëmijë, botuar më pas nën titullin “Të shtunën në mesnatë në një yll”Ka fituar edhe cmime të tjera të niveleve të ndryshme, si edhe ka botuar pandërprerë në shtypin letrar apo faqet letrare të gazetave.Pjesë nga krijimtaria e R Lahit janë botuar edhe në Zvicër, Greqi, SHBA, Iran, Rumani , Indi, Sllovaki, Ceki dhe Korea e Jugut.Është autor i disa teksteve këngësh, kryesisht serenatash.Është antar i Shoqatës Botërore të Poetëve dhe i “Akademisë shqiptaro –
amerikane të shkencave dhe arteve” me qëndër në Nju Jork.


LETRA 


Shoqja ime nga Shqipëria
Ka ikur vjet, në behar;
Tani është në klasë të tretë
Dhe…më çoi letrën e parë.

Po…përse emri në fund
Jo-jo, nuk lexohet mirë?
E kish shkruar bukur - bukur
Por germat pak ishin fshirë.

Ia tregova gjyshit plak
Ai më tha: ”Moj vajzë e mbarë
Shoqja jote larg Atdheut
Të ka shkruar duke qarë”. 



BEQIR Elshani: Pentagrami i poetit.

ELEFANTI DHE MIUSHI 

(Sipas një përralle të njohur)

Ish një herë një elefant
Një trupmadh, sa dy ballkone
Këmbët – mu si katër trarë
Hundë – deri te ballone.

Mirëpo, ç’ndodhi një ditë
Si hundën me ujë e mbushi?
Tek po shkonte rëndë – rëndë
Ndjeu një zë si zë miushi.

Dhe, vërtetë, në një kurth
Na qe mbledhur një miush

“Ç’gabime ke bërë, xinxo?”
- e pyeti me zë të trashë
“ Më zu kurthi, elefant
se…që thua…vidhja djathë”

“ Po vidhje? Oho, shumë keq
paske bërë goxha faj!!!”
- rreptë i foli elefanti
me një zë si zë babai

“Më shpëto, aman…Ndihmomë…
më vjen macja, gjallë s’më zë…”
Çeli kurthin elefanti.
“Ik, miush e mos vidh më!”

Elefant, do ta shpërblej
Këtë gjë, mos e harro…
Ti të më shpëtosh? - tha tjetri
Dhe ia plasi Hohoho.

Pas një jave elefanti
Kot, për qejf, u fut në fshat
Shkatërroi dy tri shtëpi
Dhe tha t’ia therte me vrap

Po…s’mundi të ikte prapë
Se kushtrimin dhanë fshatarët
E mbërthyen mes ca pemëve
Dhe paq ia shtrënguan litarët

“Kokëmadh ! Hundëmadh!
Hë, tani, po munde, ik
të gjallë do të të shpiem
në kopshtin zoologjik.

thanë fshatarët dhe ikën
në fshat për të ngrënë drekën
kurse elefantin lidhur
me litarë ndejti vetëm.

nisi të mendonte hekurat
atje larg, në zoopark
kur, burgosur do ta ngisnin
kalamanët rretheqark.

nisi të qante kaq shumë
kaq..sa s’e kish parë kush
Ç’i hidhte kokrrat e lotëve
Çdo kokërr nga një miush.

Po një zë I hollë shumë:
“Elefant, jam unë… unë!”

“Këth-këth (fytyrën si brumbull)
ai miushi u afrua…
Elefanti preu lotët
që na kishin bërë një krua.

- Kam prishur nja dy shtëpi
Gabim që s’ta falë kush…
- Ndaj të kanë lidhur fshatarët?
- Ndaj më kanë lidhur, miush.

- Keq!Keq të prishësh shtëpia
Paske bërë goxha faj…
Trashte zërin kocomiu
Si të ishte zë babai

- Elefant, do të shpëtoj
Po veç dhe ti mu beto
Si nuk vjedh dhe unë djathë
Shtëpia mos shkatërro!

Kërr – kërr, me dhëmbët si sharrë
Miushi I preu litarët
Pastaj…ia therën me vrap
Që mos t’i zinin fshatarët …

E mbajtën fjalën e dhënë?
Këtë gjë përralla s’e thotë
Por elefantin një mi
E shpëtoi kur derdhte lot.

BLEDI ËNDËRRON 

Mbrëmë rashë për të fjetur…
Papritur…u bëra burrë
Me ca muskuj prej çeliku,
Me një hushtë dhe…sikur.

Ngrita hushtën dhe thërrita:
“Lavdi truallit ilir!”…
(…asnjeri s’më thosh “Bledush”
të gjithë “Pirro i Epirit”).

Kur… Fafap, nja njëqindmijë
Taborre me otomanë
Veshur shallvare e çallma
Edhe zhveshur jataganë

Thirra : “Mblidhuni shqiptarë
“Embta!” me shpata e thika…
“Skënderbe” të gjithë më thonin
e …askush Bledi Përgjika.

“Për Atdhe!” – thërres e I hidhem
në grykë topit që gërmush…
“Të lumtë, Baca Mic” – thërrasin
he-he, askush “Të lumtë Bledush!”

Papritur…në vend të çallmave
Këmishëzinj me pendë kaposhi,
Hitlerianë me helmeta
Edhe krisma mitralozi

Nga tre tanke kryqethyer:
“Dorëzo armët , Bledush!”
“Nuk dorëzohen partizanët!
He-hej, unë jam Vojo Kushi”

Sipër ç’i kërcej një tanku
E me predha shtie e bot…
Italianët - “Mamma mia!!!”
Hitlerianët - “O main got!!!”

Kur…po ec nëpër Kosovë
Më ndalin do shkie me pushkë
E m’i shkulin fort dy veshët:
“Ç’do këtu, more Bledush?”



“Hiqi duart, he shkjau i derrit
se ta baj surratin zhari…
Nuk jam kolopuç Tirone
Jam baca Adem Jashari!”

Me vrap ikën shkiet me pushkë
Kurse unë, shkrirë në gaz
Në krye vura një qeleshe
Edhe ika në Prekaz…

Kur…hop, mu çelën dy sytë
Sepse dita kishte zbardhur
…Një rreze e artë nga dielli
te jastëku më kish ardhur.

“Zgjohu, Bledi!”, sikur thoshte
“Rritu shpejto për atdhenë…
kështu kam zgjuar dhe Pirron
kur flinte dhe Skënderbenë…”

TULLUMBACJA 

Një tullumbace
Shket lule më lule
Te një ballkon
Papritur ulet

Që andej mbi man…
Tani butë – butë
Drejt barit bie
Si parashutë

Po…s’rri mbi bar…
Mu si ballon
Tani po ngjitet
Në një ballkon…

Kjo tullumbace
Që po shëtit
Të gjithë të vegjlit
Se ç’i çudit

Si ngrihet, ulet?
Askund nuk ngec!?
…Unë i kam lidhur
një karkalec.

OXHI DHE NEVILA 

- O Nevila, moj
Me mua, pse s’loz?
- Se gjuan me dhe
Dhe je pisanjos!

- Ditpërditë do lahem unë
Dhe me ujë dhe me sapun

- Po tani, do lozësh?
Me ty, Oxhi? Kurrë
Se llambën e madhe
Qëllove me gur…

- Llambat na bëjnë ndriçim
Kurse unë…mmm...bëra gabim

- Po tani, Nevila
Do lozësh me mua?
- Jo, se për çdo lodër
Ti bërtet “E duuuaaa”.

- Nuk do them më kurrë
Ja besën e burrit!

- Po tani, do lozësh?
- Me ty?…Nuk loz unë…
- Përse, moj Nevila?
- Ja përse…Je çun!

- Thuaj “gabim”, Nevila
Çuna e goca tok
Të gjithë kemi shokë.

DHELPRA NË KUVLI 

Symbyllur dhelpra dinake
Në kuvlinë si qymez
Është mbledhur kutullaç…
Flenë dhelprat në mëngjes?

Uaaaa!…njërin sy e çeli!
S’jemi pula, zonja dhelpër
Që të na gënjesh ashtu,
Çele edhe syrin tjetër!

reportazhhttp://lajme.dervina.com/foto/589e48b09df3eb560af7d96556853822/R.Lahi.gif

foto:Beqir Elshani,shkrimtar

Dhëmbë nga aeroplani i rrëzuar
Në të gjitha enciklopeditë botërore është i shënuar emri i francezit Pier Foshard. Në në shekullin 18, është ky stomatollog që, për herën e parë në historinë e njerëzimit, bëri të mundur vendosjen e protezës në gojën e një pacienti.
Kjo protezë është vendosur me susta.
Nga ana tjetër, në asnjë enciklopedi të botës, përfshirë edhe në asnjërin prej teksteve shkollore shqiptare, nuk ndodhet emri i një bariu pa shkollë, që ka diçka shumë të përbashkët me verpën e Foshardit.. Ka qënë nga zona tejet e thellë e Dukagjinit; nga fshati me emrin kuptimplotë Toplanë, bashkëkohës I francezit të famshëm dhe është quajtur Ndue Prendi.
Ndue Prendi , ndërsa dhëntë kullosnin, disa ditë me radhë, në vënd që t’i binte fyellit, mori një copë duralumini…Duralumini i përkiste mbeturinave të një aeroplani që kishte rënë kushedise në cilat rrethana, në atë zonë. I lehtë, i fortë…duarlumini i aeroplanit të bërë nga “frëngu”, mmmm…hynte në punë për diçka. Një kusho I Ndues, që ky i fundit e donte fort, vuante nga dhëmbët. OK…
Bariu përgatiti “kadal – kadalë”një palë proteza prej duralumini dhe, ia futi në gojë kushos. Kushua tani nisi të hante mirë e mirë, edhe mish derri , pikërisht me protezat e Ndues. Më së fundi, pas dhjetë viteve, kushua vdiq , tanimë me shprtin e ngopur duke shqyer mish me protezat prej duralumini .
Vdiq edhe Ndueja më pas. Por jo fama e tij, sëpaku në tër Dukagjinin.
Pas shumë viteve, kufomën e kushos e zhvarrosën dhe dikush nga njerëzit e tij, ia hoqi protezat. Njoftimi erdhi në veshin e një pasionanti të krisur – siç është edhe tani – te heroi i tregimit tonë, Dr i shkencave ( që pritet të marrë së shpejti edhe titullin “Profesor”) Musa Bizaku. Shuma që kërkoi toplanasi I ri ishte e papërballueshme për portofolin e burrit të ndershëm e që kishte bërë kushedi se sa çudira me ndërhyrjet e tija kirurgjikale në nofulla, hundë, dhëmbë dhe që nuk e njihte makutërinë e parave. Përfundimisht, ato proteza unikale në gjith rruzullin,që i kish bërë Ndue Prendi, nuk e din njeri se nga shkuan , por Musa Bizaku, sot, I ka në fotografi ato.
Në Shkodër më treguan se edhe një tjetër, pas Ndues, bashkëkohës I ynë , që rrojti deri vonë, që të gjith e thërrisnin “Latif magjypi”; edhe ai, me dorën e tij, kishte bërë për merak prej metali dhe vetëm një palë, vetëm për veten e tij, kasnakët e dhëmbëve. Thjesht nga që I kërkonin një kalë me para për t’I bërë në klinikën dentare, njeriu me llagapin “Magjypi”, i njohur në tër qytetin për duart e florinjta, I bëri vetë fët e fët ; e mori vesh e tër Shkodra dhe, ja kjo bëmë, erdh edhe në vëshin e lexuesëve tanë.
Po …Nga të jetë kujtuar në majë të Toplanës ai bariu për të bërë ndërhyrje dentare ? Mbase mbi bazën e ndonjë tradite? Ndonjë tradite të vjetër? Mendja ma thotë se tradita , në popullin tonë konservator, ka thuajse në të gjitha rastet ekscepsionante, hisen e saj..
Dhe hipoteza e jonë ka një mbështetje të fortë.
Një femër dentiste 2200 vite më parë
Spelologu I mrekulleushëm shkodran, I vetmi shqiptar që ka arritur në pikën ekstreme të Polit të Veriut, Gëzim Uruçi, ka në shtëpinë e tij një relike të jashtëzakonëshme. Ai ka gjetur në një varrezë të lashtë në Kryebushat ( Kjo qëndër e vjetër shumë, ka tre emërtime – vijini re : “Kryebushat”, “Bushat” dhe “Rranxa të Bushatit”) 23 elemente dentare ; komplet inventarin e një dentisti.. I përkisnin shekullit të parë ose të dytë para Krishtit.
Përqark këtyre elementeve, kishte edhe ornamente zbukurimi grashë; jo t ë shumë grave , por vetëm të një gruaje - vathë, një unazë, një byzylyk e rruaza. Konkluzioni I arkeologëve ishte se e tër ajo pasuri dentare, përfshirë edhe një dhëmballë të mbushur, I përkisnin pronares së atyre ornamenteve, pra, një gruaje. Ka qënë një dentiste grua.
Ilirianë, rracë e jonë.
“Asnjë tekst historie , sado i lashtë, nuk flet askund për ndonjë grua dentiste në atë periudhë, siç ka qënë ajo bushatllesha” – thotë I menduar Musa Bizaku, ku kemi shkuar duke u bërë qull nga shiu me mikun e tij, ultrapasionantin dinamik, biologun Orhan Boshnjaku, me këmbënguljen e këtij të fundit. Unë kam ardhur të shikoj nënën time, por, këta exepscione shkordrane mua më tërheqin nga mënga dhe, preferova t’ia lë kafen nënës pa e pirë ,( se I thashë të na e bënte se , ja, po vija me të shpejtë që të nisesha pas pak për Tiranë) dhe të rendja mes shiut tok me Orhanin tek ky qyp madhështor me florinj në lagjen e extremit të veriut të qytetit, Rus.
Gëzim Uruçi e mban në shtëpi zbulimin e tij – shtëpinë e ka të mbushur në mënyrë të mrekullinjtë me relike, suvenire, ditare, libra pa fund, negativë fotografishë dhe fotografi, shënime udhëtimi që do t’I kishtin zili muzeumet tona kombëtare apo edhe më tej. Uruçi nuk ia ka dhënë askujt mjetet dentare të ilirianës së bukur nga Bushati. I ka atje, në shtëpi, por e ka lejuar Musain t’i fotografonte dhe ai, e ruan si sytë e ballit atë fotografi, me aq passion, saqë edhe unë nuk pata kurajon t’ia merrja për ta skanuar për në shtyp e për t’ia kthyer prap.
Musa Bizaku ka dëshirë që të hapë së shpejti një ekspozitë impozante me titull “Muzeu historik – Stomatollogjia shqiptare”.
Në vitin 2002, me ndihmën e mikut tonë të përbashkët, mendimtarit shumplanësh, ish ministrit të kulturës më të suksesëshmit të postkomunizmit shqiptar, poetit Moikom Zeqo, Dr Bizaku ka pas hapur një të tillë ekspozitë me temë:” Bërthama e parë muzore e shërbimit stomatollogjik shqiptar”; e ka pas hapur në Muzeun Kombëtar. Këtë tjetrën, më të plotë e pë të pasur, ka dy oferta për ta hapur – njërën në Tiranë ,nga katedra e Ortopedisë stomatollogjike e tjetrën nga Shkodra.. “Oferta” në Shkodër është e dëshirës së tij, si “shkadranë qi jam”, por “paria” aktuale shkodrane, si për jo pak raste të tjera, edhe ndaj këtij vullkaniku 77 vjeçar ( I dtl 1931), i “ka veshët në lesh” dhe duket ka në mënd ta lërë të kalojë edhe këtë, si kaq e kaq raste shkodranësh që shkëlqejnë në shkallë kombëtare apo ndërkombëtare e paria e qytetit të tyre hesht a I trajton si të huaj.
“Rusiani” 77 vjeçar, përpara se të tregojë për jetën e tij, flet për dy mjeshtrat prej nga ai ka nisur sprintin drejt majave ku është sot – një mjeshtër I mbaruar punimesh ortopoedike, ndonjërin nga të cilët edhe do ta shikojmë së bashku më poshtë. “E kam porosi prej babës, Xheladin quhej, pastë rahmet, të mirën që të ban tjetri, shkrueje në mermer, të mirën që I ban ti tjetrit, shkrueje ja në akull, ja në ranë”. Ai ka nisur 12 vjec punë si shegert te dentisti bosnjak I vendosur në Shkodër Hasan Fatkiq, në vitin 1943 duke vazhduar pandërprerë edhe shkollën dhe, kur erdhi viti 1948 – është afruar te Kaduku I famshëm. “Haki Kaduku pastë rahmet më ka pas dashtë si djalin e vet dhe unë, qe, kam shkrue një libër për dhëmbëtarët shkodranë “Kaduku”…
Musai ka një foto të vitit 1931 ku jantë të gjith antarët e shoqatës së “Dhambëtarët shqiptarë”, ku është edhe idhulli I tij, I cili, në vitin 1948 u caktua drejtor I pronës së tij dentare, tanimë pronë e shtetit .
“ Po shkoj te Kaduku”
E kam arritur edhe unë të dëgjoj rëndom nëpër Shkodër e shprehjet “ Nesër po shtij dibranët”….” Po nisem e shkoj te kaduku”
“Dibranët” dmth muratorët , kurse “kaduku”, dmth dentisti. Dinastia “Kaduku”, në vitin 1948 dorëzoi në shtet gjithcka kish grumbulluar gjatë mbase mbi një shekulli, dhe sigurisht vazhdon të nxjerrë dentistë papushim edhe sot.në krye të “Kadukëve” aktualë sot ndodhet mjeshtri Qemuran. Kushe di se kujt do t’ia lërë stafetën e lavdisë së kadukëve ai. Do të flasim një herë tjetër për ta, por, ja, diçka, edhe sot…
Eruditi I papërballueshëm shkodran Ahmet Osja– vitin që vjen, në qershor, mbushka 70 vjec dhe këtij titullari të inteligjencës mbarëkombëtare, për t’u mbërhtyer për ceshtje eruditive me të, shpresoj të organizoj një takim me një professor të universitetit të Sorbonës – tregoi rastëisht diçka për kadukët e parë. E mbajta shënim:
“Ndodhen në enciklopedinë arabe kjo dinasti dentisësh shkodranë... Në Theth ndodhet një krua që quhet “Kroni i Kadukut”, ndërtuar prej tyre.Njëri nga kadukët , I pari i tyre, nuk lindëte fëmijë dhe shkoi të vizitohej me të shoqen në Austri. Mjeku austriak, si e pyeti ciftin se prej nga vinin, u mendua me kujdes dhe e këshilloi që, në vënd të ilaceve, të vente e të veronte në Theth ; me siguri, që do të zinin fëmijë atje. Ishte viti 1929. Dentisti, tanimë I pasur, vendosi të ndërtonte një rrugë për të lidhur qytetin Shkodrës me Thethin. Do të shkonte vetë, por kushedi edhe sa bashkëqytetarë të tij atje. Si e ndërtoi atë me shpenzimet e veta, u nis me një veturë të kohës.. Nja dy prej ish punëtorëve të rrugës, kur e morën vesh se do të kalonte andej pari “paralliu I Shkodrës”, të panginjë, vendosën të gjenin edhe një tjetër variant për të future ekstra ca para në xhep. Ata e zunë rrugën nga do të kalonte makina, me një trung peme dhe u ulën e po hanin atje. Që të hapnin rrugën , vec kësaj, që të ndërpritnin të ngrënët ( e sajuar qëllimisht) ata kërkuan para që pa një e pa dy, dollën nga xhepi I shkodranit zemërbardhë por, siç janë shkodranët , shumë I zgjuar. Pas disa kohësh, “negociatori” për të hequr trungun e për të lënë ushqimin në mes, u ndodh në Shkodër dhe e kapi një dhimbje e tmerrëshme dhëmbi. Dikush e këshilloi që të vente menjëherë “te kaduku” dhe….të dy miqtë e dikurshëm u panë sy më sy. E njohën njeritjetrin fare mirë. Pacienti I tanishëm, kish marrë rrogë disa muaj, ndërsa merrte pjesë në ndërtimin e rrugës.
Mjeku I tha tjetrit të ulur në karrigen rrotullonjëse:
“ Ti më more pare se e le bukën përgjysëm dhe hoqe me atë shokun tjetërtrungun prej rruget. Kurse unë po ta shëroj dhambin pa të marrë asnjë lek”
Te Kaduku është mjekuar edhe Fishta ,i cili na ka lënë edhe këto vargje:
“ Asnjëherë s’jam përkulë
As prej shkjaut e as dhe ukut
Por rri urtë e bahem pulë
Te karrigia e Kadukut”
Fishta….me që ra fjala…Me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së pavarëisisë, ai ka lidhur me flamuj kampanjolën e kishës me minaren e xhamisë në Fushcelë dhe komandanti austriak e kërcënoi. Ose t’i hiqte flamujt menjëherë, ose do të qëllonte me topa. Fishta i ka tha : “Me këtë rast ti do të vërtetosh atë që e di unë por nuk e din populli ende, që ti je një pushtues dhe vepron sipas ligjeve të pushtuesit”. Komandanti ndërroi mëndje dhe mori përsipër, biles, që ti ruante me ushtarët e tij flamujt e vendosur në simbolikën e tolerancës fetare të shqiptarëve,
“ Kështu, në vitin 1948, unë u bëra laburant i Haki Kadukut, tanimë drejtor . Më ka dashtë si fëmijën e tij dhe ia shpërbleva duke botuar këtë libër. ..Më ndihmoi për botimin financiarisht e mbesa e tij Minia që banon në Itali.” – thotë Musai, duke më dhuruar një kopje edhe mua të librit me karton të trashë , njërin prej 13 vëllimeve që ka gati për botim.
Doktori i Shkencave Musa Bizaku
Koleksionistët e Shkodrës janë me famë dhe unë nuk kam këllqe të merrem me këta kapedanë kështjellarësh. Marubi, psh ka qënë njëri prej tyre; në vënd që t’I hidhte filmat e mbaruar apo t’ua jepte klientëve I ruajti; në vënd që ti ruante shkeleshko, I ruajti të sistemuar bukur.
Shkodra ka pasë koleksionistë pullash poste, koleksionistë librash ( bibliomanë), koleksionistë monedhash, fotografishmë…
Njëri prej koleksionistëve të mrekullueshëm shkodranë është Musai. Ky , sikurse Marubi psh ka koleksionuar të gjith rastet e rënda që ka mjekuar dhe shëruar gjatë tër jetës. I ka tanimë në librat e tij. Mes pacientëve që ka patur ne lexojmëedhe emrat , shoqëruar shkurtimisht me situatën e gjetur dhe të përmirësuar, të Gegë Marubit, Prenk Jakovës, Selaudin Begteshit…
Si ka mbaruar gjimnazin natën ndërsa punonte laborant dhe I nxitur shumë nga babai dhe nëna Lutfije si dhe vëllezërit Halil dhe Zija, ai ka vazhduar universitetin e Tiranës Kur ka mbaruar universitetin në vitin 1964 është emëruar në Dukagjin, në Breglumi…
Atje ka nisur “ndeshjet “ e para për drejt rrugës për t’u bërë sot aq I famshëm. Ahmet Osja thotë për Musa Bizakun:
“E kam pa me sytë e mi atë vajzën në Theth që nuk u martonte dot se e kishte fytyrën e shëmtueme prej anomalisë ndër dhëmbë e nofulla. Mirëpo, Musaja ia bani operacionin dhe fytyra e vajzës u rregullue mos me u njoftë hiç .Dy librat e Musa Bizakut janë aktualisht, përvecse në bibliotekën e Shkodrës e Kombëtare e në atë të Universietit të Tiranës, edhe në biblotekat në Belgjikë, Luksemburg e Kopenhagen.Musanë e quajnë “Njeri të vecantë”, ka hapur 2 – 3 ekspozita dhe ua ka mësuar zanatin shumë njerëzve. Ai ka ba operacione spektakolare me mjete aspak kaq të sofistikuara, siç I kanëmjekët e sotëm.”
Diçka nga thesari i Dr. Musa Bizakut
Bizaku , me shpenzimet e tija, pra, ka fotografuar “si ka kenë e si u ba” dhe, këto pambarimësi fotosh I ka sistemuar me kujdes në librat, tok me sqarimet përkatëse.
Unë tërhoqa me dorën time njërin nga librat ( të gjithë të pabotuar, në pritje të ‘ndonjë sponsori”) dhe, ja se çfarë lexova , pashë- përciptazi a më spiegoi profesori.
“ Viti 1966. Një grua ishte , në Dukagjin,nuk kishte as gojë, as hundë. Gojën e kishte të vogël, sa nuk e xente as lugën e kafes. Hundë, hiç. E kena operue atë gruen me Ali Spahinë ( politikani I njohur, që nuk rron sot). …Qe, si ka kenë pa gojë, qe edhe fotografinë në profil, pa hundë…Qe tash …Hundën portatie ia kam goditë jo me gjyslukë ( të cilët mbajnë hundën duke u kapur te veshët), por pa gjyslykë. Tuj u kapë për qellzë e tuj u hekë a vu sa herë të donte prej andej. Materiali – I butë e me zi u dukte…Ajo gruaja vinte e më takonte vazhdimisht qysh atëherë, por ka vdekë ka gjashtë muaj”
“Dr…. Qe ku e ke n ë fotografi…Mos ia shkruaj emnin, aaashuuuu…Atij I ndodhi një anomaly. Kur I hoqën një dhamb, ai kishte kenë I ngjitun me kockën e nofullës. Qe se si I kishte shkue fytyraa, shtrembtë. A e shef? Iu ba ndërhumja dhe…qe ku e ke , nuk I duket kurrgja. Ka kenë në vitin 2003”
“Qe, të spiegoj unë se çfarë janë këto dhambë që kanë takue hundën. Ishte një anomali kësisoj.Ishte një fshtar nga Grizhjaqë I normalizova gjendjen mbrenda gjashtë muajve, me disa séance…Qe ku e ke, kur u shëndosh krejt, njikjo fotoja njitu”
“Ky këtu? Aaashtu! Ka kenë pa qellëz. Sipër e kishte; kishte gjithsejt katër dhambë. Ia vuna protezën. Qe si asht me protezë tash. ..Janë reale, e? Nuk janë fantazi, qe ku I ke me fotografi, me emna, me data”.
“Qe…don me ikë, the? Hajt, pra, vjen një herë tjetër prap…Ky që po shef, I kishte dhambët e natyrëshëm, por, më fal , shumë të shëmtuem. Nuk ia hoqa, por I bana një palë proteza dhe ia vuna përsipër atyne. Kur ka qejf, ai rrin me dhambët natyral, kur don…”
Vll i trembëdhjetë I librave të ortopedit është enciklopedi .
Njëri prej vëllimeve, më I dashuri, është ai që përshkruan gjëndjen e mëparëshme dhe të mëpastajme të miqve dhe shokëve të tij, që jo vetëm që ka ndnjur e ka pirë kafe me ta, ka bërë hoka, ka qarë halle apo ka kaluar pakëz nga koha e lirë, por, kur ata kanë patur nevojën për duart e këtij mjeshtri, shoku I tyre u ka ofruar menjëherë karrigen, duke I parë më par ëme grykën e aparatit fotografik.
Këtë rrugë po ndjek tani biri I tij Gilmani.
RIZA LAHI Shkodër, 2 -3 dhjetor 2008
  Links to this post
http://groups.yahoo.com/group/cameria/message/5195

PËRGATITI :  FLORI   BRUQI

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...