2015-11-23

Nga Olivera MILOSAVLEVIQ : Serbia kishte një ëndërr: të marrë portet e Shëngjinit dhe Durrësit


Dëshira që të dëshmohet se Serbia i ka të gjitha të drejtat që të fitojë një pjesë të Shqipërisë, me qëllim që ta ketë daljen në det, ka qenë aq e madhe, saqë humbej çdo sens kritik edhe tek autorët seriozë. Kjo kërkesë më pak është argumentuar me «të drejtat» e serbëve e më shumë me paaftësinë e shqiptarëve për jetë të pavarur shtetërore.

Stereotipi më i përhapur për shqiptarët në historiografinë serbe është ai për mungesën e dëshirës për shtetin e vet tek shqiptarët, që ka sjellë edhe zvarritjen dhe ngadalësimin i së drejtës për shtet. Qysh në vitin 1878, Aliksijeviq u ka dhënë të drejtën shqiptarëve që ta themelojnë shtetin në perëndim dhe jug të Drinit, por «vetëm nëse kanë kushte morale edhe nëse ndonjëherë ka ekzistuar shteti i ndërtuar nga fëmijët që vjedhin dhe grabitësit» (Aleksijeviq, 1878:7), përderisa Haxhi-Vasileviq shkruante se shqiptarët kanë filluar «të kërkojnë pavarësinë» duke ua mohuar serbëve të drejtën në pronë (Haxhi-Vasileviq, 1906:40). Para luftërave ballkanike, Luba Jovanoviq ka shkruar se gjendjen e njohur në Serbinë e Vjetër e kanë krijuar «shqiptarët e papërmbajtur dhe të egër», të cilët as Carigradi (Stambolli) «nuk mund t’i qetësojë», duke thënë se ata mund t’i ndalojë vetëm Serbia, e cila me çlirimin e Serbisë së Vjetër do të përfundonte me «asgjësimin e egër të popullsisë lokale serbe». Ka besuar se shqiptarët «nuk kanë të drejtë që të mbesin në këtë tokë ku kanë zënë vend me dhunë», por ka qenë kundër të largohen me dhunë ose ndaj tyre të sillen si ndaj një mase njerëzish të kapur, të përvetësuar.

«Për ta nuk kemi nevojë»

Edhe pse shprehej se aty ata do të mund të mbeteshin si qytetarë serbë, të cilëve nuk do t’u mohohej kombësia, megjithatë ka konstatuar se «për ata nuk kemi nevojë». Jovanoviq ka menduar se edhe shkenca e vërtetë nuk pranon «se me atë grabitje mizore mund të arrihet, çfarëdo, si e drejta e pronës, andaj edhe Serbia me popullin e saj ka të drejtë të pranojë vlerën e vërtetë të gjendjes që ashtu me hajni është krijuar në këtë pjesë të mirënjohur të atdheut tonë» (Jovanoviq, 1910:14–16).

Në veçanti, vitet më pjellore të botimeve për shqiptarët, të kaluarën e tyre, e veçanërisht për «karakterologjinë» e tyre kanë qenë vitet e luftërave ballkanike. Qëllimi primar politik i Serbisë që të dalë në detin Adriatik, bartja e idesë për ekspansion nga jugu (Selaniku) e deri në jugperëndim (Durrës) të krijuar nga besimi për pamundësinë e mbijetesës ekonomike dhe politike të një shteti kontinental, ka kushtëzuar nevojën politike ditore për dhënien e argumenteve «shkencore» ndaj kërkesave të tilla. Stereotipat e vjetër për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë (muhaxhirët) tash është dashur të barteshin në planin global, dhe imazhi i përgjithshëm për shqiptarët është dashur të jetë i barabartë në notën e paaftësisë së tyre për jetë të pavarur shtetërore që të arsyetohet ekspansioni ndaj këtyre viseve (nëpërmjet të cilave krijohej dalje në det), e ndaj të cilëve kurrë nuk është referuar tregimi «për çlirimin e vëllezërve». Është interesante të vërehet se intelektualët nacionalistë serbë që aq shumë kanë shkruar për «parimin kombëtar», «zgjimin e popullit», Ballkanin që u takon ballkanasve, e veçanërisht ata të cilët kanë kërkuar aq shumë respektimin e të drejtave të secilit popull për liri, asnjë nga këto parime nuk janë zbatuar ndaj shqiptarëve. As që kanë menduar që ndonjëra nga këto të drejta për liri duhet t’u referohet edhe atyre.

Historianët në aksion polik

Dëshira që të dëshmohet se Serbia i ka të gjitha të drejtat që të fitojë një pjesë të Shqipërisë me qëllim që ta ketë daljen në det ka qenë aq e madhe, saqë humbej çdo sens kritik edhe tek autorët seriozë. Kjo kërkesë më pak është argumentuar me «të drejtat» e serbëve e më shumë me paaftësinë e shqiptarëve për jetë të pavarur shtetërore. Për ata, si primitivë dhe të paaftë për shtet, prekja e civilizimit serb në shtetin serb do të ishte e dobishme. Nga ana tjetër, për vërtetimin e argumenteve janë marrë tiparet bazike «në karakter» të serbëve dhe shqiptarëve nga të cilat kanë rrjedhur edhe disa «të drejta» të caktuara. Lufta e serbëve për lirinë e moralit, sipas mendimit të këtyre autorëve, do të shpërblehet me territore për të cilat nuk kanë qenë të sigurt që i takojnë, e «plaçkitja» e shqiptarëve do të dënohet me mohimin e së drejtës për tokën ku kanë jetuar. Këtu, mes këtyre autorëve të elitës intelektuale nuk do të mund të haset një autor që do të mbështeste të drejtën e shqiptarëve që të fitonin shtetin autonom. Përkundrazi, ajo kërkesë është vlerësuar si element i panatyrshëm dhe i padrejtë i luftës të drejtuar veçanërisht ndaj Serbisë dhe përparimit të saj.

Me rastin e Luftës së Parë Ballkanike, Jovan Cvijiq ka botuar disa artikuj me qëllim që të arsyetonte këto kërkesa politike. Duke shkruar se «Serbia e Vjetër del me një rrip të ngushtë në Detin Adriatik rreth Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit» është përkushtuar ndërtimit të hekurudhës deri në bregdet (Cvijiq, 1912:7,13), por e vërente «incidentin» që ajo do të kalonte nëpër zonat e banuara me shqiptarë, duke theksuar që është e njohur «pabesia e këtij populli ndaj komunikimit dhe është i njohur se si ky popull lehtë ngazëllehet dhe le të ngazëllehet» (Cvijiq, 1908:51). Shënonte se ushtria serbe, duke shkuar drejt «bregdetit arbanas» që të marrë portin në Shëngjin (San Giovanni di Medua) dhe Durrës, nuk ka hasur në asnjë rezistencë tek Mirdita, të cilët janë «popullatë e trazirave, të njohur për gjakmarrje» dhe «sipas bindjes së përgjithshme janë fiset më të egra jo vetëm në Evropë» (Cvijiq, II (1912) 1921:11).

Olivera Milosavleviq (1951-2015) ka qenë historiane serbe dhe ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Beograd. Është e njohur për qasjen kritike ndaj historiografisë bashkëkohore serbe dhe thyerjen e miteve kombëtare të përhapura në librat e historisë. Teksti i mësipërm është pjesa e tretë e një punimi të gjatë të Milosavleviq mbi raportet serbo-shqiptare.

Nga Enver ROBELLI : Imami i inatosur reagon ndaj atentatit

Pas vrasjes së dy ushtarëve në Sarajevë, një imam i drejtohet publikut me një letër të zjarrtë kundër islamistëve.


Dorasi erdhi në terr, hyri në një bastore futbolli, e cila gjendet jo larg një kazerme të armatës boshnjake, dhe hapi zjarr nga një pushkë automatike. Në sulmin e së mërkurës mbrëma humbën jetën dy ushtarë, një serb dhe një boshnjak (mysliman). Duke u arratisur vrasësi Enes Omaeragiq gjuajti edhe një autobus dhe plagosi disa veta. Nuk ishte tërbim i një të çmenduri, por «sulm terrorist»: ky është përfundimi i Prokurorisë së Përgjithshme boshnjake pas hetimeve të para. Kur policia e rrethoi shtëpinë e tij, sulmuesi vrau veten.

Sipas mediumeve, Omeragiq ishte një besimtar radikal mysliman. Ai mbante një mjekër të gjatë dhe pantallona për një pëllëmbë më të shkurtëra. Kjo është paraqitja me të cilën duken shpeshherë fanatikët. Omeragiqi 34-vjeçar ka qenë i afërt me lëvizjen vahabiste. Kjo lëvizje predikon një islam agresiv, nihilist. Sidomos Arabia Saudite, ku islami vahabist është edhe religjion zyrtar, përpiqet ta eksportojë në botë këtë version rigjid të islamit. Pas luftërave të fundit ballkanike, fondacione arabe kanë financuar ndërtimin e xhamive në Bosnjë, në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, kanë dhënë bursa për studentë të fesë dhe kanë hapur shkolla kompjuterësh. Kritikët flasin për mësonjëtore të shpërlarjes së trurit.

Disa sulme që nga 2010-ta

Të enjten nuk dihej nëse Omeragiqi ka luftuar në Siri për Shtetin Islamik (IS). Sipas të dhënave të ditores «Dnevni Avaz», dje policia e ka bastisur shtëpinë e dhëndrit të tij, i cili më 2013 është kthyer nga Siria. Babai i Omeragiqit ka thënë se djali i tij ka vrarë dy njerëz të pafajshëm. Ai tha se nuk do të marrë pjesë në varrimin e tij.

Myslimanët radikalë, në të vërtetë, në Bosnjë janë një pakicë absolute. Por, në mesin e tyre ka gjithnjë e më shumë fanatikë, të cilët janë të gatshëm të vrasin në emër të Allahut. Në verën e 2010-ës, një vahabist kreu një sulm ndaj një statcioni policor në Bosnjën qendrore. Me këtë rasti humbi jetën një polic. Nga fundi i 2011-ës një islamist gjuajti për disa minuta me një kallashnikov kundër ambasadës amerikane në Sarajevë. Në prill një ekstremist ia mësyu me thirrjen «Allahu Akbar» një statcioni policor në Zvornik të Bosnjës lindore, duke gjuajtur mbi nëpunësit. Një polic vdiq, dy të tjerë u plagosën. Bosnja me dy milionë banorë, prej tyre 40 për qind myslimanë, është një shtet i dobët. Pjesa e dominuar nga serbët dhe federata boshnjako-kroate prej vitesh e bllokojnë njëra-tjetrën. Serbët e Bosnjës madje kërcënohen vazhdimisht me ndarje. Konflikti i përgjakur që përfundoi para pikërisht 20 vjetëve me Marrëveshjen e Daytonit, vetëm se është ngrirë.

Në disa fshatra jetohet sipas sheriatit

Lidhjet me islamin radikal ekszistojnë nga fillimi i viteve ’90-të, kur qindra ekstremistë nga hapërsira arabe dhe Çeçenia erdhën t’iu dalin në ndihmë vëllezërve të tyre të besimit në luftë kundër serbëve. Disa ngelën në vend dhe përpiqeshin t’ua imponojnë grave shaminë. Fshatra si Gornja Maoça janë bastione islamiste, ku jetohet sipas rregullave të strikte të sheriatit.

Me fillimin e luftës siriane më 2011, sipas një raporti të Combating Terrorism Center të akademisë ushtarake amerikane West Point, «Shtetit Islamik» i janë bashkuar deri 600 xhihadistë nga Ballkani. Disa dhjetëra prej tyre ndërkohë kanë rënë në luftë për kalifatin e terrorit. Ministri i Brendshëm i Kosovës Skender Hyseni para pak kohe është shprehur se deri më tani në Siri janë vrarë 40 shtetas kosovarë. Një rol të rrezikshëm luajnë imamët radikalë, të cilët i shfrytëzojnë rrjetet sociale dhe mediumet lokale për të përhapur propagandë urrejtëse. Në mënyrë indirekte bëhet thirrje për t’iu ndihmuar «vëllezërve sirianë».

Imami kërkon denoncim

Këta predikues të urrejtjes janë popullarizuar edhe në mesin e diasporës shqiptare dhe boshnjake në hapësirën gjermanofone. Disa, sikurse imami kosovar Shefqet Krasniqi, janë paraqitur shpesh në xhamitë e Zvicrës. Para disa viteve Krasniqi ka thënë se për shqiptaren Nënë Tereza nuk ka vend në parajsë. Më 2011 dhe 2013 ai ka marrë pjesë në konferencën vjetore të Këshillit Qëndror Islamik në Zvicër, një organizantë e dyshimtë.

Që nga viti 2014 autoritetet e shteteve të Ballkanit po reagojnë me valë arrestimesh kundër fanatikëve fetarë. Policia kosovare vetëm verën e fundit ka çuar 50 nxitës prapa grilave. Mediat raportojnë vazhdimisht dhe me indinjatë të madhe mbi islamistët, të cilët nisen për në Siri madje me gjithë fëmijët e vegjël. Në fillim të qershorit, bosët e IS u vërsulën me fjalë. Në një video ata u kërcënuan me një valë terrorizmi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në regjionin e Sanxhakut, i cili pjesërisht i takon Serbisë dhe pjesërisht Malit të Zi. Kërcënimi iu drejtohej para së gjithash myslimanëve liberalë, të cilët për shkak të stilit të tyre perëndimor të jetesës u quajtën «kufar» («qafir»), jobesimtarë.

Mbi 50 për qind papunësi te të rinjtë

«Washington Post», duke u thirrur në burime të qarqeve të shërbimeve sekrete, së fundmi raportoi se IS po infiltron në Ballkan gjithnjë e më shumë luftëtarë të kthyer nga Siria. Shumica e vendeve të rajonit janë të varfra dhe pjesërisht qeverisen nga politikanë shumë të korruptuar. Papunësia te të rinjtë shkon në mbi 50 për qind. Për gjakpirësit e Shtetit Islamik ky është një ambient ideal për të rekrutuar pasardhës. Përmes rrugës së ikjes së refugjatëve nëpër Ballkan, IS mund të fusë tinëz edhe armë dhe atentatorë vetvrasës.

Pas atentatit të së mërkurës mbrëma në Sarajevë, imami boshnjak Muhamed Veliq iu drejtua publikut me një letër të zjarrtë kundër islamistëve. Këta duhet denoncuar si dilerë droge në polici, tha ai. Sepse këta po i ndjellin njerëzit në parajsë me bileta të rrejshme. Njerëzit, të cilët prishin shtëpitë e Zotit dhe shenjtëritë, iu presin kokën pengjeve dhe i vrasin fëmijët, janë «qenë të xhehenemit», shkroi imami i inatosur. Ai u bëri thirrje besimtarëve që ndaj fanatikëve të jenë të guximshëm dhe të zëshëm.

(Tages Anzeiger)

Myslimanët këqyren me sy të keq pas sulmeve të Parisit

Dy autorë e shqyrtojnë disponimin ndaj myslimanëve në publikun francez. Kanë filluar të shfaqen shenjat e para serioze të mosbesimit ndaj këtij komuniteti të madh në Francë.





Nëntori nuk është janari. Ky mendim ka nisur të përhapet e të shihet nëpër të gjitha deklaratat e shumicës së politikanëve dhe mediave franceze, dhe duket se të gjithë kanë mirëkuptim për këtë qëndrim.

Ndryshe prej reagimit pas sulmeve të janarit në gazetën satirike, «Charlie hebdo», dhe vendet e tjera që lanë të vrarë 17 persona, nuk është se po u qahet halli dhe po manifestohet njëfarë solidariteti me myslimanët e Francës pas sulmeve të së premtes që morën jetën e 129 personave në Paris. Nuk kishte marshe, pak ankesa që të mos ngatërrohen praktikuesit e islamit me ata që predikojnë xhihadin.

Në vend të kësaj kishte njëfarë droje të dukshme, madje edhe zemërim, derisa presidenti François Hollande, kërkoi prej parlamentit të vazhdonte me gjendjen e jashtëzakonshme dhe bëri thirrje për ndryshim të Kushtetutës për të sfiduar terrorizmin. Kurrë nuk është thënë zëshëm, por nuk ka dyshim se ishte e qartë kristal:

Franca shekullare gjithnjë ka pasur marrëdhënie të ndërlikuara me komunitetin mysliman, por tash duket se ka ardhur koha kur raporti po shkon drejt mosbesimit, për të mos thënë armiqësisë.

Ndryshimi do të mund të vinte për shkak se Qeveria po ka telashe të mbajë një qëndrim të ndërmjetmë politik derisa kërcënohet prej të djathtës ekstreme të partisë antiemigrante të Frontit Nacional.

Tashmë ka pasur fjalë të serta që janë nxjerrë prej gojës së zyrtarëve në Qeveri që dëshmojnë se ka një devijim kah e djathta, duke bërë thirrje për mbyllje xhamish, vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme dhe me gjasë vënie të kufizimeve për më shumë se dhjetë mijë persona që janë pjesë e indeksit që konsiderohet si rrezik për sigurinë e vendit. Franca duhet «t’i dëbojë të gjithë këta imamë të radikalizuar», ka deklaruar të shtunën kryeministri Manuel Valls.

Franca tashmë ka dëbuar një numër goxha të lartë imamësh në vitet e fundit. Por sulmet nuk janë ndalur, dhe ekspertët theksojnë se shtigjet e radikalizimit është tipike që më shumë të shtohen në burgje ose prej luftës në Siri, por jo në xhami. Njëherësh, ka disa ndryshime dhe reagime të përziera – ka pasur raporte për përdhosje të disa xhamive në fundjavë dhe fjalë të ashpra ndëmrjet jomyslimanëve dhe myslimanëve në turmat e homazheve.

Shqetësimi në mesin e myslimanëve në Francë është frika në rritje. «Ne tashmë po ndjejmë kundërreagmin. Ka nisur menjëherë», ka deklaruar Latetia Syed, 17 vjeçe, familja e së cilës është mbledhur të dielën për homazhe pranë sallës së koncerteve Bataclan, ku të premten ishin vrarë 89 persona. Ajo ishte aty për të nderuar viktimat. «Kishte vërshim të gjuhës së dhunshme në Facebook për t’i vrarë myslimanët».

Të gjithë imamët e Francës «janë të shqetësuar», ka deklaruar Hassen Farsadon, drejtues i një grupi asociacionesh myslimane në periferi të Parisit. «Po mundohemi t’ia bëmë çaren kësaj pune».

Frika dhe dyshimi janë të prhershme. «Sot shkova në sallë të fitnesit, dhe kisha veshur mbulesën», ka thënë Aykut Kasaroglu, që punon në dyqan në distriktin e pasur me emigrantë, Montreuil. «Më ndaloi policia dhe më kërkoi ta hiqja shaminë që të mund të më shihte. Të gjithë konsiderohen të dyshimtë».

Dhe ka nisur të marrë hov shikimi me sy të keq i myslimanëve në Francë. Më në Francë nuk flitet vetëm për ndasitë e mëhershme politike, si e djathta, qendra apo e majta – por tani flitet si të menaxhohet luftimi i terrorizmit dhe si të menaxhohet komuniteti i madh mysliman në vend.

«Ne dimë dhe është e vrazhdë të nxirret nga goja se ishin francezët ata që vranë francezë të tjerë», ka deklaruar Hollande në paraqitjen e tij të rrallë në parlament. «Në tokën tonë ka individë që prej delikuencës kalojnë në radikalizim dhe pastaj në një kriminalitet terrorist».

Fjalë të ngjashme, referenca për «armikun e brendshëm» të Francës së fundi kanë nxitur reagime të ashpra në të majtën. Por kësaj here fjalimi i Hollande është duartrokitur nga të gjithë, duke u kënduar si rrallëherë himni kombëtar dhe janë thënë fjalë të mira prej lideres së Frontit Kombëtar, Marine Le Pen.

E sa për mënyrën se si audienca i merr këto zhvillime, zonja Le Pen «padyshim se do të shënojë rritje» të përkrahjes, ka deklaruar Bernard Gdard, ekspert i njohur francez për marrëdhënie myslimano-franceze dhe ish zyrtar i Ministrisë të Brendshme të Francës.

Nuk po mbahen më të ndrydhura ndjenjat antimyslimane, sugjeron zoti Godard. Tensionet u përshkallëzuan të dielën kur një francez, duke iu afruar një grupi grash myslimane me shami që po bënin homazhe për vikimat e Batalcanit në një faltore, nisi të nxirrte mllefin kundër Kuranit si burim i frymëzimit të ekstremistëve.

«Kurani thotë se askush nuk ka të drejtë të ta marrë jetën», ka deklaruar njëra prej atyre grave, Abiba Trabacke, që kishte një shami të kaltërt i ka krahasuar vrasësit e së premtes të ngjashëm me vrasësit nazistë, duke shtuar: «Ata nuk kanë kurrfarë lidhje me ne».

Por burri nuk po hiqte dorë, dhe shumë gra në turmë u shkrehën në vaj. «Po lutemi për paqe dhe dashuri», ka rrëfyer njëra prej tyre.

«Mbylleni gojën!», u ka bërtitur një kalimtar rasti. «Nuk është koha t’i hyjmë kësaj çështjeje».

Trabacke i është kthyer turmës që po rritej. «A e shihni këtë shami që mbaj në kokë?» Ka pyetur ajo. «Është bindja ime; vjen prej Zotit».

Si mund të ndikojë kjo në javët në vazhdim shihet më së miri kur t’u hidhet një sy propozimeve që të përdoret sa më mirë e famshmja «Dosjet S», një pasqyrë e mijëra personave që konsiderohen si kërcënim urgjent. Ka pasur fjalë që ndaj tyre të merren masa për lidhje të dyshimta ose edhe prej kërcënimeve online. Së paku një prej sulmuesve në Bataclan, Ismael Mostefai ishte në listën S; në të ishin edhe dy vëllezërit që qëlluan në «Charlie Hebdo» në janar dhe një sulmues që ishte neutralizuar prej tre amerikanëve në tren në gusht.

Shpeshherë në Francë ka pasur debate e ankesa se pse individë të njohur për rrezikun që paraqesin për shtetin nuk ishin ndalur paraprakisht. Secilën herë zyrtarët kanë thënë se nuk mjafton fakti se ata janë në dosjen për t’u arrestuar.

Që nga e premtja, ka pasur thirrje të vazhdueshme prej të djathtës dhe të djathtës ekstreme për fushata të ashpra kundër anëtarëve të listës, me një funksionar të lartë të Frontit Nacional që të hënën ka deklaruar gjatë një paraqitje televizive se duhet të arrestohen të gjithë ata që janë pjesë e listës. Por kësaj here qevria majtiste nuk është ngutur që të hedhë poshtë gjithçka që del prej listës.

«Nuk mund ta përjashtoni asnjë mjet», ka deklaruar zoti Valls, kryeministri. «Nuk po përjashtojmë asnjë mundësi». Sikurse e ka thënë më së miri edhe shefi i tij, zoti Hollande para deputetëve të hënën – «Me aktet e luftës të premten e 13 nëntorit, armiku ka shkelur edhe një vijë».

Avokatët thonë se çështja është si mund të kufizojë një qeveri të drejtat e një komuniteti që në shumicë nuk është kundër ligjit, duke i inkurajuar forcat e sigurisë që të përndjekin militantët.

Kritikat e zonjës Le Pen për Hollande mund të kenë qenë më të rëndësishme se sa lavdërimi i saj i pazakonshëm. Presidenti ka dështuar të përmend «luftën kundër islamizmit» ose «spastrimin e bodrumeve të mbushura me kriminalitet», ka deklaruar ajo. Sipas gjuhës së Frontit Nacional, fjalët e le Penit – «periferi» dhe «kriminalitet» shpeshherë merren si kode për islamin dhe kriminaliteti në periferi – përdoren shpeshherë për islamin dhe myslimanët.

«Ka rrezik serioz në opinionin publik se njerëzit po radikalizohen edhe më shumë», ka deklaruar Godard. «Mbase njerëzit thonë tani: ‹Jo, jo, jo islamit në hapësira publike, jo më›».

(«New York Times»)

Shqiptarët e Maqedonisë kanë mbetur pa programin në gjuhën e tyre amtare në satelit që transmetonte në kuadër të Radiotelevizionit të Maqedonisë.

Kanali i dytë satelitor i Televizionit të Maqedonisë në gjuhën shqipe, pas tre viteve transmetim e ka shuar sinjalin në Evropë dhe vende të tjera të botës. Kjo pasi radiotelevizioni publik ka vendosur të kursejë duke i hequr dy kanalet e tij satelitore. Si zëvendësim për sinjalin satelitor, drejtuesit e RTVM-së kanë zgjedhur internetin, programi do të transetohet onlajn në ueb-faqen e servisit publik.
Drejtuesit shqiptarë të televizionit pranojnë se ky vendim është marrë për shkak të financave, ata ngushëllohen me faktin se bashkë me kanalin në gjuhën shqipe është ndërprerë edhe ai në maqedonisht. Sipas zëvendës-drejtorit të RTMV-së – Harun Ibrahimi, nuk bëhet fjalë për ndonjë diskriminim: «Dy kanalet në satelit janë ndërprerë vetëm për shkaqe financiare, pasi për tre vite televizioni ka paguar 4,5 milionë euro.» Por, «programet nuk janë mbyllur – ata mund të ndiqen në internet», informon më tutje Ibrahimi.
Rikthimin në satelit të programit në gjuhën shqipe e ka bërë të pasigurtë ligji i ri për veprimtari audio dhe audio-vizive, në të cilin thuhet në satelit duhet të transmetojë të paktën një kanal, ndërsa për të tjerat mbetet interneti. Jozyrtarisht, në opinion dhe brenda vetë servisit publik druhet se ndërprerja e përkohshme e sinjalit të dy kanaleve mund të jetë e kobshme për programin në gjuhën shqipe, pasi edhe ligji nuk obligon që të transmetojnë që të dy kanalet. Një gjë e tillë, tani dhe në të ardhmen, mbetet në vullnetin e drejtuesve të RTVM-së.
Zëvendës-drejtori Harun Ibrahimi thotë se ligji sikurse nuk obligon, as edhe nuk ndalon; ai lë hapsirë për më shumë kanale. Për të ardhmen autoriteti mbështetet në praktikën e tre viteve të fundit. «Është vendosur një traditë, e cila nuk besoj që do të mund të ndalet. Kur të hapet tender për programin në gjuhën maqedonase, do të hapet edhe për atë në shqip», siguron Ibrahimi. Por, edhe ai pohon se lëshimi i sinjali në satelit para tre viteve është bërë në saje të «luftës» së tij, dhe jo falë dispozitave ligjore që e obligojnë drejtorinë.
Këtë e bën edhe më të qartë fakti që para vitit 2013 TVM1-shi për vite me radhë ka transmetuar program satelitor vetëm në gjuhën maqedonase. Kanali satelitor shqip, për aq sa ka funksionuar, ka dhënë 24 orë program në gjuhën shqipe, që i bie më shumë sesa TVM2-shi tokësor, i cili transmeton vetëm 16 orë në ditë. Për më tepër, këtë kohë shqiptarët e ndajnë me pakicat kombëtare në Maqedoni – turqit, romët, serbët dhe vllehët.
Megjithatë, ky nuk është problemi i vetëm për shqiptarët, të cilët e paguajnë njëjtë si maqedonasit taksën radiodifuzive. Përveç dy kanaleve në tokësor, prej kohësh funksionon edhe kanali i Kuvendit, i cili i transmeton seancat plenare dhe ato të komisioneve parlamentare. Në kohën kur nuk ka seanca të Parlamentit, kanali jep program kulturor, argëtues, edukativ, arsimor dhe dokumentar. Asnjë minutë nga ky program nuk ju dedikohet shqiptarëve dhe gjithçka është në gjuhën maqedonase. Për vite me radhë, diskutimet e deputetëve shqiptarë në këtë kanal përcillen të dubluara në gjuhën maqedonase, ndërsa në shqip ato mund të ndiqen vetëm në audio-kanalin Dual 2.
Edhe këtë funksion, Dual 2, e kanë vetëm një pjesë e vogël e popullsisë, pasi disa nuk i kanë pajisjet adekuate. Disa operatorë kabllovik audiosinjalin e transmetojnë vetëm në një kanal. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim tani e disa herë kanë përsëritur se në komisionin e kanalit të Kuvendit do ta shqyrtojnë me partnerët e tyre qeverisës këtë problem. Por, deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje në këtë çështje.(ARBEN ZEQIRI)

Kriminalizimi i «shpifjes» ndaj zyrtarëve të lartë, kërcënim për demokracinë

Projektligji i mbështetur nga kryeministri Edi Rama për të kriminalizuar shpifjen kundër zyrtarëve të lartë i kthen orën mbrapsht demokracisë së brishtë shqiptare.



Nisma më e fundit e qeverisë shqiptare për të kriminalizuar shpifjen, e cila u mbajt e fshehur nga qeveria deri sa u dërgua në parlament, nuk është një rrufe në qiell të hapur për një maxhorancë që duket se ka pak tolerancë për zërat kritikë dhe për gazetarinë e pavarur.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama nuk synon të kriminalizojë çfarëdolloj shpifjeje! Propozimi i tij synon të kriminalizojë vetëm atë lloj fjale, shkrimi apo deklarate që shënjestron drejtuesit e shtetit. Shpifja, sipas propozimit të qeverisë, janë vetëm ato «sjellje që manifestohen përkundrejt funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur, në rastin kur ndaj këtyre të fundit shpifet me qëllim dhe publikisht lidhur me fakte të cilat ligji i parashikon si vepra penale».

Propozimi synon të dënojë atë që qeveria e quan «shpifje ndaj zyrtarëve të lartë» me gjobë deri në tri vjet burg. Qeveria pretendon se kjo masë është e nevojshme për të ndaluar «abuzimet me lirinë e fjalës». Propozimi është bërë në atë pjesë të kodit penal që flet për «krimet kundër shtetit». Kjo nënkupton që nëse ndonjë qytetar thotë se ky apo ai ministër është hajdut, kjo konsiderohet shpifje dhe krim kundër shtetit dhe mund të dënohet me deri tri vjet burg. Por e kundërta, kur një zyrtar konsideron hajdut një qytetar, kjo nuk konsiderohet shpifje dhe as nuk dënohet.

Në Shtete e Bashkuara të Amerikës, zyrtarët dhe personat publikë gëzojnë shumë më pak mbrojtje ligjore ndaj akuzave publike, qoftë ajo fyerje apo shpifje, se sa qytetarët privatë. Shqipëria, si një vend që ëndërron të bëhet demokratik, po bën pikërisht të kundërtën, po blindon zyrtarët përballë qytetarëve, po i armatos ata me kërcënimin me burg.

Situata bëhet akoma më paradoksale kur merret parasysh se propozimi bëhet nga kryeministri aktual, njeriu që u godit në mënyrë barbare në vitin 1996 për lirinë e fjalës, apo të njëjtit njeri që shkoi në Paris më herët këtë vit në solidaritet me viktimat e sulmit terrorist ndaj karikaturistëve të Charlie Hebdo. Propozimi u kalua fshehtazi në qeveri, hyri në procedurë parlamentare pa e marrë vesh askush dhe u zbulua rastësisht më 11 nëntor 2015, plot tri javë pasi qe dorëzuar në Kuvend.

Mënyra se si u propozua projektligji, mënyra se si u mbajt i fshehur për shumë javë dhe mungesa e debatit publik për nevojën apo mungesën e nevojës së një ndryshimi të tillë, përbën një shqetësim më vete. BIRN Albania, si organizatë për zhvillimin e medias, mendon se projektligji i propozuar nga kryeministri Edi Rama është një hap i madh pas për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mendimit.

Liria e shprehjes është sakaq nga liritë më të dobëta që gëzojnë shqiptarët. Për shkak të pushtetit disproporcional të partitizmit në Shqipëri, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë frikë të flasin, kanë frikë të ngrenë zërin, kanë frikë të protestojnë. Për shkak të pushtetit pa kufij ligjorë të partitizmit në Shqipëri, çdokujt i rrezikohet vendi i punës, mirëqënia apo edhe ndihma ekonomike në rast se ngre zërin. Gazetarët, të cilët duhet të jenë zëdhënës të zërit të qytetarëve përballë autoriteteve, shumë shpesh mbyllin sytë dhe heshtin si pasojë e frikës nga autoritetet.

Mbetet për t’u parë se si mund të funksionojë kriminalizimi i shpifjes në kuadër të nismave të shumta të qeverisë për «denoncimin e korrupsionit», përmes aplikacioneve në internet si ai i hapur së fundmi stopkorrupsionit.al. Klima e lirisë së shprehjes sakaq është shumë e keqe dhe aspak e përshtatshme për të kryer debatet e nevojshme për një shoqëri demokratike.

Shpifja është një akt i shëmtuar, ndaj kujtdoqoftë, përfshirë edhe zyrtarët e lartë. Legjislacioni aktual shqiptar i hartuar në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, i jep të drejtë palës së prekur nga shpifja t’i drejtohet gjykatës, ose t’i drejtohet prokurorisë për kallëzim penal, por sipas kodit penal aktual, kjo vepër dënohet me gjobë kur është penale dhe me dëmshpërblim kur është padi civile. Ne mendojmë se legjislacioni aktual është mëse i mjaftueshëm dhe se nga viti 2012, kur u krye kjo reformë, deri më sot, nuk ka ndodhur kurrfarë spekulimi i jashtëzakonshëm me lirinë e shprehjes për të sugjeruar nevojën për ndonjë ashpërsim ligjor. Shqiptarët vuajnë aktualisht nga mungesa e lirisë, jo nga tepria e lirisë.

BIRN Albania mendon se nisma të tilla ligjore janë dyfish alarmante. E para për shkak të rrezikut që qytetarët dhe gazetarët t’i frikësohen burgut sa herë që shkruajnë apo hapin gojën për të kritikuar autoritetet, duke thelluar edhe më tej nivelin ekzistues të ushtrimit të vetëcenzurës dhe; e dyta për shkak se propozimi, më shumë se sa për kërcënimin me gjobë apo burg, është një sinjal i hidhur për mënyrën thellësisht difektoze se si qeveria aktuale mendon për lirinë e shprehjes.

Propozimi i projektligjit bashkë me relacionin përkatës do të mbetet një njollë e zezë mbi qeverinë aktuale. Kjo njollë do të rëndojë mbi qeverinë edhe nëse ajo e tërheq menjëherë projektligjin dhe kërkon ndjesë të thellë. Klasifikimi i shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë si “krim kundër shtetit” është një masë që ne gjykojmë se mund të ndërmerret vetëm nëpër vende autokratike si Rusia, Turqia, Egjipti apo Azerbajxhani.

BIRN Albania inkurajon fort qeverinë të tërheqë menjëherë projektligjin në fjalë, inkurajon fort Kuvendin e Shqipërisë të mos e votojë atë, inkurajon shoqërinë shqiptare të kundërshtojë me forcë këtë propozim.

«Fabrikat e diplomave»: Kosova dhe Shqipëria prodhojnë të diplomuar pa perspektivë

Gjithnjë e më shumë të rinj po marrin diploma universitare por shumë përfundojnë të papunë ose në punë të pakualifikuara.



Nga Jeton MEHMETI


Avni Avdiu ka një seri mbresëlënëse kualifikimesh akademike nga tri shtete të ndryshme. Dyzet e dy vjeçari ka tri diploma universitare nga universitetet e Kosovës; një diplomë masteri nga Universiteti i Tiranës; dhe një doktoraturë nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodi nga Shkupi.

Por një gjë që Avdiu nuk e ka është një vend pune. Rasti i tij është një shembull ekstrem i një fenomeni në të tri shtetet ku ai ka studiuar si dhe në vende të tjera të Ballkanit – njerëzit po diplomohen nga universitetet në numra gjithnjë e më të mëdhenj por shumë prej tyre nuk gjejnë dot punë. Edhe nëse arrijnë të gjejnë punë, shpesh ajo nuk reflekton nivelin e tyre arsimor.

Nepotizmi në shpërndarjen e vendeve të punës në sektorin publik, politikat e përqendruara në rritjen e numrit të studentëve dhe jo në cilësinë e arsimit, gjendja e mjeruar e ekonomive të rajonit dhe dështimi për të dizenjuar kurse që plotësojnë nevojat e tregut të punës, janë ndër arsyet që ka identifikuar Rrjetit Ballkanik i Gazetarisë Investigative që kanë quar në këtë gjendje.

Ky shkrim special i BIRN, i cili bazohet në statistika zyrtare, intervista me të diplomuar, akademikë e analistë, eksploron gjithashtu edhe zgjidhjet e mundshme të këtij problemi, duke i bërë një vështrim sistemit arsimor të Austrisë, vendit që ka një nga normat më të ulëta të papunësisë së të rinjve në Evropë.

Avdiu është shqiptar i lindur në Kumanovë të Maqedonisë, por e ndan kohën e tij mes Maqedonisë dhe Kosovës. Ai është shtetas i të dyja vendeve. Tri diplomat e tij universitare janë në gazetari, sociologji dhe filozofi, kurse doktoratura e tij merret me evoluimin e partive politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nga viti 1990 deri më 2010.

Me gjithë diplomat, e ardhura e tij e vetme e rregullt është asistenca sociale e papunësisë prej 45 eurosh në muaj që e merr nga shteti maqedonas. «Shembulli im është diskurajues për të rinjtë», thotë ai. «Këtu kot e ke nëse studiosh fort e mundohesh shumë.»

Historia e Avdiut vë në dukje një nga arsyet se pse shumë të diplomuar kanë vështirësi në gjetjen e punës – në sektorin publik punët jepen në bazë të lidhjeve politike.

Ai ka aplikuar për një vende pune në universitetet e Prishtinës dhe të Tetovës disa herë. Në Tetovë, thotë ai, i është thënë në mënyrë të hapur se nuk ka shans të gjejë punë përderisa nuk anëtarësohet në ndonjë parti politike me ndikim. «Ata tallen me mua. Me thonë se ‹pa u bashkuar me një parti, as 15 doktoratura nuk të ndihmojnë›», thotë ai.

«Ky është çmimi që unë po paguaj pasi refuzoj që të jem konformist dhe servil i partive politike në Kosovë e Maqedoni.» Bisedat e përgjuara të publikuara më herët këtë vit nga opozita në Maqedoni japin shembuj konkretë se si zyrtarët e partive në pushtet diskutojnë punësimin dhe promovimin e mbështetës të tyre në sektorin publikë.

Kamarierët me master të Kosovës

Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008, numri i të diplomuarve të papunë është rritur me shpejtësi nga 2’953 në 6’840, sipas Ministrisë së Punës. Një numër i madh i këtyre të diplomuarve vjen nga Universiteti i Prishtinës, universiteti më i vjetër publik në vend, i cili jep rreth 5’200 diploma bachelor dhe mbi 900 diploma master në vit.

Në vitet e fundit, një lloj «mastermani» duket se ka mbërthyer Kosovën, ku studentët gjithnjë e më shumë besojnë se një diplomë pasuniversitare do t’u shtojë mundësitë për të gjetur punë. Por edhe diplomat master shpesh nuk janë të mjaftueshme për të gjetur punë dinjitoze.

lerim Cakolli, 30 vjeç, ka diplomën bachelor dhe atë master nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës. Që kur fitoi titullin master para tre viteve, ai po punon me orar të plotë – jo si avokat, por si kamerier në një kafene.

Nivel i lartë i shkollimit të kamerierëve mund të shpjegojë arsyen pse një faqe interneti për udhëtimet vitin e kaluar pretendoi se banakierët e Kosovës bëjnë makiaton më të mirë në botë.

«Pasi përfundova studimet, unë aplikova për shumë vende pune të lidhura me profesionin tim, në qeveri, gjykata dhe institucione të tjera publike, por pa sukses», thotë Cakolli. Ai ka mbaruar edhe praktikën e punës për një vit në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe ka marr pjesë në trajnime të ndryshme.

Kur Cakolli pyet punëdhënësit se pse ai nuk është përzgjedhur për punë, përgjigjet më të zakonshme janë se ai nuk ka eksperiencë profesionale tre vjeçare. Por, njësoj si Avdiu, ai beson se arsyeja e vërtetë pse ai nuk gjen dot punë është nepotizmi i gjithëpërhapur. «Është bërë praktikë që vendet e punës në sektorit publik reklamohen thjeshtë si formalitet», thotë ai. «Personi që ata duan për punë veç ka filluar punën.»

Cakolli nuk është i vetmi që ka një perceptim të tillë. Sipas një sondazhi të publikuar më herët këtë vit nga Programi i OKB-së për Zhvillimin, 81 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, përkatësia partiake dhe faktorë të tjerë që nuk kanë fare të bëjnë me meritën janë më të rëndësishme kur vjen puna për fitimin e një vendi pune në sektorin publik. Vetëm rreth 15 për qind mendojnë se arsimimi, eksperienca profesionale dhe trajnimi profesional luajnë rol.

Sasi kundër cilësisë

Por analistët thonë se të diplomuarit po vuajnë për të gjetur vende pune edhe për shkak të politikave të këqija arsimore. Në dhjetë vitet e fundit, ministrat janë përqendruar në rritjen e numrit të studentëve në dëm të cilësisë së arsimit, thotë Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsimim të Kosovës, një organizatë joqeveritare që synon të përmirësojë standardet në shkolla dhe universitete.

Që nga viti 2008, numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës është rritur nga 30’000 në më shumë se 53’000 – një numër shumë i madh për një qytet që ka popullsi prej 200 mijë banorësh, sipas censusit 2011. Qeveria ka hapur gjithashtu pesë universitete të tjera publike dhe ka akredituar mbi 25 kolegje private.

Universiteti i Prishtinës shihet si universiteti më i mirë publik në vend. Por në tetor 2015, ai u rendit në vend të 4’046 në një listë të universiteteve më të mira në botë – shumë më pas se sa universitetet e tjera të rajonit, përfshirë Universitetin e Ljubljanës (216) dhe Universitetin e Beogradit (431).

«Pothuajse asgjë nuk është bërë për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë, gjë që ka sjellë prodhimin e një numri të madh të diplomuarish të cilët nuk janë të përgatitur për tregun e punës», thotë Pupovci. «Megjithëse një diplomë universitare e rrit mundësinë për punësim, megjithatë , një numër kaq i madh i të diplomuarve e bën punësimin më të vështirë.»

Gjithsesi, qeveria ka një incentivë për të nxitur sa më shumë njerëz të shkojnë në universitet. Sipas rregullave statistikore të Kosovës, studentët nuk llogariten në normën zyrtare të papunësisë, e cila edhe ashtu është shumë e lartë, në rreth 35 për qind.

‹Fabrika diplomash›

Shqipëria ka parë gjithashtu një rritje të shpejtë të numrit të studentëve në universitete. Mes viteve 2008 dhe 2013, numri i studentëve në universitetet publike dhe private pothuajse është dyfishuar nga 93’000 në 173’000 sipas statistikave zyrtare.

Kjo ka rritur gjithashtu shqetësime mbi cilësinë. Vitin e kaluar, kryeministri Edi Rama urdhëroi mbylljen e 18 universiteteve private pas një raporti inspektimi që zbuloi se ata po shpërndanin diploma me cilësi të dyshimtë. Përgjatë pak viteve, tha Rama, universitetet private dhanë 32’000 diploma – gjysma e të cilëve u dha nga një universitet i vetëm.

Para se të vinte në pushtet, Rama pati kritikuar kushtet e lehta të akreditimit të universiteteve private të cilat ai tha se janë kthyer në «fabrika diplomash». Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, zyrtarët thonë se ata e kuptojnë se sistemi universitar ka nevojë për reformë.

Ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami thotë se objektivi kryesor i politikës për arsimin e lartë deri tani ka qenë rritja e numrit të universiteteve publike, rritja e numrit të studentëve dhe afrimi i sistemit të Kosovës me atë të Bolonjës. Por, thotë ai, «tani ne po zbatojmë një projekt që synon të studiojë nevojat e tregut të punës dhe ne do t’i kërkojmë universiteteve të rishikojnë programet e tyre në përputhje me rezultatet. Ne po punojmë për një ligj të ri mbi arsimin e lartë që do të sjellë shumë ndryshime, të gjitha në frymën e rritjes së cilësisë së arsimit të lartë», thotë ai.

Në anën tjetër, Qeveria e Ramës i ka kërkuar një grupi ekspertësh të udhëhequr nga Arjan Gjonca, një profesor demografie në Shkollën Ekonomike të Londrës, të hartojë reformën e arsimit të lartë. «Ne kemi nevojë për institucione që të jenë të afta të krijojnë studentin e të ardhmes, një student të mirëarsimuar, i cili mund të gjejë një punë dhe që është i përgatitur për jetën», deklaroi Gjonca.

Por ligji i bazuar në propozimin e komisionit u bllokua nga presidenti i Shqipërisë në gusht, duke treguar se sa vështirë është që të kthesh retorikën mbi reformën arsimore në realitet. Ligji hyri në fuqi pasi u miratua nga parlamenti sërish, pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të organizatave studentore dhe shumë akademikëve. Ata e shohin ligjin e ri si një përpjekje për të privatizuar arsimin e lartë dhe argumentojnë se ligji dhunon parimin e autonomisë universitare.

Deri sa ndryshimet të vijnë, disa kompani private do të duhet të përballen me mungesën e kuadrove të aftë për punë. Brickos është një kompani që prodhon tulla në komunën e vogël Ranillug, në lindje të Kosovës. Ajo punëson gati 90 njerëz por drejtuesit thonë se gjetja e punonjësve të mirëkualifikuar është një sfidë e madhe. Gjatë një shëtitjeje në fabrikë, një menaxher thotë se firmës iu desh të punësojë një inxhinier nga Serbia për të montuar makineritë për shkak se nuk gjetën dot askënd që ta bënte në Kosovë.

Megjithatë, vetëm nga Universiteti i Prishtinës, më shumë se 100 studentë diplomohen në inxhinieri mekanike çdo vit. Lidhja e teorisë me praktikën është një sfidë madhore për universitetet e Kosovës, gjithsesi. Universiteti i Prishtinës, buxheti vjetor i të cilit është vetëm 30 milionë euro, nuk mund të përballojë krijimin e laboratorëve të fjalës së fundit. Por stafi thotë se ata përdorin atë që kanë për t’i dhënë studentëve të kuptojnë botën reale.

«Ne nuk mund të japim shumë punë praktike këtu, por së paku ne përpiqemi t’i bëjmë studentët të ndjejnë zhurmën e motorit, në mënyrë që ata të mos tmerrohen kur të shkojnë në punishte», thotë Shaban Buza, një profesor i inxhinierisë mekanike në Prishtinë.

Buza, i cili u emërua në tetor si rektor i Universitetit publik të Gjakovës, thotë se çdo reformë në arsimin e lartë duhet të ecë paralelisht me një analizë të tregut të punës. Ne nuk mund të kemi një strategji arsimi pa një strategji punësimi, gjë që do të tregojë se cilat profile ne do të na nevojiten në të ardhmen», thotë ai. «Sot ne kemi një numër të stërmadh të diplomuarish për ekonomi dhe juridik.»

Të rinjtë Evropianë

Një vit pasi Kosova shpalli pavarësinë, qeveria i pagoi miliona euro agjencisë së marketingut Saatchi & Saatchi për të prodhuar një film të shkurtër me titull «Kosova, të rinjtë Evropianë», për të prezantuar një imazh pozitiv për vendin më të ri të Evropës dhe popullsinë e re të këtij vendi.

Por realiteti ka rezultuar shumë i ndryshëm. Papunësia mes të rinjve tashmë është rreth 60 për qind. Shumë nga të rinjtë Evropianë të Kosovës kanë vendosur se e ardhmja e tyre gjendet diku tjetër në kontinent.

Në muajt e parë të këtij viti, mes 50’000 dhe 100’000 njerëz ikën nga vendi, në kërkim të perspektivave më të mira ekonomike në vendet më të pasura të Bashkimit Evropian. Disa analistë argumentojnë se ministrat duhet ta pranojnë migrimin ekonomik si një fakt në jetën e Kosovës – dhe politika arsimore duhet të përshtatet me tregun e punës jo vetëm në shtëpi por edhe jashtë vendit.

«Migrimi është një mënyrë jetese e nevojshme për Kosovën, siç ka qenë për gjenerata», thotë Besa Shahini, një nga autoret e raportit me titull ‹se Kosova ka nevojë për Emigrim›, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, një institut kërkimor me bazë në Berlin. «Vendet e punës që kosovarët marrin jashtë vendit preken nga cilësia e arsimit në Kosovë», thotë Shahini, duke shtuar se shumë të rinj studiojnë ekonominë dhe juridikun në vend që të mësojnë «aftësi për treg» të tilla punë si zdrukthëtaria, tekstili apo profesioni për përkujdesjeje. «Një ripërqendrim te shkollat e arsimit profesional në Kosovë është i nevojshëm për të trajnuar të rinjtë për punë në Kosovë por edhe jashtë vendit», thotë ajo.

Mes atyre profesioneve të kërkuara jashtë vendit janë mjekët. Përgjatë tri viteve të fundit, më shumë se 400 mjekë kanë ikur nga vendi, sipas Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë. Paga mesatare e mjekut specialist në Kosovë është vetëm 600 euro – në rast se ata ia dalin ta gjejnë një vend pune.

Një mjek specialist që refuzoi të citohet me emër i tha BIRN se tani ai po punonte në një supermarket pasi u pushua nga puna në klinikë për shkak se mbështeti një parti politike që humbi pushtetin.

Karrierë në ‹Call Center›

Në Kosovë dhe në Shqipëri sot, sektorët që janë duke u zgjeruar dhe që po punësojnë njerëz nuk janë duke kërkuar posaçërisht të rinj me diploma universiteti.

Në një ditë me diell në qershor, Andi Fosa, menaxher i Tregi Kosovo, një kompani reklamash përmes telefonit me bazë në lagjen Pejton në qendër të Prishtinës, buzëqesh kur mikpret një kandidat të ri në një intervistë për punë. Çdo javë ai merr dhjetëra aplikime për punë. Kompania punëson rreth 70 njerëz, duke shitur produkte ushqimore italiane përmes telefonit në vendet gjermanishtfolëse dhe anglishfolëse.

Numri i të punësuarve në Tregi Kosovo — një degë e 3G Brothers Holding, një kompani ndërkombëtare me bazë në Lugano të Zvicrës – varion shumë në varësi të punës që ka qendra. Pak vite më parë, ajo ka pasur më shumë se 170 njerëz duke punuar me telefona.
Pasja e një diplome universiteti nuk është e nevojshme për të punuar në një ‹call center› dhe nuk nënkupton një pagë më të lartë, megjithëse shumë nga të punësuarit e Fosa kanë më shumë se një diplomë. «Njohuria e gjuhës, aftësitë bazë në kompjuter dhe të qenit një person pozitiv është gjithçka që duhet për të punuar këtu», thotë Fosa.

Kristiana Gjoni thot se ka punuar te Tregi Kosovo prej gati tre vitesh. Paga bazë aty është 270 euro në muaj, por me mundësi edhe për komisione. Ajo ka dy diploma të nivelit bachelor nga Universiteti i Prishtinës, një për gjuhën gjermane dhe një për gazetari. «Unë u regjistrova në dy fakultete të ndryshme në mënyrë që nëse një profesion nuk më ofronte mundësi për një punë, profesioni tjetër mundej», thotë Gjoni. «Por në punën që po bëj, diploma universitare nuk ka asnjë rëndësi.»

Kompania mëmë e Tregi Kosovo ka gjithashtu shtatë qendra në Shqipëri. Në fakt, ka 12 kompani ‹call center› në mesin e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në Shqipëri, duke punësuar në total 9’500 njerëz, sipas Ardian Hackaj, autor i një studimi mbi trendet e punësimit në Shqipëri i publikuar këtë vit.

Hackaj thotë se mes gjetjeve më befasuese të studimit të tij qe që më shumë se 80 për qind e kompanive të vrojtuara nuk kishin plane për të punësuar të diplomuar përgjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm. «Ata kanë plane për të punësuar të rinj, por jo domosdoshmërish të diplomuar», thotë ai. «Kjo tregon se pronarët nuk punësojnë më diploma dhe kualifikime por njerëz që mund të bëjnë punën.»

Këndvështrimi austriak

Në Austri, ku norma e papunësisë është vetëm gjashtë për qind, mund të gjesh punë të mirëpaguar dhe të kualifikuar falë një arsimimi të mirë – pa shkuar në universitet.

Fevzi Hajra, 21 vjeç, përfundoi arsimin bazë në Kosovë por tashmë është në vit të fundit në një shkollë profesionale në qytetin jugor të Grazit në Austri, ndërkohë që punon në një kompani inxhinierike. Ai fiton rreth 1,400 euro në muaj dhe së shpejti do të bëhet një saldator i kualifikuar. Ai ka vendosur se nuk dëshiron më të shkojë në universitet. Austria ka një nga normat më të ulëta të papunësisë mes të rinjve në Bashkimin Evropian në rreth 10 për qind sipas të dhënave të qershorit 2015.

Në sistemin arsimor të Austrisë, nxënësit zgjedhin një nga dy rrugët – një arsim të përgjithshëm që të çon drejt universitetit, ose një opsion më profesional, që sjell kualifikim si punonjës i specializuar, i njohur si Arsimi dhe Trajnimi Profesional, VET. Rreth 80 për qind e fëmijëve të shkollave zgjedhin VET pas shkollës fillore.

«Austria nuk është ekskluzivisht e përqendruar në arsimin e lartë, siç kanë bërë vendet e tjera Evropiane, për shkak se… ne kemi një sistem shumë të fortë VET, i cili i kualifikon njerëzit për vende pune të cilat janë aktualisht të kërkuara në tregun e punës», thotë Thomas Mayr, drejtor i ibw Austria, një institucion kërkimor në Vjenë që përqendrohet te arsimi profesional. «Mbi 90 për qind e atyre që marrin VET punësohen më vonë.»

Arsimi profesional nuk është një koncept i panjohur në Shqipëri dhe Kosovë. Ka shkolla publike profesionale në të dyja vendet, por me reputacion shumë të ulët – aspak i ngjashëm me shkollat si ajo e Grazit ku studion Fevzi Hajra.

Në këtë shkollë, studentët mund të bëhen inxhinierë të specializuar në prodhimin e çelikut apo në ndërtimin e makinerive e veglave. Ata mund të bëhen saldatorë, madje edhe instruktorë fitnesi.

Sistemi austriak përfshin bashkëpunim të ngushtë mes shkollave dhe kompanive, ku studentët përfundojnë praktikën e punës. Në kompaninë inxhinjerike të Siemens në Graz, e cila prodhon trena dhe vagonë, praktikantët trajnohen në fusha që përfshijnë mekatronikën, ndërtimet prej çeliku dhe drejtimin e makinerive.

«Çdo vit, 12 deri në 18 praktikantë rekrutohen këtu në Siemens. Ata praktikisht mësojnë gjithçka që një student i inxhinierisë mekanike e mëson në nivel universiteti», thotë Martin Kahr, i cili mbikëqyr praktikantët në fabrikë.

Në Kosovë, dhjetëramijëra studentë të shkollës së mesme aplikojnë për një vend në universitet, duke shpresuar se një ditë nuk do të përfundojnë si mjekë që punojnë në një supermarket apo avokatë që shërbejnë në një lokal.

Fevzi Hajra, ndërkohë, ëndërron që një ditë të kthehet në Kosovë dhe me ndihmën e një partneri austriak, ta menaxhojë fabrikën për metal punues në vendlindjen e tij në Vushtrri.

Kjo mund të tingëllojë si tepër ambicioze, por së paku Hajra ka ende një ëndërr – ndryshe nga Avni Avdiu, i cili është tërësisht i zhgënjyer nga vitet në të cilat është përpjekur të gjejë punë me pesë diploma universitare. «Në këtë rajon meritokracia ka vdekur prej kohësh», thotë ai. «Ky është vendi ku lidhjet familjare, partitë politike dhe korrupsioni e bëjnë punën.»

Qeveria s’komenton vizitën e Dikoviqit, OJQ-të thonë se u fyen viktimat


Izbica, Çikatova, Qirezi janë vetëm disa nga fshatrat e Drenicës që në momentet kur flitet për to të shkojnë në mendje vrasjet dhe krimet e kryera aty nga serbët në pranverën e vitit 1998.

Përgjegjësia për këto vrasje, sipas dokumentacionit nga Tribunali i Hagës dhe dëshmitarëve okularë e oficerëve serbë, të mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare, bien mbi Brigadën Motorizuese 37, e udhëhequr atëkohë nga gjenerali Ljubisha Dikoviq, tash shef i shtabit të Ushtrisë Serbe.

23 faqe është dosja e parë mbi krimet e luftës të bëra në Kosovë mbi shefin e Ushtrisë së Serbisë, derisa ekziston edhe një dosje e dytë, por që kurrë Prokuroritë nuk u morën me to.



Bekim Blakaj, që udhëheq Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se Brigada 37, komandant i së cilës ka qenë Dikoviqi, ka operuar në Drenicë dhe është përgjegjëse për disa krime që kanë ndodhur atje.

Megjithëse, Blakaj është i vetëdijshëm që KFOR-i e ka partner ushtrinë serbe dhe takimet e tilla janë të pashmangshme, sipas tij, ardhja e Dikoviqit në Prishtinë ka qenë vendim i pamatur dhe është fyerje për viktimat e luftës.

Pos këtyre edhe varrezat në Rashkë dyshohet të jenë vepër e shefit të ushtrisë serbe, pasi ekzistojnë fakte që trupat e shqiptarëve janë bartur nga Drenica për në Serbi, bartje që është kryer nga brigada që është udhëhequr nga Dikoviqi.

Ky dyshim forcohet edhe për faktin se vetëm pak metra larg vendit ku u gjetën trupat e mbi 50 shqiptarëve në Rashkë ndodhet edhe kazerma e Brigadës së Dikoviqit.

Por, pavarësisht kësaj, institucionet e Kosovës nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme për vizitën e njeriut që mbahet përgjegjës për disa nga masakrat më të mëdha në Drenicë.

KTV-ja ka provuar ta ketë një prononcim nga Qeveria, por e gjitha ka mbetur në tentativë.

Ndërkohë, as KFOR-i nuk ka dashur ta komentojë vizitën e shefit të Ushtrisë Serbe në Kosovë, duke thënë se krejt çka ka pasur të thotë është në web faqen e tyre.

E në fakt aty vetëm tregohet se vendimi ishte marrë si përgjigje ndaj përkushtimit të vazhdueshëm të Serbisë në normalizimin e hapësirës ajrore në Ballkan dhe reflekton bashkëpunimin pozitiv mes KFOR-it dhe forcave të armatosura serbe brenda kornizës së komisionit për zbatimin e përbashkët.

«Lirimi i hapësirës së sigurt ajrore është hap i rëndësishëm drejt normalizimit të hapësirës ajrore ballkanike. Kjo tregon që rajoni është në rrugë të integritetit të plotë në hapësirën evropiane ajrore», është thënë në komunikatën e KFOR-it.

E përveç reagimeve opozitare, ka reaguar edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, duke potencuar se bazuar në vetë faktin që Serbia ende nuk ka kërkuar zyrtarisht falje për krimet e kryera në Kosovë dhe se ende nuk është vënë drejtësia në vend për këto krime, KFOR-i duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për këtë provokim dhe ofendim të rëndë që u është bërë viktimave dhe familjeve të tyre.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...