2013-03-23

SHQIPERIA (JASHTE “VERIUT” DHE “JUGUT”)


Ibrahim Kelmendi






SHQIPERIA (JASHTE “VERIUT” DHE “JUGUT”)



“Zëri i Kosovës”



Në vend të parathënies

Në të gjithë këto ditë kam patur shqetësimin përse po e shkruaj këtë libër. A ka lidhje kjo vetëm me faktin se u ndodha në qendrën e ngjarjeve, apo edhe më shumë se kaq? A ishte kjo thjesht vetëm një dëshirë e çastit,a po edhe detyrim ndaj njerëzve me të cilët kam kaluar disa nga ditët më të vrullshme të jetës sime, e njëkohësisht edhe më të paharrueshme...

Janë shumë gjëra këtu dhe njërën prej tyre, do të më lejohet ta them në fundin e këtij libri...

Sidoqoftë, edhe nga shtytja e miqve, unë nuk mund të heshtja dhe do të ishte ndoshta një gabimi i imi, nëse do të heshtja për të gjitha ata që kam përjetuar, për të vërtetën ku kam qenë dëshmitar, sepse shumë gjëra, për qëllime të caktuara janë thënë edhe ndryshe, janë interpretuar sipas bindjeve dhe përcaktimeve të veçanta, gjë nga të cilat nuk e besoj se do të kenë shpëtuar edhe shënimet e mia. Por, duke qenë autentike, të përjetuara dhe të dokumentuara, unë jam përpjekur për të sjellë një pjesë nga ajo që ndodhi në Shqipëri në fillimet e marsit të vitit 1997.

Ndoshta jo rastësisht në Shqipërinë e Jugut, muajin mars e quajnë marsi i trimave. Dhe unë këtë trimëri e kam përjetuar dhe nuk mund të heshtja ndaj saj.

Të gjithë ne, kudo që na ka rënë shorti të jetojmë, i ndjejmë hallet e Shqipërisë dhe jetojmë me jetën e saj. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Dhe nganjëherë të duket, se ajo pjesë e Shqipërisë që e ndjenë më shumë, është pikërisht pjesa e robëruar. Të etur për lirinë, ata e kanë të vështirë ta kuptojnë “rebelimin”, ashtu si e kanë të vështirë ta kuptojnë pengesën në rrugën drejt demokracisë në një vend që në fund të fundit, është i lirë.

Çfarë ndodhi në Shqipëri në dimrin e këtij vitit dhe çfarë do të ndodhë edhe më pas? - kjo ka qenë gjithnjë pyetja e gjithsecilit prej nesh. Por kjo ka qenë edhe pyetja e shumë shqiptarëve që jetojnë kudo në shtetin shqiptar. Shumë gjëra janë ende pas mjegullave, pas dosjeve. Shumë pyetje janë shtruar dhe shumë pak përgjigje janë dhënë. Në këtë kuptim unë jam përpjekur të jap një përgjigje të vogël për një pjesë jete në qytetet e “rebeluara”. Nëse nuk do e bëja, do të gaboja. E sigurisht ajo nuk ka sesi të jetë e plotë, sepse nuk është e mundur sot të sillet e plotë ajo që ndodhi.

Shumë nga këto mbresa janë shënuar në ditët e netët që kam kaluar në Shqipëri ose janë biseda të incizuara në vendin e ngjarjes. Ato i kam ripërsëritur në mënyrë origjinale, duke menduar se ripunimi do të cënonte origjinalitetin e tyre. Intervistat janë risjellë besnikërisht, sipas materialeve që ende i disponoj. Edhe fotot që e shoqërojnë këtë libër janë bërë nga unë në vendin e ngjarjes, pa menduar atëherë se do më duheshin për një libër.

Sidoqoftë unë e shkrova ashtu si dita, si e pash, si e përjetova...
Nga janari drejt marsit...

Pas festimit tepër euforik, por edhe tepër të dyshimtë të nisjes së vitit 1997, shqiptarët u gjendën befasisht të traumatizuar. Ajo që pritej me gjak të ngrirë që të mos ndodhte, në fakt ndodhi.

Brenda një jave dolën të rrënuara shoqëritë kryesore financiare rentiere. U shembën rrëmujshëm ëndrra gjithëfarëshe për shtëpi të bukura, për jetë më të mirë, për udhëtime jashtë shtetit etj. Njeriut i humbi mendja. Halli i madh i ra mbi supe, jo thjesht sa një mal, por me çmimin e jetës. Në fare pak ditë ata shohin shembjen e firmave të parave dhe veten e ndjejnë poshtë kësaj shembje.

Sipas përllogaritjeve të përafërta, shuma e depozitave të mbetura peng arrin në 2 miliardë dollarë.

Ndërkaq shuma e “ngrirë” me vendim të qeverisë në bankat shtetërore, që përfaqësojnë rezervat financiare të shoqërive huamarrëse në tërësi, zyrtarisht deklarohet 250 milionë dollarë.

Kjo është një e teta e borxhit të përgjithshëm, pa interesat e shpresuara.

Janë 500 mijë familje shqiptare që kanë hyrë në këtë lojë bixhozi me përmasa të papara, duke qenë të bindura se fati do t’u ndrisë, dhe tani i kanë humbur të gjitha.

Si ndodhi kështu? A nuk është e logjikshme që të bëhet pyetja se çfarë ishte kjo dalldi pokeri, kur njerëzit pasi vunë në lojë të gjitha paratë që kishin dhe nuk u mbeti gjë tjetër, shitën shtëpitë, trojet, dyqanet, tokat dhe pyjet, gjithë çfarë kishin?

Kryetari i shtetit shqiptar, në një konferencë shtypi, mes dy fushatave elektorale të vitit ’96, deklaroi, se “paratë e firmave shqiptare janë më të pastrat në botë”, dhe pranoi se ndoshta kishte edhe paksa larje të parave të pista, por fare pak. Sipas tij, kjo ndodhte në të gjithë botën.

Kur kryetari i shtetit thotë “fare pak”, njerëzit e kuptojnë “shumë”.

Humbën 2.5 milionë shqiptarë, por kush fitoi? Sipas ligjit të vjetër “asgjë nuk humbet, asgjë nuk fitohet, çdo gjë transformohet”. Çfarë ishte transformuar?

- “Megjithatë nuk është e vërtetë se shqiptarët u gënjyen nga këto skema”, - do të shkruante ato ditë gazeta e njohur angleze “The Indipendent”. “Ata e kuptonin shumë mirë se si funksiononin këto skema dhe besonin se ato do të vazhdonin, se një kolaps i tyre do të thoshte edhe një kolaps i gjithë shtetit. Këto skema filluan të ngjallin shqetësimin ndërkombëtar. Guvernatori i bankës Kombëtare kërkoi që ato të mbylleshin, por pa sukses. Përsëri qeveria nuk veproi, sepse kishte përpara fushatën elektorale të tetorit, ku parulla kryesore e pushtetit ishte “Me ne fitojnë të gjithë”. Tani shqiptarët e shohin veten në buzë të një gremine”.

Askush me dy para mend në kokë nuk mund të besonte se në krye të piramidës ka qenë një rome me emërin Sude, ish-këpucare, e cila deri pak ditë para burgosjes bisedonte me gazetarët duke ngrënë bukë me gjizë!

Tjetërkush gjendej në majën e piramidës. Njerëzit u ngritën për të rrëzuar “majën”. Sepse, ndryshe nga piramidat e tjera, ku ato shemben po t’u heqësh bazën, këto ishin një lloj tjetër piramidash që kërkonin heqjen e majës.

Njerëzit u ngritën në protestat e tyre, të cilat dihen tash se çfarë përfundimi kanë patur. Shpesh herë është pyetur: Nëse qeveria do të ndërtonte marrëdhënie me të zhgënjyerit mbi bazën e mirëkuptimit dhe jo mbi bazën e dhunës a do të kishte patur një rrjedhë tjetër të ngjarjeve?

Një tjetër pyetje ka lindur që në ditët e janarit ’97 kur filluan manifestimet e para. Përse në Jugun e Shqipërisë? Është e logjikshme të pyetet, apo jo?

Dy “kollosët” financiarë rentierë, VEFA dhe “Gjalica” lëkundeshin duke iu marrë këmbët dhe duke pritur se cila do të shembej e para. Njëra, VEFA, ishte si të thuash “tiranëse”, ku më së shumti kishin investuar kryeqytetasit. Tjetra, “Gjalica”, ndonëse me emërin e një mali verior, ishte si të thuash, “labe”.

“Qeveria e mban VEFA-n, VEFA mban qeverinë”, - do të shkruhej në shtypin e botës, por ky ishte edhe fakti i jetës së përditshme.

“Tani qeveria është e impenjuar të shpëtojë shpëtimtarët. Në radhë të parë shoqërinë më të fuqishme VEFA, e cila ka ngrënë pjesën më të madhe të kursimeve dhe është prezent në qindra aktivitete” - (BBC)

Zelli i televizionit shqiptar për të transmetuar disa herë kumtet e përfaqësuesit të firmës “Gjalica” për falimentin e saj, si të kishte qenë fjala për një përurim, lë të kuptohet se radha e rënies së të mëdhenjve është përcaktuar nga lart.

Sigurisht që më e mira (në falimentim) për pushtetin në zgjedhjen VEFA apo “Gjalica”, ishte e dyta.

Në fillim le të ndodhte në Vlorë, që zona e protestave të jetë sa më larg, që të fitohet ndonjë ditë edhe për të menduar, por edhe për të kundërvepruar.

Dhe kundërveprimi i qeverisë ishte jashtë çdo logjike.

Logjika e prapshtë të çon në veprime të prapshta.

Kronikë pa koment
- Ministri i Punëve të Jashtme, Shehu, mbahet peng nga qytetarët e zemëruar lushnjarë. U godit dhe u linçua në mënyrë skandaloze. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai vetë, me t’u kthyer në Tiranë, tha se “isha te miqtë e mi lushnjarë”.

- Ish deputeti i së majtës, Ndre Legisi, goditet rëndë në kokë dhe i rrezikohet jeta.

- Një nga veprimtarët e së djathtës, Edi Rama, dikur bashkëmitingas me Berishën, rrihet në mënyrë çnjerëzore nga duar të stërvitura për krime.

- Qindra njerëz merren në përgjegjësi juridike, thirren në hetime si organizatorë të mitingjeve të paligjshme dhe dënohen deri në 20 vite burgim.

- Deputetët e PD-së vendosin të ndryshojnë dispozitat kushtetuese. Ata i japin të drejtë kryetarit të shtetit të përdorë ushtrinë për mbrojtjen e rendit. Kjo është në kundërshtim me ndalimin e sanksionuar për ushtrimin e kësaj kompetence në 6 muajt e fundit të mandatit presidencial.

- Presidentit i kërkohet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Të paktën në Vlorë. Nismëtar është kryeministri Meksi.

- Berisha del në jetën politike të vendit me atributet e Komandantit të Përgjithshëm.

- Shteti në tërë vendin nxjerr në rrugë arsenalin e armëve. Studentët në Vlorë, pasi kanë paralajmëruar, futen në grevë urie.

- Të gjitha ndërtesat qeveritare, ministritë, TVSH-ja, rrethohen me trupa ushtarake, përveç rrethimit prej policisë.

- Berisha, i pyetur nëse do t’i pranojë këshillat e qeverive të tjera, për të mbajtur zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur, përgjigjet: “Jo. Kjo vetëm se do të legjitimonte bojkotin e opozitës. Zgjedhje të reja do të ketë në vitin 2000.” - citon REUTER, duke theksuar se ndërkohë që shqiptarët janë në buzë të greminës, kreu i piramidave identifikohet me qeverinë.

- Berisha, me rreth 500 anëtarë të Partisë së tij, bën një kundërdemonstratë në Tiranë, ku ende ndjehet deliri i pushtetit. Në të njëjtën ditë, në një qytet të vogël pranë Tiranë, Fushë-Krujë, i cili nga regjimi quhej pro-berishian, protestojnë 5.000 vetë “kundër”.

- Gjeografia e demonstratave - kudo. Mirëpo në disa qytete ka djegie, rrahje dypalëshe, krisma, prap djegie, arrestime, përleshje, e më pas, edhe të vrarët e parë. Ndoshta jo rastësisht, përsëri në Vlorë.

- Berisha pret një grup të studentëve vlonjatë në grevën e urisë. “Jemi mirëkuptue” - deklaron Berisha. Studentët bashkohen me shokët e tyre në grevë, në shenjë “mirëkuptimi”.

- Tritan Shehu “e përjashtoi kategorikisht mundësinë që Shqipëria të jetë në krizë politike e as ekonomike. Thjesht janë një grup terroristësh marksistë-leninistë”. Por këta “terroristë”, sipas “Euronews” vetëm në Vlorë kapin shifrën e 20 mijë vetëve.

- Berisha me anglishten e tij karakteristike përjashton gjithashtu krizën, përjashton mundësinë e krijimit të një qeverie të re, përjashton mundësinë e një zgjidhje të re politike me përfshirjen e gjërë të partive, përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe të një referendumi kushtetues, përjashton mundësinë e rotacionit të pushtetit, përjashton çdo lloj bashkëqeverisjeje me opozitën, përjashton...

Fillimi i diktaturës është përjashtimi i qarkullimit të pushtetit, por mund të jetë edhe fundi i saj.

- Asnjë qytet që demonstron dhe që bën revolta nuk e qas televizionin shqiptar që të filmojë, pasi ai është pjesë përbërëse e makinës shtetërore të dhunës, ai është, sipas pohimit të Dritëro Agollit, “policia televizive”.

- Gazeta “The Indipendent” e quan regjimin e Berishës si “The gangster regime”.

Çfarë do të sillte në fillimet e marsit ky regjim?


Java e parë e marsit

Ajo filloi me botimin e një interviste të zotit Berisha në revistën gjermane “Der Spiegel”. Pyetjes së gazetarit gjerman për mundësinë e një qeverisjeje gjithëpartiake, Berisha i përgjigjet: “Një koalicion me socialistët? Kurrën e kurrës!... Ajo është një bandë e kuqe”.

Mentaliteti i pushtetarit apo përpëlitjet e fundit?

E Shqipëria? Televizioni i Zvicrës, në emisionin e datës 2 mars 1997, të orës 13.00, do të theksonte: “Shqipëri: anarki, digjen ndërtesat publike, merren me sulme stacionet e policisë, hapen burgjet. Zemërimi ka përfshirë shumë qytete.

Megjithë dorëheqjen e kryeministrit Aleksandër Meksi, zemërimi i manifestuesve nuk zbutet. Rebelimi që po pushton tërë vendin fillon në korpusin e Universitetit të Vlorës, u rreth 40 studentë, prej 10 ditësh vazhdojnë një grevë urie, në shenjë proteste kundër qeverisë. Përleshjet shpërthyen, në momentin kur forcat e rendit tentuan të evakuonin studentët. Pas një manifestimi të fëmijëve papritur u shkaktua masakra. Hedhje gurësh kundër të shtënave me armë zjarri. Pasi pushtuan një kazermë, manifestuesit u armatosën. E, në qytetin e Vlorës, shtihet në ajër me armë zjarri, në një anarki të plotë. Tashmë policët që nuk i bëjnë më dot ballë turmës, nuk bëjnë asnjë qëndresë.

Turbullirat po shtohen edhe në pjesë të tjera të vendit; djegie të ndërtesave zyrtare, hapje e burgjeve prej nga arratisen të burgosurit, përleshje me armë. Por, zemërimi i shqiptarëve është aq i madh sa asnjë fjalë nuk mund ta ndalë përhapjen e përleshjeve”.

- Këshilli Kombëtar i PD-së vendos që Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm për postin e kryetarit të shtetit. Zgjedhja do të bëhet me 3 mars, ditën e hënë. Deputetët republikanë, monarkistë dhe të pakicës greke propozojnë si çështje urgjente parlamentare diskutimet mbi zhvillimet dramatike në Vlorë, duke shtyrë çdo çështje tjetër, edhe zgjedhjen e presidentit. Propozimi i tyre përqeshet nga shumica demokratike.

- Në Vlorë shpërthen revolta e armatosur, qytetarët marrin armët në dy kazerma dhe sulmojnë institucionet lokale. Janë vrarë 9 veta. Janë plagosur qindra të tjerë. Nga policia sekrete po ashtu ka 50 të plagosur. Rrugët drejt qyteteve jugore janë bllokuar dhe lidhja telefonike me Vlorën është ndërprerë.

Berisha lë të kuptojë se “bëjmë edhe pa Vlorën”. Ndërsa Shqipëria digjej, Berisha donte të rizgjedhje.

- Ndërkohë në Gjirokastër, me studentët e grevës së urisë kontakton “zyrtari” i parë, konsulli grek Kanellos. Ndërsa diplomati i huaj “u qante hallin” studentëve, Tirana merrej me legjitimitetin e saj.

Akoma nuk ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Ajo duhej të priste natën.

REUTER do të paraqiste paradën butaforike të Berishës:

“Mbërritja e Berishës në qytetin e Lushnjës ishte një ngjarje e inskenuar e huazuar nga manualet propogandistike të Stalinit. Përpara se ai të mbërrinte në qytet, policë civilë të ardhur nga rrethe të tjera kishin zënë vend në shesh. Policët me uniformë nuk lejonin njeri t’i afrohej sheshit. Mikëpritja e presidentit ishte organizuar mjaft mirë para kamerave. Matanë njerëzve që duartrokisnin presidentin, një grup njerëzish qëndronin në një heshtje ogurzezë. Bashkia e djegur është dëshmitare e zemërimit të madh ndaj qeverisë. Rreth dy orë presidenti u foli simpatizantëve të ftuar në sallë. Kur doli, dukej mjaft i kënaqur. Ai tha “Pjesëmarrësit më bënë shumë pyetje. Unë u mundova t’u jap përgjigje dhe i sigurova ata se me një program realist ekonomik ne do të mund të kapërcejmë vështirësitë e krijuara nga shembja e skemave brenda një kohe të shkurtër”. Por jashtë sallës atmosfera kishte ndryshuar. Shumë njerëz i kishin shpëtuar kordonit të policisë dhe, kur presidenti po zbriste shkallët, zemërimi i akumuluar shpërtheu në sipërfaqe. Maska ishte çjerrë. Njerëzit e fishkëllyen dhe e përcollën me “yyy”, të fuqishme. Nga frika se mos situata dilte jashtë kontrollit, presidenti u fut në makinën e tij dhe u largua me shpejtësi në mes të turmës që po ngushtohej”.

- Në mëngjesin e 1 marsit Berisha nuk e dinte më se cili qytet ishte nën kontrollin e pushtetit zyrtar.

- Në pasditën e 1 marsit Berisha shpall gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë Shqipërinë. Komandant i gjendjes së jashtëzakonshme është gjenerali famëkeq, shefi i SHIK-ut shqiptar, Bashkim Gazideda.

3 mars, Berisha rizgjidhet President dhe mban fjalimin e tij të ashpër ku mbisundon shprehja “do t’i shtypim”.

- “Të gjithë përfaqësuesit diplomatikë perëndimorë nuk asistojnë në rizgjedhjen me ngut të Berishës nga një parlament që ai e ka vënë poshtë këmbëve” (“Liberation”)

- “Më 4 mars Berisha arreston 4 oficerë të lartë, “fajtorë” se nuk kanë mbrojtur kazermat në Vlorë. Ushtarakët kundërshtojnë gjithnjë e më shumë të shërbejnë për të ruajtur rendin e për të qëlluar mbi popullin e tyre”. (“Liberation” 7.3.97))

- “Dhjetra kamionë ushtarakë u panë të enjten në mbrëmje duke shkuar në drejtim të jugut”. (“Le Matin”)

- Ministri konservator anglez Sir Nicholas Bonsorn publikisht e pranon se Berisha dhe PD-ja kishin marrë ndihma financiare nga Partia Konservatore për fushatën elektorale, për suksesin e plotë të së cilës ishte e interesuar kjo parti, shuma këto që sillen edhe me miliona sterlina: (“The Guardian”)

- Anarshi, rebelim, kryengritje, shpërndarje armësh për besnikët partiakë dhe grabitje armësh nga cilido që mund të mbante një armë, “banda të kuqe”, dorë e hekurt, gjendje e jashtëzakonshme, shkarkime gjeneralësh dhe burgosje, thyerje të burgjeve, vrasje e plagosje - në të cilën askush, as kryetari i shtetit, nuk e dinte se çfarë do të sillte e nesërmja - kjo ishte pamja që Shqipëria i paraqiste botës.

Drejt kësaj “pamje” u nisa në javën e parë të muajit mars....

Para nisjes

(e diel, 2 mars - e martë, 4 mars 1997)

Nga data 5 deri më 15 mars 1997 qëndrova në shumë qytete të jugut të Republikës së Shqipërisë. Shkova si shoqërues (gazetar e përkthyes) i z.Roland Schleicher, redaktor për Evropën Jug-Lindore i revistës gjermane “Der Spiegel” (Hamburg).

Në fakt, më shumë më interesonte të shkoja si vëzhgues, për të hetuar se ç’po ndodhte me të vërtetë atje, pasi flitej e përflitej aq shumë gjatë atyre ditëve. Dhe, nuk kam përse ta fsheh: shkova kryesisht që të jem në vend të ngjarjeve aq të mëdha.

Vendimin definitiv për shkuarje e mora qysh të dielën në mbrëmje, më 2 mars 1997. Atë ditë, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani (BDShGj), u dërgua një telegram përkrahës për studentët grevistë dhe popullin protestues në Vlorë e Gjirokastër.

Po kjo Kryesi, pothuaj një vit më parë (maj 1996), kishte organizuar një grevë 15-ditore të urisë në Bonn. Njëra nga kërkesat e asaj greve qe dorëheqja e Presidentit Sali Berisha, nëse ai nuk do të korrigjonte prononcimin që kishte bërë kohë më parë në Bonn - që “Kosovës t’i njihet statusi i autonomisë në kuadër të Jugosllavisë”.

Telegrami përkrahës, pos grevistëve e protestuesve, iu dërgua edhe masmediave shqiptare, si dhe Radioprogramit shtetëror gjerman në gjuhën shqipe “Dojçe Vele” (DW). Derisa telegramin nuk pranoi ta botonte as gazeta “Zëri i Kosovës” (pasi Redaksisë iu ndalua një gjë e tillë me një ndërhyrje nga “lart”), atë e emetoi DW të dielën, më 2 mars, në emisionin e orës 19.30. Por edhe në DW duhet të ketë pasur përplasje për shkak të emetimit të tij. “Redaksia e DW distancohet nga ky telegram” - u dëgjua zëri i teknikut I.D. Ai duhet të ketë vepruar në atë mënyrë aq skandaloze, pa e ditur, e para, se DW nuk e emetonte si qëndrim të vetin, por si njoftim, e dyta, duke kapërcyer kompetencat e veta prej tekniku në studio. Edhe në shtëpi më plasi sherri me shoqen, Mimozën, për shkak të emetimit të telegramit nga DW. Ajo frikësohej se mos “patriotët” shqiptarë (që e dinin se ajo bashkëpunonte me këtë Radiostacion) do t’ia mvishnin asaj “fajin” për emetimin, të bërë gjoja me ndërhyrje: Nuk e di nëse në masmediat (dez)informuese të Shqipërisë është bërë ndonjë njoftim për atë telegram. Them që nuk mund të ketë ndodhur diç e tillë, pasi gazetat opozitare ndërkohë nuk botoheshin, kurse RTSH-ja e ATSH-ja ishin moniste: emetonin vetëm ato që ishin pro Berishë.

Qysh atë natë e ndava mendjen për të shkuar në Shqipëri. Menjëherë fillova të planifikoj se si dhe nga duhet të shkohet, pasi ishte bërë e njohur se nga Tirana shkuarja ishte e pamundur. Më kishte mbetur edhe një mundësi “jopatriotike” përmes Greqisë. Edhe andej më duhej vizë.

Do fati dhe më krijohet edhe një arsyetim për shkruarje. Të hënën, më 3 mars, diku rreth orës 11:00, më telefonoi redaktori Schleicher. Ai më pyeti nëse kisha kohë, mundësi e dëshirë për ta shoqëruar, pasi kishte ndërmend të shkonte në Shqipërinë e Jugut, por kuptohet, duke më paguar honorarin. Unë nuk ia fsheha vendimin që në ndërkohë e kisha marrë, prandaj, i thash se kjo ofertë që më bënte ishte e mirëseardhur. Pas rreth një ore më telefonoi prapë, duke më bërë me dije se sektori i financave pranë Shtëpisë botuese “Der Spiegel” kishte rënë dakord të më paguante një honorar prej 500 DM në ditë. Pak më vonë ai më bëri shkresën që t’ia paraqes Konsullatës në Düsseldorf, që ta merrja vizën në dorë, pasi aty ishte praktikë që përgjigjja ndaj kërkesës për vizë vonohej deri edhe në një muaj.

Në mbrëmje, kur rastësisht erdhi për vizitë bashkatdhetari Demir Demiri (DD), ia kërkova fotoaparatin. Ai më pyeti përse më duhej. Edhe pse për shumë arsye kisha vendosur të shkoj në Shqipëri pa treguar, atij i tregova. Ai, pa u menduar, m’u lut që ta merrja me vete, pasi dëshironte të perfeksiononte mjeshtërinë prej fotoreporteri në vendin e ngjarjeve. U dakordova se mund të vinte, nëse do varej nga unë, duke e bërë me dije se ishte ndërmarrje me rreziqe. Edhe atij i duhej viza greke. I premtova se z.Schleicher do të bënte një shkresë edhe për të, që të mund të merrte vizën pa vonesë, siç shpresonim.

Të martën në mëngjes, më 4 mars, shkuam unë dhe DD në Konsullatën greke në Düsseldorf. Sapo bëmë kërkesën për vizë, pa paraqitur shkresën e “Der Spiegel”-it, na u tha se përgjigjen do ta marrim pas një muaji. Me atë rast paraqita shkresën. Nëpunësja konsultoi shefin e saj. Përgjigjja ishte se unë mund ta merrja vizën, kurse DD jo. Sqarimi ishte se atij i mungonte një shkresë e tillë dhe se për të, për shkak të vendbanimit, kompetente ishte Konsullata greke në Dortmund. Unë mora vizën. Pastaj i bëra telefon z.Schleicher. Atë e informova se me ne dëshironte të vinte fotoreporteri amator DD. Ai m’u përgjegj mund të vijë, veçse pa pagesë, dhe se menjëherë do të faksonte një shkresë përkatëse.

Rreth orës 12.30 bleva biletën kthyese (650.-DM), kurse për DD bëmë rezervimin, duke u dakortuar se do ta merrnim të nesërmen në Aeroportin e Düsseldorfit. Të nesërmen, (e mërkurë, më 5 mars), në ora 09.00, fluturuam për në Athinë dhe prej andej në Janinë.

Gjatë gjithë pasdites të së martës, më 4 mars, nëpër kokë më zienin lloj-lloj mendimesh. Mendoja edhe për mundësinë e humbjes së jetës në Shtetin tim, pasi dezinformatat për rrezikshmëri nga “bandat” e lloj-llojshme ishin bërë aq marramendëse, sa nuk kishe se si të liroheshe edhe nga mendime të tilla. Sikur më dukej se më pak po më mundonte humbja e jetës, sesa spekulimet që do të pasonin paskëtaj. Po kështu nuk më linin të qetë edhe paramendimet, se si vërtet do të trajtohesha atje, në atë katrahurë shqiptare, nga ana e kryengritësve.
Düsseldorf-Gjirokastër,

(e mërkurë, 5 mars 1997)

Mbrëmë kisha ndenjur zgjuar gjithë natën. Po mundohesha të shkruaja një reagim ndaj shpifjeve që kishte bërë Sabri Novosella në revistën “Republika”. Dëshiroja të mos më ndodhte që të vdisja në katrahurën e Shqipërisë pa reaguar kundër atyre shpifjeve që kishte bërë ai kundër meje. Druaja se shumë veta ishin dezinformuar nga të tilla shpifje dhe nuk doja të vdisnin ca të vërteta bashkë me mua. Më bëhej se ato i dija vetëm unë. Reagimin, pa patur kohë ta shkruaja më shkurt e më mirë, e kreva në orët e mëngjezit. Në fund të reagimit nuk ngurrova t’ia shkruaja ca rreshta kryeredaktorit Sali Kabashi. Atë e luta ta bënte korrigjimin gjuhësor e drejtshkrimor, me shpjegimin se nuk kisha kohë të merresha me atë punë. (Ai reagim u botua në “Republika”, nr.9/1997).

Po mbrëmë, diku rreth mesnatës, i telefonova GK. E luta të sillte formularë për të bërë kontratë për sigurimin jetësor te Firma “Züricher Versicherung”. Ai erdhi pas mesnate. I plotësuam formularët, duke i nënshkruar dhe vënë datën e 3 marsit. Këta formularë duhej t’i përcilleshin një miku që punon për këtë firmë sigurimi në Gjermani. Miku duhej të priste që ta fuqizonte atë kontratë, vetëm nëse do të dëgjonte se mua më kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi e rëndë. Me këtë doja që pjesëtarët e familjes dhe ndokush tjetër të kishin ndonjë përfitim material, po qe se ajo do të paguante siç premtonte.

Pse ta fsheh, ndarja me djalin 3-vjeçar, Jetlirin, me motrën Lushe dhe me shoqen Moza ishin të dhimbshme.

Redaktori Schleicher duhej të fluturonte nga Hamburgu. E kishim lënë të takoheshim në Athinë. Unë, bashkë me DD-në fluturuam nga Dyseldorfi (Düsseldorf). Në Athinë mezi kapëm aeroplanin për në Janinë. Në aeroplan u takuam me redaktorin Schleicher. Ai na tregoi se ishte bërë problem pritja e aeroplanit nga Düsseldorfi. Po kështu na informoi se në aeroplan gjendej edhe një ekip i revistës gjermane “Stern” (Hamburg), që gjithashtu udhëtonte për në Shqipëri. Aeroplani nuk ishte edhe aq i vogël, diku rreth 80 vende, por plot me ekipe reporterësh e gazetarësh që ia kishin mësyrë Shqipërisë.

Në Janinë arritëm rreth orës 17.00. Tani po planifikonim se çfarë duhej bërë që të shkonim më tutje. Z.Schleicher, unë, DD dhe gazetari e fotoreporteri i “Stern”-it u dakortuam të udhëtonim me taksi deri në Kakavijë, pastaj atje, duke parë e duke bërë. Sa për “provë” iu drejtova një taksisti të atyshëm në gjuhën shqipe. Ai (Mihael Ferletis) m’u përgjigj gjithashtu shqip. Më kishte rastisur edhe në nëntor të vitit 1991 të hyja në Shqipëri përmes Greqisë dhe në Janinë kisha hasur në shumë vendës që flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe. Taksisti Ferletis gjeti edhe një taksi tjetër. Gjermanët po habiteshin se si ne po merreshim vesh në gjuhën shqipe. Nxituam për të udhëtuar, pasi donim të arrinim te vendkalimi kufitar para orës 19.00. Përndryshe organet kufitare shqiptare nuk do të na lejonin të hynim më vonë në Shqipëri për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjatë rrugës biseduam me taksistin. E pyeta nëse ishte shqiptar. Nuk e pranoi. Bile këmbënguli çuditshëm se është grek i Janinës. Por mënyra se si u përgjegj linte vend për dyshim. Në bisedë, gjatë udhëtimit, na tha se gjuhën e kishte mësuar nga prindërit. Z.Schleicher e bëra me dije se përse ai e dinte shqipen aq rrjedhshëm. Por, z.Ferletis, i cili shumë vite kishte qenë emigrant në Gjermani dhe e dinte mirë edhe gjermanishten, reagoi prapë çuditshëm, tani në gjuhën gjermane, duke u munduar ta bindte z.Schleicher se nuk kishte origjinë shqiptare. Z.Schleicher ia ktheu duke e lutur që të mos shqetësohej, pasi, siç e shpjegoi, çështjen kontestuese shqiptaro-greke rreth territoreve dhe popullsisë së atij regjioni kontestues e njihte si në aspektin historik, ashtu dhe aktual.

Taksisti pastaj na këshilloi që të mos e kalonim kufirin për në Shqipëri, pasi rrezikonim jetën.

Gjatë gjithë rrugës, nga Janina deri në Kakavijë, shihnim plot lëvizje ushtarësh grekë. Në lajme kishim dëgjuar se qeveria greke kishte mobilizuar një divizion të tërë përgjatë kufirit, me arsyetim se priteshin dyndje të mëdha të shqiptarëve.

Në vendkalimin kufitar të Kakavijës arritëm në orën 17.30. Aty shiheshin plot kamionë (mauna) me regjistrime të Shqipërisë, të cilët kishin ditë që qëndronin dhe nuk hynin për shkak të ngjarjeve. Gjetëm edhe shumë gazetarë e qytetarë shqiptarë. Deri rreth orës 18.30 vazhduan njohjet e bisedimet me gazetarë të shumtë të huaj që qëndronin aty dhe po ua përcillnin lajmet qendrave të tyre, pasi një firmë kishte ngritur një transmetues satelitor provizor. Po bisedonim për të hyrë ose jo. Ca thonin se është rrezik, ca të tjerë thonin se deri në Gjirokastër mund të shkohet, pasi Gjirokastra nuk ka rënë në duar të rebelëve kryengritës. Më në fund vendosëm. Z.Schleicher tha se do të rrinte në anën greke, për të provuar se mos ndoshta do të mund të shkonte me ndonjë ekip të gazetarëve grekë për në Korfuz dhe prej andej të hynte në Sarandë. Mua më tha të udhëtoja për Gjirokastër, të shikoj se si është gjendja dhe në mëngjes, në orën 08.00, të kthehem prapë në Kakavijë për ta marrë nëse nuk është gjendje e rrezikshme dhe nëse ai nuk kishte shkuar në Sarandë. Me mua e DD-në vendosën të vijnë edhe gazetari e fotoreporteri i “Stern”-it.

Në ora 18.30 kaluam kufirin. Pas formaliteteve të vogla kufitare vazhduam udhëtimin me një taksi drejt Gjirokastrës. Gjatë udhëtimit taksisti vendas, me emrin Përparim (mbiemrin nuk ia kam mbajtur mend), na tregoi për ndodhitë kryesore të ditës:

“Sot, para pak çasteve, rreth orës 17.00, është ngritur në ajër ura në Grapsh në Qafë të Mezinës. Duket se këtë e kanë bërë sarandjotët, për të penguar shkuarjen e trupave qeveritare nga Gjirokastra në Sarandë. Tani nuk mund të shkohet me makinë në Delvinë e Sarandë. Pilotët që u arratisën në Itali kanë hedhur bomba këtej, mbi kodrat e Rusanit, për të mos i hedhur mbi vendbanime të qytetarëve kryengritës, sipas urdhërit të Tiranës...”

Arritëm diku rreth orës 19.30 para Hotelit “Çajup”, të cilin populli vazhdonte ta quante “Hotel Turizmi”, meqë në të kaluarën aty kishin fjetur vizitorë të huaj. Asnjë njeri në rrugë. Qyteti i sigurtë dukej si i vdekur. Edhe dyert e hotelit i gjetëm të mbyllura. Kjo heshtje, që ngjante me heshtje varrezash, ishte rrjedhojë e gjendjes së jashtëzakonshme. Por dukej më tepër se e jashtëzakonshme. Dukej se pushteti i Tiranës kishte shpallur gjendje lufte!

Pas shumë thirrjeve na u hap dera. Përballë na u shfaq një plakë e moshuar, e lodhur dhe e mërzitur. E përshëndeta, duke bërë prezantimin. Ajo u habit kur dëgjoi të flisja shqip.

- Ç’hall ju ka sjellë në këtë kohë kaq të rrezikshme? - më pyeti.

- Vijmë si gazetarë, për të përcjellë ngjarjet dhe gjendjen, - iu përgjegja.

- Po ju qenkeni gazetarë shqiptarë dhe gazetarë shqiptarë ka ca ditë që nuk kemi parë! - vazhdoi ajo me një lloj habie të përmbajtur.

Rezervuam katër dhoma. Në një sallon të rregulluar mirë, që kishte edhe paradhomë të madhe, në fund të korridorit, në anën e prefekturës, u vendos gazetari i “Stern”it. Në dhomën përballë u vendos fotoreporteri i “Stern”-it. Ai ishte indas, futë i zi, por kishte shtetësi gjermane. Në dhomën tjetër, ngjitur me sallonin, u vendosëm unë e DD. Kurse në një dhomë tjetër taksisti Përparim, i cili u ndal aty, pasi frikësohej të kthehej vetëm në Kakavijë në atë kohë dhe nuk kishte leje për të lëvizur. Gazetari i “Stern”-it u tregua zemërgjerë dhe tha se do t’ia paguante dhomën, me arsyetimin se do të na duhej në mëngjes. (Edhe me këtë rast u binda se gjermani nuk paguan kot). Plaka na bëri me dije se të gjitha dhomat që kishim zënë kushtojnë 15.000 lekë (të reja), diku rreth 100 USD me kursin e atyre ditëve.

- Këtu ka fjetur mbrëmë prefekti, - tregoi plaka, kur po na e prezantonte sallonin. Sikur ky fakt i duhej për reklamimin e sallonit.

- Përse ka fjetur prefekti këtu, kur ai e ka shtëpinë e vet?! - i bëra pyetjen unë, paksa i habitur.

- Jo, ai nuk ka shtëpi në Gjirokastër, nuk është gjirokastrit, është nga Fieri, dhe rëndom fle këtu në hotel, - m’u përgjegj plaka.

Ndërkohë e pyeta plakën, nëse ajo ishte recepsioniste dhe nëse e kishte orarin e punës në atë kohë. Ajo shpjegoi se ishte bërë bashkëpronare me vëllain e motrën, pasi hoteli kishte qenë i tyre para LDB-së.

E pyeta edhe për mundësinë e darkimit, pasi ishim të uritur.

- Më vjen keq, nuk kemi ndonjë mundësi për t’ju dhënë darkë, - u përgjigj plaka.

Nga ajo mësova se prefekti i Gjirokastrës, z.Thanas Merkuri, që njëherit ishte edhe shef i shtabit të gjendjes së jashtëzakonshme për prefekturën e Gjirokastrës, kujdestaronte në Prefekturë. Me gazetarin e “Stern”-it shkuam në Prefekturë. Me ne erdhi edhe Përparimi. DD dhe indasi mbeten në hotel.

Para portës së Prefekturës, që ishte përbri hotelit, por e ndërtuar më sipër për shkak të pjerrësisë së tokës, po bënin roje një ushtar e një polic. Të dy mbanin “kallashnikovë” mbi supe.

- Mirëmbrëma dhe mirë se ju gjejmë, - i përshëndeta.

- Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur, - u përgjigj polici, duke shfaqur edhe dozë të habisë për atë takim të papritur.

- Jemi gazetarë. Vijmë nga Gjermania. Unë jam shqiptar, kurse ky kolegu është gjerman. I treti është taksist, - bëra prezantimin. - Dëshirojmë ta takojmë z.Prefekt, nëse është këtu dhe nëse është e mundur? - vazhdova me dashamirësi.

- Këtu është, por, vërtet në këtë kohë doni ta takoni!? - m’u përgjigj në mënyrë pyetëse, të shoqëruar me habi të natyrshme për rrethanat e atyshme. - Nga ana jonë nuk ka pengesë. Të shohim nëse do të pranojë ai. Por nuk kemi si ta informojmë, - vazhdoi polici duke drejtuar shikimin drejt tri dritareve të ndriçuara në katin e 3-të, në anën e majtë të ndërtesës së prefekturës.

- Thanas, o Thanas, ooo Thanas, - zuri të thërrasë me zë të lartë polici.

Pas disa çasteve, në portë, nga ana e brendshme, u duk një zotëri. Ishte vetë prefekti, z. Thanas Merkuri. Hapi portën. Na u drejtua disi i befasuar, por me dashamirësi:

- Mirëmbrëma dhe mirësevini! Urdhëroni!

Z.Merkuri e hetoi se ishim jabanxhinj. Na shpuri në zyrë. Gjatë ecjes drejt zyrës së tij bëra prezantimin tonë, duke e bërë me dije se patëm fat që na u hap dera e hotelit dhe aty zumë vend. I tregova se kishim bërë rrugë gjatë gjithë ditës.

Pasi na ofroi të zëmë vend në kolltuqe në sallonin e tij të madh, filloi së prezantuari veten:

- Jam prefekt i prefekturës së Gjirokastrës. Emrin e kam Thanas Merkuri. Jam nga Fieri. Jam zgjedhur për prefekt në zgjedhjet komunale të tetorit të vitit 1996 si përfaqësues i PD-së. Tani jam edhe shef i shtabit që kur është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

- Halli ynë kryesor në këtë kohë të papërshtatshme është darkimi. Na ka zënë puna të uritur dhe nuk po dimë ku të darkojmë. Por, nëse nuk pritoni dhe nuk jeni shumë i zënë me punë, do të dëshironim të na informoni mbi gjendjen në prefekturën tuaj, - fola unë.

- Më vjen keq por nuk kam si t’ju ndihmoj. As vetë nuk banoj këtu që të mund t’ju bëja ndonjë çare në shtëpi, - u përgjegj duke e ndjerë veten të zënë ngushtë, duke shprehur njëherit edhe keqardhje.

- Gjendjen e kemi të rëndë, - vazhdoi prefekti Merkuri. Siç e dini, këtu kemi gjendje të jashtëzakonshme. Në Gjirokastër, pas trazirave që kishim, kemi një gjendje ca të normalizuar e nën kontroll. Por në qytetet e Tepelenës dhe Memaliajt, që gjithashtu janë nën Prefekturën e Gjirokastrës, gjendja ka dalë krejtësisht nga kontrolli. Ato qytete kanë rënë në duar të rebelëve. Unë kam humbur çdo kontakt me bashkitë e këtyre qyteteve dhe nuk di se ç’po ndodh atje. Di vetëm se në hyrje të atyre qyteteve janë ngritur barrikada nga rebelë të armatosur. Këtu mund të ndjeheni të sigurtë. Nëse keni ndërmend të shkoni në këto qytete, nuk mund t’ju garantoj asgjë. Bile, do t’ju kisha sugjeruar që të mos shkoni atje, pasi rrezikoni jetën tuaj.

Më duhej ta ndërprisja herë pas here, pasi gazetari gjerman dëshironte t’ia përktheja ato që thoshte prefekti Merkuri.

- Cili është shkaku i këtyre trazirave? - pyeta unë. Pyetjen ia përktheva gjermanit, që të dinte se çfarë po bisedonim.

- Kursimet e deponuara në firmat rentiere. Ato falimentuan dhe kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe. Tani ajo pakënaqësi është shndërruar në pakënaqësi politike, - u përgjigj z.Prefekt. Ai deshi të vazhdonte tutje, por e ndërpreva me pyetjen tjetër:

- Me tendencë të shkëputjes së Shqipërisë Jugore nga Republika e Shqipërisë?

- Nuk është e vërtetë! Protestuesit janë duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë, me arsyetimin se i ka toleruar ato firma mashtruese të ushtrojnë veprimtarinë deri sa ia mblodhën të gjitha kursimet popullit. Rebelët po akuzojnë politikanët në Tiranë se kanë qenë të implikuar në këto firma. Për ndonjë tendencë seperatiste të tyre nuk kam të dhëna, - u përgjigj Prefekti Merkuri, duke u munduar të na bindë për ato që thoshte.

- A po udhëhiqen këto protesta nga bandat kriminale, të kuqe, të drejtuara nga ish nëpunësit e Sigurimit dhe ish oficerët e larguar nga ushtria, siç po flitet në qarqet zyrtare në Tiranë? - ishte pyetja ime tjetër.

- Nuk kam të dhëna konkrete. Mendoj se ato shpërthyen në momentin kur pronarët e firmave rentiere e piramidale nuk ua dhanë në afat përqindjet e interesit, sipas premtimeve dhe kontratave, - u përgjigj z.Merkuri.

- Protestat fillimisht ishin paqësore. Përse ato shpërthyen vetëm në Jug dhe përse u armatosën qytetarët? - ishte pyetja ime pasuese.

- Kanë shpërthyer vetëm në Jug, sepse pikërisht firmat rentiere e piramidale që ushtronin veprimtarinë këndej falimentuan të parat, - u përgjigj z.Prefekt, duke mos e zgjatur, me gjasë nga frika se mund t’i shpëtonte ndonjë vlerësim ndryshe nga ai zyrtar.

- Ndoshta dikush në Tiranë ka patur plan konkret, t’i falimentojë fillimisht vetëm firmat që ushtronin veprimtarinë në Jug, në mënyrë që të provokojë protesta të kufizuara vetëm në këto anë dhe, pastaj, mundësisht, të manipulojë popullsinë e Shqipërisë Qendrore e Veriore kundër popullsisë në Shqipërinë Jugore, me shpifje që po dëgjohen, duke imponuar kështu përçarje krahinore, - ndërhyra unë.

- Nuk kam të dhëna për këto që thoni ju, - u përgjigj z.Prefekt, duke menduar se kjo ishte mënyra më e lehtë për të mos rrëshqitur në gabime me pasoja për të.

- Po ju, z.Prefekt, si mund të vazhdoni t’i shërbeni si Prefekt Presidentit dhe Qeverisë edhe pas gjitha këtyre gabimeve që kanë bërë. A nuk po ju rëndon ndërgjegjja, e nuk keni menduar të jepni dorëheqje në shenjë pakënaqësie, kur po shihni se si po derdhet gjaku, kur mund të dini se për përgjegjësi shumë më të vogla në shtetet vërtetë demokratike jepet dorëheqja e udhëheqësve shtetërorë e qeveritarë, kur mund të paramendoni se sa i rrezikshëm është bërë ky farë presidenti për Shqipërinë, i cili nuk ngurroi të rizgjidhet nga një Parlament një-partiak në mënyrë tepër provokuese e skandalizuese dhe nën gjendje të jashtëzakonshme, siç bëjnë rëndom diktatorët? - iu drejtova z.Prefekt, duke lënë të nënkuptohej se ishte vetëm një mendim imi i lirë.

- Ju kapërcyet kompetencat e gazetarit! - u përgjigj ai me zë ca serioz.

- Po bisedoj si një vëlla shqiptar, tepër i shqetësuar, dhe jo si gazetar, - ia ktheva, duke mos i dhënë shans për të vazhduar, pasi kisha frikë se mos po ndërpritej biseda dhe prefekti po na nxirrte përjashta. - Shpreha mendimin e lirë, siç praktikohet në vende e shoqëri demokratike pluraliste.

- Në rregull, në rregull, mund të shpreheni lirshëm. Por duket se keni mendime të rebeluara, - m’u përgjigj, duke treguar mirëkuptim paksa të kamufluar. Në atë rast, siç ishim pranë e pranë, e përqafova, për të evituar keqkuptim, zënkë, ndoshta edhe diçka më shumë, pasi ai ishte vetë pushteti aty, kujdestaronte në prefekturë në atë kohë si Kryeshef Shtabi...

Kishte kohë që nuk po i përktheja gazetarit gjerman. Prandaj ai në një moment ndërhyri, duke shprehur pakënaqësi pse nuk po i përktheja fjalë për fjalë se çfarë po bisedonim. Unë iu arsyetova, duke i thënë se kisha harruar dhe se do t’i tregoja më pastaj. Ai u tregua ca arrogant, duke më thënë në mënyrë urdhëruese se duhet t’ia përktheja të gjitha. Unë e kundërshtova, duke e shpjeguar se nuk isha në shërbim të tij dhe se aty së bashku gjendeshim rastësisht. Ai e zbuti zërin dhe ofroi gadishmëri për t’më paguar për përkthimin. Ia ktheva, duke i thënë, se ka momente, kur edhe markat nuk bëjnë punë. Pas kësaj më kërko falje. Unë ia pranova.

- Përse po fjaloseni? - ndërhyri prefekt Merkuri.

- Insistoi t’ia përkthej të gjitha, - iu përgjegja. - Por kjo është bisedë mes nesh, për shqetësimet tona, dhe ai nuk ka pse t’i marrë vesh të gjitha.

Për disa çaste mbretëroi heshtja.

- A keni mundësi të na e lëshoni një leje qarkullimi? - e theva heshtjen, duke vazhduar së arsyetuari: - Do të provojmë të shkojmë në ndonjë familje gjirokastrite për të kërkuar bukë.

- Patjetër. Por nuk kam as makinë shkrimi, as vulë, pasi janë të mbyllura në sekretari, - u përgjegj prefekti.

- Besoj se nuk prish punë nëse na e lëshoni të shkruar me dorë, - ia ktheva.

Prefekti nxori nga sirtari i tavolinës së punës një tabak letër të formatit A4, e grisi përgjysmë dhe shkroi lejën e qarkullimit.

Gjatë kohës kur po e shkruante, pyeta nëse ishte e mundur t’i bëja një telefonatë një miku në Gjirokastër, për të pyetur nëse kishim mundësi të shkonim për darkë. Meqë Prefekti bëri me kokë në shenjë pohimi, mora aparatin dhe i telefonova gjirokastritit Odise Kote. Atë vërtetë nuk e njihja, por para nisjes kisha siguruar numrin e telefonit të tij. Sapo bëra prezantimin dhe i tregova hallin, z.Kote u përgjegj se mund të shkonim dhe se ishim të mirëpritur. Nuk ngurroi të arsyetohej, sikur t’ishte i zënë në faj, se nuk i kishte mundësitë të na priste në atë kohë e në ato rrethana, siç do të dëshironte.

Pasi morëm lejen, u përshëndetëm me z.prefekt dhe u larguam nga zyra e tij.

Sapo dolëm në korridor, taksisti Përparim, i cili kishte heshtur gjatë gjithë kohës, m’u drejtua duke më thënë se si guxova të bisedoja aq ashpër me prefektin. Pastaj fillova t’i tregoj gazetarit gjerman, se çfarë kishim biseduar, duke lënë anash ca gjëra, të cilat nuk dëshiroja t’i dinte aty për aty.

Shkuam në hotel. DD dhe indasi i gjermanizuar dukej se kishin humbur durimin duke na pritur, pasi te prefekti kishim qëndruar të paktën gjysmë ore.

Të gjithë së bashku shkuam te familja e paralajmëruar e Odise Kotes për të ngrënë bukë. Kalldrëmet gjirokastrite ishin të pjerrëta, tejet të demoluara. Por taksistët ishin të ushtruar për të tilla kalldrëme e rrugë.

Gjatë rrugës askush nuk na e kërkoi lejën e qarkullimit, pasi askund nuk hasëm në ndonjë polic a ushtar.

Në familjen nikoqire gjetëm mikpritje bujare, që befasoi sidomos gjermanin e indasin. Fillimisht kërkova të falur për shqetësimin në atë kohë e në ato rrethana, pastaj bëra prezantimin tonë. Odisea shpjegoi me dashamirësi bujare, se nuk i kishim shqetësuar, prandaj duhej të rrinim lirshëm, duke u arsyetuar se buka do të vononte ca deri sa të përgatiteshin ca gjëra të vogla.

Menjëherë na u servua raki. Pastaj edhe kafja.

Gjermani kërkoi leje që të diskutohej për revoltat e gjendjen. Përpara e kisha bërë me dije se nikoqiri është gazetar e poet, prandaj duhet të jetë mirë i informuar për gjendjen. Biseda zgjati gati një orë dhe ishte tepër përfshirëse e analitike.

Duke qenë aty, patëm rastin t’i dëgjojmë lajmet e orës 22.00 të RTSH-së moniste, berishiane, siç i thonin aty. Ndër të tjera, na ra të dëgjojmë edhe një raport të prefektit Thanas Merkuri, i cili, sipas njoftimit, ishte dërguar disa çaste më parë. Të gjithë u tallëm, duke thënë: shyqyr që i morëm kohën ne, sepse ai, në atë vetmi mërzitëse, do ta kishte zgjatur raportin e vet gjer në përmasa të padurueshme.

Diku rreth orës 22.30 u shtrua darkë tepër e begatë për rrethana që mbretëronin dhe për kohën e shkurtër të qëndrimit tonë aty. Gjatë darkimit nikoqiri na tregoi thesin e miellit në një skaj, të cilin kishte mundur ta siguronte me njoftësi e çmim të lartë, e i cili i siguronte se nuk do të ngeleshin pa bukë në ditët e ardhshme, të paparashikueshme...

Pas darke pimë edhe nga një kafe dhe vendosëm të largohemi për në hotel. Gazetari gjerman vendosi t’i paguajë 50 USD. Nikoqiri Odise u ndje i ofenduar, prandaj assesi nuk i pranoi.

Trokitëm në derë të hotelit rreth orës 23.00. Me pak vonesë zbriti plaka, e cila dukej se ishte e merakosur për vonesën tonë.

Para se të flinim diskutuam për planet e ditës së nesërme. Gazetari gjerman na u lut që DD të shkonte me të dhe fotografin indas në Sarandë. Ai shprehu gatishmërinë për ta paguar për përkthimin që do të bënte. E pyeta se çfarë ofronte për pagesë. Ai, gjoja me zemërgjerësi, tha se ishte i gatshëm të paguante 50 dollarë. Ne qeshëm. I shpjeguam se nuk jemi duke jetuar në Shqipëri por në Gjermani, ku puna e përkthyesit paguhet të paktën 80-DM në orë. Por nuk e problematizuam pagesën. DD i thashë se ishte mirë të shkonte me ta që të mësonte diçka nga fotografi i njohur indas, se si bëhen fotografitë në rrethana pothuajse luftarake.

Atë natë bëmë gjumë të rehatshëm e të thellë, sepse ishim të lodhur dhe ajri i atyshëm ishte shumë më i pastër se ajri i zonave të industrializuara gjermane.
Intermexo 1
Ndërsa Berisha buzëqeshte i vetëkënaqur në lozhën e parë të parlamentit, tanket dhe autoblindat marshonin drejt qyteteve jugorë. Ushtria u vu në dispozicion të ministrisë së brendshme. U ndalua çdo grumbullim i qytetarëve mbi 4 vetë. U vendos institucioni i çensurës klasike dhe kontrolli i plotë mbi çdo mjet të informimit publik. Televizioni i vetëm shtetëror mori përsipër të transmetojë buletinin dezinformues të policisë së fshehtë, Radiot dhe televizionet e huaja shqipfolëse ose thjesht të interesuara për çështjen shqiptare, u zhurmuan.

Që prej datës 3 mars në Shqipëri nuk dilte asnjë gazetë tjetër veç “RD”-së dhe periodikisht edhe “Rilindjes”. Korrespondentët shqiptarë të gazetave dhe të radiove të huaja, për shkak të terrorit të ushtruar ndaj tyre, u larguan ose u fshehën. Ata u zëvendësuan me gazetarë të dërguar posaçërisht në Shqipëri, kryesisht për arsye imuniteti. Kur unë shkova në Gjirokastër, bashkëpunëtorët shqiptarë të radiove të njohura VOA, BBC, DW ishin në ilegalitet.

Gjendja e jashtëzakonshme u shpall me 1 mars. Vendosja e saj hoqi edhe gurin e fundit të besimit se Berisha ishte demokrat. Por ishte edhe “fisheku i fundit” në duart e Berishës për të shenjtëruar rizgjedhjen e tij. Kjo ndoshta ishte edhe arsyeja pse ai refuzoi një propozim më të hershëm për shpalljen e shtetrrethimit.

Kështu Shqipëria hyri, për herë të parë pas 50 vjetësh, në gjendje lufte: me ftesë të presidentit Berisha, me ligj parlamentar, miratuar vetëm nga deputetët e PD-së për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, me lëvizje të trupave ushtarake të përmasave të mëdha dhe me thirrjet berishiane “do t’i shtypim”.

Ftesa provokative e Berishës ishte bërë edhe më herët. Si i ishin përgjegjur njerëzit kësaj ftese:

- Pushtohet dhe rrëmbehet baza ushtarake detare në Pasha Liman të Vlorës,

- Kryengritësit kërkojnë dorëheqjen e Berishës. Berisha përgjigjet: ne do t’i dërmojmë ata, ne do t’i shtypim rebelët e kuq,

- Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë nuk pranon të implikojë armët në konfrontimin me popullin. Shtohet vazhdimisht numri i ushtarakëve të lartë që nuk pranojnë të marrin komandën për të drejtuar operacionet kundër “rebelëve”, shkarkohet nga detyra shefi i shtabit të përgjithshëm, gjeneral Sheme Kosova.

- Kryengritësit marrin në dorë garnizonin e Vlorës e të Sarandës. Tankistët e Fierit dorëzohen,

- Kryengritësit pushtojnë bazën ushtarake ajrore në Kuçovë. Ata kanë tashmë në dorë 50 avionë luftarakë,

- Ish ministri i mbrojtjes, Zhulali, arratiset me një anije të vogël luftarake për në Itali dhe kërkon atje statusin e azilantit politik,

- Fillon evakuimi i të huajve.

Oh zot, mendova, ku jemi kështu?


Gjirokastër/Tepelenë

(e enjte, më 6 mars 1997)

Rreth orës 06.30 u zgjuam nga gjumi. Koha po bënte mirë. Zbritëm në kafen e madhe të hotelit, në katin përdhes. Duke pirë kafenë e mëngjezit, të shoqëruar me nga një teke, kush të rakisë e kush të konjakut, siç e praktikonin pothuajse të gjithë vendësit, bëmë edhe njëherë planet e ditës. Gazetari, fotoreporteri e DD vendosën të shkojnë bashkërisht në Sarandë, kurse unë fillimisht në Kakavijë, e pastaj, nëse do të takoheshim me z.Schleicher, do të planifikonim se çfarë do të bënim.

Me taksistin Përparim arritëm në Kakavijë rreth orës 07.50. Shikova nëse ishte aty z.Schleicher. Nuk e pashë gjëkundi. Vendosëm të presim ca. Pas disa çasteve cingërroi telefoni satelitor (celulari, siç i thonë në Shqipëri) që kisha me vete, pasi aty ai funksiononte duke u futur automatikisht në rrjetin satelitor telefonik grek. Ishte z.Schleicher.

- Jam në Ishullin e Korfuzit dhe po pres të hyj prej këndej në Sarandë. Ti shko në Tepelenë, po guxove e po munde Do të dëgjohemi pastaj se ku do të bëhemi bashkë për t’i shkëmbyer informatat, - më tha.

U ktheva për në Gjirokastër rreth orës 09.00, pasi shkuam në shtëpinë e Përparimit në Kakavijë, për të shikuar nëse mund të bënim ndonjë hall për të ngrënë mëngjes. Shtëpia e Përparimit ishte rreth 300 metra larg vendkalimit kufitar. Ishte e vogël, e tëra prej guri, tepër e ulët, me dy dhoma të vogla dhe një korridor edhe më të vogël në mes. Ai më tregoi se gruan dhe fëmijët i kishte çuar te prindërit e bashkëshortes në fshatin e saj të lindjes në rreth të Gjirokastrës për shkaqe sigurie. E shkyçi me një çelës të madh derën kryesore të shtëpisë dhe hymë brenda. Menjëherë, sapo zura vend në divan, i mbushi gotat me raki, më dëshiroi shëndet sipas zakonit dhe posa piu një gllënjkë doli jashtë. Dëgjova të pyeste komshinjtë nëse kishin bukë. Sapo e dëgjova, dola dhe i thashë të futej brenda, me shpjegimin se nuk kishte pse të kërkonte bukë, pasi në restorantet buzë rruge do të hanim ndonjë gjë.

Pasi pimë rakinë, u nisëm për në Gjirokastër. Gjatë rrugës, në fshatrat e Devollit, provuam të hanim diçka në restorantet e atyshme. Të gjithë ishin të mbyllur. Në një shitore blemë bukë, djathë dhe biskota, dhe vazhduam rrugën duke ngrënë në makinë. Unë parapëlqeja bukën me djath, kurse Përparimi biskotat.

Rreth orës 10.30 arritëm në Gjirokastër. Në Sheshin e “Çerçiz Topullit”, para Hotel “Çajupit” e gjeta duke më pritur një njeri të panjohur, me moshë mbi 40-vjeçare. Ai, i shqetësuar, më tha:

- Mësova se nga Tirana i është dhënë urdhër SHIK-ut të këtushëm që të të observojnë. Të këshilloj të largohesh menjëherë nga Gjirokastra, ose të kalosh në ilegalitet në Gjirokastër.

- Kush jeni ju, ju lutem? - e pyeta, duke shprehur habinë time për atë që po dëgjoja nga një njeri i panjohur.

- Nuk është me rëndësi cili jam unë, - m’u përgjigj.

- E po, paska informuar prefekti, - i thashë atij duke shprehur njëkohësisht habi të përzier me mllef, - përndryshe, nga e morën vesh kaq shpejt në Tiranë se gjendesha në Gjirokastër! Nuk keni përse të shqetësoheni kaq shumë për mua, pasi që SHIK-u tani ka preokupime më të mëdha, se sa të më observojë mua, - i thashë atij.

“Cili ishte vërtetë ky njeri?!” - mendoja me vete.

Në Gjirokastër, përgjithësisht, mbretëronte ndjenja e frikës dhe e pasigurisë. SHK-asit ua kishin futur frikën në palcë, sidomos intelektualëve opozitarë. Kishin ikur nga qyteti studentët grevistë, liderët e partive opozitare. Bile edhe korrespondentët e radiostacioneve BBC, DW, WOA, kishin ikur ose kishin kaluar në gjysmëilegalitet.

Vendosa të udhëtoja menjëherë për në Tepelenë, pasi ajo ishte e “çliruar” dhe atje isha i sigurt nga observimet e SHIK-ut famëkeq. Nuk frikësohesha se mund të më arrestonin në postblloqet policore qeveritare, pasi ato nuk i kontrollonin dokumentat personale. E shumta, kontrollonin vetëm makinën.

Me taksistin Përparim u nisëm për në Tepelenë. Edhe ai nuk e dinte nëse do të na lejohej të hynim atje, edhe pse ai vetë me origjinë nga Tepelena. Në Gjirokastër flitej shumëçka mbi gjendjen në Tepelenë. E vërteta nuk dihej, edhe pse Tepelena është aq afër me Gjirokastrën dhe i takon Prefekturës së Gjirokastrës.

Kur dolën në “rrugën nacionale”, siç e quanin vendësit rrugën kryesore veri-jug që kalonte bri Gjirokastrës, taksisti Përparim e ndali taksinë. Ai pyeti një të njohur të tij, se përse po priste aty, buzë rruge. Qytetari bëri me dije se po priste ndonjë makinë, që do ta shpinte në Kakavijë. Përparimi i propozoi të hynte në makinë, duke i shpjeguar se do të më dërgonin mua deri te barrikada e parë në hyrje të Tepelenës dhe nëse nuk lejohej hyrja me makinë, do të më linin të vazhdoja në këmbë, kurse ata do të ktheheshin për në Kakavijë.

- Ky është një vëlla yni nga Kosova. Tani jeton në Gjermani. Është patriot dhe nuk ke përse të rezervohesh ndaj tij, - më prezantoi Përparimi, duke i rrëfyer atij edhe për bisedën që kisha patur mbrëmë me prefektin Merkuri.

Pastaj Përparimi bëri edhe prezantimin e qytetarit të sapohyrë në taksi. Ishte polic (i veshur në rroba civile, pasi ishte jashtë orarit të punës) dhe punonte në vendkalimin kufitar në Kakavijë. Emrin nuk ia mbajta mend. Pas disa çasteve udhëtimi hasëm në postbllokun policor e ushtarak, tre-katër kilometra larg Gjirokastrës. Aty ishin disa policë, por më shumë ushtarë e SHIK-as. Në dy anët e rrugës kishin vendosur nga një tanks. Përparimi ia uli shpejtësinë makinës dhe po bëhej gati ta ndalonte afër tyre. Por njëri, me gjasë një SHIK-as, pasi ishte i veshur në rroba civile dhe me një antiplumb, bëri me shenjë që të kalonim. Ai e njohu taksistin Përparim dhe policin që kishim në makinë.

Kur iu afruam rreth 10 kilometra Tepelenës u ndeshëm me postbllokun tjetër të policisë e të ushtrisë. Meqë panë se përpara në xham shkruante “presse”, na ndalën vetëm sa për të na treguar se ishte punë me rrezik të shkonim më tutje. Ne megjithatë vazhduam. Pas rreth 5 kilometrave u gjetëm ballë për ballë me barrikadën e kryengritësve të armatosur. Ajo pjesë e rrugës në mes të postbllokut e barrikadës kishte përplot pengesa; lisa të prerë e të rrëzuar në rrugë, gurë të mëdhenj të rrokullisur nga shpati, etj., por ishin mënjanuar vetëm sa për të kaluar ngadalë makinat.

Në barrikadën e parë, e cila na befasoi, pasi ishte pas një kthese të madhe te “Uji i ftohtë”, ishin dhjetëra burra të armatosur, kryesisht të moshës së re. Mosha e tyre dukej të ishte 16-40 vjeç. Të tjerë, të armatosur, rrinin në buzë të rrugës, kryesisht të ulur ose të shtrirë, duke vështruar se mos po ua sulmonte ndokush shokët e armatosur në rrugë që bënin kontrollin e kalimtarëve dhe vështronin rrugën që andej se kush po vinte. Atmosferë tepër e tensionuar, njerëz të revoltuar tej mase. Polici që kishim në makinë u shqetësua shumë, pasi me vete nuk kishte vetëm letërnjoftimin e shërbimit, por edhe revolen.

U ndalëm. Disa veta rrethuan makinën. Njëri nga ata na kërkoi dokumentet e identifikimit. Tjetri e urdhëroi taksistin të hapte bagazhin. Taksisti Përparim më prezantoi si gazetar nga Gjermania. Ai që ma mori pasaportën për kontrollim, sapo pa emrin, u tha të tjerëve:

- Ky qenka shqiptar.

Një tjetër thirri: - Dyshoj të jetë spiun i Salës, prandaj duhet ta arrestojmë ose ta kthejmë prapa.

- E njoh unë, - intervenoi Përparimi, që dukej shumë i frikësuar, kryesisht për shkak të policit që kishim në makinë. - Prej mbrëmë, që kur e kam marrë në Kakavijë, jam me të.

- Përparim, edhe pse je tepelenas, je taksist dhe punon për para, - iu drejtua njëri me automatik të pozicionuar gati për të shtënë. - Ku di ti, - vazhdoi ai, - nga na i fut Sala spiunët e SHIK-ut.

- Trima, - ndërhyra unë, - kam dëgjuar se keni një shtab. Propozoj të na shoqërojnë një ose dy veta deri në shtab, pastaj le të bëhet si të vendosë shtabi.

- Mirë e ka, - u përgjigj njëri afër meje që ma mbante të drejtuar automatikun. Menjëherë e hapi derën e djathtë të prapme dhe u fut në makinë, duke iu thënë të tjerëve: “Po i shoqëroj unë deri në Shtab dhe do të kthehem prapë”.

Ca të tjerë anash thirrën: “Sala është hajdut, diktator, kriminel, tradhëtar. Rroftë Shqipëria!” Të thirrurat e tyre i shoqëronin me breshëri të shtënash në ajër.

- Ti na shpëtove, more t’u bëfsha, - m’u drejtua tepër i gëzuar e i çliruar Përparimi.

- Vërtetë, mirë e propozove zgjidhjen, - vazhdoi i sapohyri i armatosur, dhe vazhdoi: - Duhet të na kuptoni, e kemi jetën në rrezik.

U nisëm. Gjatë rrugës i armatosuri, rreth 25-vjeçar, pyeti: - Ju kosovarët a jeni me Salën?

- Me vetëdije jemi me Shqipërinë, për Shqipërinë, përkatësisht me popullin. Por duket se shumica, për sa jam i informuar, vazhdon të anojë nga ana Salës, pasi mendojnë se ai është patriot, kurse ju jeni kundër Shqipërisë, për shkatërrimin e copëtimin e saj, - iu përgjegja unë.

- Nuk është e vërtetë se ai shkërdhatë është patriot. Ai është diktator, tradhëtar dhe po provon të shkatërrojë Shqipërinë! Por nuk do t’ia arrijë, pasi kemi vendosur, o ta bëjmë Shqipërinë demokratike, o të vdesim! - u përgjigj i armatosuri.

Dy barrikadat tjera i kaluam pa na ndalur, pasi barrikadistët e armatosur e njihnin kryengritësin që na shoqëronte.

Në hyrje të qytetit ishte vendosur një top i kalibrit 175 mm. E kishin drejtuar drejt grykës së Lumit Vjosa, në drejtim të Gjirokastrës, nga frikësoheshin se mund t’i sulmonin trupat qeveritare. Rreth e rrotull përplot të armatosur. Në rrugën qendrore të qytetit, para Bashkisë e Komitetit, plot njerëz, burra e të rinj. Ndonjë grua a vajzë shihej tek-tuk, por në kalim e sipër. Pothuaj të gjithë të armatosur. Rrinin në grupe të vogla. Bisedonin kokë më kokë. Dukeshin të revoltuar e të shqetësuar. Të lodhur gjithashtu.

Zbrita nga taksia. Propozova që i armatosuri të më shoqëronte deri në Shtab. Përparimin e porosita të më priste mua, që të ktheheshim së bashku, ose të bënte sipas porosisë time që do t’ia përcillte shoqëruesi i armatosur. Shoqëruesi i armatosur ishte shumë kooperativ dhe i mirësjellshëm. Ai më shoqëroi deri në një sallë të Komitetit. Aty gjendeshin rreth 20 burra. Gjysma ishin ulur rreth një tavoline të madhe, kurse të tjerët rrinin në këmbë. Ca mbanin armë në supe. Atmosfera ishte tejet kaotike e shqetësuese. Bisedonin me njëri-tjetrin, hynin, sillnin informata nga jashtë, merrnin udhëzime, delnin. Ora ishte 11.30.

Fillova prezantimin:

- Jam një vëlla i juaji nga Republika e Kosovës, i syrgjynosur në Gjermani para 20 vjetësh. Më quajnë Ibrahim Kelmendi, me origjinë nga Fshati Vuthaj, Rrethi i Plavës e i Gucisë. Kam ardhur i ngarkuar nga revista gjermane “Der Spiegel”, por si gazetar i lirë lajmet ua ofroj edhe masmediave tjera gjermane, ndër të cilat është edhe Deutsche Welle. Punën si gazetar këtu e kam dytësore. Parësore është se dëshiroj të mbetem në mesin tuaj, ta ndaj fatin me ju. Njëherit jam edhe anëtar i Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani, e cila grevistëve dhe protestuesve ua ka drejtuar një telegram përkrahës, që është emetuar nga DW të dielën, më 2 mars, në ora 19.30.

Të gjithë dëgjuan me vëmendje, pastaj më përshëndetën njëri pas tjetrit. Ndonjërit i ishin mbushur sytë me lot dhe më mbante gjatë të përqafuar. Edhe unë u emocionova nga ajo atmosferë.

- Jemi vëllezër, ore, - më tha njëri zëshëm gjatë përqafimit, - dhe s’kemi pse të vritemi me njëri-tjetrin. Jemi ngritur vetëm kundër diktaturës e korrupcionit të bandës së Salës. Janë shpifje ato që thotë televizioni gënjeshtar monist, se qenkemi ngritur kundër Veriut ose për copëtimin e Shqipërisë. Nuk jemi rebelë e banda, por patriotë demokratë.

Njëri nga vendasit bëri prezantimin e të gjithë të pranishmëve: “Zoti Sotir Ceka, kryetar i Këshillit të Rrethit dhe Kryetar i PD-së, njëherit tani është edhe Kryetar i Shtabit qytetar. Zoti Dashamir Kamberi, kryetar i PS-së, njëherit Nënkryetar i Shtabit. Ladi (mbiemrin nuk ia tha) Kryetar i Bashkisë dhe anëtar i Shtabit...”

- Nuk jam Kryetar Shtabi, - foli me zë të ulët z.Ceka që e kisha afër, - ne nuk kemi formuar Shtab, por Komitet të qytetarëve. (Sa u përket emërtimeve: shtab/komitet/këshill, shpesh do të më rastiste të ndeshesha në përdorimin e njërit, të tjetrit ose të të tretit).

Filluam bisedën. Ata dëshironin të dinin se çfarë po ndodhte rreth tyre, çfarë thuhej për Tepelenën në Gjirokastër dhe si është gjendja atje, çfarë thoshte Tirana, çfarë thoshte bota, etj., etj., pasi Tepelena ishte izoluar nga bota që e rrethonte. Kishte ditë që edhe korrespondentët e radiostacioneve të huaja (BBC, DW dhe VOA), që emetojnë emisione edhe në gjuhën shqipe, nuk ishin dëgjuar. Siç u informova më vonë, ata i kishin pushuar korrespondencat e tyre, pasi ishin kërcënuar nga “trimat” e SHIK-ut.

Njëri nga të pranishmit shpjegoi:

- Kemi formuar Shtab qytetar, të përbashkët, të të gjitha forcave politike, bashkë me kryetarët e Bashkisë dhe të Këshillit të Rrethit, me iniciativën e intelektualëve autoritativë të Tepelenës, që gjithashtu janë anëtarë.

I armatosuri që më kishte shoqëruar më pyeti nëse kisha ndonjë porosi për taksistin. E porosita t’i thoshte që të shkonte. Më përqafoi dhe me zë të vogël, sikur donte të mos e dëgjonin të tjerët, më tha: - Rrofsh! Të paskemi tamam vëlla!

Diku rreth orës 11.50 e mora edhe njëherë fjalën paksa zëshëm që të dëgjonin të gjithë:

- Dëshiroj të bëj intervistë me z.Ceka dhe z.Kamberi.

Meqë u dakorduan, z.Kamberi propozoi që të dilnin të gjithë jashtë, pasi duhet qetësi për intervistim. Doli edhe ai vetë. Njëri, duke dalur jashtë, lëshoi një romuz:

- Ku e dimë se çfarë do ët thonë këta kur janë vetëm, prapa shpinës sonë.

Të tjerët ia këputën një të qeshure, që sikur nuk i shkonte ambientit të tensionuar.

Fillimisht fillova bashkëbisedimin (intervistën) me z.Sotir Ceka. Ai e mori letrën, në të cilën sapo i kisha formuluar pyetjet, dhe duke u shkuar me radhë, u përgjigjej, pa patur nevojë t’ia lexoja.

Pyetje: Qysh kur Qyteti i Tepelenës drejtohet nga Këshilli juaj dhe çfarë përbërje ka ky Këshill?

Përgjigje: Për sa ditë që komisariati i policisë e ka lëshuar plotësisht detyrën, njëkohësisht edhe Brigada luftarake që ishte poshtë, edhe ajo e ka lëshuar plotësisht detyrën, me armët e tyre është armatosur i gjithë populli dhe ka dalë me kërkesat e veta.

Aktualisht nuk ka subjekt politik që e dëgjon populli, asnjë forcë politike. Ne, një grup intelektualësh të Tepelenës, kemi krijuar një Këshill që në përbërje ka edhe përfaqësues të forcave politike, por ky grup është thjesht një grup qytetar, i cili ka marrë përsipër të qetësojë gjendjen në Tepelenë, të amortizojë çfarë mund të arrijë ai.

Pyetje: Cilat janë kërkesat e këtij grupi?

Përgjigje: Kërkesat tona janë ato, që në radhë të parë në Tepelenë të ndalohet gjakderdhja, që të gjendet një zgjidhje paqësore, të evitojmë në çdo mënyrë aksidentet që mund të ndodhin midis njerëzve që janë të armatosur, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë që nuk dinë të përdorin armët.

Pyetje: Domethënë në këtë Këshill janë të përfshirë edhe përfaqësuesit e subjekteve politike?

Përgjigje: Përfaqësuesit e të gjitha forcave politike janë të përfaqësuar në këtë këshill, kurse grupi ka rreth 15 intelektualë që kanë një farë force ndikuese dhe popullaritet në Tepelenë, që po bëjnë ç’është e mundur të arrijnë një farë zgjidhje.

Pyetje: Përse qytetarët i ngrenë tre gishtërinj para kamerave të huaja televizive?

Përgjigje: Qytetarët që janë të armatosur e po ngrenë tre gishtat para kamerave, ndoshta edhe ata vetë nuk dinë ta shpjegojnë këtë, por kjo ka një lidhje me paraqitjen që bëhet në qytetin e Vlorës dhe në qytetet e tjera ku është e njëjta gjendje.

Pyetje: Keni ndonjë lidhje me organet e larta shtetërore?

Përgjigje: Nuk kemi ndonjë lidhje me organet qendrore për të komunikuar me to. Përkundrazi, edhe me prefektin që kemi kërkuar disa herë të lidhemi, nuk arrijmë dot të lidhemi për të marrë udhëzime. Një nga detyrat që ka ky grup vullnetar është edhe gjendja e furnizimit të popullit me ushqime. Ne po mundohemi që të evidentojmë gjendjen në Tepelenë dhe Memaliaj për furnizim me bukë dhe me ushqime të tjera, dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të furnizuar me miell që të mos na mungojë buka. Kemi marrë masa për ruajtjen e objekteve tepër të rëndësishme, nënstacionin elektrik, linjat elektrike. Kemi mendimin që me punën që po bëjmë, të gjithë së bashku siç jemi, të arrijmë së paku të vëmë gjendjen nën kontroll, të parandalojmë aksidentet dhe ndonjë konflikt që mund të na ndodhë midis shqiptarëve.

Pyetje: Edhe sa ditë mund ta përballoni kështu këtë gjendje shtetrrethimi?

Përgjigje: Këtë s’mund ta them dot, dmth., edhe sa ditë do të mund të përballojmë dhe në çfarë drejtimi ne do ta përballojmë këtë gjendje. Ne jemi ndodhur të befasuar përpara kësaj gjendjeje. Ne do të marrim të gjitha masat, duke parë e duke bërë.

Pyetje: Keni frikë nga forca e shtetit, nëse ato do të hakmerren po ia arritën të hyjnë në qytet?

Përgjigje: Nuk po ju kuptoj.

Pyetje: Po, ta zëmë se forcat shtetërore që i drejton Shtabi qëndror nën komandën e gjeneralit Bashkim Gazidede ia arrijnë ta marrin qytetin. A do të hakmerren ata kundër protestuesve?

Përgjigje: Jo, s’ka frikë. Në fakt, qytetarët kanë njëfarë frike që nëse do të hyjnë forcat e shtetit, ato do të hakmerren kundër tyre. Po ne me punë do të mundohemi t’i qetësojmë, t’u japim të kuptojnë se shteti në asnjë mënyrë nuk duhet dhe nuk ka ndërmend të hakmerret ndaj qytetarëve të vet.

Pyetje: Po ju personalisht, a keni frikë?

Përgjigje: Unë nuk kam frikë deri sa jam këtu në këmbë.

Pyetje: Po pastaj?

Përgjigje: Nuk mund t’ju them asgjë.

Pyetje: Ju, si përfaqësues i PD-së, çfarë mendoni për presidentin Berisha?

Përgjigje: Kam besim se do të gjejë një zgjidhje të drejtë për ta zgjidhur këtë gjendje të vështirë që është krijuar. Përbërja e këshillit që ne kemi mundur të mbledhim, rreth 15 vetë, janë qytetarët më në zë të qytetit të Tepelenës, njëkohësisht janë edhe pjesa më e madhe e përfaqësuesve të partive politike në Tepelenë. Ne unanimisht kemi lënë mënjanë partitë politike dhe po mendojmë vetëm për Tepelenën.

Pyetje: Çfarë mesazhi keni për opinionin?

Përgjigje: Mesazhi im është që të mos derdhet gjak dhe Tepelena të vazhdojë të jetojë siç ka jetuar, me urtësi, me kompaktësi, me vëllazëri edhe në të ardhmen.

Pyetje: Bashkimi Evropian, sipas jush, çfarë qëndrimi duhet të mbajë tani karshi presidentit Berisha?

Përgjigje: S’mund ta them dot se çfarë qëndrimi duhet të mbajë, por Evropa do të gjejë një zgjidhje për situatën e krijuar.

Pyetje: Cili është mendimi juaj si drejtues i PD-së në Rreth për rizgjedhjen e presidentit pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme?

Përgjigje: Ajo mund të gjykohet në shumë drejtime. E para, vendi s’mund të ngelej pa president për periudhën që do të vinte, nuk qe parashikuar kjo periudhë e vështirë. E dyta, zgjedhja e presidentit është bërë për t’i dhënë zgjidhje të tillë edhe situatës që po vjen, sepse në një intervistë që ai ka dhënë, ishte ndoshta edhe për një zgjidhje të shpejtë politike në Shqipëri.

Pyetje: Mos ishte ky një provokim i drejtpërdrejtë pasi ai kishte të drejtë që t’ia vazhdonte mandatin vetes deri pas gjendjes së jashtëzakonshme?

Përgjigje: Tani unë jam këtu, nuk mund të jap dot mendime, sepse dhe s’jemi të informuar për çdo gjë që po bëhet.

Pyetje: Ç’mendim keni për akuzat që po bën presidenti Berisha, se këtu veprojnë rebelët e kuq, bandat komuniste, etj.?

Përgjigje: Në Tepelenë nuk janë rebelët, nuk janë as partitë politike të Tepelenës, është i gjithë populli që është armatosur.

Një mori pyetjesh, që nuk i kisha shkruar në letër, vazhdova t’ia bëja aty për aty, i bindur se po aplikonte një lloj vetëcensure, duke dëshiruar, ku di unë përse, të thoshte sa më pak dhe sa më rrotull.

(Përmbajtjen e kësaj interviste z.Ceka e autorizoi kur isha në një vizitë tjetër me firmën nënshkruese të tij)

Pasi mbaroi intervistën me z.Ceka, ai doli jashtë, me njoftimin se po shkonte në klub për të pirë kafe, duke më ftuar që të shkoj pastaj edhe unë. Në ndërkohë në sallon hyri z.Dashamir Kamberi, kryetar i PS-së në Tepelenë dhe nënkryetar i Këshillit. Me z.Kamberi bëmë me atë rast një intervistë.

Pyetje: Z.Kamberi, me që ju jeni përfaqësuesi i PS-së, a mund të na thoni se si është gjendja në Tepelenë, kush e ka nën kontroll, kë dëgjojnë qytetarët?

Përgjigje: Gjendja në Tepelenë, në kuadrin e gjendjes së përgjithshme të krijuar në Shqipëri, është tejet e rëndë, tejet e vështirë, si nga ana e funksionimit të organeve shtetërore, të të gjithave pa përjashtim, të organeve të rendit, bankës shtetërore, të arkës së kursimeve. Por është tepër, tepër e rëndë për shkak edhe të furnizimit. Natyrisht kjo gjendje, mendoj unë, nuk e ka shkakun në Tepelenë, e ka shkakun në majën e piramidës, tek Presidenti dhe Qeveria. Zgjidhjet që kanë ofruar ata në këtë situatë nuk i kanë shërbyer popullit, përkundrazi ato e kanë provokuar dhe imituar, veçanërisht disa veprime e kanë provokuar ndjeshëm. Këtu në Tepelenë, për të përballuar situatën tejet të vështirë, katastrofike, është krijuar një shtab, me kërkesën e vetë popullit të Tepelenës. Natyrisht ky nuk ka atribute shtetërore, ligjore, po kryesisht ka ndikuar në opinion për të qetësuar situatën, për të amortizuar problemet e vështira të rrethit të Tepelenës. Unë ju siguroj se s’flas si përfaqësues i një forcë të caktuar politike, por obligimin e parë do ta ndjeja që të flisja si një përfaqësues i popullit të Tepelenës. Në këto kushte nuk ka asnjë grupim të caktuar, të vogël apo të madh, grup terroristësh, komunistësh të kuq, e të tjerë. Është i gjithë populli i Tepelenës, pa përjashtim, që është ngritur për të përballuar situatën e vështirë. Këtu në Tepelenë është i gjithë populli që s’pajtohet dhe nuk e do e nuk do ta pranojë Presidentin në atë rol që ka. Unë dua të të flas hapur: Në këtë situatë, kur po derdhet gjak në Shqipëri, nuk di me cilën periudhë të historisë ta krahasoj që në krye të vendit të ketë qenë një udhëheqës dhe të jetë derdhur kaq gjak. Natyrisht, në demokraci pretendonim shumë më tepër, por jo derdhje gjaku. Unë e them hapur: është një president i zgjedhur mbi gjak. Një president i rizgjedhur mbi gjak. Çdo sekondë të qëndrimit të tij në atë post e ka të tepërt. Është i çuditshëm qëndrimi kokëfortë i presidentit. Nuk mund të gjendet shprehje e krahasimit për qëndrimin e tij. Është një qëndrim që i kalon caqet normale të njeriut. Për mua, në situatën e krijuar, duke u derdhur gjak në Vlorë, duke u ngritur i tërë populli në Tepelenë, në Gjirokastër, në Delvinë, në Sarandë, një njeri i mençur që di të veprojë duhet ta kishte kuptuar me kohë që s’e do populli dhe e them me bindje se ai e ka vulosur veten si njeriu më i zi i popullit shqiptar. Me veprimet që janë kryer, popullin e qetëson pa dyshim dorëheqja e tij e menjëherëshme, e qetëson një komitet për shpëtimin e Shqipërisë ose një qeveri teknike, e qetësojnë zgjedhjet e lira të reja, ndryshe nuk ma ha mendja që do të ketë një faktor tjetër që do ta qetësonte situatën. Më vjen keq që në TV, këto ditë të vështira për popullin shqiptar, nuk ka mesazhe të vërteta të mirëkuptimit dhe më vjen mirë për një gjë këtu në Tepelenë, që deri më sot, me gjithë situatën e jashtëzakonshme, nuk na është gërvishtur asnjë djalë, asnjë njeri, qoftë as edhe me një gjemb, jo më të derdhet gjak. Dhe mesazhi ynë kryesor është ky: gjithçka për Tepelenën, gjithçka për tepelenasit. Do të bëjmë të pamundurën, çdo veprim, qoftë edhe sublim që në Tepelenë të mos ketë gjak. Por unë mendoj që menjëherë duhet të reagojë presidenti, duhet të reagojë qeveria. Edhe për sa u përket organizmave ndërkombëtarë, shteteve fqinjë, qarqeve politike zyrtare, reagimi i tyre ndaj një presidenti të tillë dhe një qeverie të tillë, duhet të jetë më real dhe më evident, për të ndikuar jo për presidentin, jo për karriget, por për të mirën e një populli që është brenda Ballkanit, brenda Evropës, brenda Botës.

Pyetje: Keni ju ndonjë shpjegim të veçantë, se përse qytetarët para kamerave të huaja po ngrenë tre gishtat, meqë kjo po e irriton opinionin?

Përgjigje: Në asnjë rast, edhe tek ai person që s’është tamam i informuar, nuk është përdorur kjo shenjë si simbol i nacionalizmit. Unë jam i bindur plotësisht se në Tepelenë nuk i kanë ngritur dhe s’i ngre asnjë qytetar tre gishtat si simbol i nacionalizmit. Ato janë ngritur si simbol i bashkimit të të djathtës, të majtës dhe të qendrës. Dhe padyshim, ky është simboli që kërkon tjetërsimin e presidentit, tjetërsimin e qeverisë dhe për zgjedhje të reja.

Pyetje: Ç’mendim keni për akuzat që ju bëhen, se në Jug terror po bëjnë bandat e kuqe komuniste, se kanë gisht agjenturat e huaja, etj.?

Përgjigje: Është një lloj si ajo thirrja që bëjnë hajdutët klasikë. Hajduti për të fshehur veten thërret: “Kapeni hajdutin”! Unë them se komunisti më klasik që vazhdon të mbetet në Shqipëri, pjellë e komunizmit dhe e Partisë së Punës, është vetë Sali Berisha. Atëherë, pikërisht në këtë kuadër, populli mendon heqjen e këtij komunisti ekstremist nga kreu i Shtetit.

Pyetje: Çfarë qëndrimi po mbajnë repartet ushtarake këtu në Tepelenë e Rreth?

Përgjigje: Mendoj që të gjithë ushtarët e repartet ushtarake kanë përkrahur e mbështetur qëndrimin popullor, dhe ky është qëndrimi më i drejtë i tyre, dhe ky është një faktor që në Tepelenë nuk ka gjak. Ata janë me popullin.

Pyetje: D.m.th. ushtarët kanë kaluar në anën e popullit, që në gjuhën zyrtare do të thotë se kanë dezertuar dhe nuk e dëgjojnë komandën qendrore të Tiranës?

Përgjigje: Jam tërësisht i bindur se nuk do të ketë rrethanë që do ta dëgjojnë më Sali Berishën.

Pyetje: Çfarë do të ndodhë ditën e nesërme?

Përgjigje: Do të mendoja që gjëja që do t’i qetësonte të gjithë, do të ishte dorëheqja e presidentit dhe hapja e rrugës së menjëhershme për një qeveri teknike, ose për një komitet të shpëtimit të Shqipërisë. Çdo sekondë për të është i vonuar. Ndërsa në Tepelenë, mendoj se do të vazhdojë qëndrimi mbarëpopullor, pa përjashtim, për t’i qëndruar deri në fund zgjidhjes së këtij problemi.

Pyetje: Sa kohë mendoni që mund të mbani barrikadat përballë forcave policore e ushtarake nga Tirana?

Përgjigje: Unë mendoj që faktori kryesor nuk jemi ne, drejtuesit apo përfaqësuesit, për të caktuar kohën. Por dij një gjë, që populli është i përgatitur shpirtërisht dhe në mënyrë të gjithanshme ta përballojë gjatë dhe të fitojë.

Pyetje: Në anën e kujt qëndrojnë nëpunësit e SHIK-ut dhe forcat policore të Rrethit?

Përgjigje: Unë mendoj se një pjesë e mirë e tyre, pa dhënë garanci për këtë, kanë marrë anën e popullit. Natyrisht ka edhe ndonjë prej tyre, por janë fare të pakët, që do të qëndrojnë në krahun e Berishës. Mendoj se gjithëçka do të rrokulliset në favor të popullit. Këtu në Tepelenë, duke qenë se është një rreth i vogël, ku të gjithë njerëzit janë të lidhur me njëri-tjetrin në fis, krushqi, etj., them se e ardhmja do të shkojë në favor të popullit. Ata kanë qenë dhe do të jenë të izoluar plotësisht. Depërtimi i tyre për t’i shkaktuar dëme popullit është i papranueshëm. Reagimi i këtyre ditëve është ky: të mos futen, të mos na përçajnë dhe të bëjmë kujdes e të jemi vigjilentë pikërisht ndaj penetrimit të tyre në radhët tona.

Pyetje: Çfarë mesazhi keni për popullsinë e Veriut të Shqipërisë?

Përgjigje: Do ta veçoja, dhe bëtë shumë mirë që më bëtë një pyetje të tillë, se mesazhi ynë është dhe do të mbetet i njëjtë për të gjitha kohërat dhe cilindo drejtues që do të vihet në krye, nuk do t’ia tjetërsojë mesazhin që ka vetë populli. Cilido që është në Veri e kemi vëlla, popullin e Veriut e kemi vëlla, i kemi njëlloj siç i kemi gjithë tepelenasit. Nuk do të ndodhë dhe nuk e pranojmë që të na përçajë kushdo që dëshiron të na përçajë. Në këtë situatë, padyshim, ka patur përpjekje për të na përçarë, por unë do të thoshja një shembull shumë të veçantë që ka ndodhur këto ditë në Tepelenë. Për shkak të bllokimit të rrugës, është bllokuar një shofer verior me makinën e tij. Tepelenasi e ka marrë dhe e ka strehuar. Familja ku rri ai që prej dhjetë ditësh, e ka bërë njësoj si djalin e saj, vëllain e saj. Në të gjitha rastet unë i mendoj Tepelenën, Tropojën, Dibrën, Shkodrën, të gjitha në vëllazëri të plotë. Ky është mesazhi im i padiskutueshëm. Po të vemi ne atje, do të jemi të mirëpritur si djemtë e vëllezërit e tyre, dhe po të vijnë ata këtu, do të jetë po kjo. Çfarëdo përpjekje për ta ndarë tani, në këtë situatë, Shqipërinë, në Jug e Veri, padyshim do të jetë e dështuar. Mund të ketë ndikime të vogla, por në fund të fundit, ajo do të jetë e dështuar.

Pyetje: Ka mendime e të dhëna se ka ndërhyrje nga shërbimet e ndryshme, sidomos greke, që Jugu të trazohet dhe kështu të realizohen ëndërrat e tyre shoviniste për një të ashtuquajtur “Vorio-Epir” të çliruar?

Përgjigje: Nuk kemi të dhëna për këtë e nuk mund të akuzojmë askënd. Unë mendoj që ato mesazhe që kanë patur popujt me njëri-tjetrin, që u duhen fqinjëve në ditët e vështira, duhet të zotërojnë edhe tani. Unë mendoj që miku i mirë duhet në ditët e vështira. Nuk besoj se mund të ketë nga askush pabesi, sepse marrëdhëniet e popujve, duke patur qindra mijëra refugjatë në Greqi, tregojnë që janë të mira, tregojnë që popujt kanë bërë më shumë se politika zyrtare. Unë do të dëshiroja që kursi i politikës zyrtare të ishte kursi që kanë popujt me njëri-tjetrin.

Pyetje: Në Tepelenë keni minoritarë, cili është qëndrimi i tyre në këtë situatë dhe qëndrimi i popullit ndaj tyre?

Përgjigje: Kemi fare pak minoritarë. I konsiderojmë qytetarë të barabartë të Tepelenës. Marrëdhëniet i kemi njësoj si me çdo tepelenas, por edhe qëndrimi i tyre është në sinkron me popullin e Tepelenës. Nuk ka asnjë gjë që të na ketë ndarë, minoritarë apo shqiptarë, dhe nuk duam që të ketë asgjë. Asnjëri prej tyre nuk ka ndjerë shqetësim, do të jenë me tepelenasit, siç i kanë tepelenasit në gjirin e tyre ata.

Pyetje: Me Vlorën, Sarandën, a mbani ndonjë lidhje?

Përgjigje: Duket sikur nuk ka ndonjë lidhje kushedi çfarë, se natyrisht trafiku, lëvizjet janë bërë të vështira, por mendoj se tradicionalisht, me Vlorën e krahinat përreth, kemi qenë të lidhur në të gjitha drejtimet, jo thjesht gjeografikisht, por shpirtërisht, me qëndrimet në sinkron të njëri-tjetrit. Nuk ka gjë që të na ndajë. Ka një këngë që këndohet: “Tepelenas e vlonjatë...” Mendoj se është një mesazh që sjell diçka të re edhe në të sotmen. Ne do të jemi, tepelenas e vlonjatë, gjirokastritë e sarandjotë, bashkë me gjithë Shqipërinë - në sinkron.

Pyetje: Ju si socialist kishit ndonjë tentativë të veçantë për lirimin e Fatos Nanos që kishit në burg? Kishte Fatos Nano ndikim me praninë e tij fizike, qoftë edhe në burg, tek qytetarët e Tepelenës?

Përgjigje: Është një gjë, Fatos Nano nuk e ka merituar të qëndronte asnjë sekondë në burg. Kjo ishte një shkelje flagrante e të gjitha lirive dhe të drejtave të njeriut, një qëndrim, që mbahet në fund të fundit ndaj një kundërshtari politik. Sidoqoftë, unë dhe tepelenasit e kemi menduar në çdo sekondë të lirë, e kemi shpallur atë qytetar nderi të qytetit të Tepelenës, dhe mesazhet me zë apo pa zë, me fjalë apo pa fjalë, ndaj njëri-tjetrit i kemi pasur reciproke, e kemi ndjerë të lirë. Qeveria dhe presidenti në çdo kohë kanë qenë të vonuar kundër asaj rrjedhe progresive që duhej të kishte demokracia, sepse ku ka burgosje të kundërligjshme, pa fakte, të pabazuar, nuk ka demokraci. Ai është futur në burg vetëm si kundërshtar politik. Menjëherë i duhej dhënë liria, që do ta fitojë padyshim, por me veprime të ligjshme.

Pyetje: Për çfarë arsyesh organet shtetërore erdhën natën dhe e morën me helikopter nga burgu këtu?

Përgjigje: Nuk dihet tamam se përse, por një gjë është e qartë në Tepelenë. Presidenti i ndruhej Tepelenës, se mos Fatos Nanon do ta nxirrnin tepelenasit nga burgu. Po të ishte për tepelenasit, Fatos Nano do të ishte çdo ditë i liruar dhe mund ta lironin që ditën që e sollën në burg. Por Tepelena kërkoi atë që kërkonte vetë Fatos Nano: Lirim të ligjshëm, atë liri që ia ka dhënë gjithë opinioni ndërkombëtar e kombëtar. Padyshim edhe Tepelena.

(Ndërhyrje): Me përjashtim të opinionit pro-qeveritar, pro PD-së dhe pro Sali Berishës?

Përgjigje: Me përjashtim, pa dyshim të këtyre, por unë nuk i përjashtoj të gjithë, sepse jam i bindur që mjaft edhe nga radhët e tyre kanë qenë për lirimin e tij. Bile edhe këtu në Tepelenë, natën kur e kanë hequr, qarkullonin fjalë, sikur Fatos Nanon e kish thirrur Sali Berisha për konsultë. Këtu populli dhe mjaft demokratë ishin të atij mendimi se, e kanë thirrur për konsultime e me ndonjë sens progresiv, me ndonjë gjë për të ardhmen. Është fatkeqësi që Berisha, një kundërshtar politik nuk e ka ndjerë asnjëherë si një kundërshtar alternativ, si një partner në punën për përparimin e demokracisë këtu në vendin tonë. Dhe janë pikërisht këto shkaqe, që ai kundërshtarët politikë i ka parë e vlerësuar në këtë këndvështrim, që demokracia s’është atje ku duhet të jetë, që përparimi i vendit s’është atje ku duhet të jetë, dhe që gjendja rrokulliset në mënyrë fatkeqe këtu në Shqipëri. Për kundërshtarë është zgjedhur burgu, ndërsa për një pjesë tjetër të kundërshtarëve politikë janë zgjedhur mënyra të tjera, janë zgjedhur levat, kërcënimet, presionet e gjithanshme. Zor se do të ketë pasur ndonjë kundërshtar politik të Berishës dhe të qeverisë që të mos ketë ndjerë ndonjë lloj presioni. Është fatkeqësi që presionet e kësaj natyre arrijnë deri tek fëmijët tanë.

(Edhe përmbajtja e kësaj interviste është autorizuar nga z.Kamberi.)
Kur po bënim këtë intervistë, erdhi njëri dhe bëri me dije z.Kamberi për diçka shqetësuese. Z.Kamberi më tregoi pastaj se aksidentalisht kishte ndodhur një plagosje.

Pasi mbaruam intervistën u ngritëm, unë, z.Kamberi dhe Kryetari i Bashkisë Ladi, që ndërkohë kishte ardhur në sallë, dhe shkuam në klub, ku na priste z.Ceka.

Duke vrojtuar rrjedhat, m’u duk se Kryetari i Bashkisë dhe z.Kamberi e kishin fjalën kryesore në atë Komitet/Shtab. Z.Ceka rrinte më i tërhequr, më i heshtur dhe më i rrudhur. Dukej sikur ndjehej bashkëfajtor për gjendjen e krijuar, si Kryetar i Këshillit të Rrethit dhe i PD-së në Tepelenë, ose se ishte bërë formalisht Kryetar i atij Shtabi/Komiteti.

Kur hymë në klub, siç u thonin vendësit lokalit të kafes, pashë se z.Ceka kishte zënë vend në tavolinë pranë banakut. Klubi ishte i vogël, por i rregulluar. Z.Ladi propozoi të zëmë vend në një tavolinë tjetër, për të mos i trazuar z.Ceka dhe të tjerët që kishin zënë vendin afër banakut. Z.Ceka ia miratoi propozimin me të lëvizur të kokës.

Duke pirë kafen erdhën dy veta dhe thirrën z.Kamberi e z.Ladi. Dy të tjerë mbetën të më shoqëronin. Pas pak dëgjova zërin e altoparlantëve të vendosur në shesh. Po bëhej miting. Dola të dëgjoj se ç’po thuhej. Pashë se fliste z.Kamberi. Ai po u fliste ashpër kryengritësve të armatosur, duke i këshilluar të kishin kujdes ndaj armëve, të çarmatosnin të miturit, etj. U ktheva sërish në klub.

Ndërkohë mësova se i plagosuri Luan Dervishi ishte në rrezik për të mos mbijetuar plagët.

Rreth orës 12.40 vendosa të largohem në drejtim të Kakavijës, në zonën ku më punonte celulari për t’ia ofruar DW lajmet aktuale dhe të dy intervistat.

Kur po ndaheshim, bëra të ditur:

- Do të kthehem prap, sapo të kem mbaruar punë. Dëshiroj të mbetem në Tepelenë dhe të ndaj fatin me ju.

- Jeni i mirëseardhur, - u përgjegj njëri nga të pranishmit.

Tani gjendja kishte filluar të tendosej. Deri atëherë nuk kishte humbur jetën njeri, edhe pse kishin ndodhur gjithë ato përplasje dhe qyteti kishte rënë tërësisht në duar të kryengritësve të armatosur.

Një anëtar i Shtabit/Komitetit, u interesua të më gjente një taksi. Për të fitova përshtypjen se ishte përgjegjës për të armatosurit. Ai dukej më i shqetësuar.

Sapo dolëm në shesh, ndaloi një taksi me regjistrim të Tepelenës. Më këshilloi të largohem, pasi mund të ashpërsohej situata, duke më siguruar se taksisti ishte njeri i sigurt.

Po largohesha, duke lënë mbrapa Tepelenën e trazuar, bashkë me Memaliajt, të izoluar, me barrikada në rrugët kryesore hyrje/dalje të qytetit. Taksisti zuri ta ngiste makinën sikur të ishim të ndjekur. Kur afruam te barrikadat, nuk na ndaluan fare. Tani ata sikur e dinin se kush isha, meqë duhej të kishin dëgjuar nga kryengritësit që më kishte shoqëruar kur hyra në qytet. Më përshëndesnin dashamirësisht me dorë.

Gjatë rrugës pashë të ecnin një burrë e një grua të moshuar. E luta taksistin të ndalonte që t’i merrnim me vete. Pranoi me përtesë.

Hynë brenda.

- Uh, ç’ndihmë që na bëtë. Zoti ju ndihmoftë, - na falenderuan e uruan, duke lënë të nënkuptohej se ishin njerëz të përvuajtur dhe se nuk kishin mundësi tjetër, pos të ecnin në këmbë.

- Thënë të drejtën, axhë, ky vëllai nga Kosova më detyroi të ndalem, pasi jam në shërbim të tij, - e njoftoi taksisti.

- Nga Kosova?! - pyeti ai me habi, kurse plaka rrinte e heshtur.

- Po xhaxha, nga Kosova jam, - u përgjegja unë.

- Qofsh i uruar, or bir. Po çfarë e mirë ju solli këtej, në këtë ferr? - m’u drejtua plaku që linte përshtypjen se ishte i urtë e i sjellshëm.

- Merakosja për Shqipërinë, xhaxha, - ju përgjigja thjesht.

- Rrofsh bir, rrofsh! Të priftë e mbara ty, se ne sikur na ka harruar edhe Zoti dhe na ka katandisur si mos më keq.

Po bëhesha kurioz të dija se ç’mendonin këta fshatarë të përvuajtur për ngjarjet që kishin ndodhur e po ndodhnin. Prandaj nuk ngurrova t’i pyes:

- Dini gjë se çfarë po ndodh, xhaxha i nderuar?

- Është gazetar, - ndërhyri taksisti.

Siç e kuptova, ai dëshironte ta bënte me dije plakun,q ë të kishte kujdes se si do të përgjigjej.

- Ani more, qoftë i bekuar, - ia ktheu xhaxhai pa të keq dhe pastaj vijoi: - Ku di unë se çfarë po ndodh tani. Ishim mësuar të jetonim të qetë, pa trazira. Të varfër, ishim për të qenë, por rronim thjesht e pa shqetësime, as për bukë e as për gjëra të tjera të domosdoshme. Kishim qetësi. Nuk na ngiste njeri. Iku ajo kohë...

Papritur e pushoi bisedën, duke dyshuar në vetvete se mos po e tepronte.

- Po pastaj, xhaxha? - e pyeta unë me dashamirësi, duke u munduar ta bind se po e dëgjoja me dëshirë.

- Ku dij unë të të llafos, biri im. Jam fshatar dhe pak marr vesh nga këto që po ndodhin, - u përgjegj xhaxhai me një filozofi të thjeshtë popullore, plot nëntekst e përmbajtje.

- Të lutem, xhaxha, ashtu si e di dhe si e ndjen.

Pasi u mendua pak, zuri të fliste.

- Ndodhi ajo që ndodhi, pra. Iku socializmi, siç i thonim atëherë, dhe erdhi demokracia, siç po i themi tani. Më dhanë ca tokë. U bëra edhe me bagëti. Filluam të gjallërojmë, por puna nuk na u nda. Së fundi na dolën ca hajdutë që na morën dhe lekun e fundit. U mashtruam edhe ne. Shitëm bagëtinë dhe lekët i futëm te firmat e këtyre hajdutëve, me shpresë se po fitonim pa djersë, siç i thonin. Na tradhëtuan. Na ikën të gjithë lekët. Mbetëm edhe pa bagëti. Haram u qofshin! - mallkoi së fundi xhaxhai, tani me një zë paksa të ngritur e të revoltuar. Prapë heshti.

- Po pastaj, çfarë ndodhi pastaj, xhaxha? - e pyeta unë.

- Ja, këto që sheh. U katandisëm si mos më keq. Ne kërkonim lekët tanë, kërkonim ndihmën e pushtetit, kurse pushteti u përgjigj fillimisht me mospërfillje, pastaj me dhunë. Dhe dhuna detyroi vetëmbrojtjen. Dy duar për një kokë janë, siç i thonë një fjale. Këtë e bëri fare keq Sala. Nuk ia kishim për borxh...

- Pse s’thua mos paftë ditë!? - ndërhyri plaka e tij.

- Po, mor, po. Po ama ç’përfitim kemi?! E sheh ti si po përgjaken çunat, si po përgjaket Shqipëria? - ia ktheu xhaxhai plakës së tij. - Do ti që ai me fodullëk e arrogancë po na fyen ne hallexhinjve, sikur ne s’po protestonim nga halli, por po na nxitka djalli e i biri, tamam sikur ne t’ishim hajvanë dhe të mos merrnim vesh gjë nga kjo botë.

- Do zbresim njeri, - ndërhyri plaka. Këtu ndahet rruga jonë. Këta do të vazhdojnë për në Gjirokastër.

Shoferi ndaloi. Fshatarët e vështruan se mos ai do t’u kërkonte lekë. Kur ne u dëshiruam rrugë të mbarë, ata zbritën duke na bekuar e falenderuar. Vazhduam më tej. Në postbllokun e parë qeveritar na ndaluan. Taksistin e urdhëruan të hapte bagazhin. E pyetën se si është gjendja. Unë nuk flisja fare, duke i lënë të kujtojnë se isha gazetar i huaj që nuk dinte shqip. Deri në fshatrat e Dropullit kaluam edhe dy postblloqe të tjera.

Diku në një fshat të Dropullit u ndalëm pasi ia bëra me dije taksistit se celulari kishte hyrë në valë satelitore. U lidha me DW, redaksinë në gjuhën shqipe, por m’u përgjigjën se dëgjohesha keq. I bëra me dije se sapo isha kthyer nga Tepelena dhe kisha për t’ju ofruar ca lajme dhe dy intervista. I mirëpritën, meqë korrespondenti Odise Kote nuk kishte mundur të shkonte në Tepelenë, jetonte në gjysmëilegalitet, nga se ndiqej nga SHIK-u. Por intervistat nuk munda t’i transmetoja në origjinal, pasi lidhja ishte e dobët. Dhashë vetëm ca informata. U dakorduam që intervistat t’i “zbardhja” nga shiriti i manjetofonit në letër dhe pastaj t’i faksoja. Gjithashtu u morëm vesh që të mos përmendnin emrin tim, çfarëdo që do të transmetonin nga ato që kisha siguruar unë.

Aty doja t’i bëja edhe ca telefonata të tjera, por bateria akumuluese e celularit jepte shenjë harxhimi. Buzë rruge ju lutem njërit, nëse mund të na pranonte në shtëpi, me shpjegimin se na duhej rrymë për celular. Na mirëpriti. Ndenjëm rreth një orë në atë familje, pastaj u kthyem për në Gjirokastër. Shkova në ndërtesën e Radio Gjirokastrës për ta takuar Odisenë. Taksisti mbeti në makinë. Në hyrje bënte roje një ushtarak, paksa i moshuar. As që pyeti se çfarë doja e kush isha. Hyra brenda. E informova Odisenë për Tepelenën, duke e njoftuar se ia kisha përcjellë lajmet DW, por jo edhe intervistat.

- I madh je! Si guxove të shkosh?! - më tha Odiseu.

- Merre lentën të lutem, dhe zbardhoi intervistat në letër, që t’i përcjellim me faks, pasi ashtu jemi marrë vesh me redaksinë e DW, - ju drejtova Odisesë.

Në ndërkohë në dhomën ku gjendeshim erdhi shefi i radios. U përshëndetëm. Nuk i erdhi edhe aq mirë që isha aty, pasi mori vesh se kush isha nga prezantimi që bëri Odisea.

- Përse nuk dërgoni gazetarë në Tepelenë? - e pyeta.

- E dimë ne punën tonë dhe nuk kemi nevojë të na jepni mend, - ma ktheu me fodullëk.

- Natyrisht që nuk keni nevojë për mend, pasi i ka të mjaftueshme pushteti... - reagova unë, duke dashur të vazhdoj, por ndërhyri Odisea:

- Ikim të pimë kafe, - tha duke më marrë për krahu. Ma shkeli edhe syrin. U përshëndeta me shefin dhe dolëm jashtë. Sapo dolëm, Odisea më shpjegoi se ishte fjala për një kallëp njeriu që i shërben secilit pushtet.

Pasi pimë kafenë në një klub poshtë Radiostacionit, e bëra me dije Odisenë se do të shkoja prapë në Tepelenë. Më këshilloi të jem i kujdesshëm.

Vetëm rreth orës 17.00 ia dola të kthehesha sërish deri te barrikada e parë në të hyrë të Tepelenës, pasi kapërcyem dy postblloqe “shtetërore”. Aty ishte krijuar një gjendje shumë e rëndë. Rreth orës 16.30, në vendin ku ishte ngritur barrikada e 2-të, në të hyrë të qytetit, ishte qëlluar në kokë me pushkë snajper, - siç informonin kryengritësit, - një kryengritës (me mbiemrin Kalemi). I qëlluari kishte vdekur në vend. Dyshohej se plumbi kishte ardhur nga kodra, prej ku duhej të kishte shtënë ndonjë mercenar i Salës. Kryengritësit në barrikadën e parë kishin vendosur të mos lëshonin të kalonte njeri, deri sa të sqarohej ajo vrasje.

- Dilni nga makina! – urdhëroi në mënyrë të prerë njëri nga kryengritësit.

Dolëm jashtë. Taksisti provoi të kundërshtonte.

- Mbyll gojën ose të shtrimë për tokë! – thirri njëri prej tyre ashpër, duke vazhduar: - Sapo na e vranë një shok “çeçenët” e Salës dhe nuk do lëmë njeri të hyjë më në Tepelenë, sepse dikush po spiunon.

Na bastisën të dyve, duke na i mbajtur të drejtuara tytat e armëve. Dukeshin sikur i kishte zënë gjaku i të vrarit. Papritur u gjendëm përballë rrezikut…

Mora guximin t’iu flas me zë të lartë që të dëgjonin që të gjithë, me shpresë se do të më dëgjonin dhe do të ndikoja.

- Trima! Më lejoni t’ju shpreh ngushëllime për bashkëqytetarin e bashkëkryengritësin e rënë. Bëhuni të fortë. Mos e humbni kontrollin. Rruga që keni zgjedhur kërkon edhe viktima njerëzore, pasi përballë keni njerëz që me fanatizëm duan t’i mbrojnë postet e tyre qeveritare e presidenciale. Prandaj nga ju kërkohet të jeni trima të arsyeshëm, e trimat mbizotërojnë veten në të gjitha situatat. Nuk keni arsye të silleni kaq brutalisht e në mënyrë të pakontrolluar ndaj nesh. Ndonjëri edhe mund ta humb kontrollin dhe të na qëllojë. Pastaj mund t’ju plasë ndërmjet vrasja e shëmtuar, pasi të keni vrarë të pafajshmit, siç jemi ne në këtë rast…

- Ky është kosovar, dhe duhet të jetë spiun i Salës. Prandaj, o ta arrestojmë, o duhet të kthehet menjëherë prapa, përndryshe do ta qëlloj, - ma ndërpreu fjalën një leshgjatë, i moshës rreth 23-24 vjeç.

- Nuk jam kosovar, por shqiptar nga Kosova e Shqipërisë! Dhe për këtë jam krenar. Unë jam me Shqipërinë! Prandaj… - desha të vazhdoj, por më ndërpreu leshgjati:

- Na gënjen…

- Mbyll gojën, ose të qëllova! – iu drejtua njëri leshgjatit, duke ia drejtuar edhe automatikun.

- Asnjëri nuk ka pse të qëllojë. Të gjithë jemi vëllezër. Ju duhet të keni dëgjuar se si më pritën ata të Shtabit sot në mesditë. Isha për t’i dhënë lajmet për Tepelenën dhe tani po kthehesha, siç kisha premtuar, - vazhdova.

- Ky është vëllai i ynë. Ishte paradite në Shtab dhe u mirëprit me përqafime, - ndërhyri tjetri, i cili, siç dukej, duhet të kishte qenë i pranishëm kur unë takova Shtabin.

Në atë rrëmujë të rrezikshme ndërhyri përgjegjësi i barrikadës, njëherit edhe anëtar i Shtabit, që sapo erdhi dhe u shqetësua kur pa gjendjen e krijuar:

- Vëllaçko, është marrë vendim të mos lejojmë askënd që të hyjë në qytet deri sa të sqarohet rasti i vrasjes që na ndodhi para gjysmë ore. Të lutem, mos na keqkupto, kthehu tani dhe eja nesër.

- Mirupafshim! Rroftë Shqipëria! – thirra dhe ju hodhëm në krah njëri-tjetrit. Ushtoi një breshëri përshëndetëse të shtënash.

U futa në makinë. Taksisti ktheu makinën në drejtim të Gjirokastrës dhe i dha aq shumë gas, sa që ia kisha frikën se mos po fluturonte nga rruga.

- Kisha frikë se mos po të vrisnin në dorën time, pasi dukej sikur i kishte zënë gjaku, - m’u drejtua taksisti.

Unë rrija i heshtur dhe po mendoja skenat që kisha përjetuar. I mendoja tytat e armëve në gjoks e shpinë dhe mendoja me vete: “Sikur ndonjëri të humbiste kontrollin…”

- Sa trim që ishe, more vëllaçko, - më ndërpreu së medituari taksisti. – Të lumtë, u fole burrërisht duke qenë i rrezikuar nga tytat e drejtuara të armëve, - vazhdoi ai.

- Pse të frikësohesha? E kisha ndërgjegjen e pastër, - ia ktheva me përtesë.

Ai vërtetë dukej tepër i shqetësuar.

- Rrofsh, ashtu është! – ndërhyri taksisti, papritur nëse kisha ndërmend të vazhdoja. Pastaj heshtëm që të dy.

Në Gjirokastër arritëm rreth orës 18.00 Postblloqet i kapërcyem pa pengesa. Taksisti voziste shpejt, pasi dëshironte të kthehej para orës 19.00 në Tepelenë, edhe pse e luta që atë natë ta kalonte në Gjirokastër. Arsyetohej bindshëm, se nuk e linte dot vetëm familjen.

Kur po ndaheshim e porosita taksistin të shkonte në Shtab për ta informuar për ato që kishim përjetuar dhe për të pyetur nëse do të mund të hyja ditën e nesërme. U dakorduam që ai të vinte të më merrte të nesërmen, po e pat siguruar lejen e hyrjes nga Shtabi. U përqafuam dhe udhëtoi.

Në Gjirokastër u ktheva në hotel. Isha tepër i lodhur e i uritur. Kisha ngrënë vetëm ca bukë me djath për kafjall dhe asgjë më. Personeli i restorantit të hotelit po bëhej gati për ta mbyllur kuzhinën para orës 19.00. U bëra rixha që t’më jepnin diç për të ngrënë. Kamarierja shprehi keqardhje, duke thënë se frikësohej të dilte në rrugë pas orës 19.00, pasi edhe terri po i binte tokës. Unë prapë e luta, duke i ofruar edhe mundësinë që t’i paguaja taksinë. Më në fund u dakorduan ajo dhe kuzhinieri, pas ndërhyrjes së këtij të fundit. Pastaj kërkoi të falur, për pamundësinë për të ofruar sipas menysë. Kërkova çkado që kishin mundësi për të bërë, duke ua bërë me dije se isha shumë i uritur.

Pas disa çasteve erdhi një ekip prej tre vetash gazetarësh francezë. M’u ofruan te tavolina. Pyetën nëse ishte e mundur të darkonin. Me frëngjishten time të çalë u mundova t’ua shpjegoja se si ishte gjendja. Kamerierja tregoi gadishmëri që t’u shërbente edhe atyre. Pyetën nëse mund të uleshin. Pasi u ulën, u prezantuan. Edhe unë u prezantova. Filluam të bisedonim për gjendjen. Atyre u interesonte të dinin se ç’mendoja unë si shqiptar i Kosovës për ngjarjet në Shqipëri. Meqë nuk isha në gjendje t’i shfaqja rrjedhshëm mendimet, pyeta kamarieren nëse e njihte ndokënd që dinte mirë frëngjisht. Ajo, me keqardhje, tha se nuk kishte si të më ndihmonte, pasi nuk kishin telefon për t’i telefonuar ndokujt. Dola në ballkon për të parë nëse kishte ende njeri para hotelit. Para derës së kafesë pashë katër burra që po përshëndeteshin para ndarjes. Që andej, nga kati i dytë, iu drejtova atyre, nëse ndonjëri njihte ndokënd që fliste frëngjishten. Njëri nga ata m’u përgjegj, duke thënë ca emra, dhe premtoi se do t’u telefononte sapo të arrinte në shtëpi.

Francezët i bëra me dije se kisha porositur të vinte një përkthyes.

Ndërkohë erdhën edhe dy gazetarë të tjerë francezë, të shoqëruar me një shqiptar. Edhe ata erdhën në tavolinën tonë, edhe pse gjithë salla e madhe e restorantit nuk kishte njeri veç nesh. Shoqëruesin e tyre e pyeta nëse dinte frëngjisht. Ai, si i habitur nga pyetja që bëra, m’u përgjegj se pikërisht këtë punë po bënte, dmth, po i shoqëronte gazetarët si përkthyes. Ai mundohej të linte përshtypjen se ishte maestro.

Të pesë gazetarët francezë filluan bisedën, duke shkëmbyer përjetimet ditore të tyre. Tre të parët harruan se ishin të interesuar të dinin se ç’mendim kisha unë për ngjarjet, ose nuk dëshironin të bisedonin më në atë drejtim në prani të kolegëve që erdhën, por që ishin korrespondentë të gazetave të tjera.

Unë me përkthyesin që erdhi filluam të bisedonim mes nesh. Ai u prezantua (emrin nuk ia mbajta mend, edhe pse më dha një kartvizitë, të cilën e humba). Ishte mësues i fizikës. Pos kësaj kishte hapur një agjenci turistike dhe merrej me shoqërimin e turistëve, pasi, siç më tha, e njihte mirë anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten.

Shpejt munda të konstatoj se frëngjishtja e tij ishte tepër e mangët, nuk mjaftonte për komunikim mendimesh, pos për komunikim elementar. Mendova se gjermanishten do ta kishte akoma më të mangët. Në Shqipëri edhe më herët kisha vënë re te një kategori e gjysëmintelektualëve një dukuri të vetëbesimit e të vetëreklamimit të tepëruar mbi zgjuarsinë e madhe të tyre intelektuale, mbi njohjen e mirë të disa gjuhëve të huaja. Vërtetë e tepronin, shpesh duke u bërë edhe të bezdisshëm.

Me të mbaruar darkën, kamarierja erdhi për llogarinë. Francezët nuk kishin lekë. Ata nxorën dollarë. Kamarierja i bëri me dije se aty paguhej vetëm me lekë. Ajo u ndje ngusht, pasi nuk e njihte kursin dhe do t’i vinte vështirë ta bante llogarinë. Francezët nuk mund të kuptonin se si ajo nuk i pranonte dot dollarët. Unë ndërhyra për të ndihmuar, pasi e dija kursin ditor. Ata donin të paguanin secili për vete dhe kërkonin edhe faturë. Sa cikrrimtarë që tregoheshin! Donin faturë edhe për nga 6 dollarë, sa u kishte kushtuar secilit darka. Kamerierja shpjegoi se nuk kishte bllok të mirëfilltë faturash. Ata kërkuan që ajo të bënte shënim me dorë në bllokun e thjeshtë që kishte për të shënuar porositë dhe për të bërë llogaritë. Kur ajo ua lëshoi secilit nga një pusullë të tillë, ata filluan të talleshin me cinizëm. Duke ia treguar njëri-tjetrit pusullat, me ironi thonin, se edhe si të tilla, do t’ua pranonin administratorët financiarë të punëdhënësit të tyre. Mua se si më vinte inat nga kjo sjellje e tillë e tyre…

Përkthyesi më propozoi që të shkoja me të, për të më treguar vendet ku kisha mundësi të fleja “tek privatët”, më lirë e më mirë se në hotel. Atje do të kisha mundësi për të përcjellë edhe lajmet televizive, më thoshte, duke u munduar të më bindte për të pranuar ofertën.

Unë nuk e kundërshtova, edhe pse ora ishte bërë rreth 20.00. Përkthyesi shpjegoi se orari nuk po respektohej në mënyrë strikte deri rreth orës 21.00.

Nga “Sheshi i Çerçizit” u nisëm kalldrëmit të ngushtë që shkonte tatëpjetë. Pasi kaluam para Konsullatës greke dhe para bankës, u kthyem djathtas dhe ndaluam pas pak në një rrugicë të vogël, në anën e djathtë. Duhej të zbrisnim shkallëve për në kalldrëmin tjetër. Menjëherë pranë atyre shkallëve të gurta ai trokiti në derën e një shtëpie, e cila kulmin e çatisë, nga ana e sipërme e shkallëve nga zbritëm, e kishte thuaj barazi me rrugën. Mendova me vete, se si mund të ishte në atë kasolle më mirë se në hotel. Pas pak, derën e hapi një plak i moshuar, thatim, tepër i lodhur. Përkthyesi i tha se i kishte gjetur qiraxhi. Plaku më dëshiroi mirëseardhjen.

Na shpuri në një kuzhinë të vogël. Aty ishte një divan në formë të germës L, një tavolinë e vogël dhe dy karrike. Atë kuzhinë, çifti i moshuar Opuci, siç ia mësova mbiemrin me vështirësi më vonë, e përdorte edhe si dhomë ndeje, meqë ishte e vogël për t’u ngrohur nga një ngrohëse e improvizuar elektrike. Pos nikoqirëve Opuci, aty gjetëm edhe një plak, i cili ishte komshi i parë. Ai kishte ardhur për të përcjellë e për të komentuar lajmet televizive me z.Opuci. Plaka Opuci ishte e sëmurë, lëvizte me vështirësi.

Unë u ula në karrike, buzë derës. Përkthyesi zuri vend në divan dhe filloi c a muhabete, të cilat nuk i dëgjoja fare. Unë po shikoja televizorin. Kishte filluar “ditari” i orës 20.00. Në ndërkohë dëgjova një lajm, pjesërisht të gënjeshtërt: “Sipas ATSH-së, - lexonte spikeri, - në Tepelenë gjatë ditës së sotme kanë humbur jetën dy qytetarë. Qytetari Luan Dërvishi është vrarë aksidentalisht, për shkak të nxitjes së një ekipi të huaj televiziv, para të cilit rebelët e armatosur pozonin duke shtirë me armë. Në vendin e ngjarjes ishte edhe gazetari i Dojçe Velës…”

- Gënjeshtër! – thirra unë.

Të pranishmit u befasuan nga reagimi im. Menjëherë e pashë se kisha bërë një reagim pa takt, prandaj mendova se isha i detyruar të bëja një shpjegim plotësues:

- Unë jam ai gazetari i DW, për të cilin aludoi ATSH-ja. Vërtet unë isha në Tepelenë në atë kohë, por kur ndodhi ngjarja isha brënda në ndërtesën e Këshillit të Rrethit dhe po bëja intervistë me z.Sotir Ceka, kryetar i këshillit të rrethit de i PD-së për Tepelenën dhe z.Dashamir Kamberi, kryetar i PS në Tepelenë. Ngjarjen e kobshme nuk e kam parë, por për të dëgjova pastaj. ATSH-ja shtrembëron qëllimisht lajmin, pasi ia ka marrë inat DW.

- Nga e mori vesh ATSH-ja atë ngjarje, kur dihet se në Tepelenë nuk mund të hyhet as të dilet!? – shtroi pyetjen habitëse përkthyesi. Ai më krijoi përshtypjen se ishte “i partishëm”.

- Nga lajmet e orës 17.00 të DW, pasi lajmet për gjendjen në Tepelenë ua përcolla unë. Por ATSH-ja e përdredhoi në mënyrë tendencioze këtë lajm të dëgjuar nga DW, - u përgjegja unë, duk e vazhduar, me mendimin se kisha lënë mangut pa iu përgjegjur gjithë pyetjes habitëse të përkthyesit. – Nuk është e vërtetë se në Tepelenë nuk mund të hyjë e të dalë njeri. Çdo qytetar i Shqipërisë mund të kalojë andej. Mjafton të ketë letërnjoftim për identifikim dhe të mos jetë i armatosur. Këtë e pashë me sytë e mi. Të tilla konstatime të gabuara po krijohen nga gënjeshtrat komprometuese që po përhapë TVSH-ja kundër kryengritësve.

- Është e mundur, - tha përkthyesi sa për ta bërë rendin, krejt artificialisht. Ai e hetoi se mendimet rreth ngjarjeve nuk po na puqeshin.

Pas pak ai kërkoi leje për të shkuar. I thashë se pas disa çasteve do të ik edhe unë në hotel. Sapo ai doli, z.Opuci më bëri të ditur se ai është i vëllai i kryetarit të Bashkisë dhe se merret edhe me këtë punë, duke na e marrë 1/3.

Pas disa çasteve kërkova edhe unë leje që të iki. Xha Thimioja këmbënguli:

- Si do të ikësh kaq vonë, biri im. Është kohë e rrezikshme. Mos më thënçin Thimio Opuci po të lëshova të ikësh, pasi nuk dua të turpërohem. Ti sikur se ditke se rrezikohesh të të ndodhë, larg qoftë, ndonjë e keqe. E kam me gjithë mend. Nuk ke për të paguar fare qira sonte.

Edhe plaka Opuci më bënte rixha që të rri.

- Dakord, po rri, - ju përgjigja për të mos ua prishur, meqë hetova se nuk e kishin me hile, dmth, për qira, por se vërtetë frikësoheshin se mos do të më ndodhte ndonjë e keqe e papritur.

Xha Thimioja pastaj filloi të më tregonte gjërë e gjatë historira familjare. Shtiresha sikur dëgjoja, për të mos ia prishur qejfin, pasi mendtë nuk i bëja dot zap. Më silleshin vërdallë nëpër ngjarjet e ditës. Dikur kërkova të falur, me arsyetimin se isha i lodhur dhe po më flihej.

- Siurdhëro. Eja pas meje. Ti nuk do të flesh sipër në dhomat që i kam për qiraxhinj, por ja këtu, në dhomën e pritjes, pasi të kam mysafir, - më tha xha Thimioja, duke më tërhequr njëherit për krahu. Më shpuri në dhomën që ishte ngjitur me kuzhinën. Pastaj më çoi në tavernë, përmes një deriçke të vockël dhe shkallëve të ngushta e të rrëpishme, ku ishin të rregulluara në mënyrë modeste WC-ja dhe dushi, por që mbaheshin tepër të pastra. Përkujdesja bujare, paksa e tepëruar, filloi të më bezdiste. Por nuk po e keqkuptoja, pasi mendoja se e kishte nga vuajtjet jetësore dhe nga vetmia e bezdisshme për të cilën më kishte folur. Ai përkujdesej edhe që të më mbulonte në shtrat, sikur të isha fëmijë, me shpjegimin se natën do të bënte ftohtë dhe mund të plevitosesha.

Më në fund, pasi ai doli jashtë, duke më dëshiruar gjumin e mirë, pas disa çasteve u zgjova nga krevati. Edhe pse isha i lodhur, gjumi nuk e kishte ndërmend të më merrte. Në kokë m’u imponuan fotografi të ngjarjes së pasdites në barrikadë, në rrugën në hyrje të Tepelenës. Fytyra të revoltuara deri në llahtarisje, tyta të automatikëve që m’ishin mbështetur në gjoks e shpinë, që i mbanin në duar njerëz të egërsuar deri në tërbim..

Vendosa të mbaja shënim për ato që kisha përjetuar, me arsyetimin se nuk i dihej… Nisa të hallakas sirtarët në kërkim të letrës. Pasi gjeta tabak të mjaftueshëm fillova shënimet. Pa hetuar, kisha mbushur nëntë faqe, por njëherit kisha filluar të mbërdhija. E ndërpreva të shkruarit dhe pasi i fsheha nën qilim tabakët, rashë për të fjetur…

Intermexo 2
Atë çast, kur deputetët shumicë të PD-së kërkuan një interpelancë parlamentare me ministrin e mbrojtjes Vukaj, nuk e kishin menduar se ai do të ishte edhe momenti, kur edhe zyrtarisht, do të bëhej e qartë pjesa e errët e ngjarjeve të fillim të vitit në Shqipëri. Duke dashur të fajësonin një zyrtar që vinte nga opozita, ata harruan se tashmë letrat mund të ishin hapur. Në atë seancë, për herë të parë u fol hapur, mbi bazën e dokumenteve, se PD-ja vërtet kishte qenë ashtu si kishte thënë Meksi “e gatshme për luftë”.

Ministri i mbrojtjes Vukaj deklaroi në parlament se janë gjetur dokumente me shkrim të lëshuara nga komanda eprore që urdhërojnë ndalimin e “operacionit goditës – shtypës” kundër popullsisë kryengritëse të rretheve të jugut. Ka ekzistuar një plan i vërtetë lufte, që përfshinte hedhjen në erë të urës së Mifolit (afër Vlorës), bombardimin me aviacion të popullsisë civile dhe shtypjen me dhunë të rebelimit, dëshmoi zoti Vukaj.

Më pas, një funksionar i komisariatit të policisë në Durrës, pohon se nuk kishte të drejtë t’ua merrte armën 640 personave (!) të cilët ishin armatosur nga Partia demokratike në fillimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Një dokument i komisariatit të policisë së rrethit të Fierit tregon për armatosjen e 388 vetave me urdhër partie. Në listën e të armatosurve, me numur 270, është edhe ministri i mëvonshëm i punëve të brendshme Belul Çelo, kurse prefekti Margilaj është në listë me numrin 383.

A kishte ndodhur vërtet kështu?

Le të sjellim një fragment të intervistës së zotit Bashkim Kopliku, në ato ditë anëtar i kryesisë së Partisë demokratike: “Para rreth një muaji u mblodh me urgjencë grupi parlamentar PD-së, ku erdhi zoti Berisha vetëm për “dhjetë sekonda” dhe lëshoi urdhërin “Të armatoset Partia Demokratike”. Dhe nuk shtoi asnjë fjalë tjetër veçse: “Tani do të iki, sepse kam për të dhënë urdhëra të tjerë”…”

Kjo ishte një thyerje e ligjit për partitë politike, neni 6, i cili ndalon krijimin e partive të tilla të armatosura.

Sidoqoftë, këtë deklaratë zoti Kopliku e bëri, kur ai mendonte të shkëputej nga Partia e tij.

Një tjetër dialog e bën të qartë gjithshka. Është një dialog në mes të së majtës e të djathtës, në mes të PS-së dhe të PD-së:

Ethem Ruka – Po e zëmë, për një moment, se ne “do të distancohemi” si e quani ju, nga komitetet. Po ju, a “do të distancoheni” nga njerëzit që i keni armatosur vetë? A e dini që ekzistojnë lista të plota, me firmë e me vulë, për njerëzit që janë armatosur? Dhe ju e dini se ata që armatosin një pjesë të popullsisë kundër një pjese tjetër i kap ligji, bëjnë një krim të rëndë?

Tritan Shehu – Armatosja e njerëzve është bërë në bazë të ligjit për mobilizimin e pjesshëm të popullsisë.

Ethem Ruka: Nuk ka asnjë ligj që të lejojë dhe të justifikojë vendimin që të armatoset një pjesë e popullit për të sulmuar pjesën tjetër të tij.

Komentet e mëtejshme do të ishin të tepërta.

Gjirokastër

(e premte, më 7 mars 1997)

Në mëngjes, rreth orës 07.00, shkova në hotel. Salla e madhe e kafesë ishte përplot. Qytetarët gjirokastritë zgjoheshin heret, vinin aty për të pirë kafenë e mëngjesit. Edhe dy klubet përbri ishin përplot qytetarë. Vetëm meshkuj. Gumëzhinin bisedat, por jo me zë aq të lartë.

Rreth orës 08.00, në sallë hyri DD me gazetarin gjerman dhe fotografin indas. U gëzova kur i pashë. Ata filluan të më tregonin se si kishin kaluar dje në Sarandë. DD bëri me dije se ishte fjalosur me reporterin e me gazetarin.

- Ata ishin pisa, - nisi të rrëfejë DD-ja. – Njëherë ua ofruan 1.000 – dollarë ca të rinjve të armatosur, vetëm që të pranonin të hynin me tanks në qytet. Dëshironin fotografi sensacionale.

- Mos u shqetëso! – e ndërpreva. Janë të revistës “Stern” dhe u duhen fotografi të tilla, për të bërë reportazhe sa më sensacionale e komprometuese.

- Unë nuk kam kaluar mirë, - tregoi në vazhdim DD. Sapo morën vesh se jam nga Kosova, ma ndaluan fotografimin. Kam mundur të bëj vetëm 11 fotografi. Gjithë kohën më ka shoqëruar një i armatosur, gjoja me arsyetim të sigurisë, por ai përkujdesej që të mos fotografoja. Atë detyrë e mori vetë përsipër. Dukej se u inatos pse nuk i premtova asnjë dollar.

- Nuk ke ditur të kërkosh takim me shtabin e atyshëm, - iu përgjigja unë. – Ata do të të kishin dhënë leje.

E pyeta nëse e kishte takuar Rolandin (Schleicher), duke i treguar se kisha patur bisedë telefonike dje në mëngjes dhe më kishte thënë se do të provonte të hyjë në Sarandë nga Korfuzi. Ai u përgjigj se nuk e kishte takuar.

Gazetari e fotografi i “Stern”-it vendosën të shkojnë në Vlorë. Unë u thashë se ne do të shkonim në Tepelenë. Gjermani pagoi hotelin për të gjithë, për të dyja netët (edhe pse natën e dytë nuk kishim fjetur asnjëri). M’i dha, gjoja në bazë shoqërore, 50 dollarë për përkthimin që kisha bërë (DD ia kishte dhënë 100 dollarë për ditën e djeshme), morën taksistin që ua kisha gjetur dje dhe u nisën.

Ne mbetëm në Gjirokastër, duke pritur taksistin tepelenas, që të vinte për të na marrë. Ndërkohë u njohëm me dy malësorë të Malësisë së Madhe. Ata kishin ngelur në Gjirokastër dhe flinin në hotelin përbri hotel “Çajup”-it. Nuk kishin si të udhëtonin për në Shkodër dhe prej andej në Malësi të Madhe, në fshatin Bajzë, nga ishin ata. Treguan se merreshin me kontrabandimin e refugjatëve klandestinë, të cilët i nxirrnin ilegalisht, kryesisht me dokumente të falsifikuara, në Greqi. Përpara ishin marrë me tregtimin ilegal të naftës e të prodhimeve të tjera me Malin e Zi.

Malësori Xhekë Dokaj tani nuk po na ndahej. Në fakt, të dy palët kishim interesa reciproke për të qenë së bashku. Ai, si duket kishte mbetur pa të holla dhe frikësohej nga hakmarrja e konkurrentëve vendas, ndërsa ne kishim nevojë për shoqërim. Ai ishte shakaxhi i mrekullueshëm, i shoqërueshëm, njihte shumë gjirokastritë, sidomos taksistë. Në atë mëngjez filluam të kishim monotoni e shqetësim gjatë pritjes së taksistit tepelenas.

Meqë taksisti tepelenas nuk po vinte se nuk po vinte, i luta shumë taksistë gjirokastritë, nëse ndonjëri nga ata do të na voziste për në Tepelenë. Asnjëri nuk ishte i gatshëm, ngase kishin frikë. Ç’nuk përflitej për ngjarjet në Tepelenë e për qytetet tjera që kishin rënë në duar të kryengritësve. Prisnim mos ndoshta vinte ndokush nga Tepelena për të mësuar se çfarë kishte ndodhur atje. Mosardhja e taksistit, siç ishim marrë vesh, ma shtonte shqetësimin.

Dikur, në pasditën e herëshme, Malësori Xhekë propozoi të shkonim në një restorant afër Kakavijës, duke na bindur se atje bënin ushqim të mirë. Ramë dakord, pasi kishim filluar të mërziteshim së ndenjuri në Gjirokastër dhe dëshironim të kishim edhe lidhje telefonike. Xheka angazhoi taksistin që parapëlqeu dhe udhëtuam.

Në atë fshat, i banuar kryesisht me minoritarë grekë, afër Kakavijës, kishte kafe, restorante e shitore. Ishin të rregulluara në mënyrë modeste dhe të furnizuara mirë. Në restorantin që parapëlqeu Xheka, me gjasë për shkak të kamarieres Kristinë, gjetëm vetëm dy vetë. Zumë vend dhe bëmë porosinë. Xhekës i pëlqente që të reklamoheshim për kavalierë dhe të kamur. Pas pak çasteve mësuam se dy të pranishmit ishin sampistë, siç quheshin pjesëtarët e njësisë speciale policore. Njëri nga ata na pyeti për mundësinë e përdorimit të celularit për të telefonuar në shtëpi. Këtë e bëri pasi hetoi se kisha celular kur u detyrova ta karikoja baterinë në një prizë afër tij. Provoi disa herë, por lidhjen nuk e mori dot. Si kundërshpërblim bëri porosinë e një shishe verë për ne. Sikur u inatos, se si ne mund të telefononim në gjithë botën, kurse ai nuk po merrte lidhje me familjen në afërsi. Si duket ose e kishte ngatërruar prefiksin, ose bredhja e valëve nëpër Evropë nuk po e gjente dot atë numër në Shqipëri, pasi unë celularin e kisha të regjistruar në Gjermani dhe në ato çaste ai kishte hyrë në rrjetin telefonik grek.

Aty ndenjëm bukur gjatë. Gjithë shpenzimet për katër veta, sa ishim ne, për qerasjen e sampistëve dhe kamarieres, na kushtuan rreth 55 DM. U kthyem rreth orës 18.00. Lajme nuk kishim ku të dëgjonim, pasi në hotel nuk kishte as radio, as televizion.

Kështu futëm në thes edhe një ditë shqetësuese e monotone.
Intermexo 3
Megjithatë, ajo nuk kishte qenë një ditë “monotone” për Shqipërinë. Përkundrazi.

Kërkesat e kryengritësve në gjithë Shqipërinë tashmë janë formuluar si kërkesa politike: qeveria koalicioni, dorëheqje e presidentit, kthimi i parave të humbura, zgjedhje të reja.

Ndërkohë ishte deklaruar projekti i formimit të një qeverie të pajtimit kombëtar. Në rrethet jugore kishte filluar krijimi i komiteteve të shpëtimit publik, që më vonë do të aderonin në një komitet të shpëtimit kombëtar. Kryengritësit kërkojnë të jenë palë në tryezën e partive dhe në formimin e qeverisë.

Në malësitë e veriut bëhet një përpjekje për organizim vullnetar në bazë bajraku për të nisur marshimin drejt jugut. Përpjekja dështon – reagimi ndaj mundësisë së rrëzimit të Berishës është lëkundur.

Berisha nis për në Itali djalin dhe vajzën, të cilët priten në anën tjetër të Adriatikut me eskortë të veçantë dhe strehohen në një vend të fshehtë. Televizioni italian pohon se ata mezi u kanë shpëtuar njerëzve, të cilët i kishin njohur dhe nuk donin t’i lejonin të arratiseshin.

Nga Saranda vjen një ultimatum i ri për Berishën: të japë dorëheqjen për dy ditë. Përhapet së pari njoftimi se Berisha ka dhënë dorëheqjen, e më pas, se Berisha është arratisur. Çuditërisht këtë e besojnë edhe ministrat e punëve të jashtme të Këshillit të Europës, të cilët nga ky lajm e ndërpresin në mes një mbledhje të posaçme për Shqipërinë. Në një intervistë për AFP-në, ai konfirmon se nuk do ta braktisë Shqipërinë në çfarëdo rrethane dhe se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Tirana rrethohet nga të gjitha drejtimet. Një deputet pëdëist u bëri thirrje fshatarëve të ardhur nga viset veriore dhe të përqëndruar rreth Tiranës të rrëmbejnë armët dhe të jenë të gatshëm për t’u mbrojtur nga vlonjatët.

Krismat dëgjohen edhe ditën, edhe në mes të qyteteve. Një grup njerëzish të armatosur sulmojnë burgun e Tiranës dhe lirojnë 600 të dënuarit e gjendur aty, duke përfshirë shefin e opozitës F.Nano, të sjellë pak ditë më parë nga burgu i Bënçës, ish-presidentin Alia dhe ish-presidentët e shoqërive financiare të dështuara. Prej orës 12 popullsia mbyllet në shtëpi. Tirana ngjan si e vdekur. Shteti është gati i shuar...

Gjirokastër

(e shtunë, më 8 mars 1997)

Në mëngjes u interesova të gjeja kompjuter për t’i shtypur intervistat me z.Sotir Ceka e z.Dashamir Kamberi, të cilat nga kaseta i kishte zbardhur në letër me dorëshkrim bashkëshortja e Odisesë. Ata doja t’ia faksoja DW-së, siç kisha premtuar, pasi nuk kishte mundësi të mira teknike t’i përcillja në origjinal. Këtë mundësi e gjeta te Firma “INSIG”, që ishte buzë “rrugës nacionale”. Aty ishte një ndërtesë e madhe. Brenda kishin byrotë e tyre shumë firma. Shefi i firmës, Maksi, na priti mirë. Ishte njeri i moshuar, intelektual i informuar. Ajo firmë kishte një kompjuter të instaluar, dhe tre të tjerë të paketuar, me instalimin e të cilëve po merreshin ato çaste.

Shkallët dhe korridoret e asaj ndërtese, ku kishte edhe teknikë elektronike, ishin përplot pluhur e mbeturina. Kushedi sa ditë nuk i kishte fshirë njeri. Edhe zyra ku hymë ne nuk ishte gjithaq e mirëmbajtur.

Z.Maksi tregoi gatishmëri për të na ndihmuar. Fillova menjëherë nga puna. Meqë daktilografoj ngadalë, dy intervistat vonova t’i radhisë deri rreth orës 11.00.

Pyeta nëse aty ekzistonte mundësia për faksim. Një firmë pranë, që kishte faks, ishte e mbyllur. Vendosa të shkoj në postën më të afërt. Aty nuk kishte faks. U ktheva prapë dhe vendosa t’u shkruaj një letër qytetarëve të Tepelenës, gjegjësisht Shtabit, me shpresë se do të mund të gjeja ndonjë lidhje për dërgim.

Diku, rreth orës 11.30, njëri nga të pranishmit bëri njoftimin se në Fushën e aeroplanëve po ateronin helikopterë. Zëri i tij nuk ishte normal, si atëherë kur bëhet një njoftim i rëndomtë, por i ngjyrosur me një befasi shqetësuese. Ju afrova dritares për të shikuar, i shtyrë nga mënyra e njoftimit. Ishin katër helikopterë. Buzë rruge, poshtë, sidomos mbi urën që shkonte për në atë Fushë, ishin grumbulluar shumë qytetarë. Të gjithë qëndronin duke shikuar aterimin e njëpasnjëshëm të helikopterëve.

Vazhdova së shkruari letrën e nisur. Nga inati që më kishin kthyer dhe nuk po gjeja mundësi për të shkuar, në letër theksova me teprime ca dukuri, sidomos lidhur me dyshimin ndaj çdo “veriori” si spiun i mundshëm ose ithtar i Sali Berishës. Duhej të ngutesha, pasi më duhej të gjeja mundësi për faksim të intervistave dhe duhej të shkonim në Kakavijë për ta përcjellur DD, i cili e kishte të rezervuar kthimin ditën e nesërme. Kështu letrën nuk arrita ta formuloja siç do të dëshiroja. Por kisha parasysh mundësinë e mirëkuptimit, pasi rrethanat ishin të jashtëzakonshme.

Ndërkohë DD e Xheka ishin larguar për në qendër të qytetit. Letrën e kisha përfunduar dhe tani po i prisja ata. Duke mos përballuar monotoninë e pritjes dhe duke dëshiruar t’u tregoja atyre që punonin aty se pastërtia ishte e domosdoshme, të paktën për hir të teknikës elektronike, mora një fshesë dhe fillova të fshij korridorin dhe shkallët. Maksi u habit kur më pa duke fshirë dhe m’u lut që ta ndërprisja atë punë. U arsyetova, se meqë po rrija kot në pritje, atëherë po e bëja këtë sa për të thyer monotoninë. Në fakt doja të tregoja se mirëmbajtja e lokalit të punës, në kuadër të të cilit hyjnë edhe korridori e shkallët, sado që ato janë të përbashkëta, duhet të mbahen të pastra. Dhe për pastërtinë mund të kujdesen edhe ata që bëjnë punë intelektuale, jo vetëm pastrueset klasike, që në Shqipëri kanë qenë vetëm xhipkat (romet).

Më në fund erdhën DD dhe Xheku. DD e luta të fotografonte helikopterët që kishin ateruar dhe një grup ushtarësh që, siç u tha, po shkonin drejt bunkerëve të mëdhenj ushtarakë dhe ishin pararojë e trupave që duhej të vinin më vonë.

Me Xhekën shkuam në postën qëndrore për të bërë faksimin. Aty ishin plot njerëz që provonin të merrnin lidhje me të afërmit e tyre në botën e jashtme. Ata që kishin zënë lidhjet, flisnin kryesisht për gjendjen e vështirë aty, me panik, dhe për mundësitë e ikjes jashtë Shqipërisë.

Përcaktimin e qytetarëve për ikje të domosdoshme nga Shqipëria e dëshmonte edhe tollovia e përditshme e qindra qytetarëve para Konsullatës greke në Gjirokastër.

Pasi bëra faksimin, u nisëm për Janinë. DD-së i vinte keq që po më linte vetëm, meqë i kisha humbur lidhjet edhe me z.Schleicher. Gjatë daljes nga Gjirokastra kudo shiheshin grupe të qytetarëve duke shikuar vetëm drejt Fushës së aeroplanëve dhe duke bërë komentime të ndryshme. Shqetësimi dhe paniku vërehej në fytyrat e të gjithëve, pavarësisht moshës, e sigurisht, pavarësisht edhe përkatësisë partiake.

Rreth orës 15.00 DD kaloi përtej kufirit. U përqafuam. M’u duk sikur po më vështronte me dhembje. Unë ju luta të mos merakosej, pasi gjendesha në Shqipëri, mes bashkëkombasve tanë, me të cilët dëshiroja ta ndaja fatin.

Taksisti na luste që të mos vonoheshim. Dëshironte të kthehej sa më parë në Gjirokastër, pasi parashikonte furtunë e përplasje të mëdha. Dëshironte të qëllonte në gjirin e familjes së tij, ta mbronte atë qoftë edhe me jetën, siç na thoshte kur mundohej të arsyetonte dëshirën për kthim sa më të shpejtë. Gjirokastritët, siç mund të dëgjohej, frikësoheshin se gjatë natës mund të ndodhte plojë e madhe.

Kur erdhëm te fshati Dërviçan, te i cili ndahej rruga që i qepej shkëmbit në drejtim të Delvinës, nuk i gjetëm më të katër tanket, të cilët i kisha parë sa e sa herë aty, që kur kisha hyrë në Shqipëri. Taksisti voziste me shpejtësi të madhe. Makina të shumta vinin përballë. Edhe ato kishin shpejtësi të madhe. Dukej se arratiseshin sa më larg Gjirokastrës. Të gjithë na sinjalizonin me drita, por nuk mund të merrnim vesh përse. Kjo na merakoste të gjithëve.

Pak disa kilometrash më tutje hasëm në të katër tanket, të cilët gjithashtu po nxitonin në drejtim të Gjirokastrës. U desh të ngadalësonim taksinë, pasi tanket kishin zënë gjithë rrugën. Sipër tankesh dhjetëra ushtarë e sampistë. Njëri nga ata zbriti dhe na ndaloi, pasi tanket kishin ulur shpejtësinë. Ishte i veshur në rroba civile. Na pyeti me zë të ashpërsuar e të lartë se kush ishim. Pa pritur përgjigjen, urdhëroi ta merrnim me vete dhe t’i kalonim tanket. Dukej se i nxitohej.

Me vështirësi kaluam tanket, pasi ai që hyri në makinën tonë dha urdhër me radiolidhje që t’i hapej rruga makinës. Makina jonë u detyrua ta lëshonte asfaltin, duke ecur buzë rruge mbi gurë të thepisur. Duket se njëri nga ata gurët na e preu gomën, e cila pas dy-tre kilometrave na e lëshoi fare. U detyruam të ndalemi për të ndërruar rrotën. Njeriu që na ishte futur në makinë me dhunë shau e turfulloi, duke shpjeguar se gjirokastritët po sulmonin depot e armëve dhe po armatoseshin. Pas pak na arritën tanket. Ai prapë hypi mbi tankun e parë. Dukej se ai e kishte gjithë komandën e atij njësiti.

Tanket na kaluan, kurse ne mbetëm duke u munduar të ndërrojmë rrotën. Çelësi kryq nuk na bënte punë për të çliruar vidat, pasi i ishin ngrënë qoshet. Provonim të ndalnim ndonjë makinë për të kërkuar ndihmë. Asnjë nuk ndalonte. Sinjalizonin me drita, i binin borisë gjatë e fuqishëm dhe iknin. Ishin kryesisht makina të shtrenjta. Papritur, përballë po vinte taksisti tepelenas, me të cilin i kishim përjetuar çastet e llahtarshme, të cilat jam munduar t’i përshkruaj në vendin përkatës në këtë kronologji të ngjarjeve të përjetuara. Ai, me gjasë, meqë më njohu, ndaloi.

- Ç’hall keni? – na pyeti.

- Na e ka lëshuar goma, - ia ktheu taksisti gjirokastrit, i cili, sa mbaj mend, emrin e kishte Shpëtim. Ai i shpjegoi tepelenasit se nuk po i bënte kryqëzori për të çliruar vidat.

- Urdhëroni timin dhe mbajeni, pasi nuk kam kohë të pres, - tha duke e kërkuar me panik kryqëzorin në bagazh.

- Më fal që nuk erdha dje, - foli shpejt gjatë kohës kur po kërkonte kryqëzorin. – Isha duke u marrë me viza të familjes. Ata të Shtabit të përshëndesin dhe më kanë thënë se je i mirëseardhur në çdo kohë. Kërkuan të falur për ato që na ndodhën, pasi ju tregova për të gjitha. Unë me gruan e fëmijët po ikim për në Greqi. Vëllai do të kthehet prapë me makinë, pasi qenat grekë nuk ma lejojnë makinën andej kufirit. Mirupafshim dhe u pjekshim në ditë më të mira për Shqipërinë!

Sytë ju mbushën me lotë dhe bëri të nisej.

- Një moment të lutem! Kam një letër për qytetarët e Tepelenës. E merr dot me vete vëllai yt, meqë u ktheka, që t’ia përcjellë Shtabit? – e pyeta.

- Gjithësesi! – m’u përgjegj. – Të lutem mos më vono, se duket që në Gjirokastër ka për të ndodhur hataja...

Sapo mori letrën nisi makinën me rrëmbim duke lëshuar edhe një të thirrur: - Rroftë Shqipëria!

Për disa çaste qëndrova si i shtangur, duke vështruar makinën në ikje. Sikur m’u duk se po më pështjellohej fryma në gjoks për ikje të rrëmbimshme e në panik të shqiptarëve nga Shqipëria...

- Eja shpejt se ndërruam gomën, - më thirri Xheka, duke ma ndërprerë atë pështjellim të mendimeve shqetësuese. Taksisti frikësohej nëse goma e vënë, që ishte tepër e dobët, do ta përballonte rrugën deri në Gjirokastër. Atij vërtet i ngutej.

Prap i zumë të katër tanket. I kaluam ato, duke i lënë prapa, vetëm edhe disa kilometra larg Gjirokastrës. Njeriu që na qe futur në makinë nuk ishte më mbi tankun e parë. Me gjasë kishte urdhëruar të ndalonte ndonjë makinë tjetër që të arrinte sa më shpejt në Gjirokastër.

Xheka shprehu mendimin: - Të ndalojmë diku këtej te ndonjë fshatar?

- Unë dëshiroj të futem në Gjirokastër, sikur edhe qameti të ndodh, - iu përgjegja.

Taksisti vetëm mallkonte. Ishte tepër i tronditur.

Në të hyrë në fshatin Lazarat, (duhet të ketë qenë rreth orës 15.45), që gjendet në anën e majtë të rrugës nacionale në të hyrë të Gjirokastrës nga jugu, pamë të vraponin njerëz me armë në krah. Taksisti tha me habi shqetësuese:

= Vërtetë, qenkan hapur depot e armëve dhe njerëzit që andej po kthehen të armatosur.

Secilit i shiheshin mbi supe më shumë se një armë. Të tjerët, që akoma nuk ishin armatosur vraponin drejt depove. Ishin vetëm meshkuj, të moshës 15 deri 40 vjeçare. Në të hyrë të qytetit gjirokastritë të armatosur tashmë kishin vendosur postbllokun. Ne nuk na ndaloi as nuk na pyeti njeri. Taksisti nxitoi të na çonte deri te Sheshi “Çerçiz Topulli”. Duke u ngjitur tatëpjetë, te lagjia e punëtorëve, djali i axhës së taksistit, siç na tregoi ai pastaj për afërsinë familjare të tyre, me automatik në dorë, i thirri: - Shpëtim, kthehu menjëherë!

- Ke siguruar armë për mua? – e pyeti atë taksisti.

- Sa të duash, - u përgjegj ai dhe ngriti një automatik lart. Në krahun tjetër mbante armë të tjera.

Rreth orës 16.00 në Gjirokastër plasën breshëritë e para nga mijëra armë, të cilat ndërkohë kishin rënë në duar të qytetarëve. Thuhej se breshëritë shoqëronin sulmin mbi ushtarët në Fushën e aeroplanit. Ata kishin ikur. Në atë sulm gjirokastritët e armatosur e kishin kidnapuar njërin nga katër helikopterët, kishin plagosur pilotin dhe ia kishin thyer me të shtëna mitralozi njërin krah helikës kur helikopteri kishte provuar të ngritej për të ikur.

Edhe tanket, të cilët nxitonin për të ndërhyrë në “mbrojtje” të Gjirokastrës nga “pushtimi” i gjirokastritëve, ranë në duar të qytetarëve të armatosur, pa rezistencë. Në qytet kishte filluar një jetë tjetërfare. Breshëritë e automatikëve, mitralozëve e armëve të tjera të lehta nuk pushonin. Pleqtë e plakat gjirokastrite nuk po u besonin syve dhe veshëve. Ato thërrisnin: - Ububu, ç’po ndodh!? Kundër kujt po shtien!?

Vërtetë, kundër kujt shtinin, përse harxhohej gjithë ai municion?! Dukej se bashkë me të shtënat shfryhej dufi i revoltës kundër diktaturës, korrupcionit e kriminalitetit shtetëror. Më në fund, edhe kryeqendra e Shqipërisë jugore ra në duar të kryengritësve të armatosur. Askush në qytet nuk bëri rezistencë. A thua ku ishin gjithë ata anëtarë e votues të PD-së?! Të gjitha organet e Prefekturës e të Bashkisë përbëheshin prej tyre, në bazë të zgjedhjeve “të lira” komunale! Por vetëm për disa çaste të gjitha strukturat shtetërore u zhbënë, nuk ekzistonin më.

Bashkë me Xhekën e Bajzës futëm kokën në hotel. Po mundoheshim të kuptonim se çfarë po ndodhte me të vërtetë. Nuk kuptuam nëse qytetarët i udhëhiqte ndokush që të armatoseshin dhe ta mësynin atë grusht ushtarësh, për të cilët flitej se ishin pararoja që do të studjonte terrenin. Pas tyre, siç pëshpëritej, do të vinte një divizion nga Përmeti. Ai do të sulmonte në dy drejtime: Tepelenë dhe Sarandë.

Ne vetëm sa dëgjonim thirrjet si në kor:

- Të gjithë te depot që të armatosemi për t’u mbrojtur nga “çeçenët” e Berishës...!

Xheka shkoi për të fjetur në dhomën e rezervuar në hotel, me arsyetimin se ishte i lodhur. Por, dukej se tani vërtet po mërzitej, më shumë se ditët e mëparme. Sikur po i humbnin shpresat se do të mund të kthehej te familja dhe do ta gjente atë shëndoshë e mirë. Ai nuk ngurronte tashmë të shante pushtetin dhe Salën, duke u munduar t’i arsyetonte sharjet për mafiozllëqet e tyre nga më të lloj-llojshmet, sidomos në tregtimin ilegal me Malin e Zi, ku shitej kryesisht naftë dhe blehej miell, edhe pse ndaj Serbisë e Malit të Zi ishte vënë embargo ndërkombëtare. Herë pas here, i mllefosur, bënte pyetjen: “E përse nuk po japin dorëheqje ata qena!?” – duke aluduar në Berishën & Co (dhe kompaninë).

Kur ai shkoi në dhomën e hotelit përkaj, ku kishte muaj që banonte, unë dola në shesh. Pensionistët dhe të papunët, që kalonin ditën nga klubi në klub, nuk shiheshin më. Ata dukej se ishin mbyllur në shtëpitë e banesat e tyre dhe tani kishin kohë të bollshme të bashkëbisedonin me gratë e tyre për ato që po ndodhnin. Në shesh tani kishte vetëm burra nën moshën 40-vjeçare. Secili mbante një armë mbi supe dhe silleshin vërdallë triumfalisht. Herë pas here qëllonin në ajër, meqë nuk kishin ndonjë kundërshtar përballë; streset duheshin zbrazur.

Vajta te bashkia për të shikuar në kishte njeri para portës kryesore. Nuk pashë askënd. Zbrita prapë në shesh. Tani asnjë klub nuk ishte i hapur. Nuk kishe ku të pije qoftë edhe një kafe. Vendosa të shkoja te pleqtë Opuci. Thirra edhe Xhekën, të cilin, siç më tha, nuk e kishte zënë fare gjumi. Donim t’i dëgjonim edhe lajmet e TVSH-së, të orës 18.35. Atë natë nuk preferova ta kaloja natën në dhomën e paguar të hotelit. Nuk i dihej... Deri pak orë përpara funksiononin organet policore dhe SHIK-u. Ku kishin tretur dhe çfarë po bënin pjesëtarët e tyre?

Ecnim kalldrëmit dhe tek-tuk takonim ndonjërin me armë mbi supe. Pas trokitjeve na e hapi derën Xha Thimio. Atë e bëra me dije se sonte ishim qiraxhinj të tij unë dhe miku im nga Malësia e Madhe. Ai na mirëpriti si mysafirë dhe jo si qiraxhinj.

Pasi dëgjuam “lajmet”, bëra një mori telefonatash, pasi u muarëm vesh me Xha Thimion që të mund të telefonoja dhe në fund të paguaja aq sa do të thonin ata të postës se janë harxhuar. Për fat, nga Gjirokastra mund të telefonoje pa vështirësi në gjithë botën. Por, nga jashtë nuk na merrnin dot. Kështu bëra ca telefonata në Tiranë, në Gjermani, në Francë, në Zvicër e në SHBA.

Do të veçoja telefonatën me Ismail Kadarenë:

- Alo, jam unë, Ibrahimi. Ju telefonoj nga Gjirokastra, - ju paraqita sapo hyri lidhja dhe vetë z.Kadare e dëgjova të ishte në telefon.

Ai ma njohu menjëherë zërin.

- Nuk mund të jetë e vërtetë, - ma ktheu.

- Po, e vërtetë është. Këtu gjendem që nga data 5 mars, - i thashë.

- E çfarë po ndodh aty? – më pyeti. Në zërin e tij në telefon hetova shqetësimin.

- Rreth orës 16.00 ka plasur edhe në Gjirokastër. Një pjesë e madhe e gjirokastritëve janë armatosur. Ata po shtien pandërprerë në ajër. Urdhëro, dëgjoni breshëritë. Po hap dritaren, - u përgjigja.

- Ibrahim! Mjaft, të lutem! – thërriste z. Kadare.

Vazhdova të mos i përgjigjesha për një çast. As dritaren nuk po e mbyllja. Ndjenjat i kisha të përziera. Ndaj personalitetit që kisha admirim aq të madh sikur ndjeja njëfarë mllefi, se përse nuk po angazhohej më shumë politikisht. Por më shumë ndjeja mllef ndaj asaj pjese të angazhimit të tij politik në përkrahje të Berishës, atij që tani po shkaktonte këtë llahtari, atij që me aq fanatizëm ishte ngjitur për kolltukun presidencial.

- Alo, alo, i dëgjon? – ndërhyra unë.

- Po mjaft, të lutem. Më çmendën. Mbylle dritaren që të bisedojmë, - ishte përgjigjia, njëherit edhe kërkesa e z.Kadare.

Në vazhdim i shpjegova se si kishte rrjedhur ngjarja. Pastaj ju luta:

- Të lutem, eja këtu, në qytetin tënd të lindjes, te bashkëqytetarët e tu. Telefonoj edhe Qoses që të vijë në Tepelenë ose Sarandë. Ju mund të jeni mbrojtja jonë më e mirë në këto çaste kaq dramatike. Jemi duke u frikësuar se mund të na sulmojë ushtria me urdhërin e të çmendurit Berisha.”

- Çfarë thua? Është e pamundur. Atje është rrezik për ne. Ku e di unë se cilat agjentura janë mpleksur në ato ngjarje? – ma ktheu z.Kadare pas propozimit që i bëra.

- Nuk shoh ndonjë agjenturë. Nëse vërtetë ndonjë agjenturë e huaj është në veprim kaq të suksesshëm, atëherë ajo po vepron në Tiranë, duhet të jetë e lidhur me Berishën e bandën e tij. Kryengritja shpërtheu papritur, si vullkan, pasi qytetarët u frikësuan nga aterimi i helikopterëve me ushtarët pararojë. Populli vërtetë dukej i revoltuar dhe i mllefosur ndaj pushtetarëve të Tiranës. Nuk kam hasur ndonjë njeri pro Berishës dhe pushtetit të tij. Nuk duhet të jetë edhe aq naiv tërë ky popull, saqë agjentura të huaja ta tërheqin për hunde për të gjakosur veten dhe për ta rrezikuar Shqipërinë, - shpreha mendimin tim në bazë të atyre që kisha parë e dëgjuar.

- Nuk di çfarë të të them? Nuk kam të dhëna më konkrete për ato që po ndodhin aty, - shprehu mendimin e tij z.Kadare në vend të përgjigjes që dëshiroja ta dëgjoja.

- Atëherë, përse nuk e dorëzoni publikisht dekoratën që jua ka dhënë z.Berisha!? – e pyeta, duke e lënë të nënkuptojë se isha i mllefosur që kur ai e kishte pranuar atë farë dekorate komprometuese.

- Nuk është koha për punë të tilla! Tani Shqipërinë e kemi në rrezik, - m’u përgjigj z.Kadare.

- Urdhëroni atëherë e bëni diçka, - u përgjigja.

- Çfarë mund të bëj, more Ibrahim, në këto çaste, çfarë mund të bëj? – ishte përgjigjia e tij, shoqëruar me ofshama të dhimbëshme.

Në vazhdim më kërkoi numrin e telefonit ku do të provonte të më merrte herë pas here. Shpjegoi se nuk po hynte dot në Gjirokastër. Unë e informova se nga Gjirokastra telefonohet pa vështirësi në gjithë botën. I propozova se mund ta marrë sa herë që të dëshironte dhe ta informoja për ngjarjet e mëtutjeshme. Ai ma ktheu se nuk dëshironte të më bezdiste në rrethanat ku gjendesha.

- Nuk di se çfarë dite do të agojë nesër. Pjesa më e madhe e popullsisë aktive, gjinisë mashkullore, është armatosur. Thonë se po e mbrojnë qytetin nga bandat e Salës dhe nga keqbërësit, - i thashë në fund të bisedës.

Të pranishmit, ca pleq e plaka, që kishin ardhur për t’i përcjellur lajmet bashkërisht dhe që kishin dëgjuar që aty gjendej një kosovar, si dhe malësori Xhekë, u befasuan për bisedën që bëra me z.Kadare. Sikur u vinte e befasishme, se si unë, “kosovari”, i panjohuri për ta, që prej andej po flisja aq lirshëm e aq hapur me z.Kadare. Bile, guxoja edhe ta qortoja dhe t’i bëja propozime. Më uruan për ato që guxova t’ia them dhe filluan komentimet.

Një plakë, komshi me familjen Opuci, e veshur në të zeza, pasi po mbante zi për çunin e vetëm që i kishte vdekur në fatkeqësi komunikacioni, bëri një bisedë të gjatë:

- Kam vuajtur shumë nga ish regjimi monist. Isha e para grua që u angazhova në Gjirokastër, në kuadër të PD-së. Tani jam zhgënjyer në të, veçmas në z.Berisha. Më ka mbetur të besoj vetëm në idealet që rrezaton i madhi Rexhep Qosja.

Plaku Thimio u lëkund nga vendi dhe hoqi kapelën nga koka në shenjë nderimi.

- Për atë kolos kam respekt të madh, - tha ai.

Edhe plakat tjera miratonin me kokë, njëherazi.

- Sikur të ekzistonte mundësia ta zgjidhnim president, do të ishte fat i madh, - foli ajo e veshur në të zeza.

Pas bisedave të gjata, kryesisht shqetësuese, nën krismat e breshërive të armëve, u shtriva për të fjetur. Veshët tashmë më ishin mësuar me të shtënat, prandaj nuk kisha përse të merakosesha se nuk do të më zinte gjumi.

Gjirokastër

(e diel, më 9 mars 1997)

Në mëngjez shkuam me Xhekën në kafen e hotel “Çajupit”. Dëshironim të dinim se çfarë kishte ndodhur gjatë natës.

Në njërën anë të sallës ishin ulur ca njerëz të armatosur. Bashkë me ta edhe një burrë rreth të pesëdhjetave. Mësova se ai ishte gjenerali Agim Gozhita, i cili para dy vitesh ishte shkarkuar nga detyra e komandantit të Divizionit të Jugut. U ulëm edh ene në tavolinën e tyre.

Pasi që u njoftëm, biseda vetvetiu kaloi rreth ngjarjeve që kishin ndodhur në Gjirokastër ditën e djeshme dhe gjatë natës. Tregonin se gjatë natës kishin ndodhur vjedhje të mëdha të dyqaneve e magazinave. Kur unë fola se do të duhej organizuar mbrojtja e qytetit nga keqbërësit, me arsyetimin se ata, të tilla turbullira preferojnë, të gjithë të pranishmit miratuan propozimin tim. Edhe z.Gozhita bëri me dije se ndërkohë kishin biseduar përmes telefonit me kryetarin e Bashkisë, z.Ylli Asllani, dhe me disa personalitete të tjera politike të qytetit. Ata e kishin lutur atë të angazhohej për t’u ndihmuar në organizimin e qytetarëve vullnetarë për mbrojtjen e rendit e të qetësisë në qytet. Siç informoi z.Gozhita në vazhdim, edhe ai ishte treguar i gatshëm, prandaj kishin lënë një takim urgjent për orën 09.00 në pallatin e oficerëve.

Siç po merrja vesh nga bisedat, qyteti ishte gdhirë me shqetësime të mëdha, pa asnjë lloj pushtet.

Takimi u mbajt në pallatin e oficerëve në sallën e të cilit ishin mbledhur qindra kryengritës të armatosur e qytetarë të tjerë të shqetësuar. Në atë takim u vendos formim i shtabit qytetar. Komandant i shtabit u zgjodh gjenerali Agim Gozhita. Takimin e drejtoi kryetari i Bashkisë, i cili njëherit ishte edhe kuadër i PD-së. Ai, në atë takim para pjesëmarrësve, kishte deklaruar: “Nga këto çaste unë jam vetëm shqiptar e qytetar i Gjirokastrës. Jam i interesuar për fatin e qytetarëve të Gjirokastrës të cilët janë të ballafaquar me një situatë shumë të rrezikshme, prandaj dëshiroj të jap kontributin tim që të mos pësojmë ndonjë katastrofë”. Qytetarët e pranishëm e përshëndetën deklaratën e tij me duartrokitje dhe me të thirrura: “Rroftë Shqipëria!”

Zëvendës i Komandantit të Shtabit u zgjodh Ing.Sotiraq Manfo (i Partisë Social-Demokrate), zëdhënës i shtabit u zgjodh profesori i gazetarisë në Universitetin e Gjirokastrës, emrin e të cilit nuk e kam mbajtur mend, që ishte pjesëtar i minoritetit grek, anëtar shtabi u zgjodh edhe Ylli Asllani, kryetar i Bashkisë (i PD-së), etj.

Shtabi u bëri të ditur gazetarëve se do të informohen në meting për përmbajtjen e deklaratës që kishin miratuar, pasi ishin shumë të zënë me organizimin e rendit.

Shtabi u lëshoi një thirrje për meting në ora 13.00.

Në ora 12.30 dola sërish te Pallati i oficerëve për të pritur nga po vinin anëtarët e shtabit në meting dhe si po organizohej metingu. Në këtë kohë kishin filluar të grumbulloheshin qytetarët. Një makinë, me megafonë të mëdhenj sipër, endej rrugëve të qytetit duke njoftuar qytetarët për metingun.

Rreth orës 12.55 nga Pallati i oficerëve doli gjeneral Gozhita, i shoqëruar nga z.Sotiraq Manfo e z.Ylli Asllani dhe anëtarë të tjerë të shtabit. Rreth tyre ishin dhjetëra kryengritës të armatosur.

Metingun e hapi z.Sotiraq Manfo. Në meting merrnin pjesë rreth 3.000 qytetarë, vetëm meshkuj, kryesisht të moshës 20-50 vjeçare. Si duket gratë dhe pensionistët nuk kishin dalur në meting, bile as jashtë shtëpive të tyre gjatë gjithë asaj paradite, nga se ende nuk e kishin marrë veten nga frika e paniku i natës së mbrëmshme dhe i breshërive që oshëtinë gjatë gjithë natës. Fitova përshtypjen se edhe intelektualët nuk kishin ndalur në meting. Me gjasë ata, si gjithnjë, edhe kësaj radhe, po rrinin anash si spektatorë pasivë, nëse vazhdonin të ishin ende në Gjirokastër, në pamundësi për të ikur të paktën jashtë qytetit.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve mbanin armë mbi supe, dhe, kur donin të thërrisnin parulla ose të përkrahnin fjalimet, ngrinin armët lart. Edhe në këtë meting syri dhe aparati zunë disa veta që ngrisnin herë pas here tre gishtërinj, simbolin që po më irritonte. Vendosa të pyes ndonjërin nga ata, se përse i ngriste tre gishtërinj.

Në Deklaratën, të cilën e lexoi z.Manfo, i bëhej “thirrje popullit të Gjirokastrës me rrethinë të ruajnë gjakftohtësinë dhe të përballonte me qetësi situatën në kushtet e mosfunksionimit tërësor të organeve shtetërore.

Shtabi qytetar ndalon përdorimin e armatimit nga kryengritësit pa leje të shtabit, urdhëron moslejimin e mbajtjes së armëve nga qytetarët e moshës nën 18-vjeçare, funksionimin e të gjithë administratës shtetërore, vënien në funksion të Shtabit qytetar të Radio Gjirokastrës, kthimin në punë të të gjithë personelit administrativ, me përjashtim të punonjësve të SHIK-ut”, etj.

Gjithashtu shtabi deklaroi se “nuk do të lejojë nga asnjë drejtim tokësor ose ajror të dislokohen trupa berishiane në Gjirokastër dhe të sulmojnë kryengritësit e qyteteve të barrikaduara në Sarandë, Delvinë, Tepelenë e Memaliaj”.

Shtabi u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë çdo ditë në orën 16.00 në sheshin kryesor të qytetit.

Në vazhdim fjalën e mori edhe gjenerali Agim Gozhita. Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë vendimet e marra nga shtabi, të ndihmojnë në kthimin e rendit e të qetësisë, etj.

Sapo përfundoi metingu ju afrova një pjesëmarrësi që kisha shënuar se i ngriste tre gishtërinj.

- Ju lutem, më lejoni që t’ju bëj disa pyetje, - ju drejtova.

- Urdhëroni, - m’u përgjegj.

- Cilit besim fetar i takoni? – ishte pyetja e parë.

- Besimit musliman, - u përgjegj shkurt.

- Ju ngritët gjatë metingut disa herë vetëm këta tre gishtërinj të shtrirë, - e pyes duke e imituar. Përse? – ishte pyetja pasuese.

- Sepse dëshiroj që forcat tona politike, të cilat nuk kanë mundësi t’i takojnë ndonjë spektri tjetër, pos spektreve të djathtë, të majtë dhe të qëndrës, të bashkëpunojnë për hir të kombit tonë e të Shqipërisë, - ishte përgjigjia e tij.

- E dini se vetëm serbët përdorin të tillë simbol karakteritik, të lidhur me përcaktimin e tyre religjioz e nacionalist? – ishte pyetja e tretë.

- Nuk e di, po unë e kam parë përmes televizionit se ky simbol është përdorur në Vlorë dhe kisha dëgjuar se është simbol i bashkimit të forcave politike të të tri spektreve, prandaj e praktikova, - m’u përgjegj ai.

Vendosa të mos e vazhdoj më me të bisedën, pasi nuk më bëri të dyshoj se e përdorte atë lloj simboli për shkaqe të përcaktimeve fetare, ose sepse kishte ndonjë informim a simpati për serbët, por ai më ndaloi me pyetjen:

- Më falni, nga ju kemi?

- Nga Kosova, - ju përgjegja.

- Interesant, - tha me zë të ulët, sikur të fliste me veten. U ndal për një çast, pastaj vazhdoi: - Çfarë ju ka shtyrë të gjendeni këtu, në këto çaste kaq dramatike?

- Interesimi për rrjedhën e ngjarjeve dhe për Shqipërinë, - ju përgjegja shkurt, pa patur dëshirë ta zgjasja bisedën, pasi po më priste Odisea për t’i shkuar për drekë.

- Keni kohë të vini për një kafe? – më pyeti me dashamirësi e bujari.

- Ju faleminderit për ftesën. Jam i ftuar nga ai miku për drekë, prandaj nxitoj. Dhe në atë çast bëra me dorë drejt Odisesë. Ai e njohu Odisenë dhe iu drejtua:

- Odise, të lumtë për lajmet që po jep për Dojçe Velen. Po patët kohë, ejani me këtë vëllain për vizitë.

- Faleminderit, por jemi tepër të zënë, - iu përgjigj Odisea.

U nisëm për në shtëpinë e tij. Gjatë rrugës dëgjoheshin të shtëna të rralla. Odisese po i ngutej, sepse do t’i përgatiste shënimet për lajmet e orës 17.00. Duhej t’u telefononte edhe në rrethe të tjera, kolegëve të vet në Radio Gjirokastër, për t’u informuar më gjërësisht për gjendjen.

Në shtëpi të Odisesë ishin prindërit e tij, bashkëshortja, çuni dhe vjehrri. Ata merakoseshin shumë për Odisenë, se mos do t’i ndodhte ndonjë gjë nga ithtarët e z.Berisha. Të gjithë i bënin presion që ta ndërpriste bashkëpunimin me DW. Kurse mua më këshillonin që të ikja sa më parë. Sidomos vjehrri i Odisesë dukej të ishte i informuar mirë.

Ndërkohë TVSH-ja dha lajmin se në Tiranë po mbahej takimi i përfaqësuesve të partive politike me thirrjen e Presidentit. Paralajmëruan se do të bëhej transmetimi nga ai takim me rëndësi. Vërtetë, rreth orës 15.00, filloi transmetimi i atij takimi. Për herë të parë gjatë atyre ditëve vura re përcjelljen e vëmendshme të TVSH-së.

Sapo z.Berisha bëri njoftimin e shkarkimit të Qeverisë Meksi dhe lexoi propozimin e tij për një pajtim kombëtar për kapërcim të krizës, plasën breshëritë e të gjitha llojeve të armëve të lehta. Krismat vinin nga çdo shtëpi. Oshëtinte e gjithë Gjirokastra. Vetëm atëherë munda të kuptoj, se sa armë e municion kishin marrë qytetarët.

Nëna e Odisesë thërriste: “O zot, më në fund duket se po shpëtojmë nga ky tmerr!” Edhe të tjerët thoshin fjalët e tyre të çastit, të përziera me shpresë e mallkime njëherësh. Mua po më rrënqethej trupi. Sikur më vinte për të qarë, por kisha inat të më shihnin. Dëgjoja me vëmendje, por njëherit mendja më shkonte nga skena në skenë, nëpër sharjet, mallkimet e inatet kokëforta të Berishës... Por, se si nuk ia kisha besën, nga se më ishin shtresuar dyshimet për të, nga se...

Retrospektivë 1

Rrjedhën e ngjarjeve në Republikën e Shqipërisë gjatë viteve 1991-1992 jo vetëm e kam përcjellë, por edhe jam “përzier” në të.

Diktaturës së proletariatit, gjegjësisht sistemit monist, po i vinte fundi edhe në Republikën e Shqipërisë. Ai sistem, si i tillë, nuk duhej dhe nuk mund të mbrohej më. Pyetja ishte si të ndryshohej me sa më pak sakrifica, shkatërrime e viktima. Krahasuar me atë që ndodhi e që po ndodh tani, zoti Ramiz Alia sa shkon e po i shtohen vlerat për “ndërmjetësimin” në mes të forcave komuniste e konservative dhe forcave antikomuniste.

Shumë personalitete shtetërore e partiake, nga ata që po “perëndonin” dhe nga ata që po “lindnin”, pata rastin t’i njoh nga afër. Në mesin e tyre edhe zotin Sali Berisha.

Zoti Berisha, sekretari i rreptë i PP-së u propozua si kandidat për deputet i Frontit Demokratik për Tropojën, në dhjetor të vitit 1990. Pak ditë më pas, në çastet e krizës së madhe për Ramiz Alinë dhe grupin rreth tij, që ishte i përçarë në konservatorë dhe disi më liberalë, zoti Berisha u gjet si më besniku për të biseduar me studentët në grevë.

Ndodhi metamorfoza e hovshme: komunisti i devotshëm u bë antikomunist i vendosur. Ai nuk ishte nga ata që kishte qenë i izoluar nga bota e informacionit, por edhe nga zhvillimet në botë. Atij i kishin besuar PP-ja dhe Sigurimi, gjegjësisht Sigurimi dhe PP-ja dhe e kishin dërguar për specializim në Paris. Atje nuk kanë mundur “ta izolojnë”.

Fillova të dyshoj, se nuk e arsyetoja dot metamorfozën e tij. Dëshiroja të besoja se kjo ishte ndoshta rrjedhojë e grykësisë për karierë, më e fortë se “ideali komunist”, dhe jo rrjedhojë e ndonjë dukurie tjetër.

Gjurmimet, jo me aq ngulm, treguan se vjehrra e tij, z.Milica, ishte një malazeze, e lindur dhe e rritur në Beograd. Dhe nuk ishte një malazeze dosido, por një oficere e OZNA-s jugosllave (shërbimi i fshehtë jugosllav). Dhe ajo nuk “u dashurua” me një djalë të zakonshëm shqiptar, por me një kuadër ushtarak, komandant partizan, i quajtur Rexhep Rama (Balidemaj), me origjinë nga fshati Martinaj, komuna e Plavës. Familja e tij ishte përndjekur nga pushtuesit malazez dhe ishte vendosur në Shkodër në vitet ’20. Kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali para LDB dhe me fillimin e saj kaloi në rradhët e partizanëve.

Në vitin 1946 dërgohet për “specializim” në Beograd. Atje pas një “dashurie” të shpejtë, “martohet” me Milicën. Kjo martesë (politike e ndoshta agjenturore) i kishte befasuar dhe zhgënjyer të afërmit dhe bashkëluftëtarët e tij.

Në vitin 1948, pas prishjes me “vëllezërit” jugosllavë, Rexhep Ramës i vihet kushti përfundimtar: “O me Milicën, o me ushtrinë shqiptare”. Rexhepi vendos për Milicën. Rrjedhojë ishte largimi nga ushtria. Kështu një personalitet, deri atëherë i njohur, shndërrohet në një të dyshimtë të përjetshëm. Kurse Milica i bën kërkesë gjyqit të Shkodrës dhe e ndryshon emrin në “Vera”. Të afërmit e familjes, që ishin ruajtur gjithmonë nga “roli” i Milicës, thonin se edhe zonja Liri Berisha (e lindur Rama), ishte regjistruar në Shkodër fillimisht me emrin “Sllobodanka”. Edhe ajo me gjyq e kishte ndryshuar emrin në “Liri”.

Këto “zbulime” më bënë të distancohem nga zoti Berisha qysh në vitin 1992. Më saktë, në gushtin e vitit 1992 u detyrova të ik nga Shqipëria pasi SHIK-u kishte filluar të më përgjonte. “Dekonspirimet” nga rradhët e SHIK-ut e arsyetonin përgjimin me një “listë të zezë”, më 16 emra të “kosovarëve të rrezikshëm”, të cilën zoti Ali Aliu (atëherë “ambasador” i Republikës së Kosovës në Tiranë) ia kishte dorëzuar “gjeneralit” Bashkim Gazideda. Iu drejtova personalisht zotit Berisha, që ndërkohë ishte bërë President i Shqipërisë. Më dha besën se do të më mbronte, po të më ndodhte gjë. Kërkoja që të dënonte një akt të tillë.

Ai arsyetohej se do të ndodhte një skandal po të ndërhynte dhe më përsëriti besën. I thashë se pak më hynte në punë besa e tij, sepse deri të merrte vesh ai se kisha përfunduar në birucë, “shikasit” do të m’i thenin eshtrat.

Doja të mos dyshoja në “rastësitë” e këtyre martesave, mirëpo dija për përvojën serbe me “martesat politike”...

Qëndrimet ndaj çështjeve kombëtare dhe mënyra e sundimit të mëtejshëm të z.Berisha nuk mund të spjegohen pa u ndalur në rolin e qeverisë së SHBA-ës ndaj tij dhe ndaj çështjes shqiptare.

Në fillim të viteve ’90-ta politikën amerikane për Evropën Jug-Lindore e drejtonte Lavrence Eagleberger, serbofil i hapur, me pozitë dhe influencë të fuqishme. Për këtë mik serb, e jo vetëm mik, dinte e gjithë bota, vetëm politikanët shqiptarë nuk e dinin ose nuk donin ta dinin.

Në këtë kuadër, ai ka gjetur bashkëpunëtorë tek lobi egocentrik e antievropian në SHBA. Këto dy lobe duhet të kenë bërë skenarin jo vetëm për të shpëtuar Serbinë, por mundësisht edhe për ta bërë sa më të madhe atë. Bashkëpunëtori i tij i ngushtë ishte Lordi Carington, transportues i hershëm i armëve për ish RSFJ, bashkëpronar i korporatave të firmave të ngritura dhe të financuara me parat që Beogradi ia kishte dhënë z.Eagleberger. Ky Lord përgatiti Konferencën e Paqes për Jugosllavinë, që u mbajt në Londër (gusht 1992). Shqiptarëve të Kosovës në këtë konferencë, edhe me bekimin e qeverisë së Shqipërisë, iu dha statusi i minoritetit.

Normale është të mendosh se në segmentin shqiptaro-serb në Beograd është menduar e planifikuar gjithnjë, se si duhet dobësuar, pasivizuar e ndoshta edhe pushtuar Shteti Shqiptar, që ai të mos jetë në gjendje për t’i përkrahur shqiptarët e Kosovës në përpjekjet e tyre për çlirim nga pushtimi serb.

Në kuadër të këtyre planeve duhet të jetë llogaritur edhe angazhimi, në një ditë të ardhëshme, i zotit Rajorson, ambasador i SHBA-së për vite me rradhë në Beograd. Për këtë të bind edhe fakti, se ai, qysh në Beograd, ka mësuar edhe gjuhën shqipe. Këtë serbofil të përkushtueshëm, bashkëpunëtor i ngushtë i Eaglebergerit, Pentagoni e emëroi ambasador në Tiranë në kohën e përmbysjeve dhe të kthesave të mëdha.

Në Tiranë është ditur nga kushdo, se të gjithë kuadrot kryesorë, partiakë e shtetërorë, zgjidheshin e emëroheshin me rekomandimet e z.Rajerson. Këtë punë e bënte haptas edhe Dr.Ali Aliu (bashkëpunëtor i Beogradit).

Në vende të larta drejtuese të shtetit shqiptar u emëruan vegla të bindura, njerëz pa asnjë lloj personaliteti si Zhulali, Gazideda, Blerim Çela, Serreqi etj.

Se nga i gjente emrat z.Ali Aliu nuk do shumë spjegim për shqiptarët e informuar të Kosovës. Por më me rëndësi është të dihet, se nga i njihte z.Rajerson ata që emëronte dhe kush ia jepte këtë të drejtë të ndërhynte kaq thellë në punët e një shteti të pavarur.

Duhet të jetë në natyrën e punës së diplomacive amerikane të mos lejojë, që kaq hapur dhe në mënyrë kaq skandaloze, të ndërhyhet në punët e brendshme të një shteti të pavarur. Në këtë rast, ky parim është shkelur, për shkak të keqpërdorimit të përgjegjësive nga z.Eagleberger. Vazhdoj të kem mendimin, deri sa hapja e arkivave përkatëse të dëshmojë të kundërtën, se, z.Rajerson, emrat që i diktonte, i vinin nga Beogradi, drejtpërdrejtë, ose tërthorazi përmes kanaleve të fshehta amerikane.

Në prag të zgjedhjeve të marsit 1992 në Shqipëri, zotit Rajerson i është bërë pyetja, se mos përkrahja pa rezervë e Berishës do të ndikonte në acarimin e situatës në Kosovë, pasi Berisha në fushatën e tij elektorale kishte si temë edhe përkrahjen, çlirimin, bile edhe bashkimin kombëtar. Zoti Rajerson u përgjegj se “z.Berisha do t’i ndryshojë qëndrimet lidhur me këtë çështje, porsa të zgjedhet President”.

Kisha pra të drejtë të shqetësohesha. Lëvizshmëria e karakterit të Berishës, nga njëri skaj në tjetrin, ndërlidhur me etjen për pushtet ishin tashmë të njohura. Shqipëria që po digjej ishte ëndrra serbomadhe e grekomadhe. Të duket se këtu është edhe dora apo mësimet vjehrrore të zonjës Milica, por edhe të vëllait të saj, që kishte poste të larta në Beograd, pranë Millosheviqit. Ky vëlla e dajë ndërkohë po ndërtonte një vilë disa katëshe në ish-bllokun komunist në Tiranë...

Me Odisenë kishim bërë plan të shkruajmë një artikull për “Zërin e Kosovës”. Nuk kishim më kohë, pasi Redaksia e mbyllte gazetën të dielën në mbrëmje. Odisea nuk kishte makinë shkrimi, kompjuter e as faks. E pyeta nëse njihte ndokënd që të kishte. Ai i bëri disa telefonata. Në fund e pyeti edhe zëdhënësin e shtabit, profesorin e gazetarisë, minoritar. Ai i ishte përgjigjur, se mund të shkonim tek ai për të shkruar e faksuar. Odisea më pyeti nëse isha dakord të shkoja. Ju përgjegja se nuk kisha asgjë kundër që të shkonim.

Gjatë gjithë rrugës, natyrisht në këmbë, nuk shihej njeri. Gëzhojat e fishekëve binin nga ballkonet, sikur të reshte kokrriz. Dukej sikur të gjithë qytetarët bënin garë se kush po shtie më shumë. Thashë me vete: “Këta po çmenden nga gëzimi për fitoren që arritën!” Por, se si frikësohesha, se mos po gëzoheshin para kohe. Kisha hapur manjetofonin që të mbetej në shirit ai kor aq i zëshëm i breshërive të armëve. Sa më dhimbsej gjithë ai municion që po harxhohej. Thoja me vete: “Sikur gjithë ato armë e atë municion ta kishim në Kosovë, do ta merrnin vesh serbët se kush janë shqiptarët.”

Rreth orës 16.30 ishim te Zëdhënësi i Shtabit, minoritar grek, ligjërues gazetarie në Universitet. Oshëtima e korit të breshërive zingjir nuk kishte të ndërprerë. Manjetofonin vazhdoja ta kisha të hapur. Ndjenjat i kisha të përziera në atë vulkan baroti, aroma e të cilit ishte bërë aq dominuese. Nuk dija tamam a të gëzohesha edhe unë, siç po gëzoheshin gjirokastritët...

Në ato rrethana filluam të shkruajmë artikullin për ZiK. Duhej mbaruar shpejt, pasi shtabi kishte thirrur mbledhje urgjente në ora 17.00 dhe zëdhënësi duhej të shkonte. Dhe, jo vetëm që mbaruam artikullin, por më doli kohë të telefonoj edhe në Tiranë... U dakorduam me Odisenë t’ia faksojmë “Zërit të Kosovës” artikullin pa e ripunuar edhe një herë, jo vetëm pse nuk kishim kohë, por arsyetuam se i shkon që ta kishte edhe origjinalitetin e “Stimungut” të rrethanave në ato çaste.

Shpejt e shpejt, prej aty e te mbledhja e shtabit. Në oborrin e Pallatit të oficerëve ishin mbledhur qindra kryengritës. Ata po përqafonin e uronin njëri-tjetrin. Odisea më njohu me veteranin e moshuar, z.Theodhori Labi. Ai pastaj, me një zë dashamirës, më drejtohet:

- Mbaj shënim vëllai ynë nga Kosova martire!

Shpejt e hapa manjetofonin dhe i thashë: - Urdhëro Xhaxha, ky është blloku im.

- Tani nuk luftohet as për partitë, as për paratë, por për ta rrëzuar neofashizmin berishian. Sigurohu, kjo është fitore edhe për Kosovën martire, për gjithë kombin tonë pra, pasi sa më demokratike e më e fortë të bëhet Republika e Shqipërisë, aq më afër fitores do të jemi në Kosovë.

Ky plak, tepër shtatëgjatë dhe i plotë, që rëndonte edhe mbi shkop, fliste tepër seriozisht. Gjatë të folurit, sytë po i lageshin, zëri filloi t’i dridhej. Mbylli gojën dhe po më vështronte. Sikur i vinte turp për lotët dhe dridhjen e zërit. Se mos ndoshta ka qenë luftëtar. M’u duk se priste përgjegje nga unë.

- Rrofsh, Xhaxha, rrofsh! – i thashë dhe ia vura dorën mbi shpatull me dashamirësi. Mbylla gojën edhe unë për një çast. Mbeta pa tekst. As ai nuk fliste. Nuk dija si të largohesha. Më në fund ju drejtova:

- Më fal xhaxha, po shkoj te Odisea (i cili pas prezantimit ishte larguar te dera e sallës së mbledhjes), na pret puna.

- Të vaftë puna mbarë! – më tha dhe ma shtrëngoi fort dorën.

U futa te grumbulli i gazetarëve për të pritur përfundimin e mbledhjes.

Pas disa çastesh doli njëri nga salla dhe me zë të lartë tha: - Le të hyjnë vetëm gazetarët!

Gjenerali bëri një njoftim të shkurtër: “Shtabi përshëndet mbledhjen që po mbahet në Tiranë dhe i përkrah vendimet e saj! Për nesër, në ora 11.00, vendosëm të thirrim mbledhje me përfaqësues të forcave politike të rrethit. Ju falenderoj për interesimin tuaj.”

Dukej se ai dhe të gjithë të tjerët nguteshin të gjendeshin para aparateve televizive për të përcjellë rrjedhën e mbledhjes në Tiranë.

Odisea insistoi që të shkoja me të në banesën e tij. Nuk ia prisha.

Tani në familjen e tij kishte gëzim të përmbajtur. “O zot, - thërriste herë pas here nëna e Odisesë, - ndoshta po e kalojmë këtë katrahurë pa gjakderdhje më të madhe!”

Deri vonë dëgjuam lajme, herë të TVSH-së, herë të radiostacioneve të huaja. Odisea një kohë u mor me DW. Rëndom, ky i thërriste pa vështirësi, për t’ia bërë të ditur se kishte për të dhënë lajm dhe se ishte gati, pastaj duhej të priste gjatë thirrjen nga studioja e redaksisë.

Vendosa të fle aty, sado që ishte ngusht, pasi përtoja të shkoja aq vonë te Xha Thimioja dhe doja të respektoja urdhërin e Shtabit që të mos lëviznim natën. Xha Thimios i telefonova që të mos merakosej. Ai më tha se aty ishte Xheku dhe po shqetësohej për mua.
Gjirokastër/ Tepelenë / Përmet

(e hënë, 10 mars 1997)

Në mëngjes heret dolëm me Odisenë. Fillimisht pimë kafe në një klub, pastaj kaluam nga ndërtesa e Radio Gjirokastrës. Atë tani po e ruanin kryengritësit. Para dy ditësh e ruanin ushtarë e policë. Tashmë ai radiostacion nuk ishte “zyrtar” (berishian-pëdëist). Takuam edhe kryeredaktorin. Nuk më pëlqeu sjellja e tij. Tani po mbarohej sikur ishte kundërshtari më i flaktë i z.Berisha, edhe pse dy ditë më parë ishte një pëdëist fanatik, që radion e kishte shndërruar në një altoparlant berishian. Më kishte rastisur t’i “shkëmbej” ca llafe, nëse nuk gabohem, të shtunën (më 8 mars) rreth mesdite. Tani shtirej sikur kishte pësuar metamorfozë të natyrshme. Nuk u durova pa i thënë “z.Kameleon”, pasi më irritoi zgërdhirja e tij e llamarintë.

Rreth orës 11.10 arritëm para Bashkisë. Aty pashë të grumbulluar shumë gazetarë italianë, grekë, francezë, anglezë, korrespondentët shqiptarë të radiostacioneve të huaja në gjuhën shqipe, bile ishte edhe një gazetare nga India. Të gjithë po prisnin njoftimin nga ajo mbledhje, që kishte filluar fiks në orën 11.00. Shumica e gazetarëve u ngritën në korridorin para derës së sallës së mbledhjes. Disa ekipe gazetarësh përpiqeshin të futeshin për të inçizuar e fotografuar mbledhjen. Por, rojet e armatosura nuk lëshonin pe. Truproja e Agim Gozhitës, Kryetarit të Shtabit, më bëri të ditur se mbledhja do të zgjaste të paktën deri në orën 12.30.

Vendosa të dal përjashta, në oborrin e Prefekturës. Duke ndenjur aty me ca kryengritës, erdhi edhe një ekip gazetarësh anglishtfolës. Ata u futën brenda në Bashki, kurse shoqëruesi i tyre, një djalë 25-vjeçar, shtatëgjatë dhe i pashëm (që ngjante shumë në aktorin Pol Njumen kur ka qenë i ri), i armatosur me automatik de i veshur si ushtar, me brezare, në të cilën vareshin edhe dy karikatorë e fishekë të tjerë, u ndal në oborr të Prefekturës. Ai filloi t’u fliste kryengritësve të atyshëm:

- Vijmë nga Saranda. Jam shoqërues për çështje sigurie dhe njëheri përkthyes i këtij ekipi të gazetarëve të huaj. Për këtë më ka ngarkuar Shtabi.

- Si është gjendja në Sarandë? – e pyeti njëri nga të pranishmit.

- Parmbrëmë populli sarandiot u gëzua shumë për atë që ndodhi këtu në Gjirokastër. Qytetarët dolën në manifestim paqësor me qirinj në duar. Gjatë natës pati më pak të shtëna dhe vjedhje nga keqbërësit. Sot gjendja ishte shumë më e qetë se dje.

Sarandioti, që u prezantua se kishte origjinë nga Himara, nuk e zgjati më shumë. Unë rrija me një anë, duke u hequr sikur nuk më interesonte të dëgjoja. Në fakt, dëshiroja të dëgjoja bisedën në mes kryengritësish, pa e kuptuar ata, se aty pranë kishin një që nuk ishte nga ato vise. As nga veshja nuk kishin pse të dyshonin se nuk jam nga ato anë. Bile mund të mendonin se jam një kryengritës. Aparatin fotografik e kisha fshehur në një strajcë të vogël.

Pas disa çasteve të heshtjes Himarioti nuk u durua pa folur:

- Besoj se jeni të vetëdijshëm për misionin që kemi, meqë tani kemi armët mbi supe. Në asnjë çast nuk guxojmë të lejojmë rrezikimin e Shqipërisë nga kushdo qoftë. Ndaj gazetarëve duhet të sillemi mirë, duhet t’i mbrojmë nga sulmet e keqbërësve. Duhen folur fjalë të matura. Nuk duhen lejuar provokimet e grekofilëve. Dje, gjatë ditës, një i ri, me gjasë minoritar, para një ekipi televiziv grek, ngriti flamurin e Greqisë. Kryengritësit e të tjerë desh e shqyen. E shtrinë përtokë, ia dogjën flamurin, desh ia nxorën shpirtin me grushta e shqelma atij qelbaniku.

Edhe një gjë dëshiroj t’ua them. Diktatori Berisha po mundohet të manipulojë vëllezërit tanë në Veri të Shqipërisë, sikur ne jemi ngritur kundër tyre dhe për shkëputjen e Shqipërisë Jugore. Ai po mundohet t’i irritojë ata, se gjoja ne qenkeshim të manipuluar nga agjenturat e huaja, bile po na etiketon edhe si tradhëtarë.

Ne, vëllezër nuk jemi ngritur për interesa të ndonjë partie politike, por vetëm për të çliruar Shqipërinë nga diktatura berishiane, dhe besoj, në bazë të informatave që kemi në shtabin e Sarandës, edhe vëllezërit tanë në Veri do të ngrihen kundër diktatorit Berisha dhe ca tradhëtarëve e të shiturve që e rrethojnë atë.

Rroftë Shqipëria! Rroftë Shqipëria – duhet të thërrisni në metingje. Këtë mesazh duhet t’ua përcillni kryengritësve. Jemi nipërit e vëllezërve Frashëri, të Ismail Qemalit e Isë Boletinit, të gjithë atyre patriotëve të Kosovës që aq shumë luftuan e sakrifikuan për Pavarësinë e Shqipërisë. Kombi ynë është i fortë, i zgjuar, gjithsesi do të përparojë dhe Shqipëria do të forcohet. Kombin tonë nuk mund ta përçajë askush, as diktatori Berisha me këlyshët e tij, pavarësisht përpjekjeve këmbëngulëse që po bën. Tani më nuk po luftojmë për paratë e humbura në skemat piramidale, por për demokracinë e vërtetë të Shqipërisë.

Edhe njëherë: Rroftë Shqipëria dhe kombi shqiptar!

“O zot, ç’rast i mrekullueshëm!” – thirra në heshtje, edhe pse jam ateist. Ç’orator që ishte ai bukuroshi, sa rrjedhshëm e kuptimplotë që fliste. Kryengritësit përballë, të cilët para pak çasteve mund të mos e kishin mendjen te fati i Shqipërisë, i kombit dhe i demokracisë shqiptare, por vetëm se ishin të revoltuar për paratë që kishin humbur, tani po mrekulloheshin nga ai fjalim aq oratorik e përvetësues. Asnjëri nuk bëzante. Dukeshin se meditonin në heshtje.

As që ju afrova për ta përgëzuar e përqafuar atë vigan shqiptar aq të pashëm, patriot e të zgjuar, për fjalën që mbajti. Lotët nuk pyesnin, nuk priste loti lotin. Më vinte edhe inat të më shihte duke qarë nga mallëngjimi i papërmbajtur. Nuk doja që ai të dinte se fjalët e tij rastësisht po i dëgjonte edhe një vëlla i tij nga Kosova, dikur martire, tani e cfilitur si mos më keq e për turp, sepse në “krye” të popullit janë imponuar ca xhambazë, që ngjajnë si pika me pikën me ata të Berishës...

Me një krenari të heshtur u futa në prefekturë. Mbledhja nuk kishte përfunduar ende. Në korridor vazhdonin të prisnin gazetarët. Sikur kishte filluar t’u mbaronte durimi. Aty pata rastin të njihem me korrespondentët e BBC, Aleksandër Çipa, himariot, dhe të VOA-s, Rajmond Kola, çam. Gjatë bisedimit me ta i pyeta se ku kishin qenë gjatë disa ditëve të fundit që nuk ua kisha dëgjuar zërin në radiostacionet përkatëse dhe nuk i kisha takuar. Ata u përgjegjën se e kishin ndërprerë punën për shkak të rrezikimit e kërcënimeve, duke jetuar në gjysmëilegalitet, jashtë Gjirokastrës.

Ora ishte rreth 13.30. Meqë po më humbiste durimi, u ngjita një kat më lart, te zyra e prefektit, për të parë nëse ishte ai aty, tani, kur gjithë korridoret dhe para prefekturës ishin aq shumë njerëz të armatosur. Hyra në paradhomë. Sekretaresha deshi të më ndalonte që të mos hyja në zyrën e prefektit, me shpjegimin se z.prefekt është i zënë me mysafirët. Por, meqë dera në mes të paradhomës dhe sallonit të prefektit ishte e hapur, prefekti, z.Thanas Merkuri, më pa. Ai më thirri të futesha, duke ma ndërprerë bisedën me sekretaren.

Aty për aty, sapo po përshëndeteshim, ma tha mendja të bëja një bashkëbisedim të shkurtër. Pa një, pa dy, shtypa butonin e manjetofonit.

Pyetje: Si e pritët marrëveshjen e djeshme?

Përgjigje: Ishte pikërisht ajo që i duhej situatës tani. Me siguri se do ta çtensionojë situatën dhe të kthehet në jetë normale komplet Shqipëria, gjithë populli. Kjo është vënë re edhe në rajonin tonë, ku nga sa kemi informata gjysmëpopullore, është mirëpritur tërësisht. Edhe po ta shikosh sot duket një ç’tensionim. Administrata shtetërore, tërë institucionet, janë vënë në veprim, siç na shikoni edhe ne që jemi përfaqësues të qeverisë këtu, jemi vënë në krye të detyrës.

E vërteta është që këtu është krijuar një shtab i vetëmbrojtjes popullore më tepër për të mbrojtur jetën e njerëzve, pasurinë, nga keqbërësit, një shtab i cili po bashkëvepron, po riorganizon edhe strukturat shtetërore, si policia dhe ushtria, për të qenë në një bashkëveprim të gjithë.

Pyetje: Po, nga rrethet a keni informata?

Përgjigje: Nga Tepelena nuk kemi informata deri tani, sepse jemi në vështirësi në ndërlidhje.

Pyetje: Si prefekt që jeni, përse nuk shkoni në Tepelenë?

Përgjigje: Në këtë moment është krijuar njëfarë distancimi ndërmjet shtetit, dhe të themi, forcave të armatosura. (Ndërhyrje nga unë): Po, me Zotin Ceka bisedova unë pardje. Ai më tha se që sa kohë kërkon z.Prefekt që të lidhemi. Ai atje është kryetar i shtabit të qytetarëve.

Përgjigje: E di. Ne jemi krejtësisht të gatshëm, sa të rimarrim pozicionin tonë në të gjitha strukturat e zgjedhura të pushteteve. Nga Ceka kam marrë një informacion të vogël. Kam marrë një telefonatë nga sekretari i këshillit të Bashkisë të Memaliajt, i cili kërkonte këtu një takim me mua për të trajtuar problemet e furnizimit të popullit me miell. Dhe unë e pres të vijë. Së shpejti ne do t’i rivendosim marrëdhëniet, por, sigurisht, deklarata e përbashkët e partive politike dje e çtensionoi situatën dhe ajo do të vihet nën kontroll.

Pyetje: Si e mendoni tani të nesërmen?

Përgjigje: E nesërmja gjithnjë e më e sigurt, themi ne. Ja, ne po riorganizohemi që të ndërmarrim aktivitete konkrete dhe të marrim të dhëna për institucione të tjera, qoftë këto të administratës shtetërore dhe të institucioneve publike, siç janë bankat, telekomi, uji, elektriku, etj.

Mendoj që edhe shtypi, masmedia e huaj, mund ta ndihmojë Shqipërinë për çtensionimin e situatës, për qetësimin e gjakrave. Deri tani vërejmë që disa agjensi të huaja e shprehin situatën me realitet. Por ka edhe disa agjensi, disa stacione televizive, që u mëshojnë vetëm rasteve shumë negative, atyre alarmimeve të popullit. Ato nxehin gjakrat edhe në pjesën tjetër të popullatës.

Pyetje: Mendoni se Presidenti u vonua me qëndrimin që shprehu dje?

Përgjigje: Nuk mund të them. Sigurisht, politikanët ndjekin zhvillimet e situatave, bëjnë konkluzione, bëjnë sintezën. Tashti erdhi koha, kur u bindën edhe të gjitha partitë politike, sepse Presidenti duhet të bëjë konkluzionin e qëndrimit të të gjitha partive politike. Nuk është e kollajtë, sepse edhe ne këtu që drejtojmë një rajon me përmasa më të vogla, kemi mundësi të komunikimit ndoshta më të shpejtë dhe nuk e kemi kaq të lehtë të bëjmë konkluzione për gjithë rajonin.

Ju faleminderit.

Sapo u ktheva në korridorin e katit të 2-të, ku po mbahej mbledhja e Shtabit dhe e përfaqësuesve të partive politike të rrethit të Gjirokastrës, pjesëmarrësit filluan të dalin nga mbledhja Një qytetar i atyshëm të cilin e kisha lutur të më tregonte cilët ishin kryetarët e partive politike, më tregoi për kryetarin e Partisë Socialiste. Iu qepa prapa dhe bëra një bashkëbisedim të shkurtër:

Pyetje: Z.Shehu, si dolët nga mbledhja?

Përgjigje: Sot ishte një mbledhje e organizuar nga shtabi i mbrojtjes së qytetit, i cili kishte ftuar edhe forcat politike. Diskutuam për masat që duhet të marrë shtabi dhe ndihmën që duhet të japin forcat politike në funksion të detyrës që ka marrë shtabi i qytetit, me masat respektive që ai i ka marrë, dhe e mbështetëm atë.

Në të njëjtën kohë mbështetëm Deklaratën e Shtabit të mbrojtjes së qytetit të bërë dje dhe bëmë një deklaratë sot, të firmosur nga të gjitha forcat politike dhe nga Shtabi i mbrojtjes së qytetit.

Pyetje: Cili ishte qëndrimi i mbledhjes ndaj vendimit që u mor dje?

Përgjigje: Vendimin që u mor dje nga tryeza e presidentit me partitë politike mbledhja e mbështeti. Këtë vendim që u mor nga Presidenti dhe forcat politike në Tiranë. Edhe në Deklaratën që bëmë u mbështet ky vendim.

Pyetje: Mendoni që populli brenda jave do t’i dorëzojë armët?

Përgjigje: Shpresoj se populli do t’i dorëzojë armët brenda javës, por nënkuptohet, duhen ndërmarrë masa të karakterit organizativ, që nga krijimi i qeverisë urgjentisht në qendër dhe të funksionojë edhe pushteti lokal më pas.

Pyetje: Shpresoni se Berisha do ta lirojë z.Nano?

Përgjigje: Nga deklarimi që bëri sekretari i marrëdhënieve me jashtë e i marrëdhënieve publike të Partisë Socialiste në qendër, them se Presidenti Berisha duhet të nxjerrë mësime pas kësaj situate ku e pruri Shqipërinë.

Ju faleminderit.

Nuk e zgjata, pasi dëshiroja të bashkëbisedoja të paktën edhe me kryetarin e Partisë Demokratike. U ktheva te dera e sallës së Bashkisë dhe pyeta një gjirokastrit të pranishëm, nëse kishte dalur kryetari i PD. Ai m’u përgjegj se nuk e kishte parë. Pas një çasti, i njëjti ma tregoi me gisht z.Subi Hajro. Edhe atij iu qepa nga mbrapa, kur nisi të ngjitej shkallëve.

Pyetje: Më falni, meqë ju, z.Hajro jeni Kryetar i PD në Rreth, a mund të na thoni si dolët nga mbledhja?

Përgjigje: Nga mbledhja dolëm shumë mirë. Ne aprovuam Deklaratën që u përpilua nga Këshilli i mbrojtjes i Shtabit të mbrojtjes që është caktuar këtu në Gjirokastër. Pas dite, gjithashtu, do të dalin përpara popullit të gjitha forcat politike në mbështetje të asaj Deklarate.

Pyetje: Besoni se populli do t’i dorëzojë armët?

Përgjigje: Për t’i dorëzuar armët mbase është e vështirë, por do t’i bëjmë thirrje popullit për gjakurtësi.

Ju faleminderit.

Edhe ky bashkëbisedim ishte i shkurtër, meqë doja të kapja fillimin e konferencës së shtypit.

Diku rreth orës 14.00, do të thotë menjëherë, u mbajt konferenca e shtypit në sallën ceremoniale dhe të mbledhjeve të Bashkisë. Meqë drejtuesit e konferencës po prisnin parapërgatitjen e ekipeve televizive, po e sodisja atë sallë të bukur. Në ballin e saj qëndronte Emblema e Gjirokastrës. Në murin e djathtë një tabelë me emrat e kryetarëve të Bashkisë nga viti 1913 e deri në vitin 1996, duke filluar me Hysen Hoxhën dhe përfunduar me Ylli Asllanin (1996-), kurse emri i parafundit ishte i z.Bashkim Fino (1992-1996).

Në ballë, nën Emblemën e Gjirokastrës, kishin zënë vend Komandanti i Shtabit, z.Agim Gozhita, bashkë me zëvendësin, ing.Sotiraq Manfon (PSD) dhe Ylli Asllanin, Kryetarin e Bashkisë (PD). Ata mbajtën një konferencë shtypi. Fillimisht z.Sotiraq Manfo pyeti:

- Jeni gati?

- Po, - u përgjegjëm ne që kishim vetëm manjetofona të vegjël.

- Pritni pak, ju lutem, - thirri përkthyesi i një ekipi të huaj televiziv. – Këta akoma nuk kanë rregulluar teknikën.

Një gazetar i huaj pyeti nëse konferenca do të mbahet në gjuhën anglishte. Z.Manfo ju përgjegj se do flitej në gjuhën shqipe. Ai filloi menjëherë së lexuari:

DEKLARATË E PËRBASHKËT

E SHTABIT QYTETAR DHE E PARTIVE

POLITIKE TË RRETHIT GJIROKASTËR

Sot, më datën 10 mars 1997, Shtabi qytetar për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë dhe drejtuesit e partive politike të Rrethit, Partia Aleanca Demokratike, Partia e Ballit Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia e Djathtë Demokratike, Partia Demokratike, Partia Social-Demokrate dhe Partia Socialiste u mblodhën në një takim të përbashkët dhe lëshojnë këtë deklaratë të përbashkët:

1. Partia politike përshëndesin krijimin e Shtabit qytetar për mbrojtjen e rendit e qetësisë dhe mbështesin Deklaratën dhe veprimtarinë e tij.

2. Partitë politike angazhon të vënë në dispozicion të Shtabit qytetar anëtarët e simpatizantët e tyre për ringritjen dhe funksionimin e strukturave mbrojtëse dhe administrative të Rrethit.

3. Shtabi dhe Partitë Politike i bëjnë thirrje Popullit të rrethit të Gjirokastrës të ruajë gjakftohtësinë, të përkrahë fuqimisht Shtabin për rivendosjen e rendit, qetësisë dhe rikthimit të jetës normale; u bën thirrje gjithashtu që të ruajë unitetin, frymën e bashkëpunimit e të mirëkuptimit tradicional pa dallime etnike, fetare e bindje politike.

4. Partitë politike dhe Shtabi qytetar përshëndesin Deklaratën e Partive Politike të vendit për Pajtim Kombëtar, duke deklaruar se e konsiderojnë si fillimin e zgjidhjes së krizës së përgjithshme në vend.

- Ato kërkojnë heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend dhe garanci të plota për zbatimin e amnistisë së përgjithshme.

5. Në këtë takim të përbashkët u vendos:

- Të krijohen shtabet qytetare në çdo komunë, qendër të banuar e fshat me veprim të koordinuar me shtabin qytetar;

- Institucinonet shtetërore të të gjitha niveleve të organizojnë vetëmbrojtjen në koordinim me Shtabin qytetar të Rrethit;

- Të mos lejohet mbajtja e armëve nga personat nën moshën 18-vjeç.

- Të ndalohen të shtënat me armë pa leje dhe pa urdhërin e strukturave të Shtabit;

- TË dorëzohen të gjitha armët dhe municionet dhe teknika tjetër luftarake që kërkon përdorim të specializuar;

- Ndalohet qarkullimi i njerëzve me maska dhe i mjeteve pa targa;

- Të vihen në funksion të Shtabit mjete teknike të Bashkisë dhe të Këshillit të Rrethit.

6. Shtabi qytetar dhe Partitë Politike u bëjnë thirrje punonjësve të të gjitha strukturave administrative t’i rikthehen punës për normalizimin e jetës dhe shërbimit publik në Rrethin e Gjirokastrës;

U bën thirrje gjithashtu të gjitha subjekteve private të shërbimit dhe tregtisë të vazhdojnë normalisht aktivitetin e tyre.

(Vazhdojnë nënshkrimet):

Besnik Shehu (PS), Subi Hajro (PD), Petrit Aliko, Nijazi Mahmuti, Nesip Skenduli, Besnik Toro, Jani Dako, Agim Gozhita.”

Pas një frymëmarrjeje të thellë, z.Manfo shtoi:

- Sot partitë politike dhe Shtabi ranë dakort që të organizojmë një tubim në Sheshin para Stadionit në orën 16.00.

- Tani mund të bëni pyetje, keni në dispozicion vetëm 15 minuta.” – foli zëdhënësi i Shtabit që rrinte anash.

Vetëm tani z.Manfo i ra ndërmend të bënte prezantimin e drejtuesve të konferencës së shtypit, pasi e pyeti një gazetar.

- Z.Agim Gozhita është Kryetar i Shtabit qytetar për Rrethin e Gjirokastrës. Z.Ylli Asllani, Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, është Nënkryetar i Shtabit qytetar. Unë jam Sotir Manfo, inxhinier, qytetar i Gjirokastrës (la anash informimin se është anëtar i Partisë Socialdemokrate, siç kisha dëgjuar). Nuk tregoi as për pozitën në Shtab.

Pasi u krye ky prezantim, e përkthyesi i rastit u përpoq ta paraqesë Deklaratën në mënyrë përmbledhëse në gjuhën angleze, pasuan pyetje-përgjegjet.

Pyetje: Jeni dakort me bisedimet që po bëhen në Tiranë?

Z.Gozhita: Ne deklaruam që jemi dakort me fillimin e bisedimeve në Tiranë, pra i mbështesim ato.

Pyetje: A keni pasur kontakt me Shtabin e Sarandës?

Z.Gozhita: Po, me Sarandën dhe me Tepelenën.

Pyetje: A dini nëse ka marrë të njëjtin qëndrim edhe Saranda?

Z.Gozhita: Kemi rënë dakord për të njëjtat qëndrime.

Pyetje: Sa jeni në gjendje ta kontrolloni gjendjen në Gjirokastër?

Z.Gozhita: Përgjithësisht e kontrollojmë gjendjen. Megjithatë ka edhe situata të veçanta jashtë kontrollit. Prandaj bëmë takimin edhe me forcat politike, ju kërkuam të na mbështesin, t’ju bëjmë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për të normalizuar jetën e qytetit.

Z.Manfo: Ne jemi Shtab qytetar dhe jo shtab ushtarak. Nuk kemi marrë përsipër të uzurpojmë strukturat administrative të shtetit. Përkundrazi, për gjendjen që është krijuar, ne duam që të riaktivizohet administrata shtetërore, të normalizohet gjendja në rrethin e Gjirokastrës, njerëzit dhe administrata t’i kthehen jetës normale.

Z.Gozhita: Të gjitha ato struktura që nuk kanë patur atakim me popullin, duke përjashtuar SHIK-un, policinë sekrete, që nuk e njohim, të gjitha ato struktura duhet të riaktivizohen.

Pyetje: A ka ndonjë ushtarak në këtë Shtab që ndihmon në këtë aspekt?

Z.Asllani: Në këtë aspekt, po them unë, ne po mundohemi që të gjitha strukturave të ushtrisë, të rendit, t’ju vimë në ndihmë me njerëz, t’i mobilizojmë përsëri.

Z.Gozhita: Duke parë se Ushtria u çthur dhe policia u çthur, atëherë vendosëm që drejtimin ta marrim ne, deri sa t’i normalizojmë ato.

Pyetje: Ju z.Gozhita, jeni ushtarak?

Z.Gozhita: Që një vit jam gjeneral rezervë.

Pyetje: Keni të dhëna për viktimat e gjertanishme në Gjirokastër dhe rreth?

Z.Gozhita: Në Gjirokastër ka pasur një të vrarë, dhe këtu në fshatin përballë, në Lazarat, ka pasur katër të vrarë. Nuk ka pasur të tjerë në qytet. Ka pasur vetëm të plagosur. Që nga fillimi i trazirave ka disa të plagosur.

Pyetje: A keni të dhëna nëse po dëgjojnë të miturit që t’i kthejnë armët sipas thirrjes që bëtë dje?

Z.Gozhita: Këtë e kemi shumë të vështirë. U kemi bërë thirrje nëpërmjet medias lokale atyre dhe prindërve të tyre, që fëmijëve t’ua marrin armët dhe t’i mbajnë në shtëpi, mbasi nuk kanë ku t’i dorëzojnë. Më mbrapa do t’i dorëzojnë në komisariat, sapo të kemi bërë organizimin e tij.

Pyetje: A ka arritur Shtabi të vërë kontroll e rregull në Kakavijë, në pikën kalimtare kufitare, meqë policët kanë ikur prej andej?

Z.Gozhita: Atë problem e kemi pasur mbrëmë, mbasi kanë ardhur forca jo gjirokastrite, dhe po mundohemi sot ta rregullojmë Kakavijën.

Z.Asllani: Ne po mundohemi që në të gjitha komunat t’i bindim fshatarët që të bëjnë detyrën e tyre qytetare për ruajtjen e rendit në komunat e Dropullit, për ruajtjen e pasurisë dhe për të vënë në efiçencë strukturat e amortizuara. Sot, për shembull, në Kakavijë ka vajtur një grup që mendon ta normalizojnë situatën dhe për t’ua mundësuar policëve që të kthehen në vendin e tyre të punës.

Pyetje: Po Prefekti Thanas Merkuri çfarë kompetencash ka tani?

Z.Gozhita: Ato që kishte sipas ligjit, ato vazhdon t’i ketë. Nuk ia kemi hequr kompetencat asnjë institucioni. Unë e cilësova këtë. Me Prefektin nuk kemi marrë kontakt deri tani, tani do marrim. Jeta në Gjirokastër duhet të vazhdojë normalisht, qoftë nga pushteti i emëruar, qoftë nga ai i zgjedhuri.

Pyetje: Helikopteri i zënë peng është liruar?

Z.Gozhita: Helikopteri ndodhet në ruajtje të forcave tona.

Pyetje: Rreziqet e paralajmëruara për shpërthimin e depove janë evituar?

Z.Gozhita: Janë minimizuar.

Pyetje: Si u prit kompromisi i Berishës nga populli i Gjirokastrës?

Z.Gozhita: U mirëprit si fillim i zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. Do të shikojmë se si do të ecin bisedimet e partive politike. Të lidhur, dhe me mbështetjen e popullit të Vlorës, Tepelenës dhe Sarandës, sepse kemi bërë një deklaratë, që ne mbështesim kërkesat e tyre.

Pyetje: Kush e mbikëqyr popullin e Gjirokastrës?

Z.Gozhita: Njerëzit e armatosur janë kryesisht nën kontrollin tonë. Në momentin e parë që u krijua Shtabi, ishte për të përballuar forcat që ishin sjellë nga qendra, kurse tani detyrën kryesore e kemi për të ndaluar shkatërrimet dhe vjedhjet në qytet.

Pyetje: Si mund t’i kontrolloni ata që janë bërë të rrezikshëm duke qëlluar në ajër e duke bërë këso gjërash?

Z.Gozhita: Nuk ka pasur qëllime të shtihet në njerëz, por në ajër. Ne i minimizuam këto. Por, kur filluan bisedimet e forcave politike në Tiranë, filluan të shtien përsëri në shenjë gëzimi që u arrit një konsensus në mes të forcave politike.

Pyetje: Z.Berisha nuk po ofron ndonjë zgjidhje financiare për problemin e njerëzve. Çfarë mendoni ju për këtë?

Z.Gozhita: Problemi financiar ishte sebepi, se realisht populli kërkonte zgjidhje politike.

Pyetje: A keni ju ndonjë zgjidhje në këtë drejtim?

Z.Gozhita: Kemi bindjen se diçka do të bëhet me zgjidhjen politike.

Pyetje: Prapë është problemi financiar. Nga do të vinë paratë?

Z.Gozhita: Jemi të bindur se forcat politike, duke qenë së bashku, do ta zgjidhin.

Pyetje: Dhe mendon se njerëzit do ta pranojnë këtë?

Z.Gozhita: Patjetër, do ta pranojnë.

Pasi përfundoi konferenca, vendosa të udhëtoj për në Tepelenë. Në “Sheshin e Çerçizit” gjeta të parkuar taksistin Shpëtim. Tani nuk kisha pse t’u frikësohesha të papriturave. Postblloqet qeveritare e barrikadat e kryengritësve ndërkohë kudo ishin hequr.

Gjatë rrugës për në Tepelenë, aty ku ndahej rruga për në Përmet, dy çuna të rinj na u lutën që të ndalemi dhe t’i merrnim deri në Tepelenë. Njëri nga ata, 19 vjeçar, na njoftoi se gjendej në arratisje e sipër nga shërbimi ushtarak të cilin po e kryente në Përmet. Pastaj ai na tregoi në formë bashkëbisedimi për ato që kishte përjetuar atje dhe gjatë arratisë. Ndërkohë e ndërpreva për të bërë inçizim.

Unë: Domethënë ju qenkeni ushtar në shërbimin e obligueshëm ushtarak. A bën të prezantoheni?

Ushtari: Emrin nuk e them (duke e lënë të kuptohet se kishte frikë). Jam ushtar në Batalionin e Përmetit.

Unë: Kur dezertoi ushtria në Përmet?

Ushtari: Dezertoi i pari Batalioni i kundërajrorit, pastaj yni. Dyshi dezertoi i fundit. Domethënë u dorëzua i fundit.

Unë: Gjithë ushtarët kanë kaluar në anën e popullit?

Ushtari: Të tërë në anën e popullit kanë kaluar. Asnjë nga ushtarët nuk ka qëlluar.

Unë: Qysh kur jeni në shërbim ushtarak?

Ushtari: Unë kam që katër ditë që kam mbushur vitin. Më 6 mars 1996 kam filluar shërbimin. Sot është data 10. Domethënë, kemi qenë ushtarë të vjetër.

Unë: Keni patur mobilizim të veçantë këto ditë?

Ushtari: Jo, këto ditë nuk kemi patur. Kanë ardhur forca të ndryshme. Katër batalione, këtu ishin mbledhur të tërë. Ishte edhe Safet Zhulali. Të tëra batalionet e Dushit. Ishin afërsisht 2.500 veta. 160 oficerë ishin.

Unë: Komandë të veçantë ju kanë dhënë ndonjëherë?

Ushtari: Mbrojtjen e urave dhe objekteve të veçanta, siç ka thënë Saliu.

Unë: Tani, meqë vini nga Përmeti, dini gjë çfarë ka ndodhur atje?

Ushtari: Në Përmet nuk ka ndodhur asnjë përdhunim, siç thonë. Llafe janë ato (është fjala për dezinformatat e përhapura, se në Përmet kanë bërë përdhunime pjesëtarët e ushtrisë). Llafe janë ato. Çdo gjë është djegur. Dega e policisë është djegur fare, kur u sulën ata vandalët, që quheshin vullnetarë. Kanë ndodhur vjedhje të mëdha. Tani u bënë varrimet atje.

(ndërhyri i riu tjetër): Tani erdha unë. Isha me një gazetar grek të Selanikut. Kanë vdekur gjashtë veta. Kanë vdekur burrë e grua, ka vdekur një djalë 24 vjeç, drejtori i shkollës së mesme dhe dy të tjerë. Duke ikur në drejtim të Leskovikut, ata kanë gjuajtur në Çeçovë. Kanë vrarë edhe të tjerë rrugës, siç thonë. Forcat e Salës kanë vrarë.

Ushtari: “Çeçenët”! Të gjitha batalionet ishin bashkë. Kur u dëgjuan armët, çdo batalion iku për vete me nga një copë të bardhë mbi kokë dhe ikën të tërë. Na lanë vetëm ne të Përmetit, rreth 70 veta.

Taksisti: Dëgjo, këto forca që ishin, këto forca për të cilat flisni, kush i ka dërguar, i ka dërguar Qeveria apo dikush tjetër dhe çfarë bëjnë këto forca?

Ushtari: Ishin ashtu, ushtarë, ushtarë me lekë, merrnin nga 500 mijë lekë në muaj. Ishin pleq, burra, kështu të vjetër. Kishte edhe të rinj. Atyre u kishin premtuar për t’ua quajtur të mbaruar ushtrinë, plus pesqindmijëlekëshin. (Ndërhyn tjetri): Këto forca ishin dërguar kastile vetëm për rrethet e Tepelenës e Gjirokastrës. Por nga që rrethi i Tepelenës dhe i Gjirokastrës i kishin marrë komplet armët, ata nuk bënë ndërhyrje, kishin mbetur në Përmet brenda. Për këtë arsye u ngrit populli i Përmetit dhe forcat u larguan dhe kanë gjuajtur kundër popullit të Përmetit.

Taksisti: Saktësisht dini se sa forca mund të ishin?

Ushtari: Kur na erdhi baza në fillim fare, ishin 100 veta. Pasi erdhën të tjerë u bënë rreth 400. Por ta them saktë, afërsisht 400.

Unë: Mbanin ata uniforma?

Ushtari (pa pritur të përfundoja pyetjen): Ishin me rroba ushtarësh, me rroba ushtarësh që të mos i qëllonte populli. Silleshin si të çmendur në repart. Qëllonin gëëërrrrr, kot fare, pa asnjë lloj arsye, domethënë që të shtinin frikë.

(Ndërhyrje e tjetrit): Më saktë, krijonin terror në Qytetin e Përmetit,

(Vazhdon ushtari): Që të trembeshin. Ishte njëri 65 vjeç. Ishte nga Peshkopia. Kam dalë të marrë lekë, - thoshte ai, - do të luftoj. Unë e kam grisur jetën time dhe qëlloj për Saliun.

Unë: Për marrëveshjen që u bë dje në Tiranë në mes të forcave politike keni dëgjuar?

Ushtari: Në Përmet e dëgjuam ne këtë muhabet, se isha në një shtëpi në Lipan që u strehova. Edhe ata nuk e kishin idenë fare se ç’po bëhej në Parlament. Këtej kërciste lufta, ata po bënin mbledhje. As s’i ka marrë vesh njeri fare.

(Ndërhyn tjetri): Ju keni dëgjuar se çka u tha për pajtim kombëtar. Nuk pranohet pa dhënë dorëheqje Sali Berisha. Populli s’i dorëzon armët as brenda një jave, as për një muaj, as për një vit.

(Vazhdon ushtari): As për një vit nuk dorëzohen armët. Ata thoshin do ikim, do ikim, do ikim, po se ku do venin, s’e mora vesh. Ata ikën në drejtim të Korçës, të tërë ato forcat ushtarake që ishin aty. Ikën tutje nga Korça.

(Ndërhyn tjetri): Thoshin që ishin edhe një grup “çeçenësh” në Çajup. Thoshin. Unë nga Çajupi erdha, s’kishte, nuk rastisa, nuk e di.

Unë: Po rrobat ushtarake ku i keni lënë?

Ushtari: I kam grisur, u vesha civil. Çka, do të vritesha unë vetë a!? Ai komandanti na tha që të qëllonim mbi popullin. Ne i thamë nuk qëllojmë. Ai filloi, erdhi në menzë atje, shqeu derën e qëlloi lartë në ajër, brenda në menzë, atje ku gatuajnë, në kuzhinë. Edhe ai ishte nga Përmeti, Bardhyl hëna e kishte emrin, ishte major Bardhyl Hëna.

Unë: Dje ka ndodhur kjo?

Ushtari: Dje. Ka qenë një njeri pa gjak fare. Ka marrë armën e vet dhe nuk pyeste për njeri fare.

Unë: Në cilën orë kështu?

Ushtari. Ajo filloi në orën njëmbëdhjetë e gjysmë, njëmbëdhjetë, njëmbëdhjetë e gjysëm filloi lufta tamam. Edhe kur na erdhi neve ai, na erdhi në njëmbëdhjetë e gjysëm, fiks. Na erdhi në menzë, na tha: “Dilni përjashta, tha, mirrni armët të tëra, tha, se nuk dorëzohemi, do të mbrojmë repartin.” Pastaj ne po rrinim. Filluam të ziheshim. Po ai shtiu me automatik, shtiu në mes të menzës edhe iku pastaj. Ne ikëm, dolëm përjashta, një t’u veshur, një të ikur.

Unë: Dini kush është nga të vrarët?

Ushtari: Nga të vrarët, u vranë një burrë e një grua, u vra një fëmijë, dy fëmijë, moshë e re, 24 vjeç, u vra edhe drejtori i shkollës së mesme. Pastaj tjetri nuk e di, ishte kështu civil, nuk u muar vesh se kush ishte.

Unë: Sot u bë varrimi?

Ushtari: U bë varrimi, ja tani që isha unë. U bë me batare, duke qëlluar në ajër me automatikë. Ne ishim komplet. U mbajt edhe një fjalim. Ishin dhe ata të shtëpisë së tij. Dhe qëlluan të tërë me automatikë, çfarë ishin aty, komplet. Domethënë ishte vargu shumë i madh, mund të ishin 3.00, 4.000 veta.

(Ndërhynë tjetri): Populli është irrituar nga forcat e Salës në radhë të parë, dhe kjo punë do të vazhdojë shumë kohë deri sa të bashkohet jugu me veriun. Se në qoftë se pas një muaji, dy muajsh, mund të krijohet vërtet qeveria e stabilitetit, për shembull qeveria e pajtimit, në qoftë se “malokët” shkelin prapë këndej, as nuk do ketë, se s’na vrau njeri, s’e vramë njëri-tjetrin, na vrau vetëm Sali Berisha.

(Ndërhyrja e ushtarit): Kjo po vazhdoi kështu, ka mundësi të vejë nga Tirana e poshtë, të kërcasi lufta veriu me jugun.

Unë: Kë quani ju malokë?

(Ndërhyn tjetri): Unë për veten time i quaj ata që e kanë mbështetur Sali Berishën dhe kështu do t’i quajmë deri sa ta mbështesin.

(Vazhdon ushtari): Janë njerëzit më të trashë. Ata ishin njerëz pa gjak. Hanin atje, rrinin, thoshin do vrasim. Po kë do vrisni!? Do vrasim ne, do marrim lekët kot, pse t’mos vrasim?

(Ndërhyn tjetri): Do ta shpjegoj edhe një gjë: në qytetin e Memaliajt, kur morën armët, asnjëri s’ka gjuajtur kundër njëri-tjetrit. Janë bashkuar për një ide, pra janë bashkuar kundër Berishës, të rrezohet si President.

Unë: Edhe ju keni qenë ushtar?

Tjetri: Unë ushtrinë e kam bërë para kohe, e kam bërë në Vlorë.

Unë: Nga jeni ju?

Tjetri: Nga Qyteti Memaliajt.

Unë: Emrin mund të na e prezentoni?

Tjetri: E prezantoj e nuk e kam problem fare. Quhem Fehmi Kalemi.

Menjëherë shtypa sustën stop të manjetofonit. M’u duk sikur u bë mjaft dhe sikur kisha nevojë të meditoj rreth atyre që u bisedua. Ndërkohë, pa kaluar as edhe një çast, ushtari filloi vetvetiu të rrëfejë. Spontanisht hapa manjetofonin me mendimin se mund të thoshte diç që ia vlente, edhe pse një pjesë e fjalisë më iku. Ato që kisha inçizuar deri atëherë sikur nuk më dukeshin edhe aq. Por, meqë më dukeshin tepër origjinale, vendosa t’i ruaj.

Prandaj po sjell rrëfimin në vazhdim:

Ushtari: ... u bë një mbledhje brenda, para se të fillonte lufta në Përmet. Kishte ardhur Safet Zhulali dhe kryekomandanti i forcave komando Fatos Hoxha. Ishte edhe një i shkurtër, nuk e mora vesh, ishte ballist, nga ata të Ballit, nga ata ekstremistët, nuk e mora vesh se çka ishte. Njëri i kishte sjellë forcat, një Fatmir Fatmiri i kishte sjellë forcat nga ato të Ersekës, se kishte edhe Erseka nga ato, s’kishte vetëm malokë, ishin edhe nga Erseka, nga ata njerëzit që luftonin kundër popullit. Oficerët e pyesnin Safet Zhulalin, se përse rroga jonë është 80.000 lekë (8.000 lekë të reja) dhe rroga e atyre që rrijnë kot për një muaj, aq e madhe? Ne jemi tërë jetën oficerë e ata rrinë një muaj dhe marrin 500.000 lekshin (50.000 të reja), kurse neve që kemi tërë jetën oficerë marrim 80.000 lekë. Pastaj ata u shpërndanë atje, pasi u fikën dritat nja dhjetë minuta.

Unë: Ju përgjigj z.Zhulali kësaj pyetje?

(Ndërhyn taksisti) Nuk besoj që Sali Berisha ka aq shumë, dmth. 500.000 lekë, për t’ia dhënë ushtarit e nuk ka lekë t’i paguajë fajdet. Nuk e kuptoj këtë punë, nuk e di as vetë.

Ushtari: Nuk tha asnjë gjë. Bile bëri llafe edhe komandanti jonë, komandanti i Batalionit, dhe i kishte thënë:

(Ndërhyra unë): Si e kishte emrin komandanti juaj?

Ushtari: Komandanti ynë ishte Bardhyl Thënaj. Dhe i kishte thënë që boll tani, mos flisni më. Në atë kohë dritat ishin fikur, se u fikën dhjetë minuta dritat, dhe poshtë pastaj në Batalion, poshtë, nga se kjo punë ishte në njëmbëdhjetë e gjysmë të natës. Natën ishte bërë kjo, sepse Safeti erdhi me helikopter. Në Batalionin tonë që ishin 2.000 veta, nuk merrej vesh ç’bëhej, lëvizën të tërë, gjysma andej, gjysma këtej. Ata “çeçenët”, se ashtu u themi, u kemi vënë emrin atyre që luftojnë me popullin, thoshin se a janë fikur ndonjëherë dritat, kush i ka fikur, o bo bo, kanë ardhë të na vrasin, thoshin. Edhe nuk kishin ku të futeshin. Dhe të kishte ndodhur gjë, do të na e kishin futur ne nga frika. Dhe këta, pasi u gdhi atë natë, më vonë, domethënë në orën njëmbëdhjetë e gjysmë dje, në njëmbëdhjetë, këto forca filluan të iknin një nga një. Si duket i kishin marrë vesh më përpara se forcat e tjera. Ikën të parët, ikën të dytët. Kur plasi, që kërciti pushka, në atë kohë kur ikën këta, Fatos Hoxha, ç’ishin këta, me Safet Zhulalin e me shokë, komplet u larguan, u larguan nga Korça, ikën për tutje me “shevrelet”. Nuk e fiksova mirë, kishin ushtarë apo s’kishin, mos të gënjej.

Unë: Si jeni arratisur ju?

Ushtari: Neve na kishin ndarë në pozicion luftimi, domethënë që të mbronim nga afër objektin, repartin. Në atë kohë ne na vinin plumbat përreth, se u muar kundërajrori lart, ishte një pjesë e sipërme si mal dhe na qëllonin mbi kokat tona dhe mbi helmeta na binin plumbat. Në atë kohë unë një t’u zhveshur, se i kisha rrobat nga poshtë, rrobat civile, i zhvesha, u vesha direkt, e vazhdova, ika me vrap, dhjetë veta që ishim atje, ikëm në Çajup. Atje na u sëmur një shok, blëz i binte si të fikët, e morëm atë dhe e futëm në fshatin Lipë të Përmetit dhe pastaj na mbajtën tërë natën ata me të ngrënë e me të pirë, na lanë për të fjetur. Që andej erdhëm direkt, u ula poshtë, kemi ecur nja katër orë këmbë. Kish katër ditë që duhej ta kisha mbaruar ushtrinë, duhej të më kishin liruar. Ishim të detyruar që të iknim. Kundër popullit tonë nuk qëllojmë dot.

Hyrja në Qytet të Tepelenës na e ndërpreu këtë lloj bashkëbisedimi. U ndalëm që të zbrisnim në të hyrë të qytetit, ku ndahej rruga për të vazhduar në Memaliaj, kurse unë e taksisti vazhduam drejt qendrës dhe u futëm në anën e majtë, para ndërtesës së komitetit.

Aty takova anëtarët e Këshillit/Komitetit/Shtabit qytetar. Në po atë sallë, ku isha të enjten, më 6 mars, gjeta Kryetarin e Bashkisë, Ladin, dhe z.Dashamir Kamberi. U përqafuam. më falenderuan për letrën që ua kisha dërguar të shtunën dhe më kërkuan të falur për ato që më kishin ndodhur të enjten pasdite. Pastaj biseduam për gjendjen aty. Ata më treguan se rezervat e miellit ishin plaçkitur gjatë natës dhe se në pjesë e qytetarëve tani rrezikoheshin nga uria. Pastaj u interesuan të dinin se si kishin rrjedhur ngjarjet në Gjirokastër. Unë ju tregova në mënyrë të përmbledhur. Para nisjes ua lashë një kopje të Deklaratës së Shtabit në Gjirokastër. Në pyetjen se kujt mund t’i drejtoheshim në Përmet, z.Kamberi më sugjeroi kolegun e tij partiak. U nisëm për në Përmet.

Në të dalë të qytetit morëm një qytetar me vete, i cili po priste për ndonjë mundësi udhëtimi. Sapo hyri në taksi filluan muhabetet. La përshtypje se ishte i zgjuar, prandaj dëshirova ta kisha në shirit mendimin e tij të rastit për Marrëveshjen e forcave politike dhe Presidentit.

Unë: Ju lutem, cili është mendimi juaj rreth marrëveshjes që u arrit dje në mes të forcave politike dhe Presidentit?

Ai: Marrëveshja e arritur dje në mes të forcave politike dhe Presidentit ishte një hap përpara për zgjidhjen e problemit shqiptar të kohëve të fundit. Problemi mbetet ende i koklavitur, sepse protestuesit në jug të Shqipërisë kanë protesta më të avancuara. Kërkesa kryesore është kërkesa ekonomike, po dhe kërkesa politike. Kërkesa politike është që të zgjidhet sa më shpejt problemi i qeverisë dhe problemi se kush do ta drejtojë këtë qeveri dhe, bile një pjesë e protestuesve venë, pra janë më të avansuar, dhe thonë që të kërkohet dhe të jepet dorëheqja e Presidentit të Republikës.

Nuk kishim kohë të vazhdonim bashkëbisedimin, pasi kishim arritur para ndërtesës së komitetit.

Kur erdhëm te ndarja e rrugës në drejtim të Gjirokastrës dhe Përmetit, bashkudhëtari i rastit na u lut të ndalonim që të zbriste, pasi i kishim treguar se po udhëtonim për në Përmet.

Gjatë rrugës, buzë Lumit Vjosa, shihnim shumë fshatarë të armatosur. Kush ecte në këmbë, kush mbi gomarë ose kalë, kush mbi traktorë. Në një vend pash të vinin dy gra përballë, në anën e majtë të rrugës. Njëra nga ato mbante në krahun e majtë një fëmijë dy-tre vjeçar, kurse në krahun e djathtë mbante një pushkë gjysmëautomatike. E luta taksistin që të ndalonte për t’i fotografuar. Ato, me gjasë nga frika, shmangën rrugën dhe iu qepën me vrap kodrës me shkurre. Ju thirra në mënyrë lutëse që të mos frikësoheshin dhe të pranonin të bëja një fotografi. Gruaja, që kishte fëmijën dhe armën në krah, po nxitonte. Tjetra, që kishte mbetur një çik më mbrapa, edhe pse nuk kishte gjë në dorë, thërriste që t’i linim rehat, sepse po frikësohej fëmija. Meqë nuk po mirëkuptoheshim, bëra një fotografim nga distanca.

Në të hyrë të Përmetit pamë se në rrugë ishin rrëzuar përtokë lisa të mëdhenj të ngritur barrikadë kundër trupave qeveritare. Ngjante si një fushë pas një beteje. Dhjetëra kryengritës të armatosur kishin zënë vend në anën e majtë të rrugës. Pa ndonjë ndërhyrje, siç kisha përjetuar të martën, në barrikadën në të hyrë në Tepelenë, më 6 mars, na e liruan rrugën për të kaluar.

Sapo hymë në brendësi të Përmetit u ballafaquam me grumbuj njerëzish. Ata, siç mësuam me të pyetur njërin nga ata, po ktheheshin nga varrimi pesë qytetarëve që ishin vrarë ditën e djeshme. Kaluam pranë Degës së brendshme. Asaj vazhdonte t’i dilte tymi nga djegia e një dite më parë. Ndaluam për ta fotografuar. Me atë rast pyetëm një qytetar se ku mund të takonim ndonjë personalitet politik. Ai bëri me dije se sapo ktheheshin nga varrimet dhe vështirë se do të gjendej ndonjëri në Komitet. E lutëm që të vinte me ne dhe të na ndihmonte të gjenim dikë. Ai pranoi dhe u fut në taksi.

Aty u gjendëm para ndërtesës së komitetit, pasi taksisti e njihte Përmetin. Me të zbritur, pasi më pyeti nëse do të rrija më gjatë në Përmet, taksisti më tregoi se po shkonte për ta vizituar familjen e baxhanakut. Unë dhe udhëtari që pranoi të më ndihmonte, u nisëm drejt derës së ndërtesës së madhe, vizavi me një përmendore të madhe, me një shesh të madh në mes.

Dera ishte e mbyllur, por xhamat i kishte të thyer. Hymë brenda duke kaluar me kujdes se mos po preheshin në xhama të thyer. Lart, në katin e dytë, gjetëm ca njerëz në sallë. Tre metra larg derës së hyrjes në sallë, shihej një pellg gjaku.

Një burrë i moshuar, thirri:

“Këtu, zotërinj, dje ma kanë vrarë vëllain. Ju lutem, fotografoni dhe tregoni botës se ç’tmerr po përjetojmë”.

Kështu reagoi ai, Ylli Mullaraj, siç ia mësova emrin më pastaj, me gjasë sa më pa me aparat vjerrë rreth qafe. Z.Mullaraj m’u lut që të fotografoj edhe xhamat e thyer të dritares nga kishin ardhur dy plumba. Pasi bëra ca fotografime, ju luta që të më tregonte se çfarë kishte ndodhur. Z.Mullaraj filloi së treguari:

“Vëllai ka qenë në grupin e sheshit para hotelit bashkë me shokët e tij, që kërkonin të drejtat nga sistemi piramidë. Është thirrë nga Shtabi drejtues për një mbledhje paqësore në sallën ku mbas një ore e gjysëm nga vëllezërit e tij është gjetur i vrarë. Nuk ka asnjë të dhënë nga shokët që kanë qenë në sallë. Mbase, siç shpjegojnë, është qëlluar me snajper ose breshëri automatike nga jashtë. Atëherë, ata kanë ikur, e kanë braktisur, e kanë lënë në sallë të vdekur, kanë mbyllur edhe derën dhe e kanë lënë. Shokët e tij janë hedhur nga xhamet, gjë që provohet nga xhami i thyer, i madhi, nga sheshi i këshillit, i shkallëve.

Unë, bashkë me vëllezërit e tjerë e kemi kërkuar dhe mbas një ore e gjysëm e kemi gjetur të vdekur, pa asnjë lloj informate. Sot e varrosëm dhe mbas këtij varrimi kërkojmë të drejtën tonë. Shokët e tij janë të pabesë.

Kaq kisha për gazetën, revistën o radion. Ju jam mirënjohës.”

Pas kësaj deklarate ngurrova t’i bëj ndonjë pyetje, pasi sapo kishte ardhur nga varrimi dhe dukej shumë i pikëlluar, por edhe i alarmuar për shkak të dyshimit nëse shokët, siç i quante ai pjesëmarrësit e mbledhjes, ia kishin vrarë vëllain me pabesi. Për një çast heshta. Pastaj ju drejtova z.Petrit Bregasi, Kryetar i PS për Përmetin, i cili kishte ardhur në ndërkohë. Atë e kishte gjetur qytetari që e hasëm në të hyrë të qytetit dhe që pranoi të vinte me ne për të na ndihmuar në orientim dhe gjetje të ndonjë personaliteti politik. Ylli vazhdoi të rrinte ulur. Ne nuk na pengonte fare prania e tij që ta bënim bashkëbisedimin.

Pyetje: Ju lutem, a mund t’i përshkruani ngjarjet në mënyrë kronologjike në Përmet?

Përgjigje: Qysh një ditë më parë ne jemi mbledhur në tryezë të rrumbullakët të Shtabit të Rrethit (është fjala për Shtabin qeveritar, të ngritur zyrtarisht në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme, sqarimi im). Kryetari i Bashkisë e drejtonte atë. Ne kemi kërkuar që të bëhet kujdes me forcat e ushtrisë që kanë ardhur, se ata po e provokojnë Përmetin. Përmeti është një qytet i qetë, nuk pranon njerëz të huaj, dhe kemi kërkuar shpjegime, përse gjithë këto forca në Përmet. Unë, si kryetar i Partisë Socialiste, kam kërkuar, se përse janë gjithë këto forca, përse do të përdoren, se tash është përgjegjësia jonë, në radhë të parë qytetare, në qoftë se ato do të përdoren për të luftuar një qytet tjetër, siç është Tepelena, siç kishim ne informacion, apo Gjirokastra. Tamam i kërkova Kryetarit të Bashkisë, si anëtar Shtabi që ishte, të bënte shpjegime përkatëse dhe njëkohësisht kërkuam që këto forca të largoheshin nga qyteti i Përmetit, sepse mund të sillnin provokime dhe acarime të mëtejshme, pasi ata ishin jashtë kontrollit. Me automatikë në dorë rrinin klubeve, pinin, shëtisnin nëpër qytet, shanin oficerë të liruar e oficerë të veshur, kështu që situata ishte e acaruar qysh një ditë më parë.

Ditën e djelë, në orën dhjetë, Kryetari i Bashkisë na thotë që kemi një mbledhje me partitë politike për situatën. Ne e kishim lënë mbledhjen në dymbëdhjetë, qysh një ditë më parë. Megjithatë, ne e bëmë mbledhjen në orën njëmbëdhjetë.

Situata ishte e acaruar, pasi në shesh ishin grumbulluar shumë njerëz dhe po ankoheshin për prishje lokalesh. Ne, në këtë kohë, në orën njëmbëdhjetë, futemi në sallë. Atje kishte përfaqësues të PS-së, të PD-së e të forcave të tjera. Kryetari i Bashkisë ka kërkuar që të krijojmë një komitet për shpëtimin e qytetit, pasi forcat e Qeverisë do të ikin në orën dymbëdhjetë, pas një ore. Prandaj, ne krijuam një komitet për shpëtimin e qytetit, për mobilizimin e rezervistëve të qytetit, për të marrë situatën nën kontroll, dhe për të vendosur edhe rendin, pasi edhe ata të rendit janë larguar, tha. Kështu, në këto momente, pa filluar diskutimet mirë, revolta në shesh, përjashta, u zgjerua. Forcat qeveritare që nga Përtera, duke shtënë në ajër e kundër të tjerëve. Në këtë kohë, në sallë, ne dëgjojmë një zhurmë, një thyrje xhami, ku vritet njëri nga shokët tanë. Atëherë të alarmuar ne largohemi nga salla, pasi ishim në survejim e në goditje të forcave qeveritare.

Pyetje: Sa veta janë vrarë në Përmet?

Përgjigje: Në Përmet janë vrarë pesë veta.

Pyetje: Ç’mendim keni, kush i ka qëlluar ata?

Përgjigje: Forcat qeveritare. Asnjë qytetar përmetar nuk ka qëlluar mbi përmetarët.

Pyetje: Ishin ushtarë, policë, bashkëpunëtorë të SHIK-ut, apo vullnetarë të Berishës, siç po thuhet?

Përgjigje: Tani, ata ushtarë kanë qenë, rezervistë kanë qenë, sipas informacioneve kishte edhe forca jo të rregullta, dukeshin nga paraqitja.

Pyetje: Në cilën orë nisën ata sulmin mbi qytetarët?

Përgjigje: Në orën njëmbëdhjetë.

Pyetje: Bëjnë rezistencë qytetarët, pati përleshje të drejtpërdrejta?

Përgjigje: Qytetarët nuk kishin armë fillimisht, ishin të paarmatosur. Forcat u vërsulën mbi qytetarët. Pastaj filluan që edhe qytetarët të pajisen me armë. Dhe nuk pati konfrontime në mes tyre, sepse ata u larguan menjëherë.

Pyetje: Cila ishte arsyeja që ata t’i sulmonin qytetarët?

Përgjigje: Ushtria vepron me urdhër. Nuk e di kush ka urdhëruar që ata të lëshohen mbi qytetarët, të dalin nga reparti, nga Dyshi ku ishin, dhe të lëshohen drejt qytetit.

Pyetje: Domethënë një shkak konkret nga ana e qytetarëve nuk e kishin?

Përgjigje: Qytetarët vetëm bënë një revoltë këtu në qytet, u ngritën duke demonstruar. Pas pesëmbëdhjetë minutash erdhën forcat nga reparti i Dyshit, forcat qeveritare.

Pas mbarimit të bashkëbisedimit me z.Bregasi, për ndonjë çast vazhduam të rrimë ulur rreth një tavoline të vjetëruar, në një sallon të madh në ndërtesën e komitetit, siç e quanin qytetarët, ngjitur me sallën ku kishte ndodhur vrasja. Disa karrike përreth ishin të thyera nga përplasjet e djeshme. Nuk bëzanim. Sikur nuk e dinim se kush e kishte radhën të fliste.

Pas pak z.Ylli Mullaraj e mori fjalën. Më erdhi keq të hap manjetofonin, me drojë se do të keqkuptohesha. Prandaj po përpiqem ta parafrazoj:

“Lajmi i vdekjes së vëllait tim të ndjerë e lavdiplotë u përhap në gjithë qytetin. Nxënësit e gjimnazit erdhën si turmë e hallakatur dhe donin ta shkatërronin e digjnin komitetin. Në ato çaste unë zura derën kryesore të ndërtesës dhe thirra se askush nuk guxon t’i vërë zjarrin ndërtesës së ndërtuar me djersën e popullit. Me vështirësi të madhe e shpëtova komitetin. Ky gjest bëri që qytetarët dhe nxënësit të përmbaheshin nga shkatërrimi i qytetit. Atyre, që ishin të eksituar e të revoltuar deri në mospërmbajtje, ua mbajta një fjalim nga shkallët e komitetit, duke u thirrur me zë të lartë dhe duke i këshilluar se duheshin të përmbaheshin nga shkatërrimi i qytetit tonë. Përndryshe, ai që do të djegë e shkatërrojë, do qëllojë edhe një herë mbi vëllain tonë të ndjerë.

Gjatë asaj kohe qytetarët tashmë ishin armatosur. Ata, sapo kishin parë të vrarët dhe të plagosurit pranë tyre në shesh, kanë shkuar me vrap drejt depove të armëve. Atje nuk i ka penguar njeri që të armatoseshin. Ndër të vrarët janë edhe dy prindërit e kryetarit të Këshillit të Rrethit, Edi Theodhori, i cili gjithashtu ka qenë kundër i PD-së. Ata janë qëlluar në makinë duke provuar të arratiseshin jashtë qytetit. Makinën ka qenë duke e vozitur bashkëshortja e kryetarit. Po në atë makinë është qëlluar edhe çuni 4-vjeçar, por ka shpëtuar me një plagë në kokë. Njëherit janë vrarë edhe dy qytetarë të tjerë dhe një tjetër është plagosur rëndë. Mercenarët janë arratisur në drejtime të panjohura.

Unë kam qenë alpinist në veri të Shqipërisë me vite të tëra dhe ju siguroj se atje kam shokë shumë të mirë që i dua si vëllezër. Këto vrasje është duke i bërë vetëm Sali Berisha me bashkëpunëtorë të tij të korruptuar e kriminelë nga jugu dhe veriu. Nuk është e vërtetë se ne të jugut jemi ngritur kundër vëllezërve tanë në veri, por vetëm kundër diktaturës e korrupcionit.

Unë dhe vëllezërit e mij, vëlla i dashur, dyshojmë në vrasjen e vëllait tonë dhe duam sqarime bindëse nga pjesëmarrësit e mbledhjes...”

Duke parë revoltën e z.Y.Mullaraj, vëllezërve, të birit, nipave, etj., e luta atë që të vetëpërmbaheshin, t’i bënte ai zap vëllezërit dhe sqarimet për vrasje të vëllait t’i kërkonin pasi të qetësohej gjendja. Ai e aprovoi lutjen time.

Nga ajo ndërtesë u ngrita për të dalë jashtë. Nuk më rrihej më brenda, për arsye të shumta. Më dhimbseshin njerëzit, me dhimbsej Shqipëria. Poçilla e atyshme e gjakut, hala e njomë, e Tomor Mullarajt, 43-vjeçar, mësues fizike, drejtor i Gjimnazit të Përmetit, anëtar i Këshillit të Rrethit, i zgjedhur me vota të PD-së, si anëtar dhe kandidat i PD-së, të detyronin të reflektoje edhe emocionalisht, duke humbur disi vetëpërmbajtjen. Nuk kishte pasur nevojë të ndodhte gjithë ajo llahtari. Tomori i ndjerë, para se të shkonte për të marrë pjesë në atë mbledhje të fundit dhe të kobshme për të, kishte qenë në mes të qytetarëve të revoltuar nga sjelljet provokuese e shqetësuese të “vullnetarëve” të Berishës. Ai me përtesë kishte pranuar të ndahej nga qytetarët. Insistimi i kryetarit të Bashkisë, ndërsa që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Republikën e Shqipërisë edhe kryetar i Shtabit (qeveritar) të rrethit, i zgjedhur gjithashtu me vota të PD-së, ia kishte mbushur mendjen të ndahej përjetësisht nga qytetarët dhe të merrte pjesë në mbledhje. Vetëm pasi dëgjova për virtytet e Tomorit të ndjerë, atëherë munda ta kap stoicizmin epik të të vëllait, Yllit, i cili në ato momente aq dramatike dhe të rrezikshme, kishte gjetur forcë të shpëtonte ndërtesën e komitetit dhe gjithë qytetin nga djegia e shkatërrimi. As që mund të merret me mend se në ç’përmasa do të mund të shkretërohej qyteti, sidomos nga nxënësit e revoltuar për vrasjen mizore të mësuesit e drejtorit të tyre të dashur, të autoritetshëm e të respektuar. Sigurisht që atyre në shkretërimin e qytetit do t’u bashkangjiteshin edhe shumë qytetarë të revoltuar, të cilët kishin përjetuar çaste të llahtarshme. Por Ylli i kishte bërë zap qytetarët e një qyteti dhe e kishte shpëtuar Përmetin nga shkretërimi. Vetëm ndërtesën e vogël të Degës (policisë) nuk kishte mundur ta shpëtonte nga djegia. Prandaj, kur unë iu drejtova me fjalët: “Vëlla i dashur, pasi ti me heroizëm epik paske mundur të bësh zap të gjithë qytetarët në atë gjendje aq tronditëse për të shpëtuar Përmetin nga shkretërimi, si nuk qenke në gjendje ta bësh zap veten, vëllezërit e farefisin për të evituar ngatërresa e plagë të reja...”, ai u ngrit në këmbë, në të njëjtën kohë spontanisht u ngrita edhe unë, dhe më mori në grykë duke më thënë: “Të qoftë falë o burrë Malësie, sepse për burrat e Malësisë vërtet kam respekt të madh!”. Nga sytë e lodhur iu rrokullisën lotët, që vërtet nuk i shkonin, por ama që i arsyetoja, pasi edhe më trimi në çaste të tilla nuk do t’i mbante dot.

Duke i përpunuar të gjitha të dhënat, vetëtimthi erdha në përfundim se si paskësh ndodhur ngjarja e Përmetit, prandaj z.Berisha qenka detyruar të thërrasë në tryezë partitë politike për t’u propozuar (diktuar) “pajtimin kombëtar”, përkundër përcaktimeve të mëparshme aq kokëforta kundër bashkëpunimit me forcat... (Nuk po i përmend epitetet qe ka përdorur z.Berisha për forcat politike opozitare.)

Përmeti ishte qyteti i fundit i jugut të Republikës së Shqipërisë që nuk ishte rebeluar. Në Përmet, sipas informatave të llojllojshme, por të paverifikuara, duket se janë bërë parapërgatitjet ushtarake për t’i sulmuar qytetet e rebeluara. Për këtë arsye duhet të kenë shkuar të shtunën, më 8 mars (meqë edhe në Gjirokastër kishte ndodhur atë ditë “puçi”), rreth orës 23.00, S.Zhulali, F.Hoxha, etj., për t’i “disiplinuar” paraprakisht oficerët e batalioneve të sjella për atë qëllim aty. Në takimin e Zhulalit e Hoxhës me oficerët, duket se kishte plasur grindja. Të nesërmen Zhulali e Hoxha me kohortë duket se ia kishin mbathur në drejtim të Korçës, pasi ushtria nuk kishte pranuar të “disiplinohej”. Paralelisht, në qytet, qysh prej disa ditëve qytetarët kishin filluar të shqetësoheshin nga sjelljet e “vullnetarëve të Berishës”. Prandaj edhe Kryetari i Bashkisë, njëherit edhe i Shtabit qeveritar (kuadër i PD) është detyruar të mbledhë forcat politike, të premten, më 7 mars, pastaj edhe të dielën, më 9 mars. Në orën 11.00 kjo mbledhje formon Komitetin për shpëtimin e qytetit, si duket nën presion të qytetarëve të mbledhur në shesh, por edhe nën presionin e gjendjes në Dysh, për të cilën Kryetari i Bashkisë dhe i Shtabit duket se ka qenë i informuar. Rreth orës 11.30 “vullnetarët e Salës”, si duket të ndodhur në mes të dy “zjarreve”, të gjendjes në Dysh (siç quhej vendi ku ishin kazermat ushtarake) dhe të gjendjes në shesh, duhet të kenë vendosur të shkrepin “fishekun e fundit” mbi qytetarët dhe pastaj t’ia mbathin, duke qëlluar edhe gjatë arratisë.

Ky lloj përpunimi blic i të dhënave, më bëri të dyshoj, se “pajtimin kombëtar” z.Berisha nuk e bëri nga burrëria, por nga zori...

Ju kërkova të falur Z.Mullaraj, z.Bregasi dhe të tjerëve për t’u larguar, me shjegimin se dëshiroja ta takoja z.Edi Theodhori për ta ngushëlluar për vdekjen e prindërve. U përshëndetëm dhe dola nga salloni, duke mos mundur të shmang shikimin mbi poçillën e gjakut. Dera ishte e hapur dhe duhej kaluar pranë saj për të zbritur shkallëve.

Më të dalë nga ndërtesa, u gjeta në shesh. Tani aty ishin grumbulluar shumë qytetarë. Pak më parë sheshi ishte fare bosh. Si i tillë, dukej i shkretë. Qytetarët kishin qenë në varrime. Tani ishin kthyer dhe po qëndronin grumbuj-grumbuj. Shumica e tyre mbani armë mbi supe, kryesisht “kalashnikovë” dhe pushkë gjysmëautomatike. Menjëherë u gjeta para një grupi qytetarësh, të cilët më rrethuan. Ata ndoshta menduan se unë isha gazetar i huaj, jo shqiptar. Sapo i përshëndeta, ata u befasuan. Pas një çasti i pyeta se çfarë kishte ndodhur dje në Përmet. Ata filluan të përgjigjen. Flisnin shumë veta njëherësh. Unë kërkova që të flisnin njëri pas tjetrit dhe jo shumë vetë njëherësh, pasi nuk do të kuptoheshim. Njëri nga ata e mori fjalën:

“Dje, rreth orës 11.00, ishin grumbulluar ca qytetarë këtu pranë Komitetit. Donim të kërkonim mbrojtjen nga kryetari i Bashkisë kundër “muxhahidinëve” të Salës. Ata, gjatë gjithë javës, po na terrorizonin. Hynin në lokale, pinin deri sa bëheshin tapë, pastaj shtinin dhe delnin pa paguar. Të shpeshta ishin rastet kur tytat e armëve të tyre ua drejtonin qytetarëve, duke i shastisur. Ndonjëherë ngacmonin me fishkëllima e llafe të pista edhe femrat.

Kryetari i Bashkisë, duke parë gjendjen e krijuar, thirri një mbledhje urgjente të Shtabit me përfaqësues të partive politike. Papritur “çeçenët” e Salës shtinë mbi qytetarët. Ne u shtrimë të gjithë përtokë. I gjithë sheshi ishte përplot të shtrirë. Me atë rast ata kishin qëlluar dy veta për vdekje dhe një plaguar rëndë. Duke qenë të shtrirë përtokë pash se qytetarë po vinin në qendër nga të gjitha rrugët drejt e në shesh, duke thirrur. Kuja e të shtrirëve ishte lemeritëse. Mund ta merrni me mend revoltimin e tyre, kur në shesh panë qindra qytetarë të shtrirë përtokë. Ca nga ata lëshonin klithma të mëdha dhimbjeje. Askush nuk e dinte se sa veta ishin qëlluar. Katilët e Salës, të cilët duhej të ishin nga Rrethi i Ersekës, siç i kemi njohur nga akcenti i të folurës së tyre gjatë gjithë javës së shkuar e të ankthshme, duke parë gjithë atë masë të revoltuar që i kishte mësyrë, u arratisën duke shtënë rreth e rrotull e në ajër. Prapa iu vërsulën qindra veta. Këta të fundit pastaj kishin mësyrë depot e armëve, ku pa ndonjë rezistencë nga ana e ushtarëve të pranishëm, ishin armatosur që të gjithë. Nga ata dëgjova se edhe ushtarët e shqetësuar nga llahtaria në shesh ishin bashkuar menjëherë me qytetarët, ua kishin hapur dyert e depove, duke i këshilluar që të marrin vetëm armë të lehta. Ne që ishim në shesh, u mblodhëm rreth të qëlluarve. Të plagosurin e dërguam në spital, ndërsa rreth dy të vdekurve, qëndronim të nemitur.

Duke qenë aty na erdhën lajmet, se te ura ishin qëlluar dy prindërit dhe çuni i kryetarit të Këshillit të Rrethit, kruse në sallë, sipër në katin e dytë, është qëlluar drejtori i Gjimnazit. Dy prindërit dhe drejtori janë qëlluar për vdekje. Para pak çastesh i varrosëm të pesë kufomat. Këtë hata që goditi Përmetin tonë të qetë nuk ia kishim borxh askujt.”

Atë e ndërprenë disa që thirrën: “Poshtë Berisha!”.

Në atë çast nuk dëshirova të zgjatem me biseda të mëtejme me ta. Luta përmetarin, që po më shoqëronte, të më tregonte, se ku mund ta gjeja kryetarin e Këshillit të Rrethit, z.Edi Thedhori. U shkëputëm nga grupi i qytetarëve dhe shkuam te një restorant. Që nga dera pashë sallën e restorantit përplot me njerëz, të ulur në tryeza të zgjatura. Ata ishin kthyer aty nga varrimi. U ktheva dy-tre hapa mbrapa që të mos bija në sy. Shoqëruesit i thashë që ta luste z.Theodhori të dalë deri te dera.

Sapo z. Theodhori doli, e ngushëllova pa bërë ndonjë prezantim. U shtrënguam fort, edhe pse nuk po njiheshim, ndoshta pse ai m’i pa lotët. Bëra prezantimin dhe e pyeta nëse kisha mundësi të bëja fotografime në sallë dhe nëse ai kishte kohë për një takim të pastajmë. Ai, edhe pse ishte shumë i tronditur m’i miratoi të dy lutjet e mija duke më përqafuar edhe njëherë. Shoqëruesit tim i tha që të më dërgonte në shtëpinë e tij, ku do të kthehej pasi të kryhej ushqimi ritual. Unë bëra ca fotografime në sallë. Sikur më dukej se po i trazoja të pranishmit, aq shumë të pikëlluar, të tronditur e të revoltuar. Prej andej shkuam në shtëpinë e z.Theodhori. Aty gjetëm dy gra. Bëra prezantimin. Ato u prezantuan me emra dhe si komshi të z.Edi Thedhori. Na sollën menjëherë nga një gotë raki, pastaj edhe kafe. Pritja po zgjatej, z.Theodhori s’po vinte. Njëra nga gratë seç po llafoste për ca gjëra që nuk kishin lidhje me gjëmën që kishte ndodhur. Unë as që po e dëgjoja, bile ndjehesha i bezdisur. Ndërkohë edhe përmetari që më shoqëroi gjithë kohën kërkoi të falur dhe shkoi. Prandaj, pas disa çasteve, u thashë se do të shkoj në shesh për të shikuar nëse ishte aty taksisti duke më pritur. Premtova se do të kthehesha përsëri. Në shesh takova taksistin. Ai m’u lut që të udhëtonim, pasi terri kishte filluar të mbulonte hapësirën. U dakordova me lutjen e tij, meqë pash se druhej për t’u kthyer nëpër errësirë. Një qytetar të rastit, që na ishte afruar ndoshta i shtyrë nga kurreshtja, e luta që ta bënte me dije z.Theodhori, se do të kthehesha një ditë tjetër.

Udhëtuam në drejtim të Gjirokastrës. Gjatë gjithë rrugës, nëpër vendbanime, shiheshin qytetarë të armatosur. Askush nuk na pengonte. Nuk kishte më postblloqe e barrikada, as edhe të kryengritësve, pasi thonin se “gjithë zona jugore është çliruar nga “çeçenët” e Berishës.

Në të hyrë të Gjirokastrës kryengritësit kishin vendosur barrikadë. Ata kishin pozicionuar edhe dy tanke, në të dy anët e rrugës. Ne nuk na ndali njeri që të na identifikonte. Jo vetëm se taksisti ishte gjirokastrit dhe e njihnin, por ndërkohë shumica e kryengritësve më njihnin dhe nuk më identifikonin kur hyja në qytet.

Nuk u vonova të kthehem te Xha Thimioja. Atje gjeta edhe Xhekun. Ata merakoseshin kur nuk më shihnin një kohë të gjatë. Për pleqtë Opuci kisha filluar të përkujdesesha si t’i kisha prindër. Ata shqetësoheshin për pensionet simbolike që nuk po i merrnin, për bukën që gjendej me vështirësi, për ngritjen e çmimeve, etj. Shqetësoheshin edhe për djalin në Sarandë. Ai ishte i punësuar atje, në bibliotekën e qytetit. Pleqtë kishin dëgjuar për djegien e saj dhe frikësoheshin që djali do t’u mbetej pa punë. Xhekun e kisha lutur që të bënte furnizime me të gjitha gjërat që u mungonin pleqëve. Ai vërtetë dinte t’i respektonte. Edhe ata përkujdeseshin për ne me tërë qenien e tyre. Më nuk ndjeheshim qiraxhinj, por si të shtëpisë. Bisedimet mes nesh nuk kishin të sosur. Xha Thimioja na tregonte gjithë çfarë i kujtoheshin, që nga paralufta, gjatëlufta e Paslufta. Edhe plaka Opuci na tregonte ndonjëherë qyfyre. Këputeshim së qeshuri duke dëgjuar romuze të saj.

Kështu, edhe këtë natë ndenjëm bukur gjatë. Edhe këtë natë, si rëndom, bëra ca telefonata, pasi kishte nga ata që merakoseshin për gjendjen time, dhe që andej merrej lidhja më lehtë.

Gjirokastër / Përmet

(e martë, 11 mars 1997)

Në mëngjes kishim lënë të pinim kafenë së bashku, Aleksandër Çipa (korrespondenti i BBC), Odise Kote (gazetar i Radio Gjirokastrës dhe korrespondenti i DW), Edmond Kola (korrespondent i VOA) dhe unë. Aty shkëmbeheshin informatat, sidomos lidhur me kriminalitetin që kishte ndodhur gjatë natës. Në atë restorant, buzë udhëkryqit, rrugë nacionale/aleja, për në qendër të qytetit, mund t’i takonim anëtarët e shtabit, personalitetet politike e partiake, biznesmenët.

Sandri (siç i thonin shkurtimisht Aleksandër Çipës) tha se kishte ndërmend të shkonte në Përmet për t’i parë bashkëshorten dhe çunin, pasi nuk i kishte parë që sa ditë. Unë ju luta të më merrte me vete, pasi dje kisha premtuar se do të shkoja prapë. Ai e miratoi.

U shpërndamë nga klubi. Hipëm në makinën e Sandrit. Ai ndaloi aty afër. Donte të shikonte për kompjuterin dhe faksin në zyrën e redaksisë të një gazete lokale që botonte ai me disa shokë të tij. Në afërsi të asaj zyre ishin thyer, vjedhur e djegur disa firma private dhe dogana.

Pamë se ato ishin aty. Propozoi t’i heqim që andej, për t’i strehuar te një i afërm i tij. Kështu humbëm kohë deri sa e bëmë këtë punë. Pastaj u nisëm për në Përmet.

Sandrin e luta të ndalonte diku për të blerë cigare që t’ua lë familjeve që do t’i ngushëlloj. Ndaloi te një tregtar që shiste cigare buzë Rrugës nacionale. Bleva 5 shteka “Dunhill”.

Arritëm rreth orës 11.00. Sapo shkuam te vjehrra e tij dhe zumë vend në minder dhe sapo na u servuan rakia dhe kafe, plasi një zhurmë e madhe në pallat. Banorët thërrisnin me zë të lartë që të iknim të gjithë nga pallati në strehimore, sepse po pritej nga çasti në çast të eksplodonte “Tuneli nr.2”, në të cilin gjendeshin të staxhionuar 30 tonë eksplozivë TNT.

Skenat e mëtutjeshme nuk ia dal dot t’i përshkruaj, sado që do të përpiqem.

Në dorë mora manjetofonin, të cilin e hapa që të inçizoj atë lemeri. Unë mora xhupin dhe adidaset në duar. Sandri mori çunin. Vjehrri dhe vjehrra, kunati, kunata dhe e shoqja, sikush për vete këpucët në dorë. Të gjithë nxitonim shkallëve. Fatmirësisht nuk u përplas njeri. Fëmijë, gra, burra, pleq e plaka delnin nga dyert e banesave të tjera dhe nxitonin shkallëve dhe gati sa nuk po binim mbi shpinat e njëri-tjetrit. Kuja, sidomos e grave dhe e fëmijëve, ishte tepër rrëqethëse.

Para pallatit kishim parkuar makinën. Aleksandri e hapi atë. Në makinë u futën shtatë veta, të gjithë sa ishin të familjes. Aleksandri më bëri rixha të futesha edhe unë. Nuk pranova, pas makina (“Audi 80”, tip i vjetër) ishte e vogël dhe nuk kishte vend as për ata që ishin futur. I thashë le të ikin ata, kurse unë po ik bashkë me qytetarët.

Rrugët u mbushën me qytetarë që delnin varg nga pallatet, pa e ndërprerë vrapin. Drejtimi i ikjes ishin strehimoret e qytetit rrëzë shpatit. Trupin ma përshkonin rrëqethje, më shumë për shkak të lemerisë së qytetarëve të trishtuar, se sa pse kisha kohë të frikësohesha nga vdekja. Në ato çaste sikur nuk kisha kohë të mendoja për vdekjen. Kuja dhe ajo pamja tmerruese e fëmijëve, më shponte tejpërtej. Foshnjat kishin hapur sytë. Lemerisnin e mallkonin plakat. Të gjithë vraponin. Ndokush ngrehte zvarrë ndonjë plak a plakë, dikush tjetër ndonjë fëmijë. Një gruaje që s’i bartte dot dy fëmijë në krah, ia mora njërin. Me dorën tjetër, në të cilën kisha lidhur manjetofonin që inçizonte, provoja t’i fiksoja ato skena të llahtarshme në aparatin fotografik. Mendoja se pastaj do të gjendeshin manjetofoni dhe aparati, me shirit e film të padëmtuar, nga të cilët do të nxirreshin skena dëshmie në prag të tmerrit. Ndonjë burrë gjente kohë të më bërtiste: “Ç’të duhet fotografimi i këtij tmerri!” Të gjithë iknim, duke mbajtur kokën prapa, drejt kodrës përballë, ku po digjej pallati i komandës së garnizonit ushtarak. Prej andej prisnim vdekjen. Ndonjë grua e vajzë thërrisnin burrin, vëllain, shokun, me sa zë që kishin, që të shkonin për të shuar zjarrin. Edhe në ato çaste, donin të shpresonin, se ndokush mund t’i shpëtonte. Ndonjë nënë, grua e vajë, mundohej të mbante nga rroba dikë të vetin, që të mos vraponte andej, nga prisnim të gjithë vdekjen, por të iknin së bashku drejt shpëtimit – strehimoreve. Shumë nga burrat, që ia mësynin vdekjes, me shpresë se mund të bëjnë diçka për jetën, nuk kishin kohë as edhe të ndaheshin me përqafime me gratë, fëmijët e prindërit e tyre për herë të fundit. Askush nuk kishte kohë të mendonte, se ku po i zinte vdekja nga eksplodimi që pritej të ndodhte. Një plakë, që nuk vraponte dot, thirri në gjysmëvaj: “Të marrtë mortja Sali, ç’na bëre, na more shpirtin,haj, haj.” Gjëma e saj shponte edhe kodrën.

Strehimoret e para ishin mbushur ding me qytetarë që kishin arritur më herët. Dikush përpiqej të futej me çdo kusht në to. Dikush tjetër thërriste që të vraponin tutje, drejt strehimoreve e shpellave të tjera. Lëshova fëmijën në derë të njërës nga shpellat. Ai kishte zgurdulluar sytë. Nuk protestonte as nuk qante, edhe pse ishte në krahë të një njeriu të panjohur. Ia ledhatova kokën dhe iu qepa kodrës tatëpjetë. Dëshiroja të bëja edhe ndonjë fotografi që andej, pasi nga poshtë nuk shihja zjarrin që po na kërcënonte. Shpati ishte bukur i rrëpishëm. Nuk e di se nga më vinte gjithë ajo fuqi për t’ju qepur aq shpejt. Më në fund, ia dola. Atje sipër fillonte një rrafshnaltë e vogël. Aty gjeta një bari. Ai rrinte qetësisht i ulur afër një bunkeri të vogël, nga ata që ngjanin në kërpurdha dhe vështronte habitshëm poshtë se çfarë po ndodhte. Pranë hyrjes së vogël të bunkerit ishte strukur një baba i moshës rreth 30-vjeçare, me një fëmijë të moshës rreth 3-vjeçare në gji, të cilin e kishte mbështjellë me batanije që të mos e shihte gjithë atë lemeri. Ai shikonte ndërtesën që po digjej buzë shkëmbit të lartë përballë, me gjasë i bindur se kishte kohë të futej në bunker edhe pasi ta shihte me sy eksplodimin që pritej të ndodhte.

Bariu, që gjeta aty, filloi të më qetësojë, duke mallkuar ata që kishin dhënë alarm të rremë?

“Kam qenë ushtarak para reformës së vitit 1992 dhe njoh mirë tunelet e municionit përballë. Tuneli nr.2 është të paktën 100 m. larg ndërtesës së komandës që po digjet. Ai është i hapur në shkëmb dhe gjatë planifikimit e ndërtimit janë marrë parasysh edhe rreziqet për shpërthim të zjarrit. Ai mund të hidhet në ajër me zjarr vetëm nëse dikush hap dyert e tij dhe i vë zjarrin.”

Pasi dëgjova atë shpjegim, i cili paksa më qetësoi dhe pasi bëra pak pushim, zura të zbres, drejt qytetit. Herë pas here shikoja pallatin që po digjej. Ishte larg për të dalluar nëse vullnetarët që kishin shkuar për të shuar zjarrin kishin patur sukses. Zbritja nga kodra m’u duk dukshëm më e vështirë se hipja.

Në fund të kodrës, ku gjendeshin strehimoret, një pjesë e qytetarëve vazhdonin të qëndronin në hyrjet e tyre, duke shikuar me shqetësim drejt vendzjarrit dhe vendrrezikut.

Pas një ore, në rrugën buzë kodrës, kaloi një makinë me megafon. Dikush thërriste: “Qytetarë, kthehuni në shtëpitë tuaja, zjarri është futur nën kontroll dhe është evituar rreziku nga eksplodimi i tunelit.”

Qytetarët filluan të dilnin nga strehimoret e shpellat. Përqafoheshin mes tyre, kush nga ata duke qarë me dënesë, si duket tani në shenjë të gëzimit se kishin shpëtuar nga hataja. Ecnin avash-avash drejt qytetit pa njerëz. Edhe unë po ecja në rreshtin e gjatë të njerëzve. Ca nga ata më shikonin habitshëm, meqë, me gjasë, e shihnin se nuk isha vendës. Ndonjëri nuk ngurronte të më pyeste se kush isha. Askë nuk e shihja të mbante armë.

Ecja rrugës, pa ditur se ku duhej të merrja kthesën për të shkuar te pallati i familjes, ku as rakinë e kafenë nuk kisha pasur kohë t’i pija. Ecja rrugës kryesore që shkonte bri kodrës. Në anën e majtë kishte pallate me tulla të kuqe, të pasuvatuara, kurse në anën e djathtë shtëpi e kasolle përdhese. Stepesha t’i drejtohesha ndokujt për të pyetur se ku ishte qendra. Atje shpresoja të gjeja Sandrin duke më pritur. Nëse jo, do të shkoja për ngushëllim te Edi Theodhori, pastaj do të takoheshim. Bëra një copë rrugë me rreshtin. Ende nuk e kisha marrë veten nga ato që kisha përjetuar. Gjatë ecjes pashë një njeri me automatik mbi supe, të moshës rreth 40-vjeçare, që rrinte, dhe herë pas here, bënte ndonjë hap të vogël buzë rruge. Ai thërriste qytetarët që të qetësoheshin, pasi rreziku nga shpërthimi vërtet kishte kaluar.

Qytetarët zvarriteshin. Vazhdonin të ishin të nemitur. Kush nga ta shkëputej nga rreshti dhe futej o në pallat të tij buzë rruge, o në rrugica në mes të pallateve që çonin drejt pallateve prapa tyre. Kështu rreshti sa shkonte e rrallohej.

Pas pak iu drejtova njeriut që qëndronte anash, por që ecte herë pas here me hapa të vegjël.

- Do të më ndihmoni për të gjetur shtëpinë e z.Edi Theodhori, kryetar i Këshillit të Rrethit? – ju drejtova me dashamirësi lutëse.

- Gjithësesi, - m’u përgjegj.

Se si m’u duk se u besua nga prania e një njeriu me aparat të varur në qafë e manjetofon në dorë në ato rrethana.

- Shqiptar jeni!? – më pyeti paksa i habitur.

- Po, - ju përgjigja shkurt, duke u munduar të jem sa më i natyrshëm.

- Na ju kemi?

- Nga Peja.

- Nga qyteti Pejë në Kosovë!? – ishte pyetja e tij e shoqëruar me habi vështruese, duke u ndalur në vend.

- Një Pejë ka Shqipëria.

- Shqipëria...!? – po e zgjaste zërin.

- Tamam. Nga qyteti Pejë në Kosovë, por edhe Kosova është pjesë e Shqipërisë.

- Rrofsh! Mirë e ke. Ma punove, - tha sikur t’ju kishte kthyer kujtesa.

Ai vazhdonte të rrinte në vend, duke më shikuar me habi. Pastaj më pyeti:

- Ç’hall ju ka zënë këtu?

- Shqetësimi për Shqipërinë.

- Për Shqipërinë...!? – përsëriti.

- Po, për Shqipërinë.

“E bela, ç’kahje mori biseda.” – thashë me vete, duke mos ditur se ç’përshtypje po i krijoja.

- Mos jeni me Salën? – më pyeti qetë, qetë.

- Jo, me Shqipërinë, - ia ktheva edhe unë qetë, qetë, por gjithë seriozitet.

- Rrofsh! Prapë ma punove. Zgjate dorën, - dhe shtriu dorën pa të keq.

Bëri prezantimin e emrit dhe mbiemrit, që s’ia mbajta mend.

- Ikim te Edi? – më pyeti duke marrë drejtimin për të ecur.

- Jo, them të shkojmë, - ia ktheva, me mendimin se biseda do të merrte kahje më të shlirshme.

- E de, e njëjta gjë është. Dëshiron të tallesh me mua? – ma ktheu prajshëm me ton ironik.

- Nuk është e njëjtë. Njeriu ik vetëm kur e ndjek ndokush. Ju këndej, foljen “me ik” e përdorni shpesh gabimisht në vend të foljes “me shkue”.

- Ke të drejtë, - m’u përgjegj.

Pas pak arritëm te shtëpia e Edit. Dera ishte e mbyllur. Dikush nga komshinjtë na tha se ai gjendej te e motra dhe tregoi se ku e kishte ajo shtëpinë. Gjatë rrugës po bisedonim për shumëçka. Të dy ishim të mendimit se nuk duhej të ndodhnin gjithë ato që kishin ndodhur, se do të duhej kursyer populli nga gjakderdhjet që po ndodhnin. Që të dy bënim fajtor Sali Berishën. Bashkëbiseduesi shfaqte habi, se si edhe unë, si kosovar, po fajësoja Saliun. Ai ishte njëri nga të dezinformuarit, i cili mendonte se një pjesë e popullsisë veriore ishte me Sali Berishën, kurse kosovarët që të gjithë, me përjashtim të Rexhep Qosjes, për të cilin shprehte admirim prej kulti.

Rrugës u ndeshëm me një varg të gjatë përmetarësh. Edhe ata po ktheheshin nga arratia. Vinin nga gryka përballë, përplot gurë të bardhë. Sikur zvarriteshin zhag, zhag, me plagë të rënda në trup. Nxora aparatin dhe po fotografoja.

- Pse e lejon të na fotografojë? – ndërhyri një burrë rreth të 40-tave, i cili mbi qafë mbante një fëmijë të moshës 3-4 vjeçare. Ai po i drejtohej me zë qortues shoqëruesit, të cilin e njihte. – Mos po i duket mirë që na fotografon në këtë gjendje? – vazhdoi.

- Është gazetar, - ju përgjegj shoqëruesi sa për të bërë një soj formaliteti.

- Prandaj them të mos fotografojë, pasi pikërisht këta gazetarët e huaj na katandisën në këtë gjendje të tmerrshme, - foli qytetari përballë, me zë akoma më të sforcuar, që anonte të ishte urdhërues.

Unë shtiresha sikur s’po kuptoja gjë, pasi në atë rast po më dinin të huaj.

- Këtë gjendje na e shkaktuat ju këlyshët e Salës, prandaj më mirë ta mbyllësh gojën. Si s’ke turp. Akoma ke fytyrë për ta ngritur zërin që të fajësosh të tjerët, kur ti dhe soji yt jeni fajtorët kryesorë, - iu përgjegj shoqëruesi, sikur fjalët t’i nxirrte nga grykë e automatikut që mbante nën sqetull, të varur për rripi mbi supe.

Të dy i ndërprenë fjalët. Vargu i njerëzve nuk e ndërpreu fare zvarritjen. Sikur askujt s’po i bënte përshtypje ajo gati si zënkë. Edhe qytetari me fëmijë në qafë nuk e ndali hapin, zdirgjej sikur të ishte hallkë në zingjir. Sapo e kaluam, pa ndërruar shikimet për së afërmi, shoqëruesi zuri të mërmërisë nëpër dhëmbë:

- Shkërdhatë qeni! Është nga ata të SHIK-ut, këlysh i Salës, - shfryu.

Mirëpo mua tani, kur dëgjova t’i thoshte këto fjalë, sikur m’u duk shumë tolerant.

Pas pak lëshuam gurishten dhe po ecnim ca rrugëve të ngushta, të ngurta, me mure e gardhiqe përanash. Aritëm te një shtëpi e vogël, e rrethuar me mur guri. Shoqëruesi trokiti në derë. Derën e hapi zonja e shtëpisë, motra e Edit. Ajo ishte veshur në të zeza.

- Jam me një gazetar kosovar, që është i interesuar të takojë vëllain tuaj, - i tha motrës së Edit, e cila po na vështronte si e hutuar.

- Urdhëroni, - dhe e zgjati dorën për të na përshëndetur.

Pa ndërruar asnjë fjalë na priu drejt derës së shtëpisë. Shtëpia drejt së cilës shkonim, ishte njëkatëshe, me mur guri, pakësa e ulët. M’u duk se kishte vetëm dy dhoma dhe një korridor të vogël në mes. Hymë në dhomën e djathtë. Nuk kishte edhe aq shumë njerëz. Ndoshta hala nuk ishin kthyer nga arratija. Nuk mora vesh, nëse edhe ata që gjetëm aty, ishin arratisur apo jo. Dallova Edin që e kisha mbajtur mend nga dita e djeshme. Të gjithë sa ishin aty u ngritën në këmbë dhe u përshëndetën me ne. Shoqëruesi vari automatikun në korridor. Sapo zura vend në kauç buzë dritares, pasi aty ma liruan vendin, u shpreha ngushëllime, së pari Edit, pastaj gjithë të tjerëve. Pastaj bëra prezantimin tim. Edhe Edi bëri prezantimin e të pranishmëve, në mesin e të cilëve ishin edhe bashkëshortja dhe çuni, që kishin përjetuar tragjedinë. Edi u ul dhe në prehër mori çunin, që kishte një fasho në anën e majtë të kokës.

Pas një çasti bashkëshortja e Edit filloi vetëvetiu të rrëfente për ngjarjen.

“Pak çaste para se të shpërthente trazira e përgjakshme vendosëm, që unë me pleqtë e çunin, të shkonim në fshat. Mora makinën shtetërore të Telekomit dhe u nisa. Në të dalë të qytetit u qëlluam nga një makinë, të cilën e vozisnin mercenarët e Berishës. Unë i dhashë gaz dhe u futa në pompë të benzinës. Ata vazhduan të qëllonin prapë dhe kur unë lëshova me rrëmbim rrugën dhe u futa në pompë ata vazhduan tutje. Pronari i pompës menjëherë na ofroi ndihmë. Unë mora çunin e plagosur, kurse ai bashkë me ca të tjerë po nxirrnin prindërit. Sapo i nxorën dhe i shtrinë përtokë, më ngushëlluan, duke më thënë se kishin vdekur. Unë, duke qarë, shtrëngoja çunin...”

Edi e luti që ta ndërpriste dhe të kalonte në dhomën tjetër. Atmosfera u bë akoma më e pikëllueshme. Pas një heshtjeje plumb, një burrë i pranishëm zuri të fliste diç. Më pas e mori fjalën Edi dhe po tregonte se si kishte rrjedhur ngjarja. Edhe rrëfimi i tij ishte krejt identik me rrëfimet që kishin bërë të tjerët. Dikur ju luta për një intervistë. Ai e pranoi lutjen time. Hapa manjetofonin. Por, meqë më ka humbur kaseta me atë intervistë, bashkë me ca materiale e filma, nuk dëshiroj ta paraqes të reprodukuar vetëm nga kujtesa...

Sapo mbaruam intervistën, i kërkova leje që të shkoj, me arsyetim se më duhej ta gjeja Sandrin. Edi, dhe gjithë të tjerët, më falenderuan për vizitën ngushëlluese.

Kur arritëm me shoqëruesin në shesh, Sandrin e gjetëm duke më pritur. Kisha dëshirë të vizitoja edhe Familjen Mullaraj dhe familjet e viktimave të tjera, por Sandri m’u lut që të udhëtonim, pasi po ndjehej i shqetësuar nga tmerri që kishim përjetuar. Nuk e kundërshtova, me shpresë se do t’i vizitoja një ditë tjetër. Shoqëruesit ia dhashë tre shteka cigare “Dunhill”, me lutje që një t’ia jepte Edit, tjetrën Ylli Mullarajt dhe të tretën ta mbante për vete. Ai provoi kto të refuzonte, që ta merrte një shtek për vete.

Gjatë gjithë rrugës për në Gjirokastër unë dhe Sandri nuk pushuam së biseduari.

Kur arritëm aty, shkuam te Pallati i oficerëve, pasi atje gjithsesi mund të mësoje ndonjë të re. Nga të pranishmit, që qëndronin grupe-grupe, mësuam se po mbahej mbledhja për formimin e një “komiteti”, pasi kishin ardhur përfaqësuesit e shtabeve/komiteteve të shumë qyteteve. Takuam edhe Odisenë. Para sallës bënin roje kryengritës. Në oborrin e Pallatit qëndronin grupe njerëzish të armatosur nga rrethe të ndryshme, që shoqëronin përfaqësuesit e tyre në atë mbledhje. Biseduam me njërin nga ata të Vlorës. Ai na tha se armët nuk kishin ndërmend t’i dorëzonin, deri sa të mos jepte dorëheqje diktatori Berisha. Po kështu tregoi se kundër diktatorit Salë do të ngritet edhe popullsia në Veri, me shpjegim se edhe ajo është e goditur po aq, sa edhe popullsia e Shqipërisë Jugore.

Nuk vonoi dhe mbledhja përfundoi. Në fund të mbledhjes z.Agim Gozhita, i shoqëruar nga z.Arben Imami, mbajtën konferencë shtypi. Z.Gozhita lexoi vendimin e mbledhjes (të cilin, në mungesë të inçizimit të humbur, vetëm po e parafrazoj), ku thuhej, pos tjerash, se përfaqësuesit e shtabeve e të komiteteve të qyteteve të Shqipërisë së Jugut, formuan Komitetin kombëtar për shpëtimin publik, se përshëndetej tryeza e partive politike në Tiranë, si hapi i parë drejt zgjidhjes së krizës, se kërkohej dorëheqja e Sali Berishës, etj.

Po në atë konferencë, z.Arben Imami, i pyetur se në çfarë cilësie merrte pjesë në atë mbledhje, bëri të ditur se kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake (të Aleancës Demokratike) për t’ju bashkuar lëvizjes popullore.

Paraqitja e z.Imami, bashkë me z.Ridvan Peshkëpia, qysh dje, në Gjirokastër, nuk më kishte gëzuar. Po aq, në mos më pak, duhet të jenë gëzuar ata, kur do të më kenë parë mua. Njiheshim që nga vitet 1991/92...

Tani z.Imami pozonte në atë konferencë shtypi me një fodullëk të rëndë, të cilin, me gjasë, më shumë duket ta ketë natyror, se sa të shtirur. Prandaj mezi prisja të përfundonte konferenca.

Në fund të konferencës me Sandrin, Mondin (Rajmond Kola) e Odisenë shkuam drejt banesës së Sandrit, pasi e kishte më afër nga të tjerët, dhe, nuk kishte njeri në banesë. Prej aty, Sandri e Mondi donin t’ua përcillnin korrespondencat radiostacioneve përkatëse BBC e VOA. Odisea nuk u ngjit fare në pallatin e Sandrit, me shpjegimin se i duhej të shkonte për të përgatitur korrespondencën për DW.

Deri sa Sandri e Mondi po përgatisnin korrespondencat, unë shikoja televizionin. Ndërkohë edhe Mondi shkoi në banesën e tij, pasi priste ta merrnin në telefon ata të VOA-s. Mbetëm vetëm unë e Sandri.

Unë po përcillja TVSH-në. Papritur, TVSH-ja dha lajmin për emërimin e z.Bashkim Fino si Kryeministër i Shqipërisë. Me Sandrin vendosëm t’i shkojmë menjëherë në banesë, pasi z.Fino ishte rreth 300 metra afër. I telefonova Odisesë. Ai përtoi të vinte me ne, pasi ishte më larg. U morëm vesh që unë t’i marrë z.Fino një intervistë të shkurtër për DW.

Z.Fino u befasua për atë vizitë aq të shpejtë. Në dhomë gjetëm ca fqinjë të tij. Ai na njihte që të dyve, prandaj nuk pati nevojë të prezantohemi. Unë menjëherë fillova t’i bëj fotografime. Ai fillimisht kundërshtoi, me arsyetimin se ishte i veshur me rroba shtëpiake. “Origjinaliteti e thjeshtësia nuk ia ulin vlerën personalitetit”, - i thashë unë. Përkundrazi.

Bisedat telefonike nuk kishin të mbaruar. Sa mbaronte së foluri dhe lëshonte receptorin, telefoni cingëronte sërish. Gjatë një pauze Sandri ju lut t’i jepte një intervistë të shkurtër për BBC-në. Z.Fino u dakordua, duke e lutur një burrë që të ulej pranë telefonit dhe t’i merrte thirrjet telefonike. Pastaj ia afrova edhe unë manjetofonin.

Sandri propozoi të shkojmë menjëherë që t’i përcjellim intervistat. Nga banesa e Sandrit telefonova në Redaksi të DW, meqë emisioni ishte në ora 17.00. Sandri kishte edhe pak kohë, pasi BBC i jepte lajmet në orën 19.00. Redaksinë e DW e njoftova se do t’ua ofroja një intervistë të shkurtër me z.Fino. Kështu, ajo intervistë ishte e para përgjithësisht, që u emetua publikisht përmes eterit. Edhe Sandri ia përcolli BBC-së. Ndërkohë telefonoi Odisea. Më bëri të ditur se i kishte telefonuar Redaksia e DW dhe e kishte porositur që të bënte intervistë më të gjatë për emisionin e orës 19.30. Ai më pyeti nëse kishte kuptim t’i shkonim aq vonë në banesë për intervistë. Përfundimisht u dakorduam t’i shkonim, me arsyetim se gazetari nuk duhet të hezitojë, kur i jepet shansi të ishte i pari në dhënien e një lajmi.

Kësaj radhe qëndruam më gjatë te z.Fino, pasi hasëm në një mikpritje bujare. Prapë vazhdova të bëhem i bezdisshëm me fotografime. Të gjithë që ishin aty dëshironin të fotografoheshin me të. Unë nuk ua prishja.

Pasi Odisea kreu intervistën me z.Fino, ia shtruam vëllazërisht me biseda me raki.

Unë nuk ngurrova të pyes:

- Bashkim, a mund të na tregosh se si ndodhi të të zgjedhin pikërisht ty, kaq papritur?

- Pse jo, - u përgjegj ai thjesht, pa fije ngurrimi e përtese.

- Pasdite më telefonuan nga Kryesia e PS. Më propozuan dhe m’u lutën që të pranoja detyrën e kryeministrit për Qeverinë e pajtimit kombëtar në bazë të Deklaratës së partive politike të 9 marsit. Ata të Kryesisë më shpjeguan se Presidenti Berisha u kishte thënë që të gjenin një kandidat për kryeministër, duke i lutur që të gjenin një kandidat të moshës së re, jashtë Tiranës, që nuk është i implikuar në ngatërresat e atjeshme ndërpartiake. Kryesia i kishte lutur pastaj dy veta para meje, siç më informuan. Por ata nuk kishin pranuar. Unë ju përgjegja se nuk kundërshtoj, nëse Kryesia e partisë sime e sheh të arsyeshme. Natyrisht se ju thashë se nuk e ndjej veten të aftë për ta ushtruar këtë përgjegjësi. Ata më siguruan përkrahjen. Pastaj kryesia ia ka përcjellë Presidentit emrin tim dhe ai e ka miratuar, duke më dekretuar për Kryeministër.

- Nuk keni frikë të shkoni në këtë situatë në Tiranë dhe të ushtroni përgjegjësinë e Kryeministrit? – ishte pyetja tjetër që i bëra.

- Nëse e do interesi i Shqipërisë, le të vritem. Pranova të bëhem Kryeministër për hir të Shqipërisë. Shqipëria duhet ta kapërcejë gjithsesi këtë krizë të rëndë, këtë katastrofë, që të bëhet shtet demokratik, i konsoliduar e i përparuar. Kombi ynë është i zgjuar dhe nuk e meriton këtë që po e përjeton, - u përgjegj z.Fino, duke i dhënë ngjyrë serioze zërit. Sikur dëshironte të na e mbushte mendjen, se vërtetë nuk kishte fare frikë, sado që duhej të ishte i vetëdijshëm për rrezikun, edhe jetësor, që e priste.

- Z.Fino, do më lejoni t’ua bëj një pyetje të papritur? – ishte pyetja pasuese që i drejtova.

- Vetëm urdhëro, - u përgjegj ai.

Vërtet më dukej e pavend pyetja që vendosa t’ia bëj, por mendova se nuk është edhe aq e tepërt. Nuk ishte vetëm kurioziteti në pyetje.

- Dini gjë për Republikën e Kosovës?

- Bile duhet të dij më shumë se sa mund të supozosh ti për mua. Vëllezërit tanë atje, janë pjesë e kombit tonë. Po bëjnë përpjekjet titanike për t’u çliruar nga pushtimi serb Shqiptarët në Republikën e Kosovës u takon e drejta për vetëvendosje dhe po bëjnë mirë që po këmbëngulin për ta jetësuar atë. Kjo që i ka ndodhur tani Shqipërisë, sigurisht që i ka goditur shpirtërisht dhe konkretisht vëllezërit tanë në Kosovë. Gjithashtu kam idenë se atje nuk po punohet e sakrifikohet sa duhet. Kam dëgjuar, se vëllezërit tanë atje, nuk janë të informuar sa duhet e si duhet, për gjendjen e gjërat në Shqipëri. Kapërcimi i kësaj që po përjetojmë, me sakrifica sa më të vogla, konsolidimi i shpejt i demokracisë së mirëfilltë këtu, sigurisht që është një ndihmesë e madhe për Kosovën. Do të kisha shumë për të thënë për këtë temë, por tani jemi të pakohë.

Pasi mbaroi këtë përgjigje, nxitoi të më thotë:

- Eja ta bëjmë një fotografi së bashku, - dhe luajti vendit, duke dëshiruar të më sinjalizonte se po më bënte vendin ku duhej të ulesha. Këtë propozim e kuptova edhe si një taktikë, që të mos i bëja më pyetje të tjera. U ulëm pranë e pranë dhe bëmë fotografi, duke na fotografuar njëri nga të pranishmit me aparatin që kisha unë.

Gjatë kësaj kohe fjalën e morën të pranishmit e tjerë.

- Mirë që ke qëlluar këtu për të përcjellë ngjarjet dhe besoj se keni parë se nuk është një pyetje kurrfarë urrejtje, larg qoftë, armiqësie krahinore, - e mori fjalën sërish Bashkimi. Jemi të gjithë vëllezër. Pakënaqësia e një pjese të madhe të popullit, por jo vetëm në jug, ndaj pushtetit të Tiranës, pati arsye të bollshme. Pushteti ndaj kësaj pakënaqësie u tregua tepër i vrazhdët. Populli ka një fjalë të urtë: “Kush mbjell erë, korr furtunë.” Janë shpifje ato që lansonte pushteti i Tiranës kundër protestave të popullit. Por, e shkuar e harruar, siç e thotë populli. Tani u bë marrëveshja e mirëpritur ndërpartiake, do të thosha, pasi kombi nuk ishte i përçarë, për të thënë pajtimi kombëtar. Të shpresojmë se do të bëhemi mirë. Ta çojmë një gotë për Shqipërinë. Gëzuar!

Bashkimi tek fliste ngjante sikur bënte deklarata zyrtare. Por ama, tepër i thjeshtë dhe tepër modest. Po më mbushej mendja se ishte trim, siç kisha dëgjuar pak çaste më heret, pasi nuk ishte edhe aq e thjeshtë të pranoje detyrën e një kryeministri në atë situatë. Shtoja kësaj edhe moshën e tij të re – 34 – vjeçare.

Në bisedë zunë të inkuadrohen të pranishëm të tjerë, dhe tani dukej sikur po bëhej garë se kush do të thoshte fjalë më të mëdha. Unë fillova të merresha me fotografimin e familjes së Bashkimit, pasi nuk isha i interesuar të dëgjoja llogjet e fjalëmëdhenjve të rastit. Pasi kreva fotografimin, i propozova Odisesë që të shkojmë. Me z. Fino u përqafuam e u shtrënguam vëllazërisht.

Nuk e fsheh, gëzimin e kisha të madh, për këtë rastësi të këndshme që më takoi të provoja.

Atë natë ndjehesha më i lehtësuar, sado që vazhdoja të kisha njëfarë droje se z.Berisha s’po bënte veçse një lojë taktike e mashtruese...

Shkova te Xh.Thimioja, ku e kisha “bazën”, siç shprehej ai me nostalgji për kohën kur kishte qenë partizan. Xheka atë natë hala nuk ishte këthyer në “bazë”. Xha Thimion dhe Xhekën i kisha tepër të nevojshëm për t’u relaksuar nga lodhjet e përplasjet e ditës...
Retrospektivë 2

Nuk e kisha pyetur më kot zotin Fino për Kosovën. Kam patur dikur, jo shumë vjet më parë, një përvojë të hidhur me disa zyrtarë të Tiranës, në vitin 1991, pikërisht për këtë temë.

Pas shumë peripecive, me 30 dhjetor 1990, munda të vij si turist në RPS të Shqipërisë, me një grup turistësh shqiptarë nga Norvegjia. Ata kishin marrë vizë grupi në Ambasadën shqiptare në Stokholm. Kompetentëve të ambasadës, për “gabimin” që kishin bërë duke më lëshuar vizë, u kanë dalë mjaft probleme me pushtetin e Tiranës.

Në portin e Durrësit kishte dalë të më priste, hiç më pak se Luan Pobrati, shefi i Sigurimit për mbikëqyrje të “turizmit”. Më tregoi kriteret se si duhej të sillesha, çfarë ishte e lejuar dhe çfarë ndalohej në udhëtimin tim të parë në Shqipëri.

Me vete kisha filmin dokumentar “Kosova – ndërgjegje e vrarë e Europës” realizuar nga regjisori Ymer Ismaili. Kopien e filmit e kisha në kasetë profesionale U-matic.

Dëshiroja t’ua tregoja të gjithëve përmes emetimit nga RTSH. Heshtje dhe një mal burokracie. Kjo ishte një heshtje e çuditshme, që nuk mund të spjegohej vetëm me situatën.

Pas disa ditëve, e humba durimin për t’iu përmbajtur kritereve të Luan Pobratit, kryesisht se në Shqipëri takova në qytetarë vendës, apo edhe zyrtarë, që ishin edhe më të painformuar e më të painteresuar për Kosovën se, ta zëmë, një qytetar i zakonshëm gjerman. Mendova të bëj një konferencë shtypi dhe shumë tubime informative në Tiranë për gjendjen në Kosovë.

Në konferencën e shtypit, e para e këtij lloji në Tiranë, pos të tjerash, informova rreth peripecive për shfaqjen e filmit dhe refuzimit të marifetshëm zyrtar për të mos e shfaqur. Regjisori Kujtim Çashku, krahas informimit, bëri vlerësimin dhe propozoi që Bashkimi i Gazetarëve, t’i drejtohej RTSH-së me kërkesën për shfaqjen e filmit.

Aktivitetet për Kosovën, në muajin janar 1991, e shqetësuan pushtetin e atëhershëm, “të diktaturës së proletariatit”, aq shumë, sa ai refuzoi kërkesën time për të vazhduar lejen e qëndrimit deri më 4 shkurt, pasi viza ime ishte e kufizuar deri më 31 janar 1991.

Probleme të ngjashme kisha patur edhe me zyrtarët shqiptarë në vitin 1992. Tani isha i interesuar të dija: Ishte shumë e mundëshme që një klasë e re politike po vinte në Shqipëri. Sa e njihnin ata çështjen e Kosovës?

Gjirokastër / Tepelenë

(e mërkurë, 12 mars 1997)

Si rëndom, u zgjuam herët. Para se të dal, i bëra telefon Odisesë e Sandrit. Pa kuptuar shkuam në vendkëmbimin e valutave. Mësuam se leku ishte zhvlerësuar dukshëm. 1. – DM kishte kapur 100 lekshin. Pastaj shkuam në klub/restorantin, ku kishim lënë të takoheshim. Aty, në një tavolinë të gjatë, buzë banakut, ishin ulur Bashkim Fino, Ylli Asllani, Agim Gozhita dhe plot të tjerë. Aty morëm ves se po pritej helikopteri nga Tirana për ta marrë z.Fino. Helikopterit i ishte dhënë leja nga Shtabi qytetar për të ateruar. Tani ata, si duket, po pinin kafenë përcjellëse, të shoqëruar me muhabete rasti. Pa i pyetur, shkrepa aparatin, për t’i patur ashtu të bashkuar në celuloid.

Rreth orës 09.00 z.Fino doli nga lokali për t’u nisur për në Tiranë. Në atë moment e rrethuan ca gazetarë dhe ai po bënte një si deklaratë. Ishte i rrethuar nga qindra njerëz që ishin të interesuar ta përcillnin, shumica nga ata, të armatosur. Prandaj me vonesë hapa manjetofonin dhe kapa një pjesë të kësaj deklarate.

Përgjegje: (...) dhe njëkohësisht për detyrat tepër tepër të rëndësishme e dramatike që i ka sot gjithë Shqipëria. Në këto momente vetëm mesazhe të mirëkuptimit mund të jepen dhe populli të jetë i qetësuar nga kjo. Sepse, nëse populli nuk qetësohet, çfarëdo lloj qeverie ose zgjidhjeje, nuk bën punë. Po s’u qetësua ky popull, nuk kanë rëndësi qeveritë. Ato mund të ngrihen e, mund të bien në çdo kohë dhe shumë shpejt.

Pyetje: Detyra juaj e parë është që ju do të ftoni popullin për t’i dorëzuar armët?

Përgjegje: Detyra ime e parë është të bisedoj me popullin, të dialogoj një herë, të dialogoj me të gjitha forcat politike, le të na thotë populli se çfarë kërkon realisht, dhe mbasandaj do të arrijmë në konkluzion, se çfarë do të bëjmë. Pastaj populli do t’i dorëzojë me dëshirën e vet armët. Nuk mund të dorëzohen me urdhër armët. Ne, pikërisht, ndaj jemi qeveri nga të gjitha forcat politike, që me dëshirë t’i themi popullit “dorëzoj armët” dhe t’i kthehemi punës dhe t’i kthehemi mirëkuptimit. Të jeni të bindur, në qoftë se nuk arrihet ky dialog e ky mirëkuptim, unë po ua them që pa u nisur në Tiranë, se kjo qeveri do të bjerë shumë shpejt.

Prej aty z.Fino shkoi në banesë për t’u përshëndetur me anëtarët e familjes. Ndarja ishte tepër prekëse. Nëna e moshuar, mbase kishte arsye më së shumti, jo vetëm pse ishte nënë, si të gjitha nënat. Ajo kishte mbetur e ve në moshë të re, në muajin e gjashtë të shtatzanisë. Pra ajo, Bashkimin e kishte lindur pas vdekjes së bashkëshortit. Nuk ishte martuar më dhe Bashkimin e kishte rritur vetë, me thonjtë e duarve, siç i thonë një fjale, si të vetmin djalë. Ajo, bashkëshortja, fëmijët dhe të gjithë të afërmit, nuk kishin si të parashikonin fatin e z.Fino as edhe në orët pasuese, nga momenti i hipjes në helikopter. Po sikur dikush nga kryengritësit, i painformuar për lejen që kishte lëshuar Shtabi për aterimin e helikopterit, të qëllonte helikopterin në ajër? Pastaj, çfarë e priste atë në Tiranë, tashmë të trazuar e të rebeluar?

- Bir i nënës... – e thërriste nëna, pa mundur të shqiptonte fjalë të tjera.

- Ia vlen, nënë e dashur, ia vlen për Shqipërinë... – e shtrëngonte në përqafim Bashkimi i vendosur e trim, duke aluduar në vdekje të mundshme.

Fëmijët e vegjël, çuni dhe goca, s’i shkoqiteshin dot nga përqafimi...

Ndërsa unë afër, fare afër, sikur ua ndjeja edhe frymëmarrjen. Nuk dija nëse isha i lumtur ose i pikëlluar që po përjetoja ato çaste kaq afër. Nuk dija nëse po merrja pjesë në përcjelljen e tij drejt vdekjes. Nuk dija nëse po përcillja një fat apo një fatkeqësi për Shqipërinë, nuk dija nëse ishte një trim i zgjuar, apo një dështak. Sa shumë lidhje kishte Shqipëria në atë moment me individin që po përcillja. Çastet e kaluara me të më bënin të isha me shpresë, por ç’t’i bëja edhe dyshimit, që s’e prisja dot, të mos ma gërryente shpresën... Dhe, se si më shtynte njëfarë ndërdije vetëm të fotografoja, ndoshta për të përballuar që të mos shkrehesha në vaj nga ajo ndarje dramatike, e përzier me krenari, ose për të spostuar përqëndrimin nga mendimet, si copëza të thyera të mozaikut.

Pastaj karvani i makinave u vu në lëvizje, në përcjellje për në Fushën e avionave, menjëherë përtej “rrugës nacionale”. Unë futem në njërën nga makinat pa pyetur, që të mund të jem sa më afër deri në ngritje të helikopterit. Shoferi dhe qytetari tjetër i ulur krah tij më shikojnë me habi. Nuk më njihnin, por as nuk më pyesnin cili isha unë që futesha në makinën e tyre pa pyetur. Vinin nga Tepelena për ta përcjellë Kryeministrin e ri. Ndër përcjellësit edhe Ylli Asllani (Kryetar i Bashkisë, Nënkryetar i Shtabit qytetar, kuadër i PD), Agim Gozhita (ish gjeneral, Kryetari i Shtabit), e dhjetëra qytetarë të tjerë. Nga Tirana kishin ardhur dy veta me helikopter që ta merrnin. Lejen për aterimin e helikopterit e kishte dhënë Shtabi, i cili kishte garantuar sigurinë. Ç’kurajo! Si mund të garantohej siguria në ato çaste?

Hipja e z.Fino dhe nisja e helikopterit u përshëndet me breshëri të shtënash nga kryengritësit. Për këtë ata nuk e dëgjonin as edhe z.Gozhita, i cili thërriste që të mos shtinin. Unë nuk ngurrova t’i marr përshtypjen e çastit z.Gozhita.

Pyetje: Përshtypjet tuaja të çastit, ju lutem?

Përgjegje: Zoti Bashkim është kuadër i mirë, por e merrë detyrën në një situatë shumë të vështirë. E ka të vështirë ta normalizojë vendin.

Pyetje:: Çfarë qëndrimi do të mbajë Shtabi juaj ndaj tij?

Përgjegje: Shtabi ynë ka dalë me kërkesa dhe do t’u qëndrojë atyre kërkesave.

Prapë, pa pyetur, u futa në një makinë të gjirokastritëve që po ktheheshin në qytet. Më interesonte të dija përshtypjen e rastit të atyre që ishin në makinë.

Pyetje: Ju lutem përshtypjen e rastit për shkuarjen e z.Bashkim Fino si Kryeministër në Tiranë?

Përgjegje: Kjo ishte zgjidhja që duhej bërë në një periudhë kohe para dhjetë-pesëmbëdhjetë ditëve.

U kthyem në një restorant, ku ishim para nisjes së z.Fino. Aty takova Arben Imamin dhe Ridvan Peshkëpinë. Meqë njiheshim nga vitet 1991-92, nuk u erdhi mirë që më takuan aty. Prandaj mbanim një lloj distance. Se si nuk më interesonte të bëja ndonjë intervistë me asnjërin prej tyre, por as ata nuk e dëshironin këtë. Po gjurmonin gazetarë të huaj. Ardhja e tyre më dukej me hile. Shihej se dëshironin të përfitonin nga ajo lëvizje, pa patur ndonjë meritë. Në një moment bëmë sikur po njoftoheshim me z.Peshkëpia, edhe pse më kishte rastisur të jem mysafir në shtëpinë e tij në Tiranë në vitin 1992. Dhe, sapo iu “rikujtova”, ai e pa të arsyeshme të më bënte edhe një pyetje “interesante”: “Vazhdon të jesh marksist?” Kjo pyetje se si m’u duk artificiale, tepër primitive, tepër provokuese dhe me një qëllim dytësor për momentin e rrethanat. Në vend të përgjegjes, i bëra pyetjen: “Përse tani, në këto rrethana, pikërisht këtu, ma bën këtë pyetje, moj rrotë qeni?! Mos ndoshta pse prania ime këtu po ju pengon...” Pa e pritur shfryrjen e dufit tim deri në fund ndaj kësaj pyetjeje hileqare, ai e uli kokën dhe u drejtua drejt daljes.

Në atë moment, se si u gjetën dy gazetarë amerikanë, që treguan interesim për të intervistuar z.Imami. Unë shfrytëzova rastin t’u afrohem dhe të përcjellë atë intervistë. Më ishte dukur tepër artificiale dhe taktike deklarata e z.Imami, se kishte dhënë dorëheqje nga postet partiake dhe na i ishte bahkangjitur lëvizjes së atyshme popullore, e bërë në konferencë shtypi. Unë nuk e pyeta, nëse do të më lejonte të inçizoja. z.Imami nuk bëri ndonjë reagim refuzues. Kështu unë ruajta durimin të inçizoj gjithë atë intervistë prej rreth 40 minutash, por në gjuhën anglishte (të cilën as që po e marr mundimin ta përkthej, qoftë edhe ndonjë fragment).

Prej aty shkuam në Tepelenë, unë, Sandri dhe Mondi, pasi u informuam se z.Imami e z.Peshkëpia kishin paralajmëruar mbajtjen e një metingu me popullin e Tepelenës në ora 13.00. Me vete morëm minoritarin grek Jorgo Zhanga, Drejtor i gazetës së pavarur “Fjala sot”, qytetar i Tepelenës. Edhe ai ishte me profesion gazetar dhe Sandri e Mondi e njohën kur e panë duke pritur ndonjë makinë në rrugë. Biseda gjatë rrugës ishte interesante. Me kërkesën time Jorgoja shpjegoi shumë dukuri lidhur me minoritarët grekë, lidhur me qëndrimin e tyre në këtë situatë. M’u duk interesant rrëfimi mbi qëndrimin e tij në Greqi, ku e kishte ndjerë veten emigrant, mbi integrimin e minoritarëve në Shqipëri dhe interesimin e tyre për të jetuar në Shqipëri, ku e ndjenin veten qytetarë vendës, etj.

Sapo arritëm në Tepelenë, menjëherë vajtëm në Komitet, aty ku e kishte selinë Këshilli/Komiteti/Shtabi qytetar. I gjetëm anëtarët e tij. U shtruam në bisedë. Ndërkohë z.Ceka dhe z.Kamberi ua dhashë intervistat e zbardhura në letër, që kisha bërë me ta me 6 mars, që t’i firmosnin. I lexuan dhe m’i kthyen të firmosura. Nga një kopje ua lashë, pasi dëshiruan që t’i kenë.

Në vazhdim, i pyetëm anëtarët e Shtabit/Komitetit, nëse qytetarët po tregonin interesim për metingun e paralajmëruar nga z.Imami e Peshkëpia. Nuk e kapa se cili nga të pranishmit u përgjegj: “Ç’meting ore, nuk do t’i dëgjojë njëri, pasi ndaj tyre dyshohet të jenë grekofilë!”

Po afronte ora 13.00. Para se të delnim jashtë, për të përcjellë metingun, bëmë një bashkëbisedim me anëtarë të Komitetit qytetar. Fillimisht pyetjet ia drejtuam z.Sotir Ceka, kryetar i Këshillit të Rrethit të Tepelenës, kryetar i PD për Tepelenë dhe së fundi kryetar edhe i Shtabit qytetar.

Pyetje (Mondi): Cila është gjendja pas trazirave të ditëve të fundit dhe çfarë po bëni ju si përfaqësues të një organizimi që është krijuar në qytet që të siguroni jetën normale?

Përgjigje: Në përgjithësi gjendja duket e qetë. Megjithatë, vazhdon të ketë veprime të pakontrolluara. Konkretisht, ditën e djeshme në Tepelenë, janë zaptuar disa institucione publike nga njerëz të ndryshëm të qytetit të Tepelenës. Shtabi qytetar (siç e quante veten tani; vërejtja ime), i krijuar në Tepelenë menjëherë pas krijimit të gjendjes së jashtëzakonshme, u krijua me idenë dhe me detyrën për të eliminuar në çdo moment gjakderdhjen që mund të ndodhte aty, njëkohësisht të amortizonte në pafundësi çdo veprim të gabuar i cili do të cënonte jetën e qytetarëve dhe jetën e institucioneve në Tepelenë. Mendoj se një farë e kemi luajtur, pavarësisht se forcën morale e ligjore nuk kemi arritur ta zotërojmë, sepse ne po u bëjmë thirrje qytetarëve që kanë zaptuar këto institucione sot që t’i lirojnë, sepse ato do të duhen edhe nesër dhe aktualisht ata nuk po dëgjojnë, por vazhdojnë të ngulin këmbë në kërkesën e tyre. Ne menjëherë, gjatë këtyre ditëve, mbasi u pa njëfarë qetësimi, si pushtet lokal, kërkuam menjëherë të organizonim veprimtarinë e gjithë pushtetit lokal. Para disa ditësh mblodhëm gjithë kryetarët e komunave, biseduam me ta për gjendjen që është krijuar, për masat që duhet të marrim, për zgjidhjen e kërkesave, aq sa do të kemi ne mundësi për t’i qetësuar njerëzit, për t’mos pasur frikën e mbetjes pa bukë, e mbetjes pa ushqime. Njëkohësisht kërkuam që menjëherë, të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet që janë në Tepelenë, të vihen në efiçiencë të plotë. U bëmë thirrje të gjithë drejtuesve të institucioneve që të shkojnë në krye të detyrës, të mbledhin të gjithë punonjësit e tyre dhe për aq sa është e mundur, të vihen në funksionim të plotë. Po bëjmë të pamundurën për të ruajtur kontrollin ndaj çmimeve që në këto momente një pjesë e tregtarëve po mundohen të abuzojnë. Po interesohemi, po bëjmë të pamundurën për të siguruar miellin për furrat e bukës në Tepelenë. Njëkohësisht po marrim masa edhe për furnizimin e të gjitha fshatrave të Tepelenës me grurë në bazë të gjithë dispozitave, udhëzimeve dhe rregullave që ka ndërmarrja e rezervave të shtetit në Tepelenë. Mendoj që diçka është arritur, diçka është futur në vijë tani, për të zotëruar gjendjen, për të krijuar një besim tek njerëzit, për të krijuar një optimizëm për ditët që do të vijnë.

Pyetje (unë): Dje duhet të keni dëgjuar për formimin e Komitetit kombëtar për shpëtimin publik. Cili është qëndrimi i Shtabit qytetar të Tepelenës ndaj atij Komiteti?

Përgjegje: Dje ne u mblodhëm si shtab, si komitet qytetar, siç mund ta quajmë, dhe morëm vesh që në Gjirokastër ishte krijuar një organizëm, i cili kishte disa kërkesa të tij. Ishim të gjithë të një mendjeje këtu, në unanimitet të plotë. E para, ne nuk kishim autorizuar asnjë njeri që të shkonte në emër të këtij organizmi që është krijuar në Tepelenë, dhe e dyta, ne aktualisht nuk jemi për krijimin e një force të tretë në Shqipëri në zonat e jugut, e cilado të paraqesë kërkesat e saj në këtë situatë që jemi.

Pyetje (unë): Si e pritët emërimin e z.Bashkim Fino si Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar?

Përgjigje: Është pritur pozitivisht emërimi i Bashkim Finos, i cili njifet, të paktën në zonat e jugut, në qytetet e jugut, si njeri i aftë, si një njeri me komunikim mjaft të mirë dhe kemi besim që me qeverinë që ai do të drejtojë gjatë kësaj periudhe, do të arrijë që ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë ku ka rënë.

Pasi mbaroi intervista me z.Ceka, atëherë bëra pyetje se cili ishte kompetent për të folur në emër të PS-së së Tepelenës. Disa veta, pak si në shaka, propozuan z.Ajdini, meqë z.Kamberi ishte zënë me leximin e intervistës së tij. Edhe ai, si në shaka, tha se nuk frikësohej të fliste, me paralajmërimin se shpreh mendimin individual, pavarësisht se është kuadër i PS-së në Rreth.

Pyetje: Z.Ajdini, ç’mendim ka Partia Socialist këtu në Tepelenë rreth Komitetit kombëtar për shpëtimin publik që u formua dje në Gjirokastër?

Përgjegje: Mendimi im personal është që ky Komitet duhet të jetë në funksion të atij qëllimi kryesor që ishte – rrëzimi i diktaturës së Sali Berishës dhe vendosja e një demokracie të plotë në Shqipëri. Nuk mendoj dhe jam kundër që ky Komitet të jetë palë e tretë në formimin e një qeverie të re. Gjithashtu për forcat politike që marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët, që krijuan Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, mendoj që pajtimi kombëtar duhet të fillojë direkt nga lirimi i atyre që vuajnë prej vitesh nën regjimin e Berishës,, pikërisht lirimi i Kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano dhe të Kryetarit të Partisë së Unitetit Kombëtar Idajet Beqiri. Ky do të ishte hapi i parë dhe siguri e parë që populli do të fitonte besim, sepse udhëheqja kryesore e PD-së po reflekton. Në qoftë se nuk lirohen këta, nuk mund të ketë pajtim, nuk mund të ketë liri.

Kaloi ora 13.00 dhe nuk po dukej asgjë nga metingu i paralajmëruar. As z. Imami dhe z.Peshkëpia nuk po dukeshin gjëkundi. Dikush informoi, se metingu nuk do të mbahej, pasi anëtarët e Aleancës Demokratike në Tepelenë paskëshin njoftuar para një ore zotërinjtë Imami e Peshkëpia, se mungon interesimi i qytetarëve për t’i dëgjuar.

Para se të ktheheshim nga Tepelena, vendosëm të pinim kafe, me ftesën që na bënë drejtuesit e shtabit qytetar.

Ndërkohë, para se të largoheshim, e meqë do të ndaheshim edhe me minoritarin Jorgo (Zhanga), i propozova atij të bënim një intervistë të shkurtër. Dolëm jashtë që të mos ndjehej i penguar për të shprehur lirshëm mendimet.

Pyetje: Ju, z.Jorgo, si minoritar grek që jeni, si e vlerësoni gjendjen tani?

Përgjegje: Gjendja aktuale në Shqipëri, në jug në përgjithësi, ku ndodhemi ne, shkon drejt përmirësimit, shkon drejt qetësisë. Minoritarët, mesa i njoh unë, jo vetëm në Tepelenë, kanë qenë vazhdimisht vëllezër me shqiptarët, dhe kanë patur një mirëkuptim dhe një bashkëpunim të ngushtë edhe në këtë situatë të vështirë. Ata janë radhitur përkrah popullit me kërkesat e tij ndaj qeverisë dhe në përgjithësi kanë mbështetur revoltën e popullit dhe masat që janë marrë për të realizuar kërkesat e tyre, qoftë ato politike, qoftë dhe ekonomike, si të gjithë qytetarët e tjerë të këtyre anëve.

Pyetje: Si ju duket qëndrimi i mediave greke ndaj zhvillimeve aktuale?

Përgjegje: Kemi ndjekur nga afër mediat greke, sidomos “Ert 1” i cili kapet nga Tepelena përmes sistemit satelitor. Në përgjithësi kanë pasqyruar ngjarje të këtyre zonavet, por ka pasur një tendencë ekzagjerimi të ngjarjeve.

Lidhur me qëndrimin e Qeverisë greke, personalisht mendoj se i ka bërë një çik lajka z.Berisha dhe sidomos ftesa që i është bërë nga ana e Presidentit të Greqisë, pa u bërë akoma zgjedhja e tij President, nuk është mirëpritur, jo vetëm nga minoritarët, por as nga mbarë opinioni shqiptar. Ishte një mbledhje indirekte që i dha Presidentit Berisha dhe ndoshta një inkurajim që ai të tërhiqet me më shumë vonesë nga këto shqetësime të mëdha që ka në Shqipëri dhe të realizojë atë që po realizohet sot në tavolinën e rrumbullakët me partitë e tjera.

Me të arritur në Gjirokastër mësuam se Shtabi qytetar, i cili veten, që nga dita e djeshme, e kishte riemëruar Komitet i shpëtimit publik, kishte mbajtur mbledhje. Nuk e arritëm konferencën për shtyp, të mbajtur pas mbledhjes, si rëndom. Z.Sotiraq Manfo më ofroi Komunikatën, por vetëm që ta lexoja, meqë nuk kishte kopje, dhe nuk kishte ku ta kopjonte në Pallatin e oficerëve. Prandaj e diktova në manjetofon.
KOMUNIKATË

Komiteti i shpëtimit publik i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, i mbledhur menjëherë pas njoftimit për formimin e qeverisë teknike deri në zgjedhjet e parakohshme, diskutoi edhe një herë qëndrimin që duhet të mbajë ndaj Deklaratës së lëshuar nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar, i krijuar me datë 11.3.97 dhe vendosi:

1) Të konsiderojë krijimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në krye me Kryeministrin z.Bashkim Fino si realizimin e njërës nga pikat e kërkesës tonë.

2) Komiteti i shpëtimit publik i Rrethit, duke shprehur dhe vullnetin politik të popullit të Rrethit të Gjirokastrës, këmbëngul në pikën e parë të kësaj Deklarate, ku theksohet dorëheqja e pakushte e Sali Berishës. Me këtë rast kujtojmë se armët në duart tona janë pikërisht kundër diktaturës së Sali Berishës.

3) Mbështesim gjithashtu kërkesën e Deklaratës së Qeverisë së Pajtimit Kombëtar që ky Komitet të konsiderohet palë në përpjekjet që bëhen për kapërcimin e krizës së përgjithshme në vend.

Gjirokastër, më 12.03.1997

Kryetari

Agim Gozhita

(nënshkrimi)
Pas një vizite që i bëra Familjes së Odisesë, shkova për të pushuar në “bazë” te Xha Thimio.

Nuk më ra të pushoja gjatë, kur papritur cingërroi telefoni. Dikush pyeti Xha Thimion për Gjimnazin, të cilit, siç i thanë, i ishte vënë flaka. Të gjithë u shqetësuam, por njëherit u habitëm, se si nuk kishim hetuar gjë, edhe pse shtëpia e Xha Thimios nuk i kishte as 20 m larg. Bile, sikur të praptohej godina e Gjimnazit nga vendi i pjerrët ku ishte ndërtuar, siç munda të kuptoj, 67 vjet më heret, do të mbyste shtëpinë e Xha Thimios, e cila ishte përfundi dhe kishin vetëm një rrugë në mes.

Menjëherë u ngrita të dal. Xha Thimio nuk më la të shkoj vetëm, ai më shoqëroi. Me të hapur deriçkën e shtëpisë, që delte drejt e në rrugë të kalldrëmtë, pash vetëm tymin mu në mes të godinës në katin e tretë nga ana e poshtme. Pashë edhe një grumbull njerëzish që po mundoheshin të prisnin kabllon kryesore të rrymës, përmes të cilës furnizohej Gjimnazi. Bënte terr. Me vete mora fotoaparatin dhe manjetofonin.

Xha Thimio printe, duke u ngjitur shkallëve, për t’i dalur godinës nga ana e përparme. Ai po merakosej se mos do të rrëzohesha shkallëve të panjohura për mua.

Në anën e sipërme, afër hyrjes kryesore, hasëm në një kamion zjarrfikësish. Hyrjen kryesore dhe oborrin para godinës e ndriçonte kamioni. Në oborr nuk hasëm në njerëz, të cilët, qoftë si vullnetarë, qoftë nga kurioziteti, mund të ishin mbledhur; mbase vullnetarizmit të kohëve të shkuara, qoftë edhe për të shuar zjarrin, tashmë i kishte dalë boja. Sa për kuriozitetin, ishte kohë e pakohë për ta pasur, pasi gjatë atyre ditëve kishin ndodhur aq shumë ngjarje, sa nuk kishte mbetur më vend as për kuriozitet të vogla.

Hymë brenda. Xha Thimioja më udhëzonte, njëherit shfrynte së mallkuari: “Gjimnazin nuk na e dogjën as pushtuesit nazi-fashistë, tani po e djegim vetë! Është ndërtuar me ndihmat vullnetare të gjirokastritëve të kamur para 67 vjetësh...”

U ngjitëm shkallëve, drejt zërave që dëgjonim. Aty hasëm 7-8 veta, që nuk identifikoheshin nga shkaku i errësirës. Ishin edhe tre zjarrfikës, të cilët po merreshin me fikjen e zjarrit. Dhoma, pjesërisht arkiv, përballë shkallëve kryesore, ishte bërë shkrumb e hi. Zjarrëfikësit mundoheshin ta lokalizonin zjarrin në të, ndërsa edhe drejtori dhe ca mësuese e mësues përpiqeshin për të ndihmuar. Korridori ishte bërë pellg me ujë.

Ju drejtova njërit nga të pranishmit për të kërkuar leje për fotografim. M’u lut që të mos fotografoja, me arsyetim se nuk kishte pse të publikohej ky turp që po i ndodhte Gjirokastrës. Nuk këmbëngula me ndonjë arsyetim, pasi atmosfera ishte akoma më e zymtë, se sa errësira futë dhe tymi që ta zinte frymën.

Xha Thimios ia dhashë për t’i mbajtur aparatin dhe manjetofonin dhe u futa në dhomën e djegur. Fillova të shprush një grumbull prushi, nën të cilin shpresoja të kishin shpëtuar pa u djegur regjistrat. Njëra mësuese më tha se aty duhet të jetë një grumbull tabakësh të letrës për shaptilograf, prandaj nuk ishte dëm i madh edhe sikur të mos shpëtonin. Unë vazhdova të shprushja, pa e parë të arsyeshme ta kundërshtoja, duke nxjerrë dengje regjistrash, të cilët i nxirrja në korridor. Ata zunë t’i shprushin mësuesit e mësueset, duke i shikuar në dritë të një llampe xhepi. Ndërkohë i dëgjova të flisnin, se ishin regjistra. Atëherë edhe më me ngulm shprushja, që t’i shpëtoja që andej.

Gishti i madh i dorës së djathtë më ishte përcëlluar. Nuk doja t’ia dija për dhimbjen që po më shkaktonte, pasi e dija se nëpër atë Gjimnaz kishin kaluar njerëz të mëdhenj të kombit, si E.Çabej, I.Kadare, D.Agolli etj. Sikur më ishte mbushur mendja të bëhesha qoftë edhe prush, vetëm që ta dija se do të shpëtoja regjistrat ku janë shënuar emrat e këtyre personaliteteve, me të cilët, vërtet, kemi pse të krenohemi.

Në korridor po bisedohej, se cila dorë kriminale kishte mundur t’ia vinte zjarrin gjimnazit. Errësira e madhe dhe tymi s’i pengonte, kryesisht ca mësuese, të shfaqnin mllef, dyshime e mendime të lloj-llojshme. Mësuesit, bënin ç’bënin, mundoheshin t’i ndihmonin zjarrfikësit. Të gjithë thonin: “Të paktën na kanë shpëtuar klasa muze dhe arkivi.” E klasa muze ishte ngjitur për dhomën e vogël, të shkrumbuar.

- Të ketë qenë keqbërës apo antishqiptar? – u dëgjua një zë femre, sigurisht mësuese.

- Duhet të kenë qenë keqbërës, hajdutë, që dëshiron të përfitojë nga rasti për t’u pasuruar, - u përgjegj tjetra.

- Tamam, ashtu mund të jetë, pasi keqbërësi kishte thyer derën e dhomës poshtë, i bindur se aty do t’i gjente të paktën rrogat tona. Pasi nuk ka gjetur gjë poshtë, është ngjitur lart dhe ka hallakatur në këtë dhomë depo. Meqë edhe këtu nuk ka gjetur çfarë ka kërkuar, atëherë, nga inati, i ka vënë zjarrin, - ishte mendimi i zërit të tretë.

- Ku paskëshin qenë gjithë këta keqbërës që na dolën tani në skenë njëherësh?! – ishte pyetja e ngjyrosur me nuanca habie e mllefi, e bërë prej zërit të dytë.

- Si s’e kuptoke, lulëzuan e u rritën në këto pesë vite pushteti të korruptuar të Salës, - u përgjegj tjetra, duke e çuar mendimin tutje. – Ata përpara ishin angazhuar në punë të tjera, në bashkëpunim, sidomos me ata të Shikut, por edhe me policë, prokurorë, gjyqtarë e ndonjë nëpunës tjetër të Bashkisë.

- I marrtë mortja, sa të ligj që tregohen! – ia ktheu, ndoshta zëri i parë.

Pasi u siguruam se zjarri ishte fikur, vendosëm të largohemi. Isha bërë ibret nga hiri, prushi e uji.

Me t’u kthyer në shtëpi Xha Thimio zuri të më lavdëronte në superlativ. Unë isha i interesuar të përcillja lajmet e vona të TVSH-së dhe të radio e TV-stacioneve të ndryshme, dhe jo të dëgjoja lavdërimet e Xha Thimios. Lajmet po bënin të ditur se edhe në Shqipërinë Veriore e Qendrore, edhe në Tiranë, ishin zgjeruar trazirat, por nuk mund të merrej vesh tamam se ç’kahje kishin ato, kundër apo pro-Berishës.

Tashmë më ishte mbushur mendja, se S.Berisha, që këmbëngulte me çdo kusht të ruante postin, duhej përzënë me çdo kusht.

I merakosur bëra një mori telefonatash në Tiranë. Askush nuk dinte të më thoshte, se çfarë po ndodhte me të vërtetë. Thonin se dëgjonin pandërprerë breshëri të shtënash, por se nuk kishin guximin të dilnin jashtë.

Më në fund, kur po bija për të fjetur, Xha Thimio m’i mblodhi rrobat e zhytura gjatë zjarrëfikjes, me shpjegimin se do të m’i pastronin. Kundërshtova, pasi Xha Thimio ishte i moshuar dhe plakën e kishte të moshuar e të sëmurë, pastaj kishin shqetësime të mëdha për fatin e bijve, nipërve e mbesave, për ardhmërinë e tyre... Por ai nuk pyeste për punëra të tilla, dhe e bënte të veten.
Gjirokastër / Sarandë

(e enjte, 13 mars 1997)

Sapo u gëdhimë, si rëndom, me Xhekën shkuam në klub, në “Sheshin e Çerçizit” për të pirë kafe dhe për të dëgjuar se çfarë kishte ndodhur gjatë asaj nate. Aty, zakonisht, ndodhte ndërrimi i informatave, shkëmbeheshin mendime, bëheshin analiza.

Deri sa në mëngjezet e tjerë flitej për vjedhje të rëndomta, sot bëhej fjalë për një kriminalitet të veçantë. Gjatë natës banka ishte thyer me tank dhe ishte nxjerrë kasaforta metalike e rëndë 3 tonë. Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 04.00 (të mëngjezit). Ata që kishin parë këtë krim të sojit të vet, natyrisht spektakular, tregonin se rreth 20 persona të maskuar e të armatosur, hipur mbi tank, kishin hyrë në qytet dhe po me tank kishin thyer murin e bankës dhe ishin futur brenda. Pastaj me një litar të çelikut e kishin tërhequr zvarrë po me tank kasafortën jashtë qytetit, e cila kishte përfunduar në fshatin Lazarat (paralagje jugore e Gjirokastrës). Gjatë gjithë kohës, sa ishte kryer ky krim, ishin shkëmbyer të shtëna në mes të qytetarëve të armatosur, të organizuar për të mbrojtur qytetin, dhe kriminelëve plaçkitës. Çuditërisht nuk kishte të plagosur e të vrarë nga asnjëra palë.

Në pyetjen se kush kishin qenë të maskuarit që kishin bërë krimin, përgjegja ishte, se ata kishin qenë keqbërës nga Lazarati.

Në pyetjen se nga na dolën tani gjithë këta keqbërës dhe përse e shfrytëzonin kaq brutalisht e poshtërsisht situatën, përgjigjet ishin si në unision, se ata ishin pjesëtarë të bandave të organizuara, të fuqizuara sidomos gjatë sundimit të Berishës, me lidhje të ngushta me SHIK-un, policinë, prokurorinë, gjyqtarët. Vetëm kështu mund të shpjegohej siguria e veprimeve të tyre edhe në këto çaste. Përpara, këto banda ishin marrë kryesisht me kontrabandë droge, refugjatësh, prostitucioni, armësh, etj. Tani, siç shfaqnin dyshimin qytetarët, këto banda duhej të ishin yshtur nga banditë të SHIK-ut, për të bërë krime nga më të ndyrat, duke filluar nga djegie te deri te vjedhjet e plaçkitjet tepër ordinere, nga të cilat nuk kishin edhe aq shumë përfitime, por që bëheshin kryesisht për të komprometuar lëvizjen kryengritëse popullore.

Malësori Xhekë, kurdoherë që flitej për plaçkitje të dyqaneve e depove, identifikonte autorët. Edhe ai thoshte se ishin lazaratas dhe se i njihte. Për këtë mundohej të na bindte me njohjen e tre nga veprimtaritë kontrabandë në të kaluarën, me të cilën merrej edhe ai vetë, dhe në këtë fushë ata kishin patur zënka me kontrabandistë nga Shkodra e rrethina, për shkak të konkurrencës. Atë ditë Xheka tregoi se lazaratasit keqbërës e kishin lutur para dy ditëve që t’u bashkangjitej për të plaçkitur së bashku. Në pyetjen se përse nuk kishte pranuar, Xheka u përgjegj se nuk ua kishte besën, se frikësohej se mund ta vrisnin gjatë aksionit për t’u hakmarrë për të kaluarën ose për ta hequr qafe si konkurrues në të ardhmen. Në propozimin e bërë Xhekës, se a ishte i gatshëm të angazhohej me mua, nëse do të na lejonte e do të na ndihmonte Shtabi/Komiteti, për t’i zhdukur bandat e kriminelëve, për të cilët mendonte se i dinte, ai u tregua plotësisht i gatshëm dhe ishte i sigurtë se do t’i bënim zap, të bindur se kështu do të kontribuonim në mbrojtjen e qytetit të Gjirokastrës.

Prej aty, zbritëm poshtë te restoranti ku takoheshim mëngjezeve me gazetarët korrespondentë të radiostacioneve të huaja, me anëtarë të Shtabit/Komitetit dhe me personalitete të jetës politike, kulturore e shkencore.

Edhe aty, të gjithë po diskutonin për krimin e asaj nate. Bëheshin kritika ndaj Komitetit, ndjehej një pasiguri e pafuqi për t’u vetëmbrojtur.

Aty ishte edhe z.Agim Gozhita, kryetar i Komitetit Kombëtar për Shpëtim Publik dhe Komitetit qytetar, bashkë me anëtarë të tjerë dhe kryengritës të armatosur, që vullnetarisht ishin vënë në dispozicion të Komitetit.

- Ke kohë dy minuta për një bisedë të shkurtër? – iu drejtova.

- Patjetër, - m’u përgjegj me dashamirësi.

- Shkojmë ulemi në një tavolinë tjetër, - i thashë.

Sapo zumë vend, menjëherë konkretizova bisedën.

- Sonte kishte ndodhur një krim tepër i shëmtuar. Meqë dukej i veçantë e spektakolar, lajmet për të do të marrin botën. Përgjithësisht janë duke ndodhur krime të shumta, jo nga keqbërësit, siç po i quani ju me fjalorin tuaj tepër të butë, por nga kriminelët, të cilët nuk po ngurrojnë e nuk po frikësohen për të bërë çfarë u bie ndërmend. Edhe popullsia po ndjehet shumë e pasigurtë, po e humb besimin ndaj komitetit, sikur po bëhet pishman pse është ngritur në protesta e kryengritje, - ia thashë shpejt, pa i lënë mundësi të ndërhynte.

- I di të gjitha, - u përgjegj si pa të keq, por nuk kishte çfarë të bënte, siç lente përshtypjen.

- Ju mungon guximi ose forca për t’u ndeshur me këto banda kriminelësh? – e pyeta.

- Besoj as njëra e as tjetra, - u përgjegj.

- Atëherë përse nuk veproni? – e pyeta.

- Sepse kemi mendimin se nuk duhet të vritemi mes vete. Më mirë është të pësojmë dëme materiale, se sa të vritemi dhe kështu të komprometohemi para opinionit të vendit dhe atij botëror, - arsyetoi ai.

Rreth mesditës u përgatitëm të udhëtonim në Sarandë. Me mua e Xhekën shfaqi interesim të vinte gazetari Thanas Dino. Para nisjes, kaluam te shtëpia e Xha Thimios, për të pyetur nëse kishin ndonjë porosi për djalin e tyre që punonte e jetonte me familjen e tij në Sarandë. Atje ai ishte drejtor biblioteke dhe tani e kishte pësuar me djegien e saj. Xha Thimio merakosej për të ardhmen e tij. Ai nxori prej diku 5.000 lekë (të reja), të kursyera me sakrificë të madhe. Dëshironte të ndihmonte djalin e papunë, të renë mjeke dhe nipërit. M’i zgjati, por nuk ia mora, me shpjegimin se u duheshin për vete si hallexhinj që ishin, kurse djalin e tyre do ta ndihmoja unë në emër të tyre. Më porositën që t’i marrë ca ilaçe nga djali i tyre.

Gjatë rrugës, asnjë kontroll. Diku në Qafë të Mezinës u desh të ngadalësonim te një urë e vogël. Ajo kishte pësuar dëmtim nga minimi më 5 mars. Në të hyrë të Sarandës, në anën e djathtë të rrugës, ishte një tank. Asnjë njëri afër tij. Në anën tjetër të rrugës, në një si kolibë, ishte varur Flamuri, i cili valavitej nga një erë e lehtë. Bënte vapë dhe askush nuk dukej në rrugë.

Kthyem te hotel Turizmi, siç e quanin. Ishte demoluar si mos më keq, si mall i shtetit me të cilin ishin hasmuar aq shumë. Prej andej shkojmë për në qendër. Kërkojmë banesën e djalit të Xha Thimios. Gazetari Thanas njihej me të. Ai u gjet i befasuar nga ajo vizitë e papritur. Thanasi më prezanton. I tregova se kishte përshëndetje nga prindërit dhe se i kishin dërguar ca lekë. E morëm me vete që të na ndihmonte për të gjetur ndonjë anëtar të Shtabit qytetar. Na shoqëroi me dëshirë gjatë gjithë kohës sa ndenjëm në Sarandë.

Duke qëndruar para ndërtesës së Këshillit të Rrethit, ku shpresonim se do të gjenim ndonjë anëtar të Shtabit, por dera ishte e mbyllur, vjen me makinë z.Fuat Karalliu, nënkryetar i Shtabit, i shoqëruar nga ca djelmosha të armatosur Ai ishte nisur drejt portit, por ndaloi kur na pa ne. Na përshëndeti. Djali i Xha Thimios na prezantoi. Ai na kërkoi falje, se ishte pa nge, meqë në port ishin mbledhur shumë qytetarë. E luta për një intervistë të shkurtër. Ai pranoi.

Pyetje: Cila është gjendja tani në Sarandë?

Përgjegje: Gjendja aktuale në Sarandë është e qetë. Kaluan problemet e vështira të fillimit. Tani po shkojmë drejt stabilizimit të rendit dhe aktivitetit ekonomik dhe financiar të qytetit, pa anomali.

Pyetje: Cili është qëndrimi i Shtabit tuaj ndaj Qeverisë së Pajtimit Kombëtar?

Përgjigje: Ne jemi pro kësaj Qeverie dhe mendojmë se çdo gjë do të shkojë drejt stabilizimit.

Pyetje: Insistoni që përmes Komitetit kombëtar për shpëtimin publik të bëheni palë biseduese?

Përgjigje: Sigurisht që ne do të jemi palë biseduese dhe patjetër do t’i marrin në konsideratë kërkesat tona, pasi forcat që na vijnë nga mbrapa, do të jenë në çdo kohë nën kontroll. Pa u marrë në konsideratë kërkesat tona, ato forca nuk do të dalin jashtë kontrollit.

Nuk e zgjati më shumë, me se ishin shumë të zënë me shpërndarje të ndihmave humanitare që kishin arritur në port. I bëra një fotografi para se të futej në makinë.

Vazhduam të kërkojmë edhe z.Xhevat Koçiu, dikur kolonel, i larguar nga Ushtria në vitin 1992 në kuadër të “reformave”. E gjetëm në një magazinë të madhe të portit. Aty ishin grumbulluar qindra qytetarë dhe po prisnin të merrnin ndihmat. Depërtuam deri te z.Koçiu. Rojet e tij deshën të më pengonin. Z.Koçiu kur pa se po flisnim shqip, u afrua. Ishte burrë vigan, i pashëm, pa i mbushur të 50-tat.

- Shqiptar jeni? – më pyeti.

- Po, - ju përgjegja shkurt.

- I cilës gazetë?

- Do t’ua ofroj gazetave e radiostacioneve gjermane.

- Nga Gjermania vini?

- Po.

- Qenkeni nga Kosova, me sa po shoh?

- Po.

Sikur s’e priti “po”-në time dhe më kapi për qafe e më puthi.

- Rrofsh, të paskemi patriot, - më tha duke më mbajtur të përqafuar.

- Keni kohë të bëjmë intervistë? – e pyeta.

- Shumë shkurt, pasi, siç po sheh edhe ti, jemi shumë të zënë, - m’u përgjegj.

Pyetje: E ka Shtabi juaj gjendjen nën kontroll në Sarandë?

Përgjigje: Po. Aktualisht po mundohemi ta normalizojmë jetën e qytetarëve, të formojmë policinë, të ketë rregull e qetësi.

Pyetje: Do të dëgjohet nga ju Qeveria e z.Fino?

Përgjigje: Do ta mirëpresim dhe do të zbatojmë urdhërat e saj, në qoftë se do të bindemi se është qeveri për popullin.

Sapo përfundoi përgjegjen më kapi për qafe.

- Më fal, më duhet të merrem me organizimin e shpërndarjes së ndihmave.

- Shëndet, të mira e suksese! Mirupafshim! – ia ktheva.

- Mirupafshim! – ma ktheu dhe shkoi.

Të armatosurit vështronin përreth. U përshëndeta edhe me ta dhe u nisa drejt daljes. Ca xhipka më ndalën për t’u ankuar.

- Nuk po na jepin ndihma të bollshme, vetëm nga një pako.

- Aq kanë, aq mund të ndajnë, - u përgjegja unë dhe vazhdova drejt daljes. Qytetarët prisnin, pa zhurmë e shtyrje, duke pritur t’ju thirrej emri për të marrë pakon me ndihma.

Prej aty shkuam në një restorant privat, gjysma e të cilit ishte ngritur mbi ujrat e Detit Jon. Restoranti ishte i vogël, por simpatik. Nga sipër sikur nuk dallohej, pasi ishte pas një muri. Pronari ishte një shqiptar çam, i cili, siç tregoi, ishte dëbuar si fëmijë nga Çamëria, bashkë me mijëra çamë të tjerë.

Freskia magjepëse e detit dhe pulëbardhat të bënin të shplodheshe për merak.

Nikoqiri u ul me ne në tavolinë. Ai i sugjeroi bashkëshortes dy lloje vere, me shpjegimin se i kishim nga ai. Na tha që të mos merakoseshim për të porositur, pasi bashkëshortja do të përgatiste diç për miq të veçantë. Pastaj filloi vetëvetiu të rrëfehej. Unë fillova të mbaj shënime.

“Të shtunën, me datën 1 mars, rreth orës 20.00, filluan protesta të mëdha. Pas pak filluan thyerje e djegie. Gjatë natës janë djegur Dega (e policisë), 5 makina dhe objekte të tjera, ndër të cilat edhe biblioteka.

Të dielën, më 2 mars, i gjithë populli i qytetit doli në shesh. Protesta vazhdoi ditë e netë me radhë. Ndërkohë qytetarët u armatosën. Djelmoshat filluan të mbajnë rend e rregull. Aksidentalisht humbi jetën një fëmijë.

Oficeri i policisë Sokol Bizhga, i cili duhej të ishte nga Gjirokastra, siç kam dëgjuar, ishte personazh tepër negativ. Ai mundi të arratiset. Kolegu i tij, me gjasë tepelenas, u djeg nga bombë e tij. Ai e hodhi bombën mbi qytetarë. Akoma pa pëlcitur, dikush ia ktheu mbrapsht. Një oficer tjetër u kap. Ishte nga Vlora.

Shtabin e mbrojtjes e kanë organizuar kryengritësit. Figura qendrore të Shtabit janë Xhevat Koçiu dhe Fuat Karalliu. Forcat politike nuk janë të përfshira në Shtab, por të gjitha kanë marrë pjesë në mitingje. Ato e kanë përkrahur Shtabin dhe kryengritjen popullore.

Tani gjendja është e qetësuar ditën, por natën po ndodhin vjedhje e plaçkitje. Prandaj Shtabi ka ndaluar qarkullimin e njerëzve pas orës 19.00.”

Mbarova së shënuari në pika të shkurtëra rrëfimin e tij, ato që më dukeshin me rëndësi t’i kem në bllok.

Pasi hëngrëm peshq të përgatitur mirë, pimë verë, i lamë lamtumirën nikoqirit, me shpjegim se dëshironim të kthehemi për dritë, për të mos na ndodhur ndonjë e papritur.

U kthyem në Gjirokastër rreth orës 17.00. Shkuam te Pallati i oficerëve për t’u informuar nëse kishte pasur ndonjë aktivitet të veçantë. Gumëzhinte oborri i Pallatit nga qytetarët. Lokali i madh ishte përplot. Ndërkohë sikur dukej se njerëzit ishin ambientuar edhe në atë gjendje. Të shumtit mbanin armë mbi supe, kot së koti, me gjasë për të përforcuar ndjenjën e sigurisë. Aty u bëmë bashkë edhe me gazetarë të tjerë dhe shkuam të hamë darkën së bashku.

Pak para orës 20.00 u shpërndamë. Të gjithë ishim të interesuar të përcillnim lajmet e TVSH-së.

Me Xhekën shkuam në shtëpi të pleqëve Opuci. Ata u gëzuan shumë Na bombarduan me pyetje për djalin, të renë e nipërit. Ua dhamë edhe ilaçet që na i kishte dhënë djali i tyre për t’ëmën.

Në lajme mësuam se po zjente e gjithë Shqipëria, sidomos Tirana, Shkodra e Tropoja. E shkreta Teftë (Radi) mezi lexonte lajmet nën ushtimën e armëve. Zëri i dridhej dhe dukej se mezi mbahej pa ia plasur vajit në studio. Për këtë gjë, në mënyrë krejt origjinale dhe konform rrethanave, ajo u kërkoi falje e mirëkuptim shikuesve. Papritur lexoi edhe një komunikatë, për të cilën dukej se ia kishin vënë përpara në tavolinë, në kohën kur në ekran paraqiteshin inserte të gjalla nga gjendja e tensionuar e eksplozive në Tiranë. E mori në dorë dhe filloi së lexuari. Dukej se në atë moment po e shihte për herë të parë. Në fund u kuptua se ishte një komunikatë anonime, me përmbajtje tepër provokative. Përmes saj bëhej e ditur se ishte formuar njëfarë komiteti subordinar (verior), me shtrirje në gjithë Shqipërinë, thuhej në Deklaratën e gatuar “hajdarçe”. Leximi i asaj komunikate më shqetësoi tej mase.

Me padurim llogarisja kohën, kur spikerja Radi do të kthehej në banesë dhe ta merrja në telefon. Numrin e saj e kisha, meqë kohë më parë ma kishte dhënë bashkëshorti i saj, Françesku.

Pas rreth një çerek ore telefonova. U lajmërua Françesku. Ai u habit kur dëgjoi se i telefonoja nga Gjirokastra. E pyeta për Teftën, nëse ishte kthyer. Më tha se sapo hyri, por është tepër e tronditur. Ju luta të ma jepte në telefon. Tefta mezi po më fliste. E qortova për leximin e asaj farë fletërrufeje. Shpjegoi se komunikata i ishte vënë në tavolinë gjatë emisionit, pak çaste para se ta lexonte dhe se nuk ia kishte ditur përmbajtjen e as që kishte ditur se ishte anonime, përndryshe, po ta kishte ditur, nuk do ta kishte lexuar. E paralajmërova se do të reagoja. Ajo më informoi se Redaksia duhet të vendosë nëse do të transmetohet.

Hulumtova në radio nëse ndonjë radiostacion i huaj po jepte lajme mbi ato ngjarje dramatike në Shqipëri. Pasi dëgjova disa radiostacione, shkrova konceptin për reagim, duke injoruar me vështirësi pleqët Opuci dhe Xhekën dhe shqetësimet e tyre. Pleqët Opuci kishin një mbesë që studjonte në Tiranë. Tani merakoseshin shumë për të. Në telefon ajo kishte thënë se ishte në prag të çmendjes nga frika. Xheka shqetësohej për fëmijët, bashkëshorten e prindërit e tij. I shkreti, na fliste për hatanë që parashikonte të ndodhte në Shkodër e në Malësi të Madhe.

Nuk pushonim së telefonuari në Tiranë gjithë numrat që kishim, për të mësuar nga çasti në çast se ç’po ndodhte.

Dhe, mund të merret me mend se si mund të të zinte gjumi në ato rrethana. Ato që po ndodhnin larg Gjirokastrës, në Tiranë e deri në Shkodër e Tropojë, sidomos ato në Tiranë, i përjetonim si më tronditëse se ato që i kishim përjetuar ditë më parë aty...
Retrospektivë 3

A ka pasur dhe a ka luftë mes Veriut dhe Jugut të Shqipërisë?, - kjo është njëra ndër pyetjet më të shtruara sot. Është e çuditshme sesi mjetet zyrtare të informimit, sigurisht jo pa urdhër dhe jo rastësisht, dhe zëdhënësit e PD-së apo të Presidencës, e theksonin termin “jugu i Shqipërisë”, si për të theksuar se andej po vinte e keqja e saj. Në këtë kor, që ngjante me korin e shtrigave, u përzinë edhe disa të ashtuquajtur “nacionalistë” e titistë kosovarë.

Ndarja “veri-jug”, i “i besueshëm – i pabesueshëm”, “të reformuar – të pareformuar”, nuk është e lindur sot te Berisha të sjell një shembull:

Disa muaj para zgjedhjeve të 22 marsit ’92 zoti Berisha, i cili shoqërohej nga Azem Hajdari, udhëtonte për në SHBA. Ishte ditë e diel. Fluturonim me të njëjtin aeroplan nga Tirana në Budapest. Kur arritëm në aeroportin e Budapestit, zoti Berisha më tha:

- Ke mundësi të na ndihmosh për të bërë nga dy fotografi pasaporte këtu, në Budapest, pasi në orën 14.00 na presin në ambasadën e SHBA-së për dhënien e vizave dhe kanë kërkuar edhe dy fotografi.

- Me kënaqësi, - iu përgjigja.

Zura një taksi dhe filluam të kërkojmë nëpër Budapest. Dyqanet përkatëse ishin të mbyllura. Më në fund gjetëm mundësi te një kioskë, pranë stacionit kryesor të trenit.

U afruam me zotin Hajdari për t’u informuar për mundësinë e sigurimit të fotografive dhe ai m’u lut t’i blej çamçakëza, me arsyetimin se dollarët i mban Saliu dhe nuk po ia blente. Vetëm nuk duhej ta dinte ai. Sesi e humba durimin dhe duke folur i zemëruar i thashë:

- Të mbetshin në fyt, - dhe shtova, “mjerë ne se kush po shkon për të na përfaqësuar në SHBA”. Zoti Berisha ishte në taksi dhe ne bëmë sikur nuk kishte ndodhur gjë.

I ftova për drekë në restorantin e stacionit të trenit. Tepër miqësisht i thashë se më duket se, së pari, ata nuk janë të përgatitur që të na përfaqësonin si duhet. Së dyti, nuk ka hije të jenë që të dy nga e njejta krahinë; dhe së treti, nuk është mirë e nuk është taktike që të dy jeni të së njëjtës fe.

Zoti Berisha filloi nga arsyetimi, se gjoja nga Jugu të gjithë ishin enveristë e kriptokomunistë, se mjaft na ka sunduar diktatori Hoxha me bandën e jugut, se nga besimet e tjera fetare nuk dinte se cilin të merrte, se ishin ftuar pikërisht ata, etj.

- Po ta zëmë, sikur në vend të Azemit të kishe marrë z.Abdi Baleta, i cili ka përvojë diplomatike, njeh strukturat shtetërore e partiake në SHBA, është afërt me udhëheqjen e PD-së, është edhe verior, - ia ktheva.

- Nuk ia kam besën, pasi ka qenë komunist, - më tha.

- Po edhe ti ke qenë komunist, bile shumë vite me radhë edhe sekretar partie.

- Po bindem se edhe ti qenke kriptokomunist, si më kanë informuar – u përgjigj i nervozuar.

- Se cili ka qenë komunist i vërtetë dhe cili ka qenë “rebel i ndikuar nga liberalizmi perëndimor”, mund t’i konsultosh edhe dosjet e Sigurimit, - ia ktheva duke ruajtur qetësinë që kisha.

Që atëherë z.Berisha i shfaqte dukshëm ndjenjat primitive krahinore e revanshiste, përkundër faktit se, në kushtet e Shqipërisë, edhe ai kishte qenë i privilegjuar, kurse plot “jugorë” dhe “veriorë” ishin persekutuar.

Dukurinë e monopolizimit të së drejtës, se kush mund të rinovohej e kush jo, Berisha e keqpërdorte deri në absurditet. Në emër të këtij absurdi, ai, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, së bashku me mësuesin anonim Zhulali, në emër të reformës, në emër të nocionit “i reformuar ose i pareformuar”, e shkatërroi ushtrinë. Rreth 18.000 oficerë i largoi, megjithëse ndërkohë ushtria ishte e depolitizuar dhe e departizuar.

Një ushtri e tillë, “e reformuar” pra, nuk ishte në gjendje të mbronte as armët e veta. Ministri Zhulali, sapo krisën pushkët e para, u arratis duke mos harruar të merrte me vete edhe qenin. Komandanti Berisha nuk ndjehet aspak përgjegjës. Ai provoi të vinte ushtrinë kundër popullit, provoi të vinte ushtrinë dhe ushtarakët nën urdhërat e SHIK-ut, pra nën urdhërat e “gjeneralit” Gazidede, por dështoi.

Në kuadër të reformave dhe të besueshmërisë partiake, z.Berisha riorganizoi edhe SHIK-un. Shef të saj caktoi një mësues, që kishte kaluar nëpunës në Bashkësinë Islamike, i quajtur Bashkim Gazidede, i cili e bëri këtë institucion “shpatë e mprehtë” të Partisë demokratike.

Se çfarë reformash kanë bërë ai dhe Berisha në këtë institucion, si e kanë organizuar atë, sa ka qenë i lidhur ky shërbim me bandat kriminale dhe korrupsionin, sa ka qenë nën ndikimin e shërbimeve të huaja etj., nuk kam të dhëna. Këtu do të sjell vetëm një rast koinçidence, që mund të thotë shumë.

Më 29 dhjetor 1996, gjysmë ilegalisht vajta në Tiranë. Qëndrova deri më 5 janar 1997. Në njërën nga ditët e qëndrimit, rreth muzgut, me një mik shkuam në restorantin “Kumanova”, përballë hotel “Dajtit”, në qendër të Tiranës. Aty më zunë sytë udbashin tepër të rrezikshëm Zef Camaj, nga rrethi i Tuzit, të cilin UDB-ja e kishte çuar me detyrë në SHBA, në fillimin e vitit 1982. Ishte ulur në tavolinë pranë një shtylle me një komandant të SHIK-ut. Detyra e tij ka qenë pengimi i emigrantëve malësorë të Malësisë së Madhe, të punësuar në SHBA, në angazhimin e tyre në përkrahje të kërkesës, Kosova-Republikë. Ky grupim ishte më kryesori në të gjithë SHBA-të që ishte angazhuar sinqerisht në veprimtari patriotike.

Z.Zef Camaj e kisha parë disa herë edhe në vitin 1992 duke pirë kafe me Preç Zogajn. I thashë hapur Preçit, në praninë e Zefit, se po rrinte jo me një malësor patriot nga SHBA, por me një agjent të UDB-së. Prandaj nesër, mos thuaj se nuk e ke ditur se je shoqëruar me një agjent të UDB-së.

Tani këtë Zef Camaj e shihja kokë më kokë, me njeriun e dytë ose të tretë në hierarkinë e SHIK-ut. Udbashi Zef u ndje i shqetësuar. Pas dy-tri minutave u ngrit, dhe, bashkë me njeriun e SHIK-ut, u larguan. Të ketë qenë një takim i rastit? Pak e mundëshme. Udbashi Zef Camaj asgjë nuk ka bërë rastësisht në Shqipëri. Mund të jetë fare e mundëshme që udbashi serb ka qenë me mision special dhe është takuar me njeriun e duhur. Në bazë të dyshimeve për lidhjet e SHIK-ut me bandat kriminale e mafioze në Shqipëri, ka të ngjarë që ai të ketë sjellë udhëzimet e reja të padronëve të vjetër, për shkretimin e Shqipërisë.

Gjirokastër

(e premte, 14 mars 1997)

Edhe këtë mëngjes, si të tjerët, dolëm bashkë me Xhekën për të pirë kafenë në klub, jo pse nuk kishim kafe në shtëpinë ku flinim, por pse atje informohesha për ngjarjet gjatë natës.

Këtë mëngjes nuk kishe se çfarë të dëgjoje diçka të veçantë, pasi gjatë asaj nate nuk kishin ndodhur vjedhje e djegie për të cilat mund të flitej. Dy faktorë kryesorë duhej të kishin ndikuar që vjedhjet e djegiet të minimizoheshin. I pari, qytetarët ditë më parë ishin vetorganizuar për mbrojtjen e lagjeve të tyre, i dyti, tregtarët i kishin fshehur pasuritë e tyre dhe kishin marrë masa mbrojtëse të dyqaneve të tyre.

Kaluam edhe te Pallati i oficerëve. Atje morëm vesh se ishte paralajmëruar një tubim i Komitetit kombëtar për Shpëtimin Publik, për në ora 11.00. Por bashkë me këtë paralajmërim ishte lëshuar edhe informata, se tani e tutje gazetarët e huaj mund të ushtronin veprimtari vetëm nëse kishin leje akreditimi e veprimtarie nga Qeveria.

Prej andej kaluam te Radio Gjirokastra, me shpresë se aty do të mund ta shtypja reagimin, konceptin e të cilit e kisha bërë mbrëmë, që t’ia faksoja pastaj TVSH-së. Kryengritësit që bënin roje në hyrje të ndërtesës së Radio Gjirokastrës as që na pyetën se çfarë donim dhe kush ishim, pasi për ta ishim bërë të njohur. Në dhomën e fundit, në krahun e djathtë, gjetëm Odisenë dhe një koleg tjetër të tij. Orenditë e pajisjet për punë ishin në gjendje katastrofale, sa s’të bëhej të hyje brenda. Dy tavolina me karrike të vjetra e të demoluara për ibret, një i thënçin, makinë shkrimi, dhe një orman i vogël pas dre, gjithashtu për ibret. Përballë derës së kësaj dhome ishte banjoja në gjendje të papërshkrueshme. Në anën e djathtë ngjiteshin shkallët, edhe ato të papastruara, që çonin në katin e dytë ku duhej të ishin pajisjet teknike (studioja, etj.). Atje nuk isha ngjitur ndonjëherë, pasi nuk kisha dëshirë të shihja ndonjë pajisje teknike, që mund t’i ngjante orendive në dhomën ku gjendesha. Në fakt edhe për to më kishte folur Odisea në një rast, kur po bisedonim për ndonjë mundësi të gjetjes së pajisjeve të përdorura teknike e mobiliere në Gjermani.

E luta Odisenë që të ma krijonte mundësinë për ta shtypur reagimin. Gjeti ca tabakë letre duke hallakatur shumë sirtarë të demoluar dhe unë mezi munda ta përdor atë farë makine të shkrimit.

“Reagim

Në emisionin kryesor të lajmeve “Ditari” të TVSH-së të orës 20:00, mbrëmë, dëgjova një komunikatë të njëfarë “Komiteti mbarëkombëtar për shpëtimin e Shqipërisë”. Përmbajtja e asaj komunikate më iritoi tej mase, prandaj vendosa të reagoj.

1) Redaksia e emisionit bëri gabim që transmetoi atë komunikatë anonime të të ashtuquajturit “Komitet mbarëkombëtar për shpëtimin e Shqipërisë”, pasi ka kaluar koha e komunikatave anonime në Republikën e papushtuar të Shqipërisë.

2) Përmbajtja e asaj Komunikate ishte irituese. Përmes saj, qytetarët e painformuar, dezinformoheshin e iritoheshin, se gjoja në Shqipërinë Jugore është në veprim një lëvizje separatiste e antikombëtare për copëtimin e Republikës së Shqipërisë.

Arsyetim:

Nga dita e mërkurë, data 5 mars 1997, erdha në Shqipërinë Jugore në ekip me redaktorin për Evropën Jug-lindore të Revistës gjermane “Der Spiegel”, z.Roland Schleicher. Gjatë gjithë këtyre ditëve kam lëvizur në qytetet Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Sarandë, etj. Në kuadër të punës sime si përkthyes e gazetar dhe i vetëngarkuar si vëzhgues, kam biseduar me shumë qeveritarë, kryengritës të armatosur, pjesëtarë të shtabeve qytetare, intelektualë e qytetarë të paarmatosur. Në asnjë bisedë e vëzhgim që bëra nuk më rastisi të has as në tendenca, e lëre në përcaktime separatiste e antikombëtare, në Shqipërinë Jugore. Përkundrazi, kudo kam hasur e vëzhguar vetëm përcaktime të devotshme patriotike për Shqipërinë, por gjithësesi, për Shqipërinë e vërtetë demokratike.

Lëvizja protestuese, - fillimisht paqësore, por pas ndërhyrjeve brutale antidemokratike e antikombëtare të pushtetarëve të Tiranës, e gjakosur dhe detyrimisht e shndërruar në lëvizje të armatosur, - ishte vetëm kundër plaçkitjes së parave të qytetarëve nga firmat mashtruese piramidale dhe kundër Qeverisë së z.Meksi e Presidentit Berisha, për mënyrën e keqe të udhëheqjes së tyre, përkatësisht kundër bashkëpunimit të tyre me këto firma dhe kundër diktaturës që ata po ushtronin.

Tani qytetarët e Shqipërisë së Veriut nuk kanë perse të identifikohen me Presidentin Berisha dhe shërbëtorët e tij, vetëm pse ai ka qëlluar “verior”, pasi kjo është tejet primitive. Qytetarët e Shqipërisë Veriore nuk duhet të lejojnë të mashtrohen e manipulohen nga dezinformatat, se gjoja qytetarët e Shqipërisë Jugore janë kundër tyre, pasi kjo nuk është fare e vërtetë. Ata janë vetëm kundër plaçkitësve të parave të tyre dhe kundër klanit Berisha, Meksi (gjithsesi “jugor”), Zhulali, Gazideda, etj., dhe ithtarëve të tyre të mashtruar e të manipuluar, pavarësisht se nga cili regjion i Shqipërisë janë. Qytetarët “veriorë” duhet të tregojnë mirëkuptim vëllazëror për fatkeqësinë e vëllezërve të tyre “jugorë”, të cilët humbën gjithë paratë e tyre të fituara me djersë e gjak (duke përjashtuar bandat mafioze “jugore”), e cila humbje rriti mosbesimin deri në mospërmbajtje edhe ndaj Qeverisë e Presidentit. Kjo fatkeqësi konkrete nuk u ndodhi “veriorëve”, pasi firmat mashtruese piramidale që i kanë huadhënësit kryesisht nga Shqipëria e Mesme e Veriore nuk falimentuan ose qëllimisht iu shty falimentimi i tyre i domosdoshëm nga pushteti. Protestuesit “jugorë”, të cilët me arsye protestonin për paratë e tyre të grabitura nga ato firma kriminale me ndihmën e pushtetarëve të Tiranës, gabimisht e qëllimisht u quajtën po nga këta pushtetarë “banda të kuqe”, “banda rebele”, “banda kriminale”. Për këto etiketime të njëanëshme e të gënjeshtërta mbajnë përgjegjësi z.Berisha dhe shërbëtorët e tij.

Por tani nuk është koha për të kërkuar llogari konkrete ndaj përgjegjësve të vërtetë, pasi ngjarjet, me fajin e manipulimin e njëanshëm të pushtetarëve, eskaluan keq. Tani është koha për një mirëkuptim të përgjithshëm vëllazëror. I konkretizuar ky mirëkuptim do të thotë: Të gjithë duhet të respektojnë Marrëveshjen politike të subjekteve politike dhe Presidentit për krijimin e një Qeverie të pajtimit kombëtar, e cila edhe u zgjodh në krye me Kryeministrin Bashkim Fino. Prandaj thërras të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, u bëjë lutje të gjithëve, që të tregohen tolerantë e të vetëpërmbajtur, duke respektuar e dëgjuar këtë Qeveri, i bindur se kështu mund të shpëtojë Shqipëria nga kolapsi.

Edhe njëherë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët “veriorë” dhe “qendrorë”, bile edhe shqiptarët e Shqipërisë Veri-lindore (të pushtuar nga Serbia, Maqedonia e Mali i Zi), se kudo ku kam lëvizur gjatë këtyre ditëve, në cilësi të gazetarit e vëzhguesit, kam hasur në mirëkuptim vëllazëror. Kuptohet, me përjashtim të ndonjë të mashtruari e irituari nga dezinformatat e bollshme keqdashëse, të cilët pas sqarimeve që u bënin vetë vendasit e tyre, më përqafonin si vëllain e tyre të nënës, duke më kërkuar edhe të falur.

Për hir të Republikës së Shqipërisë (Gjysmë-Shqipërisë) dhe të Shqipërisë ju bëj thirrje për uljen e gjakrave e të armëve, për kursimin e municionit (që na duhet aq shumë), duke dëgjuar udhëheqjen e forcave politike, shtabet e qytetarëve, udhëheqjen shtetërore, udhëheqësit fetarë, personalitetet e shquara shqiptare, burrështetasit e dashamirësit e huaj, pasi vetëm kështu do të mund të shkohet drejt zgjedhjeve vërtet të lira dhe drejt stabilizimit politik, ekonomik e social të Republikës së Shqipërisë, drejt mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pasi vetëm kështu mund t’ju vihet në ndihmë vëllezërve të pushtuar, pasi vetëm kështu do të tregojmë se jemi të qytetëruar dhe e meritojmë lirinë e demokracinë, pasi vetëm kështu do të meritojmë përkrahjen e vërtetë të botës demokratike.

Gjirokastër, e premte, 14 mars 1997

Ibrahim Kelmendi

(Me origjinë nga babai Haxhi Ramë Bruçaj nga Fshati Vuthaj, Komunë e Plavës, nëna Nurije Ibish Ibërdemaj nga Rugova e Pejës, me banim në Fshatin Llabjan, Komuna e Pejës, i përndjekur dhe i ekziluar që prej 21 vjetësh në Gjermani).”
Prej aty shkuam me Xhekën në postë për ta faksuar. Faksi publik nuk ishte më aty. Nëpunësi më bëri me dije se faksin e kishin hequr për shkaqe sigurie. E pyeta për mundësi tjetër të faksimit. Ai më udhëzoi të shkoja te drejtori. U ngjita lart. Në dhomën e drejtorit ishin plot njerëz, nëpunës të postës. Gjithë shqetësimi i tyre ishte se si të ruhej centrali telefonik, në mënyrë që qytetarët e Gjirokastrës të mos e shkëpusnin edhe këtë lidhje komunikimi me botën. Ia qava hallin drejtorit, por ai shprehu keqardhje për pamundësi të ndihmimit, pasi faksat dhe teknika tjetër, si masë preventive kundër vjedhjes së tyre, ishin fshehur në shtëpitë private.

Xheka mbeti aty që të provonte të merrte faturën e shpenzimeve të telefonit të Xha Thimios, pasi ashtu ishim marrë vesh me të, që ta përdornim telefonin e tij dhe ta paguanim në fund në bazë të faturës që do të lëshonte posta. Unë shkova në shtëpi të Xha Thimios për të telefonuar në RTSH, pasi nuk dëshiroja të më dëgjonin qytetarët duke e transmetuar reagimin nga telefoni publik i postës.

Solla 4-5 numra telefoni të RTSH-së. Secili që merja në telefon më përgjigjej se nuk ishte kompetent për atë punë, se nuk mund të vendoste për ta pranuar reagimin, etj., dhe më jepte një numër tjetër. Më në fund arrita të marr lidhje me një redaktore të lajmeve. Ajo pranoi të dëgjonte pjesën hyrëse të reagimit, pastaj më tha se po më lidhte me studion teknike që të bëhej regjistrimi, pa më siguruar që do të transmetohej, pasi për reagim të tillë ndoshta do të duhej të vendoste drejtori i TVSH-së, e ndoshta edhe dikush tjetër. E luta që të mos transmetohej me zë origjinal, me shpjegimin se nuk lexoj rrjedhshëm, por të zbardhohej në letër dhe të lexohej nga spikeri ose spikerja. Pas pak u dëgjua zëri i teknikut të studios. Ai më bëri me dije se pasi të numëronte deri në katër, duhej të filloja nga leximi. Kreva leximin. Dëgjova në mbarim zërin e teknikut se inçizimi ishte bërë në rregull.

Thashë me vete: “Mbarova obligimin tim por zor se do të emetohet.” Shpresoja se politika redaktuese moniste pro Berishës në TVSH mund të kishte ndryshuar.”

Prej andej nxitova për te Pallati i oficerëve, që të ndjekur mbledhjen e Komitetit. Sapo arrita para Pallatit, një i armatosur m’u afrua, meqë më pa me fotoaparat të varur në qafë dhe manjetofon në dorë dhe m’u drejtua:

- Mbase nuk keni dëgjuar se Komiteti ka vendosur të ndalojë veprimtarinë e të gjithë gazetarëve të huaj që nuk kanë leje nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar.

- Po, kam dëgjuar, - ju përgjegja dhe menjëherë futa fotoaparatin dhe manjetofonin në çantë.

- Mund të rrij këtu vetëm si qytetar i thjeshtë? – e pyeta.

- Si jo, vëllaçko, - m’u përgjegj duke ma vënë dorën rreth qafe. – Mos më keqkupto, por vendimi është vendim, - më tha disi me keqardhje.

- Asnjë keqkuptim, - ia ktheva duke ia rrahur krahun.

Në mesin e atij grumbulli të qytetarëve, kryesisht të armatosur, gjeta Odisenë. Sandrin e BBC-së dhe Mondin e VOA-s nuk po i kërkoja, pasi ata që mbrëmë më kishin thënë se do të shkonin në Sarandë, kur i informova se rruga ishte e hapur, pa ndonjë rrezik, dhe në atë qytet kishte qetësi. Sapo u përshëndetëm, i thashë se ia kisha zili për mundësinë që të vazhdonte veprimtarinë si gazetar i Radio Gjirokastrës dhe kështu edhe si korrespondent i DW. Ai ndjeu keqardhje dhe tha se mund të intervenohej te z.Agim Gozhita, që të më lëshohej një leje nga Komiteti, me shpjegimin se nuk i kisha mundësitë të shkoja në Tiranë për të marrë leje nga Qeveria. Aty për aty m’u tek t’i them jo, me shpjegimin se do të largohesha që atë ditë nga Shqipëria. Kur ia shfaqa atë vendim të atypëratyshëm, si rrjedhojë e ndërthurjes se shumë blic mendimeve që më kaluan nëpër mendje, atij sikur i erdhi keq, me gjasë duke menduar se mos po ndjehem i përzënë. U mundova ta sqaroj se më nuk kisha pse të qëndroja, pasi ngjarjet aty ishin bërë të njëtrajtshme dhe rreziku për përplasje të përmasave katastrofale ishte kapërcyer. I thashë gjithashtu se po mendoja të shkoja për në Tiranë.

Ndërkohë, duke qëndruar aty në pritje të përfundimit të tubimit të Komitetit, plasi një incident. Një ekip televiziv grek, si duket, nuk kishte ndërmend të respektonte udhëzimin që ishte dhënë. Kur po përgatisnin kamerën për inçizim, disa të rinj, që ishin caktuar, me sa duket, si kujdestarë, i ishin afruar për t’ia bërë të ditur se ishte e ndaluar të ushtronin veprimtari gazetarët e huaj pa leje të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Si duket, me një fodullëk prej greku, kishin insistuar të filmonin. Me atë rast njëri nga qytetarët e armatosur i bie grusht në fytyrë kameramanit, tjetri ia grabit kamerën profesionale dhe ia përplas për beton. Ai që e qëlloi me grusht, iu ngërmua: “Qenë grekë, nuk doni të kuptoni se zot shtëpie këtu jemi ne!” Pastaj shfryu edhe me ca të shara të tjera të ndyra. Të tjerët ndërhynë dhe e mbajtën me forcë, por duke i thënë: “Mirë ia punove, mjaft më!” Sa më mbeten merak ato skena që nuk munda t’i fiksoj edhe në fotoaparat. Nuk desha të provokoja ndonjë të papritur, nëse nuk do ta respektoja udhëzimin e dhënë nga Komiteti.

Në ato çaste erdhi Xheka. I tregova se e kisha ndarë mendjen që të udhëtoja për në Tiranë ose të kthehesha në Gjermani. Ai tregonte se ishte e vështirë të kaloje nga Fieri, siç kishte dëgjuar nga të tjerët, pasi gjatë atyre ditëve (dez)informatat përhapeshin me të dëgjuar e me të thënë.

Xheka zuri menjëherë taksi, por ende nuk e kisha ndarë mendjen, se në ç’drejtim do të udhëtoja. E qartë ishte, se fillimisht duhej të shkoja t’i mblidhja plaçkat.

Pleqët Opuci i goditi më së shumti vendimi im për t’u larguar. Tani ata po humbnin një lloj mbështetjeje e përkujdesje, një lloj sigurie, pasi ne vërtetë ishim përkujdesur për ta. E si mos të shqetësoheshin, kur pensionet, edhe pse tepër të ulëta për të jetuar me to, kishte ditë që nuk po i merrnin. Ndonjë të ardhur tjetër nuk kishin, pasi nuk kishte as qarkullim njerëzish që të fitonin diçka nga fjetja e tyre aty. Nga djali në Sarandë, nuk kishin ç’të prisnin. Bile ai me familjen e vet, sikur ua kishte nevojën prindërve. Nga djali në Greqi kishte kohë që nuk kishin marrë ndihma. Këtë e arsyetonin me konfliktin që kishin patur kur ai ishte martuar, pasi prindërit kishin qenë kundër martesës së tij me gruan që kishte. Nga goca e martuar, e cila bashkë me dhëndërrin ishin në Greqi, gjithashtu nuk kishin pse të prisnin, pasi edhe ata mezi ia dilnin për të mbajtur gocën studente në Tiranë dhe veten e tyre me fëmijët e tjerë në Greqi.

Sado që të vinte keq për ta, kishte ardhur koha për t’u larguar. Shkurt e shpejt bëmë një llogari të përafërt, se sa u detyroheshim pleqëve Opuci, unë dhe Xheka. Ata as që na bënin ndonjë llogari dhe nuk thonin ndonjë shifër. Paguam, sigurisht shumë më tepër nga sa prisnin ata.

Të puthurat e urimet e tyre nuk kishin të sosur.

Shkuam edhe te familja e Odisesë. Doja t’i përshëndesja dhe të shikoja nëse atje kisha ndonjë plaçkë.

Meqë kisha hetuar se familja e Odisesë kishte mbetur pa lekë, pasi DW shumë muaj nuk kishte si t’ia paguante honorarin (rreth 50.-DM për korrespondencë), i propozova që t’ia jepja 1.000.-DM dhe unë t’i merrja në Këln, nga të tijat, kur të kthehesha. Për këtë bëmë edhe një marëveshje me shkrim, ku ai dëshmonte se kishte pranuar 1.000.-DM dhe se ishte dakort që të m’i kthente DW nga honorari i grumbulluar.

Gjatë ndarjes me ta sikur hetova se prindërit dhe bashkëshortja e Odisesë ma kishin zili që unë kisha mundësi të largohesha, ndërsa Odiseja i tyre po mbetej të jetonte me rreziqe.

Përfundimisht u nisëm për në Kakavijë. Nuk kisha me kë të përshëndetesha më. Korrespondentët Sandri e Mondi nuk ishin aty, ata kishin shkuar që në mëngjes heret në Sarandë, sado që unë u kisha bërë rixha që të shkonin në Vlorë.

Po largohesha nga Gjirokastra me dhembje e shqetësim për të nesërmen e paparashikuar të saj. Po largohesha nga Shqipëria e trazuar deri në rrezikun e vetëzhdukjes.

Në rrugë e sipër drejt Kakavijës, diku në Dropull, pamë duke ardhur përballë Sandrin e Mondin. I sinjalizuam pak para se të ndërroheshim, por ata nuk kuptuan gjë. Luta taksistin të kthehej në mundësinë e parë dhe t’i ndiqnim prapa deri sa t’i zinim.

Sapo i zumë, i informova se unë po largohesha nga Shqipëria. Ata u befasuan kur dëgjuan vendimin tim, meqë nuk i kisha paralajmëruar fare.

Ramë dakord që taksisti të lirohej dhe deri në Kakavijë të udhëtonim me makinën e Sandrit.

Gjatë rrugës po mundoheshim t’i përmblidhnim bisedimet, pasi nuk e dinim se kur do të kishim rast tjetër...

Kërkuam restorant për të ngrënë edhe një drekë dhe për të biseduar bashkërisht.

Në një vend, ku nga rruga kryesore shkëputej në të majtë rruga për në vendkalimin doganor të kufirit në Kakavijë, ndaluam. Sandri dhe Mondi kishin kohën kur duheshin t’i përcillnin korrespondencat e tyre të ditës për radiostacionet përkatëse (BBC e VOA). Për këtë qëllim përdorën celularin tim.

Ndërsa ata po informonin m’u kujtuan edhe një herë të gjitha ditët që kalova me këta djem vërtetë të mrekullueshëm. Shpesh herë, deri vonë, kemi diskutuar së bashku për lajmet që duhej të jepnim, me synimin që ata të mos ngjallnin revoltë, por të sillnin mesazhe mirëkuptimi dhe tolerance. Ishin djem të matur, që e donin vendin e tyre, çka ndjehej edhe në poezitë që bënin dhe në qëndrimet që mbanin. Një ditë me Sandrin ndërsa po dëgjonim përmbajtjen e një organizmi që porsa ishte zgjedhur, dhe, ai dëgjoi edhe emërin e një njeriu që nuk shquhej edhe aq për atdhedashuri, ai shfryu “Ku e gjetën këtë?” Njeriu për të cilin fliste ishte afër, por nuk u ndje.

Isha i lumtur që isha njohur me djem të tillë, gazetarë të shqetësuar për vendin e tyre, ashtu si më kishte mbetur në mend karakteri i fortë dhe urtësia e Odise Kotes. Si i themi nga anët tona, ai ishte i mençur dhe i qetë për me nda pleqni. Asnjëri pre tyre nuk ishte gazetar i sensacioneve, megjithëse të tilla kishte mjaft, por ishin në radhë të parë qytetarë të denjë të qytetit të tyre të lashtë shqiptar dhe profesionistë seriozë. Dhe ata e bënë detyrën e tyre, edhe kur ishte aq e rrezikuar jeta e tyre.

Shkuam së bashku deri te ndërtesa e doganës shqiptare. E tëra ishte demoluar. Kishin mbetur vetëm muret prej betoni e tullave. Kush kishte interes ta shkatërronte atë ndërtesë – simbolikë e mëvetësisë së Republikës së Shqipërisë? Të gjithë ishim të mendimit se populli i revoltuar kundër qeverisjes së keqe të pushtetit të Berishës nuk e kishte bërë, pasi ai është i vetëdijshëm se me djersën e tij është ndërtuar dhe po me djersën e tij do të rinovohet ose rindërtohet. Pra, ishim të mendjes, se vetëm elementi anti-Shqipëri dhe anti-Popull duhet ta kishte bërë. Por, sipas mendimit tim të heshtur, “dëme të tilla materiale janë të vogla karshi interesit të popullit për të përmbysur pushtetet demo-diktatoriale. Natyrisht, është fatkeqësi e madhe për shtetin e popullin pse duhet të ndodhin rebelime, revolta, kryengritje, revolucione. Por ligjet e zhvillimit sociologjik e shoqëror të njerëzimit i imponojnë edhe këto, pavarësisht mosdëshirës së diktatorëve. Këto u kanë ndodhur thuaj të gjithë popujve të botës, dikujt më heret e dikujt më vonë, varësisht nga zhvillimet e tyre. Në rastin konkret, sikur populli ynë të jetë i vetëdijshëm në nivelin e duhur, i organizuar dhe i fortë gjithashtu, për të përmbysur pushtetin antidemokratik në Tiranë dhe pushtetin fiktiv në Prishtinë, për të ndërtuar shtetin e lirë të së drejtës e më pas shtetin e bashkuar shqiptar, atëherë këto dëme materiale dhe viktimat njerëzore do të shpaguheshin.”.

Aty nuk ishte vendi e rrethanat për të debatuar për një temë të tillë. Po vinte koha të ndaheshim. Unë jetova mes tyre 10 nga ditët më të paharruara të jetës sime. Kisha përjetuar shumë ngjarje, kisha parë skena të cilat nuk mund të ripërsëriteshin, kisha ndjerë çastet e paharruara të fitores së njerëzve, por kisha prekur me dorë edhe dhëmbjen njerëzore. Të gjitha kishin qenë të pranishme në ato dhjetë ditë.

Nuk mund ta harroja ditën e parë të ardhjes, kur një taksist i huaj, një grek që e dinte gjuhën shqipe, më përcolli tek portat e vendit tim, fatkeqsisht duke kaluar edhe nëpër trevat shqiptare, të cilat një traktat, 75 vite më parë, i kishte tjetërsuar kufijsh. Atë ditë fillim marsi kisha qenë thuajse i vetëm. Me një mik të hershëm DD kishim patur përpara pikëpyetjen e madhe të së nesërmes së fatit të vendit tonë, por edhe të jetës sonë. Tani, rishtas në kufi, më përcillnin si vëllezër dy gazetarë nga Shqipëria, të cilët nuk i kisha njohur kurrë më parë. Ata ishin të hidhëruar nga largimi im, ashtu si isha unë tejet i mërzitur. Do të mjaftonte vetëm ky fakt, mes një ardhje dhe një përcjellje për ta patur të qartë se sa natyrshëm jemi të lidhur me njëri tjetrin ne shqiptarët. Ata ishin jugorë, unë isha verior. E megjithatë kjo s’na pengonte, përkundrazi na bënte edhe më të afërt për të qenë vëllezër.

Kur kisha ardhur në portat e jugut zyrtar të Shqipërisë nuk e dija se si do të rridhnin ditët e nesërme. Nuk e dinin as kolegët e mi, gazetarë të huaj. Ata ishin të trembur, unë isha i qetë, si çdo njeri që është i bindur se po shkon tek vëllezërit e tij. Dhe vërtetë, megjithë dyshimet e para (mos vallë ky “verior” është bashkëpunëtor i Berishës?!) në të gjitha ditët e tjera e kam ndjerë veten si në qytetin tim të lindjes. Aty përjetova ankthin e gëzimit e njerëzve, u njoha me njerëz të zakonshëm dhe me ata për të cilët do të flitej e shkruhej në të gjitha mediat e shtypit. Kam fjetur në shtëpi të zakonshme qytetare e në hotele, intervistova përfaqësues të partive dhe të komiteteve, ushtarakë, drejtues të pushteteve lokale. Kisha patur momente që jeta ishte vënë në dyshim, por edhe momente që e kisha ndjerë se jeta e një njeriu nuk është asgjë përpara jetës së kombit tënd. Mbi të gjitha isha tani i qetë për ngjarjet që po ndodhnin, sepse duke i përjetuar vetë, u binda se Shqipëria jo vetëm që nuk do të zhbëhet, por do të rimëkëmbet. Dhe pikërisht me të gjitha këto ka lidhje edhe njëri nga shkaqet përse po shkruhet ky libër.

Po i mendoja të gjitha ato që kishim përjetuar, dhe me këtë rast miqëve të mi u propozova që të përgatisnim bashkërisht një libër për këto ngjarje, që kishin filluar të ndodhnin në Shqipëri dhe që nuk kishin përfunduar. I luta që këtë propozim t’ia përcillnin edhe Odisesë. Propozimin e pëlqyen. Kaluan disa javë dhe gjithnjë e më shumë e kisha të vështirë të lidhesha me miqtë e mi. Ndërkohë i dëgjoja çdo natë zërat e tyre në radiostacionet përkatëse dhe i përfytyroja ashtu të shqetësuar e të ndershëm në profesionin e tyre. Mundësitë e komunikimit dhe të bashkëpunimit bëheshin gjithnjë e më të vështira, çfarë është e domosdoshme për një punë të përbashkët. Dhe mendova të hedh në letër shënimet e para, për të mos e zbehur koha forcën e emocioneve, për të mos humbur asgjë nga vërtetësia e ngjarjeve. Jam tepër i bindur se sikur të punonim së bashku, ky do të kishte qenë një libër si duhej dhe në kohën e duhur. Ndërsa ditët iknin, unë shkrojta... Duke përfituar nga rasti të ju kërkoj të falur, jam i bindur se ata do të shkruajnë një libër vërtetë të denjë për pendën e tyre, dhe ndoshta, një ditë më të qetë e më të bukur ne rishtas do të jemi së bashku....

Rreth orës 16.00 e kalova kufirin në drejtim të kthimit. Kisha përpara vetes mijëra kilometra rrugë, por asnjëra prej tyre nuk më ishte aq e shtrenjtë sa ata kalldrëmet e gurtë të rrugëve të Gjirokastrës. Kur do t’i shihja përsëri...
Gjirokastër, mars 1997 – Gjermani / Zvicër, qershor 1997

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...