2021-12-28

VEHBI EF. DIBRA NË LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE

 Nuridin AHMETI

 

Haxhi Vehbi Dibra

Haxhi Vehbi Dibra

Hyrje

Në prag të jubileve me karakter kombëtar sikur është bërë traditë të trajtohen edhe figura të caktuara, kontributi i të cilave është i lidhur me këto data. Në 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kemi menduar të shkruajmë për njërin prej protagonistëve të kësaj ngjarjeje me peshë kombëtare – Haxhi Vehbi Dibrën, jeta dhe vepra e të cilit, sigurisht që është e lidhur me këtë datë.
Sado që është shkruar për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, më pastaj për ngjarjet e rëndësishme brenda kësaj periudhe, për momentet vendimtare kombëtare, për individë dhe shoqëri kulturore të caktuara etj., megjithëkëtë, nga ajo që është shkruar e botuar, fitohet bindja sikur shumë pak është shkruar për disa figura, të cilat, në momente vendimtare, ose ishin ndër prijësit e atyre ngjarjeve, ose ishin pranë personaliteteve kombëtare të kohës dhe ishin ndër ata që kishin peshën e vet në ato ngjarje dhe kthesa të mëdha.(1)
Në plejadën e atyre njerëzve të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e sidomos të atyre personaliteteve që pasurinë e tyre shpirtërore dhe intelektuale e vunë në shërbim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj lëvizjeje, ishte dhe Vehbi Dibra, i njohur për veprimet e tij shumë më herët në dobi të shoqërisë dhe të vendit, për t’u bërë i njohur aty nga fundi i shek. XIX dhe më pas.(2)
Në këtë punim kemi veçuar katër momente historike, në të cilat Vehbi Dibra kishte rol domethënës dhe që në historiografinë tonë i japin vend meritor, krahas shumë prijësve të tjerë pa dallim feje, të cilët kontribuuan gjithanshëm në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

E para, Qëndrimi kombëtar në Kongresin e Dibrës më 1909.
E dyta, fetvaja3-vendimi juridik që kishte nxjerrë ai, si Islamist, në dobi të veprimeve të veprimtarëve të Lëvizjes Kom- bëtare për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe pjesëmarrja e tij në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912.
E treta, Kontributi i tij për themelimin e Komunitetit Mysliman dhe pavarësimin e këtij komuniteti nga qendra në Stamboll, duke u bërë edhe udhëheqës i këtij komuniteti.
E katërta, Roli i tij në mbarëvajtjen dhe kultivimin e tolerancës ndërfetare tek shqiptarët.

Jetëshkrimi i Vehbi Dibrës

Vehbi Dibra u lind më 1867 në Dibrën e Madhe, ku edhe mori mbiemrin Dibra. Emri i vërtetë i tij është Vehbi Agolli. U lind e u rrit në një familje me traditë fetare e atdhetare. Babai i tij, Ahmeti, i njohur si një tregtar i asaj ane, birit të tij do t’i krijonte kushte për shkollim.(4)
Vehbi Dibra mësimet fillestare fetare islame i mori nga babai i tij, kurse ato të larta për teologji islame, i mori në Stamboll. Vitet në të cilat u rrit dhe u edukua Vehbi Dibra, pa dyshim ishin përplot ngjarje me rëndësi në historinë e popullit shqiptar, siç është Lidhja Shqiptare e Prizrenit si faza e avancuar e mendimit politik shqiptar, dhe të tjera ngjarje si kjo pa dyshim do të kenë lënë mbresa në formimin e tij të mëvonshëm intelektual. Shkollimi i tij në Stamboll, ku do të pajisej me dije shpirtërore, si duket, do të bënte të mundur edhe takime me shumë intelektualë të kohës, që vepronin asokohe në Stamboll si: Sami Frashëri, Hoxhë Hasan Tahsini etj.. Në moshën 25 vjeçare ai përfundoi studimet duke u pajisur me njohuri gjuhësore: arabisht, persisht, turqisht;- dhe njohuri teologjike e ide patriotike nga kontakti me patriotë shqiptarë. Me t’u kthyer në vendlindje, falë aftësive të tij dhe veprimtarisë së tij, qe emëruar myfti i Dibrës, kështu që, pas emërimit të tij në këtë post, emrin e tij e hasim të zgjeruar – Myfti Vehbi Dibra. Këtë detyrë do ta kryente me shumë përkushtim deri në vitin 1912.
Ai ishte që e vulosi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Prijës Mysliman, Myfti e Patriot i madh që bëri e dha shumë për Shqipërinë Etnike! Kryetar i senatit (pleqërisë) të Shtetit të saposhpallur Shqiptar, Delegat e nënshkrues i Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte për bashkimin e kombit shqiptar dhe luftëtar i zjarrtë për hapjen e shkollës shqipe. Këtë e vërtetoi edhe praktikisht në Kongresin e Dibrës (Korrik 1909), ku Vehbi Dibra mbajti një fjalim shpirtëror e kombëtar.
Në Kongresin e parë Mysliman të mbajtur më 1923 zgjidhet Kryetar i Parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Përveç punës së palodhshme si udhëheqës i këtij komuniteti, në konsolidimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të tij, ai do të ishte shumë aktiv edhe në lëmin e publicistikës, si në revistën “Zani i Naltë”, revistë kjo që shpërndahej pothuaj në të gjitha trojet shqiptare; pa dyshim që, përmes kësaj reviste, do të shpërndaheshin idetë e tij edhe jashtë kufijve të Shqipërisë së asaj kohe.
Vdiq në Tiranë më 1937,(5) ”Më 24 të Marsit 1937 ditën e mërkurë si nji rrufe papritur qi trishton shpirtrat, ashtu u përhap lajmi i piklluëshëm i vdekjes së shum të shtrenjtit Haxhi VehbiDibrës; lajm shum i idhtë qi me të shpejtë e mbuloi të tanë kryeqytetin e Mbretnis Shqiptare. Secili atë ditë mbante në gojë me vaj frazën ”Haxhi Vehbia paska ndrrue jetë”(6). Vdekjes së Vehbi Dibrës dhe varrimit të tij shtypi i kohës i dha një jehonë të madhe. Në varrim morën pjesë autoritete nga Qeveria e atëhershme dhe, në shenjë respekti dhe zije për personalitetin e tij, atë ditë qe mbyllur tregu i Tiranës.(7)

Kongresi i Dibrës më 1909

Pas revolucionit Xhonturk të vitit 1908, që kishte edhe përkrahjen e shqiptarëve për premtimet që u ishin bërë nga ana a autoriteteve xhonturke, si hapja e shkollave në gjuhën shqipe etj., mirëpo premtimet e tilla nuk zgjatën shumë. Hapja e disa klubeve nga ana e shqiptarëve, mbledhja e Kongresit të Manastirit për një alfabet të unifikuar të shqipes, sigurisht që përbënin shqetësime për xhonturqit dhe politikën e tyre; ata, pavarësisht nga premtimet e dhëna dëshironin të zbatonin politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve. Xhonturqit do të ndërmerrnin edhe ekspedita ndëshkuese ndaj shqiptarëve në Kosovë, po të cilat do të dështonin. Të gjitha këto bënë që shqiptarët ta kuptonin shumë shpejt se ishin të tradhtuar nga xhonturqit. Sigurisht që, pas dështimeve, Qeveria xhonturke do të merrte masa dhe do të vinte në lëvizje mekanizmat e saj edhe një here, për ta kthyer besnikërinë e shqiptarëve ndaj xhonturqve.(8)
Veçse, këtë besnikëri politika xhonturke ndaj shqiptarëve dëshironte ta kthente duke organizuar tubime të ndryshme të shqiptarëve më besnikët e tyre, dhe duke propaganduar në forma të ndryshme për rrezikun nga Fuqitë e Mëdha që do t’i vinte popullatës shqiptare në rast të ndarjes nga Perandoria
Osmane(9), të gjitha këto aktivitete të xhonturqve dhe prapavijat
e politikes së tyre i ndiqnin me vëmendje edhe konsujt austrohungarezë
në Shkodër , Vlorë etj..(10)
Në këtë frymë xhonturqit kishin zgjedhur pikërisht njëvjetorin e ardhjes së tyre në pushtet, për të thirrur një Kongres në Dibër, më 23 korrik 1909, ku do të konfirmohej, sipas tyre, besnikëria e shqiptarëve ndaj autoriteteve xhonturke dhe shtytja e shqiptarëve për të avancuar përdorimin e gjuhës shqipe me alfabet arab.(11)
Pavarësisht pritjeve të xhonturqve që të realizohej skenari i tyre në këtë Kongres, kjo nuk ndodhi, falë angazhimit dhe nuhatjes së skenarit të parapërgatitur nga patriotët shqiptarë, si Vehbi efendi Dibra, Hfz. Sherif Langu, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Dervish Hima, Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi (Starja), Aqif pashë Elbasani, Andrea Ballamaçi, Qazim Beu (kryetar i klubit “Bashkimi” të Dibrës), Jusuf Karahasani (nga Malësia e Dibrës), Haxhi Hafiz Ibrahim efendiu (nga klubi i Shkupit), Murat Aga (nga Gjakova) etj., të cilët arritën që, me këmbënguljen e tyre, t’i impononin kongresit karakterin kombëtar dhe të triumfonin ndaj rrymës tjetër xhonturke që vepronte Brenda kongresit dhe që ishte shumë aktive.(12)
Kongresi i Dibrës dhe veprimtaria e tij, në historiografinë shqiptare ka vazhduar dhe vazhdon ende të matet me kute të ndryshme, por në vendime të impononin konstatimin se ky Kongres kishte karakterin e vet kombëtar.(13)
Kongresi i Dibrës u thirr më 23 korrik 1909 dhe zgjodhi njëzëri kryetar të tij njeriun më autoritativ të asaj ane –Vehbi Dibrën, i cili tashmë kishte dhënë prova si njeri i vendosur në vijën e tij shpirtërore dhe kombëtare. “Më 1909 Kongresi i Dibrës e zgjedh si prijs, dhe, për hirë të gjanësis së tij në përqafimin e problemeve të kokllavituna, u arrit suksesi”(14). Jo rastësisht u bë zgjedhja e tij në krye të këtij kongresi, sepse ai ishte ndër të parët që u shpërndau ftesa atdhetarëve shqiptarë për kongresin, ishte myfti i rajonit të Dibrës, njëri që tashmë, me autoritetin e tij, kishte krijuar në popullatën e asaj ane dhe ishte shumë e natyrshme që fjala e tij ishte me peshë në ato anë. Se ishte njëri nga më të merituarit në këtë Kongres që u zgjodh kryetar dhe njeri ndër ata që me fjalët e tij kongresit i dha karakter kombëtar duke i vënë interesat e kombit në radhë të parë. Këtë e dëshmojnë edhe bashkëpjesëmarrësit e tjerë në këtë Kongres, të cilët kanë lënë kujtime të shkruara për këtë ngjarje, si Abdyl Ypi(15), Rexhep Voka Tetova(16), Kenan Mana-stirliu(17), Hafiz Ali Korça(18), Ismail Stazimiri(19), etj..
Nga disa autorë ky Kongres u cilësua edhe si kongresi më i rëndësishëm që bashkoi të gjithë delegatët e trevave shqiptare për qëllime Kombëtare, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.(20)
Këmbënguljen e delegatëve pjesëmarrës të vijës kombëtare, të cilët në këtë kongres, së bashku me udhëheqësin e zgjedhur të tyre Vehbi Dibrën, dhe këmbënguljen e tyre për mbrojtjen e kombit dhe të gjuhës amtare, insistimi i tyre që gjuha amtare shqipe të mësohej nëpër të gjitha shkollat në vilajetet shqiptare, nuk mbeti pa u vërejtur edhe nga shtypi shqiptar i kohës, i cili i dha jehonë dakordimit të delegatëve shqiptarë pa dallim feje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe mësimit të gjuhës shqipe në të
gjitha shkollat,(21) që ishin prej vendimeve të këtij kongresi.(22)
Të gjitha përpjekjet e xhonturqve për organizimin e këtij kongresi dhe që në përvjetorin e themelimit të kësaj organizate, t’i mblidhnin të gjithë delegatët nga të gjitha krahinat shqiptare, pa dallim feje, dhe që, përmes këtij kongresi, shqiptarët t’i bënin edhe më të dëgjueshëm ndaj tyre, u dështoi, ata nuk arritën t’i bindin shqiptarët që të hiqnin dorë nga dëshirat e tyre kombëtare. Rezultatet e kongresit padyshim që do të ishin shumë dëshpëruese për ata që e thirrën atë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë 1912

Akoma nuk ishin mbushur plot dy vjet që i kishte mbyllur punimet Kongresi i Dibrës, kur Vehbi Dibrën do ta gjejmë në mesin e atyre firmëtarëve (delegatëve) për shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Vehbi Dibrën në këtë Kuvend e gjejmë si delegat të Dibrës(23) së bashku më Hafiz Sherif Langun(24), i cili, me propozimin e Lef Nosit, njërit prej figurave emblematike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, zgjidhet deputet i Dibrës (25) ”Z. Lef Nosi kërkoi që të njihej si delegat i Dibrës z. Sherif Efendiu. Mbledhja i pëlqeu me plotësiën…(26)”
Me zgjedhjen e Pleqësisë prej 18 anëtarësh, me vendim unanim kryetar do të zgjidhej Vehbi Dibra.(27) “Pastaj, duke qenë që ay, si kryetar i Qeverrisë së përkohëshme nuk munt të mbetet edhe si kryetar i kuvendit kërkoj që të zgjidhet një kryetar i tjatër. Z. Gurakuqi proponoj për kryetar Z. Myfti Vehbi Efendinë. Midhat Be Frashëri kërkoj që sgjedhja e kryetarit e e nenëkryetarit të bëhen me zana. Me plotësiën e zanavet uzgjodhën Z. Myfti Vehbi si kryetar e Z. Lef Nosi si nënkryetar”.(28)
Ishte pikërisht Luigj Gurakuqi, i cili, duke e njohur nga afër Vehbi ef. Dibrën dhe duke i njohur qëndrimet e tij fetare e kombëtare, propozoi Vehbi ef. Dibrën për kryetar të Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, propozim ky që u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit, por, edhe falë autoritetit që kishte imponuar te pjesëmarrësit, shihet haptazi se edhe një figurë shumë e çmuar në historiografinë tonë kombëtare, pranoi që të ishte zëvendës (nënkryetar) i Vehbi Dibrës. Për mendimin tonë, ajo që e bën këtë njeri shumë të respektuar në mesin e kolegëve të tij, atëherë më të dëshmuar në historiografinë shqiptare, ishte Fetvaja (vendimi juridik) i Vehbi ef. Dibrës në favor të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ashtu siç kishin vepruar edhe pasardhësit kolegë të Vehbi ef. Dibrës në ngjarjet madhore për fatin e kombit shqiptar, si: Ymer ef. Prizreni në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haxhi Zeka në kohën e Lidhjes Shqiptare të Pejës etj.. I vendosur në parimet e veta, Vehbi ef. Dibra, kishte dhënë prova se ishte i gatshëm të merrte çfarëdo detyre që i shërbente së mirës së popullit. Në kontekst të kësaj, më 13 mars 1913, kur Ismail Qemajli, Luigj Gurakuqi e Isa Boletini, kishin marrë një turne diplomatik nëpër shtetet e ndryshme të Evropës me qëllim lobimi për shtetin e ri të shpallur dhe, kur po parapërgatitej për pjesëmarrje në Konferencën e Ambasadorëve, si zëvendës të tij, Ismail Qemajli ia besoi postin V. Dibrës, dhe për sa qëndroi në këtë detyrë, ai mori vendime të rëndësishme për vendin. ”Për kohën sa administroi qeverinë, Vehbiu mbante nga tri mbledhje të qeverisë në javë, solli vendime me rëndësi për kufitë veriorë, verilindorë e jugorë më 3 qershor u miratua dokumenti ”Rregullorja e Qeverisë së Përkohshme tëVlorës mbi formimin e milicisë kombëtare”, nënshkroi shumë dokumente e shkresa”(29).
Duhet theksuar se ky njeri, jo vetëm me penë dhe ligjërata ishte aktiv, po, kur kërcënonte rreziku vendin, ai diti të shkonte edhe me pushkë në dorë përballë armiqve. Këtë e bëri me rastin e pushtimit të Dibrës nga serbët, ishte ”ushtar aktiv në Kryengritjen që ndezi Dibra krenare kundra pushtmit të Sërbëvet”(30).

Vendimi juridik (Fetvaja) i Vehbi Dibrës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Një akt shumë domethënës që ndërmori Vehbi ef. Dibra, është fetvaja e tij e njohur, me të cilën jepej pëlqimi “Për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe përdorimin e simboleve kombëtare”. Rendësia e kësaj fetvaje konsistonte jo vetëm në konsekuencën e parimit të patjetërsueshëm mbi të drejtën e luftës për mbrojtjen e atdheut dhe të qenies kombëtare, por dhe në porosinë që trasmetonte ajo për profilizimin ideor dhe politik të parisë myslimane shqiptare. Kjo fetva përbën aktin më sublim të shkëputjes dhe pavarësimit të gjykatave të Shtetit Autonom Shqiptar dhe të shqiptarëve myslimanë nga juridiksioni i Shejhul-islamit të Portës së Lartë dhe i Sulltanit si halif i myslimanëve.
Fetvaja e Vehbi Dibrës, ndoshta, mund të llogaritet edhe si bërthama kryesore në Pavarësimin e Shqipërisë.(31) Por, sikur të mos ishte fetvaja e Vehbi ef. Dibrës, a do të pavarësohej Shqipëria?
Pa dyshim, edhe po të mos ishte kjo fetva, nuk mund të ndaleshin proceset politike të kohës, po e rëndësishme në atë proces ishte kompaktësia e veprimeve konstruktive të myslimanëve për Pavarësinë e Shqipërisë. Me plot të drejtë, për sa i përket fetvasë në rrethanat kur u dha nga Vehbi Dibra, H. Bushati konstaton: ”Ndoshta pare me rrethanat e sotme do te ishte krejt normale qe një Myfti te dekretonte një Fetva ku te shpallte vendin të pavarur. Po kur kjo Fetva vehet ne kushtet e atëhershme qe nga ana Juridike, Fetvaja ishte pothuajse burimi me i larte hirearkik dhe me popullori ne vend, atehere besoj se pesha e saj specifike ndryshon. Dhe kjo ndodhi ne një kohe kur “Perandoria” ishte akoma ne frymëmarrjet e fundit”.(32). Fetfaja e Vehbi Dibrës, pati jehonë të madhe në masat e gjera.
Kurse, revista “Zani i Naltë”, nr. 4, 1973, opinionin e Vehbi Dibrës në lidhje më Shpalljen e Pavarësisë, e përshkruan në këtë mënyrë: ”Goja e tij e ambël e bekoi për herën e parë Vepren e Shenjtë të ngritjes së Flamurit”(33), Flamuri i jonë i dashur do të valojë gjithmonë, pse se pati fati e lumnuëshëm qi t’a fillojë tallazin e parë me bekimin dhe uratën e një fetari të vërtetë”(34).

Kryetar i Parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar

Një nga kontributet për t’u vlerësuar personaliteti i Vehbi ef. Dibrës pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, është edhe përpjekja e tij për ngritjen e Komunitetit Mysliman në Shqipëri, e cila nuk ishte një punë pa sakrifica, sepse të shkëputeshe nga një qendër me të cilën për disa dekada ke qenë i lidhur, nuk ishte pa sfida. Mirëpo, largimi i Perandorisë Osmane nga Ballkani, posaçërisht nga tokat Shqiptare, do t’i bënte të domosdoshme pavarësimin e myslimanëve shqiptarë dhe përpjekjet e tyre për ngritjen e Komunitetit Mysliman Shqiptar, për se do ta merrte edhe dritën e gjelbër nga Këshilli i Ministrave i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 1913.(35)
“Por, edhe pas kësaj date, të paktën zyrtarisht, bashkësia islame vazhdoj të mbetej pjesë e këtij institucioni religjioz (Kalifatit Osman N.A). megjithëse kur analizojme rrugën që ka ndjekur procesi i realizimit të mvetësisë së komunitetit mysliman shqiptare, duhet theksuar se ai pas vitit 1912 nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar me kalifatin”(36). Gazeta “Dielli “, e cila dilte në Amerikë, me dt. 23 shtator 1913, kur bënte fjalë për ndryshimet në kabinetin qeveritar në Vlorë, në mes të tjerash njoftonte: “Vehbi Dibra i cili qe president i Senatit, u bë kryetar i muhamedanëve dhe vendin e tij e zuri Ekrem Vlora”(37).
Kjo do të thotë se Vehbi ef. Dibrës, qysh në ditët e para të krijimit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, përveç detyrës së kryetarit të Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, i ishte caktuar, edhe detyra e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe, me marrjen e detyrës së re – Kryemyfti i Përgjithshëm i Shqipërisë, qe liruar nga detyra që kishte më herët. Këtë nevojë të kohës e kishte kuptuar Vehbi ef. Dibra dhe shokët e tij, prandaj që nga Shpallja e Pavarësisë pati përpjekje të vazhdueshme nga ky personalitet për formimin e Komunitet Mysliman Shqiptar, që shihet edhe nga disa dokumente në të cilat Vehbi ef. Dibra, duke shfrytëzuar pozitën që kishte në Qeverinë e Ismail Qemajlit, do të bënte përpjekje, së bashku me kolegët e tjerë nga ajo qeveri, po edhe më vonë – në bashkëpunim me qeverinë e Durrësit, për ngritjen e institucioneve islame nëpër rrethe të ndryshme anembanë Shqipërisë,(38)- duke nxjerrë qarkore të ndryshme që Vehbi ef. Dibra ua dërgonte sherieve të rretheve për konsolidimin sa më të mirë të punës në këtë aspekt, përpjekje të cilat do të shkonin deri në atë masë, sa Vehbi ef. Dibra në qarkoret e dërguara më 1917 e më pas, të gjitha sherieve të rretheve, ua ndaloi predikimin e lutjeve në gjuhën turke, i obligoi që lutjet prej atëherë të predikoheshin në gjuhën shqipe dhe sulltani të mos përmendej si mbret,(39) nëpunësit e sheries të mësonin gjuhën shqipe(40), të mos përdorej gjuha turke në shkresat zyrtare(41) dhe vulat të mos përdoreshin turqisht në dokumente, dhe vulat të pajiseshin edhe me simbolin kombëtare – Shqiponjën.(42)
Në vitin 1917 pati një parashkresë të hartuar edhe nga Komanda ushtarake austro-hungareze e titulluar,”Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri”, e cila deri në vitin 1923 luajti rolin e një statuti dhe kishte 43 nene. Mund të thuhet se ishte pararendës i statutit të Komunitet Mysliman Shqiptar, i cili u aprovua më 1923.(43)
Përpjekjet nga vitit 1912 të Vehbi ef. Dibrës për autoqefalin e xhamisë shqiptare(44), do të kulmojnë në shkurt 1923, me mbajtjen e Kongresit të parë Mysliman të Shqipërisë, ku morën pjesë 36 delegatë nga të gjitha viset e Shqipërisë, dhe zgjodhën Vehbi ef. Dibrën Kryetar të parë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Komuniteti hartoi statutin, në bazë të të cilit u krijua Këshilli i Lartë i Bashkësisë Myslimane dhe anëtarët e këtij këshilli, në bazë të statutit, duhej të ishin shqiptarë dhe të dinin gjuhën, shkrimin e leximin shqip, u aprovuan edhe rregullore për mbarëvajtjen e vakëfeve, hapjen e shkollave, botimin e revistës “ Zani i Naltë” etj..(45)
Vlen të theksohet se qysh në vitin 1922 Vehbi ef. Dibra, së bashku me një grup të krerëve fetarë të kohës, kishte përgatitur projektstatutin e Xhematit Mysliman Shqiptar, të cilin në vitin 1922 ia kishte paraqitur Kryesisë së Qeverisë së atëhershme Shqiptare(46), dhe më 7 shkurt 1923 Ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu i jepte leje Gjyqit të Naltë të Sheriatit, me vendim të Këshillit të Ministrave, e kërkuar nga populli mysliman, që me 20 shkurt të vitit 1923 të mbahej mbledhja e përgjithshme për formimin e Këshillit të Myslimanizmëz.(47)
Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar i përfundoi punimet më 12 mars 1923, ku pas përfundimit Vehbi ef. Dibra i dërgon një letër Këshillit të Ministrave, ku e njofton se Kongresi ka mbyllur punimet me sukses dhe për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Naltë të Sheriatit(48). Në detyrën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Vehbi ef. Dibra qëndroi deri në vitin 1929.

Vehbi Dibra Kontribuues për tolerancën ndërfetare te Shqiptarët

“Për zgjidhjen e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dukuria e tolerancës fetare fitoi statusin e potencialit më të fuqishëm për progresin shoqëror të vendit. Kjo dukuri u bë çelësi kryesor i zgjidhjeve të problemeve aq të mprehta të kohës. Elementi mysliman, që përbënte shumicën për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, arriti të krijojë në kushtet e sundimit shekullor osman një unitet ndërmjet për-faqësuesve të kategorive të ndryshme si dhe të elementëve të ndryshëm të besimit. Ky vëllazërim përpara detyrës kryesore të kombit nuk njohu klasë, racë, ngjyrë apo ndryshime të tjera. Dhe nëpërmjet kësaj lidhjeje, dashuria dhe vëllazëria duke qenë secili përgjegjës për ekzistencën e tjetrit për rrjedhojë patën ndikim edhe për ekzistencën e kombit, sepse duke dashur njëri- tjetrin kanë dashur edhe kombin”(49), pa dyshim që, formën më të mirë të tolerancës ndërfetar te shqiptarët ia kanë dhënë edhe prijësit tanë fetarë, të cilët si fenomen të rëndësishëm disa prej tyre e kuptuan mjaft mirë: “Falë vetëdijes së tyre të lartë, si edhe interpretimit të drejtë të misionit të fesë nga ana e prijësve fetarë, ndër shqiptarë nuk pati asnjëherë përçarje në baza fetare. Secili prej tyre me liri të plotë e predikonte dhe e praktikonte fenë e vet, e kur atdheut i kanosej rreziku nga armiqtë e jashtëm, ata të gjithë ishin unikë në mbrojtje” (50).
Në këtë kontekst, në planin politik të Haxhi ef. Vehbiut gjejmë një kontribuues të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e këtij fenomeni.
Më së miri personalitetin e Vehbi Dibrës si kontribuues i mirëkuptimit ndërfetar te shqiptarët, e përshkruan edhe ish- Kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë(51), i cili Vehbi ef. Dibrën e njohu nga afër dhe, me rastin e varrimit të tij, me lot në sy, duke i thyer rregullat e komunitetit që i tako-nte, tha: ”Unë sod po e thyej pengesën e mosmarrjevet pjesë, nga ana jonë, në cermonina të tilla”(52). Ai do të deklaronte: ”Haxhi Vehbiun e kam njoftun si nji nga të parët Kryetarë Shpirtnuer, aj qe i pari që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim po besimin, që na kanë lanë trashëgim të parët, porse kudo, në jetën t’onë, jemi vllazën të pandarshëm”(53).
Në unitetin dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve ai shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë. Duke i lënë mënjanë konfliktet dhe mosmarrëveshjet, do t’u jepnin rrugë të mbarë çështjeve të kombit. Ai, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, do të thoshte: “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”. Kurse më tutje, deklaronte; “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”(54).
Haxhi Vehbi Dibra jo vetëm që shprehu me fjalë mirëkuptimin ndërfetar, po këtë e jetësoi edhe në praktikë, duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Atë Marko Mokçen (prift ortodoks) dhe Dom Nikollë Kaçorin (prift katolik). ”Në atë kohë (28 nëntor 1912, N.A) myftiu i Dibrës, Vehbiu, u përqafuame Dom Nikollë Kacorrin”(55), me Baba Selimin e Tepelenës, në mbarëvajtjen sa më të mirë të Kuvendit të 28 nëntorit 1912, që do të kurorëzohej me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke u bërë kështu ndër figurat qendrore të këtij Kuvendi.(56)

Personaliteti i Vehbi Dibrës në kujtesën e Visarion Xhuvanit – kryetarit të parë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Se Vehbi Dibra ishte një personalitet i përkushtuar, si në aspektin shpirtëror, ashtu dhe kombëtar, këtë konstatim e përforcon edhe vlerësimi që i bëri me rastin e vdekjes, Visarion Xhuvani- Kryetari i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe një pjesë të fjalimit (vlerësimit) të Visarion Xhuvanit e ka botuar edhe revista” Zani i Naltë” nr. 4 , 1937. Fjalimin e (ri)botojmë pa ndërhyrje, sepse një vlerësim i tillë i dhënë nga një personalitet si A. Xhuvani, për një figurë siç ishte V. Dibra, flet më shumë së komentet që mund të japim ne. Menduam ta (ri)botojmë edhe në këtë punim, për disa arsye:
E para- se ky vlerësim mbart mesazhe për sa i përket tolerancës ndërfetare edhe për gjeneratat e sotme se si duhet të trajtohet një vëlla nga gjaku pa dallim feje.
E dyta- është tregues i qartë se në çfarë niveli ka qenë vetëdija fetare dhe kombëtare e prijësve tanë fetarë para 75 vjetësh.
E treta- mendoj se është me interes qëndrimi i vlerësuesit ndaj të vlerësuarit. Fjala e tij ishte kjo:
“Haxhi Vehbiun e kam njoftun si nji nga të parët Kryetarë Shpirtnuer, aj qe i pari që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim, po besimin, që na kanë lanë trashëgim të parët, porse kudo, në jetën t’onë, jemi vllazën të pandarshëm. Unë sod po e thyej pengesën e mosmarrjevet pjesë, nga ana jonë, në cermonina të tilla: na jemi vllazën. Myslimanizmi Shqiptar duhet të jëtë krenar që pati në gjirin e vet burra si i ndjeri: uroj nga zemra që të vazhdoj të ketë të tillë. Aj po ju len juve shokë të Klerit Mysliman, idealin e tij që po forcohet dita ditës: Haxhi Vehbia asht nga ata që që i pjell rralë koha, Aj tashti prehet i sigurt se misioni i tij atdhetaro- fetar qëndron ndër duer të mira si të juejat. Haxhi Vehbi Dibra do të mbesi i pa harruam në Historinë e zhvillimit të Shqipnis së Re edhe në pikëpamje tjatër: asht i pari kryetar’ i fes Muhamedane në Shqipni i cili tue qenë prej origjnit të Shqipnis s’Epërme, respektohesh dhe simpatizohesh që në kohnat kur nuk ishte akoma brumzue mirë si sod bashkimi i plotë Kombëtar, respektohesh dhe simpatizohesh si prej Shqiptarve t’Jugut ma të largtë të Shqipnisë ashtu edhe prej atynve të Veriut ma t’epërmë si të Krishterë dhe Muhamedanë; kohnat, në të cilat jetojë dhe sundojë punët e fes Muhamedane në Shqipni, ishin kohnat a atyne sëmundjeve shoqnore që kalojnë të gjithë Kombet kur janë në përpjekjet e tyne ma primitive dhe gjithë secili prej tyne ka dëshirë e mundohet me e ba për vehte të parin e fesë për me forcue pozitën ose për me realizue qëllimin e vet. Sa punë e vështirë, sa punë e madhe asht që të qëndrojë i pari i fesë i pa anshëm, por, edhe që t’i bajt të gjithë ta nderojnë e ta duan por edhe të gjithë ta ndigjojnë! Lipset të pranojmë se duhet nji diplomasi dhe poltikë e fortë, nji ideal ose dashuri Atdhetarije e madhe, që vetëm feja e ka ose e jep, por mem ujtë prinjësi i fesë t’jetë edhe të qëndroj i patundur por edhe që t’imponohet të gjithëve. Sa i nalt e sa i math ishte edhe në çdo rast prezantimi miku Ynë i dashtun Haxhi Vehbi Dibra. Kur, ecte, kur bisedonte, kur qëndronte në mes të miqve dhe misafirve i bante të gjithë pa dyshim feje ta duan e ta respektojnë; nuk bani kurrë demagogji as rekllamë, por vetëm detyrën e tij Fetaro- Kombëtare si nji Muhamedan i mirë.., si nji shqiptar Shqiptarë i mirë, por edhe si nji fillosof i zoti i punës shoqnore, n’as nji tallas nuk u përul dhe për as nji mik nuk u kursye, dhe n’as nji politik nuk u trazue, si ashte fare lehtë ose natyrale për cdo Kryefetarë dhe sidomos në kohnat e brumëzimit të parë social- fetar- politikë dhe patriotikë në Shqipni; jo se ishte miku i jonë personal, por pse ishte edhe nji njeri i tillë, edhe neve e pamë t’arsyeshme me mos u kërsye por me kuxue dhe me cqetsue pak kët mbledhje të hirshme me fjalë tona, në kët vend shumë të ndershëm ku prehen eshtnat e të dashtunve t’onë vllezër në kombësi, sa do që për të parën herë ndofta jo vetëm në Shqipni por ndofta edhe në të gjithë botën, për të parën herë flet nji Kryeprift Kristijan Orthodoks në varrin e nji Kryehoxhe Muhamedan Mysliamn. Nuk ka trashëgim më të çmueshëm se karakteri i këti burri për bir e bij të tij që i le mbrapa njerz të meritueshëm”(57).

Përfundimi

Nga burimet dhe literatura e shfletuar, mund të përfundojmë se kemi të bëjmë me një personalitet të gjithanshëm, me një njeri të mençur, patriot, dijetar të shquar, njëri i cili, në momente vendimtare për Atdheun, rreshtohej ashtu siç duhej dhe siç i kishte hije një personaliteti shpirtëror si Haxhi Vehbi
Dibra. Puna e tij e palodhshme për mbrojtjen e kulturës e të gjuhës sonë amtare, udhëheqja e dibranëve në kryengritjen antiserbe, kontributi i tij në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, mundësoi që më 28 Nëntor 1912, të ishte në mesin e atyre burrave të shquar të kauzës sonë kombëtare. Ai me idetë, qëndrimin dhe veprën e tij politike e patriotike, zë vend qendror në mesin e Rilindësve Kombëtarë Shqiptarë. Edhe pse në të kaluarën punën dhe veprën e Haxhi Vehbi Dibrës nuk e vlerësuan edhe sikurse shumë figurave të tjera shpirtërore të kombit tonë, – nuk i dha vendin që i takonte, ai prapë se prapë do ta ketë vendin në historinë tonë kombëtare, jo vetëm pse hyri në histori, por sepse e bëri historinë dhe iu imponua me qëndrimin dhe djersen e tij. Rishikimi në historiografinë tonë i figurave shpirtërore si Vehbi Dibra, i këtij personaliteti që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë, dhe të shumë personaliteteve të tjera, që ishin protago-nistë kryesor të zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare, përveç si një detyrim minimal njerëzor, duhet të jetë edhe akti i fundit i harresës dhe injorimit të qëllimshëm ideologjik dhe me premisa politike që për më shumë se një gjysmëshekull është bërë ndaj shtresës më të ndritur të kombit tonë. Me plot të drejtë, ata që njohën nga afër Haxhi Vehbi ef. Dibrën në aspektin shpirtëror, e vlerësuan: “shembull i personifikuem i moralit Muhamedan”, kurse ata që patën fatin ta njihnin edhe në aspektin kombëtar, e vlerësuan me epitetet si:
”Njeri i Madh i Kombit”, “Njeri i historisë Kombëtare”, “I pa harruem në historinë e zhvillimit të Shqipnis së Re”, “Apostull i Atdhetarizmit” etj..

————————-

1 Ilira Caushi Sulo, Klerikët e harruar të pavarësisë, në: “ Pavarësia e Shqipërisë dhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shek. XX”, UT- IH, Tiranë, 2007, f. 86.
2 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra- personalitet dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, albin, Tiranë, 1998, f. 21.
3 Fetva- ja (ar. fatwa)- propozimi i zgjidhjes së ndonjë çështjeje juridike, interpretimi i Ligjit të myslimanëve, përkatësisht vendimi formal jurdik i mbështetur në Kur’an, në hadith dhe në fikh; fetvaja paraqet vendimin formal juridik lidhur me ndonjë çështje që ka të bëjë me trashëgiminë, martesën apo me shkurorëzimin e bashkëshortëve myslimanë; fetvanë e jep myftiu i autorizuar ose ndonjë njohës i mirë i Ligjit (ar. ulema); gjyqtari merr parasysh fetvanë e myftiut, por vetë merr vendimin përfundimtar…, Shih: Ekrem Myrtezai, Fjalori i terminologjisë fetare, BIK, Prishtinë, 2007, f. 128.
4 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, hoxhë dhe patriot i shquar i Lëvizjes KombëtareShqiptare, në: “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”, KBIK, Prishtinë, 1995, f. 394; Qazim Xhelili- Arian Kadiu, Vehbi Dibra-Figurë komplekse e personalitetit të shquar musliman dhe Lëvizjes Kombëtare, në: “Perla”, nr. 3-4 (31), Tiranë, 2003, f. 44-63.
5 Shih: Fjalori enciklopedik shqiptar 1, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 19.
6 Mevlana Haxhi Vehbi Dibra ndrroi jetë, “Zani i Naltë”, nr.4, Tiranë 1937.
f.98.
7 Ç’thot shtypi- Vorrim madhështor i H. Vehbi Dibrës, “Zani i Naltë”, nr. 4,
Tiranë 1937. f. 115.
8 Arkivi i Instituti të Historisë- Tiranë ( më tej: AIHT), Vj- 11- 114.
9 AIHT, Vj. 1- 19- 1345.
10 Ramiz Abdyli, Zhvillimi i Kongresit të Dibrës, në: “ Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 35- 46.
11 Ferit Duka, Shekujt osman në hapsirat Shqiptare, UET, Tiranë, 2009, f. 414.
12 Muhmet Pirraku, Lufta poltike midis dy rrymave në Kongresin e Dibrës, në: “ Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 85- 90.
13 Gazmend Shpuza, Kongresi i Dibrës në rrafshin historik, në: “ Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 85- 90.
14 Apostull i Atdhetarrizmit, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, 1937. f. 116. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibrës.
15 Abdyl Ypi, Kongresi i Dibrës dhe hafiz Ali Korca, 1918.
16 Rexhep Voka Tetova, Kujtime të Kongresit të Dibrës, Manastir, 1909.
17 Kenan Manastirli, Debre Kongresi, Istanbul, 1912.
18 Hafiz Ali Korca, Vepra 2, Logos-A, Shkup- Prishtinë- Tiranë, 2006, f. 47.
19 Ismail Strazimiri, Lufta Kundër pavarësimit të Shqipërisë, Naimi, Tiranë, 2010.
20 Po aty, f. 184- 185.
21 Gazeta, “Liria”, nr. 56, 8 gusht 1909, Selanik; Gazeta, “Shqypja e Shqypnisë, 1 gusht 1909; shih: Gafurr Zoto, Probleme të arsimit kombëtar në Kongresin e Dibrës, në: “Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 144.
22 Ferit Duka, Vep e cit., Tiranë, 2009, f. 414.
23 Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës, gazeta, “ Perlindja e Shqipëniës”, nr. 6, e shtunë 18/31 Kallënduar 1914, f. 4.
24 AQSH, F. 145, V. 1912, D. I-4, f. 9, në dokumente shenohet edhe si Sherif. Ef. Dibra.
25 AQSH, F. 145, V. 1912, D. I-4, f. 1
26 Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës, gazeta, “ Perlindja e Shqipëniës”,
nr. 7, e shtunë 22/4 Kallënduar 1914, f. 5.
27 AQSH, F. 145, V. 1912, D. I-4, f. 9
28 Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës, gazeta, “ Perlindja e Shqipëniës”, nr. 8, e shtunë 25/7 Kallënduar 1914, f. 4; Hakif Bajrami, Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, gazeta, “Kosova Sot”, nr. 4555, Prishtinë, 5 maj 2012.
29 Mahmud Hysa, Haxhi Vehbi Dibra- kryetar i parë i Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, në:, “Kosova Sot”, nr. 4569, Prishtinë, 19 maj 2012.
30 Apostull i Atdhetarrizmit, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë,1937. f. 116. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibrës.
31 Hamdi Bushati, Haxhi Vehbi Dibra- klerik dhe patriot i devotshëm, në:” Drita Islame”, Prill, nr. 4(351), KMSH, Tiranë, 2012, f. 50.
32 Po aty.
33 Flet Kryemyftiu i Tiranës, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë,1937. f. 103. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibres.
34 Flet Drejtori i Medresesë, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë,1937, f. 105. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibres. Drejtori i Medresesë asokohe ishte Haxhi Ismet Dibra.
35 AQSH, F. 71, d.2, v. 1913.
36 Hasan Bello, Shkëputja e Shqipërisë nga Kalifati Osman dhe përpjekjet e bëra për autoqefalin e xhamisë shqiptare, në: “ Gjurmime albanologjike- SSHH, nr. 40, IAP, Prishtinë, 2011, f. 139.
37 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, hoxhë dhe patriot i shquar.., f.200.
38 AQSH, F. 882, d.5, v. 1919, f. 30. Bashkëpunimet e Vehbi Dibrës në lidhje me emerimet në Qeverinë Shqiptare dhe gjyqin e sheriatit.
39 AQSH, F. 882, d.39, v. 1917, f. 1.
40 AQSH, F. 882, d.9, v. 1921, f. 1.
41 AQSH, F. 882, d.7, v. 1922, f. 1.
42 AQSH, F. 882, d.7, v. 1921, f. 2.
43 Shih: Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, Shkodër, 1917.
44 Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920- 1944, (Përktheu nga origjinali Luan Omari), ShB, “ Elena Gjika”, Tiranë, 1994, f. 28.
45 Fjalori enciklopedik shqiptar 2, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 1260.
46 Hasan Bello, Shkëputja e Shqipërisë nga Kalifati Osman…, f. 145.
47 Po aty.
48 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, hoxhë dhe patriot i shquar.., f.200.
49 Kujtim Nuro, Toleranca dhe harmonia e fesë islame te shqiptaret- faktor i rëndësishëm për çështjen kombëtare, në:” Univers” nr. 1, ISHMQI, Tiranë, 2001, f. 125-126.
50 Qemajl Morina, Mbi fenë, atdheun dhe kombin, në: “ Takvimi” nr. 39, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 1998, f. 45.
51 Visarion Xhuvani( 1887-1965), Kryetar i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, shih: Fjalori enciklopedik shqiptar 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 2961.
52 Flet Im- Zot Vissarioni, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, 1937. f. 109- 1910. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibres.
53 Po aty, f. 109.
54 Ramiz Zekaj, Zhvillimi i Kulturës islame te shqiptaret gjatë shek. XX, ISHMQI, Tiranë, 2002, f. 290.
55 Hajredin Isufi, Feja dhe Flamuri: Dom Nikollë Kacorri, Pegi, Tiranë, 2008, f.349.
56 Shih: Ilira Çaushi Sulo, Klerikët e harruar të Pavarësisë…, pun. i cit., f. 84- 90.
57 Flet Im- Zot Vissarioni, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, 1937. f. 109- 110- 111. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibrës.

EMRAT E “MOHUAR” TË HISTORISË SHQIPTARE

 Edmond SHARKA

 


Lidhja e Prizrenit

NJË FAQE E RE E HISTORISË SË SHQIPËRISË, NË PRAG TË RËNIES SË PERANDORISË

Historia e shteteve të mëdha botërore por dhe të vogla, personit apo personave që kanë kontribuar për themelimin apo ngritjen e këtyre shteteve, secilit i ka dhënë rolin që i përket në histori. Ndërkohë që krejt e kundërta ndodh me historinë e Shqipërisë. Nacionalizmi[1] na shfaqet gjithandej dhe në çdo kohë. Përmendet më së shumti veprimtaria e Skënderbeut për 25 vjet (1443-1468)[2] se sa historia e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane për 523 vjet (që nga beteja e Fushë-Kosovës 1389 deri më 28 nëntor 1912), më së shumti flitet për 3 klerikë të krishterë (Marin Barleti, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani), si shqiptarë dhe nacionalistë të mëdhenj (gjatë periudhës komuniste iu ishte fshirë dhe përkatësia e besimit të tyre) se sa për dhjetëra e qindra myslimanë të administratës, duke filluar nga vezirë, guvernatorë, komandantë e drejtues ushtarakë, akademikë etj. të niveleve më të larta deri në më të ulëta, që punuan në Perandorinë Osmane. Një pjesë e madhe prej tyre pothuajse nuk përmenden aspak. Një pjesë e konsiderueshme e tyre përmenden vetëm me emër duke mos ditur asgjë tjetër mbi jetën e tyre, madje trillohet mbi të gjithë ata duke i quajtur shpeshherë ‘nacionalistë’ e duke i zhveshur nga petku fetar që ata mbartnin mbi vete e tyre, madje historia jonë e shkruar gjatë viteve 1945-1990, na lë të kuptojmë që pjesa më e madhe e tyre kanë qenë ‘ateistë’ jo fetarë ata personalitete që i kanë interesuar, ndërsa disa të tjerë i ka lënë në harresë totale, apo më keq akoma për disa hoxhallarë-dijetarë (ulema) apo dhe myslimanë të thjeshtë që: jo vetëm që nuk janë përfillur, por janë përbuzur, janë nënçmuar, madje edhe janë akuzuar si “turkoshak”, “turkofil”, “turkoman” “sulltanistë” …![3]

Ne po përmendim vetëm disa nga këta personalitete myslimanë[4] të periudhës 1870-1945, çdokush që dëshiron t’i njohë më hollësisht mund të hulumtojë rreth këtyre figurave, ose dhe të ndërmarrë ndonjë studim për ndonjërin prej tyre, që të njihet ashtu si vërtet e meriton të njihet.                                              

Fillojmë me veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881): Ahmed Efendi Korenica,  Ismail Efendi Yvejsi, Myderriz Hasan Efendi Shllaku, Myderriz Daut Efendi Boriçi (1825-1896), Hafiz Salih Hylja, Hafiz Tamizi, Myderriz Haxhi Zeka, Myderriz Ymer Efendiu, Myderriz Osman Efendiu, Myderriz Ali Efendiu, Myftiu Zejnel Abedini, Mulla Hasani, Hoxhë Moglica, Myderriz Abdyl Efendiu, Iljaz pashë Dibra(Qoku), Ali pashë Gucia, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Shabani, Ali bej Tirana, Qazim bej Gjirokastra, etj.

Drejtuesit dhe organizatorët kryesorë në Lidhjen e Pejës (1899) kishin qenë pjesëmarrës dhe në Lidhjen e Prizrenit si: Myderiz Haxhi Zeka, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rrozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati, Isuf Tabaku, Selim Çoba, Mehmet Beci, Haxhi Alush Dibra, Haxhi Haki Lohja, Halil Mandiqi, Shaqir Shabani, Hysen Dragusha etj.

Në Kongresin e Manastirit (1908), Fehim Zavalani, Refik Toptani, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu, Ramiz Daci, Xhemal Beu, etj. Në Kongresin e Dibrës (1909), Vehbi efendi Dibra (Agolli), Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi, Jusuf Karahasani, Haxhi Hafiz Ibrahim Efendiu Murat Aga, etj. Në Kongresin e Elbasanit(1909), Hafiz Ibrahim Dalliu, Refik Toptani, Ahmed Dakli, Jusuf Haxhi Mima etj.

Kontribuues në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë(1912), Eljas Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Sami Be’ Vrioni, Myfti Vehbi Efendiu Dibra, Abas Efendiu, Mustafa Aga, Jahja Efendiu, Shefqet Be’ Daiu, Aziz Efendiu, Veli Efendiu, Elmas Efendiu, Abdi Bej Toptani, Mustafa Asim Efendiu, Kemal Beu, Ferid Vokopola, Dr. Myrtezai e Nuri Efendi Sojli, Hamdi Beu, Mustafa Barotçiu, Xhemal Beu, Ymer Beu, Ibrahim Efendiu, Abdi Be’ Toptani, Murat Be’ Toptani, Ismail Kemal Beu, Zyhdi Efendiu, Qazim Kokoshi, Ekrem Beu, Veli Be’ Klisura Skrapari, Syrja Be’ Vlora, Mehmet Pashë Dërralla, Isa Boletini, Ajdin Be Dranga, Mahmut Efendi Kaziu, Ismail Beu, Sherif Efendiu etj.[5]  Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Sherif Lengu, apo Hafiz Mustafa Varoshi , Hafiz Derguti, Hafiz Bakalli, Hafiz Myrtezai, Hafiz Muhamet Bekteshi[6] e shumë e shumë të tjerë që njihen apo nuk njihen, por ne momentalisht po mjaftohemi me kaq.

Shumë flitet për Lidhjen e Prizrenit (10 qershor 1878)[7] pasi është veprimtaria e parë mbarëkombëtare e shqiptarëve të mbledhur rreth një qëllimi të përbashkët, ruajtjes së tërësisë territoriale të banuar nga shqiptarët nën Perandorinë Osmane. Ashtu si shumë autorë të huaj theksojnë se: Një lëvizje kombëtare shqiptare nuk u shfaq deri më 1878 dhe, edhe atëherë ajo erdhi kryesisht si reaksion ndaj kërcënimeve të jashtme. Krerët shqiptarë e ndjenë rrezikun në rritje ndaj pozicionit të tyre kur u shpallën kushtet e Traktatit të Shën Stefanit[8] më 3 mars 1878. Territoret kombëtare iu qenë caktuar kështu vendeve sllave ortodokse, asnjëri nga të cilët nuk pritej të sillej butësisht me muslimanët. Ajo që i detyroi shqiptarët të vepronin ishte rreziku nga fqinjët e tyre dhe jo nga qeveria osmane.”[9] dhe kështu aktivistët e Lidhjes nxituan që ta realizonin këtë kongres mbarëkombëtar para se të mblidhej Kongresi i Berlinit[10] në të cilin do merreshin vendime kundra Perandorisë Osmane veçanërisht ndaj territoreve të saj në Ballkan, kështu që atdhetarët shqiptarë më së shumti myslimanë bënë këtë lëvizje që të mbronin trojet shqiptare nga rreziku që i kanosej. Në betejën midis Shtetit Osman dhe Rusisë në vitet 1877-1978, është diskutuar për ndarjen e territoreve shqiptare midis Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë që pritej të themelohej. Anglia, Franca, Italia dhe Rusia e mbështetën këtë çështje. Ndërsa Greqia donte të zaptonte krahinën e Çamërisë. Për shkak të rezistencës së përbashkët të Qeverisë Osmane dhe Lidhjes shqiptare te Prizrenit, Greqia kishte vetëm një territor të vogël – Artën.[11]

Si në Lidhjen e Prizrenit po ashtu dhe më pas në Lidhjen e Pejës, trumbetohet me të madhe veprimtaria e kryengritjeve të shek. XIX si veprimtari kundër Perandorisë Osmane (vlerësimi i historisë zyrtare të Shqipërisë), ndërkohë që shqiptarët kurrë nuk kishin kërkuar Pavarësi nga Perandoria Osmane, por kishin kërkuar gjithmonë autonomi, për t’u mbrojtur nga traktatet e hapura dhe të fshehta që po bëheshin nga Fuqitë e Mëdha apo fqinjët e tyre.

Sa për vendin që është mbajtur Lidhja, na jepet një ndërtesë e vogël dykatëshe që për çudi si ka shkuar kujt ndërmend deri më sot, se si dhe se ku i ka mbajtur kjo ndërtesë mbi 300 burra (150 prej të cilëve përmenden me emër), që u mblodhën në Kuvendin e Përgjithshëm më 1 korrik 1878, askush nuk mund të japë përgjigje. Sipas historisë së Shqipërisë “Kuvendi i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha, kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë.[12] Pra xhamia na jepet thjesht si orientuese, si duket është fshirë nga memoria e kombit Xhamia e Bajraklisë[13] ose e Mehmet Pashës, në të cilën është mbajtur realisht Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, pasi logjikisht duket e pamundur që një objekt i shek. XVII të ketë një sallë aq të madhe sa të mund të mblidhet një Kuvend i madh, ndërsa dimë që struktura e Xhamisë e mundëson këtë gjë. Por ishte e pamundur për komunistët, që një Kongres kaq i madh dhe me një rëndësi të veçantë për shqiptarët të ishte mbajtur në Xhami apo në Medrese në të cilën mësohet feja Islame. Prandaj më mirë për ta ishte fshehja e argumenteve-fakteve se sa pranimi i kësaj gjëje.

Madje studiuesja e nacionalizmit shqiptar Nathalie Cleyer thekson se; “nënshkruesit ishin të gjithë muslimanë”. Kërkesat e tyre kryesore do ishin: të konsolidohej gjuha shqipe me qëllim që të sigurohej ekzistenca e tyre kombëtare; të bashkoheshin të gjithë territoret shqiptare nën një administratë të përbashkët, do të thotë në një vilajet (autonomia); të kryheshin reformat e nevojshme.[14] Kërkesat nuk do të merreshin parasysh nga Perandoria Osmane, për më tepër kjo Lidhje do të shtypej me forcë e do të përfundonte në vitin 1881.

Përpjekjet e Lidhjes së Prizrenit nuk do të përfundonin kaq shpejt, pasi luftën për mbrojtjen e trojeve të tyre shqiptarët do ta vazhdonin, herë të vetorganizuar e herë nën flamurin e Perandorisë, por ajo që ka më shumë rëndësi është se 18 vite pas Lidhjes së parë do të organizohej një tjetër lidhje po aq e madhe. Lidhja e Pejës (23-29 janar 1899)[15] me në krye Myderiz Haxhi Zekën, synoi që të merrte fatet e vendin në dorë për të mos u rënë pre e fqinjëve që synonin t’i aneksonin tërësisht këto troje, duke kërkuar autonomi, bashkimin e 4 Vilajeteve të banuar nga shqiptarët në një të vetëm dhe në asnjë moment nuk u kërkua Pavarësia, si në Lidhjen e Prizrenit dhe në Lidhjen e Pejës, për më tepër “Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të ‘Shqipërisë’ kundër orvatjeve që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare.”[16]

E njëjta gjë ndodhi dhe në fillimin e shekullit XX (1900-1908), aktivistë të shumtë e patriotë[17] shqiptarë anembanë Perandorisë bënë përpjekje të shumta për autonomi, madje deputetë, politikanë, ushtarakë e shqiptarë të tjerë të administratës Osmane apo intelektualë, si Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Ibrahim Temo, Jashar Erebara, Mit’hat Frashëri, Mihal Grameno, Njazi Resnja, Ejub Sabriu[18] etj., u munduan që çështjen shqiptare ta ngrinin në Parlamentin Osman, dhe ia arritën qëllimit, ata bënë marrëveshje me partinë e Xhonturqve. Mbështetja shqiptare ishte shumë e rëndësishme, po kjo nuk do të thotë që shqiptarët në këtë proces morën pjesë në një formë opozitare të organizuar kundër regjimit. Bashkimi i shqiptarëve me këtë lëvizje u realizua brenda dy viteve të fundit para shpalljes së Kushtetutës së Dytë (28 korrik 1908)[19]. Pikëpamjet e Xhonturqve, gjetën mbështetjen e shqiptarëve, ata parashikonin dhënien e lirive dhe të drejtave të barabarta politike çdo shtetasi osman pa dallim etnik, gjuhësor dhe fetar. Kjo i bëri shqiptarët të mendonin se më pas do të krijohej kuadri i nevojshëm ligjor që do të përligjte autoritetin e tyre në zonat ku gëzonin influencë.[20] Përfundimisht Xhonturqit erdhën në pushtet në vjeshtë të 1908 pas zgjedhjeve që u bënë, dhe, ata nuk morën parasysh asnjë premtim që kishin bërë për Liri-Barazi-Vëllazëri-Drejtësi në mbarë Perandorinë, për më tepër sapo erdhën në pushtet filluan “persekutimet” edhe më të mëdha ndaj aktivistëve për çështjen shqiptare, duke mos lejuar zhvillime të veçanta të nacionaliteteve që kishin ngelur në këtë kohë nën Perandori, pasi Greqia (1830), Serbia (1830), Rumania (1878), Bullgaria (1908) ishin pranuar të pavarura nga Perandoria Osmane gjithashtu dhe nga Fuqitë e Mëdha.

Pas këtyre zhvillimeve aktiviteti i shqiptarëve për të drejtat e tyre u shtua akoma më shumë, pothuaj në mbarë territoret ku banonin shqiptarët kishte luftë, kryengritje apo mbrojtje të trojeve të tyre, dhe të gjithë ishin dakord që Perandoria duhej të bënte reforma dhe t’i jepte më shumë të drejta shqiptarëve në të mirë të dy palëve, gjëja që vazhdon të kërkohet që prej 30 vitesh nga shqiptarët, që nga viti 1878 e në vazhdim do të ishte autonomia. Pikërisht mbas reagimit të Xhonturqve shqiptarët u mblodhën shpejt në Kongresin e Manastirit (14-22 nëntor 1908) në të cilin vendosën unanimisht për alfabetin shqip me shkronja latine mjaft i rëndësishëm për vendin, më pas Kongresi i Dibrës (23-29 korrik 1909), i cili theksoi dhe një herë bashkimin e mbarë shqiptarëve për interesat e vendit pa ndasi fetare e krahinore, iniciatorë të së cilit ishin myslimanët, gjë që u vu re në veprimtarinë e Kongresit, ku si kryetar u zgjodh Myftiu i Dibrës – Vehbi Agolli. Për këtë kongres do të kishte dhe shpifje më të mëdha pasi organizatorët do të akuzohen si persona që kishin për qëllim “islamizimin” dhe “osmanizmin” e Kongresit, ndërkohë që shpëtimtarët e kësaj kauze ishin “nacionalistët”!? Kongresi i Elbasanit (shtator 1909) do të ishte dhe kongresi i fundit i shqiptarëve para Pavarësisë. Në të do të viheshin në veprim vendimet e marra nga dy kongreset e mëparshme, duke themeluar për të parën herë shkollën e parë Pedagogjike shqipe, Normalen e Elbasanit, për të nxjerrë mësues që do t’u mësonin shqiptarëve gjuhën shqipe dhe fusha të tjera të shkencës në gjuhën shqipe. Gjatë tre viteve të fundit 1909-1912 shqiptarët nuk do të kishin nevojë më për kongrese, por do të fillonin veprimin, ata do të dilnin kundër vendimeve të marra nga Xhonturqit dhe kudo që jetonin (në trojet e banuara me shqiptarë), do të ngrinin krye për “vetëqeverisje” të nxitur dhe nga fqinjët që i “premtonin” shqiptarëve se mbas dëbimit të Perandorisë Osmane, Ballkani do t’i përkiste vetëm ballkanasve dhe secili popull do të formonte shtet-kombin e tij.

Tepër vonë e kuptoi qeveria osmane se krijimi i Shqipërisë autonome(1912) ishte rruga më e sigurt për të fituar përkrahjen e shqiptarëve kundër sulmit nga ana e Serbisë, Greqisë, Malit të Zi e Bullgarisë; dhe që Shqipëria autonome do të krijonte një pengesë kundër ekspansionit të mëtejshëm austro-hungarez apo sllav.[21]Kërkesat e bëra nga shqiptarët më 9 gusht 1912 të radhitura në 14 pika iu paraqitën Perandorisë nga Hasan Prishtina, prandaj do të emërtoheshin si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, ndër të tjera në to kërkohej: një sistem special i administratës; drejtësi konform nevojave të vendit; shërbimi ushtarak të kryhej në Shqipëri me përjashtim të rasteve të luftës; ruajtjen e adeteve/zakoneve të Islamit; liria për të hapur shkolla, mësimit në gjuhën shqipe në çdo nivel etj.[22]; pika të cilat do të shqyrtoheshin nga Perandoria Osmane e drejtuar nga xhonturqit, që përfundimisht do të pranonin 11 nga këto pika më 18 gusht 1912. Në 8 tetor 1912 Mali i Zi do të ishte nismëtar i Luftës së Parë Ballkanike duke sulmuar territoret osmane në Shkodër, pasi kishte rënë dakord më parë dhe kishin bërë aleanca me Serbinë, Greqinë dhe Bullgarinë kishin ftuar dhe shqiptarët për një luftë të koordinuar bashkarish kundër Perandorisë Osmane. Mbas këtij veprimi të Malit të Zi, Perandoria do t’i shpallë luftë Serbisë (17 tetor 1912), një ditë më pas Greqia do t’i shpallë luftë Perandorisë[23], ndërkohë që shqiptarët ishin në luftë në mbarë trojet e tyre, disa në kryengritje kundër xhonturqve, disa në mbrojte të vendit të tyre ndaj sulmeve të fqinjëve, e kështu Lufta e nisur do të përfshinte mbarë Ballkanin e trazuar e cila do të rezultonte fatale për shqiptarët.

KONKLUZIONE

Deri më tani historia e Shqipërisë nuk është paraqitur në mënyrë të drejtë, me objektivitet, fillimisht kanë ndodhur devijimi-shpifje e trillime me vetëdije gjatë viteve 1945-1990, por mosparaqitja e fakteve dhe moskundërshtimi i këtyre trillimeve do ta përbaltnin historinë dhe në këto dy dekadat e fundit, ku ndryshimet e bëra janë aq të papërfillshme sa s’mund të konsiderohen të mjaftueshme. E veçanta e kësaj periudhe është se vlerësime të reja e të ndryshme me atë të Historisë Zyrtare na vijnë nga studiues të ndryshëm veçanërisht të huaj, por dhe shqiptarë.

Gjithandej përmendet që ndër shqiptarë besimi mbizotërues që nga shek. XVII ka qenë besimi Islam, dhe pothuaj për mbi 200 vite statistikat që na jepen janë +/- 70 % myslimanë (ku futen dhe bektashinjtë), 20 % ortodoksë dhe 10 % katolikë. Ndërsa ata që realizuan hapat-veprimtaritë-kongreset-kuvendet në të mirë të shqiptarëve e trojeve shqiptare (1876-1912), historia shqiptare ose na i paraqet si të krishterë, ose shekullaristë, ose ateistë, ose besimi i tyre nuk përmendet fare, por vetëm myslimanët nuk përmend gjëkundi historia zyrtare shqiptare, madje ata vetëm përbalten.

Realisht ata që kontribuuan për shqiptarët e më pas për Shqipërinë ishin më së shumti myslimanë.

Ajo që kërkohet përgjithësisht nga fetarët dhe veçanërisht nga myslimanët është studimi i hollësishëm i çdo qelize të historisë së trojeve shqiptare nën Perandorinë Osmane (1389-1912) dhe Historisë së Shqipërisë (1912-2012), dhe do të shikoni që përgjithësisht fetarët dhe veçanërisht myslimanët e kanë ngritur këtë vend, pasi shekullaristët për 35 vite (1925-39/1991-2013) nuk kanë mundur të bëjnë asgjë pavarësisht përpjekjeve, ata vetëm se kanë sjellë paqëndrueshmëri në vend dhe gjendje të mjerueshme, ndërsa ateistët-komunistë për vetëm 50 vite e dogjën, e shkatërruan dhe e copëtuan totalisht Shqipërinë, saqë akoma sot vazhdojmë t’i vuajmë pasojat në psikologjinë e mbarë kombit shqiptar.

Si përfundim, duhet të mësojmë historinë e vërtetë që të kemi një të ardhme të shëndoshë, pasi populli që s’di të shkuarën e tij, s’është i aftë për të patur një të tashme të mirë dhe nuk mund të ndërtojë një të ardhme dhe për më tepër është i destinuar të zhduket.


[1] Ka dy kuptime: 1. Ideologji dhe politikë reaksionare e borgjezisë së një vendi, e cila i vë interesat e veta të ngushta klasore mbi gjithçka, duke i paraqitur si interesa të të gjithë kombit, e quan këtë më epror ndaj kombeve të tjera dhe ndez përçmimin e armiqësinë ndaj tyre. 2. Lëvizje kombëtare kundër pushtimit dhe shtypjes së huaj; ndjenja kombëtare. Nacionalizëm i flaktë (i zjarrtë).http://www.fjalorshqip.com/

[2] Historia e Popullit Shqiptar -I-, f. 392-456.

[3] Roli i Ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Mexhid Yvejsi.

[4] Nuk marim përsipër të vlerësojmë nivelin e tyre të besimit, se sa myslimanë ishin në të vërtetë, pra cilës shkallë të besimit i përkisnin, pasi për këtë gjë duhen studime të hollësishme të jetës së secilit prejt tyre, madje disa prej tyre mund t’i përkasin dhe sekteve të ndryshme islame pasi nuk kemi të dhëna të hollësishme për secilin.

[5] Përlindja e Shqipërisë; Botim i Bibliotekës së Shqipërisë, Tiranë 2012.

[6] Roli i Ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Mexhid Yvejsi.

[7] Lidhja e Prizrenit, Historia e Popullit Shqiptar -II-; Akademia e Shkencave; Toena – Tiranë 2002, f. 146-216.

[8] Pasi P. Osmane humbi luftën e Krimesë 1853-1856, Rusia e detyroi që të nënshkruante një marrveshje për lëshime territoresh ndaj saj, gjithashtu rreth 80 % të territorit të P. Osmane në Ballk, për më shumë shih Historia e Shqipërisë –II-, Tiranë 2002, f. 146-150.

[9] Themelimi i shteteve kombëtare të Ballaknit 1804-1920,; Charles dhe Barbara Jelavuch; Dituria- Tiranë 2006, f. 206-216

[10] U mblodh nga Fuqitë e Mëdha botërore më 13.06.1878 në Berlin, me qëllim që të sfumonin e të mos realizohej Traktati i Shën Stefanit, por të vendosnin të gjithë Fuqitë e Mëdha për ndarjet që do bënin tashmë me një Perandori Osmane në tërheqje.

[11] Problemet e zhvillimit të arsimit shqip gjatë shtetit Osman në Shqipëri; Prof. Dr. Ali Arslan.

[12] Lidhja e Prizrenit, Historia e Popullit Shqiptar -II-,; Akademia e Shkencave; Toena – Tiranë 2002, fq.155.

[13] Dimensioni Islam dhe kombëtar i Lidhjes së Prizrenit 1878, f. 41, Nexhat Ibrahimi, Logos-A, Shkup 2008.

[14] Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Nathalie Cleyer, B Përpjekja, Tiranë 2009. f. 230.

[15] Lidhja e Pejës, Historia e Popullit Shqiptar -II-, Akademia e Shkencave; Toena – Tiranë 2002. f. 257-289.

[16] Po aty, f. 277.

[17] Ai që do atdheun dhe popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit të vet; atdhetar. Patriot i vërtetë (i ndershëm, i shquar, i flaktë). http://www.fjalorshqip.com/

[18] Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorine osmane, Nuray Bozbora,Dituria, Tiranë 2002, f. 242-255

[19] Po aty, f. 242-255

[20] Po aty, f. 242-255

[21] Shqipëria; Ngritja e një mbretërie, Joseph Swire, Dituria, Tiranë 2005, f. 15-22& 114-148.

[22] Zgjimi kombëtar shqiptar; Stavro Skëndi; Phoenix-Sh.L.K, Tiranë 2000, f. 388-390.

[23] Po aty.

AUTORI I HIMNIT TË TURQISË – BIR I SHQIPTARISË: MEHMED AKIF ERSOJ (1873-1936)

 Mexhid YVEJSI

 


Mehmet Akif Ersoy

Mehmed Akif Ersoj

Mehmed Akif Ersoj, me prejardhje shqiptare nga katundi Shushicë në rrethin e Pejës, është një figurë e shquar në Turqi, një personalitet i dalluar në shumë lëmi: ishte besimtar, dijetar, akademik, poet, shkrimtar, politikan, pedagog, deputet e njihet  në Turqi, si autor i Himnit Shtetëror dhe për këtë admirohet si një shenjëtor…

Lindi në Stamboll më 20 Dhjetor 1873. Rrjedh prej një familje besimtare, intelektuale.

Është djali i myderriz Tahir Efendiut, një myderriz i njohur në Medresesë e njohur “Fatih” të Stambollit, i cili ka lindur me 1826 në katundin Shushicë, në rrethin e Pejës, ndërsa ka ndrrue jetë në Stamboll në vitin 1888.

Mehmed Akif Ersoj, në kujtimet e tij, për myderriz Tahir Efendiun, pra, për babain e tij, ndër të tjera, shkruen:

“Ai qe edhe babai, edhe hoxha (mësuesi) im. Çka di, kam mësuar prej tij…”

Mësimet fillestare i kreu në shkollën “Emir Buhari”, vazhdoj “Iptidaijen,”  “Ruzhdien” e “Idadijen”. Në vitin 1893 diplomoi në Fakultetin e Veterinarisë, ku ishte shpallur shpallur studenti më i mirë.

Krahas mësimeve, studimeve, Mehmed Akifi në Medresënë “Tabhane” të Stambollit mësonte gjuhën arabe dhe përgatitej për Hafiz, mësimin e Kur’anit të madhnueshëm përmendësh. Në vitin 1894, meqë e mësoj përmendësh Kur’anin e Shenjtë, e mori titullin: Hafiz i Kur’anit, pranë dijetarit, Hafiz Isa Efendiut…

Në vitin 1894 filloj punën si inspektor i veterinarisë, ku iu dha rasti me shetitë, me vizitue, shumë qytete e zona të ndryshme të shtetit,  si Rumeli, Anadoll deri n’Arabi…

Në vitin 1918 u emërue kryesekretar i Këshillit të Lartë Islam (Daru’l Hikmeti’l Islamiyye).

Në qershor të vitit 1920 u zgjodh deputet i Burdurit dhe u pranue nga Kuvendi (Mexhlisi).

Në vitin1921, me kërkesën e ushtarakëve, Ministria e Kulturës u dha gazetave të dates 7 nëntor një njoftim, ku bëhej e ditur se

“Shpallet konkurs për Marshin e Pavarësisë dhe se për fituesin e tekstit dhe melodisë do të jepej nga një shpërblim prej 500 lirash”.

Në qendrën e konkursit u paraqitën mbi shtatëqind tekste, por , me gjithë këtë, komisioni vlerësues nuk e pranoi asnjë poezi, sepse asnjë prej tyre nuk plotësonte  kriteret e kërkuara, që të zgjonte ndikimet e dëshiruara…

Atëherë, Hamidullah Suphiu, që ishte Ministër i Kulturës, me gjithë komisionin vlerësues, iu drejtuan Mehmed Akifit, që të shkruen poezinë. Por, Mehmed Akif Ersoj, iu përgjigjë:

“Nuk shkruej poezi për para…”

Kur, ministri me bashkëpuntorët, i premtuen se “nuk do t’i jepnin shpërblimin edhe nëse do të fitonte…! Me këtë kusht, Mehmet Akifi e shkroi tekstin…

Marshi i Pavarësië (Istiklal Marshi), shkrue nga Mehmed Akifi, u lexue në Kuvendin e Madh të Kombit (Parlamenti Turk) më 1 Mars 1921, kurse me 21 Mars 1921 u pranue zyrtarisht…

Kur zyra e llogarisë e Kuvendit të Madh e ftoi të merrte shpërblimin, Mehmed Akifi i mori pesëqind lirat, por menjëherë iu shpërndau fukarave e jetimëve përmes Institucionit Bamirës “Daru’l Mesai”…

Në shtator të vitit 1922, Mehmed Akifi u zgjodh anëtar i Akademisë së Studimeve Islame…

Prej vitit 1925 deri më 1936, Mehmed Akifi ka jetuar e punuar në Kairo, ku shërbeu si professor i turqishtes në Universitetin e Egjiptit…

Ditën e diel, në mbrëmje, në ora 19:45, më 27 Dhjetor 1936 ndrroi jetë në Stamboll, në moshën 63 vjeçare.. Ditën e hënë, me 28 Dhjetor 1936, pas namazit të drekës, në Xhaminë Bajazit u falë namazi i xhenazës, në praninë e mijërave admiruesve, kryesisht studentë universitarë, të cilët, në shenjë nderimi, e bartën me duartë e tyre deri në Varrezat e Dëshmorëve në Edirnekapi…

Mehmed Akif Ersoj, përveç gjithë këtyre shërbimeve që bëri në Turqi, me përkushtim, me devotshmëri, është marrë edhe me krijimtari. Krijimtaria e tij është thesar, është pasuri dhe mund të ndahet në dy kategori:

1. Veprat e shkruara në vargje ose veprat poetike.

2. Veprat e shkruara në prozë ose veprat prozaike.

 

Veprat e shkruara në vargje janë të përmbledhura me një emërtim të përgjithshëm :Safahat ose Fletët. Kjo është një përbledhje librash poetikë në shtatë shtatë libra me emërtime të veçanta:

1. Safahat :  Përmbledhje me 44 poezi; me 3084 vargje. Stamboll, 1911, 1918, 1928.

2. Në Katedrën e Sulejmanijës: 1 poezi, me 1002 vargje, Stamboll, 1912, 1914, 1918, 1928.

3. Zëri i së Vërteës: 10 poezi, 482 vargje, Stamboll, 1913, 1918, 1928.

4. Në Katedrën e Fatihut: 1 poezi, 1692 vargje, Stamboll, 1914, 1924.

5. Kujtimet: 10 poezi, 1314 vargje, Stamboll, 1917, 1918, 1928.

6. Asimi: 1 poezi, 2292 vargje, Stamboll, 1924, 1928.

7. Hijet: 41 poezi, 1374 vargje, Kairo, 1933.

 

Në këto vepra, thënë me pak fjalë, trajtohen çështje njerëzor, shoqërore dhe shprehet mahnitja, admirimi, ndaj forcës qetësuese, ngushëllese të besimit dhe ndaj të fshehtave të botës hyjnore…

Mehmed Akifi, ndonëse i lindur në Stamboll, Turqi, se është shqiptarë e ka pohuar me krenari…Me krenari, në shkrimet e tij e përmend Shqipninë, Kosovën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën…

Në poezinë me titull:

A s’e njeh? Kosova!, ndër të tjera, shkruen:

“Po si mund ta njihje?

Po, edhe pse s’e njeh, ke të drejtë,

S’ka lënë gur mbi gur egërsia e tërbuar!

Mijëra jetë priten sikur të pritëshin dru në pyll!

Ç’hije e zezë ka rënë mbi atë Kosovë të blertë!

Drejt veriut, Prizreni, Peja, Gjakova

Janë kthyer në qiell të ditës së fundit

Nga klithmat e zisë…

Pse e ndatë Shqipërinë…

Dhe e shkatërruat tërë vendin?

 

Ndërsa, në një poezi tjetër, të cilën e fillon me këtë ajet nga Kur’ani i madhnueshëm:

“E mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë…” ndër të tjera, shkruen:

A ende të përfytemi?

“Kur individët të thonë “unë e “ti”, bashkimi prishet

Dhe atëherë për kombet kijameti fillon!

Zbrit në të shkuarën dhe shëtiti

Të gjitha kohët e shkatërrimeve

Do të shohësh se ligji i Allahut nuk ndryshon…!

 

Përveç shtatë veprave me poezi, të cilat kanë mbi 10.000 vargje, Mehmed Akifi ka botue edhe gjashtë vepra në prozë, titujt e të cilave janë:

1. Tefsiret ose Komentet e Kur’anit

2. Vazët apo predikimet

3. Artikujt

4. Përkthimet

5. Veprat ose shkrimet e tjera

6. Letrat

 

Mehmed Akif Ersoj,  ky dijetar, poet, prozator, ky shkrimtar që krenohet që është shqiptar e besimtar, ky deputet, politikan, pedagog, akademik, autor i Himnit Shtetër, për të cilin admirohet si një shenjëtor, çfarë ishte si njeri? Këtë e përshkruan miku i tij…

Eshref Edib Beu, pronar i revistës “Sebihur-reshad”, që e ka njohur mirë, ndër të tjera, thotë:

“Mehmed Akif  Ersoj ishte burrë edhe i idesë, edhe i shoqërisë. Ishte i vendosur, besnik, modest, serioz, i guximshëm, trim, i turpshëm, i qëndrueshëm..”

Thënë shkurt, me një fjali:

“Bindjet e tij i kishte ngritur mbi këtë formulë:

Fe = Moral = Atdhedashuri = Dituri…”

JETA E PATHËNË E BABIT TIM, HAFIZ SABRI KOÇIT

 Hafiz Sabri Koçi

Haxhi Hafiz Sabri Koçi

Flet Qeramet Koçi, djali i ish-kreut mysliman të shqiptarëve

Vetëm gjysmën e jetës ka jetuar me të atin. Një arsye më shumë për të fiksuar në memorie çdo moment që ka kaluar me të. Qerameti ka qenë 7 vjeç, kur babai i tij, Hafiz Sabri Koçi u dërgua në burgun e Spaçit. Burri mjekërbardhë e me çallmë e kishte lënë një djalë të vogël, e 20 vjet më vonë e kishte gjetur burrë.

Hafiz Sabri Koçi është një nga “baballarët” e fesë islame në Shqipëri. Ju, si e kujtoni si prind?

Unë isha 7 vjeç, kur babanë tim e burgosën. Si fëmijë, e mbaj mend shumë të dashur. Unë isha dhe më i vogli dhe shpeshherë depërtoja në bibliotekën e tij ku ai kalonte pjesën më të madhe të kohës. Biblioteka ishte shumë e madhe, katër faqet e mureve ishin plot me libra. Babai ishte shumë i përkushtuar me familjen, për të gjitha nevojat dhe problemet që kishim. Ai kujdesej shumë edhe për gjënë më elementare që na mungonte. Me nënën kishte një harmoni shumë të mirë.

Si është njohur me nënën tuaj?

Është njohur me shkesi, madje disa herë babai këndonte lutje për njeriun që e kishte njohur me nënën se, siç thoshte ai, i kishte dhënë mundësinë për të jetuar me një njeri shumë të mirë. Ai e falënderonte shumë nënën, pasi ajo kishte vuajtur shumë kur ai ishte në burg. Ajo kishte punuar gjithë jetën me punë dore, dhe në moshën 40-vjeçare u detyrua të punonte me kazmë e lopatë. Babai e përmendte dhe e ka vlerësuar shpeshherë, duke thënë se unë kam vuajtur shumë se kam qenë në burg, por ajo ka vuajtur shumë më shumë se unë.

Ndërkohë që babai juaj ishte në burg, çfarë ju thoshin për të?

Pas moshës 7-vjeçare, unë babanë tim e njihja nga ajo çfarë thoshin të tjerët për të. Me thënë të drejtën, biografia na ndiqte gjithandej, që nga shkolla, puna. Por e mira ishte se ai kishte bërë shumë të mira në popull, dhe kjo na ngrohte shumë. Ata na flisnin mirë për të, edhe pse kishin frikë, por kjo na e hiqte shumë atë stresin që na krijohej nga persekutimi që nga drejtoritë e shkollave, të ndërmarrjeve. Kujtoj me nostalgji disa pleq, që për të na mbështetur, na thoshin: “Mos u mërzisni se nuk e ka dënuar Zoti, por e ka dënuar robi”. Atëherë ishim të rinj dhe s’e kuptonim. Por koha e tregoi se në atë periudhë që ishte pleqëria e tij, ai ato vite i kaloi në mënyrë të shkëlqyer.

A e kujtoni ditën që babai juaj doli nga burgu?

Ai moment është i paharrueshëm për mua. Është momenti më i gëzuar dhe më emocionues i jetës sime. Unë e kisha takuar në kampet fatkeqe të diktaturës në Spaç, megjithëse s’kishim mundësi të shkonim shpesh, se ishte shumë larg. Ditën që ka dalë, mua më ka gjetur 27 vjeç. Ai ishte ulur në një qoshe të shtëpisë, ndërkohë vinin shumë njerëz. Unë shkoja te dera, e shikoja dhe lotët më rridhnin faqeve. Pas 20 viteve babai ishte kthyer në shtëpi. Edhe tani kam emocione kur e kujtoj. Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm. Megjithëse ishte viti 1986, kur ai ka dalë nga burgu, ishte pra ende koha e diktaturës, nuk mbeti njeri në Shkodër pa ardhur për ta uruar. Dikush natën, dikush ditën, vinin fshehurazi, pasi ende konsiderohej si një klerik që kishte dalë nga burgu.

Çfarë ju tregonte babai për burgun?

Tregonte gjëra të llahtarshme. Babai thoshte se, sidomos në momentet e para, ishte ndjerë shumë keq. Kishte lënë jashtë nënën e tij, e cila e kishte rritur me shumë halle, pasi i ati e kishte lënë në moshën 1-vjeçare jetim. Bashkë me të kishte lënë nënën time në moshën 40-vjeçare, me gjashtë fëmijë. Nëna ime kishte punuar më shumë artizanat me punë dore në shtëpi. Ai më tregonte që në fillim shpeshherë i mbushej mendja të shkonte të kapte hekurat e rrethimit, që ushtari ta qëllonte e kështu t’i jepte fund jetës së tij. Mirëpo, siç tregonte babai, i shkonte mendja te të gjithë profetët që kanë vuajtur e më pas kanë triumfuar. Atëherë e ka mbledhur mendjen dhe është përmbajtur, duke iu nënshtruar punës. Babai tregonte se në burg mund të mbijetoje vetëm duke punuar. Shumë njerëz kanë ndenjur, s’kanë punuar, atyre ua zvogëlonin racionin e bukës dhe ata binin nga ana fizike. Kurse ai lëvizte dhe mbahej gjallë. Kishte arritur të krijonte një barake atje ku punonte, ku mbante saldatriçen dhe veglat e tjera. Aty, kur shkonte gjoja për të marrë veglat, kryente ritet fetare, të cilat s’i ka lënë asnjëherë. Asnjëherë nuk e ka ngrënë gjellën, vetëm bukën ka mbajtur. I çonim rrallë ndonjë shishe vaj ulliri, por s’kishim mundësi se ne ishim shumë larg. Me punë kishte arritur një respekt të jashtëzakonshëm. Madje një herë atë e kishin harruar jashtë burgut, në kantier, pasi kishte shkuar te burimi për të mbushur ujë. Gardianët kur bënë numërimin në burg, u doli një mangët. Atje ishte bërë alarm i madh. Por vetëm pas pak minutash, babanë e shohin duke u kthyer me çantën e veglave, dhe me ata gishtat që i ishin shtrembëruar nga puna. Në fillim ka vuajtur shumë. Një ish-i burgosur tregon se kur kishin Bajram, mblidheshin të gjithë myslimanë e të krishterë dhe festonin. Po kështu edhe kur kishte Pashkë apo ndonjë festë tjetër.

Pasi doli nga burgu, deri në ’90-ën, me çfarë u mor babai juaj?

Kjo është mjaft interesante. Babai im në burg kishte punuar, nuk e kishte humbur kohën kot. Ishte marrë me profesionin e saldatorit dhe elektriçistit. Ai ishte njeri pune edhe pse ishte hoxhë, dhe kishte punuar edhe para se të arrestohej. Kjo iu gjet në ato ditë të vështira në burg, sepse ai iu përkushtua punës dhe e kaloi më lehtë burgun. Kështu që ai doli, se po të rrinte në shtëpi do të vinin njerëz, pleq, shokë dhe do thoshin se ai e filloi prapë aktivitetin. Ai kërkonte punë, por punë nuk i jepnin. Unë shkova në gjykatë për të pyetur nëse sipas rregullave duhej të futej në punë apo jo? Atje më thanë se nuk lejohej të punohej po të ishe mbi 60 vjeç. Babai atëherë ishte 65 vjeç. Aty më thanë se, nëse nuk kishim mundësi për ta mbajtur, mund ta çonin në azil të pleqve. Mirëpo ai ishte i fortë dhe donte të punonte. Me miq arritëm që ai të futej në punë ndërtimi në një pallat parafabrikat. Punonte me lopatë. Madje njëherë desh vdiq se u aksidentua nga një transportiere. Deri në vitet ’90 punoi atje me punët më të rënda.

Këto kohë e ushtronte fenë?

Siç thashë, sa doli babai nga burgu, filluan të vinin njerëz. Ata besimin e kishin ruajtur në zemër, por kishin ruajtur edhe libra, megjithëse pjesën më të madhe ua kishin djegur. Me idenë që shyqyr që doli hoxha, pleq e plaka vinin me libra në duar. Babait ia kishin marrë gjithë bibliotekën. Ai studionte shumë. Madje kur doli nga burgu, edhe pse punonte në punë të rëndë, kur vinte në shtëpi lexonte. Unë vija nga puna, por ngaqë lodhesha, pushoja. Ai kapte librat, lexonte pa pushim, edhe për faktin se për 20 vjet i kishin munguar shumë. Si tani e kujtoj me ata sytë e skuqur nga leximi. Babai edhe në predikimet e tij pas ’90-ës, i mëshonte shumë dijes. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, njerëzit do të ishin të mirë dhe të vlefshëm. Ai vetë blinte libra pa fund. Më kujtohet se kur dilnim në Rinas dhe e prisnim kur kthehej nga ndonjë konferencë, valixhet e tij ishin shumë të rënda. Fëmijët mendonin se mos u kishte sjellë ndonjë lodër, por ato ishin plot me libra.

Në ’90-ën diktatura ra dhe njerëzit rifituan të drejtën e besimit. Si u ingranua babai juaj në komunitetin mysliman?

Sa filloi koha e lëvizjeve demokratike, disa të rinj erdhën në shtëpi dhe bënë kërkesë që babai të hapte Xhaminë e Plumbit. Kjo ishte një kënaqësi e madhe, por ishte ende e vështirë për ta realizuar. Ishin momentet e fundit të diktaturës. Babai kujdesej shumë që të rinjtë të mos nguteshin shumë, që të mos ndodhte ndonjë përplasje me armë me shtetin me policinë, se ishin momente shumë delikate. Por me zgjuarsi arriti që t’i përmbante të rinjtë, duke treguar kujdes dhe duke pasur disa kontakte me të pushtetit vendor, arriti që të mos kishte përplasje. Një javë më parë se të hapej xhamia, ai shkoi ta shikonte dhe të jepte disa drejtime se si mund të rregullohej. Kur u kthye në shtëpi, organet e Degës së Brendshme erdhën dhe e morën. U alarmua i gjithë qyteti dhe shkoi te portat e policisë. Ata i thanë që s’je i autorizuar, dhe të mos dalësh pa leje. Por më 16 nëntor u hap xhamia. Çdo gjë ishte paqësore, babai bënte kujdes që të mos kishte akuza ndaj diktaturës, se ende gjendja ishte delikate dhe çdo gjë shkoi mirë.

Si e përjetoi babai juaj detyrën e kreut të Komunitetit Mysliman?

Babai ishte afër ’70-ve në atë periudhë, dhe e kishte peng që s’ishte më i ri. Kishte nevojë për njerëz, por në atë kohë disa moshatarët e tij që kishin mbetur gjallë dhe ishin me nivel, ishin të dobët në shëndet. Kuadrot e rinj s’ishin ende të përgatitur. Ai u mundua të dërgonte studentë jashtë, të rimëkëmbte institucionet, dhe për këtë u vlerësua, për mendimin tim më shumë jashtë se sa brenda vendit. Njëherë kujtoj një udhëtim me të, dhe kam mbetur i mahnitur nga pritja e respekti që tregonin për të.

Sa kohë ka vuajtur babai juaj nga sëmundja?

Babai ka vuajtur nga zemra që i ri. Por gjatë burgut ai ka qenë mjek i vetes. Ishte shumë i rregullt dhe mbante dietë të jashtëzakonshme. Kjo e ka mbajtur. Pastaj, kur doli nga burgu, pati mjekime dhe bëri edhe një operacion në zemër në Turqi, në vitin 2000. U përmirësua, por sidoqoftë u rëndua shëndeti. Është interesante se ai ishte shumë i durueshëm ato ditë që ishte i sëmurë. Kishe kënaqësi t’i shërbeje. Për ne familjarët ishte mrekulli që ai nuk vuajti shumë. Kapi shtratin dhe pas pesë ditësh u nda nga jeta.

Babai juaj ka njohur shumë personalitete të huaj dhe të vendit. A veçonte ndonjë nga ata?

Ai në përgjithësi vlerësonte në predikimin e tij intelektualët. Nuk mund të veçoj ndonjërin, por e kishte si predikim vazhdimisht. Fjala që përdorte ai ishte: sa më shumë dije, sa më shumë dije.

Si kanë qenë raportet e tij me krerët e tjerë të besimeve në Shqipëri?

Babai ka pasur bashkëpunim të madh me komunitetet e tjera, me Rrok Mirditën, me Janullatosin dhe Baba Reshatin. Kujtoj një rast këto vitet e fundit që ai ishte i sëmurë dhe i kishin dërguar ftesë pasi ishin Pashkët. Unë këmbëngula që të mos lëvizte se s’ishte në gjendje. Ai u ngrit nga shtrati dhe mezi shkoi në pritje. Të gjithë e pritën me gëzim shumë të madh.

A është përfshirë ndonjëri nga fëmijët e Hafiz Sabri Koçit në ndonjë pozicion në Komunitetin Mysliman?

Jo. Ne vazhdojmë jetën tonë normale. Të gjithë jemi me shkollë të mesme, pasi s’patëm mundësi të ishim me shkollë të lartë. Punojmë sa për të mbajtur familjen. Ritet i praktikojmë në mënyrë individuale, por s’jemi të angazhuar.

Ju ka kërkuar babai që të përfshiheshit më shumë?

Ai ishte shumë tolerant dhe shumë i afërt. Me ne komunikonte si shok. Nuk ishte si shumë prindër që u imponohen fëmijëve të tyre me idenë se do ndjekin atë rrugë që ata vetë përcaktojnë. Ai i shikonte mundësitë tona. Dëshirën e kishte të madhe, por e kuptonte se ishte vonë për ne të futeshim në atë rrugë. Unë, që isha më i vogli, ma përmendte ndonjëherë, por unë gjithmonë duke parë modelin, nuk mund t’i afrohesha atij. Ai ishte i jashtëzakonshëm dhe sa për të prishur imazhin kot, më mirë të rrija kështu siç jam. Jo se ishte babai ynë, por ai ishte njeri shumë i veçantë dhe i paarritshëm. Ishte shumë i përkushtuar. Për 15 vjet ai s’ka marrë njëherë pushime. Punonte ditë e natë. Nuk njihej dita e shtunë. Ai ka marrë pjesë në pajtimin e gjaqeve, në ndërtimin e shumë xhamive. Ishte momenti që vendi kishte shumë nevojë dhe çdo gjë duhej ringritur, ndaj ai s’pushonte asnjëherë. Propagandonte në mënyrë dinjitoze çështjen shqiptare në mbarë botën, duke kontribuar kështu edhe në njohjen e Shqipërisë jashtë.

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...