Treva e Drenicës që shtrihet në zemër të Dardanisë, përherë ishte e banuar me popullatë iliro-dardane, paraardhës të shqiptarëve. Ky komunitet i pranisë së popullsisë shqiptare në këto anë ka vazhduar gjatë tërë historisë, nga kohët më të hershme, nga antika ,mesjeta e deri në ditët e sotme. Megjithatë, deri në fillim të gjysmës së dytë të shek. XV mungojnë të dhënat për numrin e banorëve. Pas pushtimit të këtyre viseve nga ana e Perandorisë Osmane, për herë të parë u bë më 1455 regjistrimi i popullsisë ,mandej më 1477, 1478, pastaj i Sanxhakut të Shkodrës , i Kazasë së Novobërdës, në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe më vonë sallamet e Vilajetit të Kosovës, për shek. XIX dhe fillimin e shek. XX japin të dhëna edhe për popullsinë e vilajeteve, sanxhaqeve, kazave dhe nahive. Por duhet theksuar se burimet Osmane përkitazi me numrin e banorëve në viset shqiptare, pra edhe këtu për Drenicë e Kosovë, nuk bëjnë fjalë përkatësinë kombëtare të popullsisë. Bëhej regjistrimi i shtëpive dhe i njerëzve. Regjistrimet bëheshin për qëllime të mbledhjes së tatimeve dhe të regrutimit, edhe për këtë shqiptarët fshinin numrin e saktë të anëtarëve të familjes dhe shtëpive. Pushteti osman regjistrimin e bënte sipas përkatësisë fetare, e jo sipas përkatësisë kombëtare, duke mos përfillur kështu as gjuhën dhe as kombësinë. Ashtu që mungesa e regjistrimeve jo të plota dhe statistikat e hartuara vetëm në bazë të përkatësisë fetare, më vonë shkonte në favor të politikës dhe qarqeve sunduese ballkanike, në radhë të parë të Serbisë.
Para opinionit evropian paraqiteshin shënime për kinse numrin e vogël të shqiptarëve dhe numrin gjoja të madh të serbëve në këto vise shqiptare. Nëpërmjet kësaj ata përpiqeshin t’i arsyetonin aspiratat pushtuese të tyre ndaj trojeve shqiptare, që aktualisht akoma ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Historianët serb, thirreshin edhe thirren në të dhënat jo të sakta të shek. XIV, ku dihet që sipas kanunit të car Dushanit që ishte shumë i ashpër ndaj banorëve të fesë katolike, duke i konsideruar e dënuar si heretik, dhe në kanun parashihej kthimi i katolikëve në ortodoks dhe i shndërrimit të kishave katolike në kisha ortodokse- sllave. Priftërinjtë e besimit katolik dënoheshin nëse mbanin, predikonin ose përhapnin fenë. Me ligjet e këtilla drakonike kisha ortodokse ndikonte që pjesa më e madhe e popullsisë vendase t’i pranonte emrat e fetarë ortodoks e sllav, ose të pranonin parashtesat sllave në emrat shqiptar.
Këtë e shfrytëzuan dhe po e shfrytëzojnë në paraqitjen e numrit të banorëve sipas qëllimeve të caktuara të vendeve të tyre, në falsifikimin e shënimeve statistikore. Megjithatë, këtu në Drenicë ekzistojnë prova tjera relevante, në bazë të të cilave mund të konkludohet se popullsia shqiptare përbënte shumicën absolute të popullsisë.
Në Drenicë para vitit 1912, serb kishte vetëm në këto fshatra : Bajë, Suhogërllë (tash Suriganë), Runik, Radishevë, Kotorr, Kastërcë (tash Kastriot), Leçinë, dhe Vojnik. Baja ishte fshati më i madh për kah numri i banorëve, mandej vinin fshatrat Runik e Suhogërllë e në fshatrat e tjera numri i familjeve serbe ishte shumë i vogël. Banorët më të vjetër e konsiderojnë veten ata të fshatit Bajë. Për ta ka të dhëna se kah fundi i shek. XVII, aty erdhën 3 familje nga Kolloshini i Ibrit dhe një familje nga Plava, erdhën aty si çipçi të zonave të Pejës dhe u vendosën në pronat e shqiptarëve të cilët e lëshuan fshatin për shkak të një sëmundje dhe u vendosën ne vendin që sot thirret Çitak. Me siguri, banorët e fshatrave tjera të kombësisë serbe duhet të jenë edhe më vonë të vendosur nëpër ato fshatra. Nuk u përmenden familjet tjera koloniste të vendosura këtu nëpër Drenicë pas luftës së parë Botërore ( numri i atyre familjeve koloniste është dhënë kur është bërë fjalë për secilin fshat të Drenicës veç e veç ). Edhe në pronat e Manastirit të deviçit ishin të vendosura 2-3 familje serbe të cilat kujdeseshin për pronat e kishës.
Kah fundi i vitit 1912, me largimin e ushtrisë së Perandorisë Osmane, Drenica u pushtua nga ana e ushtrisë serbe, e cila në vitin tjetër (1913) bëri regjistrimin e popullsisë. Dhe sipas shënimeve statistikore rrethi i Drenicës që ishte në suazë së Qarkut të Zveçanit, kishte 7 komuna 72 fshatra dhe 23.821 banorë disa vendbanime të Drenicës administrativisht ishin të përfshira në rrethin e Graçanicës i cili i takonte qarkut të Kosovës. Mungojnë të dhëna për numrin e banorëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Por me përfundimin e luftës, ushtria serbe me ndihmën edhe të asaj franceze hyri edhe në Kosovë (kah fundi i vitit 1918) dhe filloi ndarjen territoriale në qarqe, rrethe dhe organizimin e pushtetit civil (me disa ndryshime, ngeli sipas ndarjes së vitit 1913).
Sipas regjistrimit me 31 janar 1921, në rrethin e Drenicës ishin 19.450 banorë, prej tyre 17.808 shqiptar, 1572 serbë-kroatë, 19 sllavë, 8 turq, 1 gjerman, 1 hungarez dhe 41 të tjerë. Këtu nuk janë llogaritur banorët e fshatrave që ju takojnë rretheve tjera. Sipas këtij regjistrimi del se në këtë rreth 91.55% e popullsisë së përgjithshme ishin shqiptarë. Ndërsa në komunat e këtij rrethi përbërja e popullsisë shqiptare sillej kështu :
1. Në komunën e Bajës, prej gjithsej 2307 banorëve 1228 ishin shqiptarë ose 53.22 % (1051 ishin serbë ).
2. Në komunën e Krasmirofcit, prej gjithsej 2960 banorëve, 2933 ishin shqiptarë ose 99.08 % (serbë nuk kishte fare).
3. Në komunën e Llaushes prej gjithsej 3461 banorë, 3198 ishin shqiptarë ose 92.40 %, (në këtë komunë ishin gjihsej vetëm 251 serbë).
4. Në komunën e Kopiliqit prej gjithsej 2602 banorë, 2351 ishin shqiptarë ose 90.35 %, (ndërsa numri i serbëve ishte 251).
5. Në komunën e Abrisë, prej gjithsej 3685 banorëve, 3678 ishin shqiptarë ose 99.81 % (në këtë komunë numri i serbëve ishte vetëm 7 banorë).
6. Në komunën e Polacit prej gjithsej 2292 banorëve të gjithë ishin shqiptarë.
7.Në komunën e Prekazit, prej gjithsej 2143 banorëve 2128 ishin shqiptarë ose 99.30 %, (serbe ishin 14 ).
Në periudhën 1921-1941 popullsia e Drenicës ndryshoi për kah përbërja nacionale pasi u sollën 563 familje koloniste. Që nga viti 1921 e deri më 31 dhjetor 1932, në Drenicë u vendosën 426 familje kolonistësh. Të cilët u vendosën nëpër territoret e 7 komunave diku më shumë e diku më pak.
Nga të ardhurit u formuan vendbanimet e reja si : Fshati Serbicë (ashtu është i shënuar në dokumente) me 53 familje, lokacion i ri në mes të Llaushës dhe Klinës së Poshtme. Në jug të Serbicës Novosella me 12 familje, në komunën e Polacit, Kralica me 45 familje, Tomisllavi me 15 familje si vendbanim i ri në mes të Klinës së Epërme dhe Ternavcit dhe Novokosjera me 18 familje në pronat e Ҫitakve, në mes fshatit Ҫitak dhe Runik.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948 në territorin e rrethit të Drenicës ishin gjithsej 35.144 banorë.
Në vitin 1953 rrethi i Drenicës kishte 4986 familje me 37.923 banorë, përafërsisht përqindja gati e njëjtë me regjistrimin e mëhershëm.
Në vitin 1961 Komuna e Skenderajt kishte 30.479 banorë ndërsa Komuna e Drenasit kishte 22.044 banorë.
Në territorin e Komunës së Skenderajt sipas regjistrimit të vitit 1971 kishte 36.660 banorë.
Në territorin e Komunës së Drenasit sipas regjistrimit të vitit 1971 numri i përgjithshëm i popullsisë ishte 29.329 banorë.
Sipas regjistrimit të vitit 1081 në Komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit, që përfshinë pjesën më të madhe të territorit të Drenicës ishin 87.541 banorë . Në këtë numër nuk janë përfshirë banorët e fshatrave të Drenicës që u takojnë komunave tjera si Lipjanit, Malishevës, Vushtrrisë, Shtimes dhe Suharekës.
Regjistrimin e popullsisë ,popullata shqiptare e kishte bojkotuar, megjithatë, sipas disa shënimeve statistikore del se në vitin 1991 në territorin e Komunës së Skenderajt ishin 58.399 banorë ndërsa në Komunën e Drenasit ishin 53.802 banorë.
Regjistrimi i fundit (2011) -Sipas entit statistikorë të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, në Komunën e Skenderajt ishin gjithsejtë 51.255 banorë, kurse në Komunën e Drenasit numri i përgjithshëm i popullsisë ishte 58.531 banorë. Gjithsej numri i përgjithshëm i popullsisë në këto dy komuna pa përfshirë numrin e banorëve të fshatrave që u përkasin komunave tjera është 109.786 banorë, ndërsa numri i popullsisë që u takon komunave tjera është 6646 banorë .
Vendbanimet e Drenicës sipas popullsisë
Komuna e Drenasit
Vendbanimet e komunës së Drenasit sipas popullsisë
Numri i popullsisë | 0-500 | 500-1000 | > 1000 | Gjithsejtë |
---|---|---|---|---|
Vendbanimet | 2 | 10 | 24 | 36 |
Komuna e Skenderajit
Vendbanimet e komunës së Skenderajit sipas popullsisë
Numri i popullsisë | 0-500 | 500-1000 | > 1000 | Gjithsejtë |
---|---|---|---|---|
Vendbanimet | 15 | 20 | 17 | 52 |
Komuna e Lipjanit
Vendbanimet e komunës së Lipjanit sipas popullsisë
Numri i popullsisë | 0-500 | 500-1000 | > 1000 | Gjithsejtë |
---|---|---|---|---|
Vendbanimet | 1 | 2 | 4 | 7 |
Komuna e Shtimes
Vendbanimet e komunës së Shtimes sipas popullsisë
Numri i popullsisë | 0-500 | 500-1000 | > 1000 | Gjithsejtë |
---|---|---|---|---|
Vendbanimet | 0 | 1 | 1 | 2 |
Vendbanimet në hapësirën e Drenicës
Drenica si regjion i Kosovës ka disa tipare të veçanta etnokulturore. Në pikëpamje të konfiguracionit dhe në pikëpamje të sipërfaqes, Drenica përbën një tërësi ovale, që fillon në jug me fshatin Pjetreshticë dhe mbaron në veri me fshatrat Radishevë e Padalishtë. Pjesa dërrmuese shtrihet në luginë jo aq të pëlleshme, rreze maleve te Blinajës dhe Goleshit në jug, malet e Qyqavicës dhe të Kosmaqit në pjesën qendrore deri te malet e Brusit e të Suriganës në veri.
Drenica ka 103 fshatra, që shtrihen në dy komuna kompakte etnike, Në Drenas dhe Skenderaj. Disa fshatra të tërësisë kompakte të Drenicës administrativisht u takojnë komunave: Shtime, Lipjan, Vushtrri, Mitrovicë, Burim, Malishevë dhe Therandë.
Rreth 40% e vendbanimeve të Drenicës administrohen nga komunat jashtë saj, siç janë:
Luzhnicë, Javor, Dukë, Karaçicë, Shalë (ish-Sedllar), Risinovc, Mirenë, Galicë, Mikushnicë, Dubovc, si dhe disa fshatra të Mitrovicës, Burimit dhe të Klinës.
Sa i përket pozitës gjeografike të vendbanimeve të Drenicës, ato paraqesin një tërësi të veçantë natyrore dhe gjeografike. Drenica ka pozitë qendrore etnografike në Kosovë. Ajo ka një shtrirje meridionale nga malet e Radishevës në veri deri tek malet e Caralevës në jug.
Skenderaji
Komuna e Skenderajt zë vend qendror në Drenicë, shtrihet në një sipërfaqe 378 km2. Në veri kufizohet me Komunën e Mitrovicës, në lindje me Vushtrrinë, në jugperëndim me Drenasin dhe Klinën, ndërsa në perëndim me Burimin (Istogun).
Territori i komunës së Skenderajt ka konfiguracion kodrinor-malorë me një lartësi mbidetare mesatare prej 500–700 m, kurse pika më e lartë është ajo e Qyqavicës me lartësi 1117 m.
Relievi- Ka reliev të butë, përshkohet me lugina lumenjsh të vegjël, kryesisht dominon klimë e mesme kontinentale që karakterizohet me dimra të ashpër, vera të thata me temperatura të larta e reshje të pakta, ndërsa ka një florë dhe faunë të pasur.
Popullsia – Në komunën e Skenderajt banojnë mbi 72.000 banorë ku 99% janë shqiptarë. Në strukturën e popullsisë kryesisht dominon mosha e re dhe atë: 47% deri në moshën 20 vjeçare, 48% nga 20-60 vjeç, ndërsa vetëm 5% më të moshuar se 60 vjeç.
Pozicioni gjeografikë- Komuna e Skenderajt ka pozicion gjeografik qendror në Kosovë, 50 km në veriperëndim të kryeqytetit të Kosovës ,Prishtinës.
Klima- Në komunën e Skenderajt si makro klime mbizotëron klima kontinentale me verëra të nxehta dhe dimra të ashpër e të ftohët. Meqenëse ka një terren kodrinor- malor me siguri ka edhe mikroklima të caktuara në pjesë të caktuara të territorit të saj, por në mungesë të një stacioni meteorologjik nuk ka të dhëna të sakta. Të dhënat për kushte klimatike të komunës merren nga stacioni meteorologjik i Mitrovicës.
Vendbanimet e Komunës së Skenderajit
Vendbanimet e komunës së Skenderajt janë:
Arbneshi (Luboveci), Kotorri, Abria e Poshtme, Kruebardhi (Krasaliqi), Aqareva, Kuqishti (Kuçica), Baja, Luqina, Baksi, Likoci, Bunjaku (Krasmirofci), Lekaj (Rakinica), Buroja, Llausha, Qirezi, Makermali, Qitaku, Marina, Qubreli, Mikusha, Dardani (Krusheci), Murga, Dashesi, Pemishta (Padalishta), Trimori (Tërrnafci), Prekazi i Epërm, Ermali (Bezhniku), Prekazi i Poshtëm, Gojfile (Prelloci), Radisheva, Gurelezi (Kozhica), Rezalla, Polaci, Rrezina (Plluzhina), Runiku, Surigana, Izbica, Shpati (Tërrnava), Kastrioti, Tica, Klina e Epërme, Turiqeci, Klina e Mesme, Tushila, Klina e Poshtme, Vojniku, Klysyra (Lludeviqi), Vitaku, Kodërniku (Kllodernica), Kopiliqi i Epërm, Kopiliqi i Poshtëm.
Drenasi
Territori i komunës së Drenasit(ish-Gllogocit) shtrihet në pjesën e Kosovës qendrore. Sipërfaqja e gjithmbarshme e kësaj komune përfshinë 290 km2 apo 2.66 % të sipërfaqes së territorit të Kosovës. Gjithë kjo trevë ,e cila përbëhet nga 42 vendbanime është e rrethuar me Malet e Berishës, Kasmaqit, Qyqavicës, Goleshit dhe Lipovicës (Blinajës). Këto male shtrihen në të dy anët e Luginës së lumit Drenica. Sipërfaqet e tokës së Luginës së Drenicës i përshkon sistemin e ujitjes “Ibër-Lepenc”. Pasuritë natyrore- E veçanta tjetër e kësaj treve është miniera dhe shkritorja e “Ferronikelit”,si dhe disa gurore. Nëpër këtë komunë kalojnë lumi Drenica dhe Vërbicë, uji i të cilave shfrytëzohet për nevojat e ujitjes së tokave bujqësore. Lidhja me pjesët e tjera- Kjo komunë, ne pikëpamje të ndërlidhjes tokësore lidhet më pjesët tjera të Kosovës më anë të hekurudhës Fushë Kosovë-Pejë dhe rrugës magjistrale Prishtinë – Bushat (Komoran)-Pejë ,dhe rrugët ndër kommunale Shalë- Lipjan dhe Bushat-Drenas-Skenderaj.
Popullsia- Sipas regjistrimit të fundit, kjo trevë kishte një popullsi prej mbi 67,000 banorëve ,ndërkaq sipas vlerësimeve të fundit tani janë mbi 73,000 banorë. Popullata e kësaj komune jeton në 42 vendbanime : në 36 fshatra, 2 qendrave urbane, 3 lokaliteteve dhe qendrës së Drenasit. Vështruar nga përbërja gjinore, popullatën e Drenasit e përbëjnë 51.3% meshkuj dhe 48,7% femra. Komuna është e banuar ekskluzivisht vetëm nga Shqiptarët.
Vendbanimet e Komunës së Drenasit janë:
Abria e Poshtme, Pokleku, Arllati, Qëndresa (Tërrsteniku), Bletari (Gllobari),Shkabaj (Gllobari), Çikatova, Shpati (Godanci),Damaneku, Zabeli i Epërm, Dodona (Gradica), Zabeli i Poshtëm, Drenasi (Gllogovc), Drenari (Shtrubullova), Dritani (Dobroshevci), Flamurasi (Sankoci), Fortesa (Vërbofci), Fushtica e Epërme, Fushtica e Poshtme, Grykasi (Tërrdci) ,Gjergjas (Gjerfjica), Kodra (Shtutica), Komorani, Krojeti (Krajkova), Korrotica e Epërme, Likoshani, Qëndresa (Baicë), Llapushniku, Malishti (Vasileva), Ndrekaj Negrosi, Nënkalaja (Vuqaku), Nikaj (Nekoci), Palluzha.
Literatura
- Ҫitaku, I. : Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004.
- Osmani, J. : Vendbanimet e Kosovës- Drenica, Prishtinë 2005.
- Qeriqi, A. : Krojmiri (1455-1999), Prishtinë 2007.
- Pushka, A. : Atlas, Kosova dhe vazhdimësia etnike shqiptare, Prishtinë 1997.
- Qeriqi, A. : Në gjurmim të lashtësisë, Prishtinë 2002
- Pushka, A. dhe Krasniqi, N : Gjeografia e klasës së IX,Libri Shkollorë, Prishtinë 2013
- Final Draft Strategjia Minerare
- Seferi, H : Resurset natyrore në pellgun e Drenicës, Punim masteri, Prishtinë.
- Resurset natyrore të Kosovës
- Ҫavolli, R. : Geografia e klasës së VI, Pejë 2004
- Instituti Inkos –“Studimi për Vlerësimin e hulumtimeve dhe rezervave gjeologjike të qymyrit në Kosovë”, Baseni i Kosovës,Prishtinë 2007
- Shoqata e Inxhinierëve të Kosovës-“Zhvillimi i qëndrueshëm tekniko-teknologjik dhe mjedisi”,(konferencë shkencore), Prishtinë 2002,fq. 157-164 dhe
- Ferronikeli - “Raporti i pyetësorit për miniera”, Prishtinë, 2006.