2011-12-25

..kur mora rrugën e mërgimit loti i saj lagu shtratin e zemrës....


Isuf Grajçevci u lind më 12 korrik të vitit 1948 në fshatin Hade, ku kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme dhe shkollimin e mëtejmë e vazhdoi në Prishtinë. Punoi si korrektor në Gazetën Zyrtare të ish Jugosllavisë, në Redaksinë e gjuhës shqipe dhe në Enciklopedinë e ish Jugosllavisë - në Redaksinë e gjuhës shqipe në Prishtinë. Bëri përkthime të materialeve të ndryshme serbokroatisht-shqip dhe anasjelltas. Më 1994 u detyrua të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një kohë punoi përkthyes i gjuhës angleze në UN. Tani jeton e vepron në Prishtinë dhe SHBA.
Në vitin 2008, botoi përmbledhjen e parë me poezi’’ Hapat e tu në mote’’ dhe ne vitin 2010 përmbledhjen e dytë gjithashtu me poezi “Gjurmë mërgimtari”.

Veprat letrare:

1.         “Hapat e tu në mote”, poezi, Prishtinë, 2008
2.         “Gjurmë mërgimtari”, poezi, Prishtinë, 2010

DITA NË KALENDARIN TIM

(17 shkurt 2008)

Vështroja horizontin
e nuk besoja
për atë që po shihja
loti i dhembjes
puthte lotin e krenarisë
Flamurin mbaja në duar
që ende pikonte gjak lirie
gjak i marseve dhe i nëntorëve
të përflakur të lirisë
e putha
e mbështolla për trupi
dhe thashë:
Kësaj radhe s’do të ma gjakos njeri
në këtë karvan me plot dasmorë
dhe unë po e hedh vallen e pritjes
kurrë s’kam  pas një ndjenjë të tillë
malli
dashurie
dhembje e krenarie
dhe  për një çast
ju luta Zotit:
më dhuro një copë jetë
ta ndjej
ta jetoj këtë ditë
të shënuar në kalendarin tim.


IMJA PERËNDESHË

Dhe valë e oqeanit
përballet me shkëmbin
siç përballet dashusria ime
me stuhitë për ty
Ti
më vret në shpirt
e bukura e këtij globi
historia jote
më përplasi
në këtë Metropol
bonjak – pa nënë
ku gjurmë vuajtjesh
më janë harkuar në fytyrë
e dhembje shpirti
kurrë nuk e thanë
lotin në sy
dhe vargu im mori udhë
në shkreptima rrufeshë
luftëtarë lirie
të dërgova për qëndresë
Ty, e Bukura e Globit
Imja Perëndeshë!


HAPËRIM…

Hapërova
andej e këndej oqeanit
herë në gëzim
e hërë në vaj
por
askund si në ty, Kosovë
nuk gjeta pushim
këtu, je zot shtëpie
lulëzon në kopshtin tënd
e atje…
çdo pjesë trupi të dhemb


NDOSHTA...

Në këtë anë oqeani
me dashurinë  time u takova
shpirt, zemër, bukuri
të gjitha ia dhurova
shetita qytet me qytet
me dorën e saj
dita ishte e bukur me te
e nata parajsë
kur mora rrugën e mërgimit
loti i saj
lagu shtratin e zemrës
tashmë
çdo cast pikon shi
ndoshta …
zemrat do të takohen
në të njëjtën anë oqeani
e dhimbjet e mia
do t’i ngroh diell i dashurisë
jeta është me plagë
të lëndon
të kërrusë
dhe sa më larg dashurisë që je
të djeg
me zjarr e pa zjarr


AS OQEAN I THELLË...

Në cdo qerpik tëndin
dua të pushoj
të mbytem në thellësinë
e syve tu
afshi puthjes sate
fle në buzët e mia
zemra ka zënë vend në zemër
e nuk luan dot më
Ajo
s’mund te ike nga imja
se aty
është dashuria ime
që të djegë flakë
e mua
më ka mbeshtjell në trupin tënd
unë
sërish do ta prish vetminë
në ag të ditës
do ta fal buzën
e në orët e natës
supet e mia
do ti lëshoj mbi supet tuaja
do të të dua deri në amshim
asgjë sdo t’më ndal
në shtratin e dashurisë sime
as guri mbi liqen
as vesa mbi lule
as oqean i thellë
do ta zgjas vetem dorën
ta marrë dashurinë tënde
dhe mos harro
zemra yte rrah në mua
e imja ne ty...


DASHURI I SHTRENJTË

Ti
Dashuri e shtrenjtë
sërish më bashkove
me sytë që më kërkonin
më ktheve këtu
ku rrugët e mia
janë të lira për të hapëruar
Ajo
që ka prekur zemrën time
je Ti
Dashuria e shtrenjtë
që më jep forcë, vullnet
edhe kur valët më përplasin
me rrebeshe të ndryshme
Ti
agu dhe freskia
shpresa dhe jeta
Ti
Dashuri e shtrenjtë...

Aty, në kryqëzimet e universit


Alma Begaj, ka lindur më 21.12.1968 në qytetin e Beratit, banuese në Durrës. Shkollën 8-vjeçare e ka kryer në qytetin e Lushnjes, të mesmen artistike për muzikë në degën fagot e ka kryer në Fier. Studimet e larta i ka kryer në Elbasan dega Edukatë Qytetare.

BOTIME:
Në  tetor 2011, del nga Shtëpia botuese “KUMI” cikli i parë me poezi me titull “Shikim që sfidon distancat”.
Në nëntor 2011, nga Shtëpia botuese “VLLAMASI”, del cikli i dytë me poezi “Farfurima e shpirtit”.

DRITË NGA DASHURIA

Rrufeja
çan qiellin.

E vret në errësirë
qiririn e natës’.

Nga jashtë,
vjen shenja jote;
e, papritmas, gjithçka
ndizet, ndriçon!

Manteli i ngrohtë
më mbulon të tërën
me shkëlqim.

Tani me dritën tënde
ekzistoj dhe jetoj..!


NATË

Në sy
m'kaloi nata mbrëmë
i gëzova mendimet shterpë
armët i mblodha qetë-qetë
rrëmbyer nga dridhje zemre.

Ëmbëlsia e buzës tënde
shije të shenjtë m'la në gojë,
hapsira pa zë përshkova
kur koreografinë e valles mendjelehtë
vetë dëgjova e vallëzova.


TROKTH

Kuajt, trokthën tokën
era u përkëdheli jelet
nata ua ngatërroi shtegun
mëzkat lotin vallen e mëngjesit..
hënëza ikën e buzëqeshet.


NJOHJE

Po i hyj vetes brenda, me pa se ç'ka.
Nëse mundem.. portën do ta mbyll
e do ngujohem në kët' kull'...
Mos prit çelësin të ta jap!


MES SHPIRTIT DHE MENDJES

Jemi fryt i kohës, si njësi paralele
mes shpirtit dhe mendjes
në goditjet e çdo çasti,

Dhe, si ciganët që enden,
me fijet e mendimit
projektojmë të ardhmen.

Vallëzojmë mbi të lashtat melodi,
të kaluarat na shembin,
të tanishmet i jetojmë në agoni.

E endemi në ato që do të vijnë,
sepse fijet e kujtimeve,
gjithnjë dhe ende me ne udhëtojnë.


EH, Ç'NGOPJE N'BARDHAK

Puhia e detit,
nuk ngurroi aspak
që, bashkë me valën,
hënën t'ma derdhte
..n'bardhak..

E piva e më dehu,
fijevetullën e saj,
syrin kur ma shkeli
buzëqesha pa skaj,
..eh, ç'ngopje..


GRIMCA

*
E shëmbe dheun
nën çapin që po hedh.
Hije plot nur fytyra.

*
Je midis grimcash
të së përditshmes.
Bukur plotësohemi.

*
Më mungojnë yjet.
Kur u vodha buzëqeshjen,
në pus i hodha.

*
Me duart e mia
trazova valën e ujit
dhe jashtë, u turbullua pasqyrimi.
Sytë e tyre, më thanë lamtumirë..


ÇUDI..

Hënëza e vetme
mbi një tendë blu,
m’i ngatërroi orët
kur ëndërroja për dashuri..

Dëgjoja zërin tënd
që vinte nga aq larg,
asgjë nga fryma jote
të përqafoja në boshllëk..

Pse më zgjodhi mua?


TA HUMBA FYTYRËN

Në sy humba pamjen,
dhe errësira u mbush me dritën tënde.
Në skajin e heshtjes së shkretëtirës së brishtë
dritën e agimit thekove,
dhe era e detit i mori krahët e mi,
kur uji yt, hyri në mua.


MBRËMË

Mbrëmë,
të ëndërrova në ngjyrat e kohës,
era luante me flokët e kujtesës.

Mbrëmë,
kam jetuar dhimbje e vajtim
loti ishte i hidhur deri poshtë në gji.

Mbrëmë,
Prita të vije, e jetoje ëndrrën me mua
të ecnim të dy nëpër natë deri në agim.

Sonte do të vish?


THESARI

Kam lindur nga zemra jote
ditën e parë të pranverës.
Thesarin, ti më nuk e gjen
u ngatërrove keq
në kryqëzimin e shkretëtirës
kur kërkove shtegun e trëndafiltë.


NDËR LOT..

Unë, do të pres
nën hijen
e një stilolapsi,
mes dhomave,
brenda një kështjelle
që fsheh brishtësitë e mia
mes lotit të mirësisë.



DY NË NJË

Dy zemrat që dashurohen
janë,
si dy orë magnetike
që lëvizin në një drejtim,
me kahje të nxehta,
sepse është një impuls i vetëm
që vepron në të dyja.
Një forcë e vetme
i përshkon ato.
Ndjenja!


KLITHMË

Brenda një pakoje
heshtur rri e kaluara
dhe mban shpresat e së ardhmes.

Klithje të lehta dëgjoj
në rrugën e vështirë
ku në strehën time yjet rrinë në sfond.

Kthesat lëngojnë
në qerren e ngarkuar
e përpjeta mbetet për t'u jetuar.

Klith drita në buzëqeshje dhe lotë!


UNË ATJE DO TË PRES

Pika uji në dritare,
kur ti mendon se unë jam larg,
duke i lënë mendimet
të rrëshkasin qartë.

Të gjitha ujrat
në det do shkojnë:
kujtimet e mia dhe mendimet e tua
le të shkojnë në qiell
për të formuar retë.

E, unë, atje do të pres
të bëhemi bashkë
për gjithnjë.


ZEMRËS

Dashuria, si një valë
që shkatërrohet përmbi shkëmb,
me zemër të fortë
këput e thyen gjembat
që depërtojnë thellë shpirtit.


NJË TJETËR KOMPLOT

I njoh peripecitë e kohës
që, pamëshirshëm dhe pandalshëm
e asnjëherë, nuk vonohen të më vijnë.

Në breg të detit tim, vështrimin tres
e, një dremitje, ose një shenjë
më sjell përsëri në agim të dritës,
e, me shkëlqimin e aureolës së saj,
unë ende mund të krijoj
një tjetër model qëndisje qetësie…


ZEMRA E FJALËS

Zemra e fjalës
zvarritet drejt qendrës së mendjes
të përcjellë në çdo ind të lëkurës
jetën dhe gjakun…

Je ushqim për Rilindje
në krahët e një ëndrre
ku jetojmë të dy.


KRYQËZIMET E UNIVERSIT

..çdo gjë është një frymë,
është sy-prekje,
madje edhe lëkura jonë..

Jemi emra të spërkatur nga
pluhur yjesh dashurie
në gjithësinë e udhëkryqeve të universit.

..gjithësia është një dehje dashurie,
dritë për errësirën,
melodi që qëndron në zemër
dhe vjen për të pushuar në buzë..
Aty, në kryqëzimet e universit.


NDJEJ PAQE TANI

Paqe ndjej tani
sepse në zemër më jeton
gëzimi që më dhurove ti.

Je buzëqeshja ime e munguar
që gushtin ma ç’ekuilibroi.

Je, krahët e fluturimit,
drita që flatroi në sytë e mi.


RA MBRËMJA..

Në fijet e errësirës
po varen fenerë yjesh,
dhe dritat qeshin vetminë
e hijeve që ecin natës.

Mjegullnajat e kujtimeve
shpërbërë prej yjësisë,
përshkojnë realitetin e shfrenuar
në humnerat pa ngjyrë.

Skajet e natës
ndritur mbi maja qiparisash,
këndojnë nina-nana
në gugatjen e sqepit të vjeshtës.


FESTË PA FLAMUJ

Festë pa flamuj,
pabukësi e uritur
në sy pa shkëlqim,
varfëri
edhe në sofrat e pasanikëve,
kafe që t'mbet në fyt,
diell i ftohtë në perëndim
që errëson qoshet e shpirtit
e verbon foshnjat ende pa lindur,
kafshë rimishëruar sërish
në zanafillën e kafshës..

Në festën pa flamuj,
ndjehem copë copë,
e më shumë se aq,
mbushur me dhimbje,
dhimbje fizike e përtej saj..

Ka festë??


ALPINE

Në harkun e horizontit
në verilindje …
në shkëlqimin e vesës
së agimit …
ylber ngyrash nga rrezet
e diellit,
sillmë mua parfumin
e luleve,
nga vendi më i bukur i tokës:
Alpine!


MES HESHTJES PA FUND

Jam
zëri i fragmenteve
të vogla,
që sjell
poezia e shpirtit,
kur  mbledh
emocionet,
mes heshtjes
pafund..!


JO, TI NUK JE..!

Sytë e shpirtit
në mëshirën e buzëqeshjes time,
gabojnë në horizontin e dritës.
Boshllëk i humbur,
ku unë vrapoj e mallkuar
në rrjedhën e kësaj kohe.
Jo,
ti nuk je..!


TI

Ti,
shihmë,
e do të kuptosh
shpirtin tim-si deti,
merri  ndjenjat e mia-si vela,
tej e mbanë  bjeri detit tim,
e mbytu ëmbël!


TË DHUROJ

Shiko në sytë e mi,
e, hyr brenda shpirtit tim
e, shih si ta dhashë
ngrohtësinë e diellit,
qysh ta dhurova
pafundësinë e detit,
si të jeshilova
me t’gjelbrën e natyrës,
e, me të mrekullueshmen e botës;
Dashurinë time,
ëmbëlsisht ta fala!

Haj’ t’i  gëzojmë   ditët
e pranverës që po lind!


ORKIDE

Parfumi i kujtimeve të vjetra
mendimet më prek
në faqen e shpirtit.
Orkidja delikate
trupin zhvesh,
e, mbështillet
me rrezet e ëndrrave,
turpshëm bën dashuri.


FORMA E UJIT

Ndërsa ndjej
ajrin në butësinë e lëkurës
që dridhet
si nxehtësia e horizontit
në sytë e tu,
pyes veten nëse yjet
janë aq larg
apo vetëm shndrijnë
të veshur me argjend
kur duart e mia janë brenda teje
për t’i dhënë formë ujit..

Rrjedh jeta në errësirë
për të ndriçuar
shkëmbin e gërryer.


AUTOSTOP

Në Hënë
shkova me autostop.
Elefanti  ndali
në rrugën e Qumështit
të puthte Arushën e Madhe.

Unë,
mbeta në Hapsirë
në pritjen e taksisë
për kthim,
në Ishullin e Shpresës.


ERDHA PËR TË MOS IKUR

Erdha,
erdha për të mos u zhdukur..
drita s’majfton në galeri.
Nuk thoh asgjë,
askënd…
këtu ishim më duket
ndoshta s’e di
errësirë është
e, s’majfton drita në galeri.

Unë erdha,
erdha për të mos u zhdukur më
në jetën pa energji,
dhe ti,
mos u vendos para rrezikut
në netët me parfum “kurthi”
në errësirë..

Erdha për të mos ikur
Nëse e ikur s’kam qenë,
Mbi shpatullat e dritës
Ma sill një fije drit-Hënë.


Ç’FAJ KAM UNË?

Ёshtë ajo,
vetja jote
e vërtetë,
krejt e zakonshme
pa sqimë,
e egër,
tinzare,
njeringrënëse:
ç’faj kam unë
që shoh përtej teje?


KËMBANA MË ZGJOI

Ra këmbana e fundit.
Heshtje..
Mbeta
me pështymën në fyt
e gëlltita çastin
në ankth prita
e ti nuk erdhe.


MOS MË NDAL

Dashuri,
mos më dëno në fatin tim,
mos më ndal!

Më mbaj  hapur
në të gjitha  stinët
të fluturoj!

Bëj  të rri mbështjellë
në krahë të mëdha,
të ngrohtë!

Mos të fle më gjumë
gjatë dridhjeve të pulsit.
Infektomë
me  gjithë pasionet,
e, të fle, mbi jastëkun tënd epshor.

Kur të shtohet ritmi,
në dashuri dhe pasion
merr  çdo gjë timen 
dhe mos më lëndo! 

Kujtimit të Efendi Yzeir Sallatës nga Marglliçi i Çamërisë




Poeti Përparim Hysi u  lind  më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. 

Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe në vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arsimit të lartë për gjuhë letërsi. Për pamundësi botimi ( për shkaqe biografie)  filloi të botojë vetëm në vitet e demokracisë. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”,  “Luftë” me dashurinë”. Ka përgatitur për botim  librin”Bluaj në mokrat e kujtesës”. Përveç  poezisë shkruan prozë, kritika, esse. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë.



Tregim

Nga Përparim Hysi

Unë kisha dëgjuar që në fshatin tonë, Petovë, kish ardhur një hoxhë. Kish ardhur dhe qe nga Çamëria. Kur e dëgjova këtë as kisha parë hoxhë me sy, por nuk dija se ç'ishte Çamëria. Dëgjova dhe isha i vogël. Aty, praviteve '50-të, në mbylljet të vitit shkollor arrita që ta shoh këtë hoxhën tonë nga Çamëria. Do të thoni ju po pse s'e kisha parë më parë? Së pari, që ky, hoxha ynë, u shërbente 7 fshatrave aso kohe dhe xhamia që kish Petova që mu në të dalë të fshatit kur shkoje  nga Petova për në Fier. Nga shtëpia ime xhamia, donte nja dy orë të mira dhe, veç kësaj, si të ardhur nga Skrapari ne s'para bëheshim me hoxhë, se qemë bektashinj. Klerikët e Bekatshinjëve janë derivishët dhe Baballarët. Kështu që në shtëpinë tonë, ia grahnin si mysafirë, më tepër dervishë e Baballarë (sado larg prej tyre, ne), por ata e ndiqnin edhe larg grigjën e tyre. Natyrisht, këtyre klerikëve, si besimtarë të devotshëm kurrë nuk ua linim pa paguar detyrimet si besimtarë. Majfton që t'ju kujtoj një fakt: nuk kishte shtëpi skraparlie që ishte vendosur në Petovë, pa mbjatur për të nxjerrë nga dimri gati nga 10 kokë të imta që figuronin për iks teqe në Skrapar.
Por, pse po zgjatem? Hoxhën e pashë aty nag viti 1950, në ceremoninë e mbylljes së shkollës. Pra, ka qenë qershor. E pashë dhe e mbaj mend mirë: me atë mantelin e gjatë, sado që qe verë, me çallmën në kokë që  qe e ndryshme nga sarëku që mbanin derivishët apo dhe Baballarët e teqeve. Ata, përgjithësisht, sërëkun e çallmës e kishin me jeshile, kurse kjo e hoxhës qe e bardhë. Po kam arsye më madhore që e mbaj si të gjallë atë ditë portretin e hoxhës. Përjgegjësi i shkollës (Petova, sado e madhe vetëm fillore kishte, se qenë vitet e para të mbasçlirimit), mësuesi Sotir Meço kish krijuar një traditë të bukur: në mbyllje të vitit shkollor, vinin që të gjithë prindërit tanë, me burra, gra, fëmijë dhe bëhej si një festë e bukur. Njerëzit-arsimdashës që të gjithë- gatunain gjellët tradicionale dhe si në një dasëm të vërtetë kërcisnin këngët e vallet. Kjo ceremoni gjante me një dasëm të vërtetë, po të shtosh dhe faktin tjetër, se e gjithë ceremonia shoqërohej me sazet që Petovës, ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, nuk i mungonin. Sotir  Meçoja   (sa mirë që rron ende). Jo vetëm rron me gjithë të shoqen, mësuesen time, Dhoksinë, por ky, Sotiri mbajti fjalën e tij përshëndetëse në përurimin e librave të mi, vjet, në maj, tek biblioteka e qytetit të Fierit ) qe shpirti dhe "ilaçi" i këtyre ceremonive. Kish ngritur një  presidium, ku, veç tij, qenë dy pleq të moçëm dhe, patjetër, hoxha se 95% e popullësisë së Petovës janë myslimanë.
Ceremonia fillonte me një fjalë përshëndetëse të përgjegjësit të shkollës, përmëndëshin nxënësit shëmbullorë dhe, pastaj, kalohej në recitime nga nxënës të ndryshëm. Por dhe në këtë ceremoni, dukej dora prej organizatori të mësues Sotirit. Mua, si nga Skrapari, më kish dhënë për të recituar një  poezi luftarake. Sa me qejf e  recitoja dhe me sa pasion. Edhe sot atë vjershë nuk e kam harruar. Jo vetëm kaq; vjersha që do bëj të njohur për lexuesit, është recituar dhe nga dy fëmijtë e mi dhe deri tek mbesa, Jola në Shkodër, sot paramaturante honor në një gjimnaz privat. Ja dhe vargjet e vjershës:

"Dua të jem ushtar
Të kem pushkë në dorë
Të më thonë luftëtar
Të fle në dëborë.

Se atje është nderi
Për çdo shqiptar
Jam foshnje,i mjeri,
Por jo frikacak..."

Natyrisht, unë e shoqëroja me gjeste poezinë time dhe kur dëgjova duartrokitjet, mënd zura qiellin me dorë. Për një shokun tim, që gjyshërit i kish pasur hyzmeqarë tërë jetën, mësues Sotiri kish zgjedhur një vjershë të bukur. Kur shoku im, recitoi dhe, mes tjerash, arriti tek vargjet: "Këmbëzbathur/bythëçjerrë/punoj vetëm për të tjerë/... njerëzit ranë përmbys nga gazi. Por edhe më: radha i erdhi shokut tim të ngushtë, Zenelit.Zeneli ishte djali i madh i hoxhës. Dhe mësues Sotiri, pikërisht, këtij djalit të hoxhës, i kish dhënë vjershën "Po kërkoj ilaç". Zeneli prej natyre është shumë hokatar dhe filloi:

"Më zuri sëmundja dhe u leqendisa
Dhe botën të tërë, për ilaç gjezdisa.
Pyeta një plakë që kisha në mëhallë

Më tha:-Je ograndisur se ke shkelur djall. Plasi një e qeshur që hajde ta mbaje njerëzinë, por Zeneli as që e humbi toruan, por e ngriti zërin dy oktavë mbi gjindjen dhe, sikur ta kish porositur njeri, iu drejtua hoxhës, të jatit:... dhe i rashë në gjunjë, aman Efendi!? Ky shpejt nxori dividin, më jep hajamali. Të gjithë sy e veshë nga hoxha. Hoxha, mozollah se e bëri veten, por ndiqte të birin që vazhdoi:

-Na këtë "fletë" dhe thua se u binde
Se ty, mor evlat, të kanë zënë xhinde!!!

Por edhe hoxha, shkoi ashtu si shkoi
Sëmundjen që pata, as ky s'ma shëroi.

Gjindja prapë ra përmbys, por hoxha as që e prishi terezinë. Vonë, shumë vonë arrita që ta njoh më mirë, këtë klerik që qe aq i ditur.

                                          *    *   *  
Kur u mbyllën objektet e kultit, unë isha ushtar në Shëngjin dhe kam treguar për priftin e Lezhës që nuk pranoi të hiqte kryqin nga vila e tij. Kur pa që e hoqën frocërisht "vullnetarët e Enverit", prifti u tha:-Po unë kryqin e kam çetu-duke shënuar mbi zëmër. Kur u lirova, në fund të vitit 1967, u emërova mësues në fshatin tim, në Petovë. Me hoxhën miqësia ime kish filluar me faktin se unë, djalin e madhdh të hoxhës, atë, Zenelin e "po kërkoj ilaç" e kam pasur dhe e kam mikun tim më intim. Zeneli u bë agronom i mesëm dhe shërbeu deri sa doli në pension që nga Levani, në Pyjore dhe në Petovë për shumë kohë si brigadier. Hoxha, kur i mbyllën xhaminë, kish bërë pak a shumë atë gjestin e atij priftit katolik: ua kish dhënë çelsat e xhamisë,"vullnetarëve", dhe qe mbyllur brënda në shtëpi. Kur kishin ardhur dhe i kishin thënë:-Hajde, folu të rinjëve dhe thuaja që ju, klerikët, kini gënjyer, ju tha:-Unë vdes si besimtar tek Perëndia dhe kurrë nuk e mohoj atë (perëndinë), pa të rinjtë le të bëjnë siç u thotë partia.
Meqë u emrova në fshat, gjithmonë do të kaloja mu tek pragu i shtëpisë së hoxhës. Sado që e kish hequr "veshjen", të gjithë i thërrisnin, Efendi. Dhe unë kështu i thirra. Deri ditën që vdiq. Qe goxha burrë i ditur, dhe kurrë nuk hiqej si i tillë. Dinte të bisedonte me çdo njeri dhe me zgjuarësinë natyrale që kishte, dinte të ruhej dhe nga "fuksat". Isha prezent kur kish ardhur një nga "ata?!". I kërkonte (gjasme) t'i shkruante një nuskë për të birin që "ishte sëmurë (pas mbylljes së xhamisë, de) dhe tek kundroja Efendinë se si do ta zgjidhte këtë "nyjë gordiane", dëgjoj që  t'i thotë:-Po ku di unë nga "nuskat" Usni?! Po unë atë punën e hoxhllëkut e bëja nga e "keqja" se kam 5 fëmijë për të ushqyer, pa fmilët Usni t'i shëron partia ty dhe, kur vuri re se ky Hysniu (Usni në Çamrishte), kish ulur kokën, Efendiu më shkeli syrin. Usniu u ngrit e iku me kokën të qethur. Kur ky, Usniu, e theu qafën, dëgjova t'i bërtiste të shoqes, Lirisë:-Gjerbna dhe ndonjë kafe mua e Papit, por pa sheqer, se, sa përcollëm "xhenazenë" (qe fjala për Usninë, fuksin,de!).

                                       *    *    *
Pothuajëse dy-tri herë në javë ktheja tek hoxha. Tani ai e kish prerë daljen dhe vetëm lexonte. Një ditë, e preu bisedën, dhe pashë që mori shkallët dhe u ngjit në tavan tek koridori. E ndoqa me sy. Atje në tavan, kish një si dritare të fshehtë, që, pasi e largoi, hyri në të. Kur zbriti, kish në dorë dy  libërtha. E dinte maninë time për të lexuar dhe më tha:-Po të jap këto dy "ilaçe", janë nga to që kërkoi "Usniu" dhe qeshi. Mbaroi dhe m'i kthe prapë. I mora i gëzuar dhe tek i shfeltoja në shtëpi, qenë as më shumë dhe as më pak: revista "Kultura Islame" dhe ajo që më bëri përshtypje "Hylli i dritës". I lexova me qejf dhe tek po i ktheja (e merrja me mend që ai do kishte "barut" tjetër atje tek kthina e fshehtë), i them:-Efendi, mirë "Kultura Islame", po "Hylli i driës" si e paske rujatur.
Dhe ai:-Eni, po ka njerëz më të ditur se ata, katolikët?-më thuaj. E di ti,- më tha, se edhe në Kongresin e Manastirit, ata vunë dhe vulën. Pastaj më dha  prapë një fashikull tjetër nga "Hylli i dritës". Aty lexova dhe atë polemikën:-Gabove, Hilë! A di ti,-më tha,- që atë AT Gjergj FIshtën italianët e kanë pasë bërë akademik. Po a din ti, që në atë kongresin e Manastirit, Hafuz Ali Korça e ka marrë në grykë këtë, Atë Fishtën, se ka lëshuar pe, për të arritë tek ki alfabeti që kemi. Dhe unë, dalngadalë, së bashku me Efendinë po bëhesha "katolik". "Ilaçin" ma jepte Efendiu që e kish fshehur në tavan. E pata parë, Efendinë që mbante mardhënie të ngrohta (pa u prishur kishat e xhamitë) me Imzot Irinea Banushin, rektorin e madh të Manastirit të Ardenicës dhe me Imzot Atë Polizoi Ikonomi, prelatin e kishës së  Fierit. I pata thënë:-A e lejon Kuh'rani miqësinë e një prelati mysliman me të një fej tjetër. Dhe ai, si burrë i ditur që ishte, më tha:-Edhe Imzot Irenea edhe At Polizoi janë si Universitete me vete. Të ditur si ata. Po të kishte sinodi i krishterë nga këta prelatë dhe besimi i njerëzve do të qe më i madh. Dhe përsëri më dha një "Hylldrite". Kur po më përcillte, më tha:-Unë jam hoxhë, por, vallaj-billaj, këta katolikët (e kish fjalën për kelrin katolikë) e kanë  bërë beli: vetëm ata e pranuan fashizmin me konditë që të ruheshin simbolet e kombit. Janë më patriotë, më të ditur,- pse do t'i vijmë anës. Por ti di të lexosh, lexoj dhe do të shohësh. Kanë hapur shkolla dhe, kur Zogu i mbylli këto shkolla, ata (klerikët katolikë) bërtitën:-Të rrojë Shqipëria dhe pa ne klerikët. Po ku u numërohen veprat e tyre në të mirë të kombit?

                                    *      *    *  
Sapo kish dalë libri "Gjylistani e Bostani" dhe me atë në dorë, drejtohem tek Efendiu. Unë e kisha mbaruar me një frymë dhe ai, sa ma pa në dorë, u gëzua si një fëmijë kur i  dhurojnë një lodër të dashur, më tha:-U dija, e nxorën. E di që e ka përkthyer Vexhiu. Ti,- më tha,- nuk e njeh. Vexhiu i ka të rrallë shokëlt nga dituria. Është i ditur si këta, "katolikët",- më tha,- por ai veqili i Gjinokastrës (nënkutpo Enver Hoxhën), e ka çuar faturist tek diqani i berberëve në Berat. Më përqafi dhe troç fare më tha:-Eni, me këtë libër, përcillu! Dhe nuk ma dha më. Por, kur shkova pas një jave-dy rrugë e një punë-kinse për ta rimarrë "Gjylistanin..." tim, ai, pashë që mori përsëri shkallët (thashë e ka vënë atje), po, kur zbriti, më tha:-Është prishur ca nga përdorimi, por i ka të gjitha faqet. Po bëj "tramp" me pak "doganë" me "Gjylistanin...". E mora në dorë dhe mu në krye pashë vargjet që kisha dëgjuar: për Marassh Ucin. Eh,- thashë tek ikja për në shtëpi,- e ka mbajtur fshehur dhe mozollah se tregonte. Kuptohet që e lexova me nge "Lahutën e malsisë" të Atë Gjergj Fishtës. Paradoksi qe se "streha" qe bash një hoxhë mysliman.
Kur u bëra inspektor për gjuhën e letërsinë në rrethin e Fierit, aty mesviteve '90-të, më së fundi qe vënë dhe një fragment nga Fishta. Po dhe ky i "sakatuar" nga autorët e tekstit. Po pse e kisha "ilaçin" e Hoxhës në shtëpi. Me atë në dorë, organizova një seminar me të gjithë mësuesët e klassave të teta dhe bëra ndreqjet sipas origjinalit në libër, që, më së fundi, dhe Atë Fishta të lexohej ashtu siç e kish shkruar: gegërisht dhe jo duke e "shartuar" ata të "institutit të teksteve,de!".Në Fier u bë dhe meritën e ka ai hoxhë, Efendi Yzeir Sallata që qe "katolik?!".
 Një ditë e gjeta të nxehur mikun tim. Ma bëri me dorë që të kthehesha.-Ç'ke, Efendi, pse je nxehur kështu?-Eni,- më tha,- kam arritur në përfundim që mathematika nuk është shkencë ekzakte?-Po ç'thua, kështu, Efendi?-ia pres.-Kështu është dhe nuk e luan topi,- ngulmoi ai. Deri sa Hasani im që është "budalla" mbahet si mësues i mirë mathematike, kështu është. Po si ishte e vërteta? Hasani, është djali i dytë i Efendiut, një nga mësuesët më të mirë të mathematikës në Fier (ka mbi 10 vjet që jep mathematikë në një nga shkollat e Tiranës) dhe hoxha e quante budalla, se kurrë nuk dinte të merrte kthesat. Qe i ndershëm dhe ashtu mbeti. Po, kur nxehej, edhe miku im, Efendiu, e humbiste ndonjëherë. Por, tek i mbyll këto radhë për të, them se qe jo vetëm një klerik imirë dhe i ditur, por qe njeri që shihte larg. Njerëzit e ditur i çmonte dhe ndaj e quaj "katolik". Kur vdiq, aty prag viteve '70-të,  nuk mbeti njeri pa marrë pjesë. Si mik i familjes që isha dhe jam, atje pashë, pothuaj, gjithë klerikët e rretheve nga Vlora e deri në Shqpëri të mesme. Dhe për të qenë i sinqertë në gjithë shkrimin tim, them se e bëra si Silvestër Bonari, pas vdekjes së Efendiut, e "rivodha" "Gjylistani dhe Bostani". E kam dhe sot, këtu me vete. Dhe, në e zë  me dorë, tak dhe më ravijëzohet portreti i dashur i Efendi Yzeir Sallatës nga Marglliçi i Çamërisë, që më rrënjosi, veç tjerash, dhe dashurinë për katolikët dhe, mbi të gjitha, për Atë Fishtën.





181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...