2018-01-01

Viti 2018, i Gjergj KASTRIOTIT – Skënderbeut, pa Emnin e At Gjergj Fishtës e t’ Atdhetarve të tjerë të Veriut, të “lanun në harresë” , nuk ka me pasë asnjë vlerë, ashtu si “shkollat Shqiptare pa shkrimtarët e Veriut”!

            “ME  KËTE  SHENJË  DO  TË  FITOSH”   
Tue zbardhë mosha dhetepestë e jona
Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem
Hanza pergjakshem, nisë mbi Europë t’ kukzohet.
Ishte zotmadhi i turqvet, që në krye
Të ma s’ rreptes ushtri  së jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mëni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i ndahej para
Se hanzen t’ ngrinte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit
E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vênte kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash  s’ ishte,
Perpara tij ranë frone e ranë therore;
U rroposen mbretni  e u shkimen fise,
E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.
Greku, bullgari humben, humbi serbi,
- Humbi, po, serbi, madhështia e t’ cilit,
Atje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a mështiellte. – T’ felgruem droje, shuejtën
Zanin mbretent e Europës. Zâmaret heshten,
Heshti edhe kanga e nji mjerim i shemtuem,
I  ra mbarë dheut.
                                         Kur, qé, mbi kep të Krujës
Titanike po del nji hije burri,
Vetullat ngerthye, si dy hulli rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cila
Shtëllungë gjatë nofullash i derdhej, si ajo mjegulla
Rreth njaj curri t’ thepisun. N’ krye trishtueshëm
Flakë shkelqen tarogza brinatake,
Që, tmershem ka ‘i vezullon nen rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.
Ai asht fatosi i ndiemun Gjergj Kastriota,
I Madhi Gjergj Kastriota Skënderbeu,
Që, prej atij kepi, si nji shqipe mali
Kundron kah forca e barbarisë lindore
Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,
E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e njerit;
Si rribë veriu, qi rêtë i fshin prej qielli
Dhe e lên token me u tha. Edhe tue pa
Se anmiku i rreptë i qytetnisë njerzore
Po nis per s’ afermi Shqipnisë t’ kercnohej
E se prej njerit s’ kisht’ pse ndimë me pritë,
Çon syt kah qielli, e zemra gjak tu’ i shkue,
“O Zot! – gerthet, - O Zot i Madhi i Ushtrive!
E po a njëmend se ma s’ do t’ ketë Shqipnia
Nji vend ku me t’ u lutë?... E se gratë tona
Djepat  n’ Azi mbas sotit do t’ përkundin?...
E se Shqiptari tokën do t’ punojë
Veç per me kndêllun n’ mish gocat çerkeze,
Që nji tirani t’ i sherbejnë ma kandshem?
Oh! Pse ia mbrrimë ksajë dite, e s’ ka shperthye
Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrive, Ti prej qielli
Zemer e forcë m’ dergo, që këtij tartari
Barbar unë t’ ia diftoj, se Shqiptaria
S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé
Di t’ vdesë Shqyptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ fésë kjo lutje u çue kah qiella
E i shkoi n’ vesh Perendisë e e preku n’ zemer.
I Amshuemi, atëherë, prej visarit t’ qiejvet
Nxjerrë nji pelhurë të ngjyme “kuq e zi”,
Që engjujt vetë n’ Parriz endun e kishin:
E mbasi e puth’ i Lumi e ven në ballë,
Nji kerubini t’ lehtë i urdhnon tue’ i  thanë,
“Na, e ketë Flamur Skanderbeut çoja
Atje poshtë n’ Krujë,  e thuej prej anës s’eme,
Se dersa t’ rrijë tok fisi i Shqiptarit
Nen hije t’ ktij emblemi t’em t’ bekuem,
Zot m’ veti e i lirë gjithmonë ai ka me kenun”.
Kështu tha i Amshuemi; e ai kerubini i qiejvet
Palosun  n’ parsmë Flamurin e Shqypnisë,
Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit
Shigjetë n’per nji rreze drite dirgjet n’ Krujë.
Ku Skënderbeut n’ dorë dhuntinë e Zotit –
Flamurin e Shqipnisë – ia jep e këshillin
E t’ Lumit ia difton: Se si Shqiptari
Zot m’ veti e i lirë gjithmonë do t’ mund qëndrojë.  
Si ai njeri, që trishtue njaj andrre s’ keqe,
Kur gjumi i del, me vedi xen e gëzohet,
Se n’ hije e jo njëmendtë iu shfaq rreziku:
Kështu Skënderbeu nis me u gëzue me vete,
Si Lajmi i qiejvet n’ dorë ia dha Flamurin
E i tha se per nën hije t’ tij Shqipnia
E lirë e zojë m’ vetvete përherë do t’ mbetej.
Edhe armatoset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Ngjesh pallen  n’ ije – pallen t’ rreptë, mizore,
E n’ patershanë, me pafta arenzi t’ mathun,
Njet Flamurin kuq e zi, që vetë i Amshuemi
E kishte puth edhe mbi shpinë të kalit,
Që, fry turinjtë, njuhatte erë të gjaku,
Hidhet porsi duhi e rreptë. Prej millit
E nxjerrë pallen mizore, e drejtë kah qielli
Heshten e ngre. Nji  fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashtnisë – po e zhdrivillon Flamurin.
- Flamurin e Atdheut  t’ em – që tue gufue
Mallnueshëm nepër ajr të lirë t’ Shqipnisë,
Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si ai skundilli i petkut t’ Perendisë,
Që, mirë qëndisë me hana, yj e diej,
Prej krahvet t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm
I varet poshtë neper hapësi t’ Empirit,
Kah, mështetë n’ stuhi e n’ flatra t’ rribës s’ murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullisë.
E ashtu n’ atë dukë të rreptë e t’ perfrigueshme
Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Krujës
Po u thërret Shqiptarve t’ vet e u thotë: “Këtu burra!
Këtu eni, o t’ bijtë e Maleve! Shqipnia
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuen
Malet e fushat e Shqipnisë kreshnike,
Edhe një çetë e vogel homeridësh,
- Burrash si motit veç që bante nana -
Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit
Nji  bé të madhe bajnë e lidhin besën,
Se i pëllâmbë toke t’ Atdheut s’ ia lëshojnë tartarit,
Po s’ e lánë para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh
E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e n’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmorevet t’ maleve t’ thepisuna
Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,
Rrâjnë fulikare permbi radhë t’ turqvet,
Të cilët, prej s’ largu  tue ua pamë hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnershem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkëndija me vringllimë t’ trishtueshme,
E bumbullojnë henike edhe gopedra,
E vrrasin keqas të varruemt përdhé.
Kaq nji  zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuemun pluhuni,
Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Ballkani.
Shkon gjaku rrëkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mbulue. Hidhet,
Hingëllon, trumhaset kali i Skënderbeut,
Kah thundra e mbathun thellë i humbë në dhé
Të rijtun n’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzen,
Atëherë zotmadhi i turqvet pendohet
Që i ra kurrë n’ mend t’ mësyjë Shqipninë mizore.
E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
Ai dhé, ku  Flamuri kuq e zi valvitet.

  ■Shenim nga Fritz Radovani: Viti 2018, i Gjergj KASTRIOTIT – Skënderbeut, pa Emnin  e At Gjergj Fishtës e t’ Atdhetarve të tjerë të Veriut, të “lanun në harresë” , nuk ka me pasë asnjë vlerë, ashtu si “shkollat Shqiptare pa shkrimtarët e Veriut”!
Po ju persëris se:         


                                 “E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
  Ai dhé, ku  Flamuri kuq e zi valvitet...”


Fritz Radovani 

         Melbourne, 9 Dhjetor 2017.

Disa të dhëna historike rreth figurës dhe familjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeut.



Valter Shtylla: Skënderbeu serb? në librat e tyre njihet si shqiptar

Image result for valter shtylla

Prof. Valter Shtylla

Burimet e shkruara – arkivat dhe dokumentet e ndryshme – si dhe botimet historike janë pjesë e rendësishme e përshkrimeve historike.

Nga ana tjetër, edhe objektet monumentale të trashëgimisë kulturore pasqyrojnë në mënyrë konkrete aspekte materiale për ngjarje dhe figura të ndryshme të historisë.

Duke u mbështetur në llojet e burimeve të përmendura më lart, në këtë shkrim jepen disa të dhëna historike rreth figurës dhe familjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeut.

Dihet se për Skënderbeun dhe bëmat e tij janë shkruar dhe botuar shumë libra dhe artikuj. Dhe këtu është rasti të theksojmë se një nga librat më të hershëm ku përmendet Skënderbeu dhe familja e tij është pa dyshim ai i autorit spanjoll Agustin Sales me titull “Historia del Real Monasterio de la SS-ma Trinidad” i botuar në Valencia në vitin 1761, dhe i ruajtur në Bibliotekën e Conventos SS-ma Trinidad të Real Manastirit.

Gjatë një vizite që bëra në këtë manastir në vitin 2001, pasi mësuan që një shqiptar nga vendi i Skënderbeut ishte mik në Convento-n e tyre, murgeshat më dhuruan me respekt një fotokopje të origjinalit të këtij libri. Manastiri Mbretëror i Valencias dhe lidhjet me të, përfaqësojnë një faqe historike të familjes së Kastriotëve.

Tashmë dihen mirë lidhjet dhe aleancat e Skënderbeut me familjen mbretërore të Aragonëve të Napolit. Kurora e tyre përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias. Mbreti dragon Alfonsi V-të, që nga gjysma e parë e shek. XV-të, e deri në vitin 1458, me kurorën e monarkut, pati miqësi me familjen arbërore të Kastriotëve.

Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, familja e tij me gruan, Donikën, në krye emigroi në Napoli. Nga burimet rezulton se djali i Donikës, Gjoni, së bashku me të birin, Alfonsin, në vitin 1500 kanë qenë në Spanjë, ku përkrah spanjollëve kanë luftuar kundër arabëve.

Gjithashtu, burimet dëshmojnë se gjatë periudhës 1499-1506 Donika ka qenë në Valencia. Në vitin 1445, Mbretëresha e Spanjës, Maria de Castilio, gruaja e Alfonsit të V-të aragon, pat filluar ndërtimin e Real Manastirit të Valencias, ku ajo dhe u varros në vitin 1458 në një varr monumental në portikun e manastirit.

Miqësia e Kastriotëve me Aragonët dëshmohet dhe nga fakti që pjesëtarë të familjes së Kastriotëve kanë varret e tyre në këtë manastir mbretëror, përkrah mbretëreshës aragonase Maria de Castilio.

Studiuesi spanjoll Daniel Benito Goerlich në veprën e tij “El Real Monasterio de la Santissima Trinidad” të vitit 1998, në faqen 154, shkruan “në këtë kapelë (kamare anësore) është varrosur në fillim të shek XVI-të gruaja e Gjon Kastriotit, birit të Mbretit të Albanisë Gjergj Kastrioto, i quajtur nga myslimanët Skënder – Beg, që do të thotë Aleandro (Aleksandro)”.

Djali i Gjonit, Alfonsi, sipas Salesit (vepra e lartpërmendur, fq.119), ka vdekur në vitin 1503 i goditur nga një gur teksa kalonte mbi urën San Trinidad pranë Manastirit.

“Alfonsi – vijon Sales – është varrosur brenda në kishë nën një kolonë mermeri poshtë vendit të korit të kishës, në murin perëndimor, duke u nderuar si biri (gabim – në fakt është nipi: shën. V. Shtylla) i Gjergjit, mbretit të Albanisë”. Kisha e Manastirit është dëmtuar disa herë dhe për pasojë varret sot nuk ruhen sipër dyshemesë.

Në kapelën në verilindje të naosit ku qe varrosur Xhovana, gruaja e Gjonit dhe nëna e Alfonsit, sipër varej një ikonë e madhe e Shën Mërisë, dhuratë e Beatrices së Hungarisë për Xhovanën. Kjo ikonë në vitin 1612 u vendos në kapelën përballë.

Për shkak të dëmtimit të varreve, në vitin 1900 pllaka prej mermeri të zi e varrit të Alfonsit u vendos në një qoshe të kishës pranë hyrjes.

Pllaka lexon “Këtu prehet Alfonsi, biri i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i braktisur nga turqit, fortesë e pamposhtur e krishtërimit, i cili u quajt nga turqit Escardabech, dhe i cili, për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit, krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë.

Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503.” Kuptohet se këtu bëhet fjalë për të nipin dhe jo për të birin e Skënderbeut, i cili pat vdekur në vitin 1468. Nga ky epitaf del qartazi vlerësimi i dinastisë aragonase për, siç thekson pllaka, “Mbretin e Albanisë”.

Në faqen 115 të librit të tij, Salesi shkruan “Jorgo Castrioto, Mbreti i Albanisë dhe i Epirit, dhe një nga kapitenët më të mëdhenj dhe më trima të botës, i cili nga turqit (prej të cilëve që arratisur) u quajt në arabisht Scander Beg, që do të thotë Alejandro …”.

Në vitin 1506 Donika nga Valencia nuk u kthye në Napoli. Mendohet se edhe Donika, bashkë me gardën e saj të përbërë nga rreth 20 kalorës, të jetë varrosur në Real Manastirin San Trinidad të Valencias.
Zef Mirdita, në veprën e tij “Krishtenizmi ndër Shqiptarë”, faqe 170, shkruan se “nuk janë të pakët ata që mendojnë se Skënderbeu ka qenë ortodoks dhe lidhur me të (fenë e tij) është trajtuar edhe përkatësia e tij etnike”.

Mirëpo dihet se dinastia e Kastriotëve, që sundonte në trevën e Matit, gjeneratë pas gjenerate, ka qenë e lidhur me ipeshkvinë latine shqiptare – vijon Mirdita.

“Dihet se i ati i Gjergj Kastriotit, Gjoni, në principatën e vet ka pasur klerikë dhe abaci katolike. Nga ana tjetër, në Manastirin serb të Hilandarit në malin Athos, ai mori Kullën e Shën Gjergjit në këmbim të dy fshatrave në Rekën e Dibrës.

Ky veprim shpjegohet me frymën e tolerancës fetare. Veç kësaj, ka qenë praktikë e familjeve feudale mesjetare shqiptare që, me anën e martesave të lidhnin miqësi me feudalët fqinjë, pavarësisht se çfarë besimi dhe riti ishin ata” përfundon Mirdita.

Kështu motra e Skënderbeut, Mara qe martuar me princin e Malit të Zi, Stefan Crnojeviçin, kurse kunata, Angjelina, e bija e Gjergj Arianitit dhe motra e Donikës, qe martuar me despotin serb Stefan Brankoviç. Pas vdekjes së Skënderbeut, në vitin 1468, shumica e princave shqiptarë emigruan në Itali.

Veç Kastriotëve, ndër familjet që emigruan, qenë Muzakajt, varret e të cilëve ndodhen në Bazilikën e Frankavilës; familja e Vrana Kontit, vajza e të cilit Anxhela, u martua me Dukën e Gravinës, Ferdinand Orsinin, biri i Françesk Orsinit, i ekzekutuar nga Cezar Borxhia i Spanjës.

Anxhela vdiq në moshë të re në vitin 1518 dhe i shoqi e varrosin në një varr monumental në Kishën e Shën Sofisë në Gravina. Kostandin Arianiti i feudaleve arianitas, kunati i Skënderbeut, është varrosur në vitin 1530 në Fano, dhe sipas disave, në Shën Agostinin e Romës (burimi: Paolo Petta, Despotë të Epirit dhe Princër të Maqedonisë, Tiranë 2000, faqe 188).

Kështu pas Skënderbeut, mërgata e fisnikëve shqiptarë u orientua përgjithësisht drejt botës perëndimore katolike. Studiuesi Pëllumb Xhufi, në librin e tij “Dilemat e Arbërit”, faqe 483, lidhur me përkatësinë fetare të Kastriotëve shprehet se “Karl Topia dhe Gjon Kastrioti duket se ishin princërit e fundit shqiptarë të Arbërit, që mbajtën një profil të papërcaktuar fetar.”
Shuflaj
Një studiues i njohur sllav që ka botuar jo pak për historinë e Shqipërisë është kroati Milan Shuflaj. Ai, në librin “Serbët dhe Shqiptarët” 2001, në faqen 200 përmend faktin se ikumeni i manastirit serb të Hilandarit në vitin 1426 i shiti Gjon Kastriotit Pirgun e Shën Gjergjit në këtë manastir për 60 fiorinta. Ky pirg sot njihet me emrin “Pirgu i Shqiptarëve”. Shuflaj shënon më poshtë se në këtë manastir mbeti si murg vëllai i Skëdërbeut, Reposhi, i cili këtu edhe u varros.

Mbishkrimi i varrit e quan atë “Duka i Ilirëve”. Varri është brenda kishës, në murin verior. Kështu Shuflaj nënvizon përkatësinë iliro – shqiptare të Kastriotëve.

Sreten Petkoviç
Autori serb Sreten Petkoviç në vitin 1999 ka botuar në Beograd një libër për Hilandarin. Në faqen 41 të librit Petkoviç thekson “Në 1430-1431, Reposhi, vëllai i të famshmit Scanderbeg nga familja Shqiptare e Castriotëve është varrosur në varrin në narteksin e brendshëm të murit verior.”

Pra një tjetër autor sllav flet mbi përkatësinë shqiptare të të Kastriotëve.

Tatjana Pejoviç
Në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, në territorin malaze ndodhet Manastiri i Komit, me konakët e dëmtuar dhe me Kishën Fjetja e Shën Mërisë që është funksionale edhe sot.

Ky kompleks është ndërtuar në vitet 1415-1427 nga familja e Crnojeviçëve, që e kishte selinë në fortesën e Zhabljakut aty pranë. Stefan Crnojeviçi ishte martuar me Marën, motrën e Skënderbeut.

Djemtë e tij, Gjergji dhe Aleksi, ndërtuan Manastirin e Komit si një vepër shpirtërore. Brenda në kishë janë varret e çiftit Stefan – Mara dhe të të dy djemve. Mbi pllakën horizontale të varrit të Marës dallohet një monogram, të cilin me sa kemi mundur ta kompozojmë e lexojmë kështu “Është pllaka e zonjës Mara, princesha e Crna Gorës, motra e Giorgio Scanderbeg.”

Për ekzistencën e këtyre varreve flitet edhe në faqet 56 dhe 434 të Albumit “Spomenici Kulture Crne Gore” të vitit 1997. Mjaft i qartë është një konstatim i specialists Tatjana Pejoviç, e cila në vitin 1995 ka botuar monografinë “Manastiret në territorin e Malit të Zi”. Në faqen 134, kur flet për Manastirin e Komit, ajo përmend pllakat e varreve në interierin e kishës.

“Pranë pllakës së Stefanit – shprehet ajo – ndodhet pllaka e Mara Kastriotit, princesha shqiptare, motra e Skënder- Begut. Pllakat, shton Pejoviç, janë të pasura me gdhendje dekorative.” Pra ky është një rast tjetër i përcaktimit të Kastriotëve si shqiptarë, nga ana e studiuesve të kualifikuar sllavë.

Zharko Shçepanoviç
Në vitin 2002 në Podgoricë është botuar libri i Zharko Shçepanoviç me titull “Kratka Istorija Crne Gore”. Në faqet 90-105 trajtohet kapitulli “Mali i Zi nën pushtetin e Crnojeviçëve”. Në kreun e faqes 97 është shkruar emri i saktë shqiptar i Heroit tonë, ashtu siç e shkruajmë ne, bashkëkombasit e tij – Gjergj Kastriot Skënderbeg, dhe jo siç e transformojnë me qëllim tjetërkund.

Këtu bëhet fjalë për historinë e një vendi fqinj sllav, me të cilin Skënderbeu ka pasur shumë lidhje e bashkëpunim.
Burime të shumta historike dëshmojnë lidhjet e Skënderbeut me familjen mbretërore të Aragonëve të Napolit, e cila përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias në Spanjë. Pasuesi i Alfonsit V, Mbreti Ferrante i pat njohur familjes së Kastriotëve disa feude të rëndësishme në Itali, si Kontenë Monte Santanxhelo dhe Sinjorinë e San Xhovani Rotondos.

Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 Mbreti Ferrante mori nën mbrojtje familjen e Skënderbeut. Me rastin e vdekjes ai i dërgoi Donikës një mesazh ngushëllimi ku shprehej se vdekja e burrit të saj i kishte hidhëruar jo më pak se vdekja e Alfonsit dhe se Gjergj Kastrioti ishte për ta si një baba i dytë.

Pas 1468-ës familja e Skënderbeut emigroi në Napoli. Gjoni, djali i Donikës dhe Gjergj Kastriotit pati katër djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë, Konstantini, në moshën 20-vjeçare, në vitin 1497 u shpall peshkop i Izernias, qytet në very të Napolit, ndërmjet Frozinones dhe Campobasos. Konstantini ka vdekur në vitin 1503 dhe është varrosur në portikun e Kishës Santa Maria la Nova të Napolit, në qendër të qytetit pranë Piazza Monteoliveto.

Kjo kishë quhet “e reja” pasi është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të hershme – Kuvendi i fretërve minorë. Kur Karli I ndërtoi Castelnuovon në vitin 1279, ai iu dha fretërve minorë tokë për ndërtimin e kësaj kishe, e cila më vonë, në fundin e shek. XVI-të pësoi ndryshime.

Në anën veriore të kishës ndodhet një oborr – portik kuadrat me korridoret e mbyllura anësore.Në faqet e mureve të korridoreve janë varrosur figura të shumta historike, që dallojnë nga epitafet e tyre.

Në qendër të korridorit verior ndodhet monumenti mortor Konstantin Kastriotit, një vepër arti e gdhendur në mermer me gjerësi 2.2m dhe lartësi 4.5 m dhe e punuar nga mjeshtri Jacopo de la Pila. Në pjesën e poshtme të veprës ndodhet epitafi me shkrimin latinisht, kushtuar nipit nga gjyshja Donikë.

Në këtë pllakë shkruhet “Konstantin Kastrioti i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dlirësi dokesh, për dinjitet, kryeprift i Izernias, që vdiq para kohe.
Donika Komina, stërgjyshja nga babai i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin e “njëmijë e pesëqind”.” Varri i Konstantinit është trajtuar në librin e vitit 1879 të Carlo Padiljones, i cili ka bërë dhe transkriptimin nga latinishtja të këtij epitafi. Ky varr monumental ka vlera historike edhe në fushën e heraldikës. Në pllakën e varrit është gdhendur dhe vërehet mjaft qartë stema – simbol e familjes së Kastriotëve. Në fushën ovale të një mburoje paraqitet shqiponja me dy krerë. Mbi dy kokat, janë dy kurorat mbretërore dhe sipër qafave është gdhendur ylli me tetë cepa. Sipër fare, jashtë mburojës është gdhendur kurora e kryepeshkopit, titulli që kishte Kostandini.

Ylli me cepa duket se simbolizon diellin. Ai është një simbol i njohur që prej antikitetit, siç është rasti për Mbretërinë Maqedonase. Në varrin e babait të Aleksandrit të Maqedonisë, Filipit II zbuluar në Verxhinia pranë Selanikut. Në këtë varr të fundit të shekullit IV p.e.sonë, Pasuri e Kulturës Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s, janë gjetur dy kuti prej ari mbi kapakët e të cilave është gdhendur dielli me cepa rrezatues, simbol i Mbretërisë Maqedonase.

Varri përfaqëson një kapelë me dy ambiente. Në ambientin e parahyrjes është gjetur kutia me diellin me 12 cepa, ndërsa në ambientin e varrit të Filipit II kutia e gjetur ka një yll me 16 cepa. Duket se në të dy rastet qëllimi ka qenë dhënia e simbolit të diellit, pa i kushtuar rëndësi numrit të cepave.

Për t’u rikthyer tek ylli me tetë cepa që gjendet në varrin e Napolit, duket se mund të ketë një lidhje midis tij dhe shandanit prej bronzi që Skënderbeu i pat dhuruar manastirit të Deçanit në Kosovë. Manastiri i Deçanit ndodhet në qytetin e Deçanit, në këmbët e Bjeshkëve të Namuna, ngjitur me lumin Bistrica e Deçanit.

Ky manastir është ndërtuar ndërmjet viteve 1327-1335. Si në çdo kompleks manastiri, objekti më i hershëm është kisha që ndodhet në qendër të tij. Kisha e Deçanit përfaqëson një objekt tipik të arkitekturës romaniko-gotike të shekullit XIV-të. Pas kishës, objekti më i rëndësishëm i këtij kompleksi religjioz është trapezaria (menca).

Në origjinë, ajo ishte një sallë me përmasa 10.5m × 32.5m ku ndodheshin 17 tavolina mermeri, në të cilat mund të uleshin njëkohësisht 150 murgjër. Pas djegies në shekullin e kaluar, salla u nda në tre pjesë, dhe ana e madhe lindore u përshtat si ambient muzeal për ekspozimin e ikonave dhe objekteve të tjera. Pikërisht në këtë sallë, në tavanin e apsidës gjysëmrrethore varet një shandan prej bronzi, i cili sipas gojëdhënës, i është dhuruar manastirit nga ana e Skënderbeut.

Shandani i varur mbi një zinxhir përbëhet nga tetë krahë koncentrikë, në fundet e të cilëve janë suportet për fiksimin e qirinjve vertikalë. Përdorimi i yllit me tetë cepa në simbolin e Kastriotëve mund të mos jetë një rastësi.

Mund të mendohet se Skënderbeu përdori si simbol të tijin pikërisht atë të Lekës së Madh, me të cilin e ka paralelizuar shpesh historia dhe prej të cilit mori edhe emrin Skënder – Aleksandër.

*****
Valter Shtylla, në krye të Institutit të Monumenteve



Specialisti i monumenteve, Valter Shtylla, duket se do të jetë drejtori i ri i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Prezantimi zyrtar i tij pritet të bëhet të martën, datë 9 dhjetor, e më pas Shtylla të nisë detyrën në pozicionin e ri, të cilën e ka pasur edhe disa vite më parë. Emërimi i Shtyllës vjen kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga dorëheqja e drejtorit të mëparshëm, Lorenc Bejko. Prej asaj kohe, ky institucion funksionon pa titullarin e tij. Pak ditë pas dorëheqjes, Bejko e motivoi largimin e tij me mungesë të vullnetit politik për ngritjen e nivelit profesional të të gjitha hallkave kyçe të sistemit të trashëgimisë në Shqipëri. Pas 15 muajsh punë të Bejkos, duket se kjo sfidë i mbetet tashmë Shtyllës, i cili prej vitesh është pjesë e këtij institucioni dhe kjo e ndihmon ta njohë gjendjen në tërësi. Gjithsesi, drejtimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës është kthyer në një sfidë të vërtetë. Brenda pak vitesh janë ndërruar disa drejtorë, disa të shkarkuar, edhe me motivin e shpërdorimit të detyrës (rasti i Apollon Baçes, i akuzuar nga ministri Ylli Pango). Gjithçka do të shihet në vazhdim të funksionimit të këtij institucioni të trashëgimisë, të cilin Shtylla do ta gjejë në prag të një viti të ri pune. Valter Shtylla lindi më 21 maj 1942 në Tiranë. Ai është pjesë e Institutit të Monumenteve dhe punon në këtë institucion që në kohën kur ky i fundit u krijua, më 1965-ën. Në vitin 1970, Shtylla ka kryer Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet, duke vazhduar edhe punën si punonjës shkencor në sektorët e monumenteve të arkitekturës antike dhe mesjetare. Gjatë viteve të para të punës së tij në sektorin e lartpërmendur, ai ka kryer aktivitete në terren në të gjithë Republikën, për gjurmimin, seleksionimin dhe vënien në mbrojtje nga shteti të vlerave të ndryshme të trashëgimisë kulturore, siç ishin objektet e kultit dhe ato të hershme inxhinierike, si dhe për konservimin e monumenteve të kultit. Në fushën e studimeve, objekt i prof. Valter Shtyllës kanë qenë ndërtimet e hershme inxhinierike si: rrugët, urat, ujësjellësit, banjat etj., duke realizuar kështu një dokumentacion të pasur grafik dhe fotografik për arkivin e institutit. Në këtë fushë, Shtylla ka botuar rreth 40 artikuj studimorë në organe të ndryshme të shtypit dhe kryesisht në revista e buletine shkencore, brenda dhe jashtë shtetit. Gjithashtu ai ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të ndryshme me kumtesa dhe diskutime mbi pasurinë kombëtare kulturore shqiptare. Gjatë viteve ‘94-‘97 ai ka qenë në detyrën e drejtorit të Institutit të Monumenteve. Që prej 20 vjetësh Shtylla gëzon të drejtën e mbajtjes së titullit "Doktor i Shkencave" dhe "Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor", ndërsa prej vitit 1995 ai mban titullin "Profesor Doktor".

Nis viti i Skënderbeut në botë


 Image result for skenderbeu
Heroi i pavdekshëm i kombit Shqiptar
 
Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në SHBA (USA) po organizohen aktivitete kulturore historike kushtuar Gjergj Kastriotit - Skënderbeut nga Shoqatat e ndryshme  të Diasporës Shqiptare që jetojnë në SH B A.
 
Akademia Shqiptaro –Amerikane e Shkencave dhe Arteve me qendër në New York e kryesuar nga Prof. Dok. Skënder Kodra dheKëshilli Kombëtar Shqiptaro- Amerikan me qendër në New Jersey i drejtuar nga Presidenti i saj Ing. zoti Haxhi Dauti organizojnë së bashku konferencën përkujtimore kushtuar: 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti –Skënderbeu, mbret i Arbërit prijs i Epirit dhe Maqedonisë.
 
Kjo konferencë ka një rëndësi të madhe pasi shërben në ruatjen e  gjallë të ethnokulturës Shqiptare, historisë  dhe trashëgimisë të kombit tonë i cili edhe sot jeton akoma i copëtuar dhunshëm, në trojet e tij native që fillojnë nga Mali i ZI, Bosnja e Sanxhaku, në Serbi, në Maqedoni dhe Greqi.
 
Në përkujtim të Skënderbeut në SH B A do të mbahet një javë festive, që fillon me dt.13 deri me dt. 20 janar 2018, ku do të zhvillohen një sërë aktivitetet të ndryshme kulturore-artistike ku do të marrin pjesë miq të kombit tonë,  Shqiptarë me origjinë nga të gjitha trojet Shqiptare të rajonit të Ballkanit, pjesmarrës të tjerë, shkollarë dhe studiues  që kanë sjellë ligjëratat e tyre me hulumtime shkencore dedikuar Skënderbeut, jetës dhe veprës së tij.
 
Në këtë konferencë përkujtimore është paraqitur dhe do të marrë pjesë me një ligjëratë të saj, Victoria Musacchia (Viktoria Muzaka) me origjinë nga familja e Muzakajve, prej Arbëreshëve të Italisë, që tani jeton në Texas të SH B A e cila do të sjellë  në një microfolm disa dokumente interesantë të shekullit XV-të që kanë lidhje me këtë event.
 
Këtë Konfrerencë e ka projektuar dhe do ta drejtojë Prof. / Academician Bajram Doka, Epigrafi/Albanologji dhe do në të po japin kontributin e tyre Prof. Bexhet Asani dhe Prof. Bashkim Klloboçishta.
Punimet e saj fillojnë me dt. 13 Janar 2018 në sallën e Monroe Colege në bashkë-kujdesin e Prof. Haxhi Berisha në adresën: 2501 Jerome Ave., Bronx, N.N, 10568 USA
Mbas dite në orën 13:30 (3: 30Pm) Këshilli Shqiptaro-Amerikan dhe Akademia Shqiptaro Amerikane e Shkencave organizojnë edhe mbrëmjen përkujtimore, dedikuar  po për këtë rast në restorantin”Maestros Catering” në New York, në adresën: 1703 Broxdale Avenue, N. York, N.Y, 10460 USA
 
Koferenca është e hapur për të gjithë dhe zhvillohet me kontributet vetiake të secilit pjesmarrës.
Kjo konferencë vjen mbas asaj që u mbajt me rastin e 100 vjetorit të ngrtijtes së flamurit kombëtar dhe Pavarësisë të Shqipërisë që u mbajt në ambientet e Institutit Gjergj Kastrioti Skënderbeu në vitin 2012 dhe të dyja këta konferenca  qëllimin e tyre kanë ruajtjen dhe kultivimin trashëgiminë ethnokulturore të Arbërit.
 
 
Nëpërmjet këtij njoftimi dëshiroj të informoj institucionet e dy shteteve Shqiptare, mediat e të gjitha llojeve, që sipas mundësive dhe dëshirës së tyre të marrin pjesë dhe të percjellin zhvilimin e këtij eventi si dhe aktivitetet e tjera që do të mbahen gjatë kësaj jave përkujtimore në; Connecticut, New York, New Jersey etj, të SH B A ku aktivitetet artistike do të jenë të shoqëruara me kostume kombëtare të trojeve të ndryshme Shqiptare.


Nis viti i Skënderbeut trojet shqiptare 


Viti 2018 është shpallur nga Qeveria e Shqipërisë si vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe përkon me 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbe.

Ky ishte vendimi i parë i qeverisë “Rama 2”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë vendim, ku madje ka kërkuar edhe sugjerime për aktivitete të ndryshme të cilat i përshtaten këtij viti.
“Një Komision i Posaçëm do të ngrihet, për organizimin dhe promovimin e këtij viti ku përveç 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Por padyshim në harkun e vitit që i lidh këta përvjetorë, ka edhe momente të tjera për të kujtuar e kremtuar, ngjarje e figura të historisë sonë kombëtare. Kontributi i çdokujt prej jush dhe i kujtdo që ka një ide, sugjerim, propozim për kalendarin e aktiviteteve te VITIT MBAREKOMBETAR TE SKENDERBEUT, është mëse i mirëpritur”, pati shkruar ai në facebook.

Përndryshe, tri monedha të reja do të hidhen në treg nga Banka e Shqipërisë.Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës i cili vendosi të miratojë emetimin e një serie monedhash përkujtimore me tematikë “550 vjet in memoriam Gjergj-Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)”.

“Seria do të emetohet gjatë vitit 2018 dhe do të përbëhet nga tre monedha, me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë.” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë. Kujtojmë se viti 2018, është shpallur nga qeveria si “Viti i Skënderbeut”, në nderim të 550 vjetorit i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Në zbatim të vendimit të Komisionit Shtetëror për vitin mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Këshilli i Lartë i Arkivave miratoi modelet e dokumenteve administrative që përmbajnë logon, të detyrueshme për zbatim nga gjithë administrata shqiptare. Logoja dhe përmasat e saj janë miratuar nga Komisioni Shtetëror me vendimin nr.2, ndërkohë që KLA e ka integruar në dokumentet administrative për vitin 2018.

Skënderbeu lindi në vitin 1403. I përkiste familjes së Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava.

Ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë.

2017-12-29

Shkruan Murat Gecaj:Letër nga Tirana


PAK RADHË, PËR LIBRIN E RI TË BAJAME HOXHËS-ÇELIKU,
“VAJET E PRANVERËS MASHTRUESE…”
(Ndodhet te Libraria “Adrion”, në qendër të kryeqytetit tonë)
Nga: Prof.Murat Gecaj,publicist e studiues
Një lexues i vëmendshëm, ka parë këto ditë, të publikuar në Internet, një Bisedë, që zhvillova me poeten e shkrimtaren Bajame Hoxha-Çeliku, e përndjekur nga diktatura në Shqipëri dhe tani me banim, familjarisht, në Bruksel të Belgjikës. Titulli i saj ishte, “17 librat e botuar, dëshmojnë punën time shumëvjeçare e të palodhur, përpara të vërtetave, që unë kam përjetuar...”. Duke folur për tërë këto botime të saj, ajo u ndal posaçërisht në përmbajtjen e këtij libri, i cili të tërheq që nga titulli i tij. Pasi sillte në kujtesë periudhën e interntimit në Lushnjë dhe vuajtjet pambarim aje, bëri këtë sqarim, sigurisht shkurt, për përmbajtjen e tij:
“ “Kush mbjell erën, korrë furtunën!...” Por, ne e prindërit tanë, mbollëm paqen dhe gjetëm ferrin mbi tokë! Në romanin me 581 faqe, "Vajet e Pranverës Mashtruese", që botova fundvitin e kaluar, te Shtëpia Botuese”Nacional”, trajtohet pikërisht kjo temë, që përfshin kohën, nga viti dyzetë e pesë dhe deri në nëntëdhjetë e njëshin, kur trokiti demokracia dhe ne u lamë të lirë të marrim vetëm rrugët e kurbetit, me rrobat që kishim veshur. Kush është i interesuar për ta njohur atë histori të hidhur, por të vërtetë, mund ta lexojë këtë libër, ku personazhet janë me emra të vërtetë. Megjithatë, besoj se nuk i ka nxënë dot ai libër, prej qindra faqesh, të tëra ato drama, që ne i përjetuam. Një jetë-në skëterrë, do ta quaja!” 
Prandaj  dhe, në mbyllje të tërë këtij botimi voluminoz, në faqen 578, autorja ka shkruar: “Kjo histori dhe tëra ngjarjet në libër, janë të vërteta, si  dhe personazhet, me emra të vërtetë”. Pra, kemi të bëjmë me ngjarje të përjetuara nga vetë  autorja, çka e bën më interesant leximin e këtij. Prandaj dhe unë e mora atë, në Librarinë “Adrion”, në qendër të kryeqytetit tonë dhe do ta lexoj, me kurreshtje e dëshirë.
Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, për këto pak radhë, që duken si një “reklamë”, për këtë libër të ri të autores prodhimtare, Bajame Hoxha-Çeliku. Me këtë rast, e përgëzojmë atë dhe i urojmë shëndet e mbarësi, vetjake e familjare dhe botime të tjera, gjithnjë e më të arrira, për të cilat ajo ka folur edhe në atë Bisedë, që përmenda më lart, pra se i ka të gatshëm për botim!
Tiranë, 19 qershor 2017



Letër nga Gjeneva

 z.Prof.Dr.FLORI, 
Ju përshëndes nga Gjeneva!  
Kam ardhur këtu te fëmijët për festat e fund-vitit 2017! 
Shpresoj të gëzoni shëndet të mirë dhe vullnet krijues! 
JU UROJ T'A KALONI TË GËZUAR FAMILJARISHT VITIN E RI 2018!

Në Tiranë ka filluar një fushatë pastrimi në pushtetin gjuqësor.  
Prandaj po ju përcjell tregimin FUNDI "BELAMI", I cili bën fjalë për këtë temë. 
Lexim të këndshëm! 

Shumë shoqërisht, 
Sotir Athanasi, 
Gjenevë, 
28, Dhjetor, 2017! 



     SOTIR ATHANASI
    F U N D I  "B E L A M I  
       (Paramnezi)
                             
             E treguar nga një veteran i policisë që meritoi buqetën me lule të freskëta vendosur mbi trapezën e shoqërisë sonë letrare e quajtur XINGOGRAFIA.t
  
            Blegtori, la çelsat e makinës mbi tryezë dhe përpara se të largohej, tha: - Zoti zëvëndës shef, serbatori është plot me karburant. Në qoftëse nuk keni porosi tjetër, unë po dal.
            Gerti nuk u përgjigj menjëherë. Ai morri nga sirtari kutinë e shkrepses, nxorri prej aty një kunjë dhe si i këputi kokën e hodhi atë në taketuke, kurse spicën e futi në gojë midis dy dhëmbëve qëndrorë.
            E bënte këtë veprim, sa herë kishte vendosur të nisej në një aksion policor kundër keqbërësve. Qe më shumë se një gjest, si të ishte fillimi i një akti luftimi. Se dhe maja e kokës së shkrepses, tek ai njeri, si ndonjë  bajonetë e drejtonte me gjuhë përpara. E barazonte atë me fillesën e kryerjes së detyrës dhe ndjelljen e fitores. Shkurt: qe supersticioz, siç mbase ju pëlqen ju shkrimtarëve, t'a quani. Por, edhe siç e njihnim të gjithë ne, bashkëpuntorët e tij. 
            Pastaj kapi çelsat dhe shkoi te dritarja. Pulsoi butonin dy herë dhe kur pa si u ndezën dhe u fikën sinjalet e furgonit, u përgjigj:
            - Domethënë makina është e para në këmbësoren përballë, kështu?
            - Po, zotni!
            - Mirë, faleminderit. E shumta tre ditë. Të katërtën ejani të merrni çelësat në vëndin  ku i latë. Dakort?
            Tjetri nuk u përgjigj me fjalë, por tundi kryet në atë mënyrë  kur duam të themi: të gjithë të mirat, ose...,  paç fat,  Buzëqeshi dhe derën e hapi lehtë për të dalë. Se e dinte: aksioni niste që tani. Por oficeri e ndali me një pyetje:
            - Viçat që i dërgoni në grumbullim për mish, çfarë karakteristikash duhet të kenë?
            - Duhet të dish, - nisi spjegimin specialisti i tyre: ato duhet të jenë të shëndetshme dhe të kenë një farë peshe.
            Gerti buzëqeshi: - Faleminderit! E paskam të fituar bastin me mikun tim.
            Pas kësaj, e hoqi spicën e futur midis dy dhëmbëve qëndrorë dhe e hodhi në tavëll për të përsëritur ritualin. Ky veprim do të thoshte se biseda mbaroi.
            Specialisti i blegtorisë e përshëndeti me kokë dhe doli.
            Gerti ishte Zëvëndës shef i rajonit. Ai pra, hapi sërish dosjen.  Përpara kishte një shkresë ku bëhej fjalë për një urdhër - ndalimi policor, fotografinë e një ish tutori femrash të keqtrajtuara e të trafikuara prej tij në Itali. Tre fotografitë e tyre, ku spikasnin vështrimet jo vetëm të njoma e të pafajshme (më të vogla se njëzetë vjeç), por edhe ai reliev i përbashkët e tejet i brishtë.
            Thirrja e tyre drejtuar, kujt? Mos ndofta Zotit. Po. Se çastin e fotografimit, nuk e kishin kërkuar me dëshirën e tyre. Kurësesi . Ato ishin sjellë aty me përdhunë dhe që t'i shpëtonin shëmtimit fizik, kishin pranuar një tjetër dhimbje, atë më të madhen: shkatërrimin shpirtëror. Se e kishin njehsuar si më të pranushëm. Prandaj, të shtrënguara u detyruaran dhe i plazmuan portretit një pamje ikone edhe pse tanimë kishin përfunduar në skllave.
            Zëvëndës shefi duke ditur pozicionin e tyre, sa herë që i shihte, i nëpërmendej përcaktimi mëse i gjetur, vetëm me një shprehje e psikologut në Akademi:
            Maska e një ikone rrezikzezë.
            Por këtë herë, në vënd të saj, lexoi vetëm pak rreshta.
            E kishte shkruar njëra nga Ato, nëpërmjet klientit të saj të rradhës (i cili, për fat të mirë, kishte qënë bashkatdhetari ynë dhe se, jo pa rrezik, e kish pranuar një pusullë për t'ia shpënë babait të saj në Tiranë).
            Le t'a lexojmë atë:

           "Idhuli im BABA! 
           Mamaja kishte të drejtë, por ne nuk ia dhamë.
           "I fejuari im, doli MASKARA. Më ka nxjerrë në trotuar 
           në shoqërinë e dy vajzave të tjera nga Kombinati.
           Të lutem më shpëto përpara se të hidhem 
            në rrotat e ndonjë makine 
                         Me lot në sy, dobësia jote.
                                                          Moza!"

            Një ditë më parë ia kishte treguar psikologut të akademisë fotografinë fotozhenike të tutorit dhe ky, si e pa me vëmëndje, qe shprehur:
            Shkathtësitë verbale dhe matematikore, janë frutëdhënëse në kulturën amerikane, të cilët e kanë përvetësuar lehtësisht të tillë tipa . . . , BELAMI ( "bukuroshë).
            Po këtyre mund t'u kundërvihemi me shpejtësinë dhe shkathtësinë e hedhjes së heshtës, karakteristikë kjo e kulturës së gjahtarëve. A nuk e kemi ne një detyrë të tillë, I dashur koleg?
            Dhe oficeri hodhi me pezm kujin e shkrepses në taketuke për të vënë midis dhëmbëve një tjetër sfinë, të cilën, pas dy a tre minutash edhe kjo  do të përfundonte në zjarrishte, pa e kuptuar aspak se për vete goja e tij qe kthyer në..., shpuzore.

            Qe dita e fundit për të përfituar nga AMNISTIA disa kategori ish të dënuarish,  të cilët jetonin në liri jashtë burgjeve. Mjafton të ktheheshin me dëshirën e tyre në vëndin e kryerjes së dënimit. Këtu futej edhe ky kalorës që kishte llogaritur t'ia hidhte paq, pa i hyrë asnjë gjëmb në këmbë, vetëm të gdhihej një natë në burg.
            Gerti zbrazi himbajtësen në koshin e plehrave dhe, pasi morri me vete gjithçka që duhej, përfshi edhe grykëgjatën (domethënë pistoletën heshtëse), doli.
2.-
Rrugica ishte bosh. Oficer ynë, furgonin me portën e hapur e kishte puthitur në trotuar.  Vetë, qëndronte në kabinë, në ndenjësen e pasagjerit dhe vëzhgonte rrugën nga të dy pasqyrat: atë në qëndër të makinës, tepër e madhe dhe e gjërë që e kishte montuar vetë,  si dhe tjetrën në krahun e djathtë.
           Qëndronte kështu i gatshëm me orë të tëra. Sytë i qenë bërë ujë. Kujat e shkrepses i përtypte nga nervozizmi përpara se t'i pështynte te hapsira e vockël e derës paksa e hapur. Ndërsa kokat i hidhte jashtë, si të qenë krerë peshku.
            Aty, në të ngrysur, atëhere kur durimi po e lëshonte, ndërsa këmbëngulja luftonte me 'të, u përputhën si t'a quajmë: thepi me shtjegëzën.  Ky qe: parashikimi dhe FATI.
            Në të dy pasqyrat u shfaq peshku, I veshur si për në bordello, të cilin ai e kishte pagëzuar: BELAMI. 
            Oficerit i hypi gjaku në tru. Vendosi menjëherë kapuçin-maskë mbi krye dhe në çastin e përshtatshëm,  u hodh jashtë kabinës.
            Grykëgjata në dorën e..., "maskës" e tmerroi Bukuroshin.
            Ky, kur pa se, arma lëvizi pak në të majtën e tij e kuptoi se duhet të futej në kabinë dhe u bind. Kaq duhej që oficeri vetëm me një gjest tjetër, t'a detyronte të shtrihej përmbys me duar dhe këmbë të hapura si bretëkoca në fekondim. Atij iu kujtua biseda me mbarështruesin e viçave atë paradite herët, që dërgonte në thertore viçat dhe u çtensionua. Madje, tek po i lidhte nga mbrapa, duart me litar ashtu siç ai dinte i erdhi edhe për të qeshur. Por, s'qe koha. Duhet t'ia vinte në krye edhe thesin e zi. Pa duhej lidhur edhe me litar: midis ganxheve  rrafsh në dyshemenë e mjetit, i cili ishte enkas për kafshë.
             Ky tip bukuroshi, miqtë e mi shkrimtarë, të mos ju bëjë përshtypje që u lidh rrafsh. Se nuk mund t'a klasifikojmë në rradhët e njerëzve. Që të bindeni, mjafton t'u them se Ai, viktimat (dhe ato ishin vajza të reja e të brishta), diktuar nga sadizmi i tij i detyronte të ishin bashkëpu-nuese në seks.  Ashtu nga mbrapa. Dhe kur ato s'pranonin, Ai i digjte në shpatull me cigaren që mbante në buzë.
3.-
Mbas dyzetëetetë orësh oficeri,  me maskë në fytyrë dhe me gojën mbushur për të ndryshuar zërin, ia hapi derën makinës dhe i tregoi telefonin e tij:
            -Thuamë tani numrin e telefonit te simahorrët e tu në Itali dhe t'u japish urdhër që, jo më larg se pasnesër të tria këto vajza që sheh në këto fotografi, të jenë kthyer në Tiranë. Në të kundërt, në darkë, do të përfundosh i mbytur dhe askush nuk ka për t'a marrë vesh se ç'të ndodhi.
4.-
             Belami s'ishte budalla.
            Të tria vajzat të nesërmen u kthyen në Rinas. 
            Kur oficeri mori konfirmimin nga aviacioni, mrekullia kishte ndodhur. 
            Tirana për 'to ishte qyteti më i bukur në botë!
            Ndërkaq, oficeri mendonte se tutorit po i plaste organi për të shuruar dhe fyti për një pikë ujë. Kur e hapi sërish portën e karrocerisë, nuk deshi t'a besonte, se ajo qelbej e gjitha. Bukuroshi qe kthyer në një kafshë që vetëm frymonte. Se urina e kishte mbushur të gjithë dyshemenë. Kishin kaluar kështu tre ditë nga afati i kushti për  t'u kthyer në Burg të atyre që përfitonin nga AMNISTIA.
           Kërcënimi se në rast përsëritje, do t'i pritej fare vegla e urinimit e tmerronte BELAMINË. 

           Zëvëndës shefi vendosi furgonin në trotuar dhe u ngjit lart në zyrën e tij. Vuri çelsat e makinës mbi tryezë dhe nisi të formulojë Dorëheqjen. Ndërkaq, erdhi i zoti i mjetit.
            - Faleminderit! - i tha atij.
            - Asgje, zoti zëvëndësshef, asgjë.
            - Serbatori është plot e përplot me  karburant. Kurse brënda e ke të pastër se e çova në lavazh, nga që m'u desh të shpija një viç dhuratë për në dasëm.
            Tjetri buzëqeshi, si të donte të thoshte: qoftë kështu siç po e thoni ju, zoti zëvëndës shef dhe paçim përherë viça për të shpënë në dasëm.
            Ai  doli.
            - Viçi kishte ngrënë shumë hasëll dhe e kish qelbur "shtrojën", - mendoi oficeri.          
Gerti shkoi në zyrën e shefit të tij. Ky ngrijti kryet dhe, nga që s'e priste t'a shihte kaq..., papandehur e disi vrullshëm si të hiqte një barrë nga shpina,  pyeti me habi:
            - Mbarove punë, apo do të shkosh përsëri?  Se ti sikur kërkove shtatë ditë nga leja e zakonshme e prapambetur?
            - Ashtu është zoti shef. Por viçi që duhet të siguroja për dasmën u gjet më shpejt dhe më lirë nga sa e mendova, - tha kështu dhe i la mbi tryezë kërkesën për largimin e tij nga policia.
            - Dorëheqje!?! - u befasua shefi.
            - Po, - dhe ai la në cep të tryezës edhe pistoletën me grykën e gjatë heshtëse.
            - Pse e gjithë kjo
            Atë çast ra zilja e telefonit. Flisnin nga  burgu.
            Belami, që ishte futur një natë më parë në burg, shtatëdhjetëegjashtë orë pas skadimit të afatit, me urdhër të prokurorit, duhet të linte qelinë.
            - Të mos zbatohet ky urdhër, - tha shefi pa ditur ende se si ishte problemi, por vetëm nga kënaqësia që një tip si Belam, më në fund ishte mbërthyer. 
            - Të mos zbatohet, - përsëriti,-  deri sa të vij unë atje.
            Dhe shefi, në ato nerva e sipër i tha zëvëndësit të tij: - Edhe ti do të më lësh? 
            Edhe ti, o BRUT? 
           - Po.
           - Pse?
            - Sepse..., - E para, Bruti, ishte shok i Çesarit, por Ai qe kundër Çesarit Diktator. Kurse unë jam shoku yt në luftën me keqbërësit, tutorët, kriminelët. Dhe... - në vënd të përgjigjes më konkrete,  zëvëndës shefi nxorri nga xhepi një gazetë.
            Aty me gërma të mëdha shkruhej për njeriun me maskë që e kishte detyruar Belaminë të sillte me telefon nga Italia të tri vajzat e trafikuara.

            Kaq u desh që shef Mentori të bindej se viçin e kishte futur në stallë Gerti, zëvëndës i tij dhe kjo e mbushte me admirim për guximin. Ai kuptoi tri gjëra. E para se kolegu i tij kishte sfiduar ligjin (edhe pse në emër të së mirës).  E  dyta: një kuadër si ai, rrezikonte karrierën.
            Dhe e treta:
            Një prokuror duhet të ishte i mbleksur në aferë koruptive, për derisa jepte urdhër të lirohej një tip i tillë: Belami
            Shefi ngrijti receptorin e telefonit. Formoi një numur dhe tha:
            - Sekretaria? 
            - Po, flisni, ju lutem!  
            - Jam Mentori, shefi i komisariatit "X". Kam nevojë urgjente të takohem me ministrin. Kur të jetë i lirë, bëmëni një zile, ju lutem. 
              Uli dorezën e aparatit në vënd dhe i hodhi një vështrim plot admirim kolegut të tij një dekadë e ca më të ri:
            - Nuk ke biseduar ende me tjetër kënd mbi këtë Dorëheqje, sigurisht?
            - Jo, zoti shef Mentori dhe s'e kam aspak ndërmënd t'a bëj me kërkënd.  
            - As për atë që shkruhej dhe aludohej në shtyp?
            - Jo, zoti shef.
            - Shumë mirë. Puna, mbas ikjes nga kjo botë, aksidentalisht të gruas sime, fare e re dhe pa fëmijë;  mua më la një beqar të përjetshëm, - i tha ai dhe si ndezi një cingare, e morri Dorëheqjen dhe e grisi. - Në qoftëse ministri, nuk do të gjejë kohë të më presë, dije se, do të jetë i detyruar ai palo prokuroruc i koruptuar të anullojë urdhërin e tij që,  "bukuroshi” Belami të mos përfitojë nga Amnistia. AtMegjtMmëhere do të bëj unë një Dorëheqje   dhe do t'ia paraqes ministrit. Edhe një vit më duhet të dal në pension. Për mua s'është  ndonjë humbje që peshon.
            Atë çast mori armën nga cepi i tryezës dhe përpara se t'a fuste në sirtar, shtoi: - kjo, padyshim që e ndreq punën, - dhe e futi grykëgjatën në paisej e tij personale.

            Zëvëndës shef - Gerti, kur u takua sërisht me psikologun në Akademi, thuhet se një nga bisedat, larg e larg, ishte edhe kjo batutë:
            - Që Bota rrotullohet , ka thënë Gëte e kanë ditur edhe të tjerë përpara Galileo Galileit, por ata kanë qënë të martuar dhe me fëmijë. "EPUR SIMUOVE "( Megjithatë rrotullohet).
            Shef Mentori dha Dorëheqje,  e cila u pranua nga zoti ministër.
            Zëvëndësi i tij , Berti, u bë shef i komisarjatit.
            Belami mbeti në burg.
            Por. . . 
Prokurori e hodhi një shkallë më lart vendimin e gjykatës e cila i dha të drejtë Atij. Vonesa në paraqitjen e të pandehurit. . . , Belami, pranë vëndit të kryerjes së dënimit, ishte bërë nga Forca të errëta. Prandaj, Ai lirohet në sallën e gjyqit me një Vendi të formës së prerë.

            Këtu mbaron rrëfimi I ish veteranit  të policisë. 

           Një javë më vonë, një gazetar investigativ, do të thoshte në një "STUDIO e HAPUR", se:
           Një farë totori femrash, i njohur si BELAMI që, përfitoi nga kushtet e AMNISTISË, i del                   përpara një Maskë dhe i hedh acid në fytyrë. 
           BELAMI, që do të thotë "I BUKUR", u SHËMTUA në një farë mënyre të frikshme.
           Ky ishte fundi BELAMI. 

___________________
*)Paramnezi= Përzierje e realitetit me trillin artistik.

    SOTIR ATHANASI
    Athinë, Shkurt, 2017! 
    Gjenevë, Dhjetor, 2017
                                                                                                                                                   
                                          

Dërguar nga Samsung tablet.

Shkruan Akademik Dibran Fylli : Letër nga Açareva

Açarevë, 2017

PASUROHET EDHE ME AFRO 200 TITUJ BIBLIOTEKA E SHKOLLËS NË AÇAREVË

Duke i përmbyllur aktivitetet artistike, kulturore e humane të këtij viti, sot më 27 dhjetor 2017, me iniciativën e Z. Agim Tahiraj e të regjisorit Dibran Fylli, Bibliotekës së shkollës fillore “Ismet Rrahmani” në Açarevë të Drenicës iu dhuruan afro 200 tituj libra, dhurim ky nga Z. Sebush Dermaku - Instituti Albanologjik i Kosovës, nga Afrim Hamiti - Biblioteka e Institutit të Historisë dhe veprat letrare të autorit nga Açareva Z. Dibran Fylli.

Këto libra, në emër të dy Instituteve i dorëzuan Z. Agim Tahiraj e Dibran Fylli dhe me dashamirësi i pranuan Drejtori i shkollës Z. Ilaz Azemi e Sekretari Z. Musli Haxha, me ç’rast, në shenj respekti Drejtoria e Shkollës i nderoi me Mirënjohje Z. Agim Tahiraj, Z. Sebush Dermaku, Z. Afrim Hamiti dhe Z. Dibran Fylli.

Açareva, edhe pse vend i largët e i harruar nga kryeqendra e Republikës së Kosovës, është vendi më i afërt e i preferuar i liridashësve, çerdhja e luftëtarëve të lirisë ngase aty për herë të parë në historinë e shqiptarëve u themelua më 4 prill 1998, Akademia Ushtarake e UÇK-së, e ideuar, themeluar e konsoliduar nga strategu i luftërave çlirimtare Gjeneral Bekim Berisha - ABEJA.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...