2011-06-22

Në Klinikën infektive në Prishtinë, u konfirmuan tre rastet e para për këtë vit, të të infektuarve nga ethet hemorragjike.

Kthehen rriqrat

Në Klinikën infektive në Prishtinë, u konfirmuan tre rastet e para për këtë vit, të të infektuarve nga ethet hemorragjike. Të infektuarit janë dy djem, njëri në moshën 11 vjeç e tjetri 15 nga komuna e Rahovecit, derisa i treti është një 30 vjeçar nga Malisheva. Sipas mjekësve gjendja e tyre është mjaft e rëndë.


Nga Lirita Halili
 
 
Me ngrohjen e motit, u paraqitën edhe rriqrat. Kështu të mërkurën në Klinikën infektive në Prishtinë, u konfirmuan tre rastet e para për këtë vit, të të infektuarve nga ethet hemorragjike. Të infektuarit janë nga komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës.

Nga Rahoveci, të infektuarit janë dy djem, njëri i moshës 11 vjeçar dhe tjetri 15, që të dy vëllezër mes vete. Derisa i infektuari i tretë nga Malisheva është një mashkull i moshës 30 vjeçare. Salih Ahmeti, shef i repartit në Klinikën Infektive në QKUK, tregon se të infektuarit janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

“Që të tre pacientë janë në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe ndodhet nën përkujdesje intensive. Mjekët po bëjnë gjithçka që të infektuarit sëmuri të mbijetojë”, tregon Ahmeti për Express.

Sipas tij, mjekët kanë filluar që të bëjnë kompensimin e të gjitha produkteve të gjakut dhe pacientët janë duke u menaxhuar në mënyrë intensive. Por edhe përkundër kujdesit, sipas Ahmetit sëmundja e pacientit ka një ecuri të rënd.

“Të sëmurët janë mjaft rëndë, mirëpo ne po bëjmë shumë përpjekje që segmentet e mundshme që mund të menaxhohen nga mjekësia për tejkalimin e sëmundjes”, vlerëson Ahmeti.

“Por mund të them se gjendja e tyre, prej momentit kur janë paraqitur tek ne, është një shkallë më e mirë”, pohon ai.

Sipas Salih Ahmetit, gjatë kësaj periudhe kur janë konfirmuar rastet e sëmundjes, në Klinikën Infektive janë paraqitur gjithsej 7 persona, nën dyshimin se mund të jenë të pickuar nga rriqrat.

Megjithatë sipas tij, vetëm tre nga këta, janë konfirmuar se janë të sëmurë nga ethet hemorragjike.

“Këtë vit sëmundja fatmirësisht është shfaqur më vonë krahasuar me vitet e kaluara, Kjo për shkak të rrethanave klimatike”, sqaron ai.

Në Klinikën Infektive që nga muaji maj kanë kërkuar ndihmë 373 pacientë të prekur nga rriqrat, pjesa dërmuese e tyre, janë lëshuar në shtëpi pas trajtimit mjekësor. Sezoni i pranverës dhe verës çdo vit në Kosovë karakterizohet përveç me numër të lartë të personave të pickuar nga rriqrat edhe me viktima në njerëz.

Numri më i madh i viktimave është shënuar vitin 2001 dhe vitin e kaluar, kur si pasojë e pickimit të rriqrave, përkatësisht etheve hemorragjike kanë humbur jetën nga 7 persona.

Simptomat e para tek pacientët e pickuar nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, nëpër lëkurë, lodhje, molisje dhe simptoma të tjera, pas shfaqjes së të cilave është i domosdoshëm konsultimi me mjekun. Zonat më të rrezikuara nga rriqrat janë Suhareka, Klina, Rahoveci, Skenderaj, Drenasi, por kampione mbetet Malisheva.

Nga Nexhmije Ahmeti - Protesta mbyllet pa incidente

 
Protesta e organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” në kryeqytet ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident. Disa mijëra protestues janë mbledhur para teatrit Kombëtar në Prishtinë, me ç’rast kanë dëgjuar fjalimet e drejtuesve të “Vetëvendosjes”, të cilët kanë akuzuar Qeverinë në krye me kryeministrin Hashim Thaçi se po e vjedhin pasurinë e popullit.

Pas rreth një ore protestuesit janë shpërndarë, duke fishkëllyer vazhdimisht me filikaça, ndërkohë që s’ka pasur asnjë përpjekje për të mësyrë ndërtesat e Qeverisë.

Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka paralajmëruar se protesta të tilla do të realizohen edhe në ditët e ardhshme. Kurti i ka quajtur të gjithë ministrat e qeverisë hajna dhe plaçkitës, kurse Thaçin e cilësoi si hajnin kryesor.

Ai tha se këta njerëz po e plaçkitin Kosovën për t’u pasuruar për vete dhe për ta varfëruar popullin.

“Politikanët e vjedhin buxhetin e Kosovës nëpërmes tenderëve, të cilët ua japin njerëzve të vet që ua kanë financuar fushatën. Kurse nëpërmjet negociatave me Serbinë po e vjedhin territorin e Kosovës”, ka thënë Kurti

Lideri i “Vetëvendosjes”, ndërtesën e Qeverisë e ka krahasuar me pavionin për VIP në Burgun e Dubravës.

Kurti iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, sikur është shprehur ai, nëse duan të kenë shtet të mirëfilltë dhe demokratik.

Protesta para Teatrit, sigurohen ndërtesat qeveritare
Protestuesit e thirrur nga Lëvizja “Vetëvendosje”, për të protestuar “Kundër Hajnisë”, janë mbledhur para Teatrit Kombëtar, pasi janë penguar nga policia për t’iu afruar më shumë ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit.

Platforma ku do të mbajnë fjalime drejtues të “Vetëvendosjes”, tashmë është vendosur para Teatrit, pasi më herët ishte hequr nga policia, në afërsi të ndërtesës së Qeverisë.

Gazetarët e Express-it raportojnë se forca të shtuara të policisë janë vendosur afër ndërtesave qeveritare. Në protestën e fundit, aktivistët e "Vetëvendosjes" kishin sulmuar me gurë dhe mjete të tjera, ndërtesën e qeverisë, duke thyer disa xhama.

Nis protesta e “Vetëvendosjes”, policia heq binën
Pikërisht në mesditë ka nisur protesta e thirrur nga Lëvizja “Vetëvendosje”, me moton “Kundër Hajnisë”. Disa qindra protestues janë nisur nga Biblioteka Kombëtare drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku është paraparë të mbahen fjalime nga drejtues të “Vetëvendosjes”.

Por bina e vendosur për këtë qëllim është hequr nga policia, raportojnë gazetarët e Express-it nga vendi i ngjarjes.

Aty është vendosur një kordon i policisë, megjithëse lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ka thënë mbrëmë për mediat se protesta është paralajmëruar sipas rregullave.

Sot protesta "Kundër Hajnisë"
Lëvizja Vetëvendosje organizon sot protestë me fillim nga ora 12 duke u nisur nga Biblioteka Kombëtare drejt ndërtesës së qeverisë së Kosovës, me moton “kundër hajnisë”.

Vetëvendosje thotë se protesta organizohet për “manipulimin me tenderë, shitjen e ndërmarrjeve publike dhe marrëveshjet e paralajmëruara me Serbinë, për vjedhjen e territorit të Kosovës”.

Lideri Albin Kurti dje ka treguar detaje për organizimin e protestës në një konferencë për media.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje në protestën me moton “Kundër hajnisë”, në orën 12 do të nisen nga Biblioteka Kombëtare dhe marshuta do të jetë nëpër rrugën ‘Nëna Terezë’ e deri te ndërtesa e Qeverisë. ”Aty do t’i kemi disa fjalime”, tha Kurti. Protestuesit, sipas tij, do t’i kenë xhepat e nxjerrë jashtë, duke paraqitur kështu simbolikisht varfërinë e qytetarëve për shkak të, siç tha ai, hajnisë së pushtetit. Mjerimi social në Kosovë, sipas tij, nuk është fatkeqësi natyrore, por dashakeqësi politike.

“Janë tri lloje kryesore të hajnisë: manipulimi me tenderët që u jepen zakonisht e kryesisht biznesmenëve që janë miq të Qeverisë; shitja e ndërmarrjeve publike me këtë privatizim të egër që ua mbush xhepat ministrave; dhe, marrëveshjet e paralajmëruara me Serbinë që na e vjedhin territorin e Kosovës”.

“Siç e dini, kjo qeveri operon tashmë me buxhet të paligjshëm, planifikon t’i shesë lirë dhe shpejt PTK-në, KEK-un e Trepçën dhe mendon t’i bëjë 6 marrëveshje me Serbinë me ç’rast jo vetëm që qytetarët dhe deputetët nuk dinë se çka përmbajnë ato, por edhe platforma e bisedimeve nuk i është dhënë as kryesisë së Kuvendit dhe as kryetarit të Kuvendit”, tha Kurti

Shumë pak e dinin se Ali Asllani është shkrimtar i madh

 

Ardian Klosi
Promovim
Ali Asllani (1882-1966) i paraqitet sot publikut shqiptar në gjithë krijimtarinë e tij me „Veprën e plotë poetike.
Shumë pak e dija që Ali Asllani është një poet kaq i rëndësishëm i gjuhës shqipe. E kisha dëgjuar vetëm gjatë viteve të fakultetit, ku trajtohej si vjershëtor gati gjysmë folklorik i periudhës së para-realizmit socialist. Vepra e tij më e gjatë „Hanko Halla“ më pat lënë kujtimin e një poeme humoristike. E për më tepër në një kohë të tillë si vitet ’70 kur sytë dhe etjen e kishim drejt Perëndimit, natyrisht që nuk gërmova më tej për këtë poet. Koha dhe rrethana të tjera, konkretisht dëshira e nipit të poetit, Ardian Asllanit, që të nxjerrë një botim të mirë të krijimtarisë së gjyshit, e pruri që tani të përgatis për shtyp „Veprën e plotë poetike“ të Ali Asllanit (1882-1966), të cilën e prezantojmë sot. Dhe kështu ndodhi që njoha për së thelli një poet të buruar, me muzikalitet e magji vargu, siç ishte dhe e kultivuar gjuha e bashkë-themeluesit të shtetit shqiptar, e diplomatit të karrierës dhe kryebashkiakut të Vlorës për shumë vite. E ka kapur saktë Rexhep Qosja kur shkruan: „… Vjershat më të mira të Ali Asllanit janë si farë pjesësh të vogla muzikore, pikërisht për shkak të ekspresivitetit të tyre të veçantë eufonik. Shëmbëllyeshëm Nolit, edhe ai përsërit me mjeshtëri tingujt e natyrshëm më ekspresivë, krijon asonanca dhe aliteracione të mrekullueshme, që në ndonjë rast janë më të shquara se ato të Nolit.“ Këtu vimë te shkallëzimet e shkrimtarëve: „nga më të rëndësishmit, i rëndësishëm, më pak i rëndësishëm“. Nuk i kam aspak qejf, por që janë dhe ato të nevojshme, sepse „i rëndësishëm“ në të vërtetë është si një eufemizëm për shkrimtarin të cilit i kthehemi e i kthehemi. E ashtu siç i kthehem e i kthehem Migjenit, Mjedës, Camajt në Veri, po kështu do t’i kthehem që tash e tutje Ali Asllanit nga Jugu i Shqipërisë. Le ta pranojmë që Noli mori aq peshë si poet prej jetës së tij të stuhishme dhe veprave të tjera jopoetike, sepse vjershat një dorë i ka; po kështu Lasgushi u skalit në historinë e poezisë mes dy luftërave për plotërinë dhe harmoninë që përfaqësojnë dy vëllimet e tij poetike, të cilat nuk i preku më me poezi politike. Kurse Ali Asllani s’pati as jetë të stuhishme politike, por edhe vjersha politike shkroi (përfytyroni që sekretari i qeverisë së Ismail Qemalit, kryebashkiaku dhe autori i Himnit të Vlorës jetonte në vitet 50 e deri sa vdiq në dy dhoma e kuzhinë, me pesë familjarë të tjerë, s’kish të drejtë të botonte, dreqi e mori shkruan njeriu ca poezi për partinë). Mirëpo sot kur shohim nga larg veprën e secilit, vërejmë se janë një numër, po, janë shumë poezitë e Ali Asllanit që na japin gëzim, shumë më tepër se të Nolit (marshe) dhe më shumë se të Lasgushit; vërtet nuk e kanë simbolikën dhe mistikën e liqerit si te poeti pogradecar, por kanë limfën e jetës, kanë platonikën dhe sensualizmin e dashurisë në shumë e shumë trajta; po kanë dhe një si thelb të shpirtit shqiptar, atë dufin e pasionin e jugorit, që e ka bërë vetë Lasgushin të shkruajë: „E kështu mund të bëjë xheloz për atdhetarinë shumë poetë të tjerë me vargje. Shumë pak e dinim se gjatë Luftës së dytë botërore, Ali Asllani jo thjesht u tërhoq në fshatin Vajzë, a u pendua pse kishte qenë anëtar i Këshillit të lartë të Shtetit, por mënjanë shkroi vjersha frymëzuese kundër pushtuesit që qarkullonin ndër partizanë në mënyrë anonime, më anë tjetër një poemë si „Dasma e madhe“ ku bën thirrje për ndalimin e vëllavrasjes. Në botimet e paraluftës e deri dje, strofat e fundit të kësaj poeme u censuruan, pikërisht ato ku poeti shkruante: Kështu si në rastin e kësaj poezie, të botuar te „Bashkimi i Kombit“ në gusht 1944, krahasuam për botimin e sotëm të gjithë periodikët ku shfaqej para 1944-s Ali Asllani, për të nxjerrë një libër sa më të plotë sipas të gjitha kritereve filologjike. Po për dashurinë? E dija që shkruante shumë për dashurinë, por nuk e dija që diapazoni shkonte prej poezive të holla të zemrës si:
etj. Dhe nuk e dija aspak se kishte shkruar poezi erotike deri në ditët e fundit të jetës. Në librin e fundit që i botuan „Vajza dhe dallëndyshja“ më 1964, ka shtuar ndër të tjera, me shkrim dore këto vargje (të cilat i ka qepur pas letrës me një paramane të vrazhdë sot krejt të ndryshkur).Përfytyroni plakun poet, të veshur kërk deri në fund të jetës, me një kostum 10.000 lekësh që e qepi me këto para (sepse kaq i dhanë shpërblim pasi ia mohuan pensionin me një shkresë të vitit 1963) që mbyll sytë me vegimin e zojzave lakuriqe. Në Stamboll pat studiuar së pari për mjekësi e pastaj për shkenca politike e mjekësore. Këtu shkroi vjershat e para në turqisht, arabisht e persisht! Dhe ajo që deri dje nuk e dinte askush përveç familjarëve, në vitet e fundit të jetës ka shqipëruar apo më saktë ka rikrijuar një nga epopetë e mitologjisë bektashiane „Hadikanë“, në mënyrë të ngjashme siç ka bërë Naimi me „Qerbelanë“. Bëhet fjalë për rreth 5.500 vargje të shkruara me një shkrim të qartë e aspak të dridhur në moshën mbi 80-vjeçare

DILAVER SHKURTI - Si shkruan Prof. Dr. Vladimir Misja




DILAVER SHKURTI, atashe i shquar i Tregtisë së Jashtme. Lindi më 5 shtator 1928 në fshatin Fterrë të Kurveleshit, Rrethi i Sarandës, në familjen e Hamit Shkurtit.
Arsimimi. Shkollën fillore deri në klasën e katërt e bëri në fshatin e tij Fterrë. Në vitin 1941, me ndihmën e të vëllait përfundon vitin e pestë në shkollën "Kosova" në rrugën e Elbasanit në Tiranë. Në vitet 1942-1943 përfundon vitin e parë dhe të dytë në Shkollën Normale të Elbasanit. Klasën e tetë unike e përfundoi në gjimnazin "Qemal Stafa" të Tiranës. Shkollimin 2 mesëm e kreu në Politeknikumin "Harri Fulc". Në vitin 1950 iu dha titulli "Teknik i mesëm i specializuar për ndërtim urash".
Në vitin 1951 iu akordua bursa për të ndjekur studimet në Institutin e Naftës në Moskë (Rusi). Dilaver Shkurti në Moskë u dallua si një nga studentët më të rregullt në mësimet teorike dhe në praktikë në vendburimet e naftës në Azerbazhian (Deti Kaspik), në republikat e Bashkizis dhe Çeçenisë. Gjatë periudhës 1951-1955 ai ishte një student me vullnet e përkushtim në studime. Ai punoi me shumë pasion për të përvetësuar krahas lëndëve inxhinierike edhe lëndët ekonomike. Studimet i mbaroi në vitin 1955, duke mbrojtur diplomën me notën shkëlqyeshëm. Dy vitet e fundit Dilaveri u aktivizua në Moskë me përkthimin e shumë filmave që vinin në Shqipëri, nëpërmjet ndërmarrjes së filmave "Moskfilm". Ai është aktivizuar gjithashtu si shoqërues përkthyes, në përbërjen e delegacioneve shqiptare që vinin nga Shqipëria në Moskë.
Karriera dhe veprimtaria profesionale.
Veprimtaria në industrinë e naftës. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1955 u kthye në Atdhe. Dilaveri u emërua inxhinier për shfrytëzimin e puseve të naftës dhe të gazit. Aty punoi shumë, me ndërgjegje të lartë dhe profesionalizëm në zbatimin e detyrave të caktuara.
Duke parë rezultatet e mira të punës së tij, aftësitë tekniko-shkencore në funksion të detyrave që i ishin ngarkuar, të cilat erdhën duke u rritur, në vitin 1956 u emërua kryeinxhinier dhe në fund të vitit 1957, drejtor i Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës e të gazit, Patos-Marinzë.
Përveç shumë kontributeve të tjera, në zhvillimin e industrisë së naftës, Dilaveri është pari inxhinier shqiptar, që aplikoi për të parën herë shfrytëzimin e puseve fontanë (shatërvan) në vendburimin e ri të naftës dhe gazit në Marinzë. Në vitin 1961, Dilaveri emërohet Kryetar i Degës Naftës (ku përfshihej gjithë industria e naftës e vendit tonë) në Minstrinë e Minierave dhe Gjeologjisë, në vartësi direkt nga ministri. U emërua njëkohësisht anëtar i kolegjiumit të Ministrisë.
Gjatë kohës që punoi në Ministrinë e Minierave, kryente edhe detyrën e sekretarit të komisionit për bashkëpunimin tekniko-shkencor me vendet e huaja dhe kryetari i komisionit për mbrojtjen e diplomave në fakultetin e minierave të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Dilaveri, në fund të vitit 1961 u përfshi në delegacionin shqiptar në takimin e fundit të KNER-it (Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke) për sektorin e naftës në Bukuresht. Në atë mbledhje ai foli për problemet ekonomike dhe teknike në emër të delegacionit tonë.
Në kthim, delegacioni ynë, me ftesë të delegacionit hungarez, bëri një vizitë në vendburimet e naftës të Hungarisë. Aty Dilaveri vuri re një metodë shumë novatore për shfrytëzimin e puseve me naftë viskoze (peshë specifike të lartë). Me kthimin në Atdhe, në bazë të raportit që bëri Dilaveri bashkë me një specialist tjetër, u vendos të shkonin përsëri në vendburimet hungareze për të përvetësuar këtë metodë të re.
Bashkë me kolegun e tij, inginierin e talentuar Eqerem Beci, shkuan dhe morën të gjitha të dhënat për metodën e re të shfrytëzimit të puseve të naftës viskoze duke injektuar në pus naftë të lehtë (gazoil). Këshilli teknik i kombinatit të naftës, aprovoi propozimin e tyre dhe ngarkoi një grup inxhinierësh të talentuar, të cilët metodën e propozuar e vunë me sukses në jetë. Ajo metodë e rriti prodhimin e naftës të çdo pusi 15-20 përqind.
Kjo metodë vazhdon të aplikohet edhe në ditët e sotme e do të vazhdojë me sukses edhe në të ardhmen.
Me bashkautor kolegun c tij H. Hamza, në vitin 1965 ka botuar librin "Shfrytëzimi i puseve të naftës e të gazit" qe ju ka shërbyer naftëtarëve për ngritjen tekniko­ profesionale.
Veprimtaria si atashe tregtar në Pekin dhe A1gjer. Pas prishjes së marrëdhënieve ekonomike me B.S, pajisjet dhe pjesët e këmbimit për industrinë e naftës kaluan në Pekin (Kinë). Me porosi të zv. Kryeministrit, në shtator 1967, Dilaveri u emërua specialist në përfaqësinë tregtare të Ambasadës tonë në Pekin. Aty ju ngarkua të përvetësonte problemet e trajtimit ekonomik të mallrave.
Në Pekin përveç pajisjeve e pjesëve të këmbimit për industrinë e naftës, minierave, uzinave mekanike, ju ngarkua detyra dhe për importin e kimikateve të ndryshme për industrinë kimike të vendit, import-eksportin e tekstileve e pambukut dhe të mbulonte sektorin e bashkëpunimit tekniko-shkencor midis dy vendeve.
Dilaveri koordinonte me kinezët, vizitat në Kinë të grupeve tekniko-shkencore, tregtare dhe delegacionet për firmosien e marrëveshjeve tekniko-shkencore dhe atyre tregtare midis dy vendeve. Ai ka përfunduar me qindra kontrata për pajisjet, pjesë këmbimi, kimikate, çeliqe, pambuk e shumë mallra të tjerë për të cilat kishte nevojë ekonomia e vendit tonë.
Dilaveri njëkohësisht, si specialist nafte ka dërguar në Shqipëri me dhjetëra studime për venburimet e naftës dhe gazit në Kinë të cilat u janë dërguar organeve drejtuese të industrisë së naftës dhe sektorit të Naftës në Ministri. Në vitin 1970 në krahasim me vitin 1960 vëllimi i eksportit i Shqipërisë me Kinën është rritur 12 herë.
Në shtator 1972 (pas pesë vjetësh), kthehet në Atdhe. Në Pekin u dorëzoi sektorët që mbulonte tre specialistëve që e zëvendësuan. Këto detyra, gjatë pesë vjetësh, Dilaveri i kryente i vetëm dhe kjo tregon ngarkesën dhe punën e madhe që ka përballuar.
Në Tiranë Dilaveri u caktua kryetar i degës së naftës, krijuar për herë të parë, në ndërmarrjen e Tregtisë së Jashtme. Punoi me vullnet të hekurt për rritjen e eksportit të prodhimeve të naftës, sidomos bitumit dhe importin e llamarinës për ambalazhimin e tij. Në bashkërendim me Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës, për herë të parë në këtë periudhë, filloi të eksportohej në shumë vende, në sasi të mëdha, bitum i lëngshëm në temperaturën 120oC. Transporti i tij bëhej me tanker që ngarkoheshin në portin e Vlorës dhe të Durrësit.
Në vitin 1977, Dilaveri, për të dytën herë, i vetmi në Tregtinë e Jashtme, emërohet Atashe Tregtar në Ambasadën e Algjerisë, duke mbuluar 14 shtete. Ishte periudha kur kërkohej me insistim nga qeveria të zhvillohej tregtia me vendet afrikane.
Me këmbëngulje dhe sedër të madhe Dilaveri ia arriti qëllimit për zbatimin e detyrave të caktuara. Në Algjeri, për herë të parë u eksportua bitumi i lëngshëm me tanker, çimento, duhan, tela bakri, blloqe mermeri, salcë domate sh, kompesato etj, dhe u importua gazoi1, sasira të mëdha mineral fosfatik, lëndë e parë për uzinën e Laçit, mineral hekuri për kombinatin e Çelikut në Elbasan e të tjera. Import-eksporti arriti 10 milion dollarë në vit. Dilaveri ka organizuar dërgimin në vendburimet e naftës dhe gazit në Algjeri, të naftëtarëve shqiptarë.
I vetmi atashe tregtar, që u dërgua jashtë shtetit për të dytën herë, ishte Dilaveri. Në Algjeri qëndroi 7 vjet (1977-1983).
Veprimtaria në ndërmarrjet e Tregtisë së Jashtme. Në fillim të vitit 1984 kthehet në atdhe dhe ngarkohet me detyrën e shefit të koniunkturës në Mineralimpeks.
Dilaveri ka dhënë një kontribut të shquar për zhvillimin e industrisë së naftës dhe në atë të tregtisë së jashtme.
Ai ka bërë shumë studime për sektorët e naftës dhe të tregtisë së jashtme, për probleme të ndryshme që i kanë preokupuar këta sektorë, ka firmosur mijëra kontrata për import-eksportin e mallrave, ka marrë pjesë në shumë delegacione qeveritare për firmosjen e marrëveshjeve midis vendit tonë dhe vendeve të tjera për eksport-importin e mallrave dhe zhvillimin e bashkëpunimit tekniko-shkencor.
Ka bërë gjithashtu studime të vlefshme për koniunkturën botërore të mallrave, siç është ajo me Japoninë gjatë shërbimit në Tokio (Japoni) në fillim të vitit 1988, i cili u vlerësua edhe nga organet e larta shtetërore. Dilaveri ka aplikuar gjithashtu për të parën herë ngarkim-shkarkimin e mallrave me "paleta" në portet e vendit, gjë që e rriti shumë kapacitetin e ngarkim-shkarkimit.
Në mars të vitit 1988 Dilaveri doli në pension i nderuar dhe i lavdëruar. Për punë shembullore është dekoruar disa herë, duke filluar nga koha e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ndërmjet dekoratave të tjera qëndron edhe ajo e Presidentit Rus Putin me rastin e 60-vjetorit të fitores mbi nazizmin.
Gjatë kohës së pensionit ka botuar librin mbi kontributin e populli të Fterrës, fshatit të tij të lindjes, në vitet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare 1942-1944. Libri është vlerësuar nga bashkëpatriotët e tij, nga Gazeta e Fterrës, nga Gazeta e Shoqatës "Labëria" dhe Gazeta "Ndryshe".

(Marrë nga libri i Prof. Dr. VLADIMIR MISJA: “Portrete të ekonomistëve shqiptarë në vite” f. 89-92)









 

44 vjet ma parë...kur vazhdonte të dridhej fëmija..!

Nga Fritz RADOVANI:

“ FLETË  RRUFE ”...

44 vjet ma parë...kur vazhdonte të dridhej fëmija..!

           
            “Pa frikë dhe me shkronja të mëdha mund të shkruaj secili, çfarë mendon ai...”!...
            Besoj ju kujtohet! Po, sigurisht, ju kujtohet tash që po e shihni këtu, mbasi pjesa ma e madhe e kanë harrue! Një pjesë tjetër kujtojmë na se e kanë harrue, ndërsa të rinjtë as nuk duen me e dijtë ndopak se çka ishte kjo “çmendì” që kishte pushtue mendjet tona!
            Më shkruen i Nderuemi Prof. Sami Repishti: “...Zoji Themeli, mbasi më rrahi në dru si kalin, më tha: “Ne e dimë që na quani terroristë, po ne do vazhdojmë terrorin tonë, kështu që edhe fëmija në bark të nënës do të dridhet sa herë të dëgjojë emrin komunist.!” Kjo shprehje e tij më ka mbetë e ngulun në kujtesën time përjetë. Terrori nuk ka qenë një armë e përkohëshme e sistemit komunist. Terrori ka qenë epiqendra e mendimit dhe e veprimit tyne!” Ky shkrim i Prof. Repishtit ban fjalë për vitët 1946 në Shkodër...
            Atëherë, kur kasapi korçar punonte në “thertoren” e punëve të mbrendëshme të qytetit të Shkodrës, nuk kishin fillue endè “Fletë Rrufetë”, por “betimi” i tyne njihej që me datën 29 Nandor 1944; pak ditë mbrapa, në Shkoder, pikërisht përballë Bashkisë së qytetit, kur mbas një fjalimi të zjarrtë të Arif Gjylit, Qamil Gavoçi shprazi mbi kokat e “armiqve të Popullit”, fishekun që edhe ai i kishte premtue porsa të merrnin pushtetin...
            Me 6 Shkurt 1966 erdhi koha e “Fletë Rrufesë”! Shpesh, kur e kujtojmë atë kohë në biseda ose shkrimet tona, e bashkangjisim me “Revolucionin Ideologjik e Kultural” dhe aty afër shënojmë...”i tipit kinez”. Shpërthimet e para të tij vërtetë që u ndigjuen në Pekin, por a ishte i tipit kinez apo shqiptar, kjo nuk më duket se asht përcaktue saktë nga ne edhe pse na e kemi jetue atë kohë. Nuk di kush ka mendue ma përpara “me ba fëmijët pa lindë me u dridhë në barkun e nanës”!!..Na, apo kinezët?!...
            Një fakt: Mbas vitit 1966, secili prind që priste me i lindë një fëmijë, mendonte me ditë të tana: “Si do t’ia vé emnin bebes së posalindun!...” Mendonte i shkreti babë si e si me përçudnue emnin e prindit të vet, për me kombinue emni i bebës që do të lindte me listat e aprovueme nga komitetet e partisë së rrethëve, që ndodheshin në zyrat e gjendjes civile. Gjithë ajo kohë deri sa vehej emni ishte një kohë stresi, mbasi levat e partisë, që punonin në disa shkolla ku përgatitëshin spijunët e ardhëshëm nga organizatat e rinisë, nëse ky emën i zgjedhun nga prindi i kujtonte ndonjë emën fetar, lajmëronin menjëherë të famëshmen organizatë profesionale të vendpunimit të prindit, ku organizohej urgjent mbledhja e gjithë kolektivit...Aty vendosej që ky prind që ka shkelë parimet e “kllasës” puntore, a do të ishte apo jo ma në atë kolektiv, apo do të largohej nga puna përgjithmonë... Edhe nga një emen i asaj bebes së vogël varej e ardhmja e gjithë familjes, tue mos përjashtue pasojat që do të ishin të pashmangëshme edhe për vetë beben që po vinte në jetën e “lumtur” të shoqnisë së re socialiste, të mbasrevolucionit kultural e që, ndoshta, kjo bebe do të rritej e një ditë do të shkonte ndër bankat e asaj shkollë “Jordan Misja”, ku, në Shkoder, Sofije Prifti e Selahedin Cena drejtonin këte luftë revolucionare kundër zakoneve “prapanike” simbas porosisë së “mysafirit” që flente e çohej në shtëpinë e drejtorit të Institutit Pedagogjik Mihajl Prifti, të udhëheqsit të atij “Revolucioni”, “bilbilit të partisë”  anadollakut Ramiz Alia.
            Ja, pra, me fakte, se bebja që do të lindte fillonte me u dridhë që në barkun e nanës dhe do të vazhdonte me ato dridhje derisa bahej burrë apo grue, e kur të martohej vetë, do të fillonin dridhjet e pafund të jetës së “lumtur” të sistemit socialist, dridhje që kush ka jetue në atë sistem makabër, asht e pamujtun që nuk i ka provue, sigurisht, me masa jo të barabarta, por i ka provue, mbasi në faza të ndryshme “shaka” u kthehej  këlyshëve të vet!
            Një grup oficerash të sigurimit të shtetit i zgjedhun për nga katillleku, i kryesuem nga Nevzat Haznedari, pat shkue aso kohe për eksperiencë në Kinë. Kur oficeri kinez pa se si torturonin shqiptarët, i tha Nevzatit: “Ju kanë sjellur gabim juve këtu, duhet të vijmë ne në Tiranë, për të marrur eksperiencë tek ju!...”. Kam bindjen se kur ka ardhë oficeri kinez në Tiranë, do të kenë mësue shumë gjana të reja nga eksperimentët e bame mbi njerëzit që kanë pasë rrezik me u masakrue nga sigurimi i shtetit shqiptar. Jo pse kinezët që torturojnë nuk dinë, por kanë fillue ma vonë torturat; në 1949 janë kenë 5 vjet mbrapa nesh, atëherë  kur, Nevzatët, Zoji Thëmelët, Kadri Hazbit’ e Mehmet Shehët, kishin marrë “diplomat universitare” për me masakrue njerëzit e pafaj, pikërisht kur sistemi komunist në Shqipni kishte zhdukë me rrajë elitën e vjetër kulturore dhe shtetnore, kur fshati po hynte në rrugën e vorfnisë së pafund kooperativiste, e kur endè “horizonti” i socializmit dukej i pafund! ... pikërisht kur filluen me ardhë edhe kuadrot e para të terroristëve komunistë nga Bashkimi Sovjetik. Sikur këtij kapitulli të historisë t’i referohemi me objektivitet, do të arrijmë në një konkluzion që për shumë historianë e studjues të shekullit të XXI do të ishte i papritun rezultati i ngjarjeve të ndodhuna në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX në Shqipni.
            Lufta kundër kulturës, qytetnimit evropjan, intelektualëve të mirfilltë, shkatrrimi me kulm e themel i objekteve të kultit, rrënimi i monumenteve të vjetra, djegëja e plaçkitja e bibliotekave dhe muzeumeve, apo vrasja e një “fshatari”, që ka guxue me u ba prift... kjo nuk mund të quhet kurrë “eksperiencë” kineze, por asht “filo anadollake e sllavo aziatike” e shfaqun që në Nandorin e 1944, nga veprimet e bame në Shkodër prej: Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Rahman Perdhakut, Shefqet Peçit, Gjin Markut, Qamil Gavoçit, Çiril Pistolit, Omer Nishanit, Sulo Gradecit, Aranit Çelës etj. dhe e vazhdueme pandërpremje për 47 vjet nga Ramiz Alia me shokë...
            Ja edhe një fakt: “Kur një ingjenjer kinez po kalonte nga shkolla “11 Janari”, po në Shkodër, ka pyetë shoqnuesin e vet shqiptar KT (emnin nuk jam i autorizuem me e tregue): “Çfarë asht kenë ky shesh i rrethuem me mure para sa vitësh?” - dhe shoqnuesi KT i ka tregue se aty ishte shumë vite ma parë shkolla dhe seminari i jezuitëve...
            Kinezi, i çuditun, për me përforcue mendimin e ka pyetë prap shoqnuesin:
            – Po keni pasë edhe jezuitë në Shqipni?!...
– Po - i asht përgjegjë shqiptari...
            Atëherë ingjenjeri kinez i ka thanë: “Pse lodhet kot Enver Hoxha me zhdukë tek ju Fenë, a nuk e di ai se aty ku kanë vue kambën jezuitët nuk mund të zhduket asnjëherë dhe në asnjë kohë; Katoliçizmi, kjoftë edhe njëqind vjet mbrapa mbas zhdukjes së jezuitëve, këtu, në këte tokë që jemi tue shkelë, ata kanë rrajtë e tyne, që njëditë do të mbijnë dhe do të rilindin, por edhe do të  lulëzojnë...Fara e Katoliçizmit e hjedhun nga jezuitët asnjëherë nuk mund të shfaroset! Komunizmi në Shqipni për mue asht i falimentuem...” (KT1967). Ja pra, edhe kinezi, “pa frikë dhe me shkronja të mëdha...” na ka tregue çfarë mendonte ai për punën dhe veprat e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e të sa komunistëve të falimentuem...
            Por duhet thanë edhe një e vërtetë:
            “As nuk më ka shkue mendja kurrë gjithë jetën teme se do të vijë “një kohë” që edhe unë si kinezi do t’i vé “Fletë Rrufe” Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, në përgjigje të atyne që më kanë pasë vu mue në vitin 1967 dhe 1970, se jo vetëm për kinezin, por edhe për mue, o mjeranë, ju, bashkë me komunizmin tuej, jeni të falimentuem...
E... ashtukjoftë...”

            Melbourne, 2011.
           

FJALA KRYENGRITËSE NË TELEVIZIONIN E PRISHTINËS




( E ëmbël dhe e bukur është të vdesësh për atdhe / dhe të lirë të lësh pas vetes / fëmijët, shtëpinë dhe çdo gjë tjetër. )

Homeri 

                                      
Fjala kryengritëse peshën e  saj e ka në çastin kur thuhet. Njëri nga zërat më kryengritës të fjalës kryengritëse  në TVP  ( Televizioni i Prishtinës ) padyshim se ishte Bashkim Ramadani, redaktor në disa redaksi në Televizion. Bashkim Ramadani u lind në vitin 1947 në Jezerc afër Ferizajit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Pas shkollës së mesme Bashkimi regjistrohet në SHLP në Gjakovë, drejtimi Histori Gjeografi, ndërsa diplomon në Fakultetin e Historisë, të Universitetit të Kosovës. Bashkim Ramadani shquhej për dijësi dhe korrektësi. Mirëpo jeta e intelektualëve shqiptarë në vitet 1970 e mëpastaj ishte me plotë të papritura.Vlimet e brendshme për një Kosovë jashtë prangave të serbit zienin në mesin e intelektualve të formuar. Harta e Kosovës nën pushtimin serbë kudo pikonte gjak. Bashkim Ramadani ishte gazetar me taban të fortë kombëtar. Ai nuk jepej përpara asnjë furtune. Bashkimi e dinte saktë  adresën e armikut, dhe  s´i do të çlirohej Kosova. I rrethuar me shokë dhe miq të mirëfilltë, Bashkim Ramadani nuk ndalon kryengritjen e tij kundër fjalës së burgosur. Në Televizion atë kohë kishte një grup gazetarësh dhe redaktorësh, dhe teknikësh në televizion, që nuk i përfillnin urdhërat  nga lart të pushtuesit serbë, dhe i kundëviheshin politikë gjenocidiste serbe, ata ishin;  Bashkim Ramadani, Rrustem Geci, Ismet Begolli, Sherif Konjufca, Hamdi Gërvalla, Tahir Desku, Sylejman Shaqiri, Hamdi Sopa, Shaqir Foniqi, Skënder Durmishi, Besa Çeku, Minire Fetahu ,Rexhep Kasumaj, Florie Veselaj, Adem Gashi, Sejdi Bylykbashi, Ismail Kurteshi,Arif Demolli, Xhafer Krasniqi, Adem Salihaj, Ekrem Kryeziu, Mustafë Xhemajli, Sami Islami, Sinan Kamberaj, Ali Sh. Berisha, Nuhi Bytyqi, Isa Kadriu, Llukman Halili, Shaqir Sadiku, Asllan Bajrami, Shihrije Ramoqi, Avdush Canaj, Musa Tolaj,dhe shumë e shumë të tjerë, që kurrë nuk reshtën në publikimin e së vërtetës, por edhe në veprimtaritë ilegale për Kosovën Republikë. Në Televizion, tregon Bashkim Ramadani atë kohë, dorë më dorë ( kuptohet në fshehtësi të madhe ) lexonim trakte, broshura, dhe thirrje të grupeve Ilegale për vetëdijësim të popullatës për një kryengritje të ardhshme. Televizioni i Prishtinës, tregon Bashkimi, ishte ai që e bëri të shuhet Lidhja e Komunistëve të Kosovës. Televizioni i Prishtinës, vlerëson Bashkimi, ndihmoi në pajtimin kombëtar, në Faljen e Gjaqeve, në Unitetin e masave popullore. Në vitet 1981-1991, Kosova po kalonte një nga periudhat më kryengritëse dhe më të përgjakshme të saj. Demonstratat e studentëve, Grevat e minatorëve , Demonstratat e punëtorëve në ndërrmarrjet e Kosovës për kushte të këqija në punë, Marshi i madh i Kosovës, dhe demonstratat për rrogat e pa paguara, vlonin në gjithë Kosovën. Në të tërë ato vite Kosova po absolvonte në drejtim të shkëputjes prej Sërbisë. Liria as s´ falet, e as s´blihet, më thoshte shpesh baba Munish, por liria fitohet. Familja e Bashkim Ramadanit, ishte në vëzhgim të vazhdueshëm nga hafijet e rexhimit serbë. Babai i Bashkimit, Munish Ramadani, me profesion mësues,  ishte shumë aktiv në hapjen e shkollave të reja në Kosovë. Për shkak të këtij aktiviteti, Munish Ramadani, dënohet me 15 vjet burg të rëndë, me adresë burgu, Goli Otok. Një burg famëkeq për vrasjen e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë. Bashkimi i vogël u rritë pa babanë e tij të dashur, derisa gati u burrërua. Në Televizion Bashkimi kryen detyra të shumta. Në të gjitha detyrat, Bashkim Ramadani kurrë nuk u lëkund nga udha e të qenit shqiptarë i vërtetë. Në shtëpinë e Bashkim Ramadanit në Neredime, po edhe në Prishtinë, miqtë dhe shokët e tij ishin intelektual të formuar dhe patriotë të mirëfilltë. Bashkimi në TVP bënte punën  e redaktorit në redaksi. Në redaksinë për punëtorët jashtë vendit, Bashkimi ka punuar shumë në ngritjen dhe vetëdijësimin e mërgatave tona, në Evropë, Amerikë dhe Australi. Unë bashkë me Rrustem Gecin, Hasan Kadriun dhe Fetah Bakiun, në emisionet për Bashkëatdhetarët, kemi bërë thuaja të pamundurën për të shpërndarë të vërtetën, pse janë ngritur shqiptarët kundër serbit, pse Kosova shtypet dhe burgoset, pse Kosova është vendi më i varfër, çfarë do tani Kosova, et, etj. Televizioni i Prishtinës në ato vite tregon  Bashkimi ishte ekrani i vërshëllimave të stuhisë. Nga ajo dritare magjike e Televizionit, Kosova edhe qahej edhe zemërohej. Nuk ishte e lehtë rrëfen Bashkimi t´i transmetoje lajmet me 13 polic në studio. Por, njeriu heroizohet sipas rrethanave. Ne ishim të vetëdijshëm për veten tonë, nëse nuk shpërbëhet Jugosllavia, do të mbaronim ose në burg ose të pushkatuar, amnisti as që parashikonim. Një gjë mund ta themë me plotë përgjegjësi, se Televizioni i Prishtinës pati absolvuar suksesshëm edhe në ngjarjet e vitit 1981, edhe në grevat e minatorëve, edhe në helmimin e nxënësve, edhe në pajtimin e gjaqeve, edhe në afirmimin e këngës popullore dhe folklorike e çka jo. Në ngjarjet e vitit 1981 shumë punëtorë të RTP-së, ishin pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1981, në mesin e tyre ne patëm edhe një të vrarë, Gazmendin. Komenti i RTP-së i shkruar nga Rexhep Kasumaj, dhe Komenti i Bashkim Ramadanit, për braktisjen e shqiptarëve nga  Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, që populli i Kosovës të merr udhë të duhur ishin dy majat të fjalës kryengritëse në Televizion, që tundën jugosllavinë. Njeriu i Kosovës në periudhën 1981- 1990 ishte një njeri me luftë të brendshme dhe të jashtme. Njeriut tonë atë kohë i digjej shpirti për atë që po ndodhte në Kosovë. Shqiptarët në atë peridhë nuk gëzonin kurrfarë të drejtash. Harta e Kosovës kudo kullonte gjak. Këtë e kemi parë dhe ndjerë të gjithë. Mbi 8 qind mijë të dënuar, të rrafur e të poshtëruar për të vetmen kërkesë, „Kosova Republikë! Në vitet 1981-1990 i gjithë sistemi komandues në Kosovë ishte në duar të pakicës serbe. Demonstratat e pandërprera të studentëve, Grevat e minatorëve, grevat e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe, vrasjet e ushtarëve shqiptar në ushtri, maltretimet e çdoditshme, helmimi i nxënësve, dhe poshtrimi shqiptarëve vetëm pse ishin shqiptarë, bën që zëri i fjalës kryengritëse dhe fotografisë në Televizion të jetë më i hapur dhe më i drejtpërdrejt. Si sot më kujtohet  më thotë Bashkimi, Marshi i madh i popullit, ose bashkimi i tyre për të mbijetuar në trojet e veta, ishte një heroizëm i paparë i popullit tonë. Televizioni i Prishtinës në atë kohë kudo ishte me popullin. Ekipet e televizionit brenda dhe jashtë në teren, bënin punën e duhur.Punonim ditë dhe natë. Koha s´priste për asgjë. Jugosllavia pritej të shpërbëhej. Në gjithë atë katrahurë, Kosova do paguaj çmimin më të lartë; 17 mijë të vrarë, mbi 1 milion të ndjekur e të dëbuar, mbi 1 qin e 5 dhjetë mijë shtëpi të djegura, 25 mijë vajza e gra të dhunuara, dhe një popull i tërë i plaçkitur dhe i poshtëruar, nga ata që vrasjen kishin mësim. Në tërë atë situatë, TVP-ja bëri atë që duhej bërë, u mbështet fortë në krahët e popullit.Kontributi  i Televizionit dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, është për tu vlerësuar. Ne s´bëmë asgjë më shumë seç kërkonte populli i Kosovës, dhe atë që na lejonin rrethanat. Ky është komenti im për atë kohë, shprehet Bashkim Ramadani. TVP-ja ra dëshmor si gjithë dëshmorët e kombit. TVP-ja u rraf, u ndëshkua, u vra e u burgos, e në fund edhe u mbyll pë veprimtarinë e saj patriotike, nga një Desant që bëri Ushtria Jugosllave. Prandaj, Unë kujtoj se TVP-ja dhe rreth 1 mijë punëtorë të saj,  e meritojnë një vlerësim institucional dhe një pllakë përkujtimore për kontributin e TVP-së, dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Shëndet o Bashkim Ramadani! Shëndet!..


                                                   Rrustem Geci - Dortmund    



2011-06-21

Një ditë më thotë: “po shkruaj poezi”, unë i thashë: “mirë, edhe unë një ditë do të shkruaj poezi”.


Ali podrimja.jpg



Ali Podrimja u lind më 1942 në Gjakovë,Republika e Kosovës , ku pati një fëmijëri të vështirë.Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

Nga  Flori Bruqi

Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.
Publikimin e parë e bëri në vitin 1957   në revistën letrare Jeta e Re  kur ishte në gjimnaz.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.
Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

“Unë, para se të merresha me shkrime, merresha me sport. Isha notues, një ndër më të njohurit, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës. Por, unë rastësisht kam hyrë në letërsi. Një mik i imi shkruante poezi dhe ai vinte të më shihte mua kur kërceja nga shkëmbinjtë e lartë, nga lartësitë e mëdha. Një ditë më thotë: “po shkruaj poezi”, unë i thashë: “mirë, edhe unë një ditë do të shkruaj poezi”. Dhe ashtu ndodhi. Ishte ajo poezia ime e parë që e botova në “Jetën e re”, në numrin 4, në vitin 1957”.(Flori Bruqi)


-----------------------------------------------------------------------------
Ali Podrimja: Përballemi me krim kulturor


Bisedoi: Vera Pelaj


Cila kohë është koha e fillimit të shkrimeve?
Kam filluar të shkruaj që në vitet ’60. Poezinë e parë e kam botuar në revistën letrare “Jeta e re”, në numrin 4 të saj, në vitin 1957. Por, puna ime më e dendur dhe që ishte më e vrullshme, fillon nga vitet ’60. Atëherë isha nxënës i gjimnazit të Gjakovës dhe më kujtohet si sot, pas disa numrave që ishin botuar te “Jeta e re”, që mbarte Esad Mekuli, të cilin unë e kam quajtur në shkrimet e mia diskurseve, edhe “Engjëlli im mbrojtës”, më luti të dërgojë një poemë për Kosovën. Unë vetëm e kisha shkruar poemën, e cila kishte hasur në keqkuptim te organet e pushtetit të atëhershëm. Dhe kështu, ata i kishte kapur tmerri, shkaku i një vargu, i cili gjendet në poemë, “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Do të thotë, para 50 vjetëve, e kisha thënë këtë varg dhe si nxënës isha bërë problem për shtetin e atëhershëm. Prandaj, atë kohë, vështirë se do ta harroj ndonjëherë, sepse ishte me shumë të papritura.


Me ç’farë problemesh u ballafaquat për shkak të shkrimeve tuaja në atë kohë?
Problemi kryesor ishte poema por, pas poemës kisha botuar edhe disa poezi të tjera. Posaçërisht problem më kishte sjellë edhe poezia “Bukuria”. Për këtë poezi më thonin, kush është ai fqinji yt, që ende nuk e ke takuar? Në atë poezi kisha një varg që thoja: “Zgjata dorën ta këpus lulen, mos, më tha fqinji im”. Fjala ishte për bukurinë dhe mirësinë në jetë por, ata (pushteti i atëhershëm) e kuptonin krejt ndryshe. Ata e kuptonin nga rrafshi politik dhe më thonin se ke menduar për Shqipërinë. Unë nuk mund të thosha se ishte ashtu, sepse mund të dënohesha, ashtu siç kishin paraparë ata. Mirëpo, megjithatë, mua më përjashtuan nga gjimnazi dhe unë u detyrova që privatisht ta mbaroj gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Drejtori im i shkollës ishte Ibrahim Zherka, i cili ka qenë një njeri zotëri, historian dhe njeri diplomat. Më bëhej se ai më lexonte në sy dhe përgjigjet e mia atij i pëlqenin. Atij i pëlqente që unë dëshiroja t’ju bishtnoj gjërave më të këqija. Posaçërisht ishte ra në hall Esad Mekuli, sepse Komiteti Krahinor i atëhershëm e kishte ftuar në bisedë informative dhe e kishte pyetur për poezinë time. I kishin thënë: “çka është kjo poezi, çka është ky varg “Kosova është gjaku im që nuk falet”, sa vjet i ka ai poet që e ka shkruar….?” Esadi, ishte përgjigjur se është djalë i ri dhe kishte treguar që jam gjimnazist. Mirëpo, komiteti në atë kohë, kishte thënë se ky poet nuk mund të jetë gjimnazist dhe se nëse është kështu, ai gjimnazist, nuk meriton që ta vazhdojë shkollën më tutje. Ai qenka njeri i revoltuar, rebel etj.etj.
Pas atyre bisedave, Esadi arrin në Gjakovë dhe gati sa nuk qante. Unë i kërkova falje dhe i thashë: “më fal baca Esad, unë ashtu e shoh dhe mendoj se “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Të tjerët mund të thonë që Kosova nuk është gjaku i tyre, por gjaku im, është”. Ai filloi të shqetësohet dhe më tha: “nëse më dëgjon, nëse më kupton dhe nëse dëshiron që “Jeta e re” të mos mbyllet, a bën ta shkruash një vjershë për Titon?” Unë buzëqesha dhe i thashë: “baca Esad, unë nuk kam qenë në luftë dhe as që jam takuar me Titon.
Nuk e di as çka të shkruaj”. Ai më tha, se do të jetë mirë edhe për ty dhe se do të shërbejë poezia për Titon ty, edhe si mbrojtje. Më kujtohet, se me të ishte edhe Nehat Islami. Nehatin e donte shumë dhe të dy bashkë kishin ardhur te unë në Gjakovë, me qëllim që të më bindnin që të shkruaja një poezi për Titon. Iu thashë se nuk di ta shkruaj atë poezi. Esad Mekuli më tha: “shkruaj ti tre-katër rreshta, e unë i rregulloj”. I thashë se atëherë nuk është poezia ime. Më tha: “të lutem, ose duhet ta shkruash një poezi për Titon, ose përndryshe do të na mbyllin revistën “Jeta e re”. Atëherë ishte gjallë Dushan Mugosha.
Në atë kohë, dëgjoheshin ngapak edhe shqiptarët por, ai i kishte nën komandë të gjithë. Baca Esad nga ai kërcënohej, por unë bacës Esad i thashë: “për besë nuk di të shkruaj poezi për Titon”, por ai më tha: “për hatrin tim, duhet ta shkruash”. U binda dhe e shkrova poezinë, por jo aq të gjatë. Dhe ai më tha se do t’ia vinte titullin vetë. I thashë, mbasi ndodhi kjo punë me poemën time dhe pasi dëshiroj që unë të mos jem shkaktar për mbylljen e revistës “Jeta e re”, po e vë në peshojë edhe nderin tim dhe i thashë se unë nuk mund t’i shoh lotët e tu. Më tha: “mirë, dhe kështu do të bëjmë”. Mirëpo, ajo poezi në gjuhën shqipe kishte kaluar shumë mirë dhe udhëheqësit shqiptarë thonin për mua se ky qenka djalë i mirë, ne i paskemi ra në qafë etj., etj. Por, poezia ime, përkthehet në gjuhën serbe, me rastin e ditëlindjes së presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Titos. Ata duhej patjetër të shihnin se çka kanë shkruar shqiptarët, sllovenët, kroatët, maqedonët etj., dhe e bëjnë një antologji. Në atë antologji, e përkthejnë edhe poezinë time.
Poezi për Titon kishte nga të gjithë poetët e Kosovës, duke u nisur nga Enver Gjergjeku, Rrahman Dedaj, e nga të gjithë sepse koha ishte e tillë dhe nuk mund t’i bishtnoje punës atëherë sepse në atë kohë, themelohej edhe Universiteti, krijohej edhe Akademia e shumë institucione të tjera, e të vinte turp ta pengoje, prandaj është dashur që në njëfarë mënyre, të bësh lojë edhe me fatin tënd edhe me fatin e shoqërisë. Dhe, e marrin atë poezinë time për Titon, e analizojnë dhe përsëri thonë se, ky njeri është tallur me ne sepse në poezi e ka vargun “Trimi im”. Kur i drejtohesh dikujt me “Trimi im”, është pezhurativ dhe ata thonë se ky i thotë Titos “Trimi im”. Sekretari i Fadil Hoxhës më thotë: “na trego pse e ke shkruar këtë poezi dhe këtë varg?!” Unë i pata thënë: “i kam thënë trimi im, asgjë tjetër”. Ai më thotë: “jo, ky varg është shkruar në mënyrë pezhurative”. Unë iu përgjigja: “jo, jo. Unë kam menduar se është trimi im dhe asgjë tjetër”. Dhe me kaq u mbyll ai proces rreth asaj poezie. Mirëpo, Esadin, vërtet e kam pasur një “engjëll mbrojtës”, sepse ai më ka mbrojtur shumë shpesh dhe vërtetë më ka ndihmuar shumë.
Deri tani na treguat për problemet që i keni pasur në të kaluarën për shkak të krijimtarisë tuaj. A mund të keni probleme edhe tani p.sh. me poezinë “Zero” që e keni shkruar në vitin 2004, meqenëse edhe kjo poezi është për korrupsionin?
Krijuesi, është turp të heshtë para korrupsionit. Është turp të heshtë para injorancës dhe para të keqes, që mund ta kaplojë shoqërinë. Kam përshtypjen, që ai sindromi i Shqipërisë, ka kaluar edhe tek ne. Tani neve, na kanë kapluar këto “Zerot”, e ato zero në realitet, mund të ishin kafshatë e shumë njerëzve të varfër. Nuk ka asnjë funksionar sot, nga më i vogli e deri tek ai më i madhi, që nuk i ka disa makina. Ato makina janë bërë tmerr për opinionin, për ata që çdo ditë enden me duar në xhepa. E kjo është e turpshme. Mirëpo, krijuesi duhet ta luftojë këtë, duhet t’u tregojë njerëzve, kur një popull siç jemi ne, ende kërkon veten, kur një shoqëri ende bredh në një hapësirë ballkanike dhe ende nuk e ka marrë veten në dorë, e jo të tregohesh një shoqëri e pasur, kur je një shoqëri e varfër.

Shikoni vetëm sa universitete private janë ndërtuar këtu, e ndërtimi i gjërave private ka vetëm qëllim përfitimin, e asgjë tjetër. Studentët më të dobët janë nëpër universitete private. Por edhe profesorët në universitetin shtetëror, janë të hutuar sepse ngasin edhe nëpër universitete private, në të gjitha anët sepse ngasin për përfitime. Unë shoh shumë intelektualë që janë në nivel e që kanë emër por, ata nuk bëjnë ashtu, sepse turpërohen pikësëpari nga familja e vet dhe nga vetë populli.
UÇK-ja, e ka pasur për betim vargun tuaj “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Si e ndieni veten për këtë nder?
Për mua ky ka qenë nder sepse shumë nga ata të rinj që dolën nëpër male dhe kapën pushkët për ta mbrojtur dinjitetin dhe Kosovën i kam njohur. Për mua është interesant edhe një rast në Tiranë, ku ishte mbajtur një demonstratë e madhe në vitin 1998, për lirinë e popullit të Kosovës. Dritëro Agolli, siç e ka zakon ai me atë humorin e vet, më tha: “Ali, na ke bërë telashe”. E pyeta: për çka? Më tha, qindra vetë e kanë mbajtur vargun tënd lart dhe kanë bërtitur: “Kosova, është gjaku im që nuk falet”. Unë i thashë se nuk kanë bërë gabim, mirë kanë bërë. Edhe i thashë, ky është nder për mua. Edhe ky varg i imi që ka qenë për betim të luftëtarëve të UÇK-së, është nder për mua.
Në cilësinë e poetit kombëtar, ju e keni përfaqësuar poezinë kosovare nëpër festivale të ndryshme. Një ndër këto festivale ka qenë edhe Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë. Cili ishte roli i juaj, në këtë festival?
Unë kam qenë në shumë manifestime të tilla dhe kam pasur shumë takime me poetë. Në takime të tilla, çdo krijues mund të kontribuojë për çështjen shqiptare. Mund të kontribuojë për shumëçka, mirëpo, takimet e Mediteranit janë ndër takimet më të mëdha që mbahen çdo vit në Evropë. Aty kanë marrë pjesë edhe miqtë e mi, Fatos Arapi, Agron Tufa, Visar Zhiti etj. Më ftuan dhe unë shkova.

Kishit thirrje direkte nga Roma?
Po, direkte. Mirëpo, ishte shumë qesharake për mua, që në ato takime ishte edhe nobelisti kinez, për të cilin unë kisha shkruar shumë keq. Inatosesha se si një krijues kinez, për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë, ishte nderuar nga Stokholmi me çmimin Nobel. Dhe duhet ditur se secili intelektual duhet ta mbrojë intelektualin e vet, e jo t’i shkelë vlerat e veta. D.m.th. është e turpshme. Unë edhe sot kur i shoh intelektualët që grinden mes vete, mua me vjen turp, sepse ne secili kontribuojmë në mënyrën tonë për çështjen kombëtare, për kulturën kombëtare dhe për afirmimin tonë. Ato takime kanë rëndësi shumë të madhe për afirmimin e secilës kulturë, të secilës letërsi. Kryesisht aty tubohen letërsitë e Mesdheut mirëpo, ftohen edhe poetë nga Kina, nga Vietnami, nga Australia, nga Amerika.

A do të mund të organizohej në Kosovë një festival i poezisë, çfarë është Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë në Romë?
Ne kemi pasur Mitingun e Poezisë që është mbajtur afër 50 vjet në Gjakovë dhe mbahet ende. Por, krijuesit filluan të grinden me veti. Ka mbetur Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, por u formua edhe Pen Qendra e Kosovës. Realisht, organizator i Mitingut të Poezisë në Gjakovë ka qenë Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”. Atëherë Gjakova ishte shumë e fortë ekonomikisht dhe Gjakova e financonte, mirëpo e ndihmonte edhe Ministria për Kulturë. Tani më duket se janë harxhuar fjalët në mesin e krijuesve, u harxhuan xhepat dhe pasuria për të mbajtur një manifestim të tillë.

Tani vazhdimisht manifestimet tona duken të zbehta. Nuk të merr malli edhe të marrësh pjesë, sepse nuk e kanë atë bukurinë që e kanë pasur dikur. E mbaj mend që atë kohë vinin poetë jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, por edhe nga e tërë bota. E tani shkaku i mjeteve, nuk kemi mundësi t’i thërrasim. Tani mblidhen vetëm poetët e Kosovës, ata që dëshirojnë të shkojnë. Përndryshe jeta letrare në Kosovë vjen vazhdimisht duke u varfëruar. Dhe kjo është një nga të zezat më të mëdha, që e ka plagosur letërsinë shqipe.
Sa jeni i kënaqur me Ministrinë e Kulturës, me atë që ju ofron shkrimtarëve?
Ministria e Kulturës, mirë që ekziston dhe mirë që ka njerëz të kulturës aty, por Ministria e Kulturës duhet të ketë edhe mjete më shumë. Mjete më shumë sepse nëse kjo ministri nuk financon revista, nëse nuk financon fletushka letrare, nëse nuk financon manifestime të ndryshme letrare, nëse nuk i ofron dhe i bashkon krijuesit, atëherë nuk është në funksion të kulturës. Kjo ministri kurrë nuk ka pasur më pak para se tani. D.m.th., shumicën e mjeteve që i marrin ata, i shfrytëzojnë për të paguar personelin që punon aty. D.m.th. mjetet tjera që mbesin aty, janë të pakta për një zhvillim normal të kulturës në përgjithësi tek ne.

Nga këndi juaj, si e keni shikuar polemikën Qosja-Kadare?
Ajo polemikë që ka ndodhur në mes këtyre dy krijuesve, ndoshta ata i ka dëmtuar më së shumti, sepse ka qenë shumë e acaruar dhe një polemikë e tillë, ka ndodhur një kohë kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë dhe nuk dihej ende se çka po bëhej me të. Ndoshta do të ishte më mirë të heshtnin, mirëpo, ata të dy janë krijues dhe e kanë thënë mendimin e tyre. Është mirë që e kanë dhënë mendimin e tyre, mirëpo nuk është mirë kur e shkelin njëri-tjetrin. Kjo është më e dhimbshme.

Sa jeni i kënaqur me poetët e rinj?
As poetët e rinj nuk kanë sot hapësirë ku mund të botojnë dhe ku mund të paraqiten për arsye se mungon shumëçka. Mua më vjen keq që shumica e poetëve të rinj, bredh në margjina. Nuk gjen vend sepse nuk i ofron shoqëria. Shoqëria është fajtore për këtë dhe shumëçka tjetër. Shoqëria duhet ta dijë se një popull duhet ta ketë një kulturë të madhe. Me atë kulturë, duhet t’i prijë edhe shumë programeve kombëtare dhe t’u prijë edhe shumë projekteve kombëtare. Nuk mund të bëjnë projektet kulturore njerëzit që janë jashtë sferës së kulturës.


Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...