2013-03-21

Enver Robelli :Aventura shqiptare

Papritur na u shfaq Fatos Nano. Foli nga Londra. Iu drejtua shqiptarëve me një mesazh politik, duke paralajmëruar se do të kandidojë për postin e kryetarit të Shqipërisë. Të tilla ambicie Nano nuk i ka fshehur. Qëmoti është folur e pëshpëritur - jo vetëm në restorantet e Tiranës - për rikthimin e tij ose, së paku, për përpjekjen e tij të radhës për rikthim në politikë. Ky politikan, të cilin shkrimtari Ismail Kadare e përshkruan në një libër, kohëve të fundit, si kumarxhi dhe, si të tillë, edhe të rrezikshëm nëse i lihen në dorë fatet e vendit, pra, Fatos Nano, sërish është në mesin tonë. Duket se nuk i ka shëruar ende plagët e humbjes së postit udhëheqës në Partinë Socialiste. Duket se ndjenjat hakmarrëse janë busull e tij politike. Duket se ende dëshiron ta mbajë peng Shqipërinë. Në këtë aventurë ai tashmë ka marrë mbështetjen e tërthortë nga dy sejmenë të kryeministrit Sali Berisha. Dy eksponentë të Partisë Demokratike, Genc Ruli dhe Edi Paloka, nxituan ta lavdëronin rivalin e tyre të dikurshëm politik. Nano duket se ka hyrë dhëndër tash në PD. Dhe për dhëndrin, së paku ashiqare, duhet të thuhen vetëm fjalë të mira – ashtu si për të vdekurin (De mortuis nil nisi bene). Në frymën e kësaj logjike, dy politikanët e PD-së e himnizuan Nanon si „figurë politike me përvojë“ dhe si politikan që ka një „CV [biografi, v.j.] të përputhshme“ për postin e presidentit.

Mentalitet kazinoje

Lavdërimet e (pa)pritura për Nanon duken aq të pabesueshme nëse merret parasysh marrëdhënia e tij me PD-në, në fakt përplasja e tij shumëvjeçare me Berishën, të cilin e ka fajësuar drejtpërdrejt për futjen e tij në burg gjatë viteve 90. Fakti që Berisha e përjashtoi mundësinë që Nano të mbështetej nga PD-ja si kandidat për kryetar të Republikës ende nuk domethënë shumë. Nano mund të përdoret si kali i Trojës për të përçarë të majtën. Vetë Berisha e ka pak vështirë të flasë në superlativ për Nanon, siç bëjnë sejmenët e tij. Sepse Berisha ka shprehur mendime krejt të tjera dhe krejt negative për ish-kryetarin e Partisë Socialiste.

Më 18 korrik 2005, disa ditë pasi fitoi zgjedhjet parlamentare, Sali Berisha i dha një intervistë revistës gjermane „Der Spiegel“. Në fushatën e atëhershme elektorale kishte dominuar një temë: korrupsioni nën qeverisjen e Fatos Nanos, mentaliteti i kazinove në drejtimin e shtetit. Kundër këtij mentaliteti më i zëshmi kishte qenë Berisha. Dhe kori rreth tij. Krerët e PD-së, atëbotë, nuk u treguan dorështrënguar me dhënien e premtimeve të mëdha. “Do të luftojmë këtë e atë të keqe”, thoshin me bindje dhe gjoks të ngrefosur. Shqiptarët ishin lodhur me regjimin e Nanos. Ia dhanë votën dhe ia falën besimin PD-së. Në „Der Spiegel“ Berisha tha: „Korrupsioni është rritur në mënyrë astronomike që nga viti 1997. Unë, brenda dy deri tri viteve do ta ul atë në nivel të pranueshëm, për këtë do të ketë ligje të reja. Pushteti nuk bën të shfrytëzohet për t’u bërë i pasur brenda natës; ministrat duhet të shesin firmat e tyre. Do t’i heqim të gjitha monopolet në Shqipëri, të cilat kanë qenë nën mbrojtjen e qeverisë“. Në zhurmën dhe kakofoninë e Tiranës nuk u dëgjua se Berisha s’premtoi çrrënjosjen e korrupsionit, por vetëm uljen e tij në nivel të pranueshëm! Të thoshte këtë një politikan i ndonjë vendi me demokraci të konsoliduar, ai nuk do merrte më kurrë votat e qytetarëve. Në Shqipëri politikanët mund të jenë të sinqertë, madje në mënyrën më bizare. Si qëndron puna me heqjen e monopoleve në Shqipëri viteve të fundit? Njohës të pavarur të rrethanave politike dhe ekonomike thonë se monopolet vetëm kanë kaluar nga duart e oligarkëve socialistë në duar të njerëzve të afërt me pushtetin aktual. Nga këto monopole ndukin ndonjë fije edhe gazetarët e pushtetit; nëse nesër vjen në pushtet Partia Socialiste, atëherë skenën mediatike do ta dominojnë sekondantë të tjerë publicistikë. Edhe këta do të kërkojnë shpërblim për angazhimin shumëvjeçar – jo për një qeverisje më të mirë, por për përfitime personale.

Kumarxhi dhe diler droge

Nga perspektiva e vitit 2011, edhe më interesant, ndërkaq, duket mendimi që kishte shfaqur Berisha më 2005 në „Der Spiegel“ për Fatos Nanon. I pyetur nëse do të duhej ta arrestonte Nanon për shkak se ai kishte ndërtuar një sistem korruptues, Berisha deklaronte: „Nuk lihet përshtypje e mirë nëse arrestohet lideri i ardhshëm opozitar, ndonëse Nano asgjë tjetër nuk dëshiron përveç se rolin e martirit. Që ai është kreu i një sistemi korruptues mbarëvendor, këtë e di secili. Prej nga do të vinte ndryshe pasuria e tij marramendëse? Si do t’i harxhonte ai ndryshe qindra-mija euro në kazino? Nano është pronar i një ndërmarrjeje transportuese me helikopterë, klientët kryesorë të së cilës janë tregtarët më famëkeq të drogës në Shqipëri. Ata transportojnë heroinë dhe kokainë nëpër Shqipëri, e çojnë në Kukës dhe nga atje në vendet fqinje”.

Fatos Nano – kreu i një sistemi korruptues!

Fatos Nano – kumarxhi kazinosh!

Fatos Nano – bashkëpjesëmarrës në tregti me drogë!

Të gjitha këto epitete për Nanon i ka thënë Sali Berisha. Tani, në dimrin e vitit 2011, eksponentë të Partisë Demokratike publikisht ia shtrojnë rrugën Nanos për t’u bërë president i vendit. Më tutje në intervistën e vitit 2005, Berisha thotë se Shqipëria po shkatërrohet nga droga, pasi është shndërruar në parajsë të kokainës dhe heroinës. Sipas tij, prapa veprimtarisë së paligjshme në “tetë vitet e fundit” (1997-2005) “ka qëndruar shteti”. Shteti i Fatos Nanos dhe, në atë kohë, edhe i Ilir Metës, i kyçur në tregti me drogë? Po, sipas Berishës së vitit 2005. Edhe diçka kishte thënë Berisha në vitin 2005: “Synimi im është: anëtarësim në BE pas pesë viteve”. Në vitin 2011 Shqipëria nuk është afër të marrë as statusin e kandidatit. Madje në vitin 2011 në Tiranë flitet për mundësinë që Nano të bëhet president. Berisha tashmë i ka shpallur ambiciet e tij të përjetshme: ai dëshiron të qeverisë derisa ta thërrasë ai lart.

Të dehur nga pushteti

Për të mirën e Shqipërisë, Sali Berisha dhe Fatos Nano do të duhej të dilnin në pension, nëse dëshirojnë të mos mbahen mend nga shqiptarët vetëm për të këqijat e tyre. Të dehur nga pushteti, për fat të keq, të dytë duan ta mbajnë peng vendin! Liderët e mirë, ata që bëhen merak për fatet e shtetit dhe shoqërisë dhe që mendojnë në kategori më të largëta kohore, kujdesen me kohë për kalimin e pushtetit në duar të trashëgimtarëve politikë, të cilët përgatiten me vite. Në Shqipëri është ndryshe. Në Shqipëri të gjithë duan ta mbajnë pushtetin përgjithmonë, sepse pushteti nuk kuptohet si mundësi për t’i shërbyer vendit, por si rast i papërsëritshëm për të përfituar. Kush përfiton jashtëligjshëm, ai ka mjaft para për të blerë lojalitetin politik. Në shoqëritë me mentalitet grabitqar dhe shkatërrues, siç është një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, e cila është deformuar nga regjimi komunist, politikanët mund të blejnë gjithçka – prej votës deri te lakenjtë publicistë, të cilët i luajnë të gjitha rolet: daullexhinj të pushtetit, tregtarë nafte, ndërtimtarë, përfitues reklamash nga qeveria, aksionarë ndërmarrjesh të lidhura me pushtetin, madje edhe patriotë për interesa të politikës ditore.

Sa i përket patriotizmit, ky, nga politikanët e Tiranës, është shndërruar në ves dhe sidomos në raport me Kosovën përdoret për betejat e brendshme për pushtet. Sali Berishës i pëlqen të perceptohet si lider i shqiptarëve në Ballkan. Për këtë e ka të garantuar entuziazmin e një pjese të madhe të shqiptarëve të Kosovës, të cilët sa u përket zhvillimeve në Shqipëri dinë aq shumë sa për lëvizjet e fundit në Partinë Komuniste të Kinës. Edhe ndonjë detaj të pakëndshëm që e dinë kanë qejf ta injorojnë, sepse ua gërvisht portretin e tyre imagjinar të Berishës. Këtë portret duan ta ruajnë. Së fundi, edhe Edi Rama, mondialisti, artisti dhe menaxheri i Tiranës (këtu fjala menaxher duhet të kuptohet në kontekstin negativ shqiptar) erdhi në Prishtinë për të demonstruar – edhe ky! – patriotizëm. Lavdëroi qeverinë e Hashim Thaçit, e cila sundon Kosovën me vota të vjedhura. Së paku në këtë çështje Rama do të duhej të kishte ndjeshmëri, sepse prej vjetësh akuzon Berishën për vjedhje votash. U ngut Rama të lavdëronte edhe tenderin për autostradën nga Vërmica në kufi me Serbinë. Në Kosovë dihet se ky ka qenë tenderi më jotransparent në historinë edhe ashtu të errët të tenderëve në këtë vend.

Në tregun e turbo-patriotizmit shqiptar tani po përpiqen të depërtojnë edhe konkurrentë të rinj si Kreshnik Spahiu, zyrtari që me vite të tëra si zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë bart një pjesë të madhe të përgjegjësisë për gjendjen e mjerueshme të drejtësisë shqiptare. Pak para se t’i skadojë mandati, ai ka gjetur fushëveprimin e tij: rrugëtimin me lecka pseudopatriotike nëpër kasaba dhe kodra shqiptare në Ballkan. Është absurde, madje fyese, kur Spahiu sorollatet nëpër Kosovë për të ngjallur ndjenjat kinse kombëtare të shqiptarëve. Në Kosovë? Po ku e gjeti bash Kosovën, ku që nga pushtimi serb në vitin 1912 flijimi për flamur, për shkolla shqipe, për liri, për të drejta qytetare ka qenë sakrifica më e vogël që njerëzit kanë qenë të gatshëm të bëjnë. Në pranverë të këtij viti Spahiu vrapoi në Prishtinë për ta takuar madje një oligark ruso-kaukazian dhe kanakar të Hashim Thaçit, i cili mendonte se është president i Kosovës. Diskutuan ata, dy lojtarë me kutia shkrepësesh, për forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Liria e ka edhe një të metë: ajo u krijon hapësirë edhe tyxharëve politikë të zaptojnë e ndotin debatin publik. Në hapësirën shqiptare sot malli më i lirë është patriotizmi. Në fakt, loja me patriotizëm. “Lirí kërkuem e lirí do të kemi por, ndërgjegje personale e kolektive nuk patme kurr”, kishte shkruar avokati shkodran Muzafer Pipa, i cili u pushkatua nga regjimi i Enver Hoxhës. Këto fjalë të atdhetarit nga Shkodra tingëllojnë sikur të ishin thënë sot dhe jo para një gjysmë shekulli.


Ekskluzive: Te villa e Millan Radojiçiqit policia ka gjetur listën e bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, ka edhe nga Maqedonia

Policia e Kosovës gjatë operacionit për gjetjen dhe konfiskimin e gjësendeve te villa e Millan Radojçiqit që mund të jenë pjesë e hetime...