2011-03-13

NASTRADINI U FSHEH



Halil Xani u lind me 1952 ne fshatin Polac te Skenderajt.Shkollen fillore e mbaroi ne Polac e Skenderaj ku e kreu edhe gjimnazin. Studjoi ne degen e Gjuhes dhe Letersise shqipe ne fakultetin Filologjik ne Prishtine.

Nga viti 1974 e deri ne vitin 1976 punoi arsimtar I gjuhes shqipe ne shkollen fillore te Qirezit, kurse ne shkollen fillore te polacit nga viti 1976 e deri ne vitin 1983, Nga viti 1983 e deri ne vitin 1990, punoi gazetar ne Radio Mitrovice, deri atehere kur policia serbe i deboi punetoret shqiptare nga puna dhe mbylli programin shqip.

Pas luftes se fundit, nga nje vit punoi gazetar ne te perditshmet “Dita” dhe “24 ore” si dhe dy vite drejtoi programin e radio Drenices.

Pos vjershave per femije te cilat i botoi qe nga viti 1971 e kendej ne gazeta e revista te ndryshme qe dilnin ne Prishtine e Shkup shkruan edhe humor.

Ne vitin 1996 botoi permbledhjen e pare me titull “Ndal Drenushe”, librin e dyte me titull “Une e babi mjeshter” e botoi ne vitin 2005, nderkaq ka ne doreshkrim nje liber me mahi te ndryshme dhe nje tjeter po ashtu me vjersha per femije.


Nga Halil Xani

Një zabit në një nahije
Mblidhte gomarë për angarie
Kur dëgjoi Nastradini plak
U fsheh mirë nën parmak.

Erdh i tha fqinji i parë
Pse po fshihesh s`je gomar
O e di pasha shpirtin
Po s`kam besë në zabitin.


PRITJA E PASHËS
Halil Xani

Dikur në fshatin e hoxhës
Erdh një pashë me nam
Fshati zgjodhi Nastradinin
Që t`i dilte atij në selam.

Pasha pasi e shikoi hoxhën
Pa fije turpi i tha ndër sy
A nuk kishte njeri fshati
Po hakaret të zgjodhën ty.

Nëse ma keshë bukurinë
Ti e keshë perëndinë
Sa për dije këqyre plakun
Në çdo pyetje ta jap hakun.

AMANETI I HOXHËS 

U sëmur keq Nastradini
I sollën një mjek me emër
Ai hoxhën gati e çmendi
Në vend që t`i jepte zemër.

-Hoxhë po shkon n`ahiret
A po len ndonjë amanet?
-Amanet grua e ju fëmijë
Kësi doktori mos leni n`shtëpi!


VAJZË APO DJALË

Nastradinin thirri mbreti
Se e kish gruan me barrë
Mendo mirë t`ia qëllosh
E ka vajzë, apo e ka djalë.

Mendo mirë e mos qit hoka
Po s`e gjete të shkoi koka.

Para e prapa ecte gruaja
Hoxha e shikoi me kujdes
Kah po shkon m`duket vajzë
Kah po vjen, djalë, serbes.

Pas do kohe, thonë mbreti
I çoi selam hoxhës plak
Ty të lumtë se ia qëllove
Djalë e vajzë lindën binjakë.


KUSH SHET BOSTAN

Nastradini ngarkoi gomarin
Me bostan nga kopshti i vet
Pasi i bëri ca orë rrugë
Arriti në treg në qytet.

Hajde bostan, hajde bostan
Me zë të lartë hoxha vikati
Kurse pas tij si për inat
Ia, ia, ia, bëri veshgjati.

Hej, ç`është me ty kjo punë
Shet bostan ti apo shes unë?


ÇKA LIND-VDES

Hoxha te fqinja mori kazan
Për do punë të shtëpisë
Pas dy ditësh kur ia ktheu
Me të i dha dhe një kusizë.

Ç`është kjo hoxhë i uruar
Unë t`dhashë vetëm kazanin
Ishte me barrë është shtuar
Merre, merre ia pafsh hajrin.

Hoxha prapë mori kazanin
Por fqinjes s`ia ktheu fare
Mekot zonja ia kërkoi
Jo tha vdiq, e çova në varre.

Filloi grindja dhe shamata
Tërë natën deri n`mëngjes
I tha hoxha është n`qitap
Gjithçka lind edhe vdes.


BAKLLAVAJA

I çojnë Nastradinit bakllava
n`tepsi

Aty qëllon mysafir edhe nipi i
tij

Dhe sa më mirë për t`u
siguruar

I thotë nipit kjo është e
helmuar.



Del hoxha jashtë nipin s`e
merr

Ai në dhomë e bëri një
sherr

Tha do të mbytem prej mërzisë

E t`i bëri djali hyxhym
tepsisë.



Kur u kthye hoxha i ngratë

Tepsinë e gjeti gati të thatë

More nipçe se ç`ma punove

Ti u kënaqe, mua më helmove.




MJALTIN NË BESË


I tha fqiu po
shkoj

Te miqtë e mi një natë

E solla të ma ruash

Këtë qyp me mjaltë.



Në mjaltë si arusha

Hoxha kish merak

E afroi pranë qypin

E lëpiu pak nga pak.


Kur ia preku fundin

N`bark ia nisi lufta

Këndonte shahadet

Nga vdekja e kapi tuta.


Kur u kthye fqiu

E mori qypin e thatë

E kuptoi pse hoxha
Këndonte salavatë.


GOMARI 10 GROSH

Thonë një ditë pazari
Hoxhës i humb gomari
Bëri be ai me abdes
Po e gjeta 10 grosh e shes.

Pas dy ditësh dy batakçi
Ia çojnë gomarin n`shtëpi
Kemi dëgjuar o plak i mirë
Se gomarin po e shet lirë.

Ç`bëri plaku Nastradin
Maçorrin ia hodhi n`shpinë
Kush i jep- tha 100 lira n`dorë
Ia jap gomarin me maçorr.


NASTRADINI NË HAMAM

Nastradini shkoi në hamam
S`e bënë hesap as për njeri
U vesh ngadalë asgjë nuk foli
E pagoi larjen 10 fish me flori.

Kur shkoi hoxha herën e dytë
Shërbëtorët i fërkuan sytë
E pritëm keq herën e kaluar
Po shumë hakun na e ka paguar.

I dhanë rizë të re e sapun
Njëri tha e laj unë, tjetri unë
Kreu punë Nastradini e doli
Ua pagoi një grosh e foli:

Dje ua mbusha grushtin plot
Ua pagova shërbimin për sot.

Djellza Bajrami "Oaze e Ndjenjave Rinore"

Photobucket

Diellza BAJRAMI

Diellza Bajrami,u lind me 27.111993 ne fshatin Qendrese te Prizrenit.Shkollimin fillor e kreu ne vendlindje SHMU"Idriz Seferi".Vijon mesimet ne klase te dyte ne Gjimnazin"Gjon Buzuku"te Prizrenit.Shembullore ne mesime e sjellje,krijuese e talentuar ,shkruan poezi,tregime,ese dhe pjese teatrale.Per krijimtari te suksesshme eshte shperblyer disa here .Eshte anetare e Revistes shkollore Zogu i Qendreses,ku ka prezantua ne gjashte numra radhazi me krijimet e veta,gjithashtu disa poezi i ka botuar dhe ne antologjite e krijuesve prizrenas,botuar nga Biblioteka Nderkomunale e Prizrenit,si;"Rrugetimi i fjales","Ndize driten e mendimit","Takim brezash","Vargu jubilar",etj.
Vellimi"OAZE E NDJENJAVE RINORE",eshte libri i pare i saj,u botua me 2009 ne Prizren. Dhe permban rreth 50 poezi,qe jan te organizuara ne pese cikle.



STINA ME TRISHTIME DASHURIE

Zhveshje ne shpirt
Shi ne sy

Perendim dielli ne kraharor
Shtegtim i deshirave

Vese ne endrra
Ere merzie e mjegull vetmie

Cdo gje ne mua eshte vjeshte
Tani ne zemer kam stinen
Me trishtime dashurie


NGREHINA E VETMISE

Tek lisi i mendjes
Ne liqenin e shpirtit
Afer arkes se zbrazur te jetes
Jeton dicka

Ne endrren e pamundur
Tek fjala qe s"thuhet
Afer tingujve te aresyes
Dicka jeton

Pikerisht aty
Ze fill nje zemer e zhuritur
Nje ore qe s'ndalet se ecuri
E ngujuar perjetesisht
Ne burgun e harrimit

Ne ngrehinen e vetmise


KURRE S’ESHTE VONE

Rrjeta e pendimit
Mbi ndergjegje qetesisht ka rene
Kenga melankolike e trishtimit
Ne shpirt verberisht ka leshuar rrenje
Gabimi i bere buron thellesisht
gurre mesimi
Endrra e perflakur
Kerkon ndjeshmerisht pamje ndryshimi
Dhembja e loteve
Ne faqe sinqerisht deshmi pikellimi
Dhe ec me hapa te sigurt

Duhet ndryshuar fati i nje takimi
Per t'u penduar kurre s"eshte vone
Te kerkosh falje sugjerim pajtimi


THUR NJE FUSTAN TE RI PER TOKEN

Fjongot e bores
Ne melodi te qete
Po bien kete nate

Me penjte e shkelqimit kristalor
Po thuret nje vello e bardhe

Te gjithe jane ne gjume
Ndersa nga une gjumi eshte arratisur
Ndonese i lutem te kthehet
Prape nuk vjen

E vetme tek dritarja
Shikoj kete peizazh
E ne mendjen time
Notojne anijet e endrrave

Ne dhome ben ftohte
Dhe ekstaza ne shpirt me ngroh

Bora vazhdon te bie
Duke mos e nderruar ritmin


PERENDIMI I NJE DASHURIE

Neper faqet e njoma ca lot rrokullisen
Ne dritaret e vuajtjes harrimi troket

Shikimet e zjarrta i largon perpjekja
Lumturia fundoset ne oqeanin e ndarjes
Endrrat mjegullohen e vuajtja s"ka te sosur

Dhimbja e zemres kerkon nje flijim
Rozafe dashurie te behet ky trishtim
Gjersa ne horizontin e jetes
Nje dashuri e re po lind

nga Janaq Pani : PËR ATDHEUN TRE PISHTARË

Photobucket

Janaq Pani

Janaq Pani ka lindur në Qeparo të Himares me 23 dhjetor 1941.Ka kryer shkollen 7 vjecare (ashtu ishte sistemi shkollor i kohës) në fshatin e lindjes, shkollën e mesme të përgjithëshme në Vlorë, mandej ka kryer një kurs një vjeçar specializ...imi për gjeolog në Tiranë. Ka ushtruar profesionin e gjeologut nga viti 1960 e deri ne vitin 1992, vit kur doli në pension të parakohshëm dhe ka punuar për 9 vjet në rrethet Tropojë e Kukës, mandej në rrethet Gjirokastër e Vlorë. Me krijimtari letrare është angazhuar qysh në vitet 70-të të shekullit të kaluar dhe e kam orjentuar krijimtarinë në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj, kryesisht vjersha e poema e pak prozë të shkurter. Në 35 vitet e fundit kam publikuar ne Shqipëri 25 tituj librash për fëmijë e në konkurse letrare të ndryshme është vlerësue me çmime letrare. Tani jeton me familjen në Toronto, Kanada.

- POEMTH

1

Të tre - male Dangëllie
të tre - shqipe lartësie
dhe tri zemra Shqipërie.

Nisën të tre fluturimin
mençurisht shpallën kushtrimin
për lirinë e arsimimin.

Nga një nënë të tre lindnë
zemrat prush e shkëndi synë
për atdheun veten shkrinë.


2

Kush i mbledh e bën Kuvend
gegë e toskë në Prizren
me qëndresë kush i ushqen?

Kush prish pasuri me arkë
kush e shkrep fjalën me flakë
mbi Sulltanë e mbi Bismarkë?

Cilin ndjek Porta e Lartë
me afije ditë e natë
t'i burgosë fjalën e zjarrtë?

Shqipes kush ia rriti namin
kush me gjoks përball tufanin
kush në zemra lind luanin
Mic Sokolat e Sulejmanin?

Është Abdyli fjalë-shpatë
zemërzjarrti, oratori
ylber mbi malet e lartë
me një dritë meteori.


3

E kujt fjala i ka hije
ëndrrat kush i ngjit në yje
kush flet Gjuhë Perëndie?

Kush harxhoi penë e kartë
pena, kujt i kullon mjaltë
kush e mbjell fjalën e artë?


Zemra brenda kujt ia ndjeu
rrugën kush na i rrëfeu
të rilindim si Anteu?

Kush këndoi me mall biri
në çdo vatër, e kush hyri
si një zemër brenda gjiri?

Me durim, e kush ka nisë
në çdo gjoks të djalërisë
të mbjellë farën e lirisë?

Kush për atdhedashurinë
bëri verem mushkërinë
për të marrë pavdekësinë?

Kush u shtri në shtrat të këngës
kush u mboll në luk të zemrës
gur zmeraldi te loti i Nënës?

Kush u bë simbol i besës
kush shkurtoi ditët e tija
e kush qe bariu i shpresës
të mos humbë Shqipëria?

Në Stamboll, kush vetëm fill
larg atdheut sytë i mbyll
dhe në qiell lind si yll?

Kush një jetë si qiri
shqipen mbyllur në qeli
e çburgosi me poezi
i dha dritërim të ri?

Sogjetari që shpërndan
dritën si një flakadan
është Qiriu Naimjan.


4

E kë lodh malli te gjiri
e kujt dritë i bënte syri
kush kish përkushtim prej biri?

Kush mendoi për Shqipërinë
kush lëvroi diturinë
e në Perëndim mban synë?

Kujt në shpirt iu mblodhën dallgët
kush u tret në dhe të largët
për t'ia zbutë atdheut plagët?

Cilin brenga e mundoi
kush të ardhmen ëndërroi
e me shkronja t'arta shkroi?

Kë kërrusi mall i pritjes
kush shkeli shtigjet e ngjitjes
nismëtar i përtëritjes?

Kush kometë në qiell mbeti
kush kishte mendje Profeti
e në shpirt dallgë tërmeti?

Qe Samiu mendje - deti.


+ + +

Të tre - male Dangëllie
të tre - shqipe lartësie
dhe tri zemra Shqipërie.

Abdyl, Naim e Sami
zemra kurrë s'iu ka ndarë
gdhendur ju në histori
për atdheun Tre Pishtarë.


Nga Janaq Pana
VRIMË E MIUT 500GROSH
Thonë kjo na paska ngjarë
mijëra vite më parë...

...Një maçok sa një bulldog
dhe miushi vocërrok
shkonin rrugës të dy tok.

Miqësinë e mbanin fort
sa në botë s'u gjendej shok.

Miqësinë fort e mbanin,
në një pjatë bashkë hanin,
vllazërisht çdo gjë e ndanin,
bashkë qeshnin, bashkë qanin.

Por miushi kapedani
nisi e na "përmbys sahanin."

Ja që na mësoi vesin
gër, gër, gërr të shponte thesin.

" Sillu mirë! - i thosh maçoku,
- Ja, ia hapa grykën thesit,
ikë fut turinjtë e ngopu,
vetëm miell mos derdh sheshit.

Edhe thesin mos ma gris,
ndryshe, do të kullufis."

" Sot më fal, jo nuk bëj më!'
thosh miushi me një zë,
pastaj loz e qesh me të.

Ia kthen shoku: " Ja, ta fala!
Veç mos më lozësh nga fjala,
ndryshe të përpiu vala."

Dhe miushi ulte kokën:
" U pajtuam, jemi shokë!
S'ka maçok si ti në botë,
të kam mik e mik me kokë."

Kështu miu bënte lajka
deri sa të vinte darka.

Pastaj, fërr, te thesi shkonte
dhe zakonin s'e harronte,
gër, gër, gërr thesin e shponte.

Dhe premtimet, si ngahera
fu e fuu i mirrte era.

Veshëngritur dhe maçoku,
prapa shpine ç'punon shoku,
ky miushi vocërroku.

Gër, gër, gërr i vin te veshi
sikur po i shpohet thesi,
ndaj inati xixat ndezi.

Dhe si shpatë i nxjerr thonjtë:
" Miush, ti e nise lojën,
në ta pafsha diku bojën
ta dish, do të ta brej kockën!"

Që ta dini si e qysh
niset macja me yrysh,
miqësia na u prish.

Që ta dini, qysh aherë,
sa miushi bën poterë
dhe maçoku thonjtë nxjerr.

Po miushi ia ndjen frikën,
qoftë natën, qoftë ditën
dhe nga sytë - këmbët ikën.

Që lëkurën të shpëtojë
iu desh shumë të gërmojë
dhe turirin të hollojë.

Sa ia ndjen maces gërhimën
vrap te vrima e mban frymën.

Ndaj dhe frikacaku thosh:
" Vrimë e miut pesëqind grosh!"

E kur njeriu s'e do njerinë:
" Shkojnë si macja me minë..."


VARGJE PËR NËNË TEREZËN

Çeli Gonxhe në fillim
hodhi shtat me këtë emër,
kish te Zoti aq besim
sa përbrenda mban një zemër.

Kish një zë si iso kënge
kish një shpirt që di të dojë,
kish një dhimbje, dhimbje nëne
plagët pak të lehtësojë.

Frymëzimin kish të Zotit,
e paepur në qëndresë,
ish ajo që zbuste lotin,
ngado shkonte mbillte shpresë.

Mirësinë kish pasuri
si naforë të shenjtëruar,
kish në gjak shumë Shqipëri
shpirtrat për t'na frymëzuar.

Cikël poetik nga Lulzim Logu



Photobucket

Lulzim Logu
Lulzim Logu ka lindur në B. Curri, në vitin 1960, shkollën e mesme e ka kryer në vëndlindje, më pas është diplomuar për biologji, në vitin 1984.
Me shkrime publicistike, cikle me poezi për fëmijë dhe të rritur, me prozë dhe kritike letrare ka filluar të merret herët, ndërkohë që ka botuar këta libra:

1. Kohën e ëngjëllit - Poezi, 1999, Tiranë
2. Hiri - Poezi, 2002, Tiranë
3. Pinoku I qytetit magjik- Poezi, 2002, Tiranë
4. Tropoja, enciklopedia e vogël, 2008, Tiranë
5. Akoma hiri im - Poezi, 2009, Prishtinë
6. Kujtimet e ujqërve gri - tregime, 2009, Tiranë

Për një kohë të gjatë ka drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve, dega Tropojë, Klubin Letrar: " Tropoja",aktualisht drejton Shoqatën e Shkrimtarëve të Tropojës, është anëtar i Lidhjes së Poetëve Nderkombëtarë të Globit, W.P.S, është botuar në gjuhen angleze dhe ruse, në disa cikle poetikë. Jeton dhe punon në B. Curri.



GJUMI I NËNËS

Sytë i janë mbyllur, merr frymë ngadalë
Por nuk mashtrohem, nëna kurrë nuk fle.

Edhe ashtu, nënat janë zgjuar
Që të flenë fëmijët mbi dhe’…


GËshtenjat

Pikin gështenjat
Në shtjellën e erës.

Shiu ta lag dritaren
Ta zë shikimin.

S’ke ku ti krehësh flokët
Ku ti shohësh sytë.

Vetëm zjarri të ndihmon
Të më kujtosh.

Si zjarri, kur jam me ty
S’di për fikje.

A mendon ndonjëherë
A mendon për hirin?!

Pikin gështenjat
Në shtjellën e erës.

Në zjarrin prushshumë
Piqen të tjerat.

Një e nga një në gji
Aty pranë zemrës.

Gështenja të ngrohta
Në u ftohshin fjalët…


DREDHËZAT

Dredhëzat tani nuk i dua më
Megjithëse pikojnë lëng të kuq
Megjithëse më kujtojnë
Buzët e tua.

Veç unë e di ç’kam hequr
Për ti harruar…


Stinë

Dimri me shiun e ftohtë
Shiu i ftohtë, ti që qan.

Vera me diellin e egër
Dielli i egër, ti që qesh.

Vjeshta me gjethen e zbehtë
Gjethja e zbehtë, ti që ikën.

Pranvera me lumin e etur
Lumi i etur , ti që vjen.


Njeriu

Njeriu qëkur ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu sot vdes për një orë liri
Njeriu, të vetën pronë, mund ta bëjë hënën
Njeriu, zvarriset i mjerë , në uri.

Njeriu, vuan, për të bukurën dhe shpresën
Korret nga sida dhe vdes me drogë
Njeriu, për atdhe mund ta bëjë dhe marsin
Njeriu kryqëzohet si lypsar në botë.

Njeriu, sot matet me kohën, ta mundë atë
Njeriu, diku në glob, rrethohet me tel si kafshë
Beson pafund, shan pafund zotin
Dhe se ndan dot ferrin me parajsë.

Njeriu, qëkur, ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu, sot vdes, për një orë liri
Njeriu, pareshtur thyen mite, piedestale
Dhe kurrë s’gjen qetësi.

Ah, njeri!

1991.


Kur të kthehesh

Kur të kthehesh, do të jetë vonë
Zëri më është mekur
Dhëmbët më kanë rënë
Si ujk i vetmuar flë gurëve të bjeshkës
Dhe vdekja rri mbi mua si hënë…

1999.


Ajo

Ajo shkoi, siç shkojnë gjërat që vijnë rrallë
Kur plaket njeriu, vdes dhe për një puthje

Ajo shkoi, ditët vazhdojnë komplekse
Pjesë e zotit të pakënaqur që përsos
Në marrinë që quhet lindjevdekje
Ajo shkoi…

Ajo shkoi, befas u bë e domosdoshme
Rri në mua, ekuilibër i shpirtit të vrarë
Dhe çuditërisht jeta s’ndihet boshe
Ajo shkoi…

Ajo shkoi dhe kujtohem se duhet vazhduar
Se duhet të ndihem prapë i gjallë
Por përbuz të qënit e harruar
Ajo shkoi…

1999


Shtëpishkreta

Vetëm një mace, rron me thërrime
Shtëpishkreta, vdes, ngadalë, në vetmi
Dikur vilë e bukur, si prej ëndrre
Tani po humb në hiç dhe në shi.

Shtëpishkreta ikën pakuptuar
Si të gjitha vdekjet tona
Sa shumë më dhimbsen lastarët e thyer
Dhe dashuritë, shndrruar në jehona…

Bytyç, 1998.


Pa titull

Mi bënte shuk letrat
Puthjet mi përbuzte
Flokët s’mi pëlqente
Vetëm sytë.

E dija, duhej ikur
S’bëja për pasqyrë…


DITËT E MIA

Ditët e mia të pafajshme
Varen në kremastar kujtimesh
Të vjetra, të idhta, qajnë pa zë
Qajnë duke buzëqeshur.

Ditët e mia krenare, sa s’thuhet
Rreziten në diellin, që akoma s’ka lindur
Duke besuar se bëhen më të mira
Me gjaklindje veshur.

Ditët e mia të vërteta, si fryma ime
Idealiste si ëndrrat që shohin, tragjike si ëndrrat që si panë
Vdesin ngapak në pritjen e përjetshme
Për të qënë më të mëdha.

Ditët e mia, fëmijë kopshti zënë për dore
Pa edukatore në trafikun e sotëm të jetës
Shtrëngohen rreth vetes ti ikin vdekjes
Që si bushtër u leh tek ecin.

Ditë e mia, ikin shpejt pa kuptuar
Stinë që meritueshëm, mendoj se janë jetuar
Duke larë borxhet e vjetra dhe të reja
Pa mëkate njerëzore ngarkuar.

Ditët e mia, shkojnë thjeshtë nga jeta
Pa epitaf dhe gur te koka të rëndë
Siç shuhen yjet netve të vona të verës
Mbi ëndrra të brishta, kur ranë.

Ditë e mia, i kam dashur shumë
Ditët e mia, sa fort ju dua
Mbi supet tuaja, më zë gjumi
Në gjirin tuaj , duke pushuar.

Lamtumirë, ditët e mia që shkuat
Mirësevini, ditë të tjera
Qoftë lëvduar jeta juaj
Qoftë lëvduar , vdekja!

1996


FILLIM VERE

Shuhet pasditja e bukur
Në apartamentin komod
Brenda muresh dhe qelqesh
Kafaz modern.

Troftat lodrojnë në lumë
Retë luajnë me avionet e linjës
Dhia e egër po kthehet në shpellë
Ujku ka nisur sokëllimën.

Dashuria e djegur s’bëhet më
Të puthurat bien erë blozë
Shpirti, një grumbull hiri
Ku gacat, kurrë s’ndizen zjarr.

Por nesër, lind prapë ditë e re
E bërë nga zoti për njeriun e lirë
I burgosuri qiellin e kujton kurth
Dhe nuk e kupton hapësirën.

Shuhet pasditja e bukur
Në apartamentin komod
Një fillim vere që nuk vjen më
S’ka më kthim të asaj që shkoi…

1996


LETRAT DIGJEN

Të zverdhura si gjethe
Letra dashurie
Ferrparajsa ime
Peng i kujtimit.

Digjeshin ngadalë
Duke kërcitur
Sikur brinjët e mia
Kur therin dimrit.

Ashtu ngadalë
Pa flake të dukshme
Digjeshin vetë
Dhe digjnin.
Tani i iki zjarrit
Zjarrit të madh në vatër
Nga frika ime
Të mos shkel hirin…

1999


HIRI

Endrra ime e hershme
Zjarri që s’di për fikje
Pengu im i vonë
Fikja e hershme
Hiri që mbetet
Kurrë nuk tretet…


ShI

Kullon mbi mua
Rrjedh vetes time
Ndihem veç lot
Ndihem veç mall
Ndihem i shuar
Pa eshtra, pa muskuj
Lëndë pa formë
Po i kthehem tokës
Molekul dhimbje
Pjesë e turbullt e saj.

Po shiu, s’ka faj!...

1 korrik 2001.


FRYMA

Çdo mëngjes, po eci më ngadalë
Çdo mesditë, po më merret ngapak fryma
Çdo mbrëmje, më herët i afrohem shtratit tim
Çdo mesnatë , po ndihem më i vetmuar…

Eshtë fundprill, është fillim maj
Por nuk qaj…


ASGJË ME VETE

Asgjë me vete s’ke me marrë
Kur të shkosh nga kjo botë
Përveç dashurisë shumëzuar në kujtime
Që përbën shpirtin tënd
Më tha së fundi në ndarje
e pangopur me dashurinë që i kisha dhënë.

Netve ngujohem në qiellin mbi krye
Ku një yll ndizet e shuhet pareshtur
Përmbi hënë…
S’ka më kohë.

Tani s’ka më kohë për mëkat
Në qoftë ky veprim mëkat
Kur unë lidhem i tëri pas teje
O zot, ato vijat paralele të buzëve tua
Hekurudha e vetme për në parajsë?!

Tani s’ka më kohë për mëkat
Në qoftë ky veprim marri
O zot , ata sytë e tu, shpella pafund
Hone ku rashë papritur një ditë
Por, kurrë nuk mund të dal perseri?!

Tani s’ka më kohë për mëkat
A është vertet mëkat, apo diçka tjetër
O zot, tip o ikën papritur prej meje
Po kush pas teje, kush pas teje mbetet?!

2008


KUAJT

Ma kanë zënë hisen e hënës duke fjetur në këmbë
Në ag’ dielli lind copëtuar pas veshëve të tyre
Dhe yjet e fundit rrëzohen në jelet e lagta…


QENTË

Qentë sonte e qajnë hënën skaj mali
Era pastaj e mbulon me re të zeza
Vdes e dashura e tyre ulërimash…


QYQJA

Në muzg mbeti veç ajo me ku ku të mekura
Dhe hëna e ngrirë si drapër i ndryshkur
Që s’ja priste dot kokën …


MESNATË

Dhi e egër piu ujë dhe rrëzoi gurë në hone
Mëngjesi mban frymën dhe gjurmën e saj
Por kurrë s’munda t’ja shoh sytë…


QIRINJTË

Sa shpesh digjen netve tona të gjata si kujtime
Në pjatën e madhe të natës shuhet shpirti
I dashurive të dyllta…


ORA

Ndalet ora e murit papritur, lavjerrësi bie
Veç qelqi që thyhet pastaj, kris një çast
Koha vdes si zemër…

Qytetare pa pasaporte



Nga Anila Kati

si mund te iki...
nga kjo toke e askujt...nga kjo bote...
ku jam ngujuar ne pritje...?

e panjohura...e njohura...
qendroj midis kufijve te mendimit
gjenerate e vjedhur kjo e imja...
qe deshi te ndryshoje fatin...
ne emocionet e nje toke te huaj...

ne kufij te absurdes e misterit...
atje ku te drejtat e te qenurit...
ndryshojne perspektiven e te ardhmes
duke trasformuar ate qe jemi...

kufij te padukshem qe na ndajne
midis kufijve ne token e askujt...
tragjedi ne vazhdim...
rruge e gabuar e kufijve...

ne avuj endrash e veprimesh...
ku cdo gje humb sensin...dhe e rimer...
me forcen e humbjes...
me forcen e tragjedive te harruara...
e te rigjetura ne te sotmen gjueti...

perzierje mendimesh e kulturash...
ku kaosi mbeshtjell sensin e jetes...
gjuha ime e humbur...
dashuria ime e harruar...
endrat e mija te perziera...

midis nje jete te masturbuar...
qe pjell metamorfozen e te ardhmes
eksperience ekstreme e te jetuarit...
me endra...iluzion...genjeshter...

me shtepi por pa shtepi...
me histori por pa histori...
tragjedi e patreguar qe s'ka ze...
histori e emigrimit...

deshperim...lot...dhimbje...
Molley...Grasy...Desy...
ne fund jemi te gjithe te njejte...
e gjithe kjo ka ndodhur me te vertete

trishtim...trishtim...trishtim...
per indiferencen...per shpirtin...
per lotet e paderdhura...
per vuajtjen pa ze...pa zhurme...
qe pollen natyrshem poezine...

deri ne fund...
dashuria eshte me e forte se urrejtja
drita eshte me e forte se erresira...
jeta eshte me e forte se vdekja...
deri ne fund...e pa kthim...

SEKRETET E MIJA...!



Photobucket

Poezi nga Raimonda MOISIU

Si një robinë e pasqyrës,shoh
veten cdo mëngjes në të,
dhe pikas nga një shënjë të vecantë,
që askush nuk e vëren,përvec
syve të mij të zhytur në kujtime,

-.-

Janë shënja të vogla, të zbeta,
të mezidukshme,që m'i dërgon,
mëngjes për mëngjes,
një qënie që qëndron mbi një majë
si një përmendore dhe
quhet pleqëri.
Këto shënja ma dinë emrin,
më njohin mirë, e më thërrasin,
nga larg,
si mikroinfarkte të vegjël!

-.-

Është një sulm i përditshëm,që
e pikas vetëm unë,por që
e shfaros,
një kamp tjetër, i tërë ,e shfarosës,
sic shfaros mikroinfarktet e vockla:
Një e qeshur në mëngjes me shpirt!

-.-

Një kamp magjepsës, pafundësisht
i bukur,
AI!
I sekreteve të mrekullueshme të dashurisë!

-.-

Ja, ku hesht shtrati...
Atje flenë kujtime të rrënqethura.
Atje unë, e vetëm unë,
vë veshin dhe ndjej,
rënkime të ëmbla,
pëshpërima e psherëtima,
buzë që lodrojnë mbi mishin tim.....
si një diell i vogël, i nxehtë
i erdhur nga parajsa,
vetëm për mua,
duke mërmëritur emrin tim!

-.-

Sekretet e mia..., ato....,
I di vetëm një qënje e kësaj bote,
Unë...,
që si një robinë,
vështroj veten përditë, në
pasqyrën e mëngjesit.

-.-

Sekretet e mija,
pengjet e mija,
futur në një shportë të artë,
të mbledhura nga kopështi i memorjes,
nëpër gurgullimat e lumit,
në oshëtimën e një zëri,
që më thoshte:
Të dua!

-.-

Dhoma ime e madhe,
Lagja e gjith'qyteti,
kontinenti i tërë,
nuk i nxë dot, sekretet e mija!
Ato.....
grumbullohen, si zogj
të uritur, të vegjël, cicëritës,
të brishtë e të bukur,
në të majtë të gjoksit tim.

-.-

O zemra ime!C'i ke këto pëllumba,
strukur aq bukur në blerimin
e kopështit të vetmisë sime?!
Plot stërkala të kristalta,
ujra burimi,
magji hyjnore,
me aureolën e përqafimeve dhe
melodi fyejsh....!.

-.-

Sa të bardhë carcafët!
Carcafët e dëshëruar për tu zhubrosur,
për tu flakur përtokë,
nën bardhanën e hënës te dritarja,
nëpër puthjet e nxehta,
nën sulmin e dashurisë....

-.-

Të fshehtat e mija të dashurisë!

-.-

Plot fjalë të vecanta,
të rrallëpërdorura,
të ardhura nga hyjnitë qiellore,
të dridhura,
të patjetërsueshme,
si ujrat e foshnjës,
kur është duke lindur....

NJËQIND PLAGËT E TRIMIT



Photobucket

Nga ABDULLAH ZENELI

(Kambanë kujtese për Zahirin)




Zahirin nuk ishte aq vështir ta njihje atëbotë
Ishte kudo ai kahdo që duhej në atë kohë rrëmet
Në pikun e ditës thellësinë e natës shiut e borës

Zahiri po ishte kalorës që mjegullën nuk e donte
Në mjegull thoshte trimi e tradhtari janë një
S’ka më mirë e paq se një betejë frontale

Me armikun aty e veten jo më larg se përballë tij

Zahiri vetëm me vetëm gjithë shokët e tij një nga një
Njihte çdo pëllëmbë të tokës ajrit zgafellë e ujëvara
Ku thyheshin e loznin ëndrrat që i kishte me plotëni

Zahiri i ëndrrave me komandantët e një pëllëmbe dore
Se pëllëmba tjetër larg o sa larg njëqind vjet larg
E ai në mes aty ku kishte selinë Justiniani i kanunit

Para se të merrte rrugë drejt përjetësisë divine


Zahiri gjithçka të falte pa më të voglën drithërimë
Të falte sytë të falte zemrën të falte vetminë
Të falte ngurrimin të falte frikën të falte mosdijen

Zahiri të falte etjen, të falte urinë të falte dashurinë
Të falte dasmën të falte po edhe metelikun e fundit
Të falte fajin e pafaj të falte buzëqeshjen në vaj

Po nuk të falte jo kurrë nuk të falte tradhtinë

Zahiri shëtiste nëpër të gjithë damarët e atdheut
Vetë i tretë kur duhej vetë i njëmijtë kur kërkohej
Se asgjë nuk matej as me numra as me fjalë

Zahiri po ishte gjithmonë ku duhej për t’i dalë ballë besës
E s’ishte jo ku s’duhej se instinkti s’e tradhtone kurrë
Pos një dite ah një ditë të kobshme në atë veturën ruse

Tek po kthehej nga një betejë të fituar krejt nazethyer

Zahiri s’pëlqente ngazëllimin as kremten as zhgënjimin
I menduar siç qe po pa as më të voglën mëdyshje
Derisa numëronte orëpafundmet lugje e brigje të ilegales

Zahiri s’ishte kockë as mish për epshet e përtejgrilave
E ku duron burri prangat ditë m’drekë e gjithë natën e lume
Jo jo ai këmishën kishte burg si plisin n’dollapin e fëmijërisë

Mbytur me ëndrrazhgëndrrat e pafundme të lirisë

Zahiri po Zahiri zgjohej kur të tjerët binin në gjumë
Kur të tjerët ngopnin barkun e lëpinin kockat e majmërisë
Dhe mbyteshin thellë sa thellë në dafrungat e marrëzisë

Zahiri përplotësonte mozaikun e madh të zisë të euroazisë
Gjithherë me një aksion të fituar a një koloni të asgjësuar
Një plani të prishur ardhësish hajdutërisht të çakërdisur

Aq i qetë qe trimi sa mbështillte duhanin kaçak dalëngadalë

Zahiri ky dalëzotës i ditëve të para mu para plojës e batërdisë
As prekte me këmbë në tokë as kokën s’e kishte në qiell
Ishte gjithkund ku ishte kushtrimi i palcës së rinisë e idealit të lirisë

Zahiri i ndërgjegjes tharmuar në gjëegjëzat lak të zgjuarsisë
Ç’është një shtëpi pa zot një shtëpi pa çati diku në këtë rropulli
Ç’është një njeri pa tokë një njeri pa fe një njeri pa atdhe

Kosova tha me klithmë Zahiri dhe pa e parë më vete jo as deshi
Me ato njëqind plagë sytë t’i mbylli aty ku lisi i la vend një pylli

Vërejtje:

Poezia qe para-prinë në revistën letrare RINGJALLJA u nderua më çmim...

Poezia e cila i para-prinë revistës letrare RINGJALJA e shkruar nga shkrimtari llapijan zotri.ABDULLAH ZENELI , me 07.09. 2010 në manifestimin tradicional Tahir Desku në Klinë e nderuan më çmim.

Në emër të Klubit Letrar Zahiri në Podujevë dhe në emër timin përsonal si kryetar klubi RUZHDI BERISHA – RUDI ndjehemi të gëzuar qe në radh të parë fitoi çmim shkrimi qe përherë të parë ajo poezi është botuar në revistën tonë llapijone RINGJALLJA. 

Dhe në emër të Klubit Letrar Zahiri zotri. Abdullah Zenelit i dëshiroj çdo të mirë në jetë, dhe sukseset e tij nuk mungojn, zotri. Zeneli serish dëshmoi që është një figur e veçant ne shkrimet e tij.

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...