Pozita gjeografike e Junikut, karakteristikat topografike dhe vecoritë natyrore përvec që e lidhin komunën e Junikut me ato fqinje, paraqesin njëherit edhe fusha me interes të përbashkët dhe mundësi për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar.
Duke marrë parasysh që komunat fqinje si ajo Decanit dhe Gjakovës janë një hap më përpara në fushën e planifikimit hapësinor (komuna e Decanit ka të miratuar PZHK dhe PZHU dhe ajo e Gjakovës është më e kompletuar sa i përket dokumenteve të planifikimit-ka të miratuar PZHK, PZHU dhe 9 PRrU), komuna e Junikut në fillim të procesit të hartimit të PZHK ka konsultuar dokumentet e planifikimit hapësinor të këtyre dy komunave. Qëllimi i njohjes me këto dokumente ka qenë që të identifikon projektet nga PZHK e Decanit dhe Gjakovës të cilat kanë ndërlidhje apo dhe janë në interes të përbashkët me zhvillimin hapësinor të ardhshëm të komunës së Junikut.
Projektet e identifikuara nga PZHK e Decanit e që janë me interes të përbashkët edhe për komunën e Junikut:
Linja hekurudhore (e propozuar) Gjakovë – Deqan – Pejë
Projektet e identifikuara nga PZHK e Gjakovës e që janë me interes të përbashkët edhe për komunën e Junikut:
* Linja hekurudhore (e propozuar) Gjakovë – Deqan – Pejë
* Linja hekurudhore (e propozuar) Gjakove – Ponoshec – Morine - Shengjin
* Universiteti i Gjakovës
* Aeroporti i Gjakovës
Vendbanimi i Junikut shtrihet në kryqëzimin e rrugës së rëndësishme tranzitore Shkodër – Kosovë, ose të Zetës (Via di Zenta) me rrugën që përshkon përmes Rrafshin e Dukagjinit, e cila kalon nëpër Qafë të Prushit dhe rrugës për në Pejë , lidhet me Sanxhakun dhe Malin e Zi. Ndërkaq nëpër fshatrat e Rekës, Koshare dhe Morinë komunikon me Shkodrën dhe pjesët veriore të Shqipërisë, si dhe nëpërmjet bjeshkëve të Junikut dhe fshatërave Jasiq dhe Gjocaj lidhet me malësinë e Shqipërisë.Reka, është një tërësi gjeografike e cila bënë pjesë në Rrafshin e Dukagjinit duke filluar nga Juniku, rrëzë Alpeve Shqiptare, deri në Gjakovë. Kjo anë përbëhet edhe nga krahina e Vokshit – që përbëhet nga 8 (tetë) fshatra rrëzë maleve (Alpeve Shqiptare) dhe shtrihet në mes të Deçanit dhe Junikut në drejtim të jugut.
Topografia: Komuna e Junikut ka pozitë të përshtatshme gjeografike para grykës piktoreske të lumit Erenik. Lartësia mbidetare e Junikut shkon nga 450 deri ne 600 metra mbi nivelin e detit. Vet qyteza e Junikut gjendet ne një lartësi mbidetare prej 593m. Maja më e lartë është Gjeravica, me një lartësi mbidetare prej 2656 m e cila është gjithashtu edhe pika më e lartë në Kosovë e Alpeve Shqiptare.
Veçoritë natyrore: Juniku ka tipe të ndryshme peisazhesh, nga ai hidrografik (lumenjtë Erenik dhe Travë), peisazhe fushore (fusha e Junikut) dhe peisazhe kodrinore apo malore (Gjeravica, Moronica). Me datën 28.08.2008 Kuvendi Komunal i Junikut ka shpallur Moronicën “zonë të vecantë të Komunës së Junikut” . Kjo zonë mendohet te jetë “parku i ardhshëm i qytezës(..) që do të jetë si urë lidhëse në mes të parkut etnografik dhe parkut nacional të Bjeshkëve të Nemuna”. Në tërësinë e tij, Juniku paraqitet si një entitet që ka qenë, është dhe do të jetë i lidhur ngushtë me natyrën.
Kushtet klimatike: Juniku ka klimë kontinentale por me disa tipare mesdhetare. Kjo klimë është e përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Mesatarja e temperaturës është 21C në verë dhe -11C në dimër. Sasia mesatare e të reshurave është afër 670 mm, kurse në sezonin e vegjetacionit (prej muajit të IV-IX) afër 330 mm.
Lumenjtë dhe sipërfaqet ujore: Lumi Erenik është më i madhi dhe më i rëndësishmi i rajonit, i cili shërben gjithashtu si burim uji edhe për vaditjen e fushës së Junikut. Ereniku buron nga liqejt e Gjeravicës. Ujërat që rrjedhin përkatësisht vijnë nga kurorat e maleve, nga gropa e Erenikut dhe nga Bjeshkët e nemuna, formojnë rrjedhat sipërfaqësore të ujërave. Nese menagjohet mire dhe nuk ka keqpërdorime te ujit, ka sasi te mjaftueshme edhe per ujitje dhe ujë te pijes.
Përbërja e tokës: Nga sipërfaqja prej 77,769.931 ha sa ka komuna e Junikut, afërsisht 4.439 ha (57.08%) janë tokë bujqësore. Livadhet e kullotat zënë një sipërfaqe prej rreth 2000 ha (45.05%) nga sipërfaqja e përgjithshme e tokes bujqesore si dhe pyjet që zënë mbi 3.029 ha (38.95%) që paraqesin potencial për zhvillim. Në zonën urbane të Junikut dominon tokë relativisht e thellë mjaftë e përshtatshme për prodhime bujqësore. Ndërsa ne pjesët tjera jashtë zonës urbane dominon tokë e cekët e përshtatshme për kullosa dhe zhvillim të pylltarisë
Sipas historisë, Juniku së pari ishte pjesë e Dardanisë Ilire, më pas e Perandorisë Romake, Bizantine e më vonë në kuadër të Perandorisë Osmane. Materialet arkeologjike të zbuluara me gjetje rasti ose kërkime të terthorta të terrenit, vendbanimi antik ilir i ashtuquajtur “Gradina” i zbuluar në grykën e majës së Gjeravicës së bashku me materialin epigrafik të gjetur në këtë vendbanim, si dhe një mori vendbanimesh tjera të Junikut, mbetjet antike të gjetura në rrafshin aluvial të Erenikut, etj dëshmojnë se Juniku ka qenë një vendbanim ilir.
Të dhënat arkeologjike të shekujve VIII-X, tregojnë se në ato vise, ku nuk është vendosur kolonizimi sllav, ka lulëzuar një kulturë thjeshtë shqiptare, që është quajtur kultura e Komanit, emër ky i një fshati në luginën e Rrafshit të Dukagjinit.
Gjatë kohës se feudalizmit të zhvilluar, Juniku sikurse Gjakova e rrethinat e saj si dhe tërë Kosova, ishin përfshirë në shtetin feudal Serb. Në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, shqiptarët ishin shumicë dërmuese e popullsisë në rrethinën e Junikut, por që është shoqëruar me migrime masive të popullsisë, të shkaktuara nga ngjarjet historike, ekonomike, politike epidemitë etj.
Në fillim të sundimit osman, bazuar në defterët osmanë, përkatësisht në ata të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, Juniku ishte fshat shumë i madh dhe sikurse Gjakova ishte krijuar para ardhjes së këtij sundimi. Juniku deri më 26.IX.1462 qeverisej nga Leka i III-të Dukagjini i cili ishte lesak i Sulltanit. Në këtë kohë, Juniku edhe pse ishte fshat, përshkruhet si qendër pazari ashtu sikur Gjakova. Njihej me emrin Lunik dhe poashtu ishte edhe qendër e kazasë Alltun-Ilija me gjithsej 52 shtëpi.
Gjatë shekujve XV-XVI, kisha ortodokse serbe e cila pranoi vasalitetin e sulltanit, përpiqej në çdo mënyrë t’i serbizojë shqiptarët ortodoksë, dhe t’i ortodoksojë ata katolikë. Islamizimi i popullsisë së Junikut ishte një goditje e rëndë për pozitat e kishës ortodokse serbe, pasi popullsia e Junikut dhe rrethinat e saj ishin islamizuar, në këmbim të lejimit të egzistencës të kishës së Deçanit. Kështu në vitin 1570-1571, në Junik ndërtohet xhamia e parë në lagjen Çoku e emërtuar sipas lagjes. Më vonë u ndërtua edhe Xhamia në lagjen Hoxhaj në qendër të fshatit. Islamizimin e përqafuan edhe një pjesë e aristokracisë shqiptare për t’I ruajtur privilegjet e veta klasore.
Nga fundi i shek. XVI, rrethina e Altun-ilu, Peja dhe Gjakova janë përfshirë në kufijtë e Sanxhakut të Dukagjinit. Kjo gjendje është ruajtur edhe gjatë shekullit XVII-të. Selia e sanxhakut ka qenë në Pejë, por ndonjëherë sanxhakbeu ka qëndruar edhe në Lezhë. Duhet ditur se ky sanxhak ka qenë përherë në kuadrin e vilajetit të Rumelisë deri në vitin 1783, kur ai anulohet dhe i bashkohet si nahije sanxhakut të Shkodrës.
Gjatë viteve 1945-1960 Juniku ekziston si komunë. Ndryshimet politike të sistemit të atëhershëm rezultuan me suprimimin e komunës së Junikut në vazhdën e ristrukturimit të qeverisjes lokale (eliminohen rrethet), me c’rast Juniku inkorporohet brenda komunës së Decanit. Më 22 korrik 2005, nënshkruhet Urdhëresa Administrative të UNMIK-ut nr. 2005/11 për themelimin e pesë Pilot Njësive Komunale përfshirë Junikun. Sipas vendimit të UNMIKU nr. 2005/21, MAPL bën përcaktimin e përbërjes territoriale për secilën Pilot Njësi Komunale.
Kurse me hyrjne në fuqi të Kushtetutës së Kosovës (15 qershor 2009) dhe miratimin e ligjit për vetqeversijen lokale në komunat, Juniku certifikohet si Komunë (më datë 13 gusht 2009, sipas shkresës njoftuese nga MAPL me numër protokolli: 02-527) me të njejtat kompetenca dhe përgjegjësi si Komunat tjera në Republikën e Kosovës, me zonat kadastrale Jasiq dhe Gjocaj.