Peshku në det e tigani në zjarr!
Nga Mimoza Dajçi Boletini
Janar 2018, SHBA. U hap lajmi se "peshku i madh" do të kapet shumë shpejt. Por nga e thëna në të bërë thotë populli është në mes një det i tërë. Protesta antikorrupsion nga shtresa të ndryshme të popullsisë dhe shoqërisë civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin një karakter të fortë social, kurse në Shqipëri edhe pse ka korrupsion edhe pse SHBA jep sinjalin se aty ka politikanë e pushtetarë, të cilët janë të korruptuar apo vrasës, përsëri populli nuk ndihet, hesht, e nuk proteston ndaj këtyre fenomeneve të rrezikshme që po i marrin frymën e jetën çdo ditë.
Nëse një organizatë apo shoqatë ngre zërin për një kauzë të drejtë e mbarë njerëzore është mirë që ta përkrahim të gjithë, e jo të qëndrojmë indiferent, apo të protestojme vetëm kur na bëjnë thirrje partitë majtas, djathtas. Çfarë tregon se një masë e popullit tonë është tejet e politizuar e i bashkohet protestave me revolta masive, vetëm me urdhër partie.
Kur populli i di shumë mirë se kush janë "peshqit e mëdhenj" atëhere pse duhet të huajt të na e kujtojnë sa herë, duke thënë se populli nuk duhet të pajtohet me këtë situatë. Pikërisht duke përfituar nga kjo mjegullnajë hajdutet e kriminelët në Shqipëri korrin e presin çdo gjë që u del përpara, duke u pasuruar apo edhe vrare njerëz të pafajshëm apo bashkëpunëtorët e tyre.
Por siç shikohet "peshqit e mëdhenj" nuk e kanë akoma grepin afër fytit, prandaj edhe vazhdojnë të shijojnë llukset e sarajet e tyre qofshin ujorë, nën ujore, tokësore, nëntokësore, ajrore, ndoshta edhe ndër planetare, ku i dihet...ndërsa populli pret që ti bien nga qielli drejt e në tiganin e hekurt të drejtësisë.