2013-03-21

Presidenti serb Tomislav Nikoliqi në Vatikan, në vendin e rezervistëve. Hashim Thaçi përkrah Biden, Berisha afër Merkelit


Inaugurimi i Papa Franës (Francisco, Françesku) dje në Vatikan ka shënuar një kapitull të ri në historinë e Selisë së Shenjtë, kurse një nga gjërat më pak të rëndësishme ka qenë edhe vendosja nga ana e protokollit të mikpritësit e politikanëve që kanë marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.

Sipas mediumeve serbe, delegacioni i këtij vendi ka pasur një vend jo të zakonshëm në inaugurimin e papës së ri. Presidenti Nikoliq ka qenë diku nga fundi, në bankën në të cilën ishte i ulur edhe presidenti slloven Borut Pahor, kurse prapa Nikoliqit kanë qenë të ulur ministri i Jashtëm, Ivan Mërkiq, dhe Marko Gjuriq, këshilltar i Nikoliqit.

Ndërkaq, krahas nënpresidentit amerikan ka qenë ulur Hashim Thaçi, madje në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, me gjithë faktin se Vatikani ende nuk e ka njohur Kosovën, shkruajnë mediet serbe.

Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë në ceremoninë e Vatikanit ka qenë i ulur në afërsi të kancelares gjermane Angel Merkel.

Sipas të dhënave zyrtare, në ceremoninë e inaugurimit kanë marrë pjesë 132 delegacione shtetërore.

2013-03-20

“Romanca” midis kalorësit dhe kalit të tij

Pjesërisht një film frymëzues sportiv, pjesërisht një “romancë” midis një njeriu dhe kalit të tij që fiton çmime, drama “kalorësiake” franceze “Jappeloup” ia del që të sqarojë shumë gjëra rreth këtij sporti, duke ofruar një kombinim klasik të pengesave dhe ndjenjave para arritjes me galop deri te finalja.

Dramë e regjisorit Dugue
description
Me skenar të Guillem Kanes (Tell No One, Blood Ties), i cili paraqitet edhe në rolin kryesor, kjo dramë e regjisorit nga Kuebeku Kristian Dugue (The Art of War), përkundër të metave eventuale, ofron një tregim argëtues, herë-herë angazhues, rreth një kali që nga ditët e para të jetës së tij, deri te bërja kampion olimpik. Filmi, i cili në Francë ka filluar që të shfaqet më 13 mars, pritet që të sjellë fitime të mira nga shitja e biletave në vendet e tjera frankofone, por edhe në SHBA dhe gjetiu.

I bazuar pjesërisht në tregimin e Kerin Devilderit “Crin Noir”, si dhe në elementet nga biografia e vet Kanes, filmi përcjell rritjen e famës së kalorësit Pier Durand (Kane) dhe të kalit të tij të preferuar, Japelup, të cilët doemos se zhvillojnë një raport interesant që nga fillimi, në një fermë të vogël kuajsh në San-Savin, e deri te marrja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike të vitit 1988 në Seul.

Natyrisht, për ta arritur një sukses të tillë, kalorësi dhe kali i tij duhet të tejkalojnë shumë vështirësi dhe pengesa, sikur që është fakti se Japelup është më i vogël sesa madhësia mesatare e kuajve kërcyes, gjë që kishte ndikuar që ai në fillim të refuzohej nga i ati i Pjerit, kur i ishte dërguar në fermë. Por, pasi që Pjer ka rastin që ta njohë për së afërmi kalin, ai sheh potencialin e madh te ai dhe, që ai të ndihej më mirë, Pjer angazhon edhe grazhdarin e preferuar të kalit, Rafael (Lou de Lage).

Puthja e kalit dhe gruas

Edhe Pjeri i ri ka problemet e veta. P.sh. atij i duhet të vendosë a të merret me kalërim, apo ta studiojë drejtësinë. Në ndërkohë ai njoftohet me një vajzë të mrekullueshme, Nadia (Marina Hands). Pasi që ai vendosë t’i kthehej sportit të preferuar, mos mendoni se më pas çdo gjë ishte e lehtë. Herë-herë duket se Pjer është i zënë në kurth midis femrës që do dhe kalit ngjyrë kafeje, pa të cilin nuk mund të jetonte. Në një skenë, ai shihet duke puthur së pari kalin, më pas gruan, e për herë të tretë, përsëri kalin.
E meta e filmit është se ofron edhe disa hollësi të panevojshme rreth rregullave të kalërimit.

Gratë shkrimtare i lexoj si lexues, e jo si mashkull

Gratë si shkrimtare
description
Nëse krahasojmë demografikisht në fushëpamjen letrare, më shumë ka shkrimtarë meshkuj sesa shkrimtare femra në nivel botëror. Në vendet që e kanë rritur trajektoren e emancipimit të barazisë gjinore dhe shfaqjes më shumë të gruas në ambiente publike dhe zhvillim të karrierës, numri i grave shkrimtare është rritur skajshëm, ndërsa në hapësirën letrare të Kosovës, kemi shumë pak shkrimtare gra në tërheqjen e paraleles me shkrimtarët burra. Kjo situatë letrare ka bazën në historikun e botëkuptimit dominues patriarkal dhe kulturor në perspektivën e gjykimit shoqëror mbi manifestimin e konfliktit të ndërdijshëm e shpirtëror, ngase konflikti i brendshëm është karakteristikë e rëndësishme në të shkruarit dhe botën krijuese. Gratë duke qenë më shumë të pranishme brenda mureve të shtëpisë, veprimtarisë amnore të kujdesit të rritjes dhe zhvillimit të fëmijës, pamundësisë për të shprehur tërë atë zierjen e brendshme të emocioneve dhe ndjenjave (gëzim, pikëllim, habi, frikë, ankth, zemërim etj.) dhe deinkurajimin për të plasuar në audiencë të gjerë, ato që i përjeton (emocionet dhe ndjenjat), ato që i bën (sjelljet/veprimet), ato që i parafytyron apo shpërfytyron, fantazitë, ëndrrat (niveli njohës/kognitiv) dhe vetitë morale në shpalim (karakteri). Prandaj, gratë shqiptare, si shkrimtare, gjithnjë e më shumë po rriten në numër dhe cilësi, ndonëse numri dhe cilësia letrare akoma mbizotërojnë te shkrimtarët burra, por edhe te këta të fundit mbetet larg kërkesave të lexuesit të sotëm me aq shumë oferta nga letërsia globale. Madje, nëse pyesni edhe shumë shkrimtare femra, do ta thonë të njëjtën gjë dhe do të shprehen se tani për tani më shumë kanë shkrimtarë të preferuar sesa shkrimtare gra. Kjo shpjegohet sidomos me faktin që me rritjen e numrit të shkrimtarëve, më shumë ka gjasa të gjinden edhe shkrimtarë që shkruajnë më artistikisht në formë dhe përmbajtje, ndërsa numri i grave më të pakta që shkruajnë në krahasim me meshkujt, nuk do të thotë se nuk sigurojnë cilësi ideo-artistike vetëm pse na qenkan në numër më të vogël. Në aspektin e zhanrit letrar, nuk është ndonjë stereotip mashkullor, por gratë dominojnë në fushën e poezisë, sidomos në Kosovë, ndërsa në prozë, qoftë nga burrat, qoftë nga gratë, kemi një numër shumë të vogël të shkrimtarëve që e kultivojnë atë, por edhe këtu kemi statistika më shumë për meshkujt prozatorë. Ka edhe gra që shkruajnë proza, por këto proza mbeten të panjohura aq për publikun e gjerë, nuk kanë arritur të marrin mirënjohje apo çmime pak më të njohura siç janë ato të nivelit komunal, nacional, rajonal apo botëror. Merreni shembujt aktual të shkrimtarëve, si Ismail Kadare, Fatos Kongoli (shkrimtarë të gjallë), apo Ali Podrimja (shkrimtar i ndjerë) e të tillë, të cilët janë kryesisht burra, të cilët kanë fituar njohje lokale, nacionale dhe ndërkombëtare, e botërore. Pak emra kemi në fushën e poezisë e të prozës kosovare e të shkrimtarisë gjenerale shqiptare, ku gruaja si shkrimtare ka kapur ndonjë çmim. Natyrisht, nuk mund të banalizohet letërsia në kualifikime gjinore, ngase shkrimtari i mirë nuk është një burrë apo grua, por është thjeshtë një shkrimtar i mirë; shkrimtari i mirë nuk është një homoseksual, heteroseksual, transeksual, por një shkrimtar i mirë… Mirëpo, pavarësisht kësaj, juritë letrare zakonisht përbëhen prej burrave, qoftë në manifestime lokale (po flasim edhe për ato që kanë vlera artistike, edhe për ato që kontaminojnë dhe i bëjnë atentat sferës letrare), qoftë në ato me karakter mbarëkombëtar. Nuk përjashtohet gruaja edhe si juri, por është më pak e pranishme dhe në disa vende ku është, ajo mund të jetë me dy burra dhe prap të mos fitojë verdikti i saj, ngase është pakicë. Ndonëse kjo e fundit mund të duket pak edhe tallëse në kontekstin e manifestimeve konkurruese shqiptare dhe në Kosovë, ngase shpesh këto juri janë të kalkuluara me interesa personale, klanore dhe që shpërblejnë miqtë njëri-tjetrin, prandaj, jo që burrat në juri çmojnë më shumë burrat apo gratë shkrimtare, por nuk vlerësojnë dhe gjykojnë objektivisht as midis vetë burrave shkrimtarë. Sidoqoftë, shkrimtarët që fitojnë çmime letrare brenda Kosovës, qofshin burra apo gra, nuk parakupton që bëhen të njohur dhe shpesh ndodh që të mos njihen fare nga publiku.

Gratë si lexuese
Gratë shqiptare si lexuese të shkrimtarëve burra, janë në numër më të madh, prandaj ndikimi i konstruktit autorial të burrit shkrimtar, stili, metoda, teknikat letrare të tij, përmbajtja e kodit tematik, botëkuptimet mbi shoqërinë, marrëdhëniet ndërnjerëzore, familjen, dashurinë, etj. të paraqitura në tekstin e burrave shkrimtarë, është më i lartë, sesa ndodh e kundërta. Gratë si lexuese, mësojnë më shumë për veten e tyre nëpërmjet observatorit mashkullor se si i fokuson ato, sesa nga seksi i njëjtë. Këto vrojtime mund të jenë krejt të huqura, të stereotipizuara, me ngarkesa tradicionale patriarkale, por të gabuara apo të sakta në empati, ato kanë efekte në vetëperceptimin që kanë gratë për veten e tyre. Gratë lexojnë edhe shkrimtaret gra dhe pa dyshim disa nga këto të fundit që shkruajnë, mund t’i ndihmojnë lexueset gra, që nëpërmjet universit letrar, të kuptojnë gjërat e përbashkëta të dinamikës njerëzore të seksit të njëjtë, ndonëse varet nga tematika letrare e shkrimtares grua, por edhe nga personazhet se si i vë në dinamikë, apo edhe nga mënyra se si i ndërton krijimet letrare. Madje, edhe kjo marrje me letërsinë e grave të burrave, mund të jetë krejtësisht e paragjykueshme, ngase qoftë lexuesit burra të shkrimtareve gra, apo anasjelltas, lexueset gra të shkrimtarëve burra, mund të mësojnë, të kënaqen dhe të përjetojnë ndjenja të thella estetike, vetëm nga shkrimtarët që shkruajnë me mprehtësi dhe imagjinatë të pasur krijuese, janë të sinqertë e të guximshëm në raport me tragjiken personale apo kolektive, e të tjera elemente të panumërueshme në këtë madhësi kolumneje.

Gratë si ditarmbajtëse
Si fëmijë dhe nxënës, ne kujtojmë se si vajzat mbanin ditarë personalë dhe kjo ishte veçori tipike e vajzave. Nëse ndodhte ndonjë djalë të tregonte se mban ditar jete, apo dashurie, e përqeshnin moshatarët, dhe në bazë të seksizmit, ata edhe ia atribuonim cilësorin “djalë femëror”, ngase ditar jete, sipas atyre pikëpamjeve të formësuara në mjedis patriarkal, mbante vetëm personi femër. Atëbotë, kujtojmë se si meshkujt edhe kur mbanin këso ditarësh jete, apo shkruanin në fletoret e tyre me vija të gjera apo katrore, nuk tregonin se mbanin shënime. Madje, këto raste ishin të rralla dhe më shumë dominonte te tipat mashkullorë që kishin rënë në romanca të ‘qullëta’ paraadoleshentësh e adoleshentësh. Pa dyshim se kjo ka ndryshuar në botëkuptimin e tashëm të shoqërisë kosovare, por akoma mbetet konstatimi se, ditar jete në mënyrë private, më shumë mbajnë femrat, sesa djemtë. Kjo ka shpjegimin në strukturën dhe skemat mendore të krijuara nga kultura e pabarazive dhe diferencimeve gjinore, ngase femrat duke qenë më të mbyllura në shtëpi, më pak shprehëse mbi emocionet e tyre në hapësirë publike apo me të panjohurit, ditarët e jetës kanë qenë mënyra më e mirë e ekspresivitetit ndjenjor të vajzave të grave.

Gratë si
personazhe letrare
Letërsia nuk i shpëton dot skemave që prodhon kultura për njërin apo tjetrin seks. Letërsia ndryshon realitete shoqërore, por ajo shpesh ka mbetur peng i konstrukteve shoqërore. Prandaj, letërsia e shkruar për një kohë të gjatë nga burrat, ka krijuar personazhe të grave amvise, të shtypura, si objekte, në role dytësore etj. Mirëpo, roli i letërsisë, pikërisht në dekonstruktimin e përfytyrimit real të mashkullit në terren, është ndryshuar falë imagjinatës dhe përpjekjes së autorëve për t’i ndryshuar tiparet e personazhit femër në jetën reale përmes infrastrukturës letrare, duke u bërë letërsia mjeti më protestues ndaj rolit dhe pozitës së gruas në shoqëri. Ne kemi autorë shqiptarë që godasin strukturën patriarkale të shoqërisë në Kosovë e gjetiu, duke i dhënë dimension të ri rolit dhe personazhit të gruas, mirëpo kemi edhe të tillë që gruan e shohin si një personazh që paraqitet seksi, e shfrytëzueshme, në role të viktimës, standardit të dyfishtë moral etj. Letërsia shqiptare, por edhe kjo më sublokalja në Kosovë, sidomos me autorët e brezit të rinj, e kritikon perspektivën maçoiste në përfytyrimin e personazhit grua në letërsi, duke shkuar edhe në ndërtimin e saj me bazë rebelimin e brendshëm autorial ndaj pabarazisë gjinore në realitetin shoqëror. Janë pikërisht disa poetë e poete, të cilët/të cilat kanë filluar modifikimin e paraqitjes së personazhit të gruas. Një brez i ri i krijuesve burra, ironizojnë qasjen e dikurshme apo edhe aktuale të burrit ndaj gruas, duke e lartësuar profilin e gruas, e gjer te madhërimi i personazhit të gruas edhe në ato role që janë marrë krejt të pamoralshme për periudha të gjata. Duke kritikuar shoqërinë e burrave në raportin që kanë vënë me gratë, shkrimtarët e rinj janë më të çliruar nga stereotipat tradicionalë gjinorë dhe seksizmi letrar, por një dukuri që vërehet është prezantimi përsëri i gruas si objekt seksual, sesa si subjektivitet i qenies femërore. Ndërsa, gratë shkrimtare të brezit të rinj në Kosovë, disa prej tyre përveç vajtojnë fatin e tyre individual e shoqëror në shoqëri e histori, ato i bien me goditje edhe atyre grave që veprojnë në përputhje me rregullat patriarkale. Disa femra poete, janë më të liruara nga gjykimet morale shoqërore, shkruajnë letërsi herë edhe me karakter erotik dhe kënaqin lexuesit me disa krijime të tyre letrare, qoftë meshkuj, qoftë femra (p.sh. disa poezi të Donika Dabishevcit, Trina Gojanit etj.). Sidoqoftë, janë dy pikëpamje: letërsia riprodhon pushtetin, por edhe e transformon atë. Kjo po ndodh me gratë shkrimtare dhe me burrat shkrimtarë. Po e lexojnë njëri-tjetrin drejt në sy! Mirëpo, lexuesit, qofshin meshkuj apo femra, pavarësisht a lexojnë të seksit të njëjtë apo të ndryshëm, janë të pamëshirshëm ndaj secilës letërsi, nëse nuk i pëlqen gjatë leximit. Letërsia interesohet për fatin e burrit apo të gruas, por lexuesi mbetet fanatik vetëm i letërsisë artistike.

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...